跳到主要内容
Nelum
阿尔巴尼亚的法律

Guideline No. 5 on technical requirements for the selection of plots and sub-plots for exploitation, timber marking, logging, transport and storage of timber

颁布于 2006-09-13 · 文本截至 2026-10-01

以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。

研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。

关于这部法律

语言
Albanian
类型
条例
组织
European Union
国家
阿尔巴尼亚
主题
Forestry
关键词
timber, timber extraction/logging, marking/identification, transport/storage, authorization/permit, forest management/forest conservation

在哪里阅读

    该法律没有记录来源链接。

文本

所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。

  1. UDHËZIM Nr. 5, datë 13.9.2006 PËR KËRKESAT TEKNIKE TË CAKTIMIT TË NGASTRAVE E NËNNGASTRAVE PËR SHFRYTËZIM, TË DAMKOSJES SË DRURËVE, TË PRERJES E ASORTIMIT, TË TRANSPORTIT E STIVOSJES SË MATERIALIT DRUSOR NË ANË TË RRUGËS Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës dhe në zbatim të pikës 1/10 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.394, datë 21.06. 2006 “Për kriteret dhe rregullat e shfrytëzimit të pyjeve dhe të shitjes së materialit drusor e të prodhimeve të tjera, pyjore e jopyjore”, UDHËZOJ: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME 1. Trajtimi dhe shfrytëzimi i fondit pyjor janë veprimtari që përgatiten nga drejtoritë e shërbimit pyjor, duke përcaktuar masa teknike, teknologjike e financiare që mundësojnë realizimin e tyre në përputhje me kërkesat e ligjit nr.9385, datë 4.5. 2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”. 2. Me subjektin që shpallet fitues nga tenderimi për trajtim apo shfrytëzim të fondit pyjor, lidhet kontrata. Ajo firmoset nga Drejtori i DSHP-së, përpilohet në tre kopje nga të cilat dy qëndrojnë në seksionin e administrim-menaxhimit dhe financë-marketingut, kurse e treta i jepet subjektit. 3. Në kontratë pasqyrohen vëllimet e lëndës së punimit dhe e druve të zjarrit sipas llojeve dhe asortimenteve që do të prodhohen për çdo pjesë, ngastër e nëngastër pyjore, datat e fillimit e përfundimit të prerjes, nxjerrjes e stivosjes së materialit drusor në anë të rrugës dhe të kolaudimit të çdo pjese të ngastrave apo nënngastrave. 4. Përpara lidhjes së kontratës, subjekti mund të kontrollojë në vend dhe t’u paraqesë me shkrim organeve pyjore vërejtjet që mund të ketë për sasinë e vëllimit drusor dhe asortimenteve që do të prodhojë. DSHP-ja, me komision, verifikon vërejtjet dhe, kur këto janë me vend, bën ndryshimet përkatëse. 5. Me nënshkrimin e kontratës, DSHP-ja i jep subjektit lejen e shfrytëzimit për pjesën e parë, në të cilën shënohen ngastra apo nënngastra, sasia dhe lloji i lëndës e asortimentet që do të prodhohen, si dhe datat e fillimit dhe të përfundimit të shfrytëzimit. Leja përpilohet në tre kopje, nga të cilat një i jepet subjektit, një sektorit pyjor dhe një qëndron në seksionin teknik. 6. Kur subjekti mbaron shfrytëzimin e pjesës së parë, i jepet leja e shfrytëzimit për pjesën e dytë e kështu deri në përfundim të të gjitha pjesëve. 7. Shfrytëzimi i ngastrave apo nënngastrave pyjore fillon vetëm pasi të jetë lidhur kontrata, të jetë hartuar procesverbali i dorëzimit dhe të jetë lëshuar leja e shfrytëzimit. 8. Sektori pyjor lejon subjektin të fillojë prerjen e materialit drusor, vetëm në atë pjesë të ngastrës apo nënngastrës për të cilën i është dhënë leja e shfrytëzimit. Ai shfrytëzon vetëm vëllimin që i është shënuar në lejen e shfrytëzimit. 9. Shfrytëzuesi i materialit drusor dhe ai i prodhimeve të dyta pyjore e jopyjore, për ngastrat e nënnngastrat e marra për shfrytëzim, mban përgjegjësi të plotë për dëmet që u shkaktohen nga punonjësit e tij ose persona të tjerë. 10. Me marrjen në dorëzim të ngastrës apo nënngastrës pyjore, shfrytëzuesi zbaton: a) kërkesat e specifikuara në lejet e shfrytëzimit; b) detyrimet e përcaktuara në kontratën që ka lidhur me DSHP-në; c) kërkesat ligjërisht të bazuara të kontrolleve e kolaudimeve të ushtruara gjatë shfrytëzimit. 11. Drejtoria ushtron kontroll të vazhdueshëm mbi veprimtarinë e subjektit shfrytëzues dhe urdhëron riparimin e të metave që vëren. KREU II CAKTIMI I NGASTRAVE E NËNNGASTRAVE PËR SHFRYTËZIM 1. DSHP-të, në muajin prill, kryejnë studimin e ngastrave dhe nënngastrave që do të trajtohen me prerje të lejuara për vitin pasardhës. 2. Studimi bëhet në përputhje me mundësitë vjetore të shfrytëzimit të pyjeve, të përcaktuara ne planet e mbarështrimit apo inventarizimit dhe në të përshkruhet: a) numri i ngastrave apo nënngastrave; b) vëllimi i lëndës së punimit dhe druve të zjarrit që do të shfrytëzohet në çdo ngastër; c) periudha e vënies në shfrytëzim të çdo ngastre apo nënngastre. 3. Studimi i përfunduar, dërgohet për miratim në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. 4. Pas caktimit të ngastrave dhe nënngastrave për shfrytëzim, në vartësi të vëllimit për t’u shfrytëzuar dhe skemës teknologjike të shfrytëzimit, bëhet ndarja e tyre në terren në pjesë dhe e pjesëve në breza, duke i kufizuar me shenja të dallueshme. Shënimi i kufijve të tyre bëhet me bojë vaji me ngjyrë të ndryshme nga shenjat e mbarështrimit në drurët që nuk do të priten, në një lartësi 1.2-1.5 m nga toka. 5. Dorëzimi i ngastrës apo nënngastrës për shfrytëzim bëhet me pjesë dhe, ku pasi të ketë përfunduar shfrytëzimi i plotë i njërës pjesë, brenda ngastrës, në përshtatje me rregullat teknike, dorëzohet pjesa tjetër, deri në përfundimin e plotë të saj. Për çdo dorëzim mbahet procesverbali i kolaudimit provizor dhe në fund ai përfundimtar. KREU III RREGULLAT E DAMKOSJES 1. Prerja e drurëve në fondin pyjor bëhet pas shënimit të tyre me damkë të veçantë nga specialistët e lartë të pyjeve (dega silvikulturë, i përgjithshëm, shfrytëzim, mbarështrim shfrytëzim). 2. Madhësia e çekiç-damkës me gjithë bisht është 30-50 cm e gjatë dhe me peshë të pjesës metalike nga 700-900 gram. Ajo ka formën e një sopate të vogël, ku në anën e përparme të saj është tehu prerës, i cili shërben për heqjen e lëvores së drurëve që do të damkosen dhe në anën e pasme ka shenjën e saj, ku janë vendosur e kombinuar germat dhe numrat përkatës. Çdo germe i përkasin 10 numra, duke filluar nga numri 0 deri te numri 9. Germës A i takon numri A0 deri në A9 dhe kështu me radhë për germat e tjera: B, C, D, E, F, G, K, H, I, L, M dhe N. 3. Para procesit të damkimit DSHP-ja bën testimin e kërkesave të tregut sipas nevojave dhe asortimenteve drusore, për të përcaktuar vëllimin paraprak që do të damkoset. 4. Drejtori i DSHP-së, para datës 15 maj, nxjerr urdhrin me shkrim për organizimin e procesit të damkimit. Në urdhër përcaktohen datat e fillimit dhe mbarimit të këtij procesi, specialistët e damkimit dhe ngastrat e nënngastrat ku do të damkosë secili prej tyre. Nuk lejohet, që dy apo disa specialistë të damkosin në të njëjtën ngastër apo nënngastër pyjore. 5. Drurët shënohen me çekiç-damkë në pjesën e poshtme të tyre, sa më afër sipërfaqes së tokës. Krahas damkës, në lartësinë mbi 1.5 m drurit i bëhet një shenjë, duke hequr një pjesë të lëvores me sopatë. Damka dhe shenja vendosen në sensin në zbritje të shpatit. 6. Shënimi i drurëve me damkë, si rregull, fillon mbas datës 15 maj dhe përfundon në datën 30 qershor. 7. Gjatë procesit të damkimit, për secilën pjesë e brez, specialisti i damkimit mban shënim kategoritë diametrike për çdo lloj drusor, të cilat i bashkëngjiten listëdamkës. Ai mban përgjegjësi për numrin e drurëve të damkosur, kategoritë e tyre diametrike, klasën e lartësisë dhe vëllimin drusor. 8. Me përfundimin e procesit të damkimit, seksioni i administrim- menaxhimit: a) bën përpilimin e listëdamkave, listëdamkat përpilohen në katër kopje, për çdo ngastër e nënngastër pyjore e pjesë në veçanti, sipas llojeve drusore, të cilat firmosen nga specialisti që ka kryer damkimin. b) evidenton vëllimin drusor që do të japë secila ngastër apo nënngastër. Kur ky vëllim është i ndryshëm nga parashikimet që janë bërë në planet e mbarështrimit apo të inventarizimit, DSHP-ja i kërkon Drejtorisë së Politikave të Pyjeve dhe Kullotave të bëjë korrigjimin e shifrave të planeve, duke i përputhur me ato që kanë dalë në fakt. 9. Krahas procesit të damkimit, seksioni i administrim-menaxhimit dhe i financë marketingut, së bashku me personelin inxhiniero-teknik të sektorëve pyjorë, kryejnë studimin dhe projektimin e mënyrës së shfrytëzimit; piketojnë rrugët e lëvizjes së materialit drusor me krahë e mekanizma, përllogarisin distancat e transportit të brendshëm, caktojnë vendet e grumbullimit dhe stivosjes së materialit drusor. 10. Me përfundimin e damkimeve kryhen piketimet e projektimet e rrugëve auto-pyjore, të teleferikëve dhe instalimeve të tjera të nevojshme. Ndërtimi dhe kolaudimi i rrugëve autopyjore, rrugëve të rrokullisjes, skelave të ngarkimit dhe montimi i teleferikëve bëhen para se të fillojë shfrytëzimi i ngastrës ose nënngastrës. 11. Me përfundimin e studimit dhe projektimit të mënyrës së shfrytëzimit të ngastrave nga ana e seksionit të administrim-menaxhimit, bëhet hartimi i projekteve tekniko-ekonomike të shfrytëzimit, të cilat miratohen nga DSHP-ja. 12. Projekti tekniko-ekonomik i shfrytëzimit përpilohet në tri kopje, nga të cilat një i jepet sektorit pyjor, një subjekti fitues të shfrytëzimit të ngastrës apo nënngastrës pas tenderimit dhe një ruhet në seksionin e administrim-menaxhimit, së bashku me dokumentet e tenderimit. 13. Ndalohet kategorikisht fillimi i punimeve për prerjen e materialit drusor pa hartuar projektin tekniko-ekonomik të shfrytëzimit të ngastrës apo nënngastrës pyjore. 14. Caktimi i ngastrave e nënngastrave për t’u shfrytëzuar, shënimi me damkë i drurëve dhe matja e tyre, përpilimi i listëdamkave dhe hartimi i planit tekniko-ekonomik të shfrytëzimit për secilën ngastër e nënngastër pyjore, së bashku me fondet që nevojiten për prodhimin e asortimenteve drusore, që dalin nga shfrytëzimi i drurëve në këmbë, bëhet deri më 30 korrik të vitit paraardhës. 15. Materiali drusor, që rezulton nga hapja e rrugëve të brendshme e transporti i brendshëm dhe ai i rrëzuar e dëmtuar nga shkaqe natyrore, përfshihet në sasinë e materialit drusor të damkosur dhe të dhënë për shfrytëzim. 16. Për të siguruar ripërtritjen natyrore të të gjitha llojeve të florës, (përveç llojeve të ndaluara për grumbullim me një akt të veçantë), drejtoritë e shërbimit pyjor çdo vit përcaktojnë sipërfaqet ku do të ndalohet grumbullimi i tyre për një vit. Këto sipërfaqe nuk mund të jenë më pak se 1/3 e sipërfaqes së fondit total të bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere që administrohen nga drejtoria përkatëse dhe emërtohen “sipërfaqe për ripërtritje”. 17. Përcaktimi i llojeve dhe sasive të bimëvë mjekësore, eterovajore e tanifere, që do të grumbullohen në një vit kalendarik, mbështetet në planet përkatëse të inventarizimit të përditësuara, duke iu referuar 10-20 llojeve kryesore të tyre. 18. Nxjerrja dhe grumbullimi nga pylli i prodhimeve të dyta pyjore, si rrënjë shqope, mareje, bushi etj. i thuprave të shelgut, frashërit, vrrinit, etj; i rëshirës së pishës, i halave dhe gjetheve, i rrënjëve e lëvores, i luleve, frutave pyjore e sythave, i bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere, i këpurdhave dhe nënprodhimeve të tjera pyjore e jo pyjore, bëhet nga persona fizikë e juridikë, të pajisur me leje nga DSHP-ja dhe që kanë paguar tarifat përkatëse. KREU IV PRERJA DHE ASORTIMI 1. Në pyjet trungishte prerja lejohet gjatë gjithë vitit, kurse në pyjet cungishte dhe shkurret, të cilat ripërtërihen me lastarë, lejohet nga 1 tetori deri më 31 mars të vitit pasardhës. Në rastet e vegjetacionit të vonuar, periudha e prerjes zgjatet deri më 15 prill, për zonat fushore dhe deri më 30 prill, në zonat malore. Në shkurret me mare, prerja lejohet gjatë gjithë vitit. 2. Shfrytëzimi i ngastrave apo nënngastrave pyjore fillon gjithmonë nga lartë-poshtë dhe asnjëherë nga poshtë-lart, duke zbatuar të gjitha rregullat e sigurimit teknik e mbrojtjes në punë. 3. Drurët me diametër deri 15 cm priten rrafsh me sipërfaqen e tokës dhe kur diametri i tyre është mbi trashësinë 15 cm, lartësia e cungjeve mbi sipërfaqen e tokës, nuk duhet të jetë më shumë se 1/3 e diametrit. Gjatë prerjes e rrëzimit të drurëve, ruhet germa e numri i damkës. 4. Pas prerjes me motosharrë, cungjet e llojeve që ripërtërihën me lastarë, laspiten me sopatë, duke rrafshuar sipërfaqen e sipërme të tyre dhe duke bërë unazimin e buzëve, por pa dëmtuar lëvoren. 5. Drejtimi i rrëzimit të drurëve të zgjidhet i tillë, që vetë druri të mos dëmtohet dhe të mos thyejë e dëmtojë drurët e tjerë në këmbë, të padamkosur dhë filizërinë. Në rastet e pranisë të një filizërie me lartësi mbi ato optimale, rrëzimi bëhet në drejtimin më të përshtatshëm, duke mbrojtur filizërinë. Ndalohet rrëzimi i drurit, me anën e rrëzimit të një druri tjetër mbi të. 6. Në prerjet e dyta dhe përfundimtare kryhen njëherësh dhe brenda ditës të gjitha operacionet e punës së prodhimit: si prerja, pastrimi i trungut të drurit nga degët, asortimi sipas dimensioneve të kërkuara, prodhimi i druve të zjarrit, transporti i asortimenteve të prodhuara në anë të rrugës, pastrimi i sipërfaqes dhe grumbullimi i degëve në togje, duke krijuar vijueshmëri në procesin teknologjik. 7. Para asortimit trungu i drurit të rrëzuar qërohet nga degët, matet gjatësia totale e tij, bëhet shënimi i asortimenteve në mënyrë të qartë, në përputhje me kërkesat e kontratës, duke respektuar edhe tolerancat e nevojshme. 8. Shfrytëzuesi i materialit drusor është i detyruar të zbatojë këto rregulla teknike: a) të presë vetëm dhe të gjithë drurët e shënuar me damkë. Rrëzimi i tyre të bëhet në mënyrë të tillë, që vetë druri të mos dëmtohet, të mos thyejë drurët e tjerë dhe të mos dëmtojë filizërinë; b) të vlerësojë të gjithë materialin drusor, që është i rrëzuar, i thatë ose i dëmtuar i vlefshëm për lëndë punimi dhe dru zjarri, si dhe materialin drusor që del nga çelja e rrugëve pyjore, brenda ngastrës ose nënngastrës; c) të ruajë nga dëmtimet drurët që janë të padamkosur, drurët e rinj dhe filizërinë e tjera; d) të trupëzojë në mënyrë racionale drurin e rrëzuar, me qëllim që të nxjerrë asortimentet më të vlefshme të kërkuara në kontratë dhe sipas standardit; e) të transportojë, rrokullisë e të depozitojë të gjithë materialin drusor vetëm në rrugët dhe vendet e caktuara nga organet e shërbimit pyjor, të pasqyruara në projektin tekniko-ekonomik të shfrytëzimit të hartuar dhe të miratuar; f) të bëjë pastrimin e kalbësirave dhe mbeturinave (degëzat, lëvoret, bulashkat dhe copat e vogla të drurit, të cilat nuk mund të vlerësohen); g) të zbatojë të gjitha rregullat për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret ose dëmtime të tjera, si dhe të gjitha rregullat teknike të vendosura për shfrytëzimin e pyjeve, të cilat specifikohen në procesverbalin e dorëzimit. 9. Nxjerrja e rrënjëve të shqopës, bushit dhe mares, bëhet mbasi të jetë kryer studimi i ngastrave e nënngastrave për këtë qëllim, studim që kryhet një vit para. Nxjerrja e rrënjëve do të bëhet uniformisht në të gjithë sipërfaqen e ngastrës ose nënnngastrës dhe në masën jo më tepër se 30 për qind të saj. 10. Pas nxjerrjes së rrënjëve, shfrytëzuesi prodhon drutë e zjarrit e fashinat që rezultojnë nga shkulja, si dhe mbush gropat me dhe. KREU V KËRKESAT TEKNIKE GJATË PRERJEVE TË DYTA E PËRFUNDIMTARE 1. Trajtohen me prerje të dyta e përfundimtare ngastrat e nënngastrat, në të cilat filizëria ka arritur treguesit optimale, si më poshtë: a) për pyjet e ahut, kur kanë filizërinë me moshë 6-10 vjet, lartësia e filizave 30-80 cm dhe mbi 3 filiza/m2 (ose mbi 30.000 filiza/ha të shpërndarë uniformisht), në mbi 80 % të sipërfaqes; b) për pyjet e pishës së zezë, kur kanë filizërinë me moshë 4-6 vjet, lartësia e filizave 25 50 cm dhe mbi 2-3 filiza/m2 (ose mbi 20.000-30.000 filiza/ha të shpërndarë uniformisht), në mbi 80% të sipërfaqes. 2. Në vitet me prodhimtari të bollshme fare, prerjet e dyta e përfundimtare planifikohen në sipërfaqe më të mëdha në krahasim me vitet pa ose me prodhim të pakët fare. 3. Kur është siguruar ripërtëritja natyrale dhe filizëria ka kaluar kufijtë e lartësive të ndërhyrjes optimale, prerjet kryhen gjatë gjithë vitit, me kusht që filizat e dëmtuar fletore të priten brenda një kohe sa më të shkurtër pas prerjes së drurëve të rritur, në periudhën e pushimit të vegjetacionit. 4. Kur prerjet e dyta e përfundimtare janë tepër të vonuara, shfrytëzimi lejohet edhe në periudhën e pushimit të vegjetacionit e pa dëborë, apo në periudha të tjera të vitit, duke respektuar kërkesat teknike të përcaktuara në këtë udhëzim. 5. Pas shfrytëzimit, numri i filizave gjendje për sipërfaqen e përshkruar me prerje duhet të jetë 3-1 filiza për m2. Kur mbi 80% e filizërisë është e padëmtuar nuk ka nevojë për të ndërhyrë me punime; kur është dëmtuar deri në 60%, ndërhyet me punime për favorizimin e ripërtëritjes dhe, kur dëmtimi është më i madh, ndërhyet me ripyllëzime. KREU VI TRANSPORTI I BRENDSHËM 1. Rrugët e transportit të brendshëm të materialit drusor (me krahë dhe traktorë), përgjithësisht caktohen në vende pa filizëri, duke shfrytëzuar sipërfaqet boshe ose të paripërtërira si dhe rrugët ekzistuese. 2. Në ngastrat e nënngastrat me filizëri të rritur, rrugët caktohen mbi bazën e kritereve teknike që sigurojnë dëmtimin minimal të filizërisë. 3. Në vendet me ripërtëritje hapet një minimum rrugësh për lëvizjen e mjeteve ose lëndës drusore. Distanca midis rrugëve të mos jetë më e vogël se 100 m, duke respektuar gjithmonë përqindjet e lejuara të dëmtimit. Gjerësia e rrugës së traktorit dhe e rrugëve të rrokullisjes të mos kalojë 4m. 4. Për transportin e materialit drusor me teleferik, të lejohet hapja e trasesë me gjerësi sa më minimale (në vartësi të tipit të teleferikut). Në raste të veçanta, gjerësia e trasesë mund të rritet në ato pjesë të saj, ku ekziston rreziku i rënies së drurëve në këmbë, të cilët mund të shkaktojnë dëme dhe aksidente. 5. Litarët prej çeliku, që shërbenë për montimin e teleferikëve apo mekanizmave e pajisjeve të tjera, nuk lejohet të lidhen direkt mbi lëvoren e drurëve në këmbë, por vetëm pasi mbi sipërfaqen e tyre të jenë vendosur copa drurësh të thatë ose mjete të tjera mbrojtëse, që nuk e dëmtojnë lëvoren. 6. Afrimi i materialit drusor në rrugët e lëvizjes së traktorit dhe trasesë së teleferikut sipas kushteve konkrete, bëhet me tërheqje me arganello dhe me rrëshqitje. 7. Asortimentet e prodhuara transportohen nga vendi i prodhimit deri në anë të rrugës (shesh depozitimi) vetëm në rrugët dhe me instalimet e miratuara në skemën teknologjike të shfrytëzimit të ngastrave apo nënngastrave sipas pjesëve, duke patur parasysh ruajtjen e tyre nga dëmtimet. 8. Nxjerrja e asortimenteve nga brendësia e sipërfaqes së ngastrës apo nëngastrës, nëpër rrugët e rokullisjes me krahë apo me traktorë, bëhet krahas prodhimit të tyre. 9. Transportimi i lëndës së punimit të llojit ah, nga brenda ngastrës, nënngastrës deri në anë të rrugës, i prerë prej 1 prillit gjer më 30 shtator, nuk duhet të vonohet më shumë se 30 ditë, nga koha e prerjes. 10. Transporti i materialeve të imta (dru zjarri, etj.) bëhet me kafshë nëpër rrugë të përcaktuara paraprakisht. Kafshët pajisen me mbrojtëse për të mos dëmtuar filizërinë. KREU VII PASTRIMI DHE DORËZIMI 1. Pastrimi i sipërfaqeve ku janë kryer prerjet është pjesë e procesit të shfrytëzimit. Ai realizohet krahas procesit të prerjes, duke respektuar ndarjen e ngastrave në pjesë. 2. Krahas prodhimit dhe transportit të brendshëm, kryhet pastrimi i degëve dhe ai natyral, duke i vendosur në togje në largësi 30-40 m larg njëri-tjetrit. Në terrene me pjerrësi mbi 25 gradë, grumbullimi i tyre bëhet në formë brezash, në të njëjtin drejtim me izoipset dhe në largësi 30-50 m nga brezi në brez. 3. Mbeturinat që nuk mund të vlerësohen, si degëzat, lëvoret, bulashkat dhe copat e vogla të drurit dhe kalbësirat, në rastin e prerjeve të dyta e përfundimtare, grumbullohen në vende të lira; në rastin e prerjeve farore dhe kur terreni nuk është i pjerrët ato shpërndahen nëpër ngastër. 4. Pastrimi i pjesëve, ngastrave e nënngastrave, përfundon deri 30 ditë pas përfundimit të prerjes. Pas pastrimit, pjesa e ngastrës apo nënngastrës, merret në dorëzim nga organet pyjore me procesverbal kolaudimi provizor. 5. Në përfundim te pastrimeve për të gjithë ngastrën apo nënngastrën, mbi bazën e procesverbaleve provizore të pjesëve të saj, përpilohet procesverbali përfundimtar i kolaudimit dhe marrjes në dorëzim nga organet pyjore. KREU VIII DEPOZITIMI DHE STIVIMI I MATERIALIT DRUSOR 1. Materiali drusor, që rezulton nga trajtimi dhe shfrytëzimi i pyjeve, depozitohet dhe stivoset në buzë të ngastrave apo nënngastrave pyjore, anës rrugëve autopyjore, pa zënë brezin e kalimit ose në sipërfaqe të tjera të përcaktuara nga organet pyjore. Depozitimi i tyre bëhet direkt mbi sipërfaqen e tokës, ne vende ku nuk ka filizëri. 2. Depozitimi i materialit drusor bëhet duke e marketuar dhe magazinuar sipas asortimenteve, nga subjekti zbatues i projektit të shfrytëzimit apo të trajtimit të pyllit: a) Trupat e të gjitha llojeve, në kreun e trashë, u shënohet me bojë vaji të dallueshme: diametri në “cm” si numërues dhe gjatësia në “m” si emërues. Trupave të ahut u zbritet 1 cm nga diametri, ndërsa trupave të dushqeve e halorëve u zbriten 2 cm. b) Për çdo parti trupash, hartohen distinat përkatëse, në të cilat volumi shprehet në m3 dhe numri i tyre në copë. c) Lënda e rrumbullakët ndahet në stiva të veçanta sipas destinacionit për ndërtim, shtylla miniere, etj. Në kokën e trashë të çdo lënde shënohet diametri në cm, duke zbritur 1 cm të ahu dhe 2 cm te halorët d) Drutë e zjarrit stivosen në stiva, duke i ngritur 10 cm nga sipërfaqja e tokës, në lartësi 1.10 m nga ky bazament, e cila për efekt boshllëqesh do llogaritet me lartësi 1 m. Sasia shprehet në metërster, me marrjen në dorëzim stivat shënohen me gëlqere ose bojë vaji të dallueshme. Çdo stivë ka të shënuar sasinë përkatëse. e) Lënda për voza, për parket, elemente të ndryshme, stivosen si drutë e zjarrit. 3. Depozitimi dhe stivosja në anë të rrugëve e materialit drusor të ndarë në asortimente, behet në distanca si më poshtë: a) Trupat e të gjitha llojeve stivosen në distancë deri 20 m nga aksi i rrugës auto, në vendet e përcaktuara në projekt, të gatshëm për ngarkim. b) Trupat me gjatësi dhe cilësi të ndryshme, stivosen me radhë sipas kapaciteteve të terrenit. c) Lënda e rrumbullakët, për ndërtim, etj. stivoset në distancë deri 10 m nga aksi i rrugës, e ndarë në lloje dhe cilësi, sipas përcaktimit në projekt. d) drutë e zjarrit, lënda për voza, për parket dhe elemente të ndryshme, stivosen në distancë deri 10 m mbi aksin e rrugës. Ato mund të stivosen dhe në bankinën e rrugës, pa e bllokuar atë. Stivimi i tyre bëhet në vende që mënjanohet rreziku i marrjes së tyre nga uji dhe që lehtësohet matja dhe transportimi i tyre. KREU IX MARRJA NË DORËZIM 1. Marrja në dorëzim e materialit drusor në anë të rrugës apo në pikat e depozitimit, bëhet me komision të ngritur me urdhër me shkrim të drejtorit të shërbimit pyjor të rrethit. Komisioni përbëhet nga përfaqësues të seksionit të administrim menaxhimit, seksionit të financë marketingut, nga shefi i sektorit pyjor, inspektori i zonës pyjore dhe inxhinieri i sektorit. 2. Marrja në dorëzim përmbledh veprimet administrative, teknike e financiare që vërtetojnë se shfrytëzimi është kryer në përputhje me kërkesat e paravendosura e të pranuara nga palët qysh në fillim. 3. Në datën e përcaktuar në kontratë për kolaudimin e ngastrës apo nënngastrës, organet pyjore në prani të subjektit, bëjnë verifikimin e pastrimeve të kryera. Kur pastrimet janë kryer konform rregullave të përcaktuara, bëhet marrja në dorëzim. 4. Marrja në dorëzim bëhet me procesverbal, si rregull çdo 15 ditë. Materiali drusor dorëzohet sipas asortimenteve, duke i bashkëngjitur edhe distinat. Dokumentimi i marrjes në dorëzim, kryhet në përputhje me dispozitat ligjore “Për administrimin, ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale e monetare”. 5. Nëse subjekti nuk realizon nxjerrjen e prodhimit dhe pastrimin e ngastrës apo nënngastrave brenda afatit të përcaktuar në kontratë dhe në lejen e shfrytëzimit, DSHP-ja mund ta shtyjë afatin deri në 2 muaj. 6. Me caktimin e afatit të ri, drejtoria dhe subjekti nënshkruajnë një anekskontratë ku përcaktohen detyrat që do të realizohen gjatë këtij afati. 7. Me marrjen në dorëzim përpilohet situacioni përfundimtar, mbështetur në situacionet e pjesshme provizore, i cili përmban të gjitha vëllimet e punimeve të kryera dhe vleftën totale të ngastrës apo nënngastërs, sipas asortimenteve. Situacioni përfundimtar përpilohet në tri kopje dhe firmoset nga komisioni e subjekti. 8. Pas dorëzimit përfundimtar dhe deri në momentin e shitjes me ankand, ruajtja dhe mirëmbajtja e materialit drusor realizohet nga shfrytëzuesi, i cili ka rënë dakord me shkrim për këtë çështje qysh kur ka fituar tenderin. Shpenzimet që i paguhen atij për ruajtjen e materialit drusor, i ngarkohen kostos së prodhimit 9. Rregullorja nr.2, datë 17.6.1996 e ish-Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve dhe Kullotave “Për shfrytëzimin e trungishteve, cungishteve dhe shkurreve e afatet e prerjeve të kujdesimit”, shfuqizohet. 10. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Drejtoria e Politikave të Pyjeve dhe Kullotave, si dhe DSHP-të në rrethe. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. MINISTRI I MJEDISIT, PYJEVE DHE ADMINISTRIMIT TË UJRAVE Lufter Xhuveli

Guideline No. 5 on technical requirements for the selection of plots and sub-plots for exploitation, timber marking, logging, transport and storage of timber · Nelum