跳到主要内容
Nelum
阿尔巴尼亚的法律

Regulation No. 1189 on the rules and procedures for the elaboration and implementation of the national programme for the environmental monitoring

颁布于 2009-11-18 · 文本截至 2026-10-01

以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。

研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。

关于这部法律

语言
Albanian
类型
条例
组织
European Union
国家
阿尔巴尼亚
主题
Environment
关键词
environmental planning, monitoring, policy/planning

在哪里阅读

    该法律没有记录来源链接。

文本

所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。

  1. Vendim Nr.1189, datë 18.11.2009 Për rregullat dhe procedurat për hartimin dhe zbatimin e programit kombëtar të monitorimit të mjedisit Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8 të nenit 53 të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave Vendosi: I.Të përgjithshme Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptohen: a) “Treguesi mjedisor” përdoret me kuptimin e dhënë në pikën 9 të nenit 3 të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar. b) “Treguesi mjedisor i gjendjes” treguesi, që ka të bëjë me cilësinë e sasinë e burimeve natyrore dhe cilësinë e mjedisit. c) “Treguesi mjedisor i trysnisë” treguesi, që ka të bëjë me trysninë, që ushtrohet në mjedis nga burimet e ndotjes. ç) “Institucione monitoruese” përfshin institutet, laboratorët e qendrat kërkimore-shkencore, në kuadër të universiteteve publike, apo institutet e laboratorët privatë të licencuar, të cilët i kontrakton ministria për të kryer monitorimin e treguesve konkretë të dukurive natyrore e të cilësisë së përbërësve të mjedisit, si ajri, uji, toka e biodiversiteti. d) “Raporti i gjendjes së mjedisit”, dokumenti i përgatitur çdo vit nga ministria, nëpërmjet Agjencisë së Mjedisit dhe Pyjeve, ku paraqiten, komentohen dhe analizohen treguesit mjedisorë, si dhe jepen rekomandimet për përmirësimin e gjendjes së mjedisit. dh) “Të dhënat për mjedisin”, vlerat mesatare mujore, tremujore dhe vjetore të treguesve mjedisorë të gjendjes, ndikimit e të trysnisë. e) “Ministria”, ministria përgjegjëse për monitorimin, që harton programin kombëtar të monitorimit të mjedisit dhe bashkërendon punën për zbatimin e tij. ë) “Ministër”, ministri, që drejton ministrinë përgjegjëse për monitorimin, që harton programin kombëtar të monitorimit të mjedisit dhe bashkërendon punën për zbatimin e tij. II.Hartimi dhe miratimi i programit kombëtar të monitorimit të mjedisit 1.Ministria harton programin kombëtar të monitorimit të mjedisit dhe bashkërendon punën për zbatimin e tij, nëpërmjet Agjencisë së Mjedisit dhe Pyjeve, e cila, për hartimin e këtij programi, bashkëpunon me: a) ministritë, në përputhje me fushën, që mbulon ministria konkrete, për të përcaktuar të dhënat dhe treguesit, që ajo do të grumbullojë për mjedisin; b) organet e qeverisjes vendore për të përcaktuar të dhënat e treguesit për mjedisin, që ato kanë në administrim, sidomos për mjediset urbane, për administrimin e mbetjeve, për ujërat, për pyjet e kullotat komunale, për shfrytëzimin e pasurive natyrore e të burimeve minerare dhe për rregullimet në infrastrukturë; c) institucionet monitoruese për rakordimet, në bazë të mundësive të tyre për të monitoruar treguesit konkretë mjedisorë, rakordime që duhet të përfundojnë brenda muajit maj. 2. Programi kombëtar i monitorimit të mjedisit përcakton treguesit kryesorë të gjendjes, të ndikimit dhe të trysnisë në ajër, në ujëra sipërfaqësore e nëntokësore, në tokë, në zonën bregdetare, në detet, pyjet e në larminë biologjike. Për çdo tregues mjedisor, që matet apo llogaritet, ai përmban emrin e tij, mënyrën e përcaktimit, metodën e matjes dhe vendin e marrjes së mostrës, shpeshtësinë dhe njësinë e matjes, mënyrën e përpunimit dhe të paraqitjes së të dhënave. Treguesit konkretë, që monitorohen, janë listuar në aneksin I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 3. Ministri, në mbështetje të nevojave të përsosjes së procesit të monitorimit të mjedisit, miraton me urdhër, në përputhje me treguesit e përdorur nga Agjencia Europiane e Mjedisit, tregues të rinj për monitorimin e mjedisit, të cilët përfshihen në programin kombëtar të monitorimit të mjedisit. 4. Programi kombëtar i monitorimit të mjedisit është vjetor dhe miratohet nga ministri në muajin shtator për vitin pasardhës. Programi i miratuar publikohet në variantin elektronik në website-in e ministrisë dhe shërben si bazë për kërkesat e institucioneve monitoruese për të paraqitur projektet, me ofertat e tyre. 5. Institucionet monitoruese, në bazë të programit, japin me hollësi dhe hartojnë projekte të veçanta për monitorimin e treguesve mjedisorë, të marrë përsipër prej tyre, të cilët i paraqesin në ministri si oferta, brenda datës 10 nëntor. 6. Oferta përmban treguesit, që do të monitorohen, metodën e matjes e vendin e marrjes së mostrës, shpeshtësinë e njësinë e matjes dhe mënyrën e përcaktimit, të përpunimit e të paraqitjes së të dhënave. Oferta përfshin edhe parashikimin e kostos së zbatimit të projektit të monitorimit e për të cilën mbahen parasysh puna e specialistëve, preparatet e përdorura, kostot e analizave të kryera, shpenzimet e lëvizjes së grupeve monitoruese, që do të mbulohen nga ministria, si shpenzime operative për monitorimin. Projektet e institucioneve monitoruese shërbejnë si bazë për konkurrim dhe për lidhjen e kontratave të monitorimit. 7. Monitorimi i treguesve të cilësisë së mjedisit nga institucionet monitoruese kryhet nëpërmjet rrjeteve kombëtare të monitorimit të përbërësve të mjedisit. 8. Personat fizikë dhe juridikë, të cilët pajisen me leje mjedisore për ushtrimin e një veprimtarie, hartojnë programe monitorimi të treguesve mjedisorë të trysnisë, si dhe dokumentojnë të dhënat përkatëse, sipas modeleve të përgatitura nga Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve e të miratuara nga ministri. III. Zbatimi i programit kombëtar të monitorimit të mjedisit nga organet qendrore dhe institucionet monitoruese 1. Ministria: a) ngarkon strukturat menaxhuese të pyjeve e të kullotave dhe Agjencinë e Mjedisit dhe Pyjeve, për monitorimin e treguesve B3-a, b, c, ç, d, dh, e; B5-c, ç, dh; B6.2-a; C6-a, b, c, ç, d, dh dhe C7-c, ç. Ajo përgjigjet, gjithashtu, për regjistrimin dhe përpunimin e treguesve mjedisorë, sipas pikave C1, Ç2, Ç4-b; Ç5, Ç6 e Ç7, në mbështetje të të dhënave të grumbulluara; b) kryen, nëpërmjet Agjencisë së Mjedisit dhe Pyjeve, inventarizimin e burimeve të ndotjes dhe përcakton karakteristikat e tyre e mënyrën e shpërndarjes sektoriale, sipas rregullave të miratuara me udhëzim të ministrit; c) organizon, nëpërmjet Agjencisë së Mjedisit dhe Pyjeve, kontrollin e cilësisë së analizave të kryera për monitorimin e mjedisit, si dhe standardizimin e metodologjisë së tyre. 2. Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik dhe drejtorive të shëndetit publik në rrethe, monitoron treguesit, sipas pikave B3- a, b, c, ç, d, e, ë; B4.1-h; B4.2-c; C4-ç; C5-c; C7-ë; e Ç3-c, ç. 3. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit monitoron treguesit sipas pikave Ç3-a, b; 5-d, A-3, B-3, që kanë të bëjnë me administrimin e mbetjeve të ngurta urbane dhe me inertet. 4. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, nëpërmjet Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, monitoron treguesit C7-c, ç, d, dh, e, e Ç9. 5. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nëpërmjet Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, monitoron pikat B 1-ç; B4.3 a, b, c, ç, d, dh, e; C4-a, b, c; C5-a, b, ç; C6-e; e Ç11. 6. Ministria e Mbrojtjes monitoron treguesit sipas pikave Ç1, Ç2, Ç5, Ç6, e Ç8, për ndërmarrjet dhe instalimet ushtarake brenda sistemit të saj. 7. Monitorimi i treguesve të dukurive natyrore e të cilësisë së ajrit, ujit, tokës dhe të biodiversitetit kryhet nga institucione monitoruese të specializuara, duke lidhur me ta kontrata, në bazë të procedurave të konkurrimit, që vlerësojnë profilin e secilit, përvojën e kualifikimin e stafit, pajisjet e aparaturat që disponon, si dhe projektin e tij për monitorimin të paraqitur për konkurrim. 8. Personat fizikë dhe juridikë, veprimtaritë e të cilëve janë subjekt i lejes mjedisore, monitorojnë treguesit mjedisorë, sipas pikave Ç1, Ç2, Ç5, Ç6, Ç7, e Ç8, në nivel individual. IV. Dorëzimi dhe përpunimi I të dhënave të monitorimit të mjedisit 1. Ministria, në kuadër të zbatimit të programit kombëtar të monitorimit të mjedisit, i siguron të dhënat nga: a) Raportet vjetore, që dorëzojnë ministritë e përmendura në këtë vendim, ku jepen të dhëna e shpjegime për: i. gjendjen e mjedisit, që administrojnë; ii. aspektet mjedisore të politikave sektoriale, që zbatojnë; iii. komponentët mjedisorë të projekteve, që realizohen brenda sistemeve të tyre; iv. plotësimin e kërkesave sipas pikave 2, 3, 4, 5 e 6 të kreut III të këtij vendimi. b) Raportet teknike, të përgatitura nga institucionet monitoruese, që dorëzohen në afatet e përcaktuara në kontratat përkatëse, si dhe sa herë që ministria ua kërkon zyrtarisht, për arsye urgjente. c) Të dhënat e monitorimit, të dorëzuara nga personat fizikë dhe juridikë, veprimtaritë e të cilëve janë subjekte të lejes mjedisore, në agjencitë rajonale të mjedisit (ARM). Të dhënat dorëzohen sipas afateve të përcaktuara në urdhrin e ministrit, në çdo kohë, për aksidentet industriale, si dhe kur u kërkohen zyrtarisht nga ARM-të për nevoja urgjente të qarkut, ku ato veprojnë. Të dhënat përcillen në agjenci, në përputhje me formatin e kërkesës së bërë prej saj. 2. Të dhënat e mjedisit regjistrohen në regjistrat përkatës, në Agjencinë e Mjedisit dhe Pyjeve dhe hidhen në bazën elektronike të të dhënava të mjedisit. Regjistrimi dhe hedhja e të dhënave, në nivel qarku, bëhet nga ARM-të. Institucionet monitoruese krijojnë bazën elektronike të të dhënave e të treguesve, që monitorojnë. Regjistrat dhe baza e të dhënave janë të hapura për publikun. 3. Ministria, nëpërmjet Agjencisë së Mjedisit dhe Pyjeve, me të dhënat e siguruara nga monitorimi i mjedisit, përgatit dhe boton çdo vit raportin për gjendjen e mjedisit, të cilin ia paraqet Këshillit të Ministrave, si dhe përmbush detyrimet shtetërore, ndërkombëtare të raportimit për gjendjen e mjedisit, ndërsa ARM-të përgatisin raportin e gjendjes së mjedisit, në bazë qarku, i cili i paraqet këshillit të qarkut e publikohet në variantin elektronik. V. Mbulimi financiar i monitorimit 1. Shpenzimet operative për monitorimin e dukurive natyrore dhe të cilësisë së mjedisit, për përpunimin e treguesve mjedisorë, si dhe për kontrollin e saktësisë së tyre, të përballohen nga buxheti i ministrisë, i miratuar për këtë qëllim. 2. Për administrimin e fondit të saj për monitorimin, ministria hyn në marrëdhënie kontraktore me institucionet e specializuara për monitorimin e mjedisit. 3. Në varësi nga shpërndarja e fondeve të buxhetit për monitorimin, kontratat me institucionet monitoruese nënshkruhen gjatë muaji dhjetor për vitin pasardhës. 4. Personat fizikë dhe juridikë, publikë dhe privatë, veprimtaritë e të cilëve janë subjekt i lejes mjedisore, i përballojnë vetë shpenzimet e monitorimit të mjedisit, që ndotet nga veprimtaria e tyre. VI. Të fundit 1. Vendimi nr.103, datë 31.3.2002 i Këshillit të Ministrave “Për monitorimin e mjedisit në Republikën e Shqipërisë”, shfuqizohet. 2. Ngarkohet Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Kryeministri Sali Berisha Aneksi I Treguesit e gjendjes dhe të trysnisë së mjedisit, sipas përbërësve të tij A. Treguesit mjedisorë të gjendjes së mjedisit përfshijnë treguesit e dukurive natyrore dhe treguesit e cilësisë së mjedisit. Ndërsa treguesit e trysnisë përfshijnë treguesit mjedisorë të ndikimit në mjedis dhe treguesit e shkarkimeve të veprimtarive ndotëse. Të gjithë treguesit janë të detajuar në bazë të përbërësve të tij, si ajri, uji, toka e biodiversiteti. B. Treguesit mjedisorë të gjendjes së mjedisit janë si më poshtë: 1. Për dukurinë e ndryshimeve klimatike: a) temperatura mesatare e ajrit; b) niveli i detit; c) sasia e rreshjeve atmosferike; ç) niveli i ujërave nëntokësore. 2. Për precipitimet atmosferike: a) përmbajtja e dioksidit të squfurit, SO2; b) përmbajtja e oksideve të azotit, NOx; c) përmbajtja e plumbit, Pb; ç) radioaktiviteti në precipitimet atmosferike. 3. Për ajrin urban; a) përmbajtja e lëndës së ngurtë, të pezullt në ajër; b) përmbajtja e ozonit, O3, në ajër; c) përmbajtja e plumbit, Pb, në ajër; ç) përmbajtja e dioksidit të squfurit SO2, në ajër; d) përmbajtja e oksideve të azotit, NOx, në ajër; dh) përmbajtja e monoksidit të karbonit, CO në ajër e) përmbajtja e hidrokarbureve në ajër; ë) niveli i zhurmave; f) radioaktiviteti në atmosferë; g) rrezatimi elektromagnetik jojonizues në atmosferë; 4. Për ujërat: 4.1. Për ujërat sipërfaqësore (lumenjtë, liqenet): a) alkaliniteti; b) konduktivitetit specifik; c) aciditeti; ç) përmbajtja e nevojës kimike për oksigjenin, NKO; d) përmbajtja e nevojës biokimike për oksigjen, NBO; dh) përmbajtja e nitrateve dhe ozotit; e) përmbajtja e fosforit, P; ë) përmbajtja e anomikut, NH3; f) vlera e pH-së; g) vlera e fonit radioaktiv natyror dhe radioaktiviteti i ujërave; gj) qëndrueshmëria e shtretërve të lumenjve; h) treguesit bakterialë; i) prurja e lumenjve. 4.2. Për detin dhe bregdetin: a) nevoja biokimike për oksigjen për ujërat detare, NBO; b) nevoja kimike për oksigjen për ujërat detare, NKO; c) parametrat mikrobiologjikë për ujërat detare dhe plazhet; ç) sasia e fito e zooplanktonit; d) përmbajtja e klorofilit dhe prodhimtarisë primare; dh) përmbajtja në midhjet e ujërave detare të metaleve të rënda, ndotësve organikë të qendrueshëm, radioaktivitetit; e) radioaktiviteti i ujërave; ë) ujëkëmbimi det-lagunë; f) dinamika e deltave të lumenjve; g) morfologjia dhe topografia e shelfit detar; gj) morfologjia e bregdetit. 4.3. Për ujërat nëntokësorë: a) pH; b) fortësia c) alkaliniteti; ç) aciditeti; d) përmbajtja e nitrateve; dh) shkalla e kripshmërisë. 4.4. Për ujërat sipërfaqësore, nëntokësore, detare ku ka burime të fuqishme të ndotjes industriale dhe bujqësore: a) përmbajtja e metaleve të rënda; b) përmbajtja e pesticideve; c) përmbajtja e komponimeve hidrokarburike. 5. Për biodiversitetin: a) diversiteti gjenetik për bujqësinë dhe blegtorinë; b) sipërfaqet nën një bujqësi organike; c) diversiteti i ekosistemeve e habitateve; d) diversiteti i ekosistemeve e habitateve në pyje; e) diversiteti i ekosistemeve e habitateve në zonat e mbrojtura; f) diversiteti i ekosistemeve e habitateve në ujëra; g) fragmentimi i terrenit, tokës dhe pyjeve; h) afria e infrastrukturave të transportit ndaj sipërfaqeve të mbrojtura; i) speciet jovendase në lumenj dhe liqene; j) ekspozimi i ekosistemeve ndaj acidifikimit, eutrifikimit dhe ozonit; k) speciet e mbrojtura dhe të kërcënuara; l) diversiteti i specieve. 6. Për pyjet: a) Fondi pyjor (sipas pronësisë, formës dhe qeverisjes, sipas llojeve, volumeve); b) sipërfaqja e pyjeve sipas klasave të moshës, llojeve, volumet; d) gjendja shëndetësore e pyjeve; e) rritja vjetore në pyje sipas mënyrës së qeverisjes dhe sipas llojeve; f) sasia vjetore e vjelë, shfrytëzuar, ndarë në lëndë punimi e dru zjarri; g) sasia e biomasës në pyje; h) biomasa që largohet nga pyjet në vit; i) mundësia vjetore e shfrytëzimit; j) sipërfaqet e djegura nga zjarret; k) sipërfaqet e dëmtuara nga faktorë të tjerë atmosferikë, si fortuna, dëbora etj.; l) llojet drusore të rrezikuara; m) hot spote në pyje; n) sitye me rëndësi të veçantë për biodiversitetin, turizmin etj.; o) diversiteti i ekosistemeve e habitateve në pyje; p) diversiteti i ekosistemeve e habitateve në zonat e mbrojtura. 7. Për kullotat a) Fondi kullosor sipas pronësisë verore e dimërore; b) kapaciteti i mbajtjes; d) përbërja floristike; e) gjendja shëndetësore e tyre; f) sipërfaqet e përshkuar e të djegura nga zjarret; g) hot spote në kullota; h) site me rëndësi të veçantë për biodiversitetin, turizmin në kullota; 8. Për bimët mjekësore dhe aromatike a) fondi BMET (sipërfaqe, sasi, lloje etj.); b) sasia vjetore e vjeljes në ton sipas llojeve në vit; c) sasia në ton e eksportuar sipas llojeve në vit; ç) speciet e BMET që rrezikohen, gjendja e tyre; d) ”hot spote” të veçanta në sipërfaqet me BMET; e) site me rëndësi të veçantë në BMET; për biodiversitetin, turizëm, qëllime shkencore etj. 1.1. Për tokën: a) pjelloria; b) përmbajtja e kripërave. Na, Cl, SO4 – për tokat e kripura; përmbajtja e elementeve ushqimorë – në tokat torfike; raporti magnez/kalcium – në tokat magneziale; përcaktimi i aciditetit – në tokat acide; c) radioaktiviteti natyror i tokës. 1.2. Ku ka burime të fuqishme të ndotjes industriale: a) përmbajtja e metaleve, sipas specifikave të zonës (mërkur, nikel, krom etj.); b) përmbajtja e hidrokarbureve. 2. Për ujërat për ujitje: a) fortësia; b) alkaliniteti; c) aciditeti; ç) përmbajtja e pesticideve; d) përmbajtja e azotit dhe nitrateve. C. Treguesit mjedisorë të ndikimit në mjedis janë: 1.Për dukurinë e ndryshimeve klimatike: a) prirja e ndryshimeve në kohë për të gjithë treguesit B1; b) ndryshime fenologjike. 2. Për dukurinë e aciditetit të mjedisit: a) përmbajtja e joneve sulfate në liqene. 3. Për ujërat sipërfaqësore: a) cilësia dhe sasia e prurjeve të ngurta, pezull dhe fundore të lumenjve; b) errozioni i shkaktuar nga lumenjtë; c) qëndrueshmëria e shtretërve të lumenjve; ç) tejkalimet e normave të cilësisë së treguesve të pikës B4.1. 4. Për cilësinë e detit dhe të bregdetit: a) lëvizja e vijës bregore; errozioni dhe akumulimi; b) ujëkëmbimi det-lagunë; c) dinamika e deltave të lumenjve; ç) shkalla e ekspozimit të popullsisë ndaj ndotjes mikrobiologjike dhe kimike, të plazheve dhe detit; d) tejkalimet e normave të cilësisë së treguesve të pikës B4.2. 5. Për ujërat nëntokësorë: a) zonat me kripshmëri të lartë; b) zonat e ndjeshme ndaj ndotjes në vëllim; c) shkalla e ekspozimit të popullsisë ndaj ujërave nëntokësore të ndotura; ç) tejkalimet e normave të cilësisë së treguesve të pikës B4.3. 6. Për biodiversitetin: a) sipërfaqja e përgjithshme dhe vjetore e pyjeve të shkatërruara; b) sipërfaqja e përgjithshme dhe vjetore e pyjeve të djegura; c) sipërfaqja e përgjithshme dhe vjetore e pyjeve të sëmura; ç) speciet e rrezikuara; d) speciet e kërcënuara; dh) speciet e zhdukura; e) ndikimet antropogjene dhe të dukurive gjeologjike në diversitetin biologjik. 7. Për tokën dhe ujërat për vaditje: a) vlera e errozionit dhe akumulimit të tokës; b) humbja vjetore e tokës, si pasojë e gërryerjeve nga lumenjtë dhe shkarjet; c) sipërfaqja e tokës së degraduar; ç) sipërfaqja e tokës djerrë; d) sipërfaqja dhe lokalizimi i tokave të ndotura me metale të rënda; dh) sipërfaqja dhe lokalizimi i tokave të ndotura me hidrokarbure; e) sipërfaqja dhe lokalizimi i tokave të ndotura me kimikate dhe mbetje të rrezikshme; ë) shkalla e ekspozimit të popullsisë ndaj ndotjes së tokës; f) tejkalimet e normave të cilësisë së treguesve të pikës B6.1 dhe B7. Ç) Treguesit mjedisorë të trysnisë në mjedis janë: 1. Për ndryshimet klimatike: a) sasia vjetore e shkarkimit të CO2, NOx dhe CH4; b) shpërndarja e shkarkimeve të CO2, NOx dhe CH4 për sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si energji, transport, administrim i mbetjeve, bujqësi, industri. 2. Për ajrin urban: a) sasitë vjetore të shkarkimeve në qendrat urbane të SO2, NOx, CO2, CO; b) shpërndarja e shkarkimeve të SO2 e NOx, sipas sektorëve të ekonomisë; c) sasia vjetore e elementeve të rëndë; ç) sasia vjetore e radioaktivitetit të precipitimeve atmosferike; d) vëllimi vjetor i precipitimeve. 3. Për mbetjet e ngurta urbane: a) sasitë vjetore të prodhimit; b) shpërndarja e mbetjeve sipas bashkive dhe qarqeve; c) përmbajtja në përqindje e përbërësve ndotës; ç) përbërja merceologjike. 4. Për shkarkimet e lëngëta urbane: a) sasia vjetore e shkaktuar dhe shpërndarja, sipas bashkive dhe qarqeve; b) cilësia e tyre si pH, përmbajtja e NKO-së, përmbajtja e NBO5-së, alkaliniteti, aciditeti, përmbajtja e sulfureve, përmbajtja e amoniakut, përmbajtja e fenoleve, përmbajtja e fosforit, përmbajtja e azotit dhe metaleve të rënda. 5. Për shkarkimet e ngurta, industriale dhe inerte: a) sasitë vjetore të shkarkimeve të ngurta, industriale në përgjithësi; b) sasitë vjetore të shkarkimeve të ngurta, industriale, për çdo impiant; c) përmbajtja në përqindje e përbërësve ndotës për çdo shkarkim të ngurtë industrial; ç) shpërndarja e shkarkimeve vjetore të ngurta industriale për sektorë të ndryshëm të ekonomisë, energjia, transporti, industria; d) vëllimi i mbeturinave inerte të sektorit të ndërtimit dhe shpërndarja e tyre, sipas bashkive dhe qarqeve. 6. Për shkarkimet e lëngëta industriale: a) sasia vjetore e shkarkuar, pH; b) përmbajtja e NKO-së, përmbajtja e NBO5, alakliniteti, aciditeti, përmbajtja e sulfureve, e amoniakut, e fenoleve, e fosforit, e azotit; c) përmbajtja e përbërësve specifikë në përputhje me specifikat si metalet e rënda, hidrokarburet, BTEX, ndotës organikë të qëndryeshëm, në varësi të procesit industrial. 7. Për burimet e ndotjes që shkarkojnë në ajër; a) inventari i tyre, sasia vjetore e shkarkimit të CO2, NOx, CH4, NH3, SO2, shkalla e errësisë së tymit, komponimet organike, volatile, dioksina, furani, metalet e rënda në përgjithësi; b) shpërndarja sektoriale e shkronjës “a”, për sektorët e industrisë, energjisë, transportit dhe shërbimeve. 8. Sasia vjetore e kimikateve të rrezikshme të importuara. 9. Sasia vjetore e plehrave kimike dhe e kimikateve për përdorim bujqësor. 10. Për ujërat sipërfaqësore: a) cilësia dhe sasia e prurjeve të ngurta, pezull dhe fundorë të lumenjve. 11. Për ujërat nëntokësore: a) vëllimi vjetor i shfrytëzimit, në përgjithësi dhe sipas baseneve; b) koeficienti vjetor i shfrytëzimit, në përgjithësi, dhe sipas baseneve

Regulation No. 1189 on the rules and procedures for the elaboration and implementation of the national programme for the environmental monitoring · Nelum