Law No. 9700 on the protection of environment against environmental transboundary effects
颁布于 2007-03-26 · 文本截至 2026-10-01
以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。
研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。
关于这部法律
- 语言
- Albanian
- 类型
- 法令
- 组织
- European Union
- 国家
- 阿尔巴尼亚
- 主题
- Environment
- 关键词
- pollution control, transboundary effects, access-to-information
在哪里阅读
该法律没有记录来源链接。
文本
所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。
REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI L I G J Nr.9700, datë 26.3.2007 PËR MBROJTJEN E MJEDISIT NGA NDIKIMET NDËRKUFITARE Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi Ky ligj synon mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit, duke parandaluar ndikime të ndjeshme negative, të cilat mund të shkaktohen nga projekte ose veprimtari, që kërkojnë të zhvillohen në territoret ndërkufitare të shteteve fqinje. Neni 2 Fusha e zbatimit 1. Ky ligj zbatohet kur projekte ose veprimtari, të përcaktuara në aneksin I të Konventës së Kombeve të Bashkuara "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis, në kontekst ndërkufitar", kërkojnë të ushtrohen në territoret e një shteti fqinj dhe parashikohet të kenë ndikime të ndjeshme negative në mjedis ose në shëndet në territorin e Republikës së Shqipërisë. 2. Për projektet ose veprimtaritë, që kërkohet të zhvillohen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që mund të kenë ndikime të ndjeshme negative në mjedisin e vendeve fqinje apo në hapësirat detare ndërkombëtare, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave vepron në përputhje me kërkesat e Konventës së Kombeve të Bashkuara dhe të ligjeve që rregullojnë fushën e mjedisit. 3. Këshilli i Ministrave, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton rregullat dhe procedurat konkrete, të propozuara nga Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, për rastet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni. Neni 3 Përkufizime Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 1. "Mjedis ndërkufitar" janë territoret tokësore dhe nëntoka, hapësirat ujore, detare e liqenore përkrah vijës së kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë, si dhe hapësirat ajrore mbi to. 2. "Ndikim ndërkufitar në mjedis" është ndikimi i ndjeshëm negativ, që parashikohet të veprojë në mjedisin ndërkufitar të vendit tonë nga projekte ose veprimtari, të përcaktuara në aneksin I të Konventës së Kombeve të Bashkuara "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis, në kontekst ndërkufitar", që kërkohet të zbatohen në territorin e një vendi fqinj dhe ka kuptimin e dhënë në pikën 13 të nenit 3 të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002 "Për mbrojtjen e mjedisit". 3. "Palë e prekur" është Republika e Shqipërisë, kur një projekt ose veprimtari, që kërkohet të instalohet në territorin e një shteti fqinj, parashikohet të ketë ndikim ndërkufitar në territorin e saj. 4. "Palë shkaktare" është secila nga shtetet fqinje, kur ndikimet ndërkufitare të një projekti ose veprimtarie, që do të instalohet në territorin e saj, mund të shfaqen në territorin ndërkufitar shqiptar. 5. "Shtet fqinj" janë shtetet që kanë kufij tokësorë apo ujorë me Republikën e Shqipërisë. 6. "Organ përgjegjës" është Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave e Republikës së Shqipërisë, si dhe struktura përgjegjëse për mjedisin në një shtet fqinj. 7. "Ligji" është ligji nr.8990, datë 23.1.2003 "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis". 8. "Konventë" është Konventa e Kombeve të Bashkuara "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis, në kontekst ndërkufitar" (Konventa e ESPOO-s), ku Republika e Shqipërisë është palë. 9. "Sekretariat" është sekretariati i konventës së përmendur në pikën 8 të këtij neni. 10. "Ministria" është ministria që mbulon problemet e mjedisit. 11. "Ministër" është titullari që drejton ministrinë që mbulon problemet e mjedisit. KREU II MASA PËRGATITORE Neni 4 Marrëveshjet 1. Për të parandaluar ndotjen dhe dëmtimet e mjedisit e të shëndetit nga ndikimet ndërkufitare, ministria merr nismën dhe fton secilin nga organet përgjegjëse të shteteve fqinje, që janë palë në konventë, të nënshkruajnë me të marrëveshje dy ose shumëpalëshe, ku përcaktohen me hollësi angazhimet e secilës palë, për të siguruar zbatimin e plotë të kërkesave të konventës. 2. Marrëveshjet, sipas pikës 1 të këtij neni, përqendrohen kryesisht në: a) shkëmbimin e vazhdueshëm të të dhënave për projektet dhe veprimtaritë e përcaktuara në ankesin I të konventës; b) krijimin e hapësirave për kontakte e komunikime zyrtare dhe jozyrtare ndërmjet specialistëve, pikave të kontaktit dhe autoriteteve qendrore e vendore; c) formimin e grupeve të përbashkëta për shqyrtimin e dokumentacionit dhe zgjidhjen e problemeve, që dalin gjatë procesit të shqyrtimit; ç) ndërmarrjen e vlerësimeve të përbashkëta të ndikimit në mjedis dhe hartimin e zbatimin e programeve të njësuara të monitorimit; d) përcaktimin e metodave për identifikimin, shtrirjen dhe vlerësimin e ndikimeve ndërkufitare në mjedis; dh) përcaktimin dhe respektimin e afateve për të gjitha veprimet, që kryhen gjatë procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, në kontekst ndërkufitar; e) përcaktimin e shpenzimeve dhe mbulimin e tyre; ë) vënien në dijeni dhe përfshirjen e publikut në të gjitha fazat e procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis; f) parandalimin e mosmarrëveshjeve, që mund të lindin gjatë procesit dhe përcaktimin e mjeteve për zgjidhjen e tyre. Neni 5 Kërkesa për të marrë dijeni 1. Ministria kërkon periodikisht të informohet nga organi përgjegjës i secilit shtet fqinj, nëse atij i janë paraqitur kërkesa për zbatimin e projekteve apo të veprimtarive, të përcaktuara në aneksin I të konventës, të cilat parashikohet të shkaktojnë ndikime ndërkufitare në territore të ndryshme të vendit tonë. 2. Kur ministria vëren se në një shtet fqinj kanë nisur procedurat e shqyrtimit dhe mund të zbatohet një projekt ose një veprimtari që do të ketë ndikim ndërkufitar, për të cilin nuk ka marrë asnjë njoftim nga organi përgjegjës i këtij shteti, i kërkon atij ta vërë në dijeni për këtë çështje, duke zbatuar rigorozisht kërkesat e konventës, ku ai është palë. Neni 6 Pjesëmarrja Kur organi përgjegjës i një shteti fqinj njofton se i janë paraqitur kërkesa për zbatimin e një projekti ose veprimtarie, të përcaktuar në aneksin I të konventës dhe se ai do të fillojë procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis, si dhe kur ai ka njoftuar fillimisht vetë për këtë çështje, ministri i bën të ditur zyrtarisht se: a) Republika e Shqipërisë do të marrë pjesë si palë e prekur dhe se ministria është organi i saj përgjegjës për këtë çështje; b) ministria do të përfshihet në procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, që do të zhvillojë organi përgjegjës i palës shkaktare për projektin ose veprimtarinë konkrete. Neni 7 Kërkesat fillestare 1. Ministri, pasi ka njoftuar përfshirjen në proces, me cilësinë e organit përgjegjës të palës së prekur, i kërkon organit përgjegjës të palës shkaktare nisjen sa më parë të kontakteve e të bisedimeve, për të qartësuar përgjegjësitë, rolet dhe funksionet që do të ushtrojnë, rregullat e procedurat e zhvillimit të procesit dhe masa të tjera që garantojnë mbarëvajtjen e tij. 2. Ministria, në bisedimet e kësaj faze, synon të arrijë mirëkuptim për hapat që do të ndërmarrë, për kërkesat dhe propozimet që do të paraqesë, si përfaqësuese e palës së prekur, për shmangien, zbutjen dhe eliminimin e ndikimeve ndërkufitare në mjedisin shqiptar. 3. Ministri, gjithashtu, i kërkon organit përgjegjës të palës shkaktare që: a) projekti ose veprimtaria t'i nënshtrohet vlerësimit të thelluar të ndikimit në mjedis; b) për shqyrtimin e tij të zbatohen, me rreptësi dhe në mënyrë të plotë, kërkesat dhe procedurat e konventës; c) të paraqesë një përmbledhje të shkurtër të praktikave që, në raste të tilla, përdor për shqyrtimin mjedisor dhe të përcaktojë afatin, brenda të cilit do të kryhet shqyrtimi; ç) të identifikojë organin vendimmarrës dhe organet e tjera, me të cilat do të realizohen bisedimet në faza të ndryshme të procesit; d) të shprehet, paraprakisht, për natyrën e mundshme të vendimit që do të merret në përfundim të procesit; dh) të vërë në dijeni propozuesin se projekti ose veprimtaria, që ai kërkon të zbatojë, do të ketë ndikime ndërkufitare, do t'i nënshtrohet shqyrtimit të parashikuar për këtë rast, do të përballojë shpenzimet shtesë të domosdoshme, si dhe do ta njoftojë zyrtarisht për mënyrën e mbulimit të shpenzimeve. Neni 8 Propozimet 1. Ministria formulon dhe i përcjell organit përgjegjës të palës shkaktare edhe propozimet përkatëse, në funksion të zhvillimit cilësor të procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis. 2. Propozimet përqendrohen kryesisht: a) në vendosjen bashkërisht nëse projekti ose veprimtaria konkrete përfshihet në aneksin I të konventës; b) në shqyrtimin e përbashkët të kritereve, sipas së cilave një ndikim konkret në mjedis vlerësohet i zakonshëm apo ndërkufitar; c) në përcaktimin, gjatë procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, të rasteve ku duhet bashkëpunuar; ç) për pjesëmarrjen e specialistëve shqiptarë në procesin e vlerësimit; d) për krijimin e grupeve të përbashkëta, për të studiuar dhe për të propozuar zgjidhje për çështjet që dalin gjatë procesit të vlerësimit; dh) për vlerësimin e dokumenteve dhe të raporteve të hartuara nga grupet, duke shprehur edhe qëndrimin e vet për to. 3. Kur organi përgjegjës i palës shkaktare nuk është dakord me ndonjërën nga kërkesat e pikës 2 të këtij neni, ministria kërkon të vihet në dijeni për shqyrtimet e bëra pa praninë e saj dhe për përfundimet e arritura. Neni 9 Njoftimi Ministri, në mbledhjen më të afërt, vë në dijeni Këshillin e Ministrave për rastin që është shfaqur, për qëndrimin e tij për t'u angazhuar si palë e prekur, për hapat që do të ndërmarrë dhe për rolin që do të luajë në parandalimin e ndikimeve ndërkufitare në shëndet dhe mjedis, duke bashkëpunuar me palën shkaktare, në përputhje me kërkesat e konventës dhe të këtij ligji. Neni 10 Marrëdhëniet me sekretariatin 1. Ministri, pas komunikimeve paraprake me organin përgjegjës të palës shkaktare, brenda një muaji nga data e komunikimit të fundit, njofton sekretariatin e konventës për rastin e shfaqur dhe i kërkon angazhim për zgjidhjen e çështjes, në përputhje me kërkesat e konventës. 2. Ministri i vë në dispozicion sekretariatit, gjatë të gjithë zhvillimit të procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, dokumente e materiale, që ajo i vlerëson si të nevojshme. Neni 11 Njoftimi i organeve të qeverisjes vendore Ministri, brenda 5 ditëve nga data e shpalljes së vendimit për të marrë pjesë në proces, si palë e prekur, njofton organet e qeverisjes vendore (bashkinë, komunën dhe qarkun), Këshillin e Basenit Ujëmbledhës dhe agjencinë rajonale të mjedisit, ku shtrihet zona që mund të pësojë ndikime ndërkufitare, për rastin e shfaqur, për angazhimet e ministrisë dhe për bashkëpunimin e detyrat për të parandaluar këto ndikime. Neni 12 Bërja publike 1. Ministri, pas njoftimeve, bën publik rastin, qëndrimin e ministrisë, kontaktet e para me organin përgjegjës të palës shkaktare, si dhe hapat që do të ndërmerren në vijim. 2. Ministria, gjatë zhvillimit të procesit të vlerësimit, boton përmbledhjen e dokumenteve të ardhura nga organi përgjegjës i palës shkaktare dhe të dokumenteve të palës shqiptare drejtuar këtij organi. 3. Ministria harton dhe paraqet komunikata, deklarata, organizon konferenca shtypi dhe emisione televizive, për të vënë në dijeni publikun për ecurinë e procesit. KREU III SHQYRTIMI Neni 13 Kërkimi i dokumenteve 1. Ministri, pasi merr përgjigje nga organi përkatës i palës shkaktare për kërkesat dhe propozimet që i ka dërguar, i kërkon atij dokumentacionin teknik të projektit ose të veprimtarisë, raportin e thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis, si dhe përcaktimin e afatit të shqyrtimit të tyre nga ministria. 2. Ministria, për dokumentacionin teknik të projektit ose veprimtarisë, respekton kërkesat e organit përgjegjës të palës shkaktare për konfidencialitetin dhe sekretin teknologjik. Neni 14 Shqyrtimi i dokumenteve 1. Ministri, për një shqyrtim sa më cilësor të dokumenteve të ardhura, ua përcjell ato ministrive që lidhen drejtpërdrejt me projektin ose veprimtarinë që kërkohet të ushtrohet. 2. Ministritë, pasi shqyrtojnë dokumentacionin me specialistët e tyre, paraqesin me shkrim, brenda 10 ditëve, qëndrimin zyrtar të tyre në ministri. Neni 15 Hartimi i raportit 1. Ministri, për shqyrtimin e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, të dërguar nga organi përgjegjës i palës shkaktare, urdhëron ngritjen e një grupi pune me specialistë të fushës së mjedisit, nga ministritë e linjës dhe organet e specializuara kërkimore-shkencore, që lidhen me natyrën e projektit dhe llojin e veprimtarisë që shqyrtohet. 2. Grupi i punës, brenda afateve të caktuara në urdhrin e ministrit, përgatit raportin, i cili përmban: a) vlerësimet për nivelin teknik, shkencor e metodologjik të dokumenteve, të dërguara nga organi përgjegjës i palës shkaktare dhe sugjerimet për përmirësimin e tyre, për të garantuar zhvillimin cilësor të procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis; b) ndikimet ndërkufitare, që dalin nga dokumentet dhe masat për zgjidhjen, për zbutjen apo eliminimin e tyre; c) përcaktimin dhe përshkrimin e hollësishëm të zonës, mbi të cilën do të ndikojë ndotja ndërkufitare; ç) masa të tjera, që zvogëlojnë maksimalisht ndikimet ndërkufitare në mjedisin shqiptar gjatë zbatimit të projektit. 3. Raporti i miratuar nga ministri i dërgohet organit përgjegjës të palës shkaktare, duke i kërkuar të japë vlerësimet dhe zgjidhjet e tij. Neni 16 Dosja e zonës 1. Ministria, në kuadër të përgatitjes së dokumenteve që do t'i dërgohen organit përgjegjës të palës shkaktare, organizon dhe drejton punën për hartimin e raportit të vlerësimit mjedisor të zonës që do të ndikohet dhe krijon dosjen e zonës. 2. Ministria, për të plotësuar dosjen e zonës, kërkon bashkëpunimin e ministrive të linjës, të organeve përkatëse të qeverisjes vendore dhe të organeve të tjera të posaçme për dokumente e të dhëna, për vlerat e zonës dhe ndjeshmërinë mjedisore te saj. 3. Dosja e zonës i përcillet organit përgjegjës të palës shkaktare, duke i kërkuar që të mbahet parasysh gjatë vlerësimit të ndikimit në mjedis e, sidomos, gjatë vendimmarrjes. 4. Nëse organi përgjegjës i palës shkaktare paraqet rezerva për dosjen e zonës, ministria propozon krijimin e një grupi të përbashkët specialistësh, për shqyrtimin në vend të tipareve dhe të veçorive të zonës që do të pësojë ndikime ndërkufitare. Ky grup, në përfundim të punës, paraqet me shkrim mendimet pranë organit përgjegjës të palës shkaktare. 5. Organet e qeverisjes vendore evidentojnë vlerat që përfaqëson zona, popullsinë, urbanizimin, veprimtaritë tradicionale dhe synimet për zhvillimin e saj. 6. Këshilli i Basenit Ujëmbledhës, Komiteti i Menaxhimit të Zonës së Mbrojtur, kur ka të tilla dhe agjencia rajonale e mjedisit përgatisin të gjithë dokumentacionin ligjor, administrativ dhe teknik, që pasqyron statusin dhe treguesit mjedisorë të zonës që do të ndikohet. Këto struktura evidentojnë të dhëna konkrete për përcaktimin e kufijve maksimalë të zonës që mund të preket nga ndikimet ndërkufitare, duke përshkruar ndjeshmërinë mjedisore të saj, duke identifikuar ndikimin maksimal ndërkufitar në zonë, në tërësi e për çdo përbërës të veçantë të saj, si ujërat, tokën, ajrin, pyjet e biodiversitetin. Neni 17 Shqyrtimi ndërkufitar 1. Vlerësimin e ndikimit në mjedis, në kontekst ndërkufitar, të një projekti apo veprimtarie, ministria e mbështet në: a) llojin dhe natyrën e veprimtarisë apo të projektit që do të zbatohet; b) madhësinë dhe kapacitetin e projektit; c) teknologjitë që do të përdoren; ç) sasinë dhe llojin e energjisë që do të shfrytëzohet; d) llojet dhe sasitë e mbetjeve që gjenerohen për një cikël prodhimi apo për një afat kohor të dhënë; dh) shkarkimet në tokë, ujë dhe ajër; e) veçoritë e zonës, që mund të ndikohet nga zbatimi i projektit, si: i) zona ndërkufitare me ndjeshmëri të madhe mjedisore (laguna, parqe kombëtare, rezervate natyrore, habitate me biodiversitet specifik apo zonë me vlera të veçanta të peizazhit); ii) zona ndërkufitare me interes shkencor të veçantë ose me vlera arkeologjike, kulturore dhe historike; iii) zona ndërkufitare me popullsi të dendur, ku projekti i propozuar mund të ketë ndikim negativ shoqëror, ekonomik, kulturor e shëndetësor; iv) zona ndërkufitare me specie të rralla dhe të rrezikuara, ku projekti mund të kërcënojë ekzistencën e tyre ose përdorimin e mundshëm të burimeve të një mjedisi, tej kapacitetit mbajtës së tij; ë) përhapja e ndotjes në një shkallë e shtrirje të tillë, që mund të rrezikojë rëndë burimet natyrore dhe shëndetin e popullsisë. 2. Nëse pas shqyrtimit ndërkufitar palët nuk bien dakord me shkallën e ndikimit në mjedisin ndërkufitar, atëherë ministria kërkon ngritjen e një komisioni të përbashkët për verifikimin e dokumentacionit të procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, i cili do të përgatisë një raport të përbashkët, që do t'i paraqitet komisionit të shqyrtimit të vendit shkaktar. Neni 18 Kërkesa për këshillim 1. Ministri, në varësi të projektit apo veprimtarisë, të nivelit të dokumentacionit të paraqitur e të problemeve që kanë dalë, kërkon nga organi përgjegjës i palës shkaktare këshillime të përbashkëta në nivel ekspertësh ose organesh. 2. Në kërkesën për këshillim saktësohet objekti, dokumentet e materialet që do të studiohen, ekspertët që propozohen të marrin pjesë, koha në dispozicion, materiali që pritet nga këshillimi dhe mënyra e shqyrtimit të tij nga organet përkatëse. Neni 19 Grupi i këshilluesve 1. Ministri, pas përgjigjes pozitive të organit përgjegjës për këshillime, cakton grupin e këshilluesve, të cilin e përzgjedh nga grupi që ka shqyrtuar dokumentet e ka hartuar raportin, sipas kërkesave të nenit 15 të këtij ligji. 2. Grupi duhet të ketë parasysh që këshillimet të përqendrohen në: a) përcaktimin e variantit më të mirë të mundshëm për projektin e propozuar, duke iu referuar teknologjisë, mundësisë, vendit të instalimit, llojit dhe nivelit të ndikimeve ndërkufitare që do të shkaktojë, treguesve mjedisorë dhe vlerave të zonës që do të ndikohet; b) forcimin e masave të propozuara për zbutjen e ndikimit ndërkufitar; c) përcaktimin e formave të tjera të bashkëpunimit e të ndihmës së ndërsjellë, për zvogëlimin dhe eliminimin e ndikimeve ndërkufitare; ç) paraqitjen e rezultateve në raportin përfundimtar të grupit, i cili i dorëzohet organit përgjegjës të palës shkaktare dhe ministrisë. 3. Ministria, sipas rastit, miraton apo formulon rezervat e pretendimet e saj për raportin dhe ia përcjell organit përgjegjës të palës shkaktare, duke i sugjeruar edhe zgjidhjet. Neni 20 Grupet dhe komisionet Grupet dhe komisionet, qofshin të një pale ose të përbashkëta, janë organizma ndihmës, të ngritur posaçërisht për të studiuar një apo disa çështje gjatë procesit dhe për t'u sugjeruar zgjidhje e alternativa organeve që i kanë krijuar, të cilat kanë të drejtën të vendosin. KREU IV PJESËMARRJA E PUBLIKUT Neni 21 Pjesëmarrja e publikut 1. Ministria kërkon nga organi përgjegjës i palës shkaktare të sigurojë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të publikut dhe të organeve të qeverisjes vendore të zonës që mund të preket nga ndikimet ndërkufitare. 2. Ministria, gjatë procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis të një veprimtarie ose projekti, të përcaktuar në aneksin I të konventës, i kërkon organit përgjegjës të palës shkaktare të njëjtin angazhim, si dhe zbatimin e kërkesave e të procedurave të njëjta, për të siguruar edhe pjesëmarrjen e publikut shqiptar në këtë proces. Neni 22 Përmbajtja Pjesëmarrja e publikut në procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, në kontekst ndërkufitar, nënkupton: a) përcaktimin e përbërjes së publikut, për rastin konkret, si përfaqësues të banorëve të zonës, të qeverisjes vendore, të organizatave jofitimprurëse mjedisore, të biznesit, të shtypit e të mediave, qendrore e vendore; b) njoftimin e tij për projektin, për ndikimet ndërkufitare që do të sjellë, si dhe për masat që do të zbusin këto ndikime; c) sigurimin e kushteve të përshtatshme, në mënyrë që publiku të japë mendimet në diskutimet për projektin gjatë të gjitha fazave të këtij procesi; ç) siguritë procedurale se mendimet e publikut do të shqyrtohen veçanërisht gjatë vendimmarrjes dhe qëndrimi ndaj tyre do të pasqyrohet në tekstin e vendimit. Neni 23 Lehtësimi i procedurave Ministria, për të siguruar pjesëmarrje dhe rol aktiv të publikut të zonës që do të preket, i komunikon organit përgjegjës të palës shkaktare se merr përsipër: a) organizimin dhe realizimin e pjesëmarrjes së publikut, të organeve të qeverisjes vendore, të organizatave jofitimprurëse, të shtypit dhe të mediave vendore; b) përkthimin në gjuhën shqipe të dokumenteve të dërguara për publikun nga organi përgjegjës i palës shkaktare dhe shpërndarjen e tyre; c) organizimin e takimeve e të këshillimeve me propozuesin dhe ekspertë të tij, nëse kjo do të kërkohet; ç) realizimin e debatit publik, sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr.8990, datë 23.1.2003 "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis"; d) grumbullimin dhe sistemimin e kërkesave, të vërejtjeve dhe propozimeve të publikut, përkthimin e tyre në anglisht dhe dërgimin në kohë tek organi përgjegjës i palës shkaktare. Neni 24 Mbulimi i shpenzimeve Ministria përllogarit të gjitha kostot e shërbimeve që do të kryejë për të realizuar pjesëmarrjen e publikut dhe vë në dijeni për to organin përgjegjës të palës shkaktare, duke i kërkuar mbulimin e tyre, para se të nisë zbatimi në praktikë. KREU V VENDIMI Neni 25 Njohja me vendimin Ministria organizon studimin e vendimit të organit përgjegjës të palës shkaktare, në bashkëpunim me ministritë e linjës, me organet përkatëse të qeverisjes vendore, me organet e specializuara kërkimore-shkencore dhe me përfaqësues të publikut të angazhuar në proces. Neni 26 Kërkesat Ministria, në bazë të studimit të vendimit, formulon kërkesat që do t'i paraqiten organit përgjegjës të palës shkaktare për: a) marrjen parasysh të kërkesave të ministrisë e të publikut, të shprehura gjatë procesit; b) respektimin e marrëveshjeve të arritura nga palët gjatë kontakteve dhe bisedimeve; c) përcaktimin e saktë dhe të plotë të kushteve e të rrethanave, në bazë të të cilave duhet të instalohet dhe të funksionojë projekti ose veprimtaria, që të mos shkaktojë ndikime ndërkufitare. Neni 27 Propozimet 1. Ministria, në varësi të vendimit të dhënë nga organi përgjegjës i palës shkaktare, harton menjëherë kërkesat e pretendimet, që kanë dalë gjatë studimit të tij, si dhe bën propozime konkrete për plotësimin e tyre dhe ia përcjell ato organit përgjegjës të palës shkaktare, duke i kërkuar thellimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimin e domosdoshëm në këtë proces. 2. Propozimet, përgjithësisht, kanë të bëjnë me rivlerësimin dhe rishqyrtimin e përbashkët: a) të llojeve dhe të masës së ndikimeve që do të shfaqen në mjedisin shqiptar; b) të përcaktimit të secilit ndikim, nëse ai është ndërkufitar apo një ndikim çfarëdo; c) të kushteve e rrethanave të përcaktuara në vendim, për të shmangur ndikimin ndërkufitar të veprimtarisë ose projektit të miratuar. 3. Ministria, në varësi të kërkesave që ka formuluar e të propozimeve të bëra për vendimin, mund të kërkojë vazhdimin e bisedimeve e të bashkëpunimit në një fazë të përcaktuar, pas marrjes së vendimit. Neni 28 Monitorimi 1. Në bisedimet e parashikuara në pikën 3 të nenit 27 të këtij ligji, ministria propozon që: a) veprimtaria të kalojë vetëm në një fazë prove, gjatë së cilës të monitorohen ndikimet e saj konkrete në mjedisin shqiptar; b) gjatë fazës së zbatimit dhe të vënies në punë të projektit, të zhvillohet monitorimi i vazhdueshëm i veprimtarisë, për të vënë në dukje efektet negative të mundshme të ndikimeve të saj në mjedisin shqiptar. 2. Ministria kërkon që monitorimet, sipas pikës 1 të këtij neni, të realizohen me shpenzimet e propozuesit. Neni 29 Rezultatet e monitorimit Kur rezultatet e monitorimit tregojnë se ndikimi në mjedisin ndërkufitar është i ndjeshëm, ministri i kërkon organit përgjegjës të palës shkaktare rishikimin e vendimit të marrë, që ai të pasqyrojë realisht gjendjen dhe të garantojë se nuk do të ketë ndikime ndërkufitare. Neni 30 Rrethana të reja Nëse dalin fakte e rrethana të tjera, të paparashikuara më parë, që diktojnë ndryshime tërësore apo të pjesshme të vendimit, ministria vë në dijeni organin përgjegjës të palës shkaktare për këto rrethana, duke dhënë edhe arsyetimet përkatëse dhe i kërkon rivlerësimin e gjendjes dhe ndryshimin e vendimit. Neni 31 Njoftimi i publikut Pas përgatitjes së kërkesave e propozimeve për vendimin, ministria e publikon atë, së bashku me pretendimet dhe kërkesat e saj, të cilat ia ka paraqitur organit përgjegjës të palës shkaktare. Neni 32 Ankimi ndaj vendimit Kur organi përgjegjës i palës shkaktare nuk i merr parasysh kërkesat e ministrisë për rivlerësimin e gjendjes dhe për ndryshimin e vendimit, me qëllim shmangien e ndikimeve të ndjeshme negative në mjedisin shqiptar, ministri: a) i paraqet edhe një herë atij pretendimet që ka ngritur vazhdimisht gjatë procesit të shqyrtimit, sidomos ndaj vendimit dhe i njofton se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur mjedisin shqiptar; b) njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme për ta ndjekur këtë çështje në rrugë diplomatike me palën shkaktare; c) njofton sekretariatin e konventës, duke e vënë në dijeni me hollësi për të gjithë gjendjen dhe kërkon angazhimin e tij për të ndikuar te pala shkaktare; ç) i kërkon Avokatit të Shtetit që, nëse është e mundur, të ndjekë procedurat që çështja të shqyrtohet në një gjykatë ndërkombëtare. KREU VI NDIKIME KONKRETE Neni 33 Konstatimi i dëmtimeve të mjedisit Kur Inspektorati i Mjedisit, agjencitë rajonale të mjedisit, organet e specializuara kërkimore shkencore që monitorojnë mjedisin, organet e qeverisjes vendore, organizatat jofitimprurëse mjedisore, përfaqësues të publikut apo shtetas të veçantë të zonave ndërkufitare vërejnë ndotje ose dëmtime të mjedisit, të shkaktuara nga veprimtari që ushtrohen në territorin e një shteti fqinj, njoftojnë ministrinë, e cila, pasi verifikon vërtetësinë e informacionit, komunikon me organin përgjegjës të shtetit fqinj, duke i kërkuar: a) fillimin e menjëhershëm të bisedimeve, për të shqyrtuar rastin konkret; b) marrjen e masave për ndërprerjen e menjëhershme të ndikimeve ndërkufitare në territorin shqiptar; c) angazhimin për rehabilitimin e mjediseve të dëmtuara dhe për shlyerjen e dëmeve materiale. Neni 34 Aksidentet industriale 1. Kur vërtetohet se ndikimet e ndjeshme negative në mjedis janë pasojë e një aksidenti industrial, që ka ndodhur në një projekt ose veprimtari që zhvillohet në njërën nga shtetet fqinje, ministria vepron menjëherë, sipas kërkesave të konventës "Për aksidentet industriale", ku Republika e Shqipërisë është palë. 2. Kur nga kontrollet, matjet, vëzhgimet e monitorimet vërtetohet se ndikimet e aksidentit industrial janë me pasoja të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin dhe kur ndikimet negative janë shtrirë në një pjesë të gjerë të territorit të Republikës së Shqipërisë, gjendja brenda vendit trajtohet e përballohet sipas kërkesave të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001 "Për emergjencat civile". Neni 35 Ndikime të largëta Kur vërtetohet se ndikimet e ndjeshme negative në mjedis janë pasojë e veprimtarive ose projekteve që zhvillohen në territorin e një shteti jofqinj, ministria: a) organizon dhe drejton kontrollet dhe monitorimin e menjëhershëm të cilësive të mjedisit e të shkarkimeve, që vërtetohen në përbërësit e tij, si në ujë, ajër, tokë e biodiversitet; b) përcakton llojin, sasitë, intensitetin e ndikimeve negative dhe shtrirjet hapësinore e territoriale të tyre; c) njofton shtetasit për zonat e prekura, për ndikimet që janë shfaqur, si dhe i udhëzon për masat që duhet të marrin, për t'u mbrojtur prej tyre; ç) njofton shtetin përkatës për llojet e ndikimeve dhe shtrirjen e tyre në territorin e vendit tonë, si dhe kërkon fillimin e menjëhershëm të bisedimeve ndërmjet organeve përkatëse, për të përballuar gjendjen; d) i kërkon shtetit përkatës marrjen e masave të menjëhershme për ndërprerjen e ndikimeve negative; dh) i kërkon mbulimin e shpenzimeve për përcaktimin e mjediseve të dëmtuara nga ndikimet negative dhe për rehabilitimin e tyre; e) i parashtron kërkesat e argumentuara për shpërblimin e dëmeve të shkaktuara nga ndikimet negative. Neni 36 Parapërgatitja 1. Ministria përgatit, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, planet dhe programet e veprimit, kur vërtetohen rrethanat, sipas neneve 34 e 35 të këtij ligji. 2. Planet dhe programet miratohen nga ministri dhe, në bazë të tyre, veprohet për çdo rast konkret. KREU VII DISPOZITA TË FUNDIT Neni 37 Formatimi i dokumentacionit 1. Dokumentacioni, që përdoret për komunikimet me organin përgjegjës të palës shkaktare, si kërkesa, propozime, njoftime, informacione e komunikime, standardizohet. 2. Ministria përgatit dhe formaton, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dokumentacionin që do të përdoret në komunikimet me palën shkaktare, i cili miratohet nga ministri. Neni 38 Gjuha Për të lehtësuar bashkëbisedimin dhe komunikimin shkresor me organin përgjegjës të palës shkaktare, si dhe për të shmangur mosmarrëveshjet e keqkuptimet, që vijnë për shkak të gjuhës e të përkthimeve, propozohet përdorimi i gjuhës angleze. Neni 39 Afatet Angazhimi për përcaktimin e afateve dhe respektimi i tyre gjatë të gjithë procesit janë përgjegjësi parësore të ministrisë, për të mos pasur keqkuptime e mosmarrëveshje në zhvillimin e procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, në kontekst ndërkufitar. Neni 40 Shpenzimet 1. Ministria merr masa për përllogaritjen e të gjitha shpenzimeve të nevojshme dhe shtesë, që do të duhen për të mbuluar kostot: a) e përgatitjes e të përkthimit të dokumenteve dhe të komunikimeve me organin përgjegjës të palës shkaktare; b) e veprimtarisë së komisioneve dhe të grupeve të përbashkëta të ekspertëve, si dhe të komisioneve e të grupeve të punës që angazhon ministri gjatë të gjithë procesit; c) e njoftimit dhe të përfshirjes së publikut në të gjitha fazat e procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis; ç) e monitorimit të ndikimeve negative të veprimtarisë; d) e masave shtesë që duhet të marrë propozuesi, për të zbutur dhe eliminuar ndikimet ndërkufitare, për të cilat është rënë dakord ndërmjet palëve; dh) e shqyrtimit dhe e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që mund të lindin me organin përgjegjës të palës shkaktare. 2. Ministria, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përgatit listën tip të shpenzimeve të mundshme dhe përcakton kriteret, për të përllogaritur vlerën e secilit shpenzim, të cilat miratohen me udhëzim të veçantë të ministrit. 3. Ministria i njofton organit përgjegjës të palës shkaktare kërkesat për shpenzimet, sipas pikës 1 të këtij neni dhe bën të gjitha përpjekjet për të siguruar se të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga ky organ, i cili i siguron ato nga propozuesi i projektit apo nga burime të tjera, sipas legjislacionit e praktikave të vendit të tij. Neni 41 Akte nënligjore 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në zbatim të pikës 2 të nenit 2 të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. 2. Ngarkohet Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave që, në zbatim të neneve 36 pika 1, 37 pika 2 e 40 pika 2, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. Neni 42 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. ZËVENDËSKRYETARI Fatos Beja