Law No. 9379 on energy efficiency
颁布于 2005-04-28 · 文本截至 2026-10-01
以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。
研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。
关于这部法律
- 语言
- Albanian
- 类型
- 法令
- 组织
- European Union
- 国家
- 阿尔巴尼亚
- 主题
- Energy
- 关键词
- energy conservation/energy production, institution, access-to-information, offences/penalties, governance, enforcement/compliance
在哪里阅读
该法律没有记录来源链接。
文本
所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。
1. “Efiçenca e përdorimit të energjisë” është raporti në përqindje i energjisë në dalje me energjinë në hyrje, në të njëjtin sistem energjetik.
2. “Ministri” është Ministri i Industrisë dhe i Energjetikës ose ministri përgjegjës për energjinë.
3. “Agjencia Kombëtare e Energjisë” është struktura përkatëse e ngritur sipas legjislacionit në fuqi.
4. “Konsumator i madh i energjisë” është konsumatori që ka konsum vjetor të energjisë më të madh se 1 GWh energji elektrike dhe/ose 36 toe qymyr dhe/ose 150 tonë nënprodukte nafte dhe/ose 100 000 m3 N gaz natyror dhe/ose që e ka konsumin e përgjithshëm të energjisë më shumë se 36 toe.
5. “Zyra vendore e energjisë” është struktura që merret me çështjet e efiçencës së energjisë, në varësi të Agjencisë Kombëtare të Energjisë (AKE).
6. “Fondi i Efiçencës së Energjisë” është fondi i krijuar sipas nenit 10 të këtij ligji, për financimin e programeve të efiçencës dhe të ruajtjes së energjisë.
7. “Energji” është çdo burim primar energjetik: nafta dhe nënproduktet e saj, gazi natyror, qymyri, drutë e zjarrit, hidroenergjia, biomasat, energjia diellore, energjia e erës, energjia gjeotermike, energjia nga mbetjet urbane, si dhe energjitë dytësore elektrike dhe termike.
8. “Ruajtje energjie” është ulja e përdorimit të energjisë, por duke përmbushur të njëjtat nevoja.
9. “Impiantet e energjisë” janë tërësia e pajisjeve teknike, që prodhojnë dhe/ose konsumojnë energji.
10. “Auditim energjie” është veprimtaria, me anë të së cilës realizohet kontrolli dhe verifikimi i konsumit dhe i nivelit të efiçencës së energjisë, në secilin sistem energjetik.
11. “Auditues energjie” është personi fizik ose juridik i licencuar për të realizuar auditimin e energjisë.
12. “Siguruesi i shërbimit për konservimin e energjisë (ESCO)” është personi fizik ose juridik i licencuar, që merret me zbatimin e masave për rritjen e efiçencës së energjisë. KREU II POLITIKA E EFIÇENCËS SË ENERGJISË Neni 4 Objektivat e nxitjes së efiçencës së energjisë Objektivat e politikës për përdorimin me efiçencë të energjisë, si pjesë përbërëse e gjithë politikës së energjisë, kanë të bëjnë, kryesisht, me rritjen e sigurisë së furnizimit me energji, nëpërmjet uljes të konsumit të burimeve energjetike dhe të ndotjes së mjedisit. Arritja e këtij objektivi realizohet nëpërmjet: a) nxitjes së efiçencës së energjisë dhe investimeve; b) nxitjes së zgjidhjeve financiare për nismat, që synojnë efiçencën e energjisë; c) sigurimit të bashkëpunimit ndërmjet konsumatorëve, prodhuesve, furnizuesve të energjisë dhe autoriteteve publike e private, për të arritur objektivat e efiçencës së energjisë, të përcaktuara në programin kombëtar për efiçencën e energjisë; ç) mbështetjes së kërkimeve në fushën e efiçencës së energjisë; d) detyrimit të konsumatorëve të energjisë, për nevojën dhe për përfitimet e uljes së konsumit jo të frytshëm dhe joekonomik të energjisë, sipas zgjidhjeve teknike që do t’i japë audituesi i energjisë; dh) nxitjes së nismave private për zhvillimin e shërbimeve të ruajtjes së energjisë; e) detyrimit të konsumatorëve të mëdhenj për zbatimin e masave për reduktimin e konsumit joefiçent, sipas zgjidhjeve teknike që do të japë raporti i auditimit të energjisë. ë) bashkëpunimit me vende të tjera në fushën e efiçencës së energjisë dhe respektimit të traktateve dhe konventave ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë. Neni 5 Programi kombëtar për efiçencën e energjisë Ministri çdo dy vjet paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave një program kombëtar për efiçencën e energjisë. Në program përfshihet vlerësimi i hollësishëm ekonomik i kursimeve të mundshme dhe financiare të energjisë, i hartuar nga Agjencia Kombëtare e Energjisë. Neni 6 Zyrat vendore të energjisë
1. Në çdo qark, me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, ngrihen zyrat vendore të energjisë, të cilat janë në varësi të Agjencisë Kombëtare të Energjisë.
2. Zyrat vendore të energjisë krijojnë dhe përditësojnë bazën e të dhënave të konsumit dhe të burimeve të mundshme të energjisë në nivel vendor, në zbatim të monitorimit të programit kombëtar për efiçencën e energjisë.
3. Konsumatorët e mëdhenj të energjisë janë të detyruar të paraqesin, jo më vonë se data 31 mars e çdo viti, në zyrën vendore të energjisë, të vendosur në zonën e tyre, raportin për konsumin e energjisë për vitin e fundit.
4. Konsumatorët e tjerë të energjisë janë të detyruar të paraqesin, jo më vonë se data 31 mars e çdo viti, në zyrën vendore të energjisë, të vendosur në zonën e tyre, raportin për konsumin e tyre aktual të energjisë, vetëm nëse kërkohet.
5. Për sektorët rezidencialë, bujqësorë dhe të transportit zyrat vendore të energjisë kryejnë vëzhgime për mbledhjen e të dhënave për konsumin e energjisë. Këta konsumatorë janë të detyruar të paraqesin, jo më vonë se data 31 mars e çdo viti, në zyrën vendore të energjisë, të vendosur në zonën e tyre, raportin për konsumin e energjisë për vitin e fundit.
6. Ministri miraton një rregullore për përmbajtjen dhe mënyrën e paraqitjes së raporteve të energjisë nga furnizuesit e lëndës djegëse, furnizuesit e energjisë elektrike dhe nga konsumatorët e energjisë, sipas këtij neni. Neni 7 Etiketimi i pajisjeve, që konsumojnë energji elektrike
1. Çdo person juridik ose fizik, që prodhon ose importon pajisje elektrike shtëpiake, nuk mund t’i shesë ato, pa plotësuar standardet dhe pa siguruar etiketat e energjisë për këto pajisje. Të dhënat në etiketë duhet të jenë në gjuhën shqipe.
2. Procedurat e standardizimit për pajisjet elektroshtëpiake përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Në etiketë shënohen të dhënat për konsumin specifik të energjisë së pajisjes elektrike, efiçencën e energjisë, në vlerat më të ulëta dhe më të larta të saj për llojin e pajisjes elektrike, si dhe për ndikimet negative, që mund të shkaktohen nga vënia në përdorim e pajisjes, mbi mjedisin dhe shëndetin e njerëzve.
4. Etiketa vendoset në mënyrë të dukshme mbi pajisjet.
5. Prodhuesi ose importuesi i këtyre pajisjeve është përgjegjës për saktësinë e të dhënave në etiketë.
6. Procedurat për etiketimin e pajisjeve elektroshtëpiake përcaktohen në një rregullore, të miratuar nga ministri.
7. Kontrolli i etiketimit të pajisjeve, që konsumojnë energji elektrike, kryhet nga organet e specializuara, sipas ligjeve në fuqi. KREU III AUDITIMI I ENERGJISË Neni 8 Detyrat e audituesit të energjisë dhe të subjekteve që auditohen
1. Audituesi i energjisë e ushtron veprimtarinë në përputhje me këtë ligj.
2. Audituesi i energjisë kryen matjen e saktë të nivelit të konsumit specifik të impianteve të energjisë, për rritjen e efiçencës së tyre.
3. Auditimi i energjisë pasqyrohet në një raport me shkrim që përmban: a) vlerësimin e nivelit të konsumit të energjisë në impiantet përkatëse; b) propozimin për masat që duhen zbatuar për ruajtjen e energjisë, përfshirë analizën e tyre ekonomike; c) mendimin përfundimtar të audituesit të energjisë, për mundësitë për rritjen e efiçencës së energjisë, si dhe të zgjidhjes teknike përkatëse.
4. Audituesi i paraqet një kopje të raportit të auditimit të energjisë, si dhe të zgjidhjes teknike Agjencisë Kombëtare të Energjisë dhe zyrës vendore të energjisë, për subjektet për të cilat auditimi është i detyrueshëm ose kur auditimi është financuar nga Fondi për Efiçencën e Energjisë.
5. Auditimi i energjisë është i detyrueshëm për: a) personat fizikë ose juridikë, që aplikojnë për financim nga Fondi për Efiçencën e Energjisë; b) institucionet shtetërore ose shoqëritë, që janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë dhe janë, tërësisht ose pjesërisht, të financuar nga Buxheti i Shtetit; c) personat fizikë ose juridikë, që nuk janë përfshirë në shkronjën “b” të kësaj pike, me konsum të përgjithshëm vjetor energjie më të madh se 1 GWh energji elektrike dhe/ose 36 toe qymyr dhe/ose 150 tonë nënprodukte nafte dhe/ose 100 000 m3 N gaz natyror dhe/ose që e kanë konsumin e përgjithshëm të energjisë më shumë se 36 toe.
6. Auditimet e detyrueshme të energjisë, për subjektet e përcaktuara në pikën 5 të këtij neni, kryhen çdo tre 3 vjet dhe çdo herë para vënies në punë të çdo objekti.
7. Personat fizikë ose juridikë, subjekte të auditimeve të energjisë, i mbulojnë vetë shpenzimet e auditimit dhe të realizimit të zgjidhjeve teknike që jep audituesi për kursimin dhe konservimin e energjisë.
8. Përmbajtja e hollësishme e raportit të auditimit të energjisë përcaktohet me rregullore, të miratuar nga ministri. Neni 9 Licencimi i audituesit të energjisë
1. Audituesi i energjisë licencohet nga ministri.
2. Personi licencohet si auditues energjie, kur: a) ka kryer arsimin e lartë për shkencat teknike në fushën e energjisë dhe ka një përvojë pune 5-vjeçare në shfrytëzimin e energjisë ose ka kryer një kurs trajnimi të njohur për teknikat e auditimit; b) nuk është dënuar për vepra penale, të kryera në lidhje me ushtrimin e detyrës; c) ka kaluar testimin e ekspertit, sipas pikës 3 të këtij neni.
3. Testimi i ekspertit kryhet para një bordi testues, anëtarët e të cilit emërohen nga Kryetari i AKE-së. Numri i anëtarëve të bordit testues, veprimtaria dhe shpërblimi i tyre përcaktohen me rregullore, që miratohet nga ministri.
4. Aplikimi për licencë për auditim energjie paraqitet me shkrim në AKE. Forma e aplikimit përcaktohet me rregullore, e cila miratohet nga ministri.
5. Aplikimit për licencë për auditim energjie, sipas pikës 4 të këtij neni, i bashkëlidhen dokumentet e mëposhtme: a) diploma e shkollës së lartë për shkencat teknike ose ekonomike; b) dëshmia e penalitetit, e lëshuar jo më parë se tre muaj nga data e aplikimit; c) vërtetim për përvojë pune pesëvjeçare në fushën e shfrytëzimit të energjisë dhe dëshmia e kursit të trajnimit për auditim; ç) certifikatë e testimit të ekspertit të AKE-së;
6. Audituesi i energjisë është i detyruar të ruajë konfidencialitetin e të gjitha të dhënave për personin fizik ose juridik dhe për impiantet, të cilat kanë qenë objekt i auditimit të energjisë. Audituesi i energjisë nuk duhet të përfitojë në asnjë mënyrë nga këto të dhëna dhe nuk duhet t’i përdorë ato në favor ose në dëm të një pale të tretë. Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit shuhet vetëm pas miratimit nga personat fizikë ose juridikë, impiantet e të cilëve kanë qenë objekte të auditimit të energjisë ose kur kjo parashikohet me ligj. KREU IV FONDI PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË Neni 10 Ngritja dhe financimi i fondit Burimet financiare për realizimin e programit kombëtar të efiçencës së energjisë, të përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji, janë:
1. Fondi i krijuar nga Këshilli i Ministrave, i cili përdoret vetëm për efiçencën dhe ruajtjen e energjisë.
2. Fondi për Efiçencën e Energjisë, i cili mund të financohet nga: a) fondet vjetore të Buxhetit të Shtetit, të planifikuara për ministrinë përgjegjëse për energjinë, të cilat duhet të përdoren brenda vitit buxhetor; b) grantet e burimeve ndërkombëtare financiare; c) burimet private; ç) fondi i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, në ato raste kur Enti vendos të zbatojë programet e ruajtjes së energjisë, sipas neneve 8 pika 2 shkronja “e” dhe 28 pika 2 shkronja “gj” të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, për kategori të ndryshme konsumatorësh të energjisë. Fondet e pashpenzuara në një vit fiskal mbeten për t’u përdorur për programet e ardhshme të efiçencës dhe të ruajtjes së energjisë. Neni 11 Administrimi i Fondit për Efiçencën e Energjisë
1. Administrimi i Fondit për Efiçencën e Energjisë, të krijuar sipas nenit 10 të këtij ligji, bëhet nga Agjencia Kombëtare e Energjisë, e cila kërkon dhe përcakton shpërndarjen e programeve të zbatimit për efiçencën e energjisë në të gjitha rajonet e vendit.
2. Ministri miraton për programet e efiçencës së energjisë, kontratat me siguruesit e shërbimit të konservimit të energjisë, sipas pikës 3 të këtij neni.
3. Ministri, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Energjisë, zgjedh siguruesit e shërbimit të konservimit të energjisë, pas një procesi konkurrues tenderimi, në zbatim të dispozitave ligjore në fuqi. Neni 12 Veprimtaritë dhe programet e financuara nga Fondi për Efiçencën e Energjisë Fondi për Efiçencën e Energjisë përdoret për financimin e këtyre veprimtarive: a) investimeve, që synojnë përmirësimin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike dhe private, në ndërmarrje industriale dhe në sektorin e transportit; b) investimeve, që synojnë përmirësimin e efiçencës së energjisë në nxjerrjen, prodhimin dhe transportin ose transmetimin e energjisë; c) veprimtarive të kërkimit dhe të zhvillimit për rritjen e efiçencës së energjisë; ç) hartimit të projekteve demonstruese, me qëllim kërkimin dhe testimin e teknologjive të reja ose gjetjen e zgjidhjeve të reja organizative për sektorin e energjisë; d) auditimeve të energjisë, sipas nenit 8 të këtij ligji. KREU V DISPOZITA TË TJERA Neni 13 Sanksionet
1. Çdo person, që nuk ka raportuar ose që ka paraqitur një raport të rremë, që nuk është në përputhje me dispozitat e pikës 3 të nenit 6 të këtij ligji, kryen kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet nga zyra vendore e energjisë, e vendosur në zonën e tij, me gjobë 100 000 lekë.
2. Çdo person, që nuk ka raportuar ose që ka paraqitur një raport të rremë, që nuk është në përputhje me dispozitat e pikës 4 të nenit 6 të këtij ligji, kryen kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet nga zyra vendore e energjisë, e vendosur në zonën e tij, me gjobë 50 000 lekë.
3. Çdo person që pas kërkesës nuk ka raportuar ose që ka paraqitur një raport të rremë, që nuk është në përputhje me dispozitat e pikës 5 të nenit 6 të këtij ligji, kryen kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet nga zyra vendore e energjisë, e vendosur në zonën e tij, me gjobë 5 000 lekë.
4. Çdo person që shkel dispozitat e nenit 7 të këtij ligji, gjobitet nga Inspektorati i Pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike me gjobë 100 000 lekë.
5. Gjobat e vendosura sipas pikave 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni derdhen në Buxhetin e Shtetit. Neni 14 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shpallur me dekretin nr.4571, datë 12.5.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu