Guideline No.2 of 20 July 2016 on the technical criteria of pasture and meadow classification and the procedures of leasing them for livestock feeding
颁布于 2016-07-20 · 文本截至 2026-10-01
以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。
研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。
关于这部法律
- 原标题
- Udhëzim Nr. 2, datë 20.7.2016 për kriteret teknike të klasifikimit të kullotave e livadheve dhe procedurat për dhënien e tyre për kullotje e kositje bari.
- 语言
- Albanian
- 类型
- 条例
- 国家
- 阿尔巴尼亚
- 主题
- Livestock, Land and soil
- 关键词
- grazing, special fund, pastoralism, animal production, agricultural land, lease, contracts
在哪里阅读
该法律没有记录来源链接。
文本
所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。
UDHËZIM Nr. 2, datë 20.7.2016 PËR KRITERET TEKNIKE TË KLASIFIKIMIT TË KULLOTAVE E LIVADHEVE DHE PROCEDURAT PËR DHËNIEN E TYRE PËR KULLOTJE E KOSITJE BARI Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës dhe të neneve 6 dhe 15, të ligjit nr. 9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, UDHËZOJ: KREU I KRITERET TEKNIKE PËR KLASIFIKIMIN E KULLOTAVE E LIVADHEVE 1. Klasifikimi i kullotave e livadheve bëhet sipas kritereve teknike dhe përdoret: a) gjatë përgatitjes dhe miratimit të planeve të mbarështimit e inventarizimeve; b) në procesin e mbajtjes dhe të përditësimit të regjistrit të kadastrës së kullotave; c) për dhënien e tyre për kullotje e kositje nëpërmjet lidhjes së kontratave të qirasë me përdoruesit; ç) për dhënien e tyre në përdorim sipas dispozitave të nenit 17, të ligjit nr. 9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, nëpërmjet pajisjes me leje të veprimtarisë që do të ushtrohet. 2. Në përputhje me kohën e përdorimit, kullotat e livadhet klasifikohen në verore dhe dimërore, sipas këtyre kritereve: 2.1 Sipas ndarjes gjeografike të territorit të vendit: a) krahina malore veriore; b) krahina malore qendrore; c) krahina malore jugore; d) ultësira bregdetare. 2.2 Sipas shtrirjes së kullotave dhe livadheve në lartësi mbi nivelin e detit. 2.3 Sipas tipit të vegjetacionit dhe përbërjes së bimësisë së kullotave e livadheve, të përcaktuara në Manualin e Mbarështimit të Kullotave, i hartuar nga strukturat akademike të fushës së pyjeve. 3. Kullota verore cilësohen ato pjesë të fondit kullosor që ndodhen në lartësi të caktuar mbi nivelin e detit dhe shtrihen në ndarjet gjeografike të përmendura në pikën 2.1 të këtij udhëzimi dhe, konkretisht: 3.1 Krahina malore veriore, mbi 600 m lartësi, me periudhë vegjetacioni gjatë verës dhe me kohë përdorimi gjatë muajve qershor–tetor. Si të tilla klasifikohen kryesisht kullotat e livadhet e Malësisë së Madhe, të Tropojës, Krumës, Shishtavecit, Çajës, Korabit, Lumës e Lurës; 3.2 Krahina malore qendrore, mbi 800 m lartësi, me periudhë vegjetacioni gjatë verës dhe me kohë përdorimi gjatë muajve qershor–tetor. Si të tilla klasifikohen kryesisht kullotat e livadhet e Malit me Gropa, Polisit, Librazhdit, Lenies, Shenepremtes, Grabovës, Pogradecit, Malit të Thatë, Rungajes, Ostrovicës, Voskopojës e Gramozit. 3.3 Krahina malore jugore, mbi 1000 m lartësi, me periudhë vegjetacioni gjatë verës dhe me kohë përdorimi gjatë muajve qershor–tetor. Si të tilla klasifikohen kryesisht kullotat e livadhet e Radomit, Dhëmbelit, Nemërçkës, Trebeshinës, Shëndëllisë, Malit të Gjerë, Çajupit, Zagorisë, Lunxhërisë, Progonatit, Sinanajt e Kulmakut. 3.4 Ultësira bregdetare. Kullota me kohë përdorimi gjithëvjetore. 4. Kullota dimërore cilësohen ato pjesë të fondit kullosor që ndodhen në lartësi të caktuar mbi nivelin e detit dhe shtrihen në ndarjet gjeografike të përmendura në pikën 2.1 të këtij udhëzimi dhe, konkretisht: 4.1 Krahina malore veriore, nën 600 m lartësi, me periudhë përdorimi: fundi i vjeshtës, dimër e pranverë. 4.2 Krahina malore qendrore, nën 800 m lartësi, me periudhë përdorimi: fundi i vjeshtës, dimër e pranverë. 4.3 Krahina malore jugore, nën 1000 m lartësi, me periudhë përdorimi: fundi i vjeshtës, dimër e pranverë. Si të tilla klasifikohen kryesisht kullotat e livadhet e rretheve: Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër e Tepelenë. 4.4 Ultësira bregdetare. Kullota me kohë përdorimi gjithëvjetore. KREU II PROCEDURAT E DHËNIES PËR KULLOTJE DHE KOSITJE BARI 1. Dhënia e kullotave e livadheve për kullotjen e bagëtive e për kositje bari, bëhet sipas treguesve teknikë të planeve të mbarështimit të kullotave, kur ky plan: a) është i miratuar në përputhje me legjislacionin në fuqi për fondin kullosor, b) plotëson, në përputhje me ligjin e lartpërmendur masat, për: i) ruajtjen e ekosistemeve natyrore kullosore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të burimeve kullosore; ii) ruajtjen dhe nxitjen e aftësive prodhuese të kullotave e livadheve; iii) zbatimin e mënyrave të mbarështimit të kullotave, në mënyrë të veçantë për parandalimin e zjarreve, gërryerjes dhe të degradimit të tokës; iv) ruajtjen e mbulesës barishtore nga mbikullotja dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, veçanërisht asaj ujëmbajtëse. 2. Në përputhje me kërkesat e pikës 1 të këtij kreu, struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki, në muajin shkurt të çdo viti, pas miratimit të listës në këshillin bashkiak, të kullotave të gatshme për kullotje e kositje për sezonin përkatës e shpall atë, së bashku me sipërfaqet që përjashtohen nga kullotja sipas kritereve ligjore në fuqi për përjashtimin nga kullotja. Për çdo kullotë, lista përmban llojin e kullotës, parcelat e nënparcelat konkrete, sipërfaqen, vendndodhjen, kapacitetin kullosor të saj, infrastrukturën që e shoqëron. 3. Për marrjen me qira të kullotave e livadheve publike për kullotje e kositje që janë shpallur në listë, në çdo rast kërkuesit (personat fizikë apo juridikë) paraqesin kërkesën me shkrim në drejtoritë përkatëse të shërbimit pyjor: a) për kullotat verore, kërkesa paraqitet brenda datës 10 mars; b) për kullotat dimërore, kërkesa paraqitet brenda datës 10 korrik. 4. Kërkesa përmban: a) të dhënat e kërkuesit, gjeneralitetet, vendbanimin, adresën e saktë, pikën e kontaktit; b) ekonominë kullosore që kërkohet, numrin e parcelës, sipërfaqen e saj; c) llojin e bagëtive dhe numrin e krerëve që do të kullosin; ç) kohën e përdorimit të kullotës. 5. Bashkëngjitur kërkesës janë: a) certifikata veterinare e cila lëshohet çdo vit nga shërbimi veterinar për gjendjen epizootike të fermës së bagëtive, b) vërtetimi nga njësia administrative/bashkia për vendbanimin dhe numrin e bagëtive që kërkuesi ka të regjistruar në pronësi; c) lista e objekteve që kërkohet të ndërtohen në ndihmë të kullotjes, si: stane, kasolle për blegtorët, mjedis për përpunimin e bulmetit etj., të tilla sipas rastit. 6. Kërkesat për marrjen e kullotave e livadheve për kullotjen e bagëtive, paraqiten në strukturën përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashkinë përkatëse, të cilat i shqyrtojnë dhe miratojnë sipas radhës: a) fillimisht plotësohen kërkesat e kërkueseve që janë nga fshatrat më afër vendndodhjes së kullotës apo livadhit; b) pastaj plotësohen kërkesat e kërkueseve që banojnë brenda territorit të njësisë administrative, në afërsi të vendndodhjes së kullotës dhe livadhit; c) pastaj plotësohen kërkesat e kërkueseve që janë brenda territorit të qarkut dhe që shtegtojnë tufat e tyre në njësi administrative të tjera; d) së fundi, plotësohen kërkesat e kërkueseve që tradicionalisht janë shtegtues të tufave të tyre nga njësi administrative/bashki/të tjera. Brenda çdo radhe, përparësi kanë fermerët kërkues që mbarështojnë një numër më të madh bagëtish. 7. Procedurat e dhënies në përdorim të përkohshëm me kontratë qiraje referohen sipas afateve: a) deri në tre vjet, për kullotjen e bagëtive, zbatohen nga drejtoritë përkatëse të shërbimit pyjor në bashki; b) deri në 10 vjet, për kullotjen e bagëtive, kontrata e qirasë lidhet pasi të jetë marrë miratimi paraprak me vendim nga këshilli bashkiak dhe kontrata e qirasë bëhet me akt noterial. 8. Për kullotat dhe livadhet, struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, në bashki bëjnë miratimin edhe të ndërtimeve të përkohshme, pas miratimit të tyre në këshillin bashkiak. 9. Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki, brenda 15 ditëve sipas afateve të përcaktuara në pikën 3 të këtij kreu, marrin në shqyrtim kërkesat dhe miratojnë personat fizikë dhe juridikë që kanë të drejtë të marrin me qira kullota ose livadhe. Shqyrtimi i kërkesave bëhet në mbledhje të rregullta të struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki, të kryesuara nga kreu i saj dhe të pasqyruara në procesverbalin e mbledhjes. Shqyrtimi përfundon me marrjen e vendimit për secilën kërkesë. Për kërkesat e pamiratuara, vendimi jep arsyet e mospranimit. Vendimi afishohet pranë mjediseve të strukturave përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki. 10. Kundër vendimit mund të bëhet ankim me shkrim te Kryetari i Bashkisë, brenda 10 ditësh nga afishimi i vendimit, i cili i përgjigjet ankimit brenda 15 ditësh nga data e regjistrimit të ankimit në protokoll. 11. Kundër mendimit të Kryetarit apo kur ky nuk i përgjigjet ankimit brenda afatit, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë brenda një muaji. 12. Pas miratimit të kërkesës, struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki, për çdo subjekt të miratuar përgatisin kontratën e dhënies me qira, sipas kontratës tip të miratuar në këshillin bashkiak, si dhe hartën e kullotës, në të cilën përfshihen kufijtë e kullotës dhe kufitarët, e cila i bashkëngjitet kontratës. 13. Brenda 10 ditëve nga afishimi i vendimit, kërkuesi i miratuar paraqitet për të firmosur kontratën. Në këtë rast, ai mund të bëjë edhe vërejtje për aspekte të veçanta të kontratës, të cilat zgjidhen me mirëkuptim. Kur kërkuesi nuk paraqitet brenda 10 ditëve, lidhja e kontratës anulohet dhe bëhet njoftimi i tij me shkrim. 14. Në momentin e lidhjes së kontratës, kur ajo nënshkruhet për përdorim të përkohshëm deri në tre vjet, subjekti parapaguan vlerën e plotë për vitin e parë në një këst ose për tri vite bashkë. Pagimi i kësteve të tjera, si në rastin e parë, bëhet çdo vit në të njëjtat afate kohore që datojnë me lidhjen e kontratës. 15. Pas nënshkrimit të kontratës së pagimit të këstit, hartohet procesverbali i marrjes në dorëzim të kullotës dhe të objekteve të infrastrukturës që ndodhen në të (lera, çezma etj.), i cili nënshkruhet nga përfaqësuesi i autorizuar i strukturës përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki dhe qiramarrësi. Pas këtij momenti kërkuesi mund të futet në kullotë me bagëti. 16. Për sipërfaqet e kullotave e livadheve që kanë mbetur të pakontraktuar, rifillon edhe një herë procedura e dhënies së tyre për kullotje, në zbatim të rregullave të këtij udhëzimi. Në këtë rast janë të vlefshme dhe shqyrtohen edhe kërkesat që janë paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në pikën 3 të këtij kreu. 17. Kur personi fizik ose juridik kërkon të marrë kullotë për ta përdorur për një periudhë 10-vjeçare: a) kërkesën mund ta paraqesë në çdo kohë; b) veç dokumenteve që kërkohen në pikat 3, 4 dhe 5, të kreut II, të këtij udhëzimi, kërkesa shoqërohet edhe me një plan investimesh që kërkuesi do të bëjë për përmirësimin e kullotës apo të infrastrukturës së saj, në përputhje me planin e miratuar të mbarështimit; c) struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki shqyrton kërkesën brenda 15 ditëve sipas procedurave të përcaktuara në këtë udhëzim dhe ia dërgon për miratim këshillit bashkiak; ç) në këtë rast, në kontratën e qirasë, cilësohet kërkesa që të realizohen investimet e marra përsipër nga kërkuesi, sipas programimit e kalendarit që është bërë në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki; d) kur kontrata lidhet për kullotje deri 10 vjet, subjekti në këstin e parë parapaguan tarifën për 3 vitet e para dhe këstet e tjera i paguan në vitet pasardhëse, në atë datë që është lidhur kontrata. KREU III KËRKESAT TEKNIKE TË PËRDORIMIT TË FONDIT KULLOSOR PËR KULLOTJE 1. Ndarja e kullotës ose livadhit për kullotje nga fermeri, bëhet në sistem brezash të alternuar, ku përcaktohet radha e kullotjes së tufave në terren me kufij natyrorë të qartë ose me përdorim zhalonash. 2. Madhësia e brezave përllogaritet në raporte të drejta me kapacitetin dhe ditë-kullotjet në mënyrë të tillë që bagëtia të kullosë në secilën prej tyre jo më shumë se 5–6 ditë. Rikthimi i tufës në brezin e parë të kullotur bëhet pas 15–20 ditësh. 3. Ndërprerja e kullotjes së brezit bëhet kur lartësia e barit të mbetur pas kullotjes të jetë rreth 4–5 cm. 4. Koha e fillimit të kullotjes përcaktohet në kontratë sipas gjendjes konkrete së bimësisë të kullotës e livadhit: a) për kullotjen e bagëtive të imëta kur lartësia e barit të ketë arritur 8–10 cm; b) për kullotjen e bagëtive të trasha kur lartësia e barit të ketë arritur mbi 15 cm. 5. Largimi i tufave të bagëtive nga kullota bëhet kur mbaron periudha e kontratuar ose kur verifikohet nga qiradhënësi se lartësia e barit në gjithë sipërfaqen e kullotjes është nënë 4 cm. 6. Mërzimi i bagëtive në vatha të lëvizshme nuk lejohet më shumë se 2–3 herë radhazi (ose net) në të njëjtin vend. 7. Qiradhënësi kryen disa sondazhe gjatë periudhës së kullotjes, për të mos lejuar asnjë rast të futjes së bagëtive në kullotë mbi kapacitetin kullosor të kontratuar. 8. Kositja e barit në kullota e livadhe lejohet gjatë periudhës kur bari ka vlerën më të madhe ushqyese, atëherë kur 25–30% e bimësisë kryesore të ketë arritur në fazën e lulëzimit. Kullotja në to lejohet vetëm kur të jetë hequr bari i kositur dhe bimët e rivegjetuara të kenë arritur lartësinë mbi 8 cm. 9. Për nevoja personale, qiramarrësi lejohet të mbajë në kullotë derra e shpendë me numër të kufizuar dhe 2–3 kafshë ngarkese (aq sa i nevojiten për plotësimin e nevojave për ushqimin e njerëzve që shkojnë me bagëti dhe transportin e ngarkesave). Numri i derrave, shpendëve dhe kafshëve të ngarkesës shkruhen në kontratë dhe mbahen të kontrolluar pranë stanit. 10. Qiramarrësi çdo vit kur kryen pagimin e këstit, bashkëlidhur me mandatpagesën dorëzon edhe certifikatën veterinare të cilën e merr nga shërbimi veterinar. Certifikata veterinare i bash këngjitet kontratës dhe një kopje mbahet në stan për t’iu paraqitur autoriteteve të shërbimit veterinare në rast kontrolli. 11. Qiramarrësit që shkaktojnë zjarre në kullotat dhe livadhet, veç detyrimeve financiare që paguajnë për dëmin e shkaktuar, humbasin edhe të drejtën për vazhdimin e mëtejshëm të kontratës. 12. Kontrolli i zbatimit të kërkesave teknike për përdorimin e kullotave dhe livadheve të dhëna me qira personave fizikë dhe juridikë bëhet nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve. KREU IV PËRFUNDIMTARE 1. Strukturat përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki dërgojnë brenda datës 10 të çdo muaji në Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Trajtimit të Pyjeve në Ministrinë e Mjedisit, evidencën për përdorimin e fondit kullosor, formati i së cilës i bashkëlidhet këtij udhëzimi si pjesë e tij. 2. Udhëzimi i ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave nr. 4, datë 10.4.2008, “Për kriteret teknike të klasifikimit të kullotave e livadheve dhe procedurat për dhënien e tyre për kullotje e kositje bari”, shfuqizohet. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. MINISTRI I MJEDISIT Lefter Koka