跳到主要内容
Nelum
阿尔巴尼亚的法律

Law No. 9362 on the Plant Protection Service

颁布于 2005-03-24 · 文本截至 2026-10-01

以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。

研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。

research.laws.repealedOn

关于这部法律

语言
Albanian
类型
法令
组织
European Union
国家
阿尔巴尼亚
主题
Cultivated plants
关键词
plant protection, quarantine, pests/diseases, pesticides, international trade, institution, inspection, offences/penalties, governance
类别
*, agriculture

在哪里阅读

    该法律没有记录来源链接。

文本

所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。

  1. LIGJ Nr. 9362, datë 24.3.2005 PËR SHËRBIMIN E MBROJTJES SË BIMËVE Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi Qëllimi i këtij ligji është: a) të mbrojë bimët dhe produktet bimore nga parazitët; b) të parandalojë hyrjen dhe përhapjen e parazitëve në territorin e Republikës së Shqipërisë; c) të mbrojë shëndetin e njerëzve, të kafshëve, si dhe mjedisin nga përdorimi i produkteve për mbrojtjen e bimëve; ç) të garantojë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së bimëve. Neni 2 Përkufizime Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohen: 1. “Inspektor” është inspektori i mbrojtjes së bimëve dhe karantinës. 2. “Parazit” është dëmtuesi, sëmundja dhe barërat e këqija, të dëmshme ose potencialisht të dëmshme për bimët dhe produktet bimore. 3.“Parazit karantinor” është një parazit i rrezikshëm, me ndikim të rëndësishëm ekonomik, që nuk është vërejtur ose është vërejtur në vendin tonë, por nuk është i përhapur gjerësisht. 4. “Produkt për mbrojtjen e bimëve (PMB)” është çdo produkt që përmban një ose më shumë lëndë vepruese, i cili përdoret: a) për mbrojtjen e bimëve dhe të produkteve bimore nga parazitët ose për parandalimin e veprimit të tyre; b) për të ndikuar në proceset jetësore të bimëve, por me veprim të ndryshëm nga plehërat kimike (për shembull, rregullatorët e rritjes); c) për të shkatërruar bimët e padëshirueshme, pjesët bimore, si dhe për të mbajtur nën kontroll ose për të parandaluar rritjen e pjesëve bimore të padëshirueshme. 5. “Regjistrim” është miratimi për tregtim dhe përdorim të një PMB-je nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, bazuar në procedurën e vlerësimit të të dhënave shkencore të plota, të cilat vërtetojnë se PMB-ja është efektive për qëllimet e përdorimit dhe nuk përbën rrezik për njerëzit, kafshët dhe mjedisin. 6. “Zonë” është territori ose pjesë e territorit që i përket një apo më shumë fshatrave, komunave, bashkive ose qarqeve. 7. “Mbetje të PMB-së” janë një ose më shumë lëndë vepruese të pranishme në bimë, në produkte me origjinë bimore, në produkte të ngrënshme me origjinë shtazore, në mjedis, si rrjedhojë e përdorimit të PMB-së, duke përfshirë këtu edhe metabolitet dhe produktet që dalin nga shpërbërjet e tyre. 8. “Mbrojtje e bimëve” është mbrojtja e bimëve nga dëmtimet që shkaktohen prej parazitëve. 9. “Mbrojtje e integruar” është përdorimi i kombinuar dhe i arsyeshëm i masave biologjike, bioteknologjike, kimike dhe teknikave të kultivimit, të cilat kufizojnë përdorimin e PMB-së në minimumin e nevojshëm, për të mbajtur popullatat e parazitëve në atë nivel, ku dëmi ekonomik është i pranueshëm. 10. “Certifikim i materialit shumëzues” është një procedurë ku bimët mëmë, kandidate për dhënien e materialit shumëzues, kalojnë nëpër analiza dhe, kur është e nevojshme, në trajtim të veçantë, për të siguruar pastërtinë nga viruset dhe organizmat e tjerë të ngjashëm me ta. 11. “Praktika të mira të mbrojtjes së bimëve” është tërësia e masave për luftimin e parazitëve me metodat kimike, duke respektuar kushtet në të cilat PMB-të janë regjistruar, si: respektimi i kufijve kritikë, zgjedhja e dozës dhe volumit, koha dhe numri i trajtimeve, mbrojtja e entomofaunës natyrore dhe e mjedisit, si dhe kujdesi për shëndetin e përdoruesve dhe konsumatorëve. 12. “Objekte të tjera” janë çdo vend ruajtje, mjet transporti, konteiner, tokë, organizma të gjallë etj., që shërbejnë për strehimin ose përhapjen e parazitëve. 13. “Bimë” janë bimë të gjalla ose pjesë të tyre të gjalla, përfshirë farërat dhe germoplazmën. 14. “Prekje ose infeksion” është prania e parazitëve të gjallë në bimë, në produkte bimore dhe në objekte të tjera. 15. “Inspektim” është shqyrtimi pamor i bimëve, i produkteve bimore dhe i objekteve të tjera, i kryer nga inspektori, për të përcaktuar nëse ato janë të infektuar ose të prekur me parazitë dhe nëse ato janë në përputhje me dispozitat e këtij ligji. 16. “Karantinë bimore” është tërësia e masave parandaluese për hyrjen dhe/ose përhapjen e një paraziti karantinor. 17. “Produkt bimor” është material me origjinë bimore, i përpunuar ose jo, i cili mund të përbëjë rrezik për hyrjen dhe përhapjen e parazitëve dhe parazitëve karantinorë. 18.“Trajtim” është procedurë e autorizuar për ngordhjen, largimin ose bërjen të pashumëzueshëm të parazitëve. 19.“Certifikatë fitosanitare” është një dokument zyrtar i lëshuar nga Shërbimi i Mbrojtjes së Bimëve, i cili tregon se kushtet fitosanitare të bimëve, të produkteve bimore dhe të objekteve të tjera plotësojnë standardet e përcaktuara nga vendi importues. 20.“Masa të veçanta luftimi” është një tërësi masash karantinore, kimike agroteknike etj., që ndërmerren në rastet e shtimit dhe përhapjes masive të parazitëve dhe që synojnë në uljen e infeksionit nën nivelin e dëmit ekonomik ose në çrrënjosjen e plotë të tyre. KREU II ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I STRUKTURAVE PËRGJEGJËSE TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES SË BIMËVE Neni 3 Drejtimi dhe përbërja e Shërbimit të Mbrojtjes së Bimëve Shërbimi i Mbrojtjes së Bimëve drejtohet nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit dhe përbëhet nga: a) Drejtoria e Mbrojtjes së Bimëve; b) Instituti i Mbrojtjes së Bimëve. Neni 4 Drejtoria e Mbrojtjes së Bimëve 1. Drejtoria e Mbrojtjes së Bimëve është autoriteti kompetent që harton politikën e mbrojtjes së bimëve, si dhe organizon dhe ndjek zbatimin praktik e shkencor të këtij shërbimi nëpërmjet: a) Inspektoratit të Mbrojtjes së Bimëve dhe të Karantinës në nivel qendror (Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit) dhe rajonal (qarku), i cili kontrollon zbatimin e këtij ligji dhe të akteve nënligjore, që rrjedhin prej tij; b) Sekretarisë (Zyrës) së Regjistrimit të PMB-ve dhe Certifikimit të Materialit Shumëzues, e cila merret me procedurën e regjistrimit të PMB-ve, si dhe me procedurën e certifikimit të materialit shumëzues të specieve që shtohen në mënyrë vegjetative; c) Komisionit Shtetëror të Regjistrimit të PMB-ve (KSHRPMB), si organ kolegjial teknik, i cili funksionon në mënyrë periodike në procedurën e regjistrimit të PMB-ve; ç) laboratorëve rajonalë (të qarkut) të mbrojtjes së bimëve, të cilët merren me diagnostikimin dhe monitorimin e parazitëve dhe të parazitëve karantinorë, duke përcaktuar edhe masat e luftimit të tyre. 2. Drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Bimëve është njëkohësisht kryeinspektor i këtij shërbimi. Neni 5 Instituti i Mbrojtjes së Bimëve Instituti i Mbrojtjes së Bimëve është institucioni kërkimor shkencor dhe referencë kombëtare në zbatimin e këtij ligji, i cili ka për detyrë: a) të monitorojë parazitët karantinorë, të përcaktojë statusin e tyre, metodat e kontrollit karantinor dhe të njoftojë Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit; b) të bëjë kontrollin cilësor të PMB-ve dhe të mbetjeve të tyre në bimë, në produkte bimore, në ujë dhe në tokë; c) të bëjë diagnostikimin dhe prognozë-sinjalizimin e parazitëve, duke përcaktuar edhe masat e luftimit të tyre; ç) të bëjë provat biologjiko-agronomike, si dhe analizat fiziko-kimike të PMB-ve për regjistrimin e tyre. Neni 6 Bashkëpunimi Drejtoria e Mbrojtjes së Bimëve bashkëpunon dhe koordinon punën me Drejtorinë e Përgjithshme të Standardizimit për përshtatjen e standardeve ndërkombëtare në Shërbimin e Mbrojtjes së Bimëve. Neni 7 Bazueshmëria ligjore e Shërbimit të Mbrojtjes së Bimëve Organizimi dhe veprimtaria e Shërbimit të Mbrojtjes së Bimëve rregullohet me këtë ligj, si dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. KREU III LUFTIMI I PARAZITËVE Neni 8 Masat paraprake të luftimit të parazitëve Personat fizikë dhe juridikë që kultivojnë, prodhojnë, magazinojnë, përpunojnë dhe tregtojnë bimë dhe produkte bimore, janë të detyruar: a) të marrin masa paraprake kundër parazitëve, si dhe të parandalojnë shumëzimin dhe përhapjen e tyre; b) të vrojtojnë bimësinë, tokën dhe produktet bimore për shfaqjen e parazitëve dhe t’i luftojnë ato në bazë të praktikave të mira të mbrojtjes së bimëve dhe të kritereve të mbrojtjes së integruar. Neni 9 Fondet e veçanta për mbrojtjen e bimëve 1. Në buxhetin vjetor që miratohet për Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit planifikohen fonde të veçanta për mbrojtjen nga parazitët të bimëve të kultivuara apo spontane. 2. Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit nxjerr urdhër për mbrojtjen nga parazitët, luftimi i të cilëve përballohet me këto fonde. Neni 10 Masat e veçanta të luftimit të parazitëve 1. Në rastet emergjente të përhapjes dhe shtimit masiv të parazitëve, të cilët nuk mund të kufizohen me metodat e zakonshme të luftimit, Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit me urdhër përcakton masa të veçanta për luftimin e tyre, duke mobilizuar për këtë qëllim subjektet shtetërore dhe private, të cilët zotërojnë kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe materiale. 2. Shpenzimet e luftimit në këto raste përballohen nga buxheti vjetor i Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Neni 11 Pastërtia e materialit shumëzues dhe mbjellës 1. Materialet bimore për shumëzim ose mbjellje lejohet të përdoren vetëm pasi t’i jenë nënshtruar inspektimit fitosanitar dhe të jenë pajisur me certifikatë fitosanitare. 2. Speciet drufrutore dhe hardhia, të cilat shtohen në mënyrë vegjetative, i nënshtrohen procedurës së certifikimit të materialit shumëzues për të siguruar pastërtinë nga viruset dhe organizma të tjerë të ngjashëm me to. Neni 12 Udhëzime të Ministrit Rregullat për luftimin e parazitëve përcaktohen me udhëzime të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. KREU IV INSPEKTIMI KARANTINOR FITOSANITAR Neni 13 Detyrimi për inspektim karantinor fitosanitar Importi, eksporti dhe kalimi tranzit në territorin e Republikës së Shqipërisë i bimëve, i produkteve bimore dhe i objekteve të tjera bëhet në pikat doganore të hyrjes, ku funksionon inspektimi karantinor fitosanitar dhe i nënshtrohen këtij inspektimi. Neni 14 Veprimtari të ndaluara Ndalohet: 1. Importi, eksporti dhe kalimi tranzit i bimëve, i produkteve bimore dhe i objekteve të tjera të infektuara me parazitë karantinorë. 2. Importi, eksporti dhe kalimi tranzit i bimëve, i produkteve bimore dhe i objekteve të tjera, nëse ato nuk janë të pajisura me certifikatë fitosanitare. 3. Shumëzimi dhe kultivimi i bimëve të infektuara me parazitë karantinorë. Neni 15 Bashkëpunimi për inspektimin karantinor fitosanitar Për zbatimin e këtij ligji inspektori bashkëpunon, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, me policinë kufitare, me punonjësit e doganës, me agjencitë rrugore, detare dhe hekurudhore, me kapiteneritë e porteve detare, me Inspektoratin Sanitar Shtetëror dhe me Inspektoratin Veterinar. Ai është pjesë e grupit të praktikës doganore, që merr kontaktin e parë me mjetet që transportojnë bimë, produkte bimore dhe objekte të tjera. Neni 16 Njoftimi i organeve të Shërbimit të Mbrojtjes së Bimëve Personat fizikë dhe juridikë, që merren me kultivimin, prodhimin dhe magazinimin e bimëve dhe të produkteve bimore, kur vërejnë ose dyshojnë për një parazit të pahasur më parë në një zonë ose për shtim masiv të një paraziti, janë të detyruar të njoftojnë menjëherë organet e Shërbimit të Mbrojtjes së Bimëve, si dhe të sigurojnë një mostër të tij. Neni 17 Shpallja e zonës së prekur Kur në një zonë shfaqet një parazit karantinor, Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit e shpall me urdhër këtë zonë të prekur dhe përcakton masat për kufizimin e përhapjes së parazitit karantinor deri në çrrënjosjen e tij. Urdhri u bëhet i njohur organeve të qeverisjes vendore dhe prodhuesve, personave fizikë e juridikë që merren me kultivimin, prodhimin dhe magazinimin e bimëve dhe të produkteve bimore. Neni 18 Bllokimet Inspektori bllokon bimë, produkte bimore dhe objekte të tjera kur vëren se ka shkelje të neneve 13, 14 dhe 16 të këtij ligji. Menjëherë pas bllokimit, inspektori njofton me shkrim zotëruesin e tyre për kohën dhe arsyen e bllokimit. Neni 19 Shumëzimi i parazitëve për qëllime kërkimore Mbajtja dhe shumëzimi i parazitëve karantinorë për qëllime kërkimore dhe eksperimentale lejohet me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, kur ai gjykon se institucioni kërkimor zotëron mjetet e nevojshme që garantojnë me protokoll të veçantë mospërhapjen e parazitit karantinor. Neni 20 Rregullat për inspektimin karantinor fitosanitar Rregullat për inspektimin karantinor fitosanitar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. KREU V PRODUKTET PËR MBROJTJEN E BIMËVE Neni 21 Regjistrimi i PMB-ve Të gjitha PMB-të që hyjnë dhe/ose përdoren në territorin e Republikës së Shqipërisë i nënshtrohen procedurës së regjistrimit. Neni 22 Insitucionet vlerësuese të PMB-ve 1. Institucionet për vlerësimin e PMB-ve gjatë procedurës së regjistrimit janë: a) Instituti i Mbrojtjes së Bimëve, i cili bën vlerësimin biologjik dhe agronomik; b) Instituti i Kërkimeve Veterinare, i cili bën vlerësimin toksikologjik në kafshë; c) Instituti i Shëndetit Publik, i cili bën vlerësimin toksikologjik në njerëz; ç) Ministria e Mjedisit, e cila bën vlerësimin e ndikimit në mjedis. 2. Rregullat e regjistrimit dhe kriteret e vlerësimit të PMB-ve nga institucionet e përmendura në pikën 1 të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, Ministrit të Shëndetësisë dhe Ministrit të Mjedisit. Neni 23 Importimi dhe tregtimi 1. Lejohet importimi dhe tregtimi i PMB-ve të regjistruara. 2. Importimi i PMB-ve të regjistruara kryhet me leje importi, të lëshuar nga Drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Bimëve, bazuar në propozimin e dhënë nga komisioni i ngritur për këtë qëllim. 3. Tregtimi i PMB-ve kryhet me leje tregtimi, të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale të bujqësisë dhe ushqimit, bazuar në propozimin e dhënë nga komisioni i ngritur për këtë qëllim. Neni 24 Transporti, ruajtja dhe përdorimi 1. Transporti i PMB-ve kryhet me mjete të sigurta dhe të përshtatshme. 2. Ruajtja e PMB-ve bëhet në mjedise të caktuara për këtë qëllim, larg qendrave të banuara dhe atyre publike, për të mënjanuar ndikimet negative në mjedis. 3. PMB-të përdoren duke respektuar kërkesat dhe udhëzimet, që jepen në dokumentin e regjistrimit. Neni 25 Kualifikimi 1. Të drejtën e importimit dhe tregtimit të PMB-ve e kanë personat e diplomuar në fushën e agronomisë, ose që kanë të punësuar persona të diplomuar në fushën e agronomisë. 2. PMB-të shumë helmues (klasa 1a) dhe helmues (klasa 1b) përdoren vetëm nga personat e përmendur në pikën 1 të këtij neni, si dhe nga ata që janë të instruktuar e të pajisur me dëshmi aftësie. Neni 26 Akte nënligjore për PMB-të Rregullat për importimin, tregtimin, transportin, ruajtjen, përdorimin dhe asgjësimin e PMB-ve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. KREU VI KUNDËRVAJTJE ADMINISTRATIVE Neni 27 Kundërvajtje administrative Kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme të dispozitave të këtij ligji: 1. Moszbatimi nga personat fizikë e juridikë të kërkesave të nenit 8 të këtij ligji. 2. Moszbatimi nga subjektet shtetërore dhe private të kërkesave të pikës 1 të nenit 10 të këtij ligji. 3. Përdorimi i materialeve bimore për shumëzim ose mbjellje pa iu nënshtruar inspektimit fitosanitar dhe pa u pajisur me certifikatë fitosanitare, në kundërshtim me pikën 1 të nenit 11 të këtij ligji. 4. Importi, eksporti dhe kalimi tranzit në territorin e Republikës së Shqipërisë i bimëve, i produkteve bimore dhe i objekteve të tjera, në kundërshtim me kërkesat e nenit 13 të këtij ligji. 5. Importi, eksporti dhe kalimi tranzit në territorin e Republikës së Shqipërisë i bimëve, i produkteve bimore dhe i objekteve të tjera, si dhe shumëzimi dhe kultivimi i bimëve, në kundërshtim me kërkesat e nenit 14 të këtij ligji. 6. Mosrespektimi i detyrimeve për njoftimin e rasteve të shfaqjes së një paraziti të ri ose të shtimit masiv të tij, në kundërshtim me kërkesat e nenit 16 të këtij ligji. 7. Përdorimi në territorin e Republikës së Shqipërisë i PMB-ve, në kundërshtim me kërkesën e nenit 21 të këtij ligji. 8. Importimi dhe tregtimi i PMB-ve, në kundërshtim me kërkesat e neneve 23 dhe 25 pika 1 të këtij ligji. 9. Transporti, ruajtja dhe përdorimi i PMB-ve, në kundërshtim me kërkesat e nenit 24 të këtij ligji. 10. Përdorimi i PMB-ve të veçanta, në kundërshtim me kërkesat e pikës 2 të nenit 25 të këtij ligji. Neni 28 Sanksione 1. Për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në pikat 1, 2 dhe 6 të nenit 27 të këtij ligji, nga inspektori jepen dënime me gjobë 5 000 lekë. 2. Për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në pikat 3, 4, 5 dhe 10 të nenit 27 të këtij ligji, nga inspektori jepen dënime me gjobë 10 000 lekë. 3. Për kundërvajtjet administrative të parashikuara në pikën 9 të nenit 27 të këtij ligji, nga inspektori jepen dënime me gjobë 15 000 lekë. 4. Për kundërvajtjet administrative të parashikuara në pikat 7 e 8 të nenit 27 të këtij ligji, nga inspektori jepen dënime me gjobë 20 000 lekë. Neni 29 Procedurat e kundërvajtjes administrative 1. Të drejtën e dhënies së masës administrative, siç është përcaktuar në nenin 27, e ka inspektori. 2. Kundër vendimit të inspektorit mund të bëhet ankim me shkrim te Drejtori i Mbrojtjes së Bimëve brenda 5 ditëve nga shpallja ose marrja e njoftimit të vendimit. Drejtori i Mbrojtjes së Bimëve duhet t’i përgjigjet ankimit brenda 10 ditëve nga paraqitja e tij. 3. Kundër vendimit të Drejtorit të Mbrojtjes së Bimëve, ose kur ai nuk përgjigjet sipas afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor, ku është kryer kundërvajtja, brenda 30 ditëve nga data e shpalljes ose e marrjes së njoftimit të vendimit. Neni 30 Ekzekutimi i vendimit Ekzekutimi i vendimit kryhet sipas procedurave të përcaktuara në nenet 19 dhe 20 të ligjit nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”. KREU VII DISPOZITA TË FUNDIT Neni 31 Akte nënligjore Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 7, 20, 22 pika 2 dhe 26 të këtij ligji. Ngarkohet Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 12 të këtij ligji. Neni 32 Shfuqizime Ligji nr.7662, datë 19.1.1993 “Për Shërbimin e Mbrojtjes së Bimëve”, i ndryshuar, shfuqizohet. Neni 33 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shpallur me dekretin nr.4536, datë 13.4.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu

Law No. 9362 on the Plant Protection Service · Nelum