Law No. 9244 on agricultural land protection
颁布于 2004-06-17 · 文本截至 2026-10-01
以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。
研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。
关于这部法律
- 语言
- Albanian
- 类型
- 法令
- 组织
- European Union
- 国家
- 阿尔巴尼亚
- 主题
- Land and soil
- 关键词
- agricultural land, soil conservation/soil improvement, soil rehabilitation, institution, offences/penalties, governance
在哪里阅读
该法律没有记录来源链接。
文本
所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。
REPUBLIKA E SHQIPËRISË K U V E N D I L I G J Nr.9244, datë 17.6.2004 PËR MBROJTJEN E TOKËS BUJQËSORE Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi Ky ligj ka për qëllim: 1. Të përcaktojë parimet, rregullat dhe institucionet për ruajtjen dhe përmirësimin në mënyrë të qëndrueshme të funksioneve që përmbush toka bujqësore dhe, në veçanti, pjellorinë e saj. 2. Të harmonizojë të drejtat dhe përfitimet, që rrjedhin nga pronësia mbi tokën bujqësore, me detyrimet dhe përgjegjësitë për mbrojtjen dhe përdorimin e saj të qëndrueshëm. 3. Të ruajë dhe të rehabilitojë tokën bujqësore nga veprimi i dëmshëm i faktorëve të ndryshëm klimatikë dhe njerëzorë. Neni 2 Përkufizime Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm kuptohen: 1. "Tokë" është shtresa e sipërme e kores së tokës, që përfshin lëndën minerale, lëndën organike, pjesën e lëngshme, pjesën e gaztë, pjesën biotike dhe që përmbush funksionet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni. 2. "Funksione që përmbush toka" janë: a) funksionet natyrore, si krijuese të bazës së jetës dhe hapësirës për jetesën e njerëzve, të faunës dhe të florës; si pjesë përbërëse e pasurisë natyrore, që zotëron cilësinë e veçantë të pjellorisë natyrore, në të cilën qarkullojnë uji e lëndët ushqyese; si mjet formimi, shpërbërjeje dhe ruajtjeje për bashkëveprimin e lëndëve, në bazë të vetive filtruese, shtytëse e transformuese të tyre, në mënyrë të veçantë për mbrojtjen e ujërave nëntokësore; b) funksionet si arkiv i historisë së natyrës dhe të kulturës; c) funksione të tjera në dobi të njeriut, që nuk janë objekt i drejtpërdrejtë i këtij ligji. 3. "Tokë bujqësore" është sipërfaqja e tokës që si e tillë figuron në regjistrat kadastralë të shtetit, e zënë me bimët e arave, pemishtet, vreshtat dhe ullishtet, kudo ku ndodhet dhe që ka veçori thelbësore të saj pjellorinë. 4. "Pjelloria e tokës bujqësore" është aftësia natyrore e tokës për sigurimin e njëkohshëm të ujit dhe të elementeve ushqyese për bimët dhe krijimi i kushteve të përshtatshme fizike dhe biokimike për to. 5. "Shfaqje e rrezikut të dëmtimit të tokës bujqësore" është çdo rast kur vihen re mundësi që çojnë në dëmtimin e funksioneve, që përmbush toka bujqësore, të përcaktuara në shkronjat "a" dhe "b" të pikës 2 të këtij neni. 6. "Dëmtim toke" është çdo rast kur preken funksionet, që përmbush toka, të përcaktuara në shkronjat "a" dhe "b" të pikës 2 të këtij neni. 7. "Mbrojtja e tokës bujqësore" është tërësia e veprimeve dhe e masave, që kryhen për mirëmbajtjen e tokës bujqësore, ruajtjen nga dëmtimi dhe rreziku i dëmtimit të çdo forme, si dhe pengimin e shmangien e faktorëve dëmtues të tokës të çdo natyre. 8. "Rehabilitimi i tokës bujqësore" është tërësia e masave dhe e veprimeve që vihen në përdorim dhe sigurojnë: a) shmangien ose pakësimin e dëmtimeve të sipërfaqes së tokës bujqësore, si dhe normalizimin dhe përmirësimin e përbërjes fizike, kimike dhe biologjike të saj; b) shmangien ose pakësimin, në kufij të lejueshëm, të lëndëve të dëmshme dhe që sigurojnë qëndrueshmëri afatgjatë të masave të përdorura. 9. "Vlerat kufij të treguesve të tokës bujqësore" janë normat e treguesve fizikë, kimikë e biologjikë të tokës bujqësore, të përcaktuara nga shteti, në kufijtë e të cilëve vlerësohet gjendja e qëndrueshme e funksioneve që përmbush toka, sipas përcaktimit në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 2 të këtij neni. 10. "Shkatërrimi i tokës bujqësore" është dëmtimi i rëndë i tokës bujqësore nga shkaqe të ndryshme edhe kur masat rehabilituese nuk mund t'i kthejnë tokës bujqësore pjellorinë dhe funksionet që ajo përmbush. Neni 3 Objekti Objekte të zbatimit të këtij ligji janë: a) toka bujqësore, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 2 të këtij ligji, e cila figuron në regjistrat kadastralë të shtetit, përfshirë të gjithë përbërësit e saj; b) të gjitha sipërfaqet, sipas përcaktimit të shkronjave "c", "ç", "d, "dh", "e" dhe "ë" të nenit 11 të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001 "Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës", si dhe çdo sipërfaqe tjetër toke, që natyrshëm bashkohet me sipërfaqen e tokës bujqësore dhe që ndikon drejtpërdrejt në funksionet që ajo përmbush. Gjerësia e kësaj sipërfaqeje toke shtrihet në distancë deri në 1 km nga kufiri ndarës i tokës bujqësore, në varësi të kushteve tokësore dhe gjeografike. KREU II STRUKTURAT SHTETËRORE PËR MBROJTJEN E TOKËS BUJQËSORE, DETYRIMET DHE PËRGJEGJËSITË E TYRE Neni 4 Strukturat shtetërore Autoritetet shtetërore dhe strukturat pranë tyre, të cilat kanë detyrime dhe përgjegjësi për mbrojtjen e tokës bujqësore janë: a) Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit; b) Komiteti Shtetëror i Mbrojtjes së Tokës (KSHMT); c) Inspektorati Shtetëror i Mbrojtjes së Tokës (ISHMT); ç) këshilli i qarkut; d) kryetari i këshillit të qarkut; dh) Komisioni i Mbrojtjes së Tokës (KMT) në qark; e) Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës (IMT) në qark; ë)këshilli i komunës ose këshilli i bashkisë; f)kryetari i komunës ose kryetari i bashkisë. Neni 5 Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit Autoriteti më i lartë Shtetëror, që drejton veprimtarinë për mbrojtjen e tokës bujqësore është Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit, e cila ka këto detyra: a) drejtimin teknik dhe administrativ të të gjitha strukturave shtetërore, të ngarkuara për zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij; b) ushtrimin e kontrolleve të vazhdueshme për zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij, për veprimtarinë e të gjitha organeve të tjera të ngarkuara në këtë ligj, pronarë e posedues të ligjshëm të tokës, për të gjithë personat fizikë e juridikë, që me veprimtarinë e tyre ndikojnë në çfarëdo mënyre mbi tokën bujqësore; c) përcaktimin e normave teknike për mbrojtjen e tokës bujqësore me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit; ç) shndërrimin e Sektorit të Mbrojtjes së Tokës në Inspektorat Shtetëror të Mbrojtjes së Tokës, si organ epror dhe i specializuar kontrolli për zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij në të gjithë territorin e vendit dhe plotësimin e tij me specialistë të emëruar në përputhje me ligjin nr.8549, datë 11.11.1999, "Statusi i nëpunësit civil". Neni 6 Komiteti Shtetëror i Mbrojtjes së Tokës Komiteti Shtetëror i Mbrojtjes së Tokës, nën drejtimin e Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit, krijohet si organ ndërministror dhe ka këto detyra dhe përgjegjësi: a) të bashkërendojë punën e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ushqimit, Ministrisë së Mjedisit, institucioneve të tjera, si dhe organeve të qeverisjes vendore, të ngarkuara nga ky ligj për mbrojtjen e tokës, për të gjitha veprimtaritë që kryhen mbi tokën bujqësore, lidhen me të dhe ndikojnë në mbrojtjen e tokës bujqësore; b) të marrë vendime të detyrueshme për t'u zbatuar nga organet e tjera shtetërore, që ky ligj i ngarkon për mbrojtjen e tokës bujqësore. Neni 7 Këshilli i qarkut Këshilli i qarkut, me strukturat në varësi të tij, ka këto detyra: a) drejtimin administrativ dhe teknik të të gjitha strukturave shtetërore në territorin e qarkut që ky ligj i ngarkon për mbrojtjen e tokës bujqësore; b) nxjerrjen e vendimeve të detyrueshme për t'u zbatuar nga të gjitha organet e pushtetit vendor në territorin e qarkut: i) për masat konkrete të mbrojtjes së tokës bujqësore; ii) për miratimin e fondeve të nevojshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e tokës bujqësore mbi bazën e propozimeve të paraqitura nga KMT-ja ose IMT-ja e komunave ose e bashkive; iii) për miratimin e KMT-së, me propozimin e kryetarit të këshillit të qarkut; iv) për harmonizimin e veprimtarisë për mbrojtjen e tokës bujqësore ndërmjet komunave ose bashkive, kur territoret kufizohen ndërmjet tyre; c) shpalljen e zonave të tokave bujqësore në mbrojtje, në territorin e qarkut, sipas përcaktimeve të nenit 24 të këtij ligji. Neni 8 Komisioni i Mbrojtjes së Tokës 1. Për bashkërendimin e veprimtarive për mbrojtjen e tokës bujqësore pranë këshillit të qarkut krijohet Komisioni i Mbrojtjes së Tokës (KMT). 2. Në përbërje të këtij komisioni marrin pjesë kryetarët e komunave ose bashkive, drejtori i policisë në prefekturën e qarkut, përgjegjësi i agjencisë rajonale të mjedisit, drejtuesi i policisë ndërtimore, drejtori i drejtorisë rajonale të bujqësisë dhe ushqimit, drejtori i drejtorisë rajonale të ujërave, drejtori i drejtorisë së shërbimit pyjor, si dhe drejtues të institucioneve, veprimtaria e të cilave ndikon mbi tokën bujqësore. Këta të fundit miratohen nga këshilli i qarkut. 3. Komisioni i Mbrojtjes së Tokës organizon grupe të veçanta me specialistë të institucioneve të ndryshme në territorin e qarkut për të verifikuar, kontrolluar ose studiuar çështje të veçanta për masat mbrojtëse për tokën bujqësore. 4. Kryetari i këshillit të qarkut është njëkohësisht edhe kryetari i KMT-së. Neni 9 Kryetari i këshillit të qarkut dhe strukturat e tjera në qark 1. Kryetari i këshillit të qarkut shqyrton dhe vendos për ankesat që i paraqiten nga persona fizikë e juridikë, për sanksionet që janë vendosur ndaj tyre nga Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës në qark, si dhe për vendimet që janë marrë ndaj tyre nga strukturat e tjera të pushtetit vendor, për mbrojtjen e tokës bujqësore. 2. Pranë seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qark krijohet Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës, i përbërë nga specialistë të emëruar, në përputhje me ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil". IMT-ja në qark ka varësi teknike nga Inspektorati Shtetëror i Mbrojtjes së Tokës pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ushqimit. 3. Seksioni i administrimit të mbrojtjes së tokës në këshillin e qarkut krijon regjistrin e mbrojtjes së tokës bujqësore. Sistemi i të dhënave, përmbajtja dhe forma e regjistrit të mbrojtjes së tokës bujqësore miratohen nga Ministri i Bujqësisë dhe i Ushqimit dhe Ministri i Mjedisit. Neni 10 Këshilli i komunës ose këshilli i bashkisë. Kryetari i komunës ose kryetari i bashkisë 1. Autoriteti përgjegjës për mbrojtjen e tokës bujqësore, për të gjithë territorin në juridiksionin e tij, është këshilli i komunës ose këshilli i bashkisë që ka këto detyra: a) të bëjë kontrollin e zbatimit të dispozitave të këtij ligji brenda juridiksionit të tij; b) të nxjerrë vendime të detyrueshme për zbatim, për mbrojtjen e tokës bujqësore nga pronarët dhe poseduesit e ligjshëm të tokës bujqësore, si dhe për persona fizikë e juridikë, veprimtaria e të cilëve në çfarëdo lloj mënyre ndikon mbi funksionet që përmbush toka bujqësore; c) të shqyrtojë raportet e kontrolleve për dëmtimin e tokave bujqësore dhe të nxjerrë vendimet përkatëse; ç) të bashkërendojë veprimtaritë për mbrojtjen e tokës bujqësore brenda fshatrave, ndërmjet fshatrave, brenda juridiksionit të komunës, si dhe ndërmjet shoqatave të ndryshme, kur veprimtaria e tyre ka si objekt tokën bujqësore në këtë territor; d) të bashkërendojë veprimtarinë e tij për mbrojtjen e tokës bujqësore me komunat ose bashkitë e tjera, kur territoret e tokave kufizohen me njëri-tjetrin; dh) të bashkërendojë veprimtarinë me këshillin e qarkut, me KMT-në dhe IMT-në e qarkut, si dhe të ndjekë zbatimin e vendimeve të organeve eprore kur kanë si objekt territorin në juridiksionin e tyre; e) të krijojë në buxhetin e tij fondin për mbrojtjen e tokës bujqësore me burime nga tatimi për tokën bujqësore. Shuma vjetore e këtij fondi të shërbejë për masat mbrojtëse për tokën bujqësore dhe të jetë jo më pak se 40 për qind e fondit të krijuar dhe të miratohet nga këshilli në mbështetje të rekomandimeve të këshillit të qarkut, si dhe të gjendjes konkrete të territorit të komunës; ë) të shqyrtojë ankesat, që i paraqiten nga persona fizikë e juridikë, që kanë si objekt masat mbrojtëse për tokën bujqësore, si dhe shmangien e rreziqeve të dëmtimit të tokës bujqësore nga faktorë natyrorë e artificialë. 2. Kryetari i komunës ose kryetari i bashkisë ka për detyrë: a) të drejtojë dhe të kontrollojë punën e drejtuesve të nëndarjeve të komunës dhe të administratorëve të caktuar në nëndarjet e bashkisë për veprimtaritë për mbrojtjen e tokës bujqësore; b) të raportojë në KMT-në e qarkut për gjendjen në territorin e tij; c) të zbatojë vendimet dhe urdhëresat e këshillit të qarkut dhe KMT-së, që kanë si objekt territorin e komunës ose bashkisë. Neni 11 Detyra të tjera të strukturave shtetërore për mbrojtjen e tokës bujqësore Përbërja, mënyra e fuksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë e Komitetit Shtetëror të Mbrojtjes së Tokës, Inspektoratit Shtetëror të Mbrojtjes së Tokës në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit, Komisionit të Mbrojtjes së Tokës, si dhe të Inspektoratit të Mbrojtjes së Tokës në qark, përveç sa përcaktohen në dispozitat e këtij ligji, plotësohen edhe me akte të tjera nënligjore, me vendime të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit dhe të Ministrit të Mjedisit. KREU III PARANDALIMI I DËMTIMIT TË TOKËS BUJQËSORE Neni 12 Mbrojtja e tokës bujqësore nga dëmtimet Pronarët, posedues të tjerë të ligjshëm të tokës, strukturat shtetërore dhe autoritetet vendimmarrëse, çdo person fizik ose juridik, që me veprimin ose mosveprimin e tyre ushtrojnë në çfarëdo mënyre ndikim mbi tokën, detyrohen ta mbrojnë atë nga dëmtimet dhe rreziqet e mundshme, ta miradministrojnë atë dhe të sigurojnë qëndrueshmërinë e funksioneve që përmbush toka bujqësore. Neni 13 Qëndrueshmëria e burimeve të tokës bujqësore sipas kategorizimit 1. Pronarët e tokës dhe poseduesit e tjerë të ligjshëm, si dhe autoritetet shtetërore për mbrojtjen e tokës bujqësore, detyrohen që, në të gjithë madhësinë e sipërfaqes në pronësi, të sigurojnë qëndrueshmërinë e burimeve të tokës bujqësore, sipas kategorizimit të bërë në regjistrat kadastralë të shtetit. 2. Ndryshimi i tokës bujqësore në kategori të tjera burimesh, si në tokë urbane, tokë pyjore, pyll, kullotë, livadh dhe tokë e pafrytshme bëhet sipas përcaktimit në ligjin nr.8752, datë 26.3.2001 "Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës", si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Neni 14 Mbrojtja e tokës bujqësore nga ndërtimet 1. Ndalohet veprimtaria ndërtimore në tokat bujqësore, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni. 2. Propozimi për zgjerimin e vijës kufizuese të ndërtimit në hapësirat e tokës bujqësore bëhet në bazë të studimeve rajonale dhe masterplaneve, vetëm kur është vërtetuar dhe argumentuar: a) mungesa e plotë e sipërfaqeve të tjera fizike me tokë urbane të lirë, brenda vijave kufizuese të ndërtimit; b) mungesa e sipërfaqeve me tokë urbane, që mund të ripërdoret nëpërmjet prishjes së ndërtimeve të vjetra dhe kryerjes së ndërtimeve të reja, në përputhje me rregullat dhe normat urbanistike; c) mungesa e tokave të tjera të pafrytshme ose me vlera më të ulëta pjellorie natyrore, sipas bonitetit. Argumentimi për këto raste përgatitet nga organi i ngarkuar me ligj për hartimin dhe mbrojtjen e studimit. 3. Strukturat e pushtetit vendor, të ngarkuara për mbrojtjen e tokës bujqësore, në çdo rast, kur nuk janë dakord për zgjerimin e vijës kufizuese të ndërtimit në hapësirat e tokës bujqësore, i paraqesin ankesë organeve të ngarkuara me ligj. Neni 15 Mbrojtja e shtretërve dhe brigjeve të lumenjve 1. Nuk lejohen ngritje dhe shfrytëzim karriere për materiale dhe lëndë të tjera inerte përgjatë rrjedhës së lumenjve kur: a) të dyja anët ose njëra anë e bregut të lumit kufizohet drejtpërdrejt me tokë bujqësore; b) vlerësohet se gjatë gjithë rrjedhës së lumit, nga ngritja e karrierës mund të shkaktohet ndryshimi i rrjedhjes natyrore të ujërave, që dëmtojnë funksionet që përmbush toka bujqësore. 2. Lejohet ngritje karriere në gjatësi të rrjedhës së lumenjve për raste madhore ose emergjente, kur këtë e vlerëson Këshilli i Ministrave. Në këtë rast, poseduesi i lejes së shfrytëzimit të karrierës ka këto detyra: a) rehabilitimin e mjedisit gjatë kryerjes ose në përfundim të punimeve, sipas kushteve të përcaktuara në lejen mjedisore; b) garantimin paraprak me mjete financiare të depozituara në bankë në shumën e nevojshme të rehabilitimit të gjendjes, shumë e cila përcaktohet nga Seksioni i Administrimit të Mbrojtjes së Tokës (SAMT) në qark dhe kalon në llogari të komunës ose bashkisë, në territorin e së cilës ngrihet karriera. Neni 16 Zbatimi i një praktike të mirë bujqësore Pronarët e tokës bujqësore dhe posedues të tjerë të ligjshëm kanë për detyrë, që me veprimet praktike mbi tokën, nëpërmjet praktikës së mirë bujqësore, të sigurojnë: a) qëndrueshmërinë e pjellorisë natyrore të tokës bujqësore; b) ruajtjen dhe përmirësimin e strukturës së tokës bujqësore; c) ruajtjen e nivelit natyror të lëndës organike, sipas tipit të tokës bujqësore, nëpërmjet qarkullimit të kulturave bujqësore dhe nxitjes së veprimtarisë biologjike të tokës; ç) ruajtjen e nivelit normal të treguesve fizikë, kimikë dhe të bonitetit të tokës bujqësore; d) punimin e tokës bujqësore, në përshtatje me relievin e saj dhe kushtet atmosferike; dh) moslejimin e dëmtimit të shtresave të punueshme nëpërmjet gërmimeve për nxjerrje dheu dhe materiale të tjera; e) mbrojtjen e tokës bujqësore nga erozioni dhe zbatimin e masave antierozive që rekomandohen; ë) administrimin, përdorimin dhe mirëmbajtjen, brenda territorit të tokës së tyre në pronësi, të sistemit të kullimit, sistemit të ujitjes, të veprave të artit dhe të mbrojtjes së tokës bujqësore nga përmbytjet, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr.8518, datë 30.7.1999 "Për ujitjen dhe kullimin"; f) moslejimin e depozitimit mbi dhe nën sipërfaqen e tokës bujqësore të mbetjeve të çfarëdo lloji, që dëmtojnë pjellorinë e tokës bujqësore; g) kryerjen e analizave të tokës bujqësore për të vlerësuar treguesit fizikë, kimikë e biologjikë, sipas përcaktimit të pikës 1 të nenit 22 të këtij ligji. Neni 17 E drejta e shfrytëzimit dhe e përdorimit të tokës bujqësore Pronarët dhe poseduesit e tjerë të ligjshëm kanë të drejtë që: a) sipërfaqen e tokës bujqësore ta përdorin dhe ta shfrytëzojnë për kultivimin e bimëve bujqësore, produktet dhe nënproduktet e të cilave nuk ndalohen me dispozita të ligjeve të tjera; b) tokën bujqësore ta përdorin dhe ta shfrytëzojnë deri në thellësi të horizontit aktiv të saj, në pikëtakimin e saj me formacionin amë. Neni 18 Mbrojtja e tokës bujqësore nga mjetet në përdorim Pronari i tokës, poseduesit e tjerë të ligjshëm, personat e tjerë fizikë e juridikë, në çdo rast të veprimit mbi tokën bujqësore, kanë për detyrë të marrin masa për mbrojtjen e saj nga dëmtimet, që mund t'i shkaktohen tokës bujqësore prej pajisjeve ose mjeteve të tyre në përdorim. KREU IV DETYRIME PËR INFORMIMIN E DËMTIMIT TË TOKËS BUJQËSORE DHE REHABILITIMIN E TOKAVE TË DËMTUARA Neni 19 1. Pronari i tokës dhe çdo posedues i ligjshëm i tokës bujqësore kanë për detyrë t'i bëjnë të ditur menjëherë autoriteteve të pushtetit vendor çdo dyshim të dëmtimit të tokës bujqësore, ose të dëmtimit të saj, e ardhur si pasojë: a) e veprimtarisë së tyre të pakujdesshme; b) e veprimit të faktorëve natyrorë ose personave të tjerë; c) e mosveprimit të strukturave të ngarkuara me ligj për mbrojtjen e tokës bujqësore. 2. Organet për mbrojtjen e tokës bujqësore, në çdo rast, që kanë të dhëna për ekzistencën e faktorëve, që rrezikojnë dëmtimin e tokave bujqësore, kanë për detyrë njoftimin e pronarëve të tokës bujqësore, duke marrë njëkohësisht masa dhe vendime të nevojshme mbrojtëse. Neni 20 Ngritja dhe organizimi i terreneve të vëzhgimit 1. Në territorin e çdo qarku ose të disa qarqeve ngrihen dhe organizohen terrenet e vëzhgimit zonal dhe të kontrollit të vazhdueshëm të ndikimit të faktorëve natyrorë dhe njerëzorë, si dhe të efekteve të tyre për ndryshimet që shkaktohen në tokat bujqësore. 2. Terreni i vëzhgimit zonal kërkohet të përfaqësojë shumicën e kushteve karakteristike të zonës ku ngrihet dhe të krijojë mundësinë e vëzhgimit të erozionit, përbërjes fiziko-kimike dhe biologjike të tokës bujqësore, ujërave nëntokësore, masën e ndotjes së ajrit dhe faktorëve të tjerë tipikë të rajonit dhe të njoftojë në mënyrë të vazhdueshme strukturat për mbrojtjen e tokës bujqësore. 3. SAMT-i dhe struktura të tjera që ushtrojnë veprimtari bujqësore në territorin e qarkut, i propozojnë KMT-së në qark miratimin e vendngritjes së terrenit të vëzhgimit. 4. Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit dhe Ministria e Mjedisit miratojnë rregulloren e funksionimit të terreneve të vëzhgimit zonal dhe kontrollojnë zbatimin e teknikave të përcaktuara nga këto terrene. Neni 21 Procedura e kontrollit të dëmtimit të tokës bujqësore Strukturat shtetërore për mbrojtjen e tokës bujqësore, në kontrollet për dëmtimin e tokës ose shfaqjen e rrezikut të dëmtimit të tokës, zbatojnë këto procedura: 1. Verifikimin e evidentimin e elementeve dhe të faktorëve, të cilët shkaktojnë dëmtimin e funksioneve që përmbush toka bujqësore, si më poshtë: a) mosmirëmbajtja e rrjetit kullues, i cili shkakton moçalizimin, kënetëzimin, rikripëzimin e tokave bujqësore të pronarit dhe tokave të pronarëve fqinjë; b) mosmirëmbajtja ose dëmtimi i veprave antierozive që shkakton erozion masiv të horizontit aktiv të tokës bujqësore; c) mosmirëmbajtja ose dëmtimi i veprave ujore që disiplinojnë rrjedhën e ujërave të larta, që sjell për pasojë zhavorizimin e tokës bujqësore; ç) lejimi i depozitimit të lëndëve të ngurta ose të dëmshme mbi sipërfaqen e tokës, që pengojnë shfrytëzimin ose dëmtojnë funksionet e tokës buqësore; d) lejimi, tej kufijve të përcaktuar, i lëndëve të dëmshme nëpërmjet ajrit ose burimeve e rrjedhjeve ujore, që dëmtojnë bimësinë e kultivuar mbi tokën bujqësore; dh) prania, në sasi tej kufijve të përcaktuar, e lëndëve të dëmshme të çliruara mbi tokën bujqësore nga shkaqe të ndryshme të paidentifikuara; e) prania në ujërat nëntokësore e një sasie tej kufijve të përcaktuar të lëndëve të dëmshme me prejardhje nga toka; ë) lejimi i fillimit të punimeve ndërtimore e të punimeve të tjera të kundërligjshme, që ndryshojnë destinacionin e tokës bujqësore; f) elemente dhe faktorë të tjerë që gjatë kontrollit vlerësohen si shkaqe të mundshme të dëmtimit të tokës bujqësore. 2. Për të vërtetuar dhe argumentuar dëmtimin e tokës bujqësore duhen kryer: a) analizat për përcaktimin e gjendjes së vlerave të treguesve fizikë, kimikë e biologjikë të tokës bujqësore; b) analizat e gjendjes së ujërave të ujitjes dhe atyre nëntokësore; c) analizat e ajrit që ndodhen në shtresat e tokës dhe mbi sipërfaqen e saj. Vlerësimi i treguesve të tokës bujqësore, i ujërave dhe ajrit kryhen nga ekspertë, të cilët hartojnë raportin teknik përkatës. Kur nga raporti i ekspertëve rezulton se parametrat e analizuar nuk janë brenda normave të përcaktuara dhe ekzistojnë faktorët e përcaktuar në shkronjat "a", "b", "c", "d", "ë" dhe "f" të pikës 1 të këtij neni, vlerësohet se toka bujqësore është e dëmtuar. 3. Konkluzioni i kontrollit dhe nxjerrja e vendimit përmban: a) shkaqet e dëmtimit të tokës bujqësore; b) shkaktarët e dëmtimit të tokës bujqësore dhe personat përgjegjës; c) detyrimin e mbulimit të shpenzimeve për kryerjen e analizave nga personat përgjegjës që shkaktuan dëmin; ç) raportin përfundimtar për organet vendimmarrëse përgjegjëse, të përcaktuara nga dispozitat e këtij ligji. Neni 22 Analiza e vlerave të treguesve të tokës bujqësore 1. Pronarët dhe poseduesit e ligjshëm të tokës bujqësore kanë për detyrë të kryejnë analizat e vlerave të treguesve të tokës, tretësirës në tokë dhe lëndëve të gazta që ndodhen në të. Analiza të detyrueshme për t'u kryer janë: a) të zakonshme, në intervale kohore që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit dhe të Ministrit të Mjedisit; b) të paparashikuara, në çdo rast kur ekzistojnë dyshime ose vërehen se janë cenuar funksionet natyrore të tokës bujqësore. Kjo analizë urdhërohet me vendim të strukturave të mbrojtjes së tokës në qark. 2. Analizat e treguesve, që përcaktohen në pikën 1 të këtij neni, kryhen nga Instituti i Studimit të Tokave dhe nga qendra të specializuara dhe të miratuara. Neni 23 Mbrojtja e tokës bujqësore nga shkatërrimi 1. Pronarët dhe posedues të ligjshëm të tokës bujqësore dhe çdo person fizik e juridik, veprimtaria e të cilëve ndikon mbi tokën bujqësore, janë të detyruar ta mbrojnë atë nga çdo faktor që çon në shkatërrimin e saj. 2. Toka bujqësore vlerësohet e shkatërruar kur: a) nuk mund të përdoret më si e tillë; b) nuk mund të rehabilitohet në kufijtë e vlerave, që janë përcaktuar për tokën bujqësore; c) për rehabilitimin e sipërfaqes së dëmtuar rezulton një kosto më e lartë se vlera reale e tokës bujqësore. Neni 24 Zonat e tokave në mbrojtje 1. Sipërfaqe të tokës bujqësore, në të cilat vihen re shfaqje të rrezikut të dëmtimit të tokës ose shfaqje të dëmtimit të saj, e që sjellin si pasojë rreziqe në përmasa të mëdha për komunitetin, shpallen "Zona të tokave në mbrojtje". 2. Vendimi për shpalljen "Zona të tokave në mbrojtje" merret nga këshilli i qarkut dhe përmban: a) hartën e zonës së tokave në mbrojtje me emërtime kadastrale, sipërfaqen e ngastrave dhe kufijtë e zonës; b) përshkrimin e natyrës së shfaqjes së rrezikut të dëmtimit të tokës bujqësore ose shfaqjen e dëmtimit të saj; c) shkaqet e pasojës; ç) raportet e analizave të tokës, të lëndëve të lëngëta e të gazta në tokë; d) masat emergjente, afatshkurtra dhe afatgjata, që janë marrë për rehabilitimin dhe përmirësimin e gjendjes, si dhe nivelin e shpenzimeve të nevojshme, burimet e financimit të tyre; dh) listën e institucioneve, të strukturave dhe të personave që ngarkohen me rehabilitimin e gjendjes. Neni 25 Rehabilitimi i tokave bujqësore të dëmtuara Detyrohen të rehabilitojnë tokën bujqësore të dëmtuar, duke e kthyer atë në gjendjen e mëparshme: a) çdo person fizik ose juridik, kur vlerësohet si shkaktar dhe përgjegjës i dëmtimit të tokës; b) pronari i mëparshëm i tokës bujqësore, i cili në çastin dhe aktin e transanksionit të tokës nuk e ka deklaruar ose e ka fshehur dëmtimin e saj; c) strukturat shtetërore, në juridiksionin e të cilave ndodhet toka bujqësore e dëmtuar në çdo rast kur: i) shkaktarit të dëmtimit të tokës bujqësore nuk i mundësohet rehabilitimi i saj, por ai përmbush detyrimet financiare të rehabilitimit të plotë të tokës së dëmtuar; ii) shkaktari i dëmtimit të tokës bujqësore vdes dhe nuk figuron trashëgimtar, sipas përcaktimit në Kodin Civil; iii) pronari i tokës së dëmtuar heq dorë ligjërisht mbi të drejtën e tij të pronësisë mbi tokën bujqësore. Neni 26 Afatet e rehabilitimit të tokës bujqësore 1. Afati i përfundimit të rehabilitimit të tokës bujqësore të dëmtuar përcaktohet nga këshilli i qarkut, në bazë të raportit teknik të SAMT-it. 2. Toka bujqësore vlerësohet e rehabilituar kur përmbush funksionet natyrore, sipas përcaktimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji dhe që dokumentohet nga analiza e kryer mbi gjendjen e kufijve të vlerave të treguesve të tokës bujqësore. KREU V SANKSIONET DHE KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE Neni 27 Kallëzimi penal Seksioni i administrimit dhe mbrojtjes së tokës në këshillin e qarkut bën kallëzim penal në organet e drejtësisë për shkatërrim prone në çdo rast kur vëren: a) shkatërrim të tokës bujqësore, sipas përcaktimit të nenit 23 të këtij ligji; b) ndryshim të kundërligjshëm të kategorizimit të tokës bujqësore, sipas përcaktimit të nenit 13 të këtij ligji; c) zhvillim të veprimtarisë ndërtimore në tokat bujqësore, në kundërshtim me kërkesat e pikave 1 dhe 2 të nenit 14 të këtij ligji. ç) moszbatim, nga pronarët e tokës bujqësore dhe posedues të tjerë të ligjshëm, të kërkesave të shkronjës “f” të nenit 16 të këtij ligji; d) ngritje dhe shfrytëzim karriere për materiale dhe lëndë të tjera inerte përgjatë rrjedhës së lumenjve, që bien ndesh me kërkesat e pikës 1 të nenit 15 të këtij ligji; dh) çdo rast tjetër të ngjashëm, që strukturat e mbrojtjes së tokës në komunë ose bashki dhe në qark e vlerësojnë se ka shkaktuar dëmtime të rënda të tokës bujqësore. Neni 28 Kundërvajtjet administrative Përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme: a) moszbatimi, nga pronarët e tokës bujqësore dhe posedues të tjerë të ligjshëm, të kërkesave të shkronjave “a” deri në “ë” dhe të shkronjës “g” të nenit 16 të këtij ligji; b) mosmarrja e masave të duhura për mbrojtjen e tokës bujqësore, kundrejt dëmtimeve që i shkaktohen asaj gjatë zhvillimit të veprimtarive të ndryshme, që bien ndesh me nenin 18 të këtij ligji; c) mosrespektimi i detyrimeve për njoftimin e rasteve të dëmtimit të tokës bujqësore, që bien ndesh me pikën 1 të nenit 19 të këtij ligji; ç) moskryerja e analizave të treguesve të tokës bujqësore, që bien ndesh me pikën 1 të nenit 22 të këtij ligji; d) mosrehabilitimi i tokës bujqësore të dëmtuar, për kthimin e saj në gjendjen e mëparshme, që bie ndesh me nenin 25 të këtij ligji. Neni 29 Sanksionet Për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në nenin 28 të këtij ligji, Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës në këshillin e qarkut jep dënime me gjobë nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë. Neni 30 Procedurat e kundërvajtjes administrative 1. Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës në këshillin e qarkut ka të drejtë të vendosë masa administrative. 2. Kundër vendimit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Tokës në këshillin e qarkut mund të bëhet ankim me shkrim te kryetari i këshillit të qarkut brenda 5 ditëve nga shpallja ose marrja e njoftimit të vendimit. Kryetari i këshillit të qarkut duhet t'i përgjigjet ankimit brenda 10 ditëve nga paraqitja e tij. 3. Kundër vendimit të kryetarit të këshillit të qarkut, ose kur ky i fundit nuk përgjigjet brenda afatit 10-ditor, mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor, ku është kryer kundërvajtja, brenda 5 ditëve nga shpallja ose marrja e njoftimit të vendimit. Neni 31 Ekzekutimi i vendimit Ekzekutimi i vendimit kryhet sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 "Për kundërvajtjet administrative". Të ardhurat që krijohen nga vjelja e gjobës shërbejnë për masa mbrojtëse për tokën bujqësore, me miratimin e këshillit të qarkut. KREU VI DISPOZITA TË FUNDIT Neni 32 Aktet nënligjore 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 11 dhe 22 të këtij ligji. 2. Ngarkohen Ministri i Bujqësisë dhe i Ushqimit dhe Ministri i Mjedisit të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të nenit 5 shkronja “c”, të nenit 9 pika 3 dhe të nenit 20 pika 4 të këtij ligji. Neni 33 Buxheti dhe kushtet e punës Ngarkohen këshillat e qarqeve që në buxhetin vjetor të përcaktojnë, në një zë të veçantë, fonde për bazën materiale dhe kushtet e punës, për vënien në funksion të plotë të strukturave të përcaktuara në këtë ligj. Neni 34 Shfuqizime Nenet 4, 11, 12, 13, 14, 15, 16 dhe paragrafi i parë dhe i fundit i nenit 23 të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 "Për tokën", si dhe nenet 14, 15 dhe 16 të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001 "Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës", shfuqizohen. Neni 35 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. K R Y E T A R I Servet Pëllumbi