Law on the accession of the Republic of Albania to the international treaty on genetic resources of plants, for agriculture and food
颁布于 2010-02-18 · 文本截至 2026-10-01
以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。
研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。
关于这部法律
- 原标题
- Ligj nr. 10 235 (18.2.2010) për aderimin e Republikës së Shqipërisë në traktatin ndërkombëtar për burimet gjenetike të bimëve, për bujqësinë dhe ushqimin.
- 语言
- Albanian
- 类型
- 法令
- 组织
- European Union
- 国家
- 阿尔巴尼亚
- 主题
- Agricultural and rural development, Food and nutrition, Cultivated plants
- 关键词
- biodiversity, genetic resources, international cooperation, food security, plant production, ratification
- 类别
- agriculture
在哪里阅读
文本
所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。
LIGJ Nr.10 235, datë 18.2.2010 PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË TRAKTATIN NDËRKOMBËTAR PËR BURIMET GJENETIKE TË BIMËVE, PËR BUJQËSINË DHE USHQIMIN Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: Neni 1 Republika e Shqipërisë aderon në traktatin ndërkombëtar për burimet gjenetike të bimëve, për bujqësinë dhe ushqimin. Neni 2 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shpallur me dekretin nr.6456, datë 9.3.2010 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi TRAKTAT NDËRKOMBËTAR PËR BURIMET GJENETIKE TË BIMËVE PËR BUJQËSINË DHE USHQIMIN Preambula Palët kontraktuese, të bindura për natyrën e veçantë të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, tipareve të tyre të dallueshme dhe problemeve që kanë nevojë për zgjidhje të dallueshme; të alarmuara nga erozioni i vazhdueshëm i këtyre burimeve; të vetëdijshme që burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin janë një shqetësim i përbashkët për të gjitha vendet, pasi të gjitha vendet varen shumë tek burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin që e kanë origjinën gjetkë; duke e ditur se konservimi, eksplorimi, mbledhja, karakterizimi, vlerësimi dhe dokumentimi i burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin janë thelbësore për të plotësuar objektivat e Deklaratës së Romës për sigurinë e ushqimit dhe planit të veprimit të samitit botëror të ushqimit dhe për zhvillimin bujqësor të qëndrueshëm për këtë brez dhe për brezat që do të vijnë, dhe se kapaciteti i vendeve në zhvillim dhe vendeve me ekonomi në tranzicion për të ndërmarrë detyra të tilla duhet të përforcohet urgjent; duke vënë re se plani botëror i veprimit për konservimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin është një kuadër i pranuar ndërkombëtarisht për aktivitete të tilla; duke njohur më tej se burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin janë lëndë e parë e domosdoshme për përmirësimin gjenetik të bimëve, ose nëpërmjet përzgjedhjes nga fermerët nëpërmjet përmirësimit klasik ose bioteknologjive moderne, dhe janë thelbësore për përshtatjen ndaj ndryshimeve të paparashikuara mjedisore dhe nevojave të njerëzve në të ardhmen; duke afirmuar se kontributet e fermerëve në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen në të gjitha pjesët e botës, në veçanti ato në qendra të origjinës dhe diversitetit, në konservimin, përmirësimin dhe bërjen e këtyre shërbimeve të disponueshme përbëjnë bazën e të drejtave të fermerëve; duke afirmuar edhe se të drejtat e njohura në këtë traktat për të ruajtur, përdorur, shkëmbyer, dhe për të shitur fara të ruajtura nga fermerët dhe materiale të tjera të shumimit, dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje në lidhje me përdorimin e burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, dhe në ndarjen e drejtë dhe të barabartë të përfitimeve që vijnë prej tyre, janë thelbësore për respektimin e të drejtave të fermerëve, si dhe për nxitjen e të drejtave të fermerëve në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare; duke njohur se ky traktat dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare që lidhen me këtë traktat duhet të jenë mbështetëse për sa i përket bujqësisë së qëndrueshme dhe sigurisë ushqimore; duke afirmuar se asgjë në këtë traktat nuk do të interpretohet thjesht si nënkuptim i ndonjë ndryshimi në të drejtat dhe detyrimet e palëve kontraktuese që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare; duke kuptuar se ky dokument nuk ka synim të krijojë një hierarki ndërmjet këtij traktati dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare; të vetëdijshme që çështjet që lidhen me menaxhimin e burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin janë në një pikë takimi ndërmjet bujqësisë, mjedisit dhe tregtisë dhe të bindur që duhet të ketë sinergji ndërmjet këtyre sektorëve; të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për brezat e mëparshëm dhe të ardhshëm për të ruajtur diversitetin e botës, për sa u përket burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin; duke njohur që, në ushtrimin e të drejtave të tyre sovrane mbi burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, shtetet mund të përfitojnë bashkërisht nga krijimi i një sistemi efektiv shumëpalësh për një akses të lehtësuar në një përzgjedhje të negociuar të këtyre burimeve dhe për një ndarje të drejtë dhe të barabartë të përfitimeve që dalin nga përdorimi i tyre; dhe duke dëshiruar të bien dakord për një marrëveshje ndërkombëtare në kuadrin e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara, më poshtë FAO, sipas nenit XIV të Kushtetutës së FAO-s, palët kanë rënë dakord si më poshtë: PJESA I HYRJE Neni 1 Objektivat 1.1 Objektivat e këtij traktati janë ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin dhe ndarja e drejtë dhe e barabartë e përfitimeve që dalin nga përdorimi i tyre, në përputhje me Konventën për diversitetin biologjik për një bujqësi të qëndrueshme dhe për sigurinë ushqimore. 1.2 Këto objektiva do të realizohen duke e lidhur ngushtë këtë traktat me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, dhe Konventën për diversitetin biologjik. Neni 2 Përdorimi i termave Për qëllime të këtij traktati, termat e mëposhtëm kanë kuptimet e dhëna më poshtë. Këto përkufizime nuk synojnë të mbulojnë tregtinë e produkteve: “Ruajtja in situ” është ruajtja e ekosistemeve dhe e habitateve natyrale dhe mirëmbajtja dhe riaftësimi i popullatave të vlefshme të specieve në ambientet e tyre natyrore dhe, në rast të specieve bimore të rritura në kushte shtëpiake ose të kultivuara, në ambiente në të cilat ato kanë zhvilluar tiparet e tyre dalluese. “Ruajtja ex situ” nënkupton ruajtjen e burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin jashtë mjedisit të tyre natyror. “Burimet gjenetike bimore për bujqësinë dhe ushqimin” nënkupton çdo material gjenetik me origjinë bimore me vlerë aktuale ose potenciale për bujqësinë dhe ushqimin. “Material gjenetik” nënkupton çdo material me origjinë bimore, duke përfshirë materialet riprodhuese dhe vegjetative që shtohen, që përmbajnë njësi funksionale të trashëgimisë. “Varietet” nënkupton një grup bimor brenda një taksoni të vetëm botanik të nivelit më të ulët të njohur, i përcaktuar nga shprehja e riprodhueshme e karakteristikave të tij të dallueshme ose e karakteristikave të tjera gjenetike. “Koleksionimi ex situ” nënkupton një koleksion të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin jashtë mjedisit të tyre natyror. “Qendra e origjinës” nënkupton zonën gjeografike ku një specie bimore e kultivuar ose e egër, zhvilloi për herë të parë tiparet e saj të dallueshme. “Qendra e diversitetit të bimëve” nënkupton një zonë gjeografike që përmban një nivel të lartë të diversiteti gjenetik për speciet e bimëve në kushtet in situ. Neni 3 Qëllimi Ky traktat lidhet me burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin. PJESA II DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 4 Detyrime të përgjithshme Çdo palë kontraktuese siguron përputhshmërinë me ligjet, rregulloret dhe procedurat e saj me detyrimet, siç parashikohen në këtë traktat. Neni 5 Ruajtja, eksplorimi, mbledhja, karakterizimi, vlerësimi dhe dokumentimi i burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin 5.1 Çdo palë kontraktuese, kur lejohet nga legjislacioni kombëtar, dhe në bashkëpunim me palët e tjera kontraktuese, dhe kur duhet, promovon një qasje të integruar për eksplorimin, ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për ushqimin dhe bujqësisë, dhe në veçanti, sipas rastit: a) vrojtojnë dhe bëjnë inventarin e burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, duke marrë parasysh statusin dhe nivelin e ndryshimit në popullatat ekzistuese, duke përfshirë dhe përdorimin potencial, dhe, sipas mundësive, vlerësojnë kërcënimet që u kanosen këtyre popullatave; b) nxisin mbledhjen e burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin dhe informacionin përkatës që lidhet me këto burime gjenetike të bimëve që janë të kërcënuara ose janë në përdorim potencial; c) nxisin ose mbështesin, në mënyrën e duhur, përpjekjet e fermerëve dhe komuniteteve lokale për të menaxhuar dhe për të ruajtur burime gjenetike të bimëve të tyre për bujqësinë dhe ushqimin në fermë; d) nxisin konservimin in situ të llojeve të egra të bimëve dhe vetë bimëve të egra për prodhimin e ushqimit, duke përfshirë dhe zonat e mbrojtura, duke mbështetur, ndër të tjera, përpjekjet e komuniteteve vendase dhe lokale; e) bashkëpunojnë për të nxitur zhvillimin e një sistemi efikas dhe të qëndrueshëm të konservimit ex situ, duke i kushtuar vëmendje nevojës për një dokumentacion të duhur, karakterizim, rigjenerim dhe vlerësim, dhe për të nxitur zhvillimin dhe transferimin e teknologjive të përshtatshme për këtë qëllim, me synim përmirësimin e përdorimit të qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për ushqime dhe bujqësi; f) monitorojnë ruajtjen e zbatueshmërisë, shkallën e ndryshimit dhe integritetin gjenetik të koleksioneve të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin. 5.2. Palët kontraktuese, sipas nevojës, marrin masa për të minimizuar ose, nëse është e mundur, për të eliminuar kërcënimet ndaj burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin. Neni 6 Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve gjenetike të bimëve 6.1 Palët kontraktuese zhvillojnë dhe ruajnë politika dhe masa ligjore të duhura për promovimin e përdorimit të qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin. 6.2 Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin mund të përfshijë masa të tilla si: a) ndjekja e politikave të drejta të bujqësisë, që nxisin, sipas nevojës, zhvillimin e sistemeve të ndryshme bujqësore që rrisin përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik dhe burimeve të tjera natyrore; b) forcimi i kërkimit që nxit dhe ruan diversitetin biologjik duke maksimizuar ndryshimin intra dhe inter specifik për përfitime të fermerëve, në veçanti të atyre që gjenerojnë dhe përdorin varietetet e tyre dhe zbatojnë parimet ekologjike në ruajtjen e pjellorisë së tokës dhe në luftën kundër sëmundjeve, barërave të këqija dhe insekteve të dëmshme; c) nxitja, sipas nevojës, e përpjekjeve për përmirësimin gjenetik të bimëve, të cilat, me pjesëmarrjen e fermerëve, në veçanti në vendet në zhvillim, forcojnë kapacitetin për të zhvilluar varietete, në veçanti të përshtatura me kushtet sociale, ekonomike dhe ekologjike, duke përfshirë dhe zonat margjinale; d) zgjerimi i bazës gjenetike të bimëve dhe rritja e gamës së diversitetit gjenetik që është i disponueshëm për fermerët; e) nxitja, sipas nevojës, e përdorimit të gjerë të bimëve lokale dhe atyre të përshtatura, varietetet dhe speciet e nënvlerësuara; f) mbështetja, sipas nevojës, e përdorimit të gjerë të diversitetit të varieteteve dhe specieve të menaxhimit në fermë, konservimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të bimëve dhe krijimi i lidhjeve të forta për përmirësimin e bimëve dhe zhvillimin bujqësor, në mënyrë që të ulet cenueshmëria e bimëve dhe erozioni gjenetik dhe promovimi i një prodhimi ushqimor botëror të rritur me zhvillim të qëndrueshëm; dhe g) rishikimi dhe, sipas nevojës, përshtatja e strategjive dhe rregulloreve të përmirësimit të bimëve në lidhje me daljen e varieteteve dhe shpërndarjen e farërave. Neni 7 Angazhimet kombëtare dhe bashkëpunimi ndërkombëtar 7.1 Çdo palë kontraktuese, sipas nevojës, do të integrojë në politikat dhe programet e zhvillimit bujqësor dhe rural aktivitetet që i referohen nenit 5 dhe 6, dhe bashkëpunon me palët kontraktuese, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet FAO-s dhe organizatave të tjera përkatëse ndërkombëtare për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin. 7.2 Bashkëpunimi ndërkombëtar, në veçanti, do të drejtohet në: a) krijimin ose forcimin e aftësive të vendeve në zhvillim dhe vendeve me ekonomi në tranzicion, në lidhje me ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin; b) rritjen e aktiviteteve ndërkombëtare për të nxitur konservimin, vlerësimin, dokumentacionin, rritjen gjenetike, përmirësimin e bimëve, shtimin e farërave; dhe ndarjen, duke ofruar akses dhe duke shkëmbyer në përputhje me pjesën IV, burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, informacionin dhe teknologjitë e nevojshme; c) ruajtjen dhe forcimin e rregullimeve institucionale të parashikuara në pjesën V; dhe d) zbatimin e një strategjie financimi që përcaktohet në nenin 18. Neni 8 Ndihma teknike Palët kontraktuese bien dakord për të nxitur ofrimin e ndihmës teknike për palët kontraktuese, në veçanti për ato palë që janë vende në zhvillim ose vende me ekonomi në tranzicion, ose në mënyrë bilaterale ose nëpërmjet organizatave përkatëse ndërkombëtare, me objektivin e lehtësimit të zbatimit të këtij traktati. PJESA III TË DREJTAT E FERMERËVE Neni 9 Të drejtat e fermerëve 9.1 Palët kontraktuese njohin kontributin e madh të dhënë dhe do që të vazhdojnë të japin komunitetet lokale dhe vendase dhe të fermerëve të të gjitha rajoneve të botës, në veçanti të komuniteteve të qendrave të origjinës dhe diverstetit të bimëve për ruajtjen dhe zhvillimin e burimeve gjenetike të bimëve që përbëjnë bazën e prodhimit ushqimor dhe bujqësor në të gjithë botën. 9.2 Palët kontraktuese bien dakord se përgjegjësia për realizimin e të drejtave të fermerëve, përderisa ato lidhen me burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, u takon qeverive kombëtare. Në përputhje me nevojat dhe përparësitë e saj, çdo palë kontraktuese, sipas nevojës, dhe në varësi të legjislacionit kombëtar, merr masa për të mbrojtur dhe për të nxitur të drejtat e fermerëve, duke përfshirë: a) mbrojtjen e njohurive tradicionale që lidhen me burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin; b) të drejtën e barazisë për të marrë pjesë në ndarjen e përfitimeve që dalin nga përdorimi i burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin; dhe c) të drejtën për të marrë pjesë në vendimmarrje, në nivel kombëtar, për çështje që lidhen me ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin. 9.3 Asgjë në këtë nen nuk do të interpretohet si kufizim i të drejtave të fermerëve për të ruajtur, përdorur, shkëmbyer dhe shitur farëra/materialin shumues, të ruajtur në fermë sipas legjislacionit të brendshëm dhe në mënyrën e duhur. PJESA IV SISTEMI SHUMËPALËSH I AKSESIT DHE I NDARJES SË PËRFITIMEVE Neni 10 Sistemi shumëpalësh i së drejtës dhe i ndarjes së përfitimeve 10.1 Në marrëdhëniet e tyre me shtetet e tjera, palët kontraktuese njohin të drejtat sovrane të shteteve mbi burimet gjenetike të bimëve të tyre për bujqësinë dhe ushqimin, duke përfshirë se autoriteti për përcaktimin e së drejtës për këto burime u përket qeverive kombëtare dhe është subjekt i legjislacionit kombëtar. 10.2 Në ushtrimin e të drejtave të tyre sovrane, palët kontraktuese bien dakord të krijojnë një sistem shumëpalësh, që është efikas, efektiv dhe transparent, si për të lehtësuar akses për burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, dhe për të ndarë, në një mënyrë të drejtë dhe të barabartë, përfitimet që dalin nga shfrytëzimi i këtyre burimeve mbi një bazë plotësuese dhe përforcuese të ndërsjellë. Neni 11 Sigurimi i sistemit shumëpalësh 11.1 Në mbështetje të objektivave të konservimit dhe të përdorimit të qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin dhe ndarjes së drejtë dhe të barabartë të përfitimeve që dalin nga përdorimi i tyre siç jepet në nenin 1, sistemi shumëpalësh mbulon burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin të dhëna në listë në shtojcën I, të përcaktuar sipas kritereve të sigurisë ushqimore dhe të ndërvarësisë. 11.2 Sistemi shumëpalësh, siç përkufizohet në nenin 11.1, përfshin të gjitha burimet gjenetike të bimëve për ushqime dhe bujqësinë të dhëna në listë në shtojcën I që janë nën menaxhimin dhe kontrollin e palëve kontraktuese dhe në zotërim publik. Me qëllimin e plotësimit të sigurimit të plotë të mundshëm të sistemit shumëpalësh, palët kontraktuese ftojnë të gjithë mbajtësit e tjerë të burimeve gjenetike për bujqësinë dhe ushqimin të dhëna në shtojcën I, të përfshijnë burimet gjenetike të këtyre bimëve për ushqime dhe bujqësi në sistemin shumëpalësh. 11.3 Palët kontraktuese bien dakord gjithashtu të marrin masat e nevojshme për të inkurajuar personat fizikë dhe juridikë, brenda juridiksionit të tyre, të cilët mbajnë burime gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin të dhëna në shtojcën I për të përfshirë burime të tilla gjenetike të bimëve për ushqimet dhe bujqësinë në sistemin shumëpalësh. 11.4 Brenda dy vitesh nga hyrja në fuqi e këtij traktati, organi drejtues vlerëson progresin në përfshirjen e burimeve gjenetike të bimëve për ushqim dhe bujqësi që përmenden në paragrafin 11.3 të sistemit shumëpalësh. Pas këtij vlerësimi, organi drejtues vendos nëse aksesi do të vazhdojë të lehtësohet për ata persona fizikë dhe juridikë të cilëve u referohet paragrafi 11.3, të cilët nuk kanë përfshirë burimet gjenetike të këtyre bimëve për bujqësinë dhe ushqimin në sistemin shumëpalësh, ose të marrë masa të tjera sipas nevojës. 11.5 Sistemi shumëpalësh përfshin dhe burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, të dhëna në listë në shtojcën I dhe të mbajtura në koleksionet ex situ të Qendrave Ndërkombëtare të Kërkimit Bujqësor të Grupit Konsultativ për Kërkime Ndërkombëtare Bujqësore (CGIAR), siç parashikohet në nenin 15.1a, dhe në institucione të tjera ndërkombëtare, në përputhje me nenin 15.5. Neni 12 Akses i lehtësuar për burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin brenda sistemit shumëpalësh 12.1 Palët kontraktuese bien dakord se aksesi i lehtësuar për burimet gjenetike të bimëve për ushqimet dhe bujqësinë për sistemin shumëpalësh, siç përkufizohet në nenin 11, duhet të jetë në përputhje me dispozitat e këtij traktati. 12.2 Palët kontraktuese bien dakord të marrin masat e nevojshme ligjore ose masa të tjera për të dhënë një akses të tillë për palët e tjera kontraktuese përmes sistemit shumëpalësh. Për këtë qëllim, një akses i tillë do t’u jepet personave fizikë dhe juridikë nën juridiksionin e çdo pale kontraktuese, subjekt i dispozitave të nenit 11.4. 12.3 Një akses i tillë do të jepet në përputhje me kushtet e dhëna më poshtë: a) Aksesi do të jepet vetëm për qëllim të përdorimit dhe konservimit për kërkim, përmirësim gjenetik apo trajnim për ushqime dhe bujqësi, me kusht që një qëllim i tillë të mos përfshijë përdorime kimikatesh, farmaceutike dhe/ose përdorime të tjera joushqimore/industriale. Në rastin e prodhimeve me shumë përdorime (ushqimore dhe joushqimore), rëndësia e tyre për sigurinë ushqimore do të jetë përcaktuese për përfshirjen e tyre në sistemin shumëpalësh dhe disponueshmërinë e aksesit të lehtësuar. b) Aksesi do të jepet me shpejtësi, pa nevojën për të gjurmuar mostra individuale dhe pa pagesë, ose kur vendoset një tarifë, ajo nuk duhet ta kalojë koston minimale të përfshirë. c) Të gjitha të dhënat e disponueshme të pasaportave, dhe në varësi të ligjit të aplikueshëm, çdo informacion tjetër i disponueshëm në lidhje me to dhe i një natyre përshkruese jokonfidenciale, do të bëhet i disponueshëm me burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin. d) Marrësit nuk do të pretendojnë asnjë pronësi intelektuale ose të drejta të tjera që kufizojnë aksesin e lehtësuar për burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, ose pjesët e tyre gjenetike ose komponentët në formën e marrë nga sistemi shumëpalësh. e) Aksesi për burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin nën zhvillim, duke përfshirë materialin që krijohet nga fermerët, do të jetë në të drejtë të krijuesit të tyre, gjatë periudhës së krijimit. f) Aksesi për burimet gjenetike të bimëve për ushqimet dhe bujqësinë e mbrojtur nga të drejta të tjera intelektuale dhe të pronësisë do të jenë në përputhje me marrëveshjet përkatëse ndërkombëtare dhe me ligjet përkatëse kombëtare. g) Burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin të mbrojtura nga të drejta intelektuale të tjera të pronësisë do të jenë në përputhje me marrëveshjet përkatëse ndërkombëtare dhe me ligjet kombëtare përkatëse. h) Pa cenuar dispozitat e tjera në këtë nen, palët kontraktuese bien dakord se aksesi për burime gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin të gjetura në kushte in situ do të jepen në përputhje me legjislacionin kombëtar ose, në mungesë të një legjislacioni të tillë, në përputhje me standarde të tilla, siç mund të përcaktohet nga organi drejtues. 12.4 Për këtë qëllim, aksesi i lehtësuar, në përputhje me nenet 12.2 dhe 12.3 më lart, do të jepen në përputhje me një marrëveshje standarde transferimi materiali (MTA), e cila do të miratohet nga organi drejtues dhe përmban dispozitat e neneve 12.3 “a”, “d” dhe “g”, si dhe dispozitat e ndarjes së përfitimeve të parashikuar në nenin 13.2(ii) dhe dispozita të tjera përkatëse të këtij traktati, dhe dispozitën që marrësi i burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin kërkon që të aplikohen kushtet e MTA-së për transferimin e burimeve gjenetike të bimëve për ushqime dhe bujqësinë për një tjetër person ose subjekt, si dhe çdo transferim tjetër pasues i këtyre burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin. 12.5 Palët kontraktuese sigurojnë se është e disponueshme mundësia për të kërkuar tërheqje, në përputhje me kërkesat juridike të aplikueshme, sipas sistemeve ligjore, në rast të mosmarrëveshjeve kontraktuale që dalin në marrëveshje (MTA), duke njohur se detyrimet që dalin nga marrëveshje të tilla u takojnë ekskluzivisht palëve të këtyre marrëveshjeve. 12.6 Në situata të fatkeqësive emergjente, palët kontraktuese bien dakord të ofrojnë akses të lehtësuar për burimet e nevojshme gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin në sistemin shumëpalësh për qëllime të kontributit për rivendosjen e sistemeve bujqësore, në përputhje me koordinatorët e ndihmës ndaj fatkeqësive. Neni 13 Ndarja e përfitimeve në sistemin shumëpalësh 13.1 Palët kontraktuese njohin që aksesi i lehtësuar për burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin që përfshihen në sistemin shumëpalësh në vetvete përbën një përfitim të madh të sistemit shumëpalësh dhe bien dakord se përfitimet që dalin prej tij ndahen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë në përputhje me dispozitat e këtij neni. 13.2 Palët kontraktuese bien dakord se përfitimet që dalin nga përdorimi, duke përfshirë dhe atë tregtar, të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin sipas sistemit shumëpalësh, do të ndahen drejt dhe në mënyrë të barabartë nëpërmjet mekanizmave të mëposhtëm: shkëmbimit të teknologjisë, ndërtimit të kapacitetit dhe ndarjen e përfitimeve që dalin nga komercializimi, duke marrë parasysh zonat e aktiviteteve parësore në planin global të veprimit, nën udhëzimin e organit drejtues. a) Shkëmbimi i informacionit: Palët kontraktuese bien dakord të bëjnë të disponueshëm informacionin, i cili, ndër të tjera, përfshin katalogë dhe inventarë, informacion mbi teknologjitë, rezultate të kërkimeve shkencore dhe social-ekonomike, duke përfshirë karakterizimin, vlerësimin dhe përdorimin, duke pasur parasysh ato burime gjenetike të bimëve për ushqimet dhe bujqësinë që parashikohen në sistemin shumëpalësh. Një informacion i tillë do të bëhet i disponueshëm në rastet kur ai nuk është i rezervuar, është subjekt i ligjit të aplikueshëm dhe në përputhje me kapacitetet lokale. Një informacion i tillë do t’u bëhet i disponueshëm të gjitha palëve kontraktuese të këtij traktati përmes sistemit të informacionit, të parashikuar në nenin 17. b) Aksesi dhe transferimi i teknologjisë i) Palët kontraktuese marrin përsipër të ofrojnë dhe/ose lehtësojnë akses në teknologjitë për konservimin, karakterizimin, vlerësimin dhe përdorimin e burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin të cilat janë në sistemin shumëpalësh. Duke njohur se disa teknologji mund të transferohen me atë të materialit gjenetik, palët kontraktuese ofrojnë dhe/ose lehtësojnë akses për teknologji të tilla dhe material gjenetik që është nën sistemin shumëpalësh dhe për varietetet e përmirësuara dhe materiale gjenetike të krijuara me anë të përdorimit të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin sipas sistemit shumëpalësh, në përputhje me dispozitat e nenit 12. Aksesi në këto teknologji, varietetet e përmirësuara dhe materiali gjenetik do të ofrohen dhe/ose lehtësohen ndërsa respektohen të drejtat e aplikueshme të pronësisë dhe lejet e aksesit, dhe në përputhje me kapacitetet kombëtare. ii) Aksesi dhe transferimi i teknologjisë në vende të tjera, në veçanti në vendet në zhvillim dhe vendet me ekonomi në tranzicion do të kryhet nëpërmjet një grupi masash, të tilla si: krijimi dhe matja, dhe pjesëmarrja në grupe tematike me bazë prodhimesh për përdorimin e burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, të gjitha llojet e partneritetit në kërkim dhe zhvillim dhe në kompanitë e përbashkëta tregtare në lidhje me materialin e marrë, zhvillimi i burimeve njerëzore dhe aksesi efektiv i lehtësirave të kërkimit. iii) Aksesi dhe transferimi i teknologjisë që i referohet pikës (i) dhe (ii) më lart, duke përfshirë dhe teknologjinë e mbrojtur nga të drejtat e pronësisë intelektuale, për vendet në zhvillim që janë palë kontraktuese, në veçanti për vendet më pak të zhvilluara, dhe vendet me ekonomi në tranzicion, të cilat do të furnizohen dhe/ose lehtësohen sipas kushteve të drejta dhe më të favorshme të mundshme, në veçanti në rast të teknologjive për përdorim në konservim dhe teknologjive për përfitim të fermerëve në vendet e zhvilluara, në veçanti të vendeve më pak të zhvilluara, dhe vendeve me ekonomi në tranzicion, duke përfshirë dhe kushte koncensionare dhe preferenciale ku është rënë dakord në mënyrë të ndërsjellë, ndër të tjera, nëpërmjet partneriteteve në kërkim dhe zhvillim nën sistemin shumëpalësh. Një akses dhe transferim i tillë do të ofrohet me kushte të cilat njohin dhe janë në përputhje me mbrojtjen e përshtatshme dhe efektive të të drejtave të pronësisë intelektuale. c) Ndërtimi i kapacitetit Duke marrë parasysh nevojat e vendeve në zhvillim dhe të vendeve me ekonomi në tranzicion, siç shprehet nëpërmjet përparësisë që i japin ndërtimit të kapacitetit në burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin në planet dhe programet e tyre, kur përcaktohen, për sa u përket atyre burimeve gjenetike bimore për ushqime dhe bujqësi të mbuluara nga sistemi shumëpalësh, palët kontraktuese bien dakord t’i japin përparësi: i) krijimit dhe/ose forcimit të programeve për arsimim shkencor dhe teknik dhe trajnim në ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin; ii) zhvillimit dhe forcimit të ambienteve për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, në veçanti në vendet e zhvilluara, dhe në vendet me ekonomitë në tranzicion; dhe iii) duke kryer mundësisht kërkim shkencor, dhe, aty ku është e mundur, në vendet në zhvillim dhe vendet me ekonomi në tranzicion, në bashkëpunim me institucionet e ekonomive të tilla, t’i japin përparësi dhe zhvillim kapacitetesh për një kërkim të tillë në fusha ku ato nevojiten. d) Ndarja e përfitimeve monetare dhe e përfitimeve të tjera të komercializimit: i) Palët kontraktuese bien dakord, sipas sistemit shumëpalësh, të marrin masa në mënyrë që të arrijnë ndarjen e përfitimeve tregtare, nëpërmjet përfshirjes së sektorëve privatë dhe publikë në aktivitetet e identifikuara në këtë nen, me anë të partneriteteve dhe bashkëpunimit, duke u përfshirë me sektorin privat në vendet në zhvillim dhe vendet me ekonomi në tranzicion, në kërkim dhe në zhvillimin e teknologjisë. ii) Palët kontraktuese bien dakord që marrëveshja standarde e transferimit material, së cilës i referohet neni 12.4, përfshin një kërkesë që një marrës që tregton një produkt që është një burim gjenetik bimor për bujqësinë dhe ushqimin dhe që përshin material të aksesueshëm nga sistemi shumëpalësh, do t’i paguajë mekanizmit që referohet në nenin 19.3 f një pjesë të barabartë të përfitimeve që dalin nga tregtimi i këtij produkti, në përjashtim të rasteve kur një produkt i tillë është i disponushëm për të tjerët pa kufizime për kërkim apo shtim, dhe në këtë rast marrësi që bën tregtimin inkurajohet të bëjë një pagesë të tillë. Organi drejtues, në takimin e tij të parë, përcakton nivelin, formën dhe mënyrën e pagesës, në përputhje me praktikën tregtare. Organi drejtues mund të vendosë të përcaktojë nivele të ndryshme pagese për kategori të ndryshme të marrësve që tregtojnë produkte të tilla: ato mund të vendosin gjithashtu dhe për nevojën për të përjashtuar nga pagesa të tilla fermerët e vegjël në vendet në zhvillim dhe në vendet me ekonomitë në tranzicion. Organi drejtues, herë pas here, mund të rishikojë nivelet e pagesës me qëllimin e arritjes së ndarjes së drejtë dhe të barabartë të përfitimeve, dhe mund të vlerësojë, brenda një periudhe prej pesë vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij traktati, nëse kërkesat për pagesë të detyrueshme në marrëveshje zbatohen dhe në rastet kur produkte të tilla të komercializuara janë të disponueshme pa kufizime ndaj të tjerëve për kërkim ose shtim të mëtejshëm. 13.3 Palët kontraktuese bien dakord se përfitimet që dalin nga përdorimi i burimeve gjenetike të bimëve për ushqimet dhe bujqësinë që ndahen sipas sistemit shumëpalësh rrjedhin fillimisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, për fermerët në të gjitha vendet, në veçanti në vendet në zhvillim dhe vendet me ekonomitë në tranzicion, të cilët konservojnë dhe përdorin në mënyrë të qëndrueshme burimet gjenetike të bimëve për ushqime dhe bujqësi. 13.4 Organi drejtues, në takimin e parë, shqyrton politika dhe kritere përkatëse për ndihmë specifike sipas strategjisë të financimit të rënë dakord sipas nenit 18 për ruajtjen e burimeve gjenetike të bimëve për ushqimet dhe bujqësitë në vendet në zhvillim, dhe vendet me ekonomi në tranzicion, kontributi i të cilave për diversitetin e burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin në sistemin shumëpalësh është domethënës dhe/ose ka nevoja të veçanta. 13.5 Palët kontraktuese njohin se aftësia për të zbatuar plotësisht planin global të veprimit, në veçanti të vendeve në zhvillim dhe të vendeve me ekonomi në tranzicion, varet shumë te zbatimi efektiv të këtij neni dhe strategjia financuese e parashikuar në nenin 18. 13.6 Palët kontraktuese shqyrtojnë modalitetet e një strategjie të kontributeve vullnetare të ndarjes së përfitimeve me anë të të cilave industritë e përpunimit ushqimor që përfitojnë nga burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin kontribuojnë në sistemin shumëpalësh. PJESA V KOMPONENTËT MBËSHTETËS Neni 14 Plani global i veprimit Duke njohur se plani global i veprimit për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin është i rëndësishëm për këtë traktat, palët kontraktuese do të nxisin zbatimin e tij efektiv, duke përfshirë nëpërmjet veprimeve kombëtare dhe, kur është e nevojshme, bashkëpunimin ndërkombëtar për të ofruar një kuadër koherent, ndër të tjera, për ndërtimin e kapaciteteve, transferimin e teknologjisë dhe shkëmbimin e informacionit, duke marrë parasysh dispozitat e nenit 13. Neni 15 Koleksionet ex - situ të burimeve gjenetike bimore për bujqësinë dhe ushqimin që mbahen në qendrat ndërkombëtare kërkimore bujqësore të Grupit Konsultativ për Kërkimin Bujqësor Ndërkombëtar dhe institucione të tjera ndërkombëtare 15.1 Palët kontraktuese njohin rëndësinë e këtij traktati për koleksionet ex - situ të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, të mbajtura në besim nga Qendrat Ndërkombëtare Kërkimore Bujqësore (IARC) të Grupit Konsultativ për Kërkim Ndërkombëtar Bujqësor (CGIAR). Palët kontraktuese i bëjnë thirrje IARC-ve të nënshkruajnë marrëveshje me organin drejtues në lidhje me koleksionet ex - situ, në përputhje me afatet dhe kushtet e mëposhtme: a) Burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, të dhëna në listë në shtojcën I të këtij traktati dhe të mbajtura nga IARC-të bëhen të disponueshme në përputhje me dispozitat e parashikuara në pjesën IV të këtij traktati. b) Burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, të ndryshme nga ato që janë dhënë në listë në shtojcën I të këtij traktati dhe të mbledhura përpara hyrjes së tij në fuqi, të cilat mbahen nga IARC-të bëhen të disponueshme në përputhje me dispozitat e MTA-së që është aktualisht në përdorim, në përputhje me marrëveshjet ndërmjet IARC-ve dhe FAO-së. Kjo MTA amendohet nga organi drejtues jo më vonë se sesioni i tij i dytë i rregullt, në konsultim me IARC të, në përputhje me dispozitat përkatëse të këtij traktati, në veçanti me nenet 12 dhe 13, dhe sipas kushteve të mëposhtme: i) IARC-të informojnë në mënyrë periodike organin drejtues rreth MTA-ve të arritura, sipas një programi të përcaktuar nga organi drejtues; ii) Palët kontraktuese, në territorin e të cilave janë mbledhur burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin në kushtet in situ, pajisen me kampione të burimeve të tilla gjenetike të bimëve për ushqimet dhe bujqësinë pas bërjes së kërkesës nga ana e tyre, pa nevojën e ndonjë MTA-je; iii) Përfitimet që dalin nga MTA-ja e sipërpërmendur e që lidhen me mekanizmat e përmendur në nenin 19.3f aplikohen, në veçanti, për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike bimore për bujqësinë dhe ushqimin në fjalë, në veçanti në programe kombëtare dhe rajonale në vendet në zhvillim dhe vendet me ekonomi në tranzicion, në veçanti në qendra të diversitetit dhe të vendeve më pak të zhvilluara; dhe iv) IARC-të marrin masat e nevojshme, në përputhje me kapacitetin e tyre, për të arritur përputhshmëri efektive me kushtet e MTA-së, dhe informojnë menjëherë organin drejtues për rastet e mospërputhjes. c) IARC-të e njohin autoritetin e organit drejtues për ofrimin e udhëzimeve të politikave që lidhen me koleksionet ex situ të kryera prej tyre dhe që janë subjekt i dispozitave të këtij traktati. d) Pajisjet shkencore dhe teknike në të cilat ruhen koleksione të tilla ex situ janë në kompetencën e IARC-ve, të cilat marrin përsipër të menaxhojnë dhe të administrojnë këto koleksione ex situ në përputhje me standardet e pranuara në nivel ndërkombëtar, në veçanti me standardet e Bankave Gjenetike, siç është parashikuar nga Komisioni i FAO-s për Burimet Gjenetike për bujqësinë dhe ushqimin. e) Pas kërkesës nga një IARC-je, sekretari do të përpiqet të japë mbështetjen e duhur teknike. f) Sekretari, në çdo kohë, ka të drejtë aksesi në ambiente, si dhe ka të drejtë të inspektojë të gjitha aktivitetet e kryera në mënyrë të drejtpërdrejtë e që lidhen me ruajtjen dhe shkëmbimin e materialit të mbuluar nga ky nen. g) Nëse mirëmbajtja në rregull e këtyre koleksioneve ex situ të kryera nga ICRC-të pengohet ose kërcënohet nga ndonjë ngjarje e çdo lloji, duke përfshirë dhe forcat madhore, sekretari, me miratimin e shtetit mikpritës, ndihmon në evakuimin ose transferimin e tyre deri në masën që është e mundur. 15.2 Palët kontraktuese bien dakord të ofrojnë akses të lehtësuar për burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin në shtojcën I, pjesa që flet për sistemin shumëpalësh për ICRC-të e OGIAR-të që kanë nënshkruar marrëveshje me organin drejtues në përputhje me këtë traktat. Qendra të tilla përfshihen në një listë të mbajtur nga sekretari që do të bëhen të disponueshme për palët kontraktuese me kërkesë të tyre. 15.3 Materiali i ndryshëm nga materiali i përmendur në shtojcën I, i cili është marrë dhe ruhet nga IARC-të pas hyrjes së këtij traktati në fuqi është i disponueshëm për akses, sipas kushteve që janë në përputhje me kushtet e rëna dakord bashkërisht ndërmjet IARC-ve që marrin materialin e vendit të origjinës të burimeve të tilla ose vendit që i ka marrë këto burime në përputhje me konventën për diversitetin biologjik ose ligje të tjera të aplikueshme. 15.4 Palët kontraktuese inkurajohen t’i japin IARC-ve që kanë nënshkruar marrëveshje me organin drejtues akses në burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin që nuk janë listuar në shtojcën I dhe që janë të rëndësishme për programet dhe aktivitetet e IARC-ve, sipas kushteve të rëna dakord bashkërisht. 15.5 Palët kontraktuese do të kërkojnë gjithashtu të bien dakord për marrëveshje për qëllimet e dhëna në këtë nen me institucione ndërkombëtare përkatëse. Neni 16 Rrjeti ndërkombëtar i burimeve gjenetike të bimëve 16.1 Bashkëpunimi ekzistues në rrjetin ndërkombëtar të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin do të inkurajohet ose zhvillohet mbi bazën e rregullimeve ekzistuese dhe në përputhje me kushtet e këtij traktati, në mënyrë që të arrihet mbulimi më i plotë i mundshëm i burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin. 16.2 Palët kontraktuese inkurajojnë, kur është e nevojshme, të gjitha institucionet përkatëse, duke përfshirë institucione private, joqeveritare, kërkimore, të përmirësimit gjenetik dhe të tjera, për të marrë pjesë në rrjete ndërkombëtare. Neni 17 Sistemi global i informacionit për burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin 17.1 Palët kontraktuese bashkëpunojnë për të zhvilluar dhe për të forcuar një sistem global informacioni për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit, bazuar në sistemet ekzistuese të informacionit, për çështje shkencore, teknike dhe mjedisore të lidhura me burimet gjenetike të bimëve për ushqimet dhe bujqësinë, me shpresë që një shkëmbim i tillë informacioni do të kontribuojë për ndarjen e përfitimeve duke e bërë të disponueshëm informacionin për burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin për të gjitha palët e kontraktuara. Në zhvillimin e sistemit global të informacionit, do të kërkohet bashkëpunim me mekanizmin e zhdoganimit për konventën për diversitetin biologjik. 17.2 Në bazë të njoftimit nga palët kontraktuese, jepet lajmërim paraprak rreth rreziqeve që kërcënojnë mirëmbajtjen efikase të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, në aspektin e ruajtjes së materialit. 17.3 Palët kontraktuese bashkëpunojnë me Komisionin për Burime Gjenetike për Bujqësinë dhe Ushqimin të FAO-s në rivlerësimin periodik të gjendjes së burimeve gjenetike të bimëve të botës për bujqësinë dhe ushqimin në mënyrë që të lehtësohet përditësimi i planit global të veprimit, të cilit i referohet neni 14. PJESA VI DISPOZITAT FINANCIARE Neni 18 Burimet financiare 18.1 Palët kontraktuese marrin përsipër të zbatojnë një strategji financimi për zbatimin e këtij traktati në përputhje me dispozitat e këtij neni. 18.2 Objektivat e strategjisë së financimit janë që të rritet disponueshmëria, transparenca, efikasiteti dhe efektiviteti i ofrimit të burimeve financiare për të zbatuar aktivitetet e parashikuara në këtë traktat. 18.3 Në mënyrë që të mobilizohen fondet për aktivitetet parësore, planet dhe programet, në veçanti në vendet në zhvillim dhe në vendet me ekonomi në tranzicion, dhe duke marrë parasysh planin global të veprimit, organi drejtues përcakton periodikisht një synim për një financim të tillë. 18.4 Në bazë të kësaj strategjie financimi: a) Palët kontraktuese marrin masat e nevojshme dhe të duhura brenda organeve drejtuese për mekanizmat përkatës ndërkombëtarë, fondet dhe organet për të siguruar përparësinë dhe vëmendjen e nevojshme për ndarjen efektive të burimeve të parashikueshme dhe të rëna dakord për zbatimin e planeve dhe programeve të parashikuara në këtë traktat. b) Përcaktohet niveli në të cilin palët kontraktuese që janë vende në zhvillim dhe palë kontraktuese me ekonomitë në tranzicion zbatojnë në mënyrë efektive angazhimet e tyre sipas këtij traktati, varen në ndarjen efektive, në veçanti të palëve të një vendi të zhvilluar, të burimeve që u referohet ky nen. Palët kontraktuese që janë vende në zhvillim dhe Palët Kontraktuese me ekonomitë në tranzicion do t’i japin përparësinë e duhur në planet dhe programet e tyre ndërtimit të kapaciteteve në burimet gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin. c) Palët Kontraktuese që janë vende të zhvilluara, ofrojnë burime financiare për zbatimin e këtij traktati nëpërmjet kanaleve dypalëshe, rajonale dhe shumëpalëshe, ndërsa palët kontraktuese që janë vende në zhvillim dhe palët kontraktuese me ekonomi në tranzicion, ndihmohen për burime të tilla. Kanale të tilla përfshijnë mekanizmat që referohen në nenin 19.3f. d) Çdo palë kontraktuese bie dakord të ofrojë burime financiare për aktivitete kombëtare për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin në përputhje me kapacitetet kombëtare dhe burimet financiare. Burimet financiare të ofruara nuk do të përdoren për qëllime që nuk janë në përputhje me këtë traktat, në veçanti në fusha që lidhen me tregtinë ndërkombëtare të mallrave. e) Palët kontraktuese bien dakord që përfitimet financiare që dalin nga neni 13.2 d janë pjesë e strategjisë së financimit. f) Kontributet vullnetare mund të parashikohen edhe nga palët kontraktuese, sektori privat, duke marrë parasysh dispozitat e nenit 13, organizatat joqeveritare dhe burime të tjera. Palët kontraktuese bien dakord që organi drejtues të shqyrtojë modalitete të një strategjie për të promovuar kontribute të tilla. 18.5 Palët Kontraktuese bien dakord që do t’i jepet përparësi zbatimit të planeve dhe programeve të rëna dakord për fermerët e vendeve në zhvillim, në veçanti në vendet më pak të zhvilluara, dhe ende me ekonomi në tranzicion, që ruajnë dhe përdorin në mënyrë të qëndrueshme burime gjenetike bimore për bujqësinë dhe ushqimin. PJESA VII DISPOZITAT INSTITUCIONALE Neni 19 Organi drejtues 19.1 Për këtë traktat krijohet një organ drejtues, i përbërë nga të gjitha palët kontraktuese. 19.2 Të gjitha vendimet e organit drejtues merren me konsensus ose nëse pa konsensus, me anë të një metode tjetër për të arritur në një vendim për çështje të caktuara, por konsensusi nevojitet gjithmonë në lidhje me çështjet e parashikuara në nenin 23 dhe 24. 19.3 Funksionet e organit drejtues janë të promovojë zbatimin e plotë të këtij traktati, duke pasur parasysh objektivat e tij dhe, në veçanti: a) Ofrimin e drejtimit të politikës dhe udhëzime për të monitoruar, dhe për të miratuar rekomandime të tilla të nevojshme për zbatimin këtij traktati, dhe në veçanti, për funksionimin e sistemit shumëpalësh; b) Miratimin e planeve dhe programeve për zbatimin e këtij traktati; c) Miratimin, në seancë të parë, dhe rishikimin periodik të strategjisë së financimit për zbatimin e këtij traktati, në përputhje me dispozitat e nenit 18; d) Miratimin e buxhetit të këtij traktati; e) Shqyrtimin dhe përcaktimin e subjektit të disponueshmërisë së fondeve të nevojshme për organe të tilla varësie, si të dalë e nevojshme, dhe mandatet dhe përbërja e tyre përkatëse; f) Krijimin, sipas nevojës, të një mekanizmi të përshtatshëm, si për shembull të një llogarie besimi, për marrjen dhe përdorimin e burimeve financiare që përdoren për qëllime të zbatimit të këtij traktati; g) Krijimin dhe mbajtjen e një niveli të mirë bashkëpunimi me organizata të tjera ndërkombëtare dhe organe të traktatit, duke përfshirë në veçanti Konferencën e Palëve për konventën e diversitetit biologjik, për çështje të mbuluara nga ky traktat, duke përfshirë pjesëmarrjen e tyre në strategjinë e financimit; h) Shqyrtimin dhe miratimin, sipas kërkesës, të amendamenteve të këtij traktati, në përputhje me dispozitat e nenit 23; i) Shqyrtimin dhe miratimin, sipas kërkesës, të amendamenteve të shtojcave të këtij traktati, në përputhje me dispozitat e nenit 24; j) Shqyrtimin e modaliteteve të një strategjie për të inkurajuar kontributet vullnetare, në veçanti në përputhje me nenet 13 dhe 18; k) Kryerjen e funksioneve të tilla sipas nevojës, për plotësimin e objektivave të këtij traktati; l) Marrjen shënim të vendimeve përkatëse të Konferencës së Palëve të Konventës për diversitet biologjik dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe organe të traktatit; m) Informimin, siç duhet, të Konferencës së Palëve për konventën e diversitetit biologjik dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe organeve të traktatit për çështje që lidhen me zbatimin e këtij traktati; dhe n) Miratimin e kushteve të marrëveshjes me IARC-të dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare sipas nenit 15, si dhe rishikimin dhe mendimin e MTA-ve në nenin 15. 19.4 Në varësi të nenit 19.6, çdo palë kontraktuese ka një votë dhe mund të përfaqësohet në sesionet e organit drejtues nga një delegat i vetëm që mund të shoqërohet nga një zëvendës, ose nga ekspertët dhe këshilltarët. Zëvendësit, ekspertët dhe këshilltarët mund të marrin pjesë në punimet e organit drejtues, por mund të mos votojnë, në përjashtim të rasteve kur autorizohen ligjërisht për të zëvendësuar delegatin. 19.5 Kombet e Bashkuara, agjencitë e specializuara të saj dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, si dhe çdo shtet që nuk është shtet kontraktues i këtij traktati, mund të përfaqësohet në statusin e vëzhguesit në sesionet e organit drejtues. Çdo organ apo agjenci tjetër, qoftë qeveritare ose joqeveritare, e kualifikuar në fusha të lidhura me ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve për bujqësinë dhe ushqimin, që e ka informuar sekretarin për dëshirën për t’u përfaqësuar si vëzhgues në një sesion të organit drejtues, mund të pranohet, me përjashtim të rastit kur një e treta e palëve kontraktuese nuk kundërshtojnë. Pranimi dhe pjesëmarrja e vëzhguesve është subjekt i rregullores së miratuar nga organi drejtues. 19.6 Një organizatë anëtare e FAO-s që është palë kontraktuese dhe shtetet anëtare të asaj organizate anëtare që janë palë kontraktuese ushtrojnë të drejtat e tyre të anëtarësimit dhe plotësojnë detyrimet e anëtarësisë në përputhje, mutatis mutandis, me kushtetutën dhe me rregullat e përgjithshme të FAO-s. 19.7 Organi drejtues miraton dhe amendon, sipas kërkesës, rregulloren e tij dhe rregullat financiare, të cilat nuk duhet të jenë në kundërshtim më këtë traktat. 19.8 Prania e delegatëve që përfaqësojnë një shumicë të palëve kontraktuese është e nevojshme për të bërë një kuorum në çdo sesion të organit drejtues. 19.9 Organi drejtues mban seanca të rregullta të paktën një herë në dy vjet. Këto sesione, aq sa është e mundur, mbahen paralelisht me seancat e rregullta të Komisionit për Burime Gjenetike për bujqësinë dhe ushqimin. 19.10 Sesionet e posaçme të organit drejtues mund të mbahen në kohë të tjera, si të shihet e nevojshme nga organi drejtues, ose me kërkesë me shkrim të palëve kontraktuese, me kusht që një kërkesë e tillë mbështetet nga të paktën një e treta e palëve kontraktuese. 19.11 Organi drejtues zgjedh kryetarin dhe zëvendëskryetarët (të cilët në mënyrë kolektive quhen “Byroja”) në përputhje me rregulloret e saj. Neni 20 Sekretari 20.1 Sekretari i organit drejtues caktohet nga drejtori i përgjithshëm i FAO-s, me miratimin e organit drejtues. Sekretari ndihmohet nga një staf sipas nevojës. 20.2 Sekretari kryen funksionet e mëposhtme: a) Bën rregullimet dhe ofron mbështetje administrative për sesionet e organit drejtues dhe për organet ndihmëse që mund të jenë krijuar; b) Ndihmon organin drejtues në kryerjen e funksioneve të tij, duke përfshirë kryerjen e detyrave specifike që organi drejtues mund të vendosë t’ia caktojë atij. c) Raporton për aktivitetet e tij tek organi drejtues. 20.3 Sekretari u komunikon të gjitha palëve të kontraktuara dhe drejtorit të përgjithshëm: a) vendimet e organit drejtues brenda gjashtëdhjetë ditëve nga dita e miratimit; b) informacionin e marrë nga palët e kontraktuara, në përputhje me dispozitat e kësaj Marrëveshje. 20.4 Sekretari ofron dokumentacion në gjashtë gjuhët e Kombeve të Bashkuara për organin drejtues. 20.5 Sekretari bashkëpunon me organizatat e tjera dhe me organet e traktatit, duke përfshirë në veçanti sekretariatin e konventës për diversitetin biologjik, në arritjen e objektivave të këtij traktati. Neni 21 Përputhshmëria Organi drejtues, në takimin e tij të parë, shqyrton dhe miraton procedurat e përbashkëta dhe efektive, si dhe mekanizmat operativë për të nxitur përputhshmërinë me dispozitat e këtij traktati dhe për të trajtuar çështje të mospërputhshmërisë. Këto procedura dhe mekanizma përfshijnë monitorimin, ofrimin e organimit dhe të ndihmës, duke përfshirë organim ligjor ose ndihmë ligjore, kur nevojitet, në veçanti për vendet në zhvillim dhe vendet me ekonomi në tranzicion. Neni 22 Zgjidhja e mosmarrëveshjeve 21.1 Në rast të një mosmarrëveshje ndërmjet palëve kontraktuese, në lidhje me interpretimin ose zbatimin e këtij traktati, palët kërkojnë zgjidhje me atë të negociatave. 22.2 Nëse palët në fjalë nuk arrijnë një marrëveshje me anë të negociatave, ata së bashku mund të kërkojnë ndërhyrjen ose ndërmjetësimin e një pale të tretë. 22.3 Gjatë ratifikimit, pranimit, miratimit dhe aderimit në këtë traktat, ose në çdo kohë më pas, një palë kontraktuese mund t’i deklarojë me shkrim depozitarit se për një mosmarrëveshje të pazgjidhur në përputhje me nenin 22.1 ose nenin 22.2 më lart, ajo pranon njërën ose të dyja nga mjetet e mëposhtme të zgjidhjes së mosmarrëveshjes si të detyrueshme: a) Arbitrazhin në përputhje me procedurën e parashtruar në pjesën 1 të shtojcës II të këtij traktati; b) Parashtrimin e mosmarrëveshjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. 22.4 Nëse palët në mosmarrëveshje, në përputhje me nenin 22.3 më lart, nuk kanë pranuar të njëjtën procedurë ose asnjë procedurë, mosmarrëveshja do të parashtrohet për pajtim në përputhje me pjesën 2 të shtojcës II të këtij traktati, në përjashtim të rasteve kur palët bien dakord ndryshe. Neni 23 Amendamentet në traktat 23.1 Amendamentet në këtë traktat mund të propozohen nga çdo palë kontraktuese. 23.2 Amendamentet në këtë traktat miratohen në një sesion të organit drejtues. Teksti i çdo mendimi të propozuar do t’u komunikohet palëve të kontraktuara nga sekretari të paktën gjashtë muaj përpara sesionit në të cilin ai është propozuar për miratim. 23.3 Të gjitha amendamentet në këtë traktat do të bëhen vetëm me konsensus të palëve kontraktuese të pranishme në sesionin e organit drejtues. 23.4 Çdo amendament i miratuar nga organi drejtues hyn në fuqi ndërmjet palëve kontraktuese që e kanë ratifikuar, pranuar ose miratuar atë në ditën e nëntëdhjetë pas depozitimit të instrumenteve për ratifikim, pranim ose miratim nga dy të tretat e palëve kontraktuese. Më pas, amendamenti hyn në fuqi për çdo palë tjetër kontraktuese në ditën e nëntëdhjetë pasi pala kontraktuese depoziton instrumentin e saj të ratifikimit, pranimit ose miratimit të amendamentit. 23.5 Për qëllim të këtij neni, një instrument i depozituar nga një organizatë anëtare e FAO-s nuk do të numërohet si shtesë për ato amendamente të depozituara nga shtetet anëtare të një organizate të tillë. Neni 24 Anekset 24.1 Anekset e këtij traktati formojnë një pjesë integrale të këtij traktati dhe referencat e këtij traktati do të përbëjnë në të njëjtën kohë referencë për anekset e tij. 24.2 Dispozitat e nenit 23 në lidhje me amendamentet e këtij traktati zbatohen për amendamentet e anekseve. Neni 25 Nënshkrimi Ky traktat është i hapur për nënshkrim në FAO nga data 3 nëntor 2001 deri më datën 4 nëntor 2002 nga të gjitha shtetet e FAO-s dhe çdo shtet që nuk është anëtar i FAO-s, por është anëtar i Kombeve të Bashkuara, ose nga çdo agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara ose Agjenci Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Neni 26 Ratifikimi, pranimi dhe miratimi Ky traktat është subjekt ratifikimi, pranimi ose miratimi nga anëtarët dhe joanëtarët e FAO-s, të cilëve u referohet neni 25. Instrumentet e ratifikimit, pranimit ose miratimit depozitohen te depozitari. Neni 27 Pranimi Ky traktat është i hapur për pranim nga të gjithë anëtarët e FAO-s dhe çdo shtet që nuk është anëtar i FAO-s, por që është anëtar i Kombeve të Bashkuara, ose çdo agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara ose Agjenci Ndërkombëtare e Energjisë Atomike që nga data në të cilën traktati është i mbyllur për nënshkrim. Instrumentet e pranimit do të depozitohen te depozitari. Neni 28 Hyrja në fuqi 28.1 Sipas dispozitave të nenit 29.2, ky traktat do të hyjë në fuqi në ditën e nëntëdhjetë pas depozitimit të instrumentit të dyzet të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit, me kusht që të paktën të jenë depozituar njëzet instrumente të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit nga anëtarët e FAO-s. 28.2 Për çdo anëtar të FAO-s dhe çdo shtet që nuk është anëtar i FAO-s, por është anëtar i Kombeve të Bashkuara, ose për çdo nga agjencitë e tij të specializuara ose të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike që ratifikon, pranon, miraton dhe aderon në këtë traktat pas depozitimit, në përputhje me nenin 28.1, të instrumentit të dyzet të ratifikimit, pranimit, miratimit dhe aderimit, traktati hyn në fuqi në ditën e nëntëdhjetë pas depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit. Neni 29 Organizatat anëtare të FAO-s 29.1 Kur një organizatë anëtare e FAO-s depoziton një instrument ratifikimi, pranimi, miratimi ose aderimi për këtë traktat, organizata anëtare, në përputhje me dispozitat e nenin II.7 të Kushtetutës së FAO-s, njofton ndryshimet në lidhje me shpërndarjen e kompetencës për deklarimin e kompetencave që jepen sipas nenit II.5 të Kushtetutës së FAO-s siç mund të jetë e nevojshme nga pikëpamja e pranimit të këtij traktati. Çdo palë kontraktuese për këtë traktat, në çdo kohë, mund t’i kërkojë një organizate anëtare të FAO-s që është palë kontraktuese në këtë traktat të japë informacion se cila nga organizatat anëtare apo shtetet anëtare është përgjegjëse për zbatimin e ndonjë çështje të veçantë të mbuluar nga ky traktat. Organizata anëtare jep informacion brenda një kohe të arsyeshme. 29.2 Instrumentet e ratifikimit, pranimit, miratimi, aderimit ose tërheqjes, të depozituara nga një shtet anëtar i FAO-s, nuk do të numërohen si shtesa të akteve të depozituara nga shtetet anëtare. Neni 30 Rezervat Nuk bëhen rezerva për këtë traktat. Neni 31 Jopalët Palët kontraktuese inkurajojnë çdo shtet të FAO-s ose çdo shtet tjetër që nuk është palë kontraktuese e këtij traktati, ta pranojnë këtë traktat. Neni 32 Tërheqjet 32.1 Çdo palë kontraktuese, në çdo kohë, pas një periudhe dyvjeçare pas hyrjes në fuqi të këtij traktati, mund të njoftojë me shkrim depozitarin për tërheqjen e saj nga ky traktat. Depozitari informon menjëherë palët kontraktuese. 32.2 Tërheqja do të bëhet efektive një vit pas datës së marrjes së njoftimit. Nenit 33 Përfundimi 33.1 Traktati përfundon në mënyrë automatike nëse dhe kur, si rezultat i tërheqjeve, numri i palëve kontraktuese ka zbritur deri në dyzet, me përjashtim të rasteve kur palëve kontraktuese që mbeten kanë vendosur ndryshe. 33.2 Depozitari informon të gjitha palët kontraktuese që mbeten kur numri i palëve kontraktuese zbret në dyzet. 33.4 Në rast të përfundimit të traktatit, rregullimi i aseteve do të bëhet në bazë të rregullave financiare që do të miratohen nga organi drejtues. Neni 34 Depozitari Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s do të jetë depozitari i këtij traktati. Neni 35 Tekstet origjinale Tekstet e këtij traktati në gjuhën arabe, kineze, angleze, frënge, ruse dhe spanjolle janë njëlloj të barasvlershme.