Law No. 105/2016 on plant protection
颁布于 2016-10-27 · 文本截至 2026-10-01
以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。
研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。
关于这部法律
- 原标题
- Ligj Nr. 105/2016 Për Mbrojtjen E Bimëve.
- 语言
- Albanian
- 类型
- 法令
- 国家
- 阿尔巴尼亚
- 主题
- Cultivated plants
- 关键词
- plant protection, quarantine, pests/diseases, pesticides, international trade, institution, inspection, offences/penalties, basic legislation, governance
- 类别
- *, agriculture
在哪里阅读
该法律没有记录来源链接。
文本
所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。
LIGJ Nr. 105/2016 PËR MBROJTJEN E BIMËVE (ndryshuar me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022; nr. 99/2024, datë 12.9.2024) (i përditësuar) Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi Qëllimi i këtij ligji është: a) të mbrojë bimët dhe produktet bimore nga dëmtuesit; b) të parandalojë hyrjen dhe përhapjen e dëmtuesve në territorin e Republikës së Shqipërisë; c) të mbrojë shëndetin e njerëzve, kafshëve, si dhe mjedisin nga përdorimi i produkteve për mbrojtjen e bimëve. Neni 2 Përkufizime (ndryshuar pika 3, 5, 23, 40, 41; shfuqizuar pika 4, 6, 8, 36; shtuar togfjalësh në pikën 11,26; shtuar pika 13/1, 42-53; hequr togfjalësh në pikën 25 me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022; ndryshuar pika 17 me ligjin nr. 99/2024, datë 12.9.2024) Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 1. “Ambalazh i produkteve pёr mbrojtjen e bimёve” është çdo material që shërben për ambalazhimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve të njё kontejneri, një pako, pёrfshirё edhe materialet nё kontakt me produktet e mbrojtjes së bimëve (PMB). 2. “Ambalazhimi i PMB-ve” është pjesë e procesit të prodhimit të PMB-ve dhe që ka të bëjë me vendosjen, paraprakisht, të PMB-ve në një ambalazh. Ambalazhimi përfshin edhe etiketimin e PMB-ve, i bërë sipas kёrkesave tё pёrcaktuara për etiketimin dhe hedhjen nё treg tё tyre. 3. “Bimë” janë bimët e gjalla ose pjesët e gjalla të bimëve të mëposhtme: a) farat në kuptimin botanik, përveç atyre që nuk janë të destinuara për mbjellje; b) frutat në kuptimin botanik; c) perimet; ç) tuberët, zhardhokët, bulbet, rizomat, rrënjët, nënshartesat, stolonet; d) trungjet, kërcejtë; dh) lulet e prera; e) degët me/ose pa gjethe; ë) pemët e prera që mbajnë gjethe; f) gjethet; g) kulturat e indeve bimore, përfshirë kulturat e qelizave, germplazmët, meristemat, klonet nga organizmat kimerë, materiale të vogla shumëzuese; gj) polenet e gjalla dhe sporet; h) sythat, sythat drunorë, kalemat, shermendet, shartimet. 4. Shfuqizuar. 5. “Certifikatë fitosanitare” është një dokument zyrtar i lëshuar nga agronomi i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, që vërteton se një dërgesë plotëson kërkesat fitosanitare. 6. Shfuqizuar. 7. “Certifikim fitosanitar i materialit shumëzues” është një procedurë ku bimët mëmë, kandidate për dhënien ematerialit shumëzues, kalojnë nëpër analiza dhe, kur është e nevojshme, në trajtim të veçantë, për të siguruar pastërtinë fitosanitare nga viruset dhe organizmat e tjerë të ngjashëm me ta. 8. Shfuqizuar. 9. “Gjurmim” është aftësia për të gjurmuar dhe ndjekur një bimë, prodhim bimorme rrezik, objekt tjetër ose produkt për mbrojtjen e bimëve, që janë ose priten të jenë të lidhura me shëndetin e bimëve në të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe të shpërndarjes. 10. “Inspektim” është shqyrtimi pamor i bimëve, i produkteve bimore dhe i objekteve të tjera, i kryer nga inspektori për të përcaktuar nëse ato janë të infektuara ose të prekura me dëmtues dhe nëse ato janë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me ligjin “Për inspektimin”. 11. “Inspektor” është inspektori i mbrojtjes së bimëve pranë institucionit përgjegjës për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe agronomi i kontrollit zyrtar pranë Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. 12. “Karantinë bimore” është tërësia e masave parandaluese, të marra me qëllim parandalimin e hyrjes dhe/ose përhapjes së një dëmtuesi karantinor. 13. “Kontroll i integruar” është përdorimi racional i disa metodave biologjike, bioteknologjike, kimike, kulturale ose të seleksionimit bimor, me anë të të cilave përdorimi i PMB-ve kufizohet në minimumin e kërkuar për të mbajtur dëmtuesit në nivele të ulëta, të tilla që mënjanojnë provokimin e dëmeve ose humbjeve me pasoja ekonomike. 13/1 “Kontrolli zyrtar” është monitorimi, mbikëqyrja, kontrolli dhe inspektimi që kryhet nga agronomi i strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve ose institucionit përgjegjës për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. 14. “Laborator i akredituar” është laboratori që ka kaluar me sukses procedurën e akreditimit nga organizmi kombëtar i akreditimit ose nga një organizëm europian akreditimi për të kryer ekzaminime dhe analiza të përcaktuara. 15. “Laborator i miratuar i kontrollit” është laboratori i miratuar nga ministri për kryerjen e tipave të analizave, të përcaktuara sipas pikës 3, të nenit 6, të këtij ligji. 16. “Laboratori Kombëtar i Referencës” është laboratori, i cili mbikëqyr laboratorët e tjerë në vend për aplikimin e standardeve dhe të metodave të kontrollit laboratorik, përpunimin e kampioneve standarde të referencës dhe kryerjen e ekzaminimeve ndërlaboratorike. 17. “Ligji i inspektimit” është ligji që përcakton rregullat dhe procedurat për inspektimet, që kryhen nga autoritetet shtetërore në Republikën e Shqipërisë. 18. “Masa të veçanta kontrolli” është një tërësi masash karantinore, kimike, agroteknike etj., që ndërmerren në rastet e shtimit e të përhapjes masive të dëmtuesve dhe që synojnë në uljen e infeksionit nën nivelin e dëmit ekonomik apo në çrrënjosjen e plotë të tyre. 19. “Mbetje të PMB-së” është një ose më shumë lëndë vepruese të pranishme në bimë, produkte me origjinë bimore dhe me origjinë shtazore, në ujë të pijshëm ose gjetkë në mjedis, si rrjedhojë e përdorimit të PMB-së, përfshirë këtu edhe metabolitet dhe produktet që dalin nga shpërbërja e tyre. 20. “Ministër” është ministri që mbulon fushën e bujqësisë. 21. “Ministria” është ministria që mbulon fushën e bujqësisë. 22. “Objekte të tjera” është çdo vend ruajtjeje, mjet transporti, kontejner, tokë, organizma të gjallë etj., që shërbejnë për strehimin ose përhapjen e dëmtuesve. 23. “Dëmtues” është kërpudha, bakteri, virusi, insekti, nematoda, fitoplazma, bima e dëmshme, si dhe çdo organizëm tjetër i dëmshëm ose potencialisht i dëmshëm për bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera. 24. “Dëmtues karantinor” është dëmtuesi i rrezikshëm, me ndikim të rëndësishëm ekonomik, që nuk është vërejtur ose është vërejtur në vendin tonë, por nuk është i përhapur gjerësisht. 25. “Pasaportë bimore” është dokumenti shoqërues për lëvizjen në brendësi të territorit të Republikës së Shqipërisë të bimëve, si dhe të produkteve bimore me rrezik. 26. “Përdorues i fundit” është personi ose subjekti, i cili përdor PMB, bimët dhe produktet bimore. 27. “Përdorues profesionist” është personi, i cili është pajisur me diplomë universitare në fushën e agronomisë, ose i cili i është nënshtruar një trajnimi të përshtatshëm për përdorimin e PMB-ve helmuese ose shumë helmuese dhe është pajisur me dëshmi aftësie ose dëshmi aftësie të veçantë për përdorimin e PMB-ve. 28. “Produkt për mbrojtjen e bimëve” ose “PMB” është produkti, i cili përmban një osemë shumë lëndë vepruese dhe i cili përdoret për mbrojtjen e bimëve e të produkteve bimore nga dëmtuesit ose për parandalimin e veprimit të tyre, për të ndikuar në proceset jetësore të bimëve, por me veprim të ndryshëm nga plehrat kimike, si p.sh. rregullatorët e rritjes, për të shkatërruar bimët e padëshirueshme apo pjesët bimore, si dhe për të mbajtur nën kontroll ose për të parandaluar rritjen e pjesëve bimore të padëshirueshme. 29. “PMB i rrezikshëm” është PMB-ja, e cila përmban njërën nga këto cilësi: eksploziv, oksidues, i ndezshëm, i dëmshëm, gërryes, irritant, i ndjeshëm, kancerogjen, mutagjen, helmues për riprodhimin dhe i rrezikshëm për mjedisin. 30. “PMB me rrezik të lartë” është PMB-ja, e cila përmban njërën nga këto cilësi: shumë helmues (të klasës 1a ose T+), helmues (të klasës 1b ose T), ekstremisht i ndezshëm. 31. “Praktikat e mira të mbrojtjes së bimëve” është tërësia e masave dhe e veprimeve për kontrollin e dëmtuesve me metodat kimike, duke respektuar kushtet në të cilat PMB-të janë regjistruar, si: respektimi i kufijve kritikë, zgjedhja e dozës dhe volumit, koha dhe numri i trajtimeve, mbrojtja e entomofaunës natyrale dhe mjedisit, si dhe kujdesi për shëndetin e përdoruesve e të konsumatorëve. 32. “Prekje ose infeksion” është prania e dëmtuesve të gjallë në bimë, në produkte bimore ose në objekte të tjera. 33. “Produkt bimor” është materiali me origjinë bimore, i përpunuar ose jo, i cili mund të përbëjë rrezik për hyrjen dhe përhapjen e dëmtuesve e të dëmtuesve karantinorë. 34. “Regjistrim” është procesi i vlerësimit të një PMB-je, sipas kritereve të vendosura në dispozitat e këtij ligji dhe në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, si rezultat i të cilit lejohet tregtimi apo përdorimi i tij në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe bëhet pajisja e tij me dokumentet e regjistrimit. 35. “Rieksport” është ngarkesë e rieksportuar pa rënë ndesh me përcaktimet e legjislacionit doganor, e cila është importuar nga një shtet e më pas eksportohet pa u ekspozuar ndaj infektimeve ose kontaminimeve nga dëmtuesit edhe nëse ngarkesa ruhet, ndahet, kombinohet me ngarkesa të tjera ose i ndryshohet ambalazhi. 36. Shfuqizuar. 37. “Struktura përgjegjëse e mbrojtjes së bimëve” ose “SPMB” është drejtoria që mbulon mbrojtjen e bimëve në ministri. 38. “Trajtim” është procedura e autorizuar për ngordhjen, largimin ose kufizimin e dëmtuesve. 39. “Tregtim i PMB-ve” është çdo aktivitet, i cili lidhetmemagazinimin, shpërndarjen, prezantimin pёr shitje ose shitjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të PMB-ve të regjistruara. 40. “Zonë” është një territor ose një pjesë e një territori. 41. “Zonë eMbrojtur nga Dëmtuesit (ZMD)” është një zonë e pastër nga dëmtues të caktuar. 42. “Operator profesionist” është çdo person i përfshirë profesionalisht dhe me përgjegjësi ligjore për një ose më shumë aktivitete në lidhje me bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera si më poshtë: a) mbjelljen; b) shumimin; c) prodhimin, përfshirë rritjen, shumimin dhe mirëmbajtjen; ç) importin, lëvizjen brenda territorit të vendit dhe eksportin; d) vendosjen në treg. 43. “Operator i regjistruar” është operatori profesionist i regjistruar sipas nenit 6/1 të këtij ligji. 44. “Operator i miratuar” është operatori i regjistruar, i miratuar për përdorimin e vulës në ambalazhet dhe paletat prej druri dhe/ose për lëshimin e “Pasaportës bimore”. 45. “Çrrënjosje” është aplikimi i masave fitosanitare për të eliminuar një dëmtues nga një zonë e infektuar. 46. “Kontrollimi i dëmtuesve” është aplikimi i masave fitosanitare përreth zonës së infektuar për të parandaluar përhapjen e një dëmtuesi. 47. “Autoritet kompetent” është struktura përgjegjëse për mbrojtjen e bimëve në ministri. 48. “Zonë e infektuar” është një zonë e cila përfshin të gjitha bimët që njihen se janë të infektuara nga dëmtuesit, të gjitha bimët që tregojnë simptoma infeksioni nga dëmtuesi dhe të gjitha bimët e tjera që mund të infektohen nga dëmtuesi për shkak të afërsisë së tyre me bimët e infektuara ose një burim i njohur prodhimi me bimë të infektuara, ose bimë të rritura nga ky burim. 49. “Zonë sigurie ose zonë tampon” është një zonë përreth ose ngjitur me një zonë të kufizuar zyrtarisht për qëllime fitosanitare, në mënyrë që të minimizohet mundësia e përhapjes së dëmtuesit të synuar në/ose jashtë zonës së kufizuar, e cila u nënshtrohet masave fitosanitare ose kontrolleve të tjera, nëse është e nevojshme. 50. “Zonë e shënuar” është zona e infektuar së bashku me zonën e sigurisë. 51. “Regjistri zyrtar” është regjistri ku regjistrohen operatorët profesionistë dhe operatorët e miratuar. 52. “Agjent i kontrollit biologjik” është një organizëm natyror, antagonist ose konkurrent ose një organizëm tjetër, i cili përdoret për kontrollin e dëmtuesve. 53. “Diagnoza e dëmtuesve” është procesi i zbulimit dhe identifikimit të një dëmtuesi. KREU II ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I STRUKTURAVE TËMBROJTJES SË BIMËVE Neni 3 Strukturat e mbrojtjes së bimëve Strukturat e mbrojtjes së bimëve, të ngarkuara me zbatimin e këtij ligji, janë: a) struktura përgjegjëse e mbrojtjes së bimëve (SPMB) në ministri; b) institucioni përgjegjës për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë; c) struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve; ç) Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV); d) Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve (DMB) pranë ISUV-it. Neni 4 Detyrat e strukturave të mbrojtjes së bimëve (ndryshuar pika 2 dhe 3 me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Struktura përgjegjëse e mbrojtjes së bimëve ka këto detyra: a) është autoriteti kompetent që harton politikat e mbrojtjes së bimëve dhe për përshtatjen e legjislacionit të mbrojtjes së bimëve me atë të BE-së; b) zhvillon proceduarat që lidhenme regjistrimin e PMB-ve, të lëndëve vepruese, si dhe të shtuesve e të bashkëvepruesve; c) ndjek dhe zbaton aktivitetin e shërbimet në kuadër të mbrojtjes së bimëve në nivel qendror dhe rajonal, në zbatim të këtij ligji. 2. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është përgjegjës për administrimin dhe kontrollin në Pikat e Inspektimit Kufitar dhe kryerjen e kontrolleve brenda vendit, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të akteve nënligjore që rrjedhin prej tij. 3. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve është përgjegjës për kontrollin zyrtar të shëndetit të bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera, si dhe për kontrollin e përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve, objekt i këtij ligji. Organizimi dhe funksionimi i tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. 4. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ka detyrat e përcaktuara sipas pikave 1.2 dhe 2, të nenit 5, të këtij ligji. 5. Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve ka detyrat e përcaktuara sipas pikave 1.1 dhe 2, të nenit 5, të këtij ligji. Neni 5 Laboratorët kombëtarë të references (shtuar shkronja “ç” në pikën 1.1 me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Laboratorë kombëtarë të referencës janë: 1.1. Laboratorët e diagnostikimit të dëmtuesve, pranë DMB-së, të cilët kanë për detyrë: a) të monitorojnë dëmtuesit karantinorë, të përcaktojnë statusin e tyre, metodat e kontrollit karantinor dhe të njoftojnë ministrinë; b) të bëjnë diagnostikimin dhe prognozë-sinjalizimin e dëmtuesve, duke përcaktuar edhe masat e kontrollit të tyre; c) të bëjnë provat biologjike-agronomike të PMB-ve gjatë procedurës për regjistrimin e tyre, kur kërkohet një gjë e tillë. ç) të hartojë protokollet diagnostike të dëmtuesve në gjuhën shqipe, sipas protokolleve të Konventës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Bimëve (IPPC) dhe Organizatës Evropiane dhe Mesdhetare për Mbrojtjen e Bimëve (EPPO), të cilat miratohen me urdhër të ministrit. 1.2. Laboratori i analizave cilësore të PMB-ve, si dhe ai i mbetjeve të tyre në bimët e në produktet me origjinë bimore, pranë ISUV-it, i cili ka për detyrë: a) vlerësimin e dokumentacionit të PMB-ve gjatë procedurës së regjistrimit të tyre; b) kontrollin cilësor të PMB-ve të regjistruara dhe të hedhura në treg; c) analizën e mbetjeve të PMB-ve në bimët dhe produktet me origjinë bimore, të prodhuara në vend dhe/ose të importuara, në zbatim të legjislacionit për sigurinë ushqimore. 2. Krahas detyrave të përcaktuara në pikat 1.1 dhe 1.2, të pikës 1, të këtij neni, laboratorët kombëtarë të referencës kryejnë detyrat e mëposhtme, sipas fushës së tyre të përcaktimit: a) vlerësimin e laboratorëve, me qëllim miratimin e tyre si laboratorë të miratuar për kryerjen e analizave të kontrolleve zyrtare; b) bashkërendimin e punës dhe dhënien e mbështetjes, përfshirë trajnimet dhe shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe mënyrat e analizave që ato kryejnë; c) organizimin e testeve paralele të mostrave të standardizuara dhe marrjen pjesë në to në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të miratuar të kontrollit; ç) garantimin e përdorimit të një sistemi të brendshëm, në përputhje me standardet e kërkuara nga laboratorët e miratuar të kontrollit. Neni 6 Laboratorët e miratuar të kontrollit 1. Laboratorët rajonalë të mbrojtjes së bimëve në varësi të ministrisë janë laboratorë të miratuar kontrolli. Laboratorë të kontrollit të mbrojtjes së bimëve mund të miratohen edhe laboratorë të tjerë, publikë apo privatë, të akredituar. 2. Kriteret e përgjithshme dhe procedurat për miratimin e laboratorëve të kontrollit të mbrojtjes së bimëve hartohen nga laboratorët kombëtarë të referencës dhe miratohen me udhëzim të ministrit. 3. Laboratorët e kontrollit miratohen me urdhër të ministrit, pas vlerësimit të kryer nga laboratorët kombëtarë të referencës për përmbushjen e kritereve, sipas pikës 2, të këtij neni, dhe sipas llojit të analizave për të cilat janë akredituar. 4. Tarifat e shërbimeve dhe të analizave, që kryhen nga laboratorët kombëtarë të referencës dhe laboratorët e miratuar të kontrollit, përcaktohen me udhëzim të ministrit. Neni 6/1 Regjistri i operatorëve profesionistë (shtuar me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) Regjistri i operatorëve profesionistë mbahet në strukturën përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve. Formati, kriteret dhe procedura e regjistrimit përcaktohen me udhëzim të ministrit. KREU III KONTROLLI I DËMTUESVE Neni 7 Detyrimi për kontrollin e dëmtuesve (ndryshuar titulli, ndryshuar pika 2, shtuar togfjalësh në pikën 5, ndryshuar pika 6 dhe 7, shtuar pika 8 dhe 9 me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Personat fizikë dhe juridikë, që kultivojnë, prodhojnë, përpunojnë, magazinojnë dhe tregtojnë bimë dhe produkte bimore, janë të detyruar: a) të marrin masa paraprake kundër dëmtuesve dhe të parandalojnë shumëzimin e përhapjen e tyre, sipas praktikave të mira të mbrojtjes së bimëve; b) të vrojtojnë bimësinë, tokën dhe produktet bimore për shfaqjen e dëmtuesve dhe t’i kontrollojnë ato, në bazë të praktikave të mira të mbrojtjes së bimëve dhe të kritereve të mbrojtjes së integruar. 2. Lëvizja e bimëve për mbjellje brenda territorit të Republikës së Shqipërisë bëhet vetëm nëse ato janë të pajisura me “Pasaportë bimore”. 3. Në rastet e lëvizjes së bimëve ose produkteve bimore jashtë territorit të vendit, ato duhet t’i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe të pajisen me “Certifikatën fitosanitare për eksport”, të lëshuar nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes se Bimëve. 4. Në rastin e hyrjes në territorin e vendit të bimëve ose të produkteve bimore, për qëllim rieksporti dhe qëndrimit të tyre brenda vendit për më shumë se 14 ditë, atëherë ato duhet t’i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe duhet të pajisen edhe me “Certifikatën fitosanitare për rieksport”, të lëshuar nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes se Bimëve. 5. Sasi të vogla të bimëve, produkteve bimore, për qëllime të konsumit vetjak ose përdorim personal, për përdorim joindustrial, bujqësor apo tregtar, mund të qarkullojnë në vend edhe kur nuk shoqërohen me “Pasaportë bimore”, me kusht që të mos përbëjnë rrezik për përhapjen e organizmave të dëmshëm. 6. Kur prania e një dëmtuesi karantinor konfirmohet zyrtarisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, ministri me urdhër miraton planin e veprimit ku përcaktohen masat për çrrënjosjen e këtij dëmtuesi. 7. Ministri me urdhër miraton Planin e Monitorimit për dëmtuesit. 8. Ministri me urdhër miraton procedurat e marrjes së mostrave. 9. Ministri me urdhër miraton Planin e Monitorimit të mbetjeve të pesticideve. Neni 8 Masat e veçanta të kontrollit të dëmtuesve 1. Masat e veçanta për rastet emergjente të përhapjes e të shtimit masiv të dëmtuesve, të cilët nuk mund të kufizohen me metodat e zakonshme të kontrollit, si dhe mobilizimi për këtë qëllim i subjekteve shtetërore e private, të cilat zotërojnë kapacitetet e nevojshme njerëzore e materiale, përcaktohen me urdhër të ministrit. 2. Shpenzimet për masat e veçanta në këto raste përballohen nga buxheti vjetor i ministrisë. 3. Rregullat në lidhje me masat e veçanta të kontrollit të dëmtuesve dhe trajtimet për kontrollin e dëmtuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit. Neni 9 Pastërtia fitosanitare e materialit shumëzues dhe mbjellës bimor (zëvendësuar togfjalësh në pikën 1 me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Materialet bimore për shumëzim ose mbjellje lejohen të përdoren vetëm pasi i janë nënshtruar kontrollit fitosanitar dhe janë pajisur me “Pasaportë bimore”. 2. Speciet drufrutore dhe hardhia, të cilat shtohen nëmënyrë vegjetative, i nënshtrohen procedurës së certifikimit të materialit shumëzues për të siguruar pastërtinë nga viruset dhe organizma të tjerë, të ngjashëm me to. Neni 10 Zonat e pastra (shtuar pika 4 dhe 5 me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Në zonat e pastra nuk lejohet prania e një ose më shumë prej dëmtuesve karantinorë për të garantuar pastërtinë fitosanitare nga këta dëmtues. 2. Miratimi i njohjes së “zonës së mbrojtur nga dëmtuesit” bëhet me urdhër të ministrit. 3. Rregullat për njohjen e zonave të pastra përcaktohen me udhëzim të ministrit. 4. Miratimi i Planit të Veprimit (PV) dhe Ushtrimeve të Simulimit bëhet me urdhër të ministrit. 5. Lista e zonave të mbrojtura, e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera, si dhe kërkesat përkatëse për të hyrë dhe lëvizur në këto zona përcaktohen në rregulloren e miratuar sipas pikës 3, të nenit 14 të këtij ligji. Neni 11 Kërkesat fitosanitare ndaj paletave dhe materialit të ambalazhit prej druri (zëvendësuar fjalë në fund të fjalisë së pikës 1, ndryshuar pika 2, shtuar togfjalësh në pikën 3 me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Materiali i ambalazhit dhe i paletave prej druri u nënshtrohet masave të miratuara fitosanitare për qëllime trajtimi dhe vulosjeje, sipas përcaktimeve të pikës 4 të këtij neni. 2. Materiali i ambalazhit dhe i paletave prej druri lejohet të hyjë dhe të lëvizë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë vetëm nëse plotëson rregullat dhe masat e përcaktuara në rregulloren e miratuar sipas pikës 4 të këtij neni. 3. Materiali i ambalazhit dhe i paletave prej druri, që shoqëron çdo ngarkesë në import, është objekt i inspektimit fitosanitar në pikat e kalimit kufitar edhe kur ngarkesa nuk është subjekt i inspektimit fitosanitar. 4. Rregullat dhe masat për trajtimin e ambalazheve dhe paletave prej druri përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe ministrit përgjegjës për mjedisin. Neni 12 Pasaporta bimore (ndryshuar me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera lejohen të lëvizin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë të shoqëruara me “Pasaportë bimore”. 2. “Pasaporta bimore” lëshohet nga operatori i miratuar, pasi plotësohen kushtet dhe kriteret e miratuara, sipas pikës 5 të këtij neni. 3. Operatori i miratuar lëshon “Pasaportë bimore” vetëm për bimët për të cilat ai është përgjegjës. Ky proces mbikëqyret nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. 4. Përjashtimisht nga pika 3 e këtij neni, “Pasaportë bimore” lëshohet nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në të gjitha rastet, kur nuk ka operatorë të miratuar. 5. Ministri me urdhër përcakton procedurën, kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë një operator për t’u miratuar për lëshimin e “Pasaportës bimore”, si dhe rastet e heqjes së miratimit. 6. Lista e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera për të cilat kërkohet një “Pasaportë bimore” përcaktohen në rregulloren e miratuar sipas pikës 3, të nenit 14, të këtij ligji. Neni 13 Fondet për mbrojtjen e bimëve 1. Fondet e veçanta përmbrojtjen nga dëmtuesit të bimëve të kultivuara apo spontane planifikohen në buxhetin vjetor që miratohet për ministrinë. 2. Përcaktimi i dëmtuesve, për kontrollin e të cilëve do të përdoret ky fond, miratohet me urdhër të ministrit. 3. Ministri, me propozimin e autoritetit kompetent, miraton shpërndarjen dhe përdorimin e burimeve financiare të mbrojtjes së bimëve. KREU IV SHËRBIMI DHE INSPEKTIMI FITOSANITAR (ndryshuar titulli me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) Neni 14 Detyrimi për inspektimin dhe kontrollin fitosanitar (ndryshuar me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Importi dhe kalimi tranzit i bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera në territorin e Republikës së Shqipërisë bëhen në pikat kufitare të hyrjes ku funksionon kontrolli fitosanitar dhe i nënshtrohen inspektimit. 2. Inspektori i kontrollit fitosanitar është pjesë e grupit të punonjësve doganorë që marrin kontaktin e parë me mjetet që transportojnë bimë, produkte bimore, PMB dhe objekte të tjera. 3. Ministri miraton me rregullore masat mbrojtëse kundër dëmtuesve të bimëve. 4. Ndalohet importi, eksporti dhe kalimi tranzit i bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera të infektuara me dëmtues karantinorë, të përcaktuar sipas pikës 3 të këtij neni. 5. Ndalohet importi dhe lëvizja e bimëve për mbjellje brenda territorit të Republikës së Shqipërisë nëse prania e dëmtuesve jokarantinorë të rregulluar ose simptomat e shkaktuara nga dëmtues jokarantinorë të rregulluar janë mbi kufijtë kritikë, të përcaktuar sipas pikës 3 të këtij neni. 6. Lejohet importi, eksporti dhe përdorimi i agjentëve të kontrollit biologjik, që janë pjesë e listës, sipas pikës 7 të këtij neni. 7. Lista e agjentëve të kontrollit biologjik në territorin e Republikës së Shqipërisë përcaktohet me urdhër ministri. 8. Tarifat e shërbimit për kontrollin fitosanitar në pikat e kalimit kufitar ku funksionon kontrolli fitosanitar dhe për kontrollin e shëndetit të bimëve në territorin e Republikës së Shqipërisë përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të bujqësisë dhe financave. Në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare dypalëshe ose shumëpalëshe, mund të mos aplikohen tarifa. 9. Në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare dypalëshe ose, kontrolli dhe inspektimi fitosanitar, sipas këtij neni, për importin e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera kryhet jashtë pikës kufitare të hyrjes, në terminalin e doganës. Neni 15 Njoftimi i shërbimit të mbrojtjes së bimëve (ndryshuar pika 1,2 dhe 3, shtuar pika 4 dhe 5 me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Operatorët profesionistë, kur vërejnë ose dyshojnë për një dëmtues karantinor të pahasur më parë në një zonë, ose për shtimin masiv të një dëmtuesi, janë të detyruar të njoftojnë menjëherë Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. 2. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve mund të vendosë që njoftimi i përmendur në pikën 1 të këtij neni të mos kërkohet kur një dëmtues specifik është hasur në atë zonë. Në këtë rast informohen operatorët profesionistë për këtë vendim. 3. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, pas përcaktimit të parregullsisë apo dëmtuesve ose shfaqjes së një dëmtuesi karantinor, njofton menjëherë autoritetin kompetent. Në rastet e përcaktimit të parregullsisë apo dëmtuesve ose shfaqjes së një dëmtuesi karantinor në zona të shpallura të mbrojtura sipas legjislacionit në fuqi të zonave të mbrojtura, njofton edhe strukturën përgjegjëse që mbulon fushën e zonave të mbrojtura. 4. Inspektori i kontrollit fitosanitar në pikën e inspektimit kufitar, pas përcaktimit të parregullsisë apo dëmtuesit në ngarkesat që janë objekt inspektimi fitosanitar në import, njofton autoritetin kompetent të vendit të origjinës dhe autoritetin kompetent. 5. Rregullat dhe formati për mënyrën e njoftimit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Neni 16 Shpallja e zonës së shënuar (ndryshuar me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. SPMB-ja përgatit masat për kufizimin e përhapjes së dëmtuesit karantinor deri në çrrënjosjen e tij në zonën përkatëse dhe i propozon ministrit miratimin e këtyre masave dhe shpalljen e kësaj zone si zonë të shënuar. 2. Shpallja e zonës së shënuar dhe masat për kufizimin e përhapjes së dëmtuesit karantinor përcaktohen me urdhër të ministrit dhe u njoftohen organeve të vetëqeverisjes vendore dhe operatorëve profesionistë. Neni 17 Shumëzimi i dëmtuesve për qëllime kërkimore 1. Mbajtja dhe shumëzimi i dëmtuesve karantinorë për qëllime kërkimore dhe eksperimentale, lejohet në rast se institucioni kërkimor zotëron mjetet e nevojshme, që garantojnë me protokoll të veçantë mospërhapjen e dëmtuesit karantinor. 2. Mbajtja dhe shumëzimi i dëmtuesve karantinorë, sipas pikës 1, të këtij neni, nga institucionet kërkimore lejohen vetëm me urdhër të ministrit. Neni 18 Eksporti (hequr togfjalësh në pikën 1, ndryshuar pika 3 me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Eksporti i bimëve dhe i produkteve bimore lejohen nëse: a) ngarkesa është me origjinë nga Republika e Shqipërisë para lëshimit të “Certifikatës fitosanitare për eksport” dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes se Bimëve ka kryer kontrollin, për të siguruar nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat fitosanitare; b) ngarkesat, që do të eksportohen, nuk janë me origjinë nga Republika e Shqipërisë, por janë magazinuar, ripaketuar apo ndarë në Republikën e Shqipërisë dhe para lëshimit të certifikatave për rieksport, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes se Bimëve ka kryer kontrollin për të siguruar nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat fitosanitare. 2. “Certifikata fitosanitare për rieksport” konsiderohet dokument zyrtar, kur inspektori fitosanitar vërteton se përmbushen kërkesat, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni. 3. Formati dhe përmbajtja e certifikatave fitosanitare, ku përcaktohet edhe qëllimi i përdorimit, janë të përcaktuara në rregulloren sipas pikës 3, të nenit 14, të këtij ligji. KREU V PRODUKTET PËRMBROJTJEN E BIMËVE Neni 19 Regjistrimi (shtuar togfjalësh me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Të gjitha PMB-të që tregtohen ose përdoren në territorin e Republikës së Shqipërisë i nënshtrohen procedurës së regjistrimit. 2. Në Republikën e Shqipërisë regjistrohen vetëm PMB-të, të cilat janë të regjistruara në një nga vendet e Bashkimit Europian. 3. Të gjitha proceduarat, që lidhen me regjistrimin e PMB-ve, lëndëve vepruese, si dhe të shtuesve e të bashkëvepruesve kryhen në ministri, pranë SPMB-së, si autoriteti përgjegjës. 4. Rregullat e regjistrimit, procedura dhe kriteret e vlerësimit të PMB-ve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. 5. Miratimi i lëndëve vepruese, i përbërësve të tjerë në përmbajtje të PMB-ve, i të dhënave teknike të dosjes së regjistrimit të PMB-ve, si dhe përditësimi i tyre, në përputhje me legjislacionin e BE-së, bëhen me urdhër të ministrit sipas propozimit të strukturës përgjegjëse për mbrojtjen e bimëve. Neni 20 Tregtimi i PMB-ve 1. Lejohet tregtimi me shumicë dhe me pakicë i PMB-ve të regjistruara. 2. Tregtimi me shumicë dhe pakicë i PMB-ve bëhet nga persona fizikë, të diplomuar në fushën e agronomisë, ose nga persona juridikë, të cilët duhet të punësojnë një ose disa persona, teknikë përgjegjës, të cilët janë diplomuar në këtë fushë. 3. Tregtia e PMB-ve përfshihet në kategorinë II.5, të shtojcës së ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Tregtimi me shumicë dhe me pakicë i PMB-ve me rrezik dhe i PMB-ve me rrezik të lartë kryhet me licencë, të lëshuar sipas kërkesave të legjislacionit, në zbatim të ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. 4. Ministri, me propozimin e institucionit përgjegjës për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, mund të pezullojë dhe/apo të revokojë licencën, në përputhje me pikën 3, të këtij neni, në rastet kur nuk përmbushen më kriteret e dhënies së licencës apo shkelen detyrimet e përcaktuara në të, si dhe në rastet kur ka një rrezik serioz për shëndetin publik dhe është e nevojshme e urgjente marrja e masave parandaluese. 5. Në njësitë e tregtimit me shumicë të PMB-ve ndalohet: a) mbajtja dhe tregtimi i PMB-ve me ambalazhe të pamiratuara; b) asgjësimi i ambalazheve dhe i PMB-ve të skaduara apo të dëmtuara; c) mbajtja dhe tregtimi i ushqimeve për njerëz e për kafshë, si dhe i farërave të padezinfektuara, që mund të përdoren si ushqim për njerëz dhe kafshë si: drithëra, bishtajore për kokërr (bizele, bathë, fasule); ç) riambalazhimi i PMB-ve; d) shitja e PMB-ve me pakicë te përdoruesi i fundit. 6. Në njësitë e tregtimit me pakicë ndalohet: a) shitja e PMB-ve helmuese te personat, që nuk janë të pajisur me dëshmi aftësie, si dhe e PMB ve shumë helmuese te personat që nuk janë të pajisur me dëshmi aftësie të veçantë, sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 23, të këtij ligji; b) shitja e PMB-ve helmuese dhe shumë helmuese pa recetë; c) mbajtja dhe tregtimi i PMB-ve me ambalazhe të pamiratuara; ç) asgjësimi i ambalazheve dhe i PMB-ve të skaduara apo të dëmtuara; d) mbajtja dhe tregtimi i ushqimeve për njerëz dhe për kafshë, si dhe i farërave të padezinfektuara, që mund të përdoren si ushqim për njerëz dhe kafshë, si: drithëra, bishtajore për kokërr (bizele, bathë, fasule); dh) riambalazhimi i PMB-ve. 7. Rregullat për tregtimin, transportin, ruajtjen dhe magazinimin e PMB-ve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. Neni 21 Tregtimi i materialit mbjellës, të dezinfektuar 1. Lejohet tregtimi i materialit mbjellës, të dezinfektuar me një PMB, e cila është e regjistruar në Republikën e Shqipërisë ose në një vend të BE-së. 2. Etiketa dhe dokumentet shoqëruese për materialin mbjellës, të dezinfektuar, duhet të përfshijnë emrin tregtar të PMB-së dhe emrin ose emrat e lëndës ose lëndëve vepruese në përmbajtje të saj. Neni 22 Transporti dhe ruajtja e PMB-ve 1. Transporti i PMB-ve kryhet me mjete të sigurta dhe të përshtatshme, sipas legjislacionit në fuqi për mallrat dhe substancat e rrezikshme. 2. PMB-të ruhen në magazina në rastin e tregtimit me shumicë, si dhe në mjediset e tregtimit me pakicë. 3. Kushtet në magazinat dhe njësitë e tregtimit me pakicë duhet të garantojnë ruajtjen e cilësive fiziko-kimike të PMB-ve, sipas kërkesave të përcaktuara në etiketën e PMB-ve. 4. Magazinat dhe njësitë e tregtimit me pakicë të PMB-ve duhet të jenë të pajisura me: a) mjetet e nevojshme për asgjësimin e PMB-ve të rrjedhura; b) këndin e ndihmës së shpejtë dhe mjetet mbrojtëse individuale; c) pajisjet e mbrojtjes nga zjarri; ç) mjediset higjieno-shëndetësore me ujë të rrjedhshëm; d) magazinat të jenë të pajisura me sistemet e ajrimit, si dhe aparatet matëse dhe regjistruese të temperaturës e të lagështirës së ajrit, si dhe mjedise të veçanta qëndrimi për punonjësit e tyre. Neni 23 Përdorimi i qëndrueshëm i PMB-ve 1. Përdorimi i qëndrueshëm i PMB-ve duhet të sigurojë uljen e rreziqeve dhe ndikimeve të tyre në shëndetin e përdoruesve, konsumatorëve, kafshëve dhemjedisit si dhe kontrollin e integruar të dëmtuesve. 2. PMB-të përdoren nga përdoruesi i fundit, duke respektuar kërkesat dhe udhëzimet, që jepen në dokumentin e regjistrimit të tyre. 3. PMB-të shumë helmuese përdoren vetëm nga përdoruesit profesionistë, të cilët janë persona të diplomuar në fushën e agronomisë ose persona, të cilët i janë nënshtruar një trajnimi të përshtatshëm për përdorimin e PMB-ve shumë të rrezikshme dhe janë pajisur me dëshmi aftësie të veçantë për këtë përdorim. 4. PMB-të helmuese përdoren nga përdoruesit profesionistë, të cilët janë persona të diplomuar në fushën e agronomisë ose nga persona, të cilët i janë nënshtruar një trajnimi të përshtatshëm për përdorimin e PMB-ve helmuese dhe janë pajisur me dëshmi aftësie për këtë përdorim. 5. Trajtimet me PMB duhet të kryhen me mjete dhe makineri sipas legjislacionit në fuqi për makineritë, legjislacionit që përfshin dhe makineritë për përdorim të PMB-ve, për të garantuar sigurinë e shëndetit të përdoruesve, të mjedisit dhe të bimëve e të produkteve bimore ku ato përdoren. 6. Rregullat për përdorimin e qëndrueshëm të PMB-ve, si dhe kriteret e kualifikimit për përdoruesit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. 7. Kriteret teknike të mjeteve dhemakinerive, të cilat përdoren për trajtimet me PMB, përcaktohen me udhëzim të ministrit. Neni 24 Ambalazhimi i PMB-ve 1. Lejohet ambalazhimi i PMB-ve, të regjistruara në Republikën e Shqipërisë. 2. Ambalazhimi i PMB-ve përfshihet në kategorinë II.5, të shtojcës së ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ambalazhimi i PMB-ve kryhet nga subjekte të licencuara sipas kërkesave të legjislacionit në zbatim të ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. 3. Licencimi kryhet bazuar në verifikimin paraprak nga institucioni përgjegjës për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë të kushteve e të kritereve të caktuara për këtë qëllim në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij. 4. Rregullat e përgjithshme për klasifikimin, ambalazhimin dhe etiketimin e PMB-ve zbatohen në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave që rregullon klasifikimin, ambalazhimin dhe etiketimin e kimikateve. Rregullat specifike për ambalazhimin dhe etiketimin e PMB-ve përcaktohen me udhëzim të ministrit. Neni 25 Asgjësimi i PMB-ve dhe ambalazheve të tyre 1. PMB-të, ambalazhet dhe materialet e tjera, që duhet të asgjësohen, janë: a) PMB-të e papërdorshme, për shkak të skadimit ose për arsye të tjera, përjashtuar rastet kur ato i janë nënshtruar analizave nga laboratori i akredituar dhe parametrat e tyre janë të njëjta me ato të dosjes së regjistrimit; b) PMB-të që kanë rrjedhur gjatë ruajtjes e transportit dhe materialet e përdorura për thithjen e dezaktivizimin e tyre; c) ambalazhet, si: fuçi, bidonë, shishe, kuti, qese dhe objekte të tjera të ngjashme, të boshatisura; ç) sendet e ndotura gjatë punës, si: pajisje mbrojtëse, enë të ndryshme, mjete pastrimi, objekte të tjera të ngjashme, të cilat nuk mund të përdoren më. 2. Tregtuesit me shumicë të PMB-ve, për PMB-të e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, janë të detyruar t’i largojnë ato nga territori i Republikës së Shqipërisë ose të bëjnë djegien (inçinerimin) e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndotjen e mjedisit. 3. Asgjësimi i PMB-ve me djegie (inçinerim), brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet nga subjekte të specializuara për këtë qëllim, të licencuara sipas legjislacionit në fuqi për lejet dhe licencat. 4. Ministri, së bashku me ministrin përgjegjës për mjedisin, miratojnë udhëzimin për asgjësimin e PMB-ve dhe të ambalazheve të tyre, sipas përcaktimeve të shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij neni. 5. Riciklimi i ambalazheve të PMB-ve, sipas përcaktimeve të shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, duhet të kryhet vetëm për ato ambalazhe, të cilat nuk janë të kontaminuara me PMB të klasifikuara si PMB të rrezikshme dhe PMB me rrezik të lartë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbetjet. 6. Ambalazhet e kontaminuara me PMB të klasifikuara si PMB të rrezikshme dhe PMB me rrezik të lartë duhet të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Neni 26 Të dhënat statistikore për PMB-të 1. Instituti i Statistikave, në bashkëpunim me ministrinë, të sigurojë të dhënat statistikore të PMB ve: a) çdo vit për sasitë e hedhura në treg; b) çdo 5 vjet për sasitë e përdorura. 2. Rregullat e sigurimit të të dhënave statistikore të PMB-ve përcaktohen me marrëveshje mirëkuptimi midis Institutit të Statistikave dhe ministrisë. Neni 27 Kërkesat për gjurmueshmërinë 1. Gjurmueshmëria përcaktohet në të gjitha nivelet e prodhimit bimor me rrezik, objekteve të tjera ose PMB-ve, që janë ose priten të jenë të lidhura me shëndetin e bimëve, në të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe të shpërndarjes së tyre. 2. Prodhuesit e bimëve dhe tregtuesit e PMB-ve krijojnë një sistem për mbajtjen e të dhënave, të quajtur bazë të dhënash, dhe garantojnë procedurat, të cilat mundësojnë identifikimin e tyre nё çdo çast. Nёpёrmjet kёtyre tё dhёnave bёhet identifikimi i çdo personi fizik apo juridik, që i ka furnizuar apo është furnizuar me bimë, prodhime bimore me rrezik, objekte të tjera ose PMB. 3. Prodhuesit dhe tregtuesit e bimëve, si dhe tregtuesit e PMB-ve e ruajnë informacionin e përmendur në pikën 2, të këtij neni, për tre vjet dhe ia japin këtë informacion institucionit përgjegjës për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe ministrit, me kërkesë tё tyre. KREU VI KUNDËRVAJTJE ADMINISTRATIVE Neni 28 Kundërvajtje administrative (ndryshuar shkronja “b” dhe “c” me ligjin nr. 15/2022, datë 3.2.2022) 1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme të dispozitave të këtij ligji përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me: a) gjobë 10 000 lekë, në rastet kur veprohet në kundërshtimme pikën 1, të nenit 7; pikën 1, të nenit 15; dhe pikat 2, 3 e 5, të nenit 23, të këtij ligji; b) gjobë 50 000 lekë në rastet kur veprohet në kundërshtim me nenin 6/1; me pikën 2, të nenit 7; pikën 1, të nenit 10; nenin 11; pikën 1, të nenit 12; pikat 4, 5 dhe 6, të nenit 14; pikën 1, të nenit 17 dhe pikën 4, të nenit 22, të këtij ligji; c) gjobë 100 000 lekë në rastet kur veprohet në kundërshtim me pikat 2 e 6, të nenit 20; nenin 21; pikat 2 e 3, të nenit 23 dhe pikën 4, të nenit 24, të këtij ligji; ç) gjobë 200 000 lekë, në rastet kur veprohet në kundërshtim me pikat 1, 3 e 5, të nenit 20; pikën 3, të nenit 22; pikat 1 e 2, të nenit 24; dhe pikën 3, të nenit 25, të këtij ligji; d) gjobë 500 000 lekë, si dhe propozim për heqje të licencës përkatëse në rast përsëritjeje të kundërvajtjeve administrative të parashikuara në pikën 1 të nenit 20; dhe në pikën 1, të nenit 24, të këtij ligji. Të gjitha të ardhurat nga gjobat derdhen në Buxhetin e Shtetit. 2. Për shkeljet e dispozitave të këtij ligji, të cilat sipas pikës 1, të këtij neni, përbëjnë kundërvajtje administrative, përveç masës së vënies së gjobës, e cila është dënim kryesor, vendosen edhe dënime plotësuese si masa e kthimit të ngarkesave, e heqjes së licencës, e heqjes së të drejtës së tregtimitme shumicë ose pakicë, si dhe masa urgjente, si masa e bllokimit në rastin e shkeljeve të dispozitave të pikës 2, të nenit 7, dhe të nenit 19, të këtij ligji. Neni 29 Procedurat e kundërvajtjes administrative 1. Të drejtën e dhënies së masës administrative, siç është përcaktuar në nenin 28, të këtij ligji, e ka inspektori i organit të kontrollit. 2. Kundër vendimit të inspektoratit mund të bëhet ankim ose ankim i veçantë në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin. 3. Procedura e konstatimit dhe vendosjes do të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative. KREU VII DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE Neni 30 Dispozitë kalimtare 1. Laboratorët e diagnostikimit të dëmtuesve të Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, riorganizohen si institucion në varësi të ministrit. 2. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të laboratorëve të diagnostikimit të dëmtuesve të Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 31 Akte nënligjore 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të pikës 5, të nenit 14; të pikës 4, të nenit 19; të pikës 7, të nenit 20; të pikës 6, të nenit 23 dhe pikës 2, të nenit 30, të këtij ligji. 2. Ngarkohet ministri të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikave 2, 3 dhe 4, të nenit 6; të pikave 2 e 7, të nenit 7; të pikave 1 e 3, të nenit 8; të pikave 2 e 3, të nenit 10; të pikave 1 e 3, të nenit 12; të pikave 2 e 3, të nenit 13; të pikës 3, të nenit 15; të pikës 2, të nenit 17; të pikës 5, të nenit 19; të pikës 7, të nenit 23; dhe të pikës 4, të nenit 24 të këtij ligji. 3. Ngarkohen ministri dhe ministri përgjegjës për mjedisin të nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të pikës 4, të nenit 10, dhe pikës 4, të nenit 11, të këtij ligji. Neni 32 Shfuqizime 1. Ligji nr. 9362, datë 24.3.2005, “Për Shërbimin e Mbrojtjes së Bimëve”, i ndryshuar, shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij ligji. 2. Deri në daljen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, mbeten në fuqi aktet nënligjore në zbatim të ligjit nr. 9362, datë 24.5.2005, “Për Shërbimin e Mbrojtjes së Bimëve”, i ndryshuar, për aq sa përputhen me ligjin në fuqi. Neni 33 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 27.10.2016 Shpallur me dekretin nr. 9839, datë 9.11.2016, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani