Regulation No. 151 transferring administrative responsibilities related to the ports of Vlora and Saranda
颁布于 2003-03-13 · 文本截至 2026-10-01
以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。
研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。
关于这部法律
- 语言
- Albanian
- 类型
- 条例
- 组织
- European Union
- 国家
- 阿尔巴尼亚
- 主题
- Fisheries and aquaculture
- 关键词
- harbour
在哪里阅读
该法律没有记录来源链接。
文本
所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。
V E N D I M Nr.151, datë 13.3.2003 PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT TË PORTEVE TË PESHKIMIT NË VLORË DHE NË SARANDË DHE PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES TIP, TË KALIMIT NË PËRDORIM TË PORTEVE TË PESHKIMIT TEK ORGANIZATAT E MENAXHIMIT TË PESHKIMIT (OMP) Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 15 të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit” dhe të pikës 3, të nenit 31/11 të ligjit nr.7908, datë 5.4.1995 “Për peshkimin dhe akuakulturën”, i ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit, Ministrit të Transportit dhe të Telekomunikacionit dhe Ministrit të Ekonomisë, Këshilli i Ministrave V E N D O S I : 1. Hauzi i peshkimit në Treport dhe pjesa e portit të peshkimit në Limjon, së bashku me infrastrukturat përkatëse, sipas genplaneve që i bashkëlidhen këtij vendimi, të kalojnë, përkatësisht, nga porti detar Vlorë sh.a. dhe porti detar Sarandë sh.a., në administrim të ndërmarrjes së rritjes së midhjes Sarandë, e cila është në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ushqimit. 2. Miratimin e marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për kalimin në përdorim të porteve të peshkimit tek Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit (OMP). 3. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit, Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit dhe Ministria e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. KRYEMINISTRI Fatos Nano MARRËVESHJE TIP PËR TRANSFERIMIN NË PËRDORIM TË PORTIT TË PESHKIMIT …… Në zbatim të ligjit nr.8870, datë 21.3.2002 për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7908, datë 5.4.1995 “Për peshkimin dhe akuakulturën”, lidhet kjo Marrëveshje ndërmjet ndërmarrjes së rritjes së midhjes Sarandë dhe Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit (OMP) ….. për transferimin në përdorim të portit të peshkimit Sarandë, mbi bazën e kushteve të pranuara nga palët dhe të përshkruara në nenet e mëposhtme. Neni 1 Palët Palët në këtë Marrëveshje janë ndërmarrja e rritjes së midhjes Sarandë dhe Organizata e Menaxhimit të Peshkimit (OMP) ….., person juridik i krijuar në mbështetje të nenit 26 të Kodit Civil për ushtrimin e veprimtarisë në sektorin e peshkimit, në përputhje me përcaktimet e parashikuara në ligjin nr.8870, datë 21.3.2002 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7908, datë 5.4.1995 “Për peshkimin dhe akuakulturën””. Neni 2 Qëllimi i Marrëveshjes Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është transferimi i përdorimit të portit të peshkimit ….. nga ndërmarrja e rritjes së midhjes Sarandë tek OMP-ja….. , duke përcaktuar kushtet për kryerjen e veprimtarive në port, si edhe kompetencat, detyrimet dhe përgjegjësitë e Palëve. Neni 3 Kohëzgjatja Kjo Marrëveshje ndërmjet Palëve të lartpërmendura lidhet për një afat prej 30 vjetësh me të drejtë rinovimi të saj. Neni 4 Pronësia 1. Porti i peshkimit ……. është pronë publike, i cili transferohet dhe i jepet në përdorim OMP- së. 2. Ndërmarrja e rritjes së midhjes Sarandë është përfaqësuesi i shtetit në marrëdhëniet e pronësisë. 3. OMP-ja është pronare e mjeteve dhe pajisjeve që ka investuar në territorin e portit të peshkimit. Neni 5 Territori i portit që transferohet në përdorim 1. OMP-së i transferohet në përdorim hapësira ujore dhe ajo tokësore e portit të peshkimit nëpërmjet kësaj Marrëveshjeje, mbi bazën e kufijve të përcaktuar në genplanin bashkëngjitur vendimit të Këshillit të Ministrave. 2. OMP-ja garanton rrethimin dhe ruajtjen e territorit të portit të peshkimit. Neni 6 Veprimtaritë kryesore që kryhen në portin e peshkimit 1. Veprimtaritë që kryhen në portin e peshkimit përfshijnë strehimin, përpunimin dhe shërbimet teknike të anijeve të peshkimit. 2. OMP-ja programon dhe merr masa për vendosjen e sigurt të anijeve të peshkimit në kalata, duke respektuar rregullat dhe rregulloret e hartuara për këtë qëllim. 3. OMP-ja krijon kushte për përpunimin e anijeve të peshkimit në port (shkarkimin e peshkut të zënë, furnizimin me karburant, me ujë të pijshëm dhe bazë materiale e teknike të nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë së peshkimit). 4. OMP-ja krijon kushte për kryerjen e shërbimeve të nevojshme të anijeve të peshkimit (riparime të pajisjeve e agregateve të tyre), duke përdorur në mënyrë racionale territorin dhe infrastrukturën që administron. Neni 7 Ruajtja e destinacionit dhe e interesit publik 1. OMP-ja me marrjen në administrim të portit dhe të strukturave të lidhura me veprimtarinë e peshkimit, garanton mosndryshimin e destinacionit dhe të qëllimit për të cilin i është transferuar administrimi i këtij porti. 2. OMP-ja merr përsipër që në administrimin e portit të peshkimit të ruajë dhe të garantojë interesin publik. 3. OMP-ja ka të drejtën ekskluzive të menaxhimit të portit të peshkimit që ka në përdorim. Neni 8 Përdorimi i portit në rastet e jashtëzakonshme OMP-ja merr përsipër të garantojë përdorimin e portit të peshkimit nga ana e shtetit në rastet e masave të jashtëzakonshme, të përcaktuara me ligj të veçantë. Neni 9 Ruajtja dhe rritja e vlerës ekonomike OMP-ja merr përsipër që jo vetëm të ruajë e mirëmbajë portin, por edhe të ndikojë në rritjen e vlerës ekonomike të strukturave portuale të peshkimit që i janë dhënë në përdorim. Neni 10 Përgjegjësitë e OMP-së 1. OMP-ja është përgjegjëse për shfrytëzimin racional të portit, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e zhvillimit normal të veprimtarisë së peshkimit. 2. OMP-ja merr përsipër përballimin e kostove të përdorimit dhe të mirëmbajtjes së portit. 3. OMP-ja përgjigjet për mirëmbajtjen e portit të peshkimit, ku përfshihen: a) mirëmbajtja e ndërtesave të administratës dhe të reparteve ndihmëse; b) shërbimet e mbledhjes së mbeturinave të lëngëta dhe solide në territorin e portit; c) mirëmbajtjen e infrastrukturës për furnizim me energji elektrike, karburante dhe ujë të pijshëm; d) mirëmbajtjen e mjediseve higjieno-sanitare të portit etj. Neni 11 Përgjegjësitë e palës shtetërore Përfaqësuesi i palës shtetërore në çdo kohë të praktikueshme duhet të mbajë të hapur kanalin e hyrjes, si edhe të bëjë përforcimin e strukturave mbrojtëse dallgëthyese të portit. Neni 12 Mbrojtja e interesave të përdoruesve OMP-ja merr përsipër që të përdorë në mënyrë të drejtë e të barabartë për të gjithë anëtarët portin e peshkimit, në mënyrë që të nxisë dhe të mbrojë interesat e përdoruesve. Neni 13 Mbrojtja e mjedisit OMP-ja merr përsipër që të administrojë portin e peshkimit në mënyrë racionale, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, për të nxitur mbrojtjen e mjedisit dhe një zhvillim të qëndrueshëm. Neni 14 Inspektimi OMP-ja merr përsipër të krijojë të gjitha kushtet për inspektimin nga ana e organeve shtetërore, të ngarkuara nga ligji, të portit dhe të strukturave të lidhura me veprimtarinë e peshkimit që ajo administron. Neni 15 Përdorimi i portit të peshkimit nga persona joanëtarë të OMP-së 1. OMP-ja është e detyruar të lejojë çdo mjet lundrues, që është pronë ose drejtohet nga një person i cili nuk është anëtar i OMP-së, të përdorë portin e peshkimit që i është transferuar OMP-së në përputhje me rregullat e vendosura prej saj. 2. Mundësia për të hyrë në zonën e portit të peshkimit u krijohet të gjithë personave fizikë e juridikë, qytetarëve shqiptarë dhe të huaj, që kanë leje hyrjeje të lëshuar nga OMP-ja. Kufizimet e hyrjeve në port OMP-ja i mbështet në konventat kombëtare e ndërkombëtare për të parandaluar veprime të paligjshme ose aksidente. 3. Personat joanëtarë të OMP-së, të cilët hyjnë ose shfrytëzojnë portin e peshkimit që i është transferuar asaj OMP-je, duhet të veprojnë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e portit dhe me rregulloret e OMP-së. Neni 16 Marrëdhëniet e OMP-së me organet shtetërore 1. Marrëdhëniet e OMP-së me organet shtetërore rregullohen mbi bazën e legjislacionit për autoritetet portuale. 2. OMP-ja mban lidhje të rregullta dhe të vazhdueshme me organet shtetërore që ushtrojnë veprimtarinë në zonën e portit (kapiteneria, regjistri, policia, dogana etj.). 3. OMP-ja është përgjegjëse për sigurinë dhe sigurimin në territorin e portit të peshkimit që ka në administrim. 4. Kompetencat dhe përgjegjësitë e zyrës së kapitenerisë së portit ndaj anijeve të peshkimit, ekuipazheve të tyre dhe koordinimit të veprimtarive të lundrimit rregullohen mbi bazën e ligjeve në fuqi dhe të Kodit Detar. OMP-ja bashkëpunon ngushtë me kapitenerinë si në drejtim të këmbimit të informacionit të mbërritjes e largimit të anijeve, ashtu edhe për lëvizjen e anijeve brenda portit. 5. OMP-ja bashkëpunon ngushtë me kapitenerinë dhe regjistrin detar për ndjekjen në vazhdimësi të çështjeve që lidhen me sigurimin e lundrimit të anijeve mbi bazën e konventave ndërkombëtare. 6. OMP-ja bashkëpunon dhe i krijon kushtet e duhura doganës në mënyrë që ajo të kryejë detyrat funksionale të saj brenda territorit të portit të peshkimit. 7. OMP-ja bashkëpunon me policinë, me qëllim që të sigurojë zhvillimin normal të veprimtarive në portin e peshkimit. Neni 17 Dokumentacioni i OMP-së 1. Dokumentacioni i Marrëveshjes së transferimit të portit të peshkimit Sarandë mbahet në ndërmarrjen e rritjes së midhjes Sarandë, në OMP dhe kopje të saj i dërgohen Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. 2. Ndërmarrja e rritjes së midhjes dhe OMP-ja kryejnë inventarin e portit të peshkimit, të cilin OMP-ja e merr në ngarkim së bashku me dokumentacionet përkatëse. Neni 18 Anulimi i Marrëveshjes Anulimi i Marrëveshjes bëhet në këto raste: a) kur OMP-ja shpërndahet me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit; b) kur OMP-ja ndryshon destinacionin dhe qëllimin e përdorimit të portit, të përcaktuar sipas kësaj Marrëveshjeje; c) kur OMP-ja nuk merr përsipër të vazhdojë administrimin e portit sipas kushteve të përcaktuara në këtë Marrëveshje; d) kur mosmarrëveshjet ndërmjet OMP-së dhe ndërmarrjes së rritjes së midhjes Sarandë nuk gjejnë zgjidhje në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë Marrëveshje. Neni 19 Nënshkrimi 1. Kjo Marrëveshje nënshkruhet nga Drejtori i ndërmarrjes së rritjes së midhjes Sarandë dhe nga Kryetari i OMP-së, si përfaqësues të palëve. 2. Marrëveshja hyn në fuqi pas miratimit nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit.