跳到主要内容
Nelum
阿尔巴尼亚的法律

Law no. 20/2023 on beekeeping

颁布于 2023-03-16 · 文本截至 2026-10-01

以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。

研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。

关于这部法律

原标题
Ligj nr. 20/2023 për bletarinë.
语言
Albanian
类型
法令
国家
阿尔巴尼亚
主题
Livestock, Food and nutrition
关键词
animal production, legal proceedings/administrative proceedings, agricultural development, animal health, animal reproduction, apiculture/sericulture, processing/handling, offences/penalties, protection of environment, transport/storage, pastoralism, urban and peri-urban agriculture

在哪里阅读

文本

所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。

  1. 1 Ky ligj është përafruar pjesërisht me: Rregulloren (BE) nr. 1308/2013 e Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 17 dhjetor 2013 “Për krijimin e një organizimi të përbashkët të tregjeve të produkteve bujqësore” dhe që shfuqizon rregulloret e Këshillit (KEE) nr. 922/72, (KEE) nr. 234/79, (KE) nr. 1037/2001 dhe (KE) nr. 1234/2007, e ndryshuar. Numri CELEX 32013R1308, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 347, datë 20.12.2013, f. 671-854. Direktivën e Këshillit 2001/110/KE, datë 20 dhjetor 2001 “Në lidhje me mjaltin”, e ndryshuar. Numri CELEX 32001L0110, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L nr. 10, datë 12.01.2002, f. 47–52. LIGJ Nr. 20/2023 PËR BLETARINË1 Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozim të Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi Qëllimi i këtij ligji është: 1. Përcaktimi i rregullave për ushtrimin e aktivitetit të bletarisë, si veprimtari me interes jetësor, kombëtar, e dobishme për ruajtjen e mjedisit natyror, ekosistemit dhe bujqësisë. 2. Caktimi i detyrave për autoritetet përgjegjëse. 3. Garantimi i pjalmimit natyror dhe biodiversitetit të llojeve të bletëve, me referencë të veçantë për mbrojtjen e racës së bletës (apis mellifera carnica), popullatave tipike vendase ose të zonave kufitare. Neni 2 Përkufizime Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 1. “Apiterapi” është përdorimi mjekësor i produkteve të prodhuara nga bletët, si mjalti, propolisi, dylli, poleni, qumështi i bletës dhe helmi për të trajtuar çështje të ndryshme mjekësore dhe terapi inhalatore. 2. “Apiturizëm” është turizmi i bletëve, ku përfshihen vizitat në parkun e bletëve, njohja me aktivitetet dhe jetën e bletës, kontakti direkt me bletarë, degustimi i produkteve të bletës në vend etj. 3. “Bletari” është mbarështimi i bletëve dhe përfshin të gjitha aspektet e sektorit: njohuri për bletët, produktet e bletëve, përdorimet dhe tregjet e tyre, tregtinë e pajisjet. 4. “Bletërritja” është mbarështimi i bletëve mjaltëdhënëse. 5. “Biodiversitet” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e biodiversitetit. 6. “Bletë” është çdo insekt hymenopteran të superfamiljes apoidea, duke përfshirë speciet sociale dhe të vetmuara. 7. “Bletari shtegtuese” është një formë bletarie ku kolonitë transportohen për të ndjekur lulëzimin për prodhimin e mjaltit ose për të pjalmuar me porosi kulturat bujqësore (p.sh. bajamet, agrumet, domatet në serra), në plantacione dhe serra. 8. “Bletar” është çdo fermer, person fizik dhe juridik, që njeh dhe mbron jetën e bletës, mbarështon dhe përfiton nga produktet e saj dhe mund të bëjë pjesë në shoqata lokale të bletërritësve. 9. “Bletar amator” është çdo bletar, që bletërritjen e ka aktivitet dytësor dhe zotëron deri në 10 koshere. 2 10. “Bletar profesionist” është çdo bletar që ushtron dhe promovon veprimtarinë e bletërritjes si aktivitet parësor dhe ka mbi 10 koshere. 11. “Parku i bletëve” është vendi i përkohshëm ose i përhershëm ku mbahen dhe mbarështohen bletët. 12. “FKBSH” është Federata Kombëtare e Bletërritësve të Shqipërisë. 13. “Koloni” është një grup organizmash të së njëjtës specie ose grup që jetojnë ose rriten së bashku. 14. “Koshere” është banesa e bletës, pa bletë brenda. 15. “Ruajtja” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e biodiversitetit. 16. “Kullotë mjaltëdhënëse” ka kuptim e dhënë në legjislacionin në fuqi për mbarështimin e blegtorisë. 17. “Mbretëreshë” nënkupton mëmën e kolonisë. 18. “Mjaltë natyral ” është substanca e ëmbël natyrale e prodhuar nga bletët apis mellifera prej nektarit të bimëve ose nga sekrecionet e pjesëve të gjalla të bimëve ose jashtëqitjet e insekteve që thithin bimët në pjesët e tyre të gjalla, të cilën bletët e grumbullojnë, e transformojnë duke e kombinuar me substanca specifike të tyre, e depozitojnë, e dehidratojnë, e ruajnë dhe e lënë në hojet e mjaltit për t’u pjekur dhe maturuar (stazhionuar). 19. “Mjaltë organik” është mjalti i prodhuar sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prodhimin organik. 20. “Ministria” është ministria përgjegjëse për çështjet e bujqësisë. 21. “Ministri” është ministri përgjegjës për çështjet e bujqësisë. 22. “Shtegtim” është një ose më shumë lëvizje të bletëve gjatë vitit, me qëllim rritjen e prodhimit. 23. “Regjistri i blegtorisë” është një sistem regjistrimi i kafshëve, i cili mbahet nga institucioni përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve. 24. “Sipërmarrës të lidhur me bletën” është çdo person fizik ose juridik, që ushtron aktivitet në mbështetje të bletërritjes, si: prodhimi i koshereve, fletëve të dyllit, ushqimit të bletëve, pajisje për bletari etj. 25. “Struktura përgjegjëse” është struktura në ministri që merret me bletarinë. 26. “PMB” janë produktet e mbrojtjes së bimëve sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e bimëve. 27. “PMV” janë produktet e mbrojtjes veterinare sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për veterinarinë. 28. “Vendndodhja” është vendi i parkut të bletëve. 29. “Zgjua” është kosherja që përmban një familje bletësh brenda. Neni 3 Fusha e zbatimit Ky ligj zbatohet për bletarët, fermerët, personat fizikë ose juridikë që ushtrojnë veprimtarinë sipas dispozitave të këtij ligji. Neni 4 Produktet e bletarisë Konsiderohen produkte të bletarisë: a) mjalti; b) dylli i bletës; c) qumështi i bletës; ç) poleni; d) propolisi; dh) helmi i bletës; e) mbretëresha dhe koloni bletësh. 3 Neni 5 Regjistrimi i bletarëve 1. Çdo bletar që merret me bletari, që zotëron një ose më shumë zgjoje, është i detyruar të regjistrohet në: a) regjistrin e fermës të krijuar sipas legjislacionit në fuqi për bujqësinë; b) regjistrin e blegtorisë, që mbahet në institucionin përgjegjës për veterinarinë deri në datën 30 prill të çdo viti kalendarik, për numrin dhe vendndodhjen e koshereve të bletëve. 2. Të dhënat e regjistrave sipas pikës 1 të këtij neni lidhur me bletarinë pasqyrohen në mënyrë automatike në bazat përkatëse kombëtare të të dhënave. 3. Regjistri i mbretëreshave krijohet dhe mbahet nga qendrat e prodhimit sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për mbarështimin e blegtorisë. Të dhënat pasqyrohen në regjistrat e parashikuar në pikën 1 të këtij neni. 4. Të dhënat e regjistrit do të jenë të aksesueshme nga institucionet e varësisë së ministrisë që lidhen me sektorin e bletarisë. Neni 6 Raportimi i zgjojeve të bletëve 1. Bletarët njoftojnë vendndodhjen dhe numrin e zgjojeve në institucionin përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve, si dhe ndryshimin e vendndodhjeve të tyre brenda datës 30 prill të çdo viti. 2. Institucioni përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve jep informacion periodik të përditësuar për shoqatat lokale të bletërritësve për komunikimet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Neni 7 Vendndodhja e parkut të bletëve 1. Parku i bletëve vendoset jo më afër se 10 metra nga rrugët dhe 5 metra nga pronat kufitare. 2. Parku i bletëve është në një vend të përhershëm ose të përkohshëm. 3. Distancat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni nuk zbatohen nëse ka diferenca në lartësi më të mëdha se 2 metra midis parkut të bletëve dhe mureve, gardheve ose strehëzave të tjera të përshtatshme, që nuk lejojnë kalimin e bletëve. 4. Parku i bletëve duhet të ruajë distancë 1 kilometër nga strukturat e prodhimit dhe përpunimit të sheqerit industrial. 5. Ndalohet vendosja e parkut të bletëve pranë autostradave, aeroporteve, strukturave të depozitimit dhe përpunimit të metaleve, depozitimit dhe përpunimit të mbetjeve dhe zonave të ndotura. 6. Mënyra e vendosjes së parkut të bletëve, distancat, afërsia me struktura të prodhimit, përpunimit dhe largësia nga zonat e ndotura përcaktohen me urdhër të ministrit. 7. Ndalohen aktivitete të ndryshme prodhuese industriale në afërsi deri në 3 kilometra të parqeve të cilat ndikojnë në dëmtimin e bletëve. KREU II LËVIZJA DHE TRANSPORTI I BLETËVE Neni 8 Shtegtimi i bletëve 1. Bletarët kryejnë shtegtimin e parkut të bletëve për të shfrytëzuar kullotat dhe prodhimin e llojeve të ndryshme të mjaltit njëlulësh dhe shumëlulësh, pjalmimin e kulturave bujqësore dhe shmangien e kushteve të pafavorshme klimatike. 2. Bletari që kryen shtegtimin paraqet kërkesën në rrugë elektronike në institucionin përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune para datës së shtegtimit. 4 3. Bletarët pajisen me certifikatën veterinare të lëvizjes për gjendjen shëndetësore të bletëve lëshuar nga institucioni përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve dhe raportin për masat veterinare para lëvizjes së parkut të bletëve. 4. Institucioni përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve, bazuar në kapacitetet kullosore sipas programit të miratuar të shfrytëzimit të kullotave, miraton ose refuzon vendosjen e parkut të bletëve. 5. Bletarët pajisen me certifikatë lëvizjeje për shtegtimin e bletëve lëshuar nga institucioni përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve dhe zbatojnë detyrat e caktuara nga veterineri zyrtar për masat profilaktike dhe kurative që aplikohen në atë kohë në zonën ku shtegtojnë bletët. 6. Bletarët ruajnë distancën nga parqet e tjera me së paku 50 (pesëdhjetë) metra. 7. Ministri me urdhër miraton modelin e kërkesës për shtegtimin e parkut të bletëve. Neni 9 Transporti i zgjojeve 1. Transporti i zgjojeve në parkun e bletëve bëhet me mjete transporti të përshtatshme që të garantojë mirëqenien e bletëve në udhëtim. 2. Mjetet e transportit duhet të kenë ventilim. 3. Gjatë transportit është i pranishëm të paktën një bletërritës, i pajisur me veshje dhe pajisjet mbrojtëse. 4. Gjatë transportit inspektimi dhe kontrolli nga institucionet përgjegjëse për veterinarinë nuk mund të jetë më i gjatë se 30 minuta. 5. Kushtet që duhet të plotësojnë mjetet e transportit që transportojnë bletë dhe rregullat për transportimin e tyre përcaktohen me urdhër të ministrit. KREU III RIPRODHIMI I BLETËVE DHE KULLOTAT Neni 10 Riprodhimi i bletëve, importi dhe tregtimi i mbretëreshave dhe i familjeve të bletëve 1. Përzgjedhja e bletëve bëhet nga lloji i bletës europiane apis mellifera dhe nënllojet lokale të bletëve për riprodhim: apis mellifera carnica në vendet e Ballkanit, apis mellifera ligustica, apis mellifera sicula; apis mellifera cecropia; apis mellifera mellifera; apis mellifera macedonica; apis mellifera caucasica. Lloje të tjera përcaktohen me urdhër të ministrit pas propozimit të autoritetit kompetent për veterinarinë. 2. Për përzgjedhjen e llojit, bletari duhet të vlerësojë përshtatjen e llojit me kushtet lokale klimatike dhe rezistencën ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. 3. Importi dhe tregtimi i mbretëreshave dhe i familjeve të bletëve bëhet vetëm nga subjektet e regjistruara dhe të licencuara sipas legjislacionit në fuqi për importin e kafshëve të gjalla dhe i nënshtrohet kontrollit sipas përcaktimeve në këtë legjislacion. 4. Tregtimi i familjeve të bletëve bëhet vetëm shoqëruar me certifikatë lëvizjeje lëshuar nga institucioni përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve. 5. Familjet e bletëve krijohen me shumim të familjeve ekzistuese të bletëve. 6. Qendrat riprodhuese për mbretëresha të bletëve, riprodhimi dhe tregtimi duhet të plotësojnë kërkesat e përcaktuara në legjislacionin përkatës për mbarështimin e blegtorisë. Neni 11 Burimet e nektarit, administrimi i kullotave të bletëve 1. Nektari, mjalti, poleni dhe propolisi janë prodhime të një cikli natyror me interes publik. 2. Për qëllime të shfrytëzimit të përshtatshëm të prodhimit të nektarit, nxitet mbarështimi i bletëve dhe praktika ekonomiko-prodhuese e shtegtimit. 5 3. Administrimi i burimeve të nektarit dhe kullotave të bletëve bëhet përmes programit të shfrytëzimit të kullotave, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për mbarështimin e blegtorisë. Programi i monitorimit dhe parashikimi i kapacitetit nektaror dhe pjalmit hartohet dhe miratohet sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për mbarështimin e blegtorisë. 4. Struktura përgjegjëse në ministri mban regjistrin për shfrytëzimin e kullotave mjaltëdhënëse. Regjistri i kullotave përbën bazë të dhënash me informacion për identifikimin, kapacitetin dhe llojet e kullotave, si dhe me parashikim të kapacitetit nektaror e pjalmit në rritjen e bletëve. 5. Kushtet e hollësishme për mbajtjen e regjistrit të kullotave mjaltëdhënëse për mbarështimin e tyre, për lëvizjen e parqeve të bletëve në kullota, programi i parashikimit të kapacitetit nektaror dhe pjalmit, si dhe programi i shfrytëzimit përcaktohen me rregullore, e cila miratohet me urdhër të ministrit pas konsultimit me shoqatat lokale të bletërritësve. KREU IV MBROJTJA E BLETËVE Neni 12 Mbrojta e bletëve 1. Bletari duhet të ketë njohuri bazë mbi bletarinë, që lidhen me rregullat e sigurimit teknik, të sjelljes me kolonitë e bletëve, vendosjes së tyre në territor, bazat e mbarështimit e të mjekimit. 2. Bletari është i detyruar që në parkun e vet të bletëve të ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin, luftimin dhe pengimin e përhapjes së sëmundjeve, duke përdorur vetëm produktet mjekësore veterinare, të regjistruara dhe në sasinë e rekomanduar nga mjeku veterinar. 3. Bletari mban regjistër për trajtimet mjekësore që kryen. 4. Masat profilaktike dhe luftimi i sëmundjeve të bletëve përcaktohen në fillim të çdo viti kalendarik për vitin vijues nga institucioni përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve, në bashkëpunim me ekspertët e fushës, sipas legjislacionit në fuqi për veterinarinë. 5. Çdo bletar në rastin e dyshimit të paraqitjes së sëmundjeve me karakter përhapës, siç janë: nozematoza, varroatoza, akarapidoza, pesta amerikane, pesta europiane, aetinoza, tropilaelaps spp, dëmtimeve të paidentifikuara ose helmimeve, si dhe sëmundjeve të tjera që bëjnë pjesë në listën e sëmundjeve detyrimisht të raportueshme, lajmëron menjëherë inspektorin veterinar sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për veterinarinë. 6. Shoqatat lokale të bletërritësve raportojnë çdo rast të dyshuar ose të diagnostikuar për praninë e sëmundjeve në strukturën përgjegjëse për kontrollet zyrtare sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për veterinarinë. 7. Ndalohet trajtimi me produkte mjekësore veterinare i bletëve, të cilat nuk e kanë lejen për përdorim sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për veterinarinë. 8. Ndalohet përdorimi i produkteve të mbrojtjes së bimëve dhe materialeve të tjera, të cilat përmes produkteve të bletës mund të dëmtojnë shëndetin e njeriut. 9. Për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, si: djegie, përmbytje, dëmtime nga kafshët e egra, bletarët mund të bëjnë sigurimin vullnetar të aseteve të tyre përmes njoftimeve, programeve, platformave të ndryshme që janë në funksion të tyre nga ministria. Neni 13 Programi për zhvillimin e bletarisë 1. Ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe ministria përgjegjëse për pyjet, me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe prodhimeve agropyjore, hartojnë programin 3-vjeçar për zhvillimin e bletarisë, për bashkërendimin e aktiviteteve të sektorit në bashkëpunim me shoqatat e fermerëve, shoqatat e bletërritësve, Federatën e Bletërritësve, organizatave të mbrojtjes së konsumatorit dhe grupeve të tjera të interesit. 2. Programi përmban: 6 a) promovimin dhe mbrojtjen e produkteve shqiptare të bletëve dhe nxitjen e proceseve të gjurmueshmërisë sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e tyre; b) zgjerimin e produkteve me emërtim origjine të mbrojtur, tregues gjeografik të mbrojtur, specialitet tradicional të garantuar, si dhe produkt biologjik sipas legjislacionit në fuqi; c) mbështetjen për bletërritësit, informacion për shoqatën lokale të bletërritësve, nxitjen e anëtarësimit, promovimin e marrëveshjeve profesionale me shoqata të tjera, organizma publikë dhe privatë që operojnë në këtë sektor; ç) zhvillimin e programeve të kërkimit e të eksperimentimit të bletarisë në marrëveshje me shoqatat e bletërritësve, universitetet etj.; d) integrimin midis bletarisë dhe bujqësisë; dh) vlerësimet e përgjithshme mbi kufijtë dhe ndalimet të cilave mund t'i nënshtrohen trajtimet me pesticide me produkte fitosanitare dhe herbicide toksike për bletët në kulturat e pemëve, barishtore, zbukuruese, të kultivuara dhe spontane gjatë periudhës së lulëzimit; e) përcaktimin e kufijve dhe ndalimeve për përdorimin e kulturave/bimëve mjaltëdhënëse që rrjedhin nga organizma të modifikuar gjenetikisht; ë) nxitjen e praktikës së pjalmimit me anë të bletëve; f) nxitjen e praktikës së bletarisë dhe shtegtimit të bletëve; g) mbrojtjen dhe mbjelljen e kulturave të reja të bimëve mjaltëdhënëse, polendhënëse apo nektaro polenike sipas biodiversitetit; gj) përcaktimin e ndërhyrjeve të rimëkëmbjes ekonomike dhe të kontrollit për luftën kundër varrotozës dhe sëmundjeve të tjera të bletëve; h) forcimin dhe zbatimin e kontrolleve mbi produktet e bletëve me origjinë kombëtare nga vendet e Bashkimit Europian dhe vende të tjera; i) stimuj për të rinjtë për t'u vendosur dhe qëndruar në sektorin e bletarisë; j) sigurimin e mbështetjes për bletarët që operojnë në zona malore ose të pafavorizuara; k) mbrojtjen dhe përzgjedhjen e bletës së pastër shqiptare (apis mellifera carnica) dhe racave të tjera të vendeve fqinje që janë përshtatur me kushtet e vendit tonë, sipas përcaktimeve të nenit 10 të këtij ligji, si dhe nxitjen e prodhimit të mbretëreshave shqiptare nga qendrat e seleksionimit gjenetik. 3. Programi miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe ministrit përgjegjës për pyjet. Neni 14 Kualifikimi i bletarëve 1. Kushdo që ushtron veprimtarinë e bletarisë mund të ndjekë kurse kualifikimi, të cilat në varësi të aktivitetit që do të ndërmarrë përbëhen nga dy module: moduli bazë me rregullat e sigurimit teknik të sjelljes me kolonitë e bletëve, vendosjes së tyre në territor, bazat e mbarështimit e të mjekimit, si dhe moduli i avancuar për bletarë profesionistë. 2. Modulet sipas pikës 1 të këtij neni duhet të hartohen dhe të ofrohen nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, si dhe të miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. 3. Shoqatat lokale të bletërritësve kryejnë trajnimin e bletarëve amatorë dhe profesionistë. Neni 15 Asgjësimi i bletëve 1. Asgjësimi i bletëve bëhet vetëm në rastet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për veterinarinë. 2. Asgjësimi bëhet në prezencë të inspektorëve veterinarë të institucionit përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve, zooteknikëve të institucionit përgjegjës për ekstension bujqësor, si dhe mund të ketë përfaqësues të Shoqatës Lokale të Bletërritësve. 3. Dëmshpërblimi i dëmeve për asgjësimin e bletëve kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për veterinarinë. 7 Neni 16 Mbrojtja e bletëve nga përdorimi i produkteve të mbrojtjes së bimëve 1. Gjatë spërkatjes së bimëve, në periudhën e lulëzimit bletarët lajmërohen nga përdoruesit e PMB ve 3 (tri) ditë para përdorimit dhe marrin masat e nevojshme për të mbyllur dyert e zgjojeve ose duke larguar parkun e bletëve së paku 6 km larg në vijë ajrore nga zona e spërkatjes. 2. Nëse bletari nuk i ndërmerr masat e përshtatshme sipas pikës 1 të këtij neni, humb të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim. Neni 17 Mbrojta e racës autoktone të bletëve 1. Mbrojtje e veçantë përcaktohet për racën vendase të bletëve apis mellifera carnica, ku nxiten bletarët dhe institucionet e ndërlidhura të informojnë bletarët për përzgjedhjen e racës vendase, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për mbarështimin e blegtorisë. 2. Për përzgjedhjen e llojeve të tjera të bletëve, bletari duhet të marrë në konsideratë përshtatjen e llojit, sipas përcaktimeve të nenit 11 të këtij ligji, ndaj kushteve lokale dhe rezistencën ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve, por gjithmonë duke marrë miratim nga ministria sipas legjislacionit në fuqi për futjen e racave të reja në Republikën e Shqipërisë. KREU V BLETARIA CILËSORE Neni 18 Bletaria biologjike Prodhimi biologjik i produkteve të bletës kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit përkatës për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre. Neni 19 Skemat e cilësisë për produktet e bletëve Për produktet e bletëve të prodhuara në vend, për të shtuar vlerën dhe garantuar mbrojtjen e tyre, me emërtim origjine të mbrojtur, tregues gjeografik të mbrojtur dhe specialitet tradicional të garantuar, fermerët, shoqatat, grupet e prodhuesve, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor aplikojnë për skemat e cilësisë sipas legjislacionit në fuqi për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore. Neni 20 Etiketimi i produkteve të bletës 1. Etiketimi i produkteve të bletëve bëhet në përputhje me legjislacionin për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit, si edhe rregulloret përkatëse të produkteve. 2. Elementet e etiketës janë: a) emri ose emri tregtar dhe adresa e operatorit të biznesit ushqimor; b) lista e përbërësve; c) sasia e përbërësve ose e kategorive të caktuara të përbërësve sipas rendit zbritës; ç) sasia neto e produktit ushqimor; d) data e jetëgjatësisë minimale ose shprehja “të përdoret përpara datës” dhe në rastin e mjaltit të vendoset shprehja “për një periudhë 24-mujore nga data e prodhimit”; dh) kushtet e veçanta të ruajtjes dhe/ose kushtet e përdorimit; e) shteti i origjinës ose vendi i prejardhjes, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi; ë) udhëzimet e përdorimit kur në mungesë të tyre përdorimi i duhur i produktit ushqimor do të ishte i vështirë; 8 f) deklarata e vlerave ushqyese; g) përshkrimi për mjaltin “Nuk rekomandohet për fëmijët nën 1-vjeç”. 3. Në rast të importit të mjaltit ose produkteve të tij, përveç elementeve të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, etiketa duhet të përmbajë edhe përcaktimin që është produkt importi, shtetin nga vjen, si dhe duhet të jetë në gjuhën shqipe. KREU VI PJALMIMI, BLETARIA URBANE DHE USHQYERJA Neni 21 Pjalmimi natyral 1. Ministria dhe shoqatat lokale të bletërritësve kryejnë promovim të aktivitetit të pjalmimit natyral, pasi: a) njihet si veprimtari bujqësore, thelbësore për mbijetesën e njeriut dhe ndihmon në lehtësimin e prodhimit të ushqimit; b) bletët janë pjalmuese efikase dhe të besueshme. Ato janë mbledhëse metodike të nektarit dhe polenit, nuk e shkatërrojnë bimën dhe ruajnë biodiversitetin dhe produktivitetin e ekosistemeve natyrore dhe bujqësore; c) bletët pjalmojnë mbi 80% të bimëve të lulëzuara të tokës, duke përfshirë pothuajse të gjitha frutat dhe perimet. 2. Ministria dhe shoqatat lokale të bletërritësve nxisin ndërgjegjësimin për nevojën për të mbrojtur bletët përmes njoftimeve, trajnimeve, platformave, si dhe hartimit të planeve të ndërgjegjësimit e të promovimit, pasi rënia e numrit të tyre mund të ketë një ndikim të paparashikueshëm në ekosistemet e tokës. 3. Bletarët lejohen të blejnë, të transportojnë dhe të mbajnë sheqer dhe substanca të sheqerosura thelbësore për ushqimin e familjeve të bletëve, me detyrimin e mbajtjes së shënimeve të ngarkimit dhe shkarkimit të substancave me sheqer. Neni 22 Bletaria urbane Mbajtja e bletëve mbi tarracat e pallateve në zonat urbane rregullohet nga organet e njësive të vetëqeverisjes vendore me marrëveshje me Shoqatën Lokale të Bletërritësve, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e monitorimit të mjedisit. Neni 23 Ushqyerja e bletëve 1. Ushqyerja e bletëve me sherbet/sheqer apo shurupe të tjera nuk duhet të bëhet gjatë periudhës së lulëzimit kryesor të bimëve mjaltëdhënëse dhe mbledhjes së nektarit nga bletët. 2. Ushqyerja me sherbet/sheqer apo shurupe të tjera është e lejueshme gjatë lulëzimit të bimëve mjaltëdhënëse vetëm në rastet e reshjeve të zgjatura të shiut (për disa ditë me radhë, që nuk lejojnë daljen e bletës për të grumbulluar nektar) dhe me njoftimin paraprak të veterinerit zyrtar (ku të deklarohet sheqeri i përdorur dhe sasia e përdorur dhe të gjitha veprimet të jenë të pasqyruara në regjistrin e bletarit, me datën përkatëse). 3. Ushqimet e tjera të përdorura për të ushqyer bletët me bazë proteinike apo sheqerore si candy, pogaçe etj. duhet të jenë të prodhuara vetëm nga stabilimente të licencuara dhe të kontrolluara nga autoritetet përkatëse të kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë. 4. Çdo ushqim i përdorur që është i pakontrolluar mund të sjellë kontaminimin e paqëllimshëm të produkteve të bletës, si: mjaltit, qumështit të bletës etj., dhe shkakton prodhimin e produkteve të bletës jo në përputhje me kriteret e cilësisë. 9 KREU VII INSTITUCIONET PËRGJEGJËSE DHE MBËSHTETJA E SEKTORIT TË BLETARISË Neni 24 Institucionet përgjegjëse 1. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji janë: a) struktura përgjegjëse në ministri; b) institucioni përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve; c) institucioni i kontrollit zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë; ç) njësitë e vetëqeverisjes vendore. 2. Institucionet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni ushtrojnë detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat në zbatim të parashikimeve të legjislacionit në fuqi dhe dispozitave të këtij ligji. Neni 25 Mbështetja e sektorit të bletarisë Mbështetja e sektorit të bletarisë bëhet bazuar në politikat e ministrisë përmes programeve dhe masave të ndryshme të mbështetjes. KREU VIII PËRPUNIMI DHE RUAJTJA E MJALTIT Neni 26 Ambientet, mjetet për përpunimin dhe kushtet e magazinimit 1. Fermeri, personi fizik/juridik, që kryen procesin e përpunimit dhe ruajtjes së mjaltit, duhet të zotërojë mjetet e mëposhtme: a) për pranim, vjelje dhe mirëmbajtje të ambalazhit; b) për përpunim, mbushje dhe paketim; c) për prodhimet e paketuara; ç) për infrastrukturën. 2. Ambientet e përpunimit dhe ruajtjes duhet të plotësojnë kushtet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për ushqimin. Neni 27 Kushtet e ruajtjes Mjalti duhet të ruhet në vende të thata, të errëta, në temperaturë më të ulët se 25°C dhe lagështi relative të ajrit nga 65% deri në 80%. Neni 28 Mbikëqyrja Mbikëqyrja kryhet nga inspektorët e veterinarisë e të blegtorisë, sipas përcaktimeve ligjore për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve. KREU IX KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE, MASAT DHE EKZEKUTIMI Neni 29 Kundërvajtjet administrative 10 Përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme: a) ushtrimi i veprimtarisë në kundërshtim me nenin 5 të këtij ligji; b) vendosja e parkut të bletëve pa ruajtur distancat, në kundërshtim me nenin 7 të këtij ligji; c) shtegtimi i bletëve pa miratimin e institucionit përgjegjës sipas parashikimit të nenit 8 të këtij ligji;. ç) mosnjoftimi i institucionit përgjegjës në rast dyshimi të sëmundjeve sipas parashikimit të nenit 12 të këtij ligji. Neni 30 Masat administrative Për kundërvajtjet e parashikuara në nenin 29 të këtij ligji merren masat administrative si më poshtë: a) për shkeljet e parashikuara në shkronjën “a”, për bletarët amatorë gjobë nga 2 000 lekë deri në 5 000 lekë, ndërsa për bletarët profesionistë nga 5 000 lekë deri në 20 000 lekë. b) për shkeljet e parashikuara në shkronjën “b”, për bletarët amatorë gjobë nga 2 000 lekë deri në 5 000 lekë, ndërsa për bletarët profesionistë nga 5 000 lekë deri në 30 000 lekë. c) për shkeljet e parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç”, për bletarët amatorë gjobë nga 2 000 lekë deri në 5 000 lekë, ndërsa për bletarët profesionistë nga 10 000 lekë deri në 40 000 lekë. Neni 31 Procedura e kundërvajtjes administrative 1. Institucioni përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve brenda fushës së tij të përgjegjësisë merr masat administrative sipas këtij ligji. 2. Institucioni i kontrollit zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë brenda fushës së tij të përgjegjësisë merr masa administrative për shkeljet e parashikuara në legjislacionin në fuqi për ushqimin. 3. Kundër vendimit për marrjen e masave administrative sipas neneve 29 dhe 30 të këtij ligji, bëhet ankim në komisionin për shqyrtimin e masave administrative të veterinerit zyrtar në ministri dhe në gjykatë sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative. Neni 32 Ekzekutimi i vendimit Ekzekutimi i vendimeve bëhet në formën dhe parashikimet e legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative. Neni 33 Të ardhurat nga vjelja e gjobave Të ardhurat që krijohen nga arkëtimi i gjobave derdhen 100% në buxhetin e shtetit. KREU X DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT Neni 34 Dispozita kalimtare dhe të fundit Bletarët profesionistë raportojnë në institucionin përgjegjës për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve vendndodhjen e kolonive të bletëve dhe numrin e koshereve brenda 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Neni 35 11 Nxjerrja e akteve nënligjore 1. Ngarkohet ministri që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 7, pika 6; nenit 8, pika 7; nenit 9, pika 5; nenit 10, pika 1, dhe nenit 11, pika 5, të këtij ligji. 2. Ngarkohen ministri dhe ministri përgjegjës për pyjet që brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të nenit 13, pika 3, të këtij ligji. 3. Ngarkohet ministri përgjegjës për arsimin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të nenit 14, pika 2, të këtij ligji. Neni 36 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi në datën 1 maj 2024. Miratuar më datë 16.3.2023. Shpallur me dekretin nr. 49, datë 3.4.2023 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Law no. 20/2023 on beekeeping · Nelum