Law No. 9385 on forests and the forestry service
颁布于 2005-05-04 · 文本截至 2026-10-01
以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。
研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。
关于这部法律
- 语言
- Albanian
- 类型
- 法令
- 组织
- European Union
- 国家
- 阿尔巴尼亚
- 主题
- Forestry
- 关键词
- basic legislation, forest management/forest conservation, forest service, special fund, non-governmental entity, forestry protection measures, offences/penalties
在哪里阅读
该法律没有记录来源链接。
文本
所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。
REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI L I G J Nr.9385, datë 4.5.2005 PËR PYJET DHE SHËRBIMIN PYJOR Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Objekti 1. Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave të njëjta për marrëdhëniet, detyrat, të drejtat dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, organeve të pushtetit vendor, organizatave jofitimprurëse, pronarëve privatë dhe të biznesit, për ruajtjen, administrimin, menaxhimin dhe përdorimin e fondit pyjor kombëtar, të tokës pyjore dhe të burimeve natyrore e biologjike të tyre. 2. Ky ligj rregullon edhe veprimtaritë mbrojtëse, shoqërore, ekoturistike dhe ekonomike që zhvillohen në fondin pyjor kombëtar dhe në burimet e tjera pyjore e jopyjore, në bazë të parimeve të mbarështimit të qëndrueshëm e shumëfunksional, të pasqyruara në strategjinë dhe politikat e zhvillimit të sektorit të pyjeve e kullotave, si dhe skemën e organizimit e të funksionimit të administratës së Shërbimit Pyjor Shqiptar, marrëdhëniet juridike, përgjegjësitë dhe detyrat e tij, për krijimin e një shërbimi pyjor të qëndrueshëm dhe profesional. Neni 2 Përkufizime dhe fushat e veprimit Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim: 1. "Burime pyjore" është tërësia e elementeve natyrore të një sipërfaqeje pylli a toke pyjore, me vlerë të konsiderueshme, të përdorshme për nevojat e njeriut. Në ekonominë pyjore si burime natyrore përfshihen edhe toka, uji, bimësia jopyjore, e shumëllojshme, ato të natyrës jo të gjallë dhe gjallesat e egra. 2. "Dëmtim i pyjeve dhe i mjedisit pyjor" është prishja e karakteristikave fiziko-kimike e strukturore të ekosistemit pyjor, ulja e prodhimtarisë biologjike dhe e shumëllojshmërisë së ekosistemeve përbërëse të fondit pyjor kombëtar. 3. "Drurë apo grupe drurësh pyjorë" janë drurët pyjorë të veçantë, kudo që ndodhen, një sipërfaqe me drurë pyjorë prej 0,05 hektarësh, brezat mbrojtës, parqet urbane, grupet e drurëve të mbjellë në parcela të vogla dhe që përdoren për kullotë. 4. "Ekonomi pyjore" është sipërfaqja pyjore e ndarë në ngastra e nënngastra, si njësi bazë për drejtimin, organizimin, planifikimin dhe kontrollin e mbarështimit të pyllit dhe që plotëson parimin e vazhdimësisë së prodhimit pyjor. 5. "Ekosistem" është një kompleks dinamik komunitetesh: bimë, kafshë, mikrobe dhe mjedisi jo i gjallë, që ndërveprojnë si njësi funksionale. 6. "Fidanishte pyjore" është një sipërfaqe toke, e destinuar për të rritur e prodhuar, për një periudhë të caktuar kohe, fidanë të llojeve e madhësive të ndryshme, me prejardhje nga farërat, kalemat, copat, rrënjët, shpatullat e zhardhokët. 7. "Fond pyjor" janë të gjitha sipërfaqet pyjore e jopyjore, burimet pyjore e jopyjore bashkëshoqëruese, infrastruktura përkatëse, përfshirë edhe sipërfaqet e zhveshura, të cilat krijojnë një mjedis harmonik me pyjet e tokën pyjore (çeltirat, shkëmbinjtë, dunat dhe ranishtet), brezat pyjorë mbrojtës, grupet e veçuara të drurëve dhe shkurret. 8. "Grumbull pyjor" është një sipërfaqe pyjore, homogjene nga pikëpamja e përbërjes së llojeve, moshës, klasës së prodhimit, dendësisë, kushteve mjedisore dhe mënyrës së trajtimit silvikulturor. 9. "Infrastrukturë pyjore" janë zyrat, ndërtesat, magazinat, depot, rrjeti rrugor pyjor, teleferikët, makinat, motorët, radiot e antenat e radiokomunikimit, pritat, pendat, lerat, koritat, çezmat, rrethimet e gardhimet, tabelat, shenjat e ndryshme treguese e sinjalizuese, ato të mbarështimit pyjor, si dhe lehtësitë e tjera të ngritura në fondin pyjor shtetëror për informimin dhe pritjen e vizitorëve. 10. "Inspektor i Policisë Pyjore" është punonjësi me arsimin përkatës pyjor, me uniformë, i armatosur, i pajisur me kartë identifikimi që ka atributet e njohura me këtë ligj, të organeve të shërbimit pyjor në qendër, në drejtoritë rajonale dhe në strukturat e tjera, sipas organizimit të shërbimit pyjor, i cili ka për detyrë zbatimin e ligjit, administrimin, mbrojtjen, parandalimin e dëmtimeve, zbulimin e veprimtarive kriminale dhe mbikëqyrjen e fondit pyjor kombëtar. 11. "Kadastra e pyjeve" është një dokument zyrtar (regjistër), ku evidentohen, pasqyrohen, mbahen e përditësohen të dhënat fillestare për çdo njësi të ekonomisë pyjore apo për pellgjet ujëmbledhëse, të dhënat për ndryshimet periodike në vëllime, sipërfaqet dhe hartat përkatëse. 12. "Mbarështim pyjor" është planifikimi afatmesëm e afatgjatë, në nivel ekonomie pyjore apo të pellgut ujëmbledhës, i cili siguron përmbushjen e kërkesave për ruajtjen e pyllit, duke mbajtur parasysh aspektet ekologjike, ekonomike e shoqërore. Këtu përfshihen mbledhja e të dhënave, përcaktimi i objektivave, i masave për çdo njësi mbarështimi apo për të gjithë ekonominë dhe kontrollin e vazhdueshëm të rezultateve. 13. "Mbrojtja e pyjeve dhe e tokës pyjore" është veprimtaria për parandalimin e degradimit, përtëritjen, ruajtjen dhe përmirësimin e pyjeve të burimeve pyjore e jopyjore bashkëshoqëruese dhe të mjedisit pyjor nga faktorët njerëzorë e natyrorë. 14. "Ndotja e pyjeve dhe e mjedisit pyjor" është ndryshimi i cilësisë së tyre, si rrjedhojë e krijimit dhe e futjes së faktorëve fizikë, kimikë apo biologjikë, të burimeve natyrore a njerëzore, nga brenda ose jashtë vendit. 15. "Nënngastër" është një njësi sipërfaqeje me madhësi minimale 0,5 ha, që shërben për vlerësimin e grumbujve pyjorë, planifikimin dhe kontrollin e trajtimeve të njëjta silvikulturore. 16. "Ngastër" është ndarja e sipërfaqes së ekonomisë pyjore në parcela, të cilat shërbejnë si njësi bazë për drejtimin, organizimin, planifikimin dhe kontrollin e mbarështimit të pyllit. 17. "Plan mbarështimi" është një dokument bazë për mbarështimin e pyjeve, i hartuar sipas njësive të ekonomisë pyjore, me punime terreni e zyre, për njohjen dhe marrjen e të dhënave për tokën, klimën, faunën, biodiversitetin, grumbullin pyjor etj., si dhe masat që parashikohen për administrimin dhe qeverisjen e qëndrueshme të fondit pyjor, organizimin e prodhimit dhe planifikimin e punimeve të ndërthurura, të nevojshme silvikulturore. 18. "Prerje kulturore" është tërësia e punimeve të seleksionimit dhe të rrallimit, pastrimit, çlirimit etj., që zbatohen periodikisht në një grumbull pyjor, nga çasti i krijimit të gjendjes së masivit e deri në moshën e shfrytëzimit, për përmirësimin dhe sigurimin e vazhdimësisë së prodhimit. 19. "Pronë pyjore" është një sipërfaqe e fondit pyjor, me madhësi të ndryshme, bashkë me infrastrukturën përkatëse, e cila është pronë publike, që zotërohet nga pushteti qendror apo vendor, ose pronë private. 20. "Pyje mbrojtëse" janë pyjet e përcaktuara kryesisht për qëllime mbrojtëse të vetë pyllit, të tokës pyjore dhe të tokave, që shtrihen përreth zonave urbane, pellgjeve ujëmbledhëse, për të luftuar a parandaluar dukuritë e gërryerjes, të ndikimit të erërave, çrregullimeve në rrjedhjet ose burimet ujore dhe sigurimin e funksioneve ekologjike. 21. "Pyll" është sipërfaqja e tokës me një grup të dendur drurësh pyjorë, në formë të qëndrueshme ose me bimësi tjetër të rrallë pyjore, me sipërfaqe më të madhe se një dynym e me shkallë mbulimi jo më të vogël se 30 për qind, që prodhon masë drusore, ushtron ndikim në mjedisin rrethues dhe që siguron funksionet e pyllit. 22. "Qeverisje e pyjeve" është tërësia e ligjësisë dhe biologjia e bashkësisë së jetës së pyllit e të tokës pyjore, përcaktimi i qartë i politikave dhe i masave, me të cilat do të ndërhyhet në strukturën funksionale të tyre, për të siguruar rritjen e frytshmërisë teknikoekonomike. 23. "Rrugë pyjore" janë rrugët me parametra të ndryshme nga ato të rrugëve vendore dhe kombëtare, për qarkullimin e automjeteve dhe të mjeteve të tjera, që shërbejnë për transportin e lëndës drusore, të prodhimeve të tjera me origjinë jodrusore, për kryerjen e punimeve të ndryshme dhe lidhjen e sipërfaqes pyjore me rrjetin e rrugëve vendore e kombëtare. 24. "Shfrytëzim i pyjeve" janë ndërhyrja dhe trajtimet silvikulturore në jetën e pyllit, vjelja e materialit drusor dhe e prodhimeve të tjera, përpunimi dhe transporti i tyre në moshën e shfrytëzueshmërisë dhe kur është siguruar ripërtëritja natyrore. 25. "Shitja e drurit në këmbë" është operacioni i vlerësimit dhe i shitjes së drurëve të paprerë apo të parrëzuar. 26. "Shkurre'' është bimësia drusore, me kërcenj të degëzuar nga baza dhe jo shumë të lartë, që dallohet nga bimësia barishtore prej strukturës drusore, ndërsa nga pylli prej trungut të shkurtër dhe mungesës së trungut kryesor. 27. "Silvikulturë" është shkenca që merret me studimin e ligjësive të jetës dhe të zhvillimit të ekosistemeve pyjore, me përcaktimin e metodave dhe të teknikave të trajtimit të tyre, që synojnë rritjen dhe vazhdimësinë e prodhimit pyjor. 28. "Toka pyjore" janë sipërfaqe toke me drurë, shkurre e bimësi tjetër jopyjore, me shkallë mbulimi nga 5 deri në 30 për qind, sipërfaqet e zhveshura, çeltirat, vendet shkëmbore, tokat e gërryera e joprodhuese, ranishtet, rrugët pyjore, të pakadastruara në fondet e tjera të tokës bujqësore dhe të lidhura ekologjikisht e në mënyrë funksionale me fondin pyjor kombëtar që, të gjitha së bashku, sigurojnë funksionet e pyllit. 29. "Trajtim i pyjeve" janë operacionet silvikulturore, të cilat kanë si qëllim kryesor zhvillimin, vjeljen e prodhimeve pyjore dhe sigurimin e ripërtëritjes natyrore të një pylli, brenda mundësive të një forme të caktuar qeverisjeje. 30. "Veprimtari pyjore" janë të gjitha veprimtaritë mbrojtëse, menaxhuese e qeverisëse, ekonomike e tregtare, të vjeljes së materialit drusor dhe të prodhimeve të tjera, pyjore e jopyjore, veprimtaritë çlodhëse, turistike, sportive e argëtuese, si dhe ato kërkimore e shkencore, që zhvillohen në fondin pyjor kombëtar. KREU II POLITIKAT, PROGRAMET E ZHVILLIMIT DHE PLANET E MBARËSHTIMIT PYJOR Neni 3 Këshilli i politikave pyjore 1. Politikat sektorale synojnë zbatimin e kërkesave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për pyjet, kullotat dhe burimet e tjera, pyjore e natyrore, në përputhje me parimin e zhvillimit të qëndrueshëm. 2. Për hartimin e politikave dhe të strategjive të zhvillimit të sektorit të pyjeve dhe të kullotave në Republikën e Shqipërisë ngrihet Këshilli i Politikave të Zhvillimit të Sektorit të Pyjeve dhe Kullotave, i cili funksionon si organ ndërministror. Përbërja, funksionet, përgjegjësitë, të drejtat dhe organizimi i brendshëm i këtij këshilli caktohen me urdhër të Kryeministrit. Neni 4 Programet e zhvillimit 1. Qeverisja e fondit pyjor kombëtar mbështetet në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm e shumëfunksional të pyjeve e kullotave, të përfshira në strategjinë e zhvillimit të sektorit të pyjeve e kullotave, në programin kombëtar dhe në planet afatgjata të veprimit. 2. Programi i zhvillimit të sektorit të pyjeve dhe kullotave përcaktohet nga politika e mbarështimit pyjor, për ruajtjen, zhvillimin e fondit pyjor kombëtar, për sigurimin e kushteve për përdorimin dhe shfrytëzimin e tij edhe për qëllime publike. 3. Programi i zhvillimit të sektorit të pyjeve përshtatet dhe plotësohet, në përputhje me ndryshimet e gjendjes shoqërore e ekonomike të vendit dhe me ndryshimin e kushteve të mbarështimit pyjor. 4. Shërbimi Pyjor Shqiptar harton dhe përpunon programin e zhvillimit të sektorit të pyjeve dhe kullotave, i cili miratohet nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit. Neni 5 Planet e mbarështimit 1. Qeverisja teknike e sektorit të pyjeve dhe të kullotave bëhet sipas planeve të mbarështimit. 2. Planet e mbarështimit pyjor duhet të sigurojnë masat për: a) zhvillimin e qëndrueshëm të fondit pyjor kombëtar, ruajtjen dhe krijimin e kushteve natyrore për gjallesat pyjore dhe komunitetet e tyre; b) mbrojtjen, trajtimin dhe kryerjen e punimeve silvikulturore e të punimeve të tjera, të cilat kanë për qëllim sigurimin e funksioneve ekologjike dhe shoqërore, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës pyjore, vjeljen e prodhimeve pyjore dhe përdorimin e fondit pyjor kombëtar, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimeve pyjore, të burimeve të tjera dhe të gjeneratës së re të masivit pyjor; c) mbarështimin e pyllit dhe të tokës pyjore, për të ruajtur funksionet e tyre, shkallën e ruajtjes së mjedisit pyjor dhe të ripërtëritjes natyrore; ç) përdorimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore e natyrore të ngastrave e ekonomive pyjore, në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të gjallesave pyjore dhe të komuniteteve të tyre. 3. Planet e mbarështimit hartohen nga persona juridikë, publikë a privatë, të pajisur me licencë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor, sipas dispozitave të këtij ligji dhe të akteve të tjera nënligjore në fuqi. 4. Plani i mbarështimit të pyjeve publike e private shqyrtohet nga komisioni teknik, i ngritur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor, vendimi i së cilës është i detyrueshëm për t’u zbatuar. KREU III SHËRBIMI PYJOR Neni 6 Funksionimi i shërbimit pyjor 1. Shërbimi pyjor funksionon në mbështetje të këtij ligji dhe të akteve të tjera nënligjore, të nxjerra nga organet përkatëse, të ngarkuara për zbatimin e ligjit. 2. Shërbimi pyjor ka këto funksione: a) menaxhuese; b) kontrolluese. Neni 7 Organizimi i shërbimit pyjor 1. Shërbimi pyjor organizohet e vepron sipas parimeve të profesionalizmit, pavarësisë, transparencës, shërbimeve ndaj publikut, përgjegjësisë dhe korrektësisë në zbatimin e legjislacionit në fuqi. 2. Shërbimi pyjor organizohet si më poshtë: a) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor, si organ qendror; b) drejtoritë rajonale të shërbimit pyjor, të organizuara në bazë qarku. 3. Struktura dhe organika e shërbimit pyjor caktohen me urdhër të Kryeministrit. 4. Pagat e punonjësve të shërbimit pyjor, kriteret dhe përgjegjësia për emërimin, lirimin dhe shkarkimin e këtyre punonjësve caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 8 Bordi Këshillimor i Pyjeve 1. Pranë Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit ngrihet Bordi Këshillimor i Pyjeve, i cili ka për detyrë: a) shqyrtimin e projektprogrameve për zhvillimin e sektorit të pyjeve; b) shqyrtimin e buxhetit vjetor të sektorit të pyjeve e të kullotave. 2. Përbërja dhe funksionimi i Bordit Këshillimor të Pyjeve përcaktohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. Neni 9 Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor 1. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor është institucion qendror, organi më i lartë administrativ e teknik i shërbimit pyjor, në varësi të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. Ajo drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Pyjor emërohet nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. Drejtorët e drejtorive të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor emërohen nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm. 2. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor dhe drejtoritë rajonale në varësi të saj përgjigjen për sigurimin e mbrojtjes, për qeverisjen e qëndrueshme dhe kontrollin e miradministrimit të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar. 3. Punonjësit e shërbimit pyjor pajisen me uniformë (me shenja dalluese), me dokument identifikimi, me armatim, me tabela të ndalimit të automjeteve dhe me mjete të tjera teknike, të domosdoshme e të nevojshme për kryerjen e detyrës. Caktimi i rregullave për mbajtjen, përbërjen, afatet e përdorimit e të zëvendësimit të uniformës dhe të pajisjeve e të mjeteve të tjera caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 10 Detyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor, për mbrojtjen, administrimin, qeverisjen dhe kontrollin e fondit pyjor kombëtar, të kullotave, të zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare, mjedisit natyror, të florës dhe të faunës së egër, bimëve mjekësore e të burimeve të tjera pyjore e jopyjore dhe të infrastrukturës ushtron detyra të karakterit kontrollues dhe menaxhues, në përputhje me organizimin e strukturave përbërëse të saj. Neni 11 Funksionet dhe detyrat e strukturës menaxhuese të shërbimit pyjor 1. Struktura menaxhuese e shërbimit pyjor është organ i specializuar i këtij shërbimi, me atribute teknike, menaxhuese e këshillimore, në përbërje të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor. Struktura menaxhuese përfiton statusin e nëpunësit civil. 2. Struktura menaxhuese e shërbimit pyjor kryen shërbime teknike e publike në fondin pyjor kombëtar dhe ka këto detyra: a) qeverisjen tërësore të pyjeve dhe të tokave pyjore; b) mbledhjen e të dhënave për zhvillimin e pyjeve publike dhe private; c) ruajtjen e ekuilibrit biologjik në fondin pyjor kombëtar; ç) mbajtjen dhe administrimin e të gjitha dokumenteve për hartimin dhe zbatimin e planeve të mbarështimit dhe të inventarizimit pyjor, të kadastrës pyjore, të projekteve, të financës, të pasurive të luajtshme e të paluajtshme, të të dhënave bazë për tërësinë e fondit pyjor e kullosor dhe të tokave pyjore, si dhe të punimeve e përgjithësimeve statistikore; d) ndjekjen e përpunimit të planeve të mbarështimit dhe të inventarizimit të pyjeve, të kullotave, të florës e të faunës së egër, si dhe të shmangies së sëmundjeve, dëmtuesve dhe zjarreve; dh) përgatitjen e projekteve për investimet në pyje e kullota; e) drejtimin dhe mbikëqyrjen e punës për përmirësimin e zonave të gërryera dhe luftimin e gërryerjeve, të rrëshqitjeve e të ortekëve; ë) hartimin, ndjekjen e planifikimit të përfitimit të prodhimeve pyjore e jopyjore, mbërritshmërisë pyjore dhe të rrjetit të logjistikës; f) ndjekjen, bashkëpunimin, harmonizimin dhe kryerjen e veprimtarive kërkimore në pyje e kullota; g) ndjekjen e përpunimit të metodologjive për mbledhjen e të dhënave të zhvillimit të sektorit të pyjeve e kullotave, përpunimin e këtyre të dhënave dhe përgatitjen e informacionit për publikun; gj) mbikëqyrjen e zhvillimit të florës e faunës së egër dhe propozimin e metodave për mbrojtjen e llojeve të rrezikuara, të rralla ose në rrezik; h) menaxhimin e veprimtarisë së gjuetisë sportive dhe turistike në territorin e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore dhe pronarët privatë; i) sigurimin e mbështetjes teknike nëpërmjet këshillimit të pronarëve privatë dhe të komunitetit; j) organizimin e trajnimeve dhe të shërbimeve këshillimore për pronarët privatë dhe strukturat e specializuara në njësitë e qeverisjes vendore; k) kontrollin dhe marrjen në dorëzim të punimeve të kryera në pyje e kullota, pavarësisht nga burimi i financimit; l) Mirëmbajtjen dhe funksionimin e infrastrukturës në fondin pyjor shtetëror; ll) hartimin dhe zbatimin e një programi për trajnimin e punonjësve të shërbimit pyjor dhe aftësimin e tyre profesional; m) mbështetjen e zhvillimit të agropylltarisë shqiptare. Neni 12 Funksioni dhe detyrat e Policisë Pyjore 1. Policia Pyjore është organ i specializuar i shërbimit pyjor, me funksione teknike e kontrolluese, në përbërje të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor. Struktura e Policisë Pyjore, gjatë kryerjes së shërbimit, përfiton status të njëjtë me atë të Policisë së Shtetit. 2. Policia Pyjore kryen këto detyra: a) kontrollon zbatimin e dispozitave ligjore dhe të akteve nënligjore në fuqi për pyjet, kullotat, zonat e mbrojtura, florën e faunën e egër, veprimtarinë e gjuetisë dhe veprimtaritë e tjera që zhvillohen në fondin pyjor kombëtar nga subjektet private e publike, juridike e fizike, si dhe propozon heqjen e licencave kur subjektet veprojnë në kundërshtim me këto dispozita; b) parandalon, zbulon dhe lufton dëmtimin, pushtimin, shpërdorimin, tjetërsimin, shkretimin dhe degradimin e pyjeve e të tokës pyjore, cenimin nga ndërhyrjet e pakontrolluara në fondin pyjor dhe në mjedisin natyror; c) organizon punën për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve; ç) parandalon dhe merr masa në rastet e shfrytëzimit dhe të tregtimit të paligjshëm të materialit drusor, të prodhimeve pyjore e jopyjore, të krimit në sektorin e pyjeve, kullotave, zonat e mbrojtura e pyjet me funksion të veçantë, të florës e faunës së egër, të bimëve mjekësore, aromatike, eterovajore e tanifere natyrore, të prodhimeve pyjore e jopyjore të fondit pyjor kombëtar, si dhe çdo veprimtari tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj; d) kontrollon veprimtaritë e subjekteve që grumbullojnë, përpunojnë dhe tregtojnë prodhimet e përftuara nga shfrytëzimi i pyjeve (trupa, lëndë ndërtimi, shtylla miniere, degë voze, dru zjarri, qymyr druri etj.) dhe prodhimet gjysmë të përpunuara (dërrasë, elemente etj.) në qendrat e përpunimit (gatrat, sharrat, cirkularet etj.) në magazinat dhe sheshet e depozitimit; dh) bllokon veprimtarinë e ushtruar nga çdo person fizik a juridik, që nuk shlyen detyrimet ligjore në afatet e caktuara dhe/ose që nuk respekton kushtet e kontratave; e) mbron dhe mbështet veprimtarinë e administratës menaxhuese të shërbimit pyjor; ë) kryen, në bashkëpunim me organet e Policisë së Shtetit, organet tatimore, doganore e financiare, të Policisë së Ndërtimit dhe me organet e qeverisjes vendore, veprimtaritë dhe funksionet që parashikohen nga ligje të tjera; f) kontrollon zbatimin e punimeve që kryhen sipas projekteve në pyje, kullota, rezervate të gjuetisë dhe zona të mbrojtura; g) ndërpret të gjitha punimet, që nuk janë në përputhje me projektet e hartuara e të parashikuara në kontratat e nënshkruara; gj) kontrollon e mbikëqyr mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit nga subjektet private e publike, juridike ose fizike, që ushtrojnë veprimtari në fondin pyjor kombëtar; h) kontrollon zbatimin e rregullave të sigurisë dhe të shëndetit të punëtorëve, që punojnë në pyje; i) mbikëqyr zbatimin e legjislacionit për përdorimin dhe vjeljen e prodhimeve pyjore nga burimet pyjore e jopyjore, në pronësi apo në përdorim të njësive të qeverisjes vendore ose në pronësi private. 3. Inspektorët e Policisë Pyjore kanë të gjitha të drejtat për të hyrë, kontrolluar, inspektuar dhe për të marrë masat përkatëse të procedimit, si dhe të bllokimit apo sekuestrimit, në rastet e shkeljes së ligjit. Inspektorët e Policisë Pyjore gjatë kryerjes së detyrës gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore. KREU IV FUNKSIONET E PYLLIT, PËRBËRJA E PRONËSIA E FONDIT PYJOR KOMBËTAR DHE KADASTRA Neni 13 Funksionet e pyllit Funksionet e pyllit janë: a) ekonomike, që kanë të bëjnë me prodhimin e materialit drusor dhe jodrusor, të bimëve mjekësore, aromatike e eterovajore, si dhe me habitatet e shpendëve dhe të kafshëve të egra apo me prodhime të tjera natyrore të fondit pyjor kombëtar; b) ekologjike, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e florës dhe faunës së egër, të ruajtjes së burimeve gjenetike, hidrologjike, kundër gërryerjes e biotipike dhe me mbrojtjen e parcelave pyjore eksperimentale; c) publike, që kanë të bëjnë me veprimtaritë mbrojtëse, argëtuese, çlodhëse, sportive, turistike, edukative, higjieno-sanitare, estetike apo kërkimore e shkencore. Neni 14 Përbërja e fondit pyjor kombëtar Fondi pyjor kombëtar përbëhet nga këto formacione bimore e jobimore: a) pyjet dhe drurët pyjorë; b) shkurret; c) sipërfaqet e zëna nga brezat pyjorë mbrojtës, grupet e veçuara të drurëve; ç) bimësia barishtore, mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore; d) tokat pyjore, bujqësore (të dhëna në përdorim ose në pronësi të organeve të shërbimit pyjor), liqenet natyrore, tokat e lagëta dhe lagunat (për mbarështimin dhe zhvillimin e faunës së egër, pasuri kombëtare, dhe që krijojnë një mjedis ekologjik të harmonizuar me fondin pyjor); dh) sipërfaqet e zhveshura si çeltirat, shkëmbinjtë, dunat e ranishtet, që ndodhen në sipërfaqen pyjore dhe pranë tyre ( jo më larg se 500 m), por që krijojnë një mjedis ekologjik të harmonizuar me të; e) infrastruktura rrugore e komunikimit me të gjitha elementet bashkëshoqëruese, pritat e pendat, lerat, koritat, çezmat, rrethimet apo gardhimet në zonat e mbrojtura, në pyjet me funksion të veçantë, në rezervatet e gjuetisë, si dhe lehtësitë e krijuara e të ngritura për personelin e shërbimit pyjor dhe për pritjen e vizitorëve në to; ë) ndërtesat, zyrat, magazinat, depot, stacionet pyjore, qendrat e informimit dhe të pritjes së vizitorëve, ujësjellësat, linjat elektrike e telefonike (të ndërtuara nga shërbimi pyjor apo të dhëna në pronësi të tyre), makinat, tabelat, shenjat e ndryshme treguese e sinjalizuese dhe ato të mbarështimit pyjor. Neni 15 Pronësia e fondit pyjor kombëtar 1. Fondi pyjor kombëtar, sipas pronësisë, ndahet në: a) fond pyjor në pronësi publike; b) fond pyjor në pronësi private. 2. Fondi pyjor publik zotërohet e administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor, organet në varësi të saj dhe organet e qeverisjes vendore. 3. Fondi pyjor publik ndahet në : a) pyje e toka pyjore në pronësi të shtetit; b) pyje e toka pyjore në përdorim apo në pronësi të organeve të qeverisjes vendore. 4. Fondi pyjor privat përbëhet nga: a) pyje dhe toka pyjore në pronësi private; b) drurë dhe grupe drurësh, që ndodhen brenda kufijve të tokave në pronësi private, pyje të reja, të cilat krijohen në këto toka, dhe pjesët e fondit pyjor pronësi private. Neni 16 Kadastra Kombëtare e Fondit Pyjor 1. Fondi pyjor kombëtar dhe infrastruktura integrale e tij regjistrohen në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe janë pasuri e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor. 2. Fondi pyjor publik organizohet e trajtohet sipas ekonomive pyjore ose pellgjeve ujëmbledhëse. 3.Kriteret për krijimin dhe organizimin e masiveve pyjore ose të pellgjeve ujëmbledhëse, si njësi prodhimi, për sigurimin e vazhdimësisë së procesit të prodhimit pyjor në nivel rajoni, përcaktohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor. 4.Fondi pyjor kombëtar trajtohet në përputhje me planet e mbarështimit dhe të inventarizimit. 5.Inventarizimi i pyjeve kryhet për një periudhë jo më pak se 10 vjet, sipas kritereve e udhëzimeve të përcaktuara me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. 6.Të dhënat e kadastrës së fondit pyjor pasqyrohen çdo vit nga strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor, nëpërmjet programeve e sistemeve kompjuterike, duke krijuar bazën e të dhënave në shkallë vendi, qarku dhe sipas ekonomive pyjore apo pellgjeve ujëmbledhëse. 7.Kadastra Kombëtare e Fondit Pyjor është një regjistër zyrtar, ku shënohen të dhënat përkatëse për mënyrën e qeverisjes dhe ndryshimet periodike të fondit pyjor e kullosor. 8.Rregullat e hollësishme për krijimin dhe mbajtjen e Kadastrës Kombëtare të Fondit Pyjor, për regjistrimin, përditësimin dhe ndryshimet në gjendjen e tij, miratohen nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit. Neni 17 Heqja e sipërfaqeve (tokave) nga fondi pyjor kombëtar 1.Pjesë të fondit pyjor kombëtar, që kërkohen nga subjekte juridike ose fizike apo nga organet e qeverisjes vendore për t’u kthyer në truall, për ndërtimin e strukturave turistike, të qendrave të pushimit apo shëndetësore, për zgjerimin e vijës kufizuese të ndërtimit dhe të shtrirjes territoriale të periferisë së qytetit dhe të qendrave të banuara në zonat rurale ose për qëllime të tjera publike, për rrugë automobilistike ose hekurudhore, për çpim dhe shfrytëzim të puseve të naftës e të gazit, për veprimtari minerare e gjeologjike, për aeroporte dhe struktura të telekomunikacionit, për qëllime të strukturave ushtarake e qendrave industriale, për gurore e kariera hiqen nga fondi pyjor dhe nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve, si më poshtë: a) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe deri në 30 ha, me miratimin e Këshillit të Ministrave; b) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe mbi 30,1 ha, me ligj të veçantë. 2. Rregullat për paraqitjen e kërkesës, mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit teknik, kriteret dhe procedurat e zvogëlimit të sipërfaqes dhe të vëllimit të fondit pyjor, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 3.Kufijtë e fondit pyjor kombëtar janë të përhershëm, të përcaktuar qartë dhe të shënuar në terren, të hedhur në hartë me qëllim që të sigurohet mbikëqyrja e vazhdueshme e tyre, për të realizuar mbrojtjen e frytshme nga degradimi, tjetërsimi, pushtimi dhe shkretimi. Neni 18 Ndryshime në Kadastrën Kombëtare të Fondit Pyjor 1.Pronari duhet të marrë miratimin e organeve të shërbimit pyjor përpara ndryshimeve (rritjen ose zvogëlimin e sipërfaqes dhe të vëllimit, ripyllëzimin) në fondin pyjor dhe në tokën pyjore që zotëron. 2.Kur në fondin pyjor ose tokën pyjore, nga KRRTRSH-ja miratohen studime urbanistike për zhvillime turistike, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor, pasi merr dijeni, bën shënimin përkatës në kadastrën e pyjeve. 3.Pronarët e fondit pyjor dhe të tokës pyjore, brenda 6 muajve nga data e konstatimit, kanë detyrimin që, për ndryshimet e bëra në fondin pyjor të njoftojnë drejtorinë rajonale të shërbimit pyjor dhe kjo e fundit zyrën kadastrale të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor, për të bërë përditësimin në Kadastrën Kombëtare të Pyjeve, ndërsa për ndryshimet e ndodhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe të papërditësuara, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit. Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Pyjor për miratimin e veprimtarive në fushën e turizmit, të cilat zhvillohen në fondin pyjor, në përputhje me ligjin “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”. Me miratimin e lejes së ndërtimit për zhvillime turistike në sipërfaqet e fondit pyjor apo të tokës pyjore, këshilli i rregullimit të territorit të njësisë së pushtetit vendor njofton shërbimin pyjor për të bërë përditësimin në kadastrën e pyjeve. Neni 19 Dhënia në përdorim e fondit pyjor kombëtar 1.Pjesë të fondit pyjor kombëtar dhe të pyjeve e tokave pyjore mund të jepen në përdorim për qëllime pushimi, argëtimi, shëndetësore, shoqërore, kërkimore e studimore, mbarështimi të florës dhe faunës së egër, gjuetie, për baza didaktike apo eksperimentale, për veprimtari turistike, si sheshe për kampingje, veprimtari biznesi dhe për kryerjen e operacioneve hidrokarbure gjeologjike e minerare, pa cenuar vlerat dhe funksionet e tyre, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Organet e shërbimit pyjor miratojnë në fondin pyjor publik vendet ose sheshet ku mund të ushtrohen këto veprimtari. 2.Njësitë e qeverisjes vendore, në marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Pyjor, kanë të drejtë të kërkojnë marrjen në përdorim edhe të pyjeve publike, që gjenden jashtë kufijve të tyre administrativë, për lëndë e dru zjarri, për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë e për kullotje, si dhe për grumbullimin e prodhimeve drusore e jodrusore për nevojat e popullsisë së tyre. Dhënia në përdorim e sipërfaqeve të fondit pyjor bëhet kundrejt tarifave të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. 3.Dhënia në përdorim e pjesëve të fondit pyjor publik bëhet në bazë të kontratave të nënshkruara nga drejtori i drejtorisë rajonale të shërbimit pyjor, me miratimin e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor. Kontratat përfundojnë në çastin kur për sipërfaqen e fondit pyjor, objekt kontrate, miratohen studime urbanistike nga KRRTRSH-ja apo paraqiten kërkesa për zhvillime turistike. 4.Kur në sipërfaqet e fondit pyjor ose toka pyjore realizohen studime urbanistike për zhvillime turistike, me miratimin e studimit urbanistik nga KRRTRSH-ja, në këto sipërfaqe zbatohen dispozitat e ligjit “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”. KREU V RUAJTJA DHE ADMINISTRIMI I FONDIT PYJOR KOMBËTAR Neni 20 Ruajtja e fondit pyjor kombëtar 1.Republika e Shqipërisë zbaton parimet dhe normat e konventave, të marrëveshjeve e traktateve ndërkombëtare, në të cilat është palë, si dhe merr parasysh, njeh dhe respekton parimet dhe normat përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare për pyjet. 2.Ruajtja e pyjeve dhe e mjedisit pyjor nga ndotja dhe dëmtimi me lëndë të gazta, të lëngëta, të ngurta, radioaktive, lëndë dhe mbetje të rrezikshme, që krijohen ose shkarkohen nga objekte a veprimtari industriale, bujqësore, komunale, tregtare, shoqërore e kulturore, ushtarake, të transportit ose nga veprimtari të tjera, që cenojnë ekuilibrin e sistemeve ekologjike, natyrore ose dëmtojnë të mirat materiale dhe vlerat kulturore e historike, është e detyrueshme për të gjitha organet shtetërore, të pushtetit vendor dhe për personat fizikë a juridikë, vendas e të huaj. 3.Personat fizikë a juridikë, që kanë në pronësi, në administrim ose në përdorim pyje, grumbuj drurësh ose dru pyjorë, brenda ose jashtë fondit pyjor kombëtar, janë të detyruar të sigurojnë mbrojtjen e tyre. 4.Mbrojtja dhe miradministrimi i fondit pyjor kombëtar, pavarësisht nga forma e pronësisë, nga dëmtimi, prerjet ose kullotjet pa leje, sëmundjet dhe insektet, zjarret, shkatërrimi, pushtimi apo tjetërsimi janë detyrë e përhershme e organeve të shërbimit pyjor dhe e organeve të qeverisjes vendore, pronarëve, subjekteve që kryejnë veprimtari në këtë fond dhe, sipas rastit, edhe të strukturave të tjera shtetërore (Policia e Shtetit, ajo financiare, doganore, e ndërtimit), të ngarkuara me ligje të tjera. 5.Strukturat e organeve të shërbimit pyjor përgatisin skemën për monitorimin afatgjatë të kushteve të pyjeve, ku përcaktohen vazhdimësia dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre, masat për mbrojtjen e pyjeve dhe të mjedisit pyjor nga ndotja atmosferike, ruajtja e ekuilibrave të sistemeve ekologjike natyrore, duke shmangur sëmundjet dhe shfaqjen e insekteve në pyje, si dhe masat parandaluese nga zjarri. 6.Mbrojtja e mbulesës pyjore dhe e ekosistemeve pyjore të vendit, për të ruajtur prodhimtarinë, diversitetin biologjik dhe peizazhin është një bazë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të sektorit pyjor e të kullotave. 7.Në rast se në fondin pyjor ose në një pjesë pylli dhe në shkurre bie zjarr, organet e shërbimit pyjor, organet e njësive të qeverisjes vendore, çdo subjekt shtetëror a privat, njësi apo repart ushtarak, shkollë, institucion publik e privat, si dhe çdo shtetas kanë detyrë të njoftojnë dhe të marrin pjesë për shuarjen e tij. 8.Shpenzimet e nevojshme për shuarjen e zjarreve përballohen nga organi, që ka në pronësi pyllin ose kullotën, dhe nga Buxheti i Shtetit, në rastin e një prone private me rëndësi kombëtare, historike, kulturore, arkeologjike, ekologjike etj. 9.Organet e shërbimit pyjor, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore dhe me strukturat e shërbimit për mbrojtjen nga zjarri dhe të shpëtimit, organizojnë punën për parandalimin e zjarrit në fondin pyjor kombëtar. Rregullat për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në pyje dhe në kullota, si dhe për krijimin e njësive të shuarjes së zjarreve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 10.Në zonat pyjore, të caktuara për çlodhje, argëtim, turizëm dhe për pritjen e publikut, organet e shërbimit pyjor caktojnë vendqëndrimet dhe rrugët e lëvizjes, si dhe vendet ku mund të lejohet ndezja e zjarreve. 11.Në fondin pyjor kombëtar mbrohen dhe janë të patjetërsueshme të gjitha veprat hidroteknike (pritat malore, gardhet, pendat), burimet ujore, liqenet natyrore, kënetat e lagunat, përrenjtë e përroskat, veprat e ujit, koritat e ngrehinat e ndërtuara etj., të cilat krijojnë një kompleks të domosdoshëm natyror e të harmonizuar me pyjet e tokën pyjore. 12.Procedurat, rregullat, pagesa për mbrojtjen e fondit pyjor privat nga Policia Pyjore dhe marrëveshja tip caktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. Neni 21 Rehabilitimi dhe përdorimi i fondit pyjor kombëtar 1. Punimet mbrojtëse dhe ripërtëritëse në fondin pyjor kombëtar kryhen për të parandaluar ose kufizuar veprimet shkatërruese në pyll. 2. Masa për zhvillimin dhe kryerjen e punimeve mbrojtëse e ripërtëritëse ndërmarrin edhe pronarët, për drurët pyjorë, që ndodhen në tokat pyjore, në tokat bujqësore, në afërsi të pyllit, si dhe për drurët, që ndodhen jashtë fondit pyjor kombëtar. 3. Rritja e prodhimtarisë së fondit pyjor kombëtar, nëpërmjet ripërtëritjes së pyjeve të shfrytëzuara, përmirësimit të pyjeve ekzistuese, zbatimit të punimeve të mirëmbajtjes dhe atyre sanitare, në përputhje me funksionin e pyjeve, të nevojave ekonomike dhe të shtimit të sipërfaqes së fondit pyjor kombëtar, nëpërmjet pyllëzimit të tokave bujqësore, të braktisura e të pandara, të vendeve të zhveshura e të gërryera, të tokave ranore e zhavorrishte e të tjera të kësaj kategorie, është detyrë e administruesve dhe e përdoruesve të këtyre tokave. 4. Rehabilitimi i ekosistemeve pyjore, kullosore, i tokave pyjore të degraduara e të braktisura, i peizazhit pyjor, i habitateve të florës e faunës së egër, kryhet nën drejtimin e strukturave të organeve të shërbimit pyjor. 5. Ruajtja e ekuilibrit mjedisor, nëpërmjet ruajtjes ekologjike në ndërhyrjet në ekosistemet pyjore e kullosore dhe përdorimi i standardeve bashkëkohore për përtëritjen e tyre dhe të mjedisit natyror, është detyrë e organeve të shërbimit pyjor, e njësive të qeverisjes vendore dhe e pronarëve privatë. 6. Rehabilitimi i terreneve të degraduara kryhet nëpërmjet nxitjes dhe mbështetjes së agropylltarisë në pronat publike dhe private. 7. Shpenzimet dhe sigurimi i mjeteve e i pajisjeve për mbrojtjen e fondit pyjor kombëtar nga zjarret, ndotjet dhe për luftimin e sëmundjeve, të insekteve e të barërave të këqija dhe parazitare përballohen nga Buxheti i Shtetit, në bazë të kritereve të caktuara nga Këshilli i Ministrave. 8. Nuk lejohen grumbullimi dhe shitja e prodhimeve drusore e jodrusore jashtë mundësive të tyre prodhuese e biologjike. Në raste të emergjencës për përballimin e fatkeqësive e të katastrofave natyrore, sasitë që do të përdoren për grumbullimin dhe shitjen e këtyre prodhimeve, jashtë mundësisë prodhuese e biologjike, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 9. Krasitja për gjethe, kullotja e bagëtisë dhe kositja apo grumbullimi i barit në fondin pyjor publik bëhen me leje të organeve të shërbimit pyjor, ndërsa për pyjet në përdorim të njësive të qeverisjes vendore nga administrata e saj, kundrejt pagesës përkatëse. 10.Kullotja dhe kalimi i bagëtive në pyjet publike, në pyllëzimet e reja, në ngastrat pyjore të shfrytëzuara a në ripërtëritje e sipër, në pyjet e ricunguara, në pyjet mbrojtëse e me funksion të veçantë, në rezervatet e gjuetisë e të mbarështimit të faunës së egër, si dhe në ato të farërave kryhen në përputhje me rregullat e caktuara nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor. 11. Gërmimet në fondin pyjor, publik e privat, dhe në rrjetin e përrenjve për të nxjerrë humus, gurë, rërë, zhavorr, plisa bari ose të tjera si këto, vendosja e kaminave të qymyrit të drurit dhe e eshkës së kovaçit, të furrave të gëlqeres apo hapja e guroreve bëhen me leje të organeve të shërbimit pyjor dhe të institucioneve të tjera, të ngarkuara me ligj të veçantë, në kohën dhe vendin e caktuar, kundrejt pagesës. 12. Organet e shërbimit pyjor, para dhënies së lejeve për ushtrimin e veprimtarive në fondin pyjor publik, bashkërendojnë punën me strukturat e Ministrisë së Mjedisit dhe të Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës, të cilat, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, kanë të drejtë të pajisin subjektet fizike e juridike me lejet përkatëse të ushtrimit të veprimtarive në fushën e tyre. 13. Qëndrimi i automjeteve, vendosja e rulotave dhe qëndrimi i kafshëve në pyjet me funksion mbrojtës e të veçantë, në rezervatet e mbarështimit të florës e faunës së egër, në fidanishtet pyjore ose në vendet e tjera të fondit pyjor, me rëndësi të veçantë, bëhen sipas rregullave të caktuara nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor. 14. Lejimi i ndërtimeve të thjeshta, jo me karakter tregtar, i ngrehinave, i gardhimeve dhe kufizimi i lëvizjeve të vizitorëve, brenda territoreve të rrethuara të pjesëve të fondit pyjor publik dhe të atyre të deklaruara me funksion mbrojtës e të veçantë, kryhet në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor. 15. Vendosja në fondin pyjor publik e kampingjeve, e çadrave dhe e strehimeve të lëvizshme (rulotat) ose e objekteve të tjera të kësaj natyre bëhet në vendet e caktuara nga organet e shërbimit pyjor. 16. Organet e shërbimit pyjor, kur vërejnë se bimët dhe prodhimet pyjore janë të infektuara nga parazitë karantinorë dhe se janë kryer shkelje të dispozitave ligjore bëjnë menjëherë bllokimin dhe njoftojnë jo vetëm pronarin ose përdoruesin, por edhe eprorët për arsyet e bllokimit. 17. Pjesë apo ekonomi pyjore lejohen të trajtohen edhe për mbarështimin e faunës së egër dhe për ushtrimin e veprimtarisë turistike e të gjuetisë sportive. 18. Personat juridikë e fizikë, të cilët kryejnë veprimtari të lejuara në fondin pyjor publik, pavarësisht nga kontratat që kanë, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të lidhin kontratë mirëmbajtjeje dhe përdorimi të zonave të gjelbra pyjore, në përputhje me studimet e miratuara nga KRRTRSH-ja, në bashkërendim me organet e shërbimit pyjor, për sipërfaqen pyjore a kullosore të zënë me ndërtime dhe për territorin që përdorin apo që kanë me qira. Për administrimin e fondit pyjor, brenda sipërfaqes së miratuar për zhvillimin e turizmit, subjekti përkatës lidh marrëveshje për shërbimet dhe mirëmbajtjen e këtij fondi me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Pyjor, për ruajtjen nga dëmtimet dhe prerjet e paligjshme, nga sëmundjet dhe insektet, nga zjarret, si dhe për llojin e pemëve të reja që do të mbillen në territorin e caktuar. Tarifat për shërbimet e mësipërme përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 19. Agjencitë turistike dhe të udhëtimit, që kryejnë veprimtari turistike në fondin pyjor publik, në zonat pyjore të lejuara nga organet e shërbimit pyjor, zbatojnë parimet mjedisore dhe rregullat kombëtare e ndërkombëtare në këtë fushë dhe kujdesen që turistët të respektojnë kodet e sjelljes në natyrë. 20. Kryerja e manovrave ushtarake në fondin pyjor publik bëhet pas vlerësimit të ndikimit në mjedis të këtyre manovrave, me leje të organeve të shërbimit pyjor dhe të agjencive rajonale të mjedisit, në të cilën përcaktohen kushtet për zvogëlimin e efekteve të dëmshme në mjedisin pyjor. Neni 22 Administrimi dhe zhvillimi i fondit pyjor kombëtar 1. Pyjet në territorin e Republikës së Shqipërisë janë pasuri kombëtare. Shteti garanton me këtë ligj barazinë e marrëdhënieve të pronësisë në fondin pyjor kombëtar. 2. Administrimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi i fondit pyjor kombëtar janë detyra të strukturave të organeve të shërbimit pyjor, të pronarëve, të institucioneve të tjera shtetërore dhe të organeve të pushtetit vendor. 3. Qeverisja dhe administrimi i fondit pyjor kombëtar (publik, në përdorim a në pronësi të njësive të qeverisjes vendore dhe privat) bëhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji. 4. Fondi pyjor publik, vendor a privat, administrohet e trajtohet sipas planeve të mbarështimit, të inventarizimit dhe të funksioneve të këtij fondi. 5. Të gjithë pronarët, administruesit, qiramarrësit dhe përdoruesit e fondit pyjor kombëtar e të tokës pyjore detyrohen të kujdesen, vazhdimisht, për trajtimin dhe zhvillimin e fondit pyjor kombëtar dhe për mbrojtjen e mjedisit pyjor. 6. Administrimi, shtimi dhe trajtimi shkencor i pyjeve mbrojtëse dhe i atyre me funksion të veçantë, pavarësisht ku ndodhen, i drurëve e i shkurreve me vlera të veçanta, i bimëve mjekësore e tanifere, brenda fondit pyjor publik dhe atij vendor, bëhen nën kujdesin e organeve të shërbimit pyjor. 7. Krijimi i pyjeve të reja, ngritja e zonave të reja apo zgjerimi i zonave ekzistuese pyjore kryhen në mbështetje të projekteve dhe me leje të organeve të shërbimit pyjor. 8. Drurët, grumbujt e drurëve e të shkurreve, parqet dhe lulishtet në qytete, në qendra të banuara e në qendra prodhimi mbrohen dhe trajtohen nga pronarët e tyre të ligjshëm. 9. Sipërfaqet dhe objektet në pronësi private, të cilat përfshihen në fondin pyjor publik, mbeten pronë e pronarit të ligjshëm. Ato administrohen e përdoren prej tij dhe në rastet kur do të zhvillohen veprimtari në to, menaxhohen sipas kërkesave të planit të mbarështimit pyjor. 10. Shteti nxit nismat individuale a kolektive për ripyllëzimin e tokave të braktisura, të zhveshura, të shpyllëzuara dhe të gërryera, nëpërmjet sistemit të kredive lehtësuese, të përdorimit afatgjatë, deri në privatizimin e tyre. 11. Çdo vit, në Buxhetin e Shtetit planifikohen fonde për investime, për rimëkëmbjen e integritetit ekologjik të pyjeve e të kullotave, për ruajtjen dhe përmirësimin e ekosistemeve, të habitateve, të gjendjes mjedisore dhe të biodiversitetit pyjor. Neni 23 Administrimi dhe zhvillimi i fondit pyjor në pronësi të njësive të qeverisjes vendore 1. Administrimi dhe zhvillimi i pyjeve vendore apo i pjesëve të tyre, bëhen sipas planeve të mbarështimit dhe të dispozitave të këtij ligji. 2. Për një administrim të qëndrueshëm e shumëfunksional të fondit pyjor vendor, për rregullimin e përdorimit e të shfrytëzimit të pyjeve, të kullotave dhe të burimeve të tjera pyjore e jopyjore, për mbrojtjen nga zjarri, dëmtuesit etj., brenda territorit administrativ të njësive të qeverisjes vendore, krijohen njësitë tekniko-administrative, në varësi të drejtpërdrejtë të organeve të qeverisjes vendore. Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor ndihmojnë, kontrollojnë, këshillojnë dhe sigurojnë mbështetjen teknike për këto njësi dhe për shoqatat e përdoruesve të pyjeve. 3. Organet e qeverisjes vendore kanë për detyrë të marrin masa dhe të planifikojnë fonde për investimet në pyjet, në territorin që ata mbulojnë, për përmirësimin dhe planifikimin e mbledhjes e të promovimit të pajisjeve të reja të përpunimit dhe të tregtimit të prodhimeve pyjore, si dhe për krijimin e sektorit të agropylltarisë. 4. Shteti mbështet nismat individuale a kolektive të njësive të qeverisjes vendore për shtimin e sipërfaqes së pyjeve, për ripyllëzimin e tokave të braktisura, të zhveshura, të shpyllëzuara dhe të gërryera, në pronësi të tyre, nëpërmjet sistemit të kredive me kushte lehtësuese. 5. Njësia e qeverisjes vendore, çdo vit, nga të ardhurat e realizuara planifikon fonde për ruajtjen, mirëmbajtjen, kryerjen e punimeve silvikulturore dhe përgjigjet për trajtimin shkencor të tyre. 6. Vjelja e materialit drusor dhe e prodhimeve të tjera nga pyjet vendore bëhet në përputhje me këtë ligj. 7. Kriteret e transferimit dhe përdorimit të pyjeve nga njësitë e qeverisjes vendore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 24 Administrimi dhe zhvillimi i fondit pyjor privat 1. Administrimi dhe zhvillimi i fondit pyjor privat bëhen nga pronarët, në përputhje me planet e thjeshta të mbarështimit, të miratuara nga shërbimi pyjor. 2. Pronari privat nuk mund të vendosë e të kryejë një shndërrim të pyjeve, të kulturave pyjore apo të ndryshojë zërin kadastral, në pronën pyjore të tij, pa marrë, paraprakisht, miratimin e organit përkatës të shërbimit pyjor. 3. Shteti, brenda mundësive, mjeteve e fondeve që ka, mbështet plotësimin e nismës dhe të përgjegjësive private, individuale e kolektive, për zgjerimin e sipërfaqes së pyjeve private, për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e burimeve pyjore dhe për krijimin e fermave private pyjore. 4. Administrimi dhe zhvillimi i pyjeve, i drurëve pyjorë apo i grumbujve pyjorë të veçuar, në pronësi të komuniteteve fetare, bëhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji. 5. Vjelja e materialit drusor dhe e prodhimeve të tjera nga pyjet private bëhet në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Neni 25 Pyjet me funksion mbrojtës dhe të veçantë 1. Pyjet, drurët dhe pjesët e fondit pyjor publik, të shpallura me funksion mbrojtës e të veçantë (mbrojtës të klimës, tokës, ujërave, ajrit, të elementeve higjieno-shëndetësorë, me funksion të veçantë pushimi, çlodhjeje, edukimi, turizmi, estetikë, kërkimore dhe shkencore, mbrojtës të natyrës dhe trashëgimisë natyrore e kulturore), ruhen, zhvillohen, mbarështohen dhe administrohen, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjit “Për trashëgiminë kulturore”. 2. Kriteret për shpalljen e pyllit me funksion mbrojtës ose të veçantë përcaktohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. 3. Në pyjet apo në ato pjesë të fondit pyjor kombëtar, me funksion mbrojtës ose të veçantë, kryhen punime përkujdesjeje dhe të prerjeve sanitare, në mbështetje të projekteve të hartuara dhe pas miratimit nga organet e shërbimit pyjor. 4. Pyjet private ose pjesë të tyre mund të përfshihen në listën e pyjeve dhe të pjesëve të fondit pyjor kombëtar, me funksion mbrojtës ose të veçantë, pas marrjes me shkrim të mendimit të pronarit të tyre të ligjshëm. 5. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor publikon listën e pyjeve dhe të pjesëve të fondit pyjor kombëtar, me funksion mbrojtës ose të veçantë. KREU VI TRAJTIMI, SHFRYTËZIMI DHE SHITJA E MATERIALIT DRUSOR DHE E PRODHIMEVE PYJORE E JOPYJORE Neni 26 Trajtimi dhe shfrytëzimi i fondit pyjor kombëtar 1. Shfrytëzimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera pyjore dhe jopyjore lejohet në fondin pyjor shtetëror, vendor ose privat, për qëllime të përfitimit ekonomik dhe vetëm nëpërmjet kryerjes së punimeve të parashikuara në planet e mbarështimit. 2. Personat fizikë dhe juridikë mund të ushtrojnë veprimtari në fondin pyjor kombëtar vetëm me lejen përkatëse, të lëshuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Kushtet dhe kriteret për dhënien e lejes për ushtrimin e veprimtarisë në fondin pyjor kombëtar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Të drejtat, që sigurohen nga leja e ushtrimit të veprimtarisë në fondin pyjor kombëtar, nuk mund t’u transferohen apo t’u jepen të tretëve. Subjektet, që ushtrojnë veprimtari në pyje e kullota, mund të ndërtojnë ose të vendosin instalime të përkohshme, sipas skemave teknologjike të miratuara. 3. Materiali drusor, që shfrytëzohet çdo vit nga fondi pyjor kombëtar, caktohet brenda mundësive vjetore të shfrytëzimit të pyjeve, të përcaktuara në planet e mbarështimit apo të inventarizimit, ndërsa në pyjet me funksion mbrojtës e të veçantë lejohet vetëm në rastet kur kryhen punimet e përkujdesjes dhe të prerjeve sanitare. 4. Shfrytëzimi i parcelave lejohet vetëm kur kërkohet teknikisht, në rastet e prerjeve përfundimtare apo prerjet në pyjet e dëmtuara nga katastrofat natyrore a zjarret, nën kontrollin e rreptë të organeve të shërbimit pyjor. 5. Sipërfaqet e pyjeve të larta përshkohen me prerje kulturore, sipas fazës së zhvillimit, në të cilën gjenden, dhe të kërkesave të silvikulturës. 6. Vjelja e prodhimeve pyjore organizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor dhe njësitë e qeverisjes vendore. Ajo kryhet nga subjekte private të specializuara, të cilat paguhen për punën e kryer, ndërsa për shitjen e tyre organizohet ankand në anë të rrugës. 7. dhe të akteve të tjera nënligjore, duke mos cenuar mbrojtjen e tokës dhe të elementeve klimatike, ekologjike e shoqërore. Pronari, paraprakisht, duhet të sigurojë lejen përkatëse dhe damkimin e drurëve prej organeve të shërbimit pyjor. 8. Krijimi i rezervave strategjike të lëndës drusore në këmbë dhe ruajtja e trajtimi i pyjeve të virgjra ose pothuajse të virgjra, duke i kaluar në konservim të plotë, bëhen në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. 9. Drejtoritë rajonale të shërbimit pyjor çdo vit hartojnë dhe dërgojnë për miratim në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Pyjor planin e shfrytëzimit të pyjeve dhe të prodhimeve të dyta pyjore e jopyjore. Drejtoria e Përgjithshme kontrollon zbatimin e këtij plani. 10. Shfrytëzimi i fondit pyjor kombëtar organizohet në bazë të vitit pyjor, i cili fillon në datën 1 tetor. Këshilli i Ministrave cakton kriteret dhe rregullat e shfrytëzimit të pyjeve dhe të shitjes së materialit drusor e të prodhimeve të tjera pyjore e jopyjore. 11. Prerja e drurëve pyjorë në fondin pyjor kombëtar bëhet pas shënimit të tyre me damkë të veçantë nga organet e shërbimit pyjor. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Pyjor, me udhëzim të veçantë, përcakton mënyrën e përdorimit, madhësinë dhe formën e çekiç-damkës. 12. Në trajtimin dhe shfrytëzimin e fondit pyjor publik përdorimi i standardeve për prerjet vjetore të lejueshme, ciklet e prerjeve, teknikat e shfrytëzimit dhe infrastruktura janë të detyrueshme. 13. Operacionet e trajtimit dhe të shfrytëzimit të pyjeve synojnë mbrojtjen e mjedisit pyjor e të biodiversitetit. 14. Grumbullimi i prodhimeve të dyta pyjore, si rrënjë shqope, mareje, bushi etj., i thuprave të shelgut, frashërit, vërrit etj., i rrëshirës së pishës, i halave e gjetheve, i rrënjëve e lëvores, i luleve, frutave pyjore e sythave, i bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere, i kërpudhave dhe i nënprodhimeve të tjera pyjore e jopyjore, u lejohet personave juridikë e fizikë, të pajisur me lejen përkatëse, të lëshuar nga organet e shërbimit pyjor dhe në mbështetje të kritereve dhe të kontingjenteve të caktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor. Neni 27 Shitja e materialit drusor dhe e prodhimeve pyjore e jopyjore 1. Ndalohet shitja e materialit drusor të paprerë (në këmbë) në pyjet publike. 2. Materiali drusor i pyjeve publike, i përpunuar ose i papërpunuar, transportohet nga pikat e grumbullimit dhe nga qendrat e përpunimit deri në destinacionin përfundimtar, i shoqëruar me leje transporti dhe me certifikatën e origjinës, të lëshuar nga organet e shërbimit pyjor, të cilat vërtetojnë prodhimin e tyre në përputhje me dispozitat e këtij ligji, ndërsa prodhimet e tjera pyjore e jopyjore transportohen të shoqëruara me certifikatën e origjinës. Transporti i materialit drusor ose i prodhimeve të tjera pyjore e jopyjore nga fondi pyjor privat lejohet vetëm i shoqëruar me certifikatën e origjinës, të lëshuar nga pronari privat dhe të nënshkruar nga organet e shërbimit pyjor. Modeli i lejes së transportit dhe i certifikatës së origjinës caktohen nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor. 3. Materialet drusore dhe çdo prodhim tjetër me origjinë pyjore, të sekuestruara në qendrat e përpunimit apo në sheshet e depozitimit dhe të tregtimit, ruhen nga subjektet, të cilave u janë sekuestruar, deri në shitjen e tyre nga organet e shërbimit pyjor. KREU VII BURIMET FINANCIARE DHE PËRDORIMI I TYRE Neni 28 Funksionimi dhe përgjegjësitë financiare për pasurinë pyjore e kullosore Shërbimi pyjor funksionon në përputhje me ligjin organik të Buxhetit të Shtetit dhe është përgjegjës për administrimin e pasurisë dhe të të ardhurave të realizuara nga veprimtaria ekonomike në sektorin e pyjeve e të kullotave, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi. Neni 29 Burimet financiare Burimet financiare të shërbimit pyjor sigurohen nga: a) Buxheti i Shtetit; b) burime të brendshme; c) donacione e grante të ndryshme. Neni 30 Përdorimi i burimeve financiare Burimet financiare të krijuara sipas nenit 32 përdoren për: a) investime në sektorin e pyjeve dhe të kullotave; b) mbrojtjen e faunës dhe të biodiversitetit të pyjeve dhe të kullotave; c) parandalimin e sëmundjeve, të dëmtuesve dhe të zjarreve në pyje dhe kullota; ç) kërkime shkencore në pyje dhe kullota; d) krijimin e kushteve për kryerjen e veprimeve turistike dhe çlodhëse; dh) shpërblimin e punonjësve për gjobat dhe sekuestrot e vendosura dhe të vjela sipas kritereve të caktuara nga Këshilli i Ministrave. Neni 31 Ndarja e burimeve financiare Burimet financiare të krijuara sipas nenit 32, ndahen: 70 për qind për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Pyjor, të cilat mbahen në një llogari të veçantë në bankë, dhe 30 për qind derdhen në Buxhetin e Shtetit. Neni 32 Bazueshmëria ligjore e burimeve fianciare Sigurimi dhe përdorimi i të gjitha llojeve të burimeve financiare bëhen në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Neni 33 Të ardhurat e siguruara nga pyjet vendore Të ardhurat që sigurohen nga veprimtaritë në pyjet e kullotat vendore, përdoren nga organet e qeverisjes vendore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Neni 34 Tarifat në fondin pyjor publik 1. Tarifat për të gjitha veprimtaritë, që zhvillohen në sektorin e pyjeve dhe të kullotave, për shërbimet publike e mjedisore, që zhvillohen në fondin pyjor publik, si dhe ato të vlerësimit të dëmeve në pyje miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 2. Organi përgjegjës për vjeljen e të ardhurave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Pyjor dhe organet në varësi të saj. KREU VIII KËRKIMI SHKENCOR NË FONDIN PYJOR KOMBËTAR Neni 35 Veprimtaritë kërkimore e shkencore 1. Veprimtaritë kërkimore e shkencore në fondin pyjor kombëtar, për pyjet e tokat pyjore, kullotat, gërryerjet, pyllëzimet e përmirësimet, ripërtëritjen natyrore e problemet gjenetike, farërat e fidanët pyjorë, zjarrjet dhe luftimin e sëmundjeve e të dëmtuesve, florën e faunën e egër, bimët mjekësore e tanifere natyrore, përgatitjen dhe zbatimin e programeve të monitorimit për zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve kryhen nga personat fizikë e juridikë, të cilët plotësojnë kërkesat dhe kushtet për zhvillimin e veprimtarive kërkimore e shkencore. 2. Zhvillimi i veprimtarive kërkimore e shkencore, të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, kryhet brenda fushave përkatëse të sektorit të pyjeve dhe të kullotave, në mbështetje të programeve kërkimore-shkencore kombëtare. 3. Institucionet kërkimore, studimore dhe shkencore në fushën e pyjeve e të kullotave sigurojnë konsulencë, oponencë dhe asistencë teknike për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Pyjor, në aspekte të veçanta, brenda fushës së veprimtarisë së tyre. 4. Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit dhe ministri përgjegjës për shkencën harmonizojnë programimin dhe zbatimin e punës kërkimore në pyje e kullota, si dhe paraqesin kërkesat për buxhetin përkatës. Neni 36 Bazat prodhuese dhe eksperimentale të zhvillimit dhe kualifikimit 1. Bazat prodhuese, eksperimentale, të ekstensionit, si për kërkimin shkencor dhe për kualifikimin e nxënësve e të studentëve, të punëtorëve, të specialistëve të pyjeve dhe të fushave të tjera në sektorin pyjor dhe për mjedisin në tërësi ngrihen me miratimin me shkrim të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor, në bazë të kërkesës së institucioneve kërkimore e pedagogjike. 2. Grumbujt e drurëve dhe të llojeve pyjore, të caktuara për konservim, germoplazmë, in situ dhe ex situ, për grumbullim, përpunim, shpërndarje dhe certifikim të materialit mbjellës, administrohen nga shërbimi pyjor. KREU IX PARASHIKIMET NDËSHKIMORE Neni 37 Përgjegjësitë për moszbatimin e ligjit 1. Shkeljet e dispozitave ligjore sjellin, sipas rastit, përgjegjësi administrative dhe penale. 2. Punonjësit e shërbimit pyjor, kur vërejnë shkeljen e këtyre dispozitave, mbajnë procesverbal, i cili nënshkruhet nga hartuesi, i proceduari dhe dëshmitarët e pranishëm dhe, kur nuk ka të tillë, procesverbali është i vlefshëm vetëm me nënshkrimin e proceduesit. 3. Të drejtën e vendosjes së gjobës për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në nenin 38 të këtij ligji, e kanë inspektorët e Policisë Pyjore. Neni 38 Kundërvajtjet administrative Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë: 1. Mosraportimi nga pronari i ndryshimeve përkatëse në fondin pyjor dhe në tokën pyjore, brenda 6 muajve nga data e vënies re, dënohet me gjobë në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë. 2. Moszbatimi i planit të mbarështimit të pyjeve, të kullotave, të florës e faunës së egër dhe të zonave të mbrojtura, nga subjektet juridike e fizike, pronarët privatë dhe njësitë e qeverisjes vendore, dënohet me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. 3. Shndërrimi nga pronari privat i kulturave pyjore apo i zërit kadastral, pa miratimin e organeve të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë. 4. Transferimi i të drejtave, që janë siguruar nga leja e ushtrimit të veprimtarisë në fondin pyjor kombëtar, dënohet me gjobë në masën 200 000 (dyqind mijë) lekë. 5. Prishja apo përdorimi i çekiç-damkës e i damkës nga persona të paautorizuar dhe nga një zonë pyjore në tjetrën, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë në masën 200 000 (dyqind mijë) lekë. 6. Prishja, fshirja ose dëmtimi i shenjave kufidëftuese, gjeodezike e topografike, i tabelave paralajmëruese dhe atyre treguese, të vendosura në fondin pyjor kombëtar, dënohen me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë. 7. Prerja në fondin pyjor kombëtar i drurëve pa damkën e organeve të shërbimit pyjor, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë në masën 200 000 (dyqind mijë) lekë. 8. Prerja pa leje ose dëmtimi me dashje i pyjeve, i tokës pyjore, i pyjeve të reja, i filizërisë dhe i fidanishteve, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë në masën 300 000 (treqind mijë) lekë. 9. Dëmtimi nga pakujdesia i pyjeve, i tokës pyjore, i pyjeve të reja, i filizërisë dhe i fidanishteve, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. 10. Dëmtimi me dhe pa dashje i pyjeve, i tokës pyjore, i pyjeve të reja, i filizërisë dhe i fidanishteve, me zjarr, eksploziv, përmbytje ose mjete të tjera, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë. 11. Përdorimi i paligjshëm i fondit pyjor dhe i tokës pyjore dënohet me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. 12. Prerja pa leje apo dëmtimi i pyjeve, në pronësi private, nga pronarët apo nga subjektet, të cilave u janë dhënë në përdorim a me qira, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë në masën 400 000 (katërqind mijë) lekë. 13. Ndërhyrjet me punime të ndryshme në ligatinat e dunat bregdetare, pjesë përbërëse të fondit pyjor kombëtar, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohen me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. 14. Nxjerrja e rrënjëve të shqopës, bushit, maresë dhe prerja e thuprës së shelgut e të llojeve të tjera të drurëve pyjorë, gjatë periudhës së vegjetacionit, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. 15. Kullotja e bagëtive në fondin pyjor, në pyjet e reja, në pyllëzime, në filizëri e fidanishte, në parcelat gjenetike e eksperimentale, në pyjet mbrojtëse dhe në zonat e mbrojtura, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. 16. Krasitja për gjethe dhe kositja e grumbullimi i barit në fondin pyjor, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohen me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë. 17. Parkimi i automjeteve, vendosja e rulotave dhe futja e kafshëve në pyjet me funksion mbrojtës e të veçantë në parqet kombëtare, në rezervatet e mbarështimit të florës e faunës së egër, në fidanishtet pyjore ose në vendet e tjera të fondit pyjor, me rëndësi të veçantë, pa miratimin apo jashtë vendeve të caktuara nga organet e shërbimit pyjor, dënohen me gjobë në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë. 18. Ngritja e ndërtimeve të thjeshta, gardhimeve, kampingjeve, brenda territoreve të gardhuara të fondit pyjor dhe të atyre të deklaruara me funksion mbrojtës e të veçantë, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në këtë ligj, dënohet me gjobë në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë. 19. Grumbullimi i prodhimeve pyjore e jopyjore, si rrëshirë, boçe, hala, gjethe, bar, lëgushë, humus, plisa, rrënjë e lëvore, lule, fruta, sytha e herbë, kërpudha, bimë mjekësore, eterovajore, tanifere, patavra, cungje, kucka, fashina, thupra, hunj, bandiera, zhuka e kallamishte, gurë, zhavor e rërë, nga personat juridikë e fizikë, vendas a të huaj, pa lejen përkatëse të organit të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë. 20. Transporti i materialit drusor nga pylli dhe prej shesheve të depozitimit për në qendrat e përpunimit e të shitjes, i pashoqëruar me lejen tip të transportit, si dhe transporti i prodhimeve të tjera pyjore e jopyjore, pa certifikatën e origjinës, dënohen me gjobë në masën 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë. 21. Transporti i materialit drusor apo i prodhimeve të tjera, pyjore e jopyjore nga fondi pyjor privat, pa certifikatën e origjinës, të lëshuar nga pronari, dënohet me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë. 22. Transporti i materialit drusor dhe jodrusor, i përpunuar ose gjysmë i përpunuar (dërrasë, elemente, qymyr e eshkë druri, bimë mjekësore, rrëshirë, gjethe, fruta, boçe e lule, rrënjë, fashinë e të tjera të kësaj natyre), pa lejen dhe certifikatën e origjinës, të lëshuara nga subjektet juridike (përpunuese) të licencuara, dënohet me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. 23. Ndërtimi i furrave të gëlqereve dhe i kaminave të qymyrit të drurit në fondin pyjor, pa miratimin e organeve të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë. 24. Vendosja e mullarëve të barit e të gjethit, jashtë vendeve dhe kohës së caktuar nga organet e shërbimit pyjor, dënohet me gjobë në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë. 25. Transportimi i drurëve të zjarrit (ngarkesë kali ose gomari) në fondin pyjor, pa lejen përkatëse, dënohet me gjobë në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë. 26. Ndezja e zjarreve jashtë vendeve të caktuara nga organet e shërbimit pyjor dënohet me gjobë në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë. 27. Dëmtimi i drurëve për shkak të mbledhjes së boçeve, farërave, luleve, lëvoreve, rrënjëve ose prodhimeve të tjera pyjore nga personat e licencuar, si dhe shitja e tyre pa leje, dënohen me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë. 28. Rrethimi i pjesëve të pyllit apo i tokës pyjore pa lejen e organeve të shërbimit pyjor dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. 29. Mbledhja, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, e frutave, farërave, bimëve, rrëshirës, gjetheve, kërpudhave, luleve e drurëve dekorativë dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. 30. Hedhja e mbetjeve urbane dhe e inerteve brenda në pyll ose në tokën pyjore dhe jashtë vendeve të caktuara nga organet e shërbimit pyjor, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. 31. Qarkullimi i automjeteve të ndryshme, të mbingarkuara, në rrugët pyjore ku është e ndaluar, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. 32. Mosruajtja e materialit drusor dhe e çdo prodhimi tjetër me origjinë pyjore, të sekuestruar, i cili ndodhet në qendrat e përpunimit apo në sheshet e depozitimit dhe të tregtimit, nga subjektet, të cilave u është sekuestruar, deri në shitjen e tyre, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. 33. Prerja ose shkulja e drurëve dhe e shkurreve në vendet e thepisura mbi 20 për qind, në një brez me gjerësi 100 m, në kufirin e sipërm të vegjetacionit, të drurëve, të shkurreve dhe të llojeve të rralla e të kërcënuara dhe të atyre që ndodhen në të dyja anët e rrugëve kombëtare, me pjerrësi mbi 15 për qind dhe me gjerësi toke 20 m, mbi e nën rrugë, si dhe në pyjet me funksion mbrojtës e të veçantë, dënohet me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë. 34. Mbledhja e prodhimeve të dyta, pyjore e jopyjore, e kërpudhave ose bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere, bimëve të rralla e të kërcënuara e të tjera të kësaj natyre, që do të sillte degradimin, kërcënimin, rrallimin, zhdukjen apo dobësimin e funksioneve të tyre, dënohet me gjobë në masën 1 000 000 (një milion ) lekë. 35. Grumbullimi, shpërndarja ose mbjellja e farërave, e kalemave, shpatullave e fidanëve pyjorë, të drurëve e të shkurreve pyjore, pa lejen dhe certifikatën e organeve të shërbimit pyjor, dënohen me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. 36. Tregtimi ose tjetërsimi i materialeve drusore dhe i prodhimeve të tjera pyjore e jopyjore të fondit pyjor kombëtar, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë në masën 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë. 37. Tregtimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera të pyllit, të infektuara nga sëmundjet, barërat e këqija e parazitare ose të prekura nga insektet, dënohet me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. Kundërvajtësi detyrohet të paguajë, krahas gjobës, edhe vlerën e dëmit të shkaktuar. Për kundërvajtjet administrative, që kryhen në pyjet me funksion mbrojtës e të veçantë, dënimi me gjobë është sa trefishi i vlerës së gjobës për çdo rast të kundërvajtjeve administrative të parashikuara në këtë nen. Në rast përsëritjeje, subjekti dënohet me dhjetëfishin e vlerës së gjobës. Neni 39 Sekuestrimet Mjetet dhe gjithçka tjetër, që shërben për kryerjen e kundërvajtjes administrative dhe çdo përfitim pasuror, i vënë nëpërmjet kundërvajtjes administrative, sekuestrohen dhe kalojnë në llogari të organeve të shërbimit pyjor. Neni 40 Vendimi për kundërvajtjet administrative 1. Vendimi për kundërvajtjet administrative merret nga strukturat përkatëse të shërbimit pyjor, që mbulojnë territorin ku ndodh kundërvajtja, brenda 15 ditëve nga data e dorëzimit të procesverbalit. 2. Personi, ndaj të cilit është vendosur gjoba, brenda 15 ditëve nga data e marrjes së njoftimit ose e vënies në dijeni, ka të drejtën e ankimit te Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor, i cili duhet t’i përgjigjet brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të ankimit. 3. Vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Pyjor përbën titull ekzekutiv. Kundër vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm ose kur ky i fundit nuk përgjigjet brenda afatit 30-ditor, bëhet ankim brenda 30 ditëve në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës. KREU X DISPOZITA TË FUNDIT Neni 41 Shfuqizimi i dispozitave ligjore Ligji nr.7623, datë 13.10.1992 “Për pyjet dhe Policinë Pyjore”, i ndryshuar, ligji nr.8302, datë 12.3.1998 “Për administrimin e të ardhurave që krijohen në pyje dhe kullota - pasuri shtetërore” dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen. Neni 42 Aktet nënligjore 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në zbatim të neneve 7 pika 4, 9 pika 3, 17 pika 2, 19 pika 2, 20 pika 9, 21 pika 8, 23 pika 7, 26 pikat 2, 8 e 10 dhe 34 pika 1, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. 2. Ngarkohet Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit që, në zbatim të neneve 8 pika 2, 16 pikat 5 e 8, 20 pika 12, 25 pika 2 dhe 26 pika 11, të nxjerë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. Neni 43 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. K R Y E T A R I Servet Pëllumbi