Albania National Strategy of Land Consolidation
颁布于 2016 · 文本截至 2026-10-01
以研究形式发布的公开法律与官方指引,不构成法律、税务或金融建议。
研究内容本身以英文撰写。标题和标签已翻译,调查结果和引文未翻译。
关于这部法律
- 语言
- Albanian
- 类型
- policy
- 国家
- 阿尔巴尼亚
- 主题
- Land and soil
- 关键词
- land consolidation, land reform, land tenure, land-use planning, local government, smallholders/peasants, agricultural development, agricultural land, bank, business/industry/corporations, legal proceedings/administrative proceedings, taxes, zoning, gender, sustainable development, sustainable use, capacity building, family farming, farming, fees/royalties, financing, integrated management
- 类别
- *
在哪里阅读
文本
所收录的法律原文,按条款排列。每个条款都有自己的链接。
VENDIM Nr. 700, datë 12.10.2016 PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR KONSOLIDIMIN E TOKËS NË SHQIPËRI Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Konsolidimin e Tokës në Shqipëri, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi. 2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, institucionet e varësisë dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. ZËVENDËSKRYEMINISTRI Niko Peleshi STRATEGJIA KOMBËTARE PËR KONSOLIDIMIN E TOKËS NË SHQIPËRI1 MINISTRIA E BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE TETOR 2016 HYRJE 1. Reforma e tokës e 1991-it, e cila solli një ndryshim radikal në zotërimin e tokës dhe të drejtat e pronësisë mbi tokën bujqësore (nga pronësia shtetërore në atë private), është një prej reformave më të mëdha të ndërmarra në Shqipëri deri më sot. Me zbatimin e ligjit nr. 7501 “Për tokën”, toka u nda në mënyrë të barabartë midis anëtarëve të kooperativës dhe punonjësve të fermave shtetërore, në përputhje me cilësinë dhe prodhimtarinë e tokës, si dhe numrin e anëtarëve të familjes, që figuronin të regjistruar në gjendjen civile, në muajin gusht të vitit 1991. 1 Ky dokument është hartuar me asistencën teknike të FAOs përmes projektit “Mbështetje për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Konsolidimin e Tokës dhe të projektit pilot për konsolidimin e tokës TCP/ALB/3301”. 2. Një prej efekteve më pozitive të reformës së tokës ishte kalimi i një pasurie jetike siç është toka, në dobi të familjeve rurale. Megjithatë, shkalla e lartë e fragmentarizimit dhe krijimi i fermave të vogla, çojnë në uljen e prodhimit bujqësor, përdorimin e teknologjive joadeguate, degradimin e tokës, si dhe impakte të tjera negative në sektorin bujqësor me ndikim të theksuar mbi shumicën e popullsisë rurale. Infrastruktura e varfër rurale dhe të ardhurat e ulëta janë një faktor kryesor që ka ndikuar në migracionin e popullsisë drejt zonave urbane dhe jashtë vendit. 3. Kjo Strategji Kombëtare për Konsolidimin e Tokës synon të adresojë çështjet e lartpërmendura. Ajo bazohet në diskutimet me pjesëmarrësit e interesuar dhe përvojën gjatë zbatimit të një projekti pilot (TCP/ALB/3301) të mbështetur nga FAO-ja, mbi konsolidimin e tokës në tri fshatra të Komunës Tërbuf në Lushnjë. 4. Nevoja për zhvillimin e strategjisë kushtëzohet nga faktorët e mëposhtëm: a) Krijimi i fermave (familjare) ekonomikisht të qëndrueshme dhe konkurruese, të cilat mund të përmbushin kërkesat e ekonomisë së tregut; b) Përmirësimi i organizimit të sektorit bujqësor, si dhe kapacitetit për vetëmenaxhimin eficient në sektorin bujqësor privat; c) Zhvillimi i sektorit bujqësor në saje të strukturës së përshtatshme të fermës dhe përmirësimeve në infrastrukturën rurale, si dhe zhvillimi i fermave familjare të orientuara nga tregu; d) Mundësisë për adaptimin dhe zbatimin e praktikave bujqësore ekonomikisht të qëndrue- shme dhe miqësore me mjedisin. 2. ANALIZA E SITUATËS EKZISTUESE 2.1 Faktorët bujqësorë dhe ekonomikë 5. Ekonomia shqiptare ka përfituar prej stabilitetit makroekonomik dhe reformave ekonomike, të cilat kanë siguruar mundësi zhvillimi për sektorin privat dhe nxitjen e investimeve. Shqipëria është një vend me një nivel mesatar të ardhurash, me të ardhura vjetore për frymë në vlerën 484,000 lekë ose 3,457 euro dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme. Rritja ekonomike në vitin 2013 në terma realë ishte 1.39% dhe 2.02 në vitin 20142. 2 INSTAT - të dhëna paraprake me baza vjetore, publikuar në webpage 15 dhjetor 2015. 6. Më 2014-n, sektori bujqësor (bujqësia, gjuetia, pylltaria dhe peshkimi) zinte rreth 20% të GDP-së, ndërsa Vlera Bruto e Shtuar në sektorin bujqësor kapi një vlerë prej 280,036 milionë lekësh, duke kontribuar me 0.44 pikë përqindje në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe duke shënuar një rritje prej 5.6% krahasuar me vitin 2013. 7. Burimi kryesor i rritjes ekonomike gjatë periudhës së tranzicionit në bujqësinë shqiptare lidhet me një sërë faktorësh (toka, puna dhe kapitali), që në tërësinë e tyre nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim domethënës. Stabiliteti makroekonomik dhe liberalizimi ekonomik çoi në rishpërndarjen e burimeve nga sektorët më pak përfitues (drithërat) tek aktivitetet më me leverdi (pemëtaria, perimet dhe mbarështimi i blegtorisë), të cilat i mundësuan bujqësisë rritjen e mëtejshme me më pak investime. 2.2 Struktura e tokës bujqësore private dhe situata aktuale e fragmentimit të saj 8. Shpërndarja e tokës bujqësore gjatë reformës së tokës në fillim të viteve ’90, krijoi një strukturë sipërfaqesh të vogla e të fragmentuara. Sipas Vjetarit Statistikor të MBUMK-së3 (2011), në Shqipëri figurojnë rreth 388,697 familje fermere, ku sipërfaqja mesatare e tokës në pronësi të çdo familje fermere është rreth 1.26 ha të ndara në 4.7 parcela me një sipërfaqe mesatare për parcelë prej 0.27 ha. Referuar të dhënave të INSTAT-it, qershor 2014, në Shqipëri figurojnë rreth 352.315 familje fermere, ku sipërfaqja mesatare e tokës në pronësi të çdo familje fermere është rreth 1.16 ha. Rreth 46% e fermave kanë një sipërfaqe nën 1 ha, ndërsa 86% e tyre nën 2 ha. Sipërfaqja totale e tokës bujqësore prej 696,000 ha përfshin 24% të të gjithë territorit të vendit. Nga kjo sipërfaqe, rreth 562,000 ha ose 80% është në pronësi private dhe 134,000 ha ose 20% është në pronësi publike (shtetërore). Megjithatë, për shkak të ndërtimeve informale, zgjerimit të zonave urbane dhe tjetërsimit për investime publike fond i tokës bujqësore është zvogëluar dhe është në proces puna për saktësimin dhe pasqyrimin e tyre në dokumentacionin kadastral. 3 Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes se Konsumatorit, Vjetari Statistikor 2011. 9. Nga sipërfaqja prej rreth 134,000 ha tokë bujqësore në pronësi shtetërore, 109, 500 ha janë toka të pandara të ish-kooperativave bujqësore – objekt i ligjit nr. 7501, miratuar më 1991 – tokë, që është refuzuar nga familjet rurale për shkak të pjellorisë natyrale relativisht të ulët, distancës së largët nga qendrat e banuara, mungesës së infrastrukturës (rrugë, kanale ujitëse), pjerrësisë dhe vendndodhjes përgjithësisht në zonat kodrinore-malore. Nga sipërfaqja e tokave të pandara, e cila është në administrim të bashkive për t’u dhënë me qira, 23,368 ha ka kaluar në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (VKM nr. 770, datë 12.4.2014; Fletore Zyrtare nr. 185, viti 2014). Në pronësi të shtetit përfshihen, gjithashtu, edhe rreth 25,000 ha tokë bujqësore, që ka qenë në pronësi të ish-fermave shtetërore, e pandarë për shkak të tejkalimit të normës së sipërfaqes së tokës për frymë (aktualisht në administrim të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave), që shërben si tokë për qiradhënie dhe për institucionet shtetërore në kuadër të kryerjes së detyrave të tyre institucionale. 10. Struktura e tokës së kultivuar dominohet nga bimët e arave, pemët frutore, ullinjtë, agrumet dhe vreshtat. 2.3. Faktorët socialë dhe demografikë 11. Popullsia e Shqipërisë, më 1 janar 2016, është 2.886.026 banorë, duke pësuar një rënie prej 6.276 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit 2015. Nga kjo popullsi, 1.461.326 janë meshkuj dhe 1.424.700 janë femra (INSTAT 2016). Raporti gjinor i popullsisë së Shqipërisë është 102.6 meshkuj për çdo 100 femra. Mosha mesatare e popullsisë është 34.7 vjeç. Sipas INSTAT-it, 42% e popullsisë jeton në zonat rurale dhe 58% në zonat urbane. Nga 1.2 milionë banorë që jetojnë në zonën rurale, rreth 50% janë gra. 12. Sipas të dhënave të anketës së forcave të punës të INSTAT-it (2014), numri total i personave të aftë për punë (mosha 15 deri në 64) përbëhej nga 1.225.437 nga të cilët 703,543 janë meshkuj dhe 521,894 janë femra. Nga numri total prej 1.037.061 i të punësuarve, 585.679 janë meshkuj dhe 451,382 janë femra. Sipas anketës së forcave të punës 2014, të papunë janë 219.362 veta, prej të cilëve 138,851 janë meshkuj dhe 80,946 janë femra. Nga numri total i të punësuarve prej 1.006.075 vetash, në sektorin privat bujqësor 442,825 veta. Numri i fuqisë punëtore të punësuar në sektorin e bujqësisë ka pësuar rënie të lehtë gjatë viteve krahasuar me 10 vjet më parë (2004), ku kjo shifër ishte 542,152 (INSTAT të dhëna administrative), kjo kryesisht për shkak të migrimit të popullsisë rurale. 13. Sipas vëzhgimit të kryer nga INSTAT-i4 mbi numrin e personave të aftë për punë më 2014-n, rezultojnë më shumë gra se burra të punësuara në sektorin bujqësor privat (respektivisht 50.2% gra dhe 36.9% burra. Kjo dëshmon rëndësinë që ka sektori bujqësor në aktivizimin e fuqisë punëtore femërore4. 14. Gjatë 2012-s, në Shqipëri, produktiviteti i punës ishte 3,615 euro për njësi vjetore pune (AWU) krahasuar me 6,914 euro për AWU të regjistruar në EU-105. Produktiviteti i punës në vitin 2012 është rritur 65% në krahasim me vitin 2007. 15. Pjesëmarrja e grave në strukturat vendimmarrëse, fuqizimi ekonomik i tyre dhe aksesi mbi burimet varet në një shkallë të lartë nga niveli i edukimit, vendbanimi (zonat rurale kundrejt atyre urbane) aktiviteti i tyre ekonomik dhe statusi i punësimit. Pyetësori mbi tregun e punës (INSTAT 2014) tregon disavantazhet që ekzistojnë në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, vetëm 51.3% e grave të moshës 15–64 janë pjesë e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në Shqipëri, ndërkohë që ky tregues për burrat është 72.2%. 2.4. Zhvillimi i tregut të tokës 16. Në Shqipëri ende nuk është zhvilluar plotësisht një treg formal i tokës rurale (shitjet dhe qiradhënia). Që nga fillimi i privatizimit dhe deri në vitin 2007, më pak se 2% e familjeve rurale ka shitur tokën në tregun formal dhe vetëm 3.6% ka marrë me qira tokën e tyre. Sidoqoftë, është e dukshme që në tokat në zonat rurale tregu informal është mbizotërues. Është vlerësuar se 6% e fermave familjare kanë dhënë me qira tokat e tyre dhe madhësia mesatare e fermës po rritet ngadalë, gjë që tregon se pronarët vazhdojnë të kryejnë transaksione të tokës me njëri-tjetrin. 4 INSTAT, 2014, Tregu i Punës, Tiranë 5 Burimi: Eurostat 17. Tregu i tokës bujqësore nuk është zhvilluar ende në standardet e një ekonomie tregu. Gjatë vitit 2010, janë regjistruar mbi 3,600 transaksione mbi tokën, për një sipërfaqe prej rreth 830 ha tokë bujqësore me një vlerë totale të regjistruar prej 37.8 milionë EURO (4.4 euro/m2). Në vitet 2011–2015 janë rregjistruar mesatarisht në vit 3150 transaksione për tokën bujqësore për një sipërfaqe prej rreth 750 ha. Megjithatë, evidentohet se shumë prej këtyre transaksioneve nuk bëhen për qëllime të zhvillimit bujqësor, por për ndërrim të mëtejshëm të destinacionit nga tokë bujqësore në truall për ndërtim apo qëllime të tjera. 18. Faktorët kufizues për zhvillimin e tregut formal të tokës rurale përfshijnë: perceptimin e tokës si një e ardhur sociale e sigurt; pretendimet e pazgjidhura dhe konfliktet mbi pronësinë e tokës; procesi i zgjatur dhe i kushtueshëm i transaksioneve mbi tokën, gabimet e bëra gjatë regjistrimit të kryer në kuadër të reformës së tokës (emrat, sipërfaqet, dokumentacioni) dhe mundësitë e pakta për kreditim bankar. Për shkak të perceptimit të titujve të pronësisë si të pasigurt, bankat shpesh refuzojnë të pranojnë titujt e pronësisë, si kolateral për blerjen e tokës. 2.5. Faktorët mjedisorë 19. Si rezultat i përdorimit intensiv dhe shpesh pa kritere të ekosistemeve natyrore, mjedisi në Shqipëri është i degraduar në një masë të konsiderueshme. Problemet kyçe mjedisore janë ndotja e ujit, ndotja e ajrit, degradimi i tokës, erozioni, si dhe humbjet e biodiversitetit (renditja nuk është sipas përparësisë). 20. Edhe pse në Shqipëri reshjet janë të bollshme, me një tregues vjetor mesatar prej 1,485 mm, vetëm 20% e këtyre reshjeve ndodhin gjatë periudhës vendimtare të rritjes midis prillit dhe shtatorit. Si rezultat i këtij trendi reshjesh, ku gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, deficiti për bimët e kultivuara varion në 300–500mm, e bën ujitjen gjatë verës dhe kullimin gjatë dimrit një domosdoshmëri për të gjithë territorin e vendit. 21. Erozioni i tokës, i cili është shkaktuar kryesisht nga praktikat e paqëndrueshme pyjore, bujqësore dhe kullosore, mbetet një shqetësim i madh. Erozioni prek 24% të territorit të vendit (mesatarisht 37 tonë ha-1 vit-1) humbje të tokës, mjaft më i lartë se niveli “i qëndrueshëm’’ 10 tonë ha-1 vit-1, megjithatë më shumë se 60% e tokës së mbetur është, gjithashtu, shumë e ndjeshme ndaj erozionit të ujit, i cili është përshpejtuar nga prerjet e paligjshme të pyjeve. 2.6 Lidhja e konsolidimit të tokës me zhvillimin rural dhe politika të tjera 22. Në qershor 2014, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe është e angazhuar në përshtatjen e strukturave e politikave drejt integrimit në BE me synim anëtarësimin e saj të plotë. 2.6.1 Strategjia Ndërsektoriale për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (SNZHRB), në Shqipëri, 2014–2020 23. Kjo strategji e miratuar me VKM-në nr. 709, datë 29.10.2014, është hartuar sipas kuadrit të strategjisë “Evropë 2020” për një rritje të shpejtë, të qëndrueshme dhe përfshirëse dhe objektivit të përgjithshëm strategjik të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE. Strategjia, krahas të tjerash, parashikon edhe përmirësimin e strukturës së fermës me synimin që deri në fund të vitit 2020, madhësia mesatare e fermës të jetë 2.5 ha, për fermat e orientuara nga tregu në 3,5 ha, ndërsa madhësia mesatare e parcelave të tokës të jetë në 0.5 ha. Aktivitetet për konsolidimin e tokës, lipset të integrohen dhe të jenë në përputhje me objektivat e Strategjisë së Zhvillimit Rural dhe Bujqësor për periudhën e programuar 2014–20 dhe mbi këtë bazë të bëhet edhe programimi për periudhën e mëtejshme. 2.6.2 Programi për Zhvillimin Rural 2014– 2020 24. Programi IPARD II është miratuar zyrtarisht me vendimin e Komisionit C (2015) 5073, të datës 20 korrik 2015, pas mendimit të favorshëm të IPAII Committee, më 30 qershor 2015. Në vijim, u firmos marrëveshja sektoriale për IPARD 2, e cila ka kaluar për ratifikim në parlament. Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është të mbështesë zhvillimin e barabartë dhe të përmirësojë cilësinë e jetës në rajonet rurale. Struktura operacionale po përgatitet për akreditim për implementimin e fondeve të IPARD 2. Projekti IPARD-like shërbeu si një ushtrim në përgatitjen e strukturave përkatëse për implementimin e fondeve të BE-së për zhvillimin rural (IPARD 2), si dhe për alokimin e granteve për fermerët dhe agrobizneset. Ato janë të fokusuara në mbështetjen e investimeve në ekonomitë bujqësore dhe në agropërpunim në masën 50% të vlerës së investimit të përgjithshëm. 2.6.3 Programi “Menaxhimi i qëndrueshëm i tokës bujqësore” 25. Ky program që po implementohet nga MBZHRAU-ja, nëpërmjet Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Fushë- Krujë, synon krijimin e një sistemi të informacionit për tokën (LIS) dhe shërben si një instrument efektiv në realizimin e politikës për administrimin e qëndrueshëm të tokës bujqësore, përdorimin, mbrojtjen, konsolidimin, si dhe zhvillimin e tregut të tokës. Ky program përmban të dhëna të rëndësishme të sistemuara në bazë të dhënash dhe hartash digjitale për tokën bujqësore, të nevojshme për t’u përdorur në projektet e konsolidimit të tokës. Deri në fund të vitit 2015, në këtë sistem janë përfshirë 309 446 ha tokë gjithsej, nga e cila 170.259 ha tokë bujqësore. Nëpërmjet këtij programi, po kryhet edhe digjitalizimi i regjistrit të tokës bujqësore, proces që deri në fund të vitit 2015 ka përfunduar në 128 njësi administrative të bashkive. 2.6.4 Programi “Fuqizimi i Agjencisë Shqiptare të Pagesave (AZHBR) për livrimin e kontributeve në bujqësi” 26. Ky program parashikon ngritjen e sistemit të informacionit të parcelave të tokës (LPIS), regjistrit të fermave pjesë e angazhimit për ngritjen dhe funksionimin e sistemit IACS. 2.6.5 Kadastra e vreshtarisë dhe e ullirit 27. Kadastra e vreshtarisë është krijuar në përputhje me Rregullat e Këshillit 2392/86/EEC dhe Rregullat e Komisionit 649/87/EC për të orientuar zhvillimin e vreshtave dhe të industrisë së verës në Shqipëri në funksion të politikave efikase të zhvillimit. Nëpërmjet krijimit të GIS-it për ullirin synohet të kryhet një regjistrim i përgjithshëm i potencialeve prodhuese të kësaj kulture. Procesi i regjistrimit të njësive të vreshtave dhe ullinjve për gjithë territorin e vendit është parashikuar të përfundojë në fund të vitit 2017. 26.6 Iniciativa AGRO 100 dhe AGRO 10 - “Nxitja e investimeve dhe partneritetit në bujqësi” 28. Ky model synon përdorimin më të mirë të tokës dhe burimeve natyrore në funksion të rritjes së produktivitetit dhe organizimit të prodhimit. Programi synon mbështetjen e investitorëve me incentiva në drejtim të lehtësive fiskale, mbështetje institucionale dhe mbështetje në infrastrukturë. 2.7 Kuadri ligjor në situatën ekzistuese 29. Konsolidimi i tokës nuk mbulohet nga kuadri ligjor ekzistues. Nuk ekzistojnë rregullime të karakterit ligjor mbi konsolidimin sistematik të tokës, ndërsa legjislacioni aktual kryesisht fokusohet në adresimin e çështjeve që lidhen me menaxhimin e tokës bujqësore, mbrojtjen dhe administrimin e tokës, por nuk përfshin asnjë prej çështjeve kryesore që lidhen me konsolidimin e tokës bujqësore. Në legjislacionin ekzistues, ndonëse nuk ka ndonjë dispozitë që të përfshijë drejtpërdrejt konsolidimin e tokës, ka norma ligjore që rregullojnë qiradhënien e tokës bujqësore në pronësi private dhe shtetërore. Megjithatë, vlerësimi i përgjithshëm është që kuadri ligjor ekzistues nuk favorizon konsolidimin e tokës. 30. Një prej ligjeve kryesore, si ligji nr. 7501, “Për tokën” (1991) përcakton ndarjen dhe kalimin e tokës së fermave dhe kooperativave bujqësore tek anëtarët e familjeve, në mënyrë të barabartë. Ligji nr. 8752, “Për krijimin dhe funksionimin e njësive të administrimit dhe mbrojtjes të tokës” (2002), i ndryshuar, përcakton strukturat e njësive të pushtetit vendor për administrimin dhe mbrojtjen e tokës. Ligji nr. 9244, “Mbi mbrojtjen e tokës bujqësore” (2004) përcakton parimet, rregullat dhe institucionet për mbrojtjen dhe përmirësimin e qëndrueshëm, praktikat e mira të menaxhimit bujqësor etj. 31. Nëpërmjet ligjit nr. 171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, dhe ligjit nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”, përcaktohet përfundimi i plotësimit të dokumentacionit të pronësisë mbi tokën për familjet bujqësore të ish-kooperativave bujqësore dhe ish-ndërmarrjet bujqësore brenda muajit dhjetor 2017. Në zbatim të këtyre ligjeve, u miratuan aktet nënligjore përkatëse: VKM nr. 337, datë 22.4.2015, “Për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve” dhe VKM-së nr. 338, datë 22.4.2015, “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 253, datë 6.3.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të plotësimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi për familjet në fshatrat e ish- kooperativave bujqësore”. 32. Në këto kushte, është e qartë se është e nevojshme të kryhet një ndërhyrje e shpejtë dhe e drejtpërdrejtë në legjislacionin ekzistues për të adresuar çështjet e lidhura me konsolidimin e tokës. Kjo ndërhyrje nuk duhet të kufizohet vetëm në ndryshimin e legjislacionit ekzistues, por, gjithashtu, duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e plotë, në formën e një ligji të veçantë për konsolidimin e tokës. 33. Përvoja gjatë zbatimit të projektit pilot, sikur tregohet më tej në seksionin 2.9.2, ka dëshmuar për një numër vështirësish e pengesash, ndër të cilat ato më kryesoret lidhen me regjimin e të drejtave të pronësisë, veçanërisht çështjet e lidhura me zbatimin e transaksioneve të pronësisë, dinamikën procedurale të regjistrimit të këtyre transaksioneve në ZVRPP, të cilat janë thelbësore jo vetëm për rëndësinë dhe ndikimin në lidhje me çështje të tjera të ekspozuara, por edhe për shkallën e lartë të vështirësive të paraqitura deri në zgjidhjen finale të tyre. 34. Pengesa hasen edhe nga përcaktimet e ndërlikuara e të paqarta ligjore që lidhen me procedurat e zbatueshme për kryerjen e transaksioneve dhe regjistrimin e tyre. Disa nga pengesat më të shpeshta janë të lidhura kryesisht me plotësimin e parakushteve të caktuara, të tilla si detyrimi për të paraqitur autorizim nga gjykata për përfaqësimin e anëtarëve të mitur të familjes bujqësore në momentin e formalizimit të transaksionit para noterit. Një tjetër pengesë konsiston në shpeshtësinë e rasteve kur është nevoja për korrigjim paraprak të pasaktësive të ndryshme midis informacionit teknik në përmbajtje të dokumentacionit ligjor të pronësisë dhe gjendjes faktike në terren (sipërfaqja e përgjithshme, konfigurimi i parcelës, kufijtë etj.). Miratimi i VKM-së nr. 994, datë 9.12.2015, “Për procedurat e regjistrimit të titujve të pronësisë”, adreson zgjidhjen e vetëm disa prej këtyre problemeve me synim thjeshtimin dhe lehtësimin e procedurave për pajisjen me certifikata pronësie. 2.8 Pretendimet për kthimin dhe kompensimin e pronave 35. Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronarëve para vitit 1945 vazhdon të mbetet e pazgjidhur plotësisht në Shqipëri, duke krijuar mes qytetarëve ndjesinë se pronësia e tyre mbi tokën nuk është plotësisht e sigurt, kjo sidomos në disa zona të vendit. Megjithëse ligjet e miratuara pas viteve ’90 (ligji nr. 7698, datë 15.4.1993, “Për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve”, ligji nr. 7699, datë 21.4.1993 dhe më tej ligji nr. 9235, datë 29.7.2004, njohën të drejtën e pronësisë për të gjithë ish- pronarët ose trashëgimtarët e tyre, për pasurinë e cila ka qenë shtetëzuar, shpronësuar, konfiskuar ose sipas akteve ligjore, nënligjore dhe vendimeve të gjykatave, të lëshuara pas 29.11.1944, ose të marra ilegalisht nga shteti me çdo metodë tjetër, për arsye të shumta nuk u arrit të zgjidhet plotësisht kthimi dhe kompensimi i pronave siç përcaktohej në këto dispozita. 36. Për adresimin e këtij problemi është miratuar ligji nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i cili ka për objekt rregullimin dhe shpërblimin e drejtë të çështjeve të së drejtës së pronësisë që ka lindur nga shpronësimet, shtetëzimet ose konfiskimet, në përputhje me nenin 41 të Kushtetutës dhe nenin 1 të protokollit 1 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore; krijimin dhe administrimin e Fondit të Kompensimit, që do të shërbejë për kompensimin e pronave; përcaktimin e procedurave për trajtimin e pronës e procesit të kompensimit të pronave, si dhe të organeve administrative të ngarkuara për realizimin e tyre. Ligji është plotësuar edhe me aktet nënligjore përkatëse dhe institucioni i ngarkuar për zbatimin e tij është Agjencia e Trajtimit të Pronave, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. 2.9 Përvoja ndërkombëtare dhe zhvillimi i aktiviteteve për konsolidimin e tokës në Shqipëri 2.9.1 Përvoja ndërkombëtare për konsolidimin e tokës 37. Praktika e vendeve të Evropës Perëndimore tregon se nuk ka ndonjë model standard të pranuar mbi konsolidimin e tokës. Në disa vende konsolidimi i tokës është i bazuar në pjesëmarrjen vullnetare të pronarëve (p.sh., Danimarkë), ndërsa në të tjerat përfshihen elemente me karakter detyrues për konsolidimin e tokës (p.sh., Gjermani, Holandë). 38. Praktikat moderne të konsolidimit të tokës në Evropën Perëndimore janë zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore. Deri në vitin 1980, fokusi ishte kryesisht në përmirësimin e strukturave bujqësore nëpërmjet uljes së fragmentimit të tokës dhe rritjen e madhësisë së fermës. Duke qenë se problemet me strukturat e fermës në Evropën Perëndimore janë adresuar gjerësisht, fokusi kryesor i projekteve të konsolidimit të tokës gjatë 25 viteve të fundit është përqendruar kryesisht në përdorimin më eficient të zonës rurale, duke balancuar interesat e bujqësisë, peizazhit, mbrojtjes së natyrës, rekreacionit dhe infrastrukturës. 39. Sot, konsolidimi i tokës në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore është një nga instrumentet kryesore për zbatimin e projekteve që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës publike dhe mbrojtjes së mjedisit, ku direktiva kuadër e BE-së për ujin dhe direktivat e Natura 2000 sigurojnë mundësi për përdorimin e konsolidimit të tokës, si një instrument i dobishëm për zbatimin e ndryshimeve në përdorimin e tokës, sipas përcaktimeve në këto direktiva. 40. Në dallim nga kjo, disa vende të rajonit të Evropës Qendrore dhe Lindore, nëpërmjet programeve të konsolidimit të tokave në dekadën e fundit, kanë adresuar problemet e fragmentimit të tokës bujqësore dhe fermave me madhësi të vogël. Në nivel kombëtar, funksionet për konsolidimin e tokës, i janë besuar zakonisht ministrisë përgjegjëse për bujqësinë apo një institucioni të autorizuar prej saj. Hartimi i planit të rishpërndarjes/riparcelimit, është normalisht, pjesa thelbësore e punës në terren që mund të kryhet së bashku, nga institucionet publike dhe kontraktuesit privatë. 41. Në shumicën e vendeve të BE-së, kostoja e zbatimit të projekteve të konsolidimit të tokës është bashkëfinancuar nga buxheti i shtetit dhe BE-së përmes Programit të Zhvillimit Rural. 2.9.2 Vlerësimi i aktiviteteve të konsolidimit të tokës në Shqipëri 42. Aktivitetet e para për konsolidimin e tokës në Shqipëri, të financuara nga Banka Botërore kanë filluar në vitin 2002 dhe ishin të bazuara mbi kuadrin ligjor ekzistues. Projekti inkurajoi konsolidimin e tokës në katër komuna pilot të përzgjedhura, duke subvencionuar kostot e transaksionit, përmes dhënies së asistencës teknike për të lehtësuar transaksionet mbi tokën sipas rregullave të tregut, si dhe duke mundësuar kryerjen e një studimi të politikave për konsolidimin e tokës. Progresi i këtij projekti u pengua nga mungesa e një ligji për konsolidimin e tokës, kostot e larta të transaksioneve, si dhe shkalla e lartë e vështirësisë së problemeve në regjistrimin e pronësisë së tokës bujqësore (mospërputhje midis dokumentacionit hartografik dhe njoftimit verbal mbi titujt e regjistruar) të gjeneruara nga Programi i Regjistrimit Fillestar. 43. Në vitin 2011, FAO-ja ka financuar një projekt pilot të emërtuar: “Mbështetje për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare të Konsolidimit të Tokës dhe një projekt pilot për konsolidimin e tokës”, i cili u zbatua në 3 fshatra të Komunës Tërbuf, Lushnjë. Projekti siguroi një përvojë dhe rezultate të vlefshme të cilat janë marrë në konsideratë gjatë përgatitjes së kësaj strategjie. Aktivitetet e kryera në terren për konsolidimin e tokës lejuan testimin e metodologjisë për konsolidimin e tokës dhe kontribuan në rritjen e kapacitetit të stafeve të MBZHRAU-së dhe ZRPP-së në këtë drejtim. 44. Në total janë 715 pronarë të identifikuar në tri fshatra pilote. Nga këta, 528 (74%) janë intervistuar në lidhje me prodhimin e tyre bujqësor dhe interesin e tyre në lidhje me projektin pilot të konsolidimit të tokës (dëshirojnë të shesin/ shkëmbejnë/ blejnë/ japin me qira). Mbi bazën e intervistave, rezultoi se 444 pronarë tokash ose më shumë se 84% e të intervistuarve shfaqën interesimin e tyre për pjesëmarrje në projekt. 45. Gjatë zbatimit të projektit pilot, janë finalizuar marrëveshjet vullnetare për konsolidimin e tokës, ku janë përfshirë 150 pronarë me një total prej 200 parcelash. 46. Pavarësisht interesit të konsiderueshëm midis pronarëve dhe fermerëve, në tri fshatrat pilot, për të marrë pjesë në projektin pilot të konsolidimit të tokës, vetëm 17 pronarë kanë regjistruar plotësisht transaksionet e tokave që përfshijnë transferimin e pronësisë për një numër modest prej 35 parcelash, të cilat përfaqësojnë një sipërfaqe prej 6.8 ha tokë. 47. Arsyeja se përse janë regjistruar kaq pak transaksione ndërkohë që fillimisht ishin të shumtë fermerët që shfaqën interes për pjesëmarrje, lidhet me procedurat e komplikuara të transaksioneve për tokën bujqësore. Projekti pilot për konsolidimin e tokës u zbatua duke zbatuar procedurat normale për shitjen dhe shkëmbimin e tokës bujqësore, duke qenë në kushtet e mungesës së një kuadri ligjor specifik për konsolidimin e tokës. Problemet më kryesore për regjistrimin e transaksioneve të hasura në fshatrat pilot, janë: a) Pronësia familjare mbi tokën bujqësore; përderisa toka nuk u është ndarë individualisht anëtarëve të familjes bujqësore, çdo transaksion i mundshëm kërkon domosdoshmërish pëlqimin e të gjithëve; b) Procedurat në rastet e trashëgimisë; c) Mospërputhje midis dokumentit të titullit të pronësisë (tapisë) lëshuar gjatë ndarjes së tokave 1991 dhe regjistrimit fillestar më 1996-n. 48. Përvoja e përfituar nga projekti pilot i konsolidimit të tokës, dokumenton qartë nevojën për një ligj të konsolidimit të tokës në Shqipëri, me procedura të thjeshtuara dhe efektive nga pikëpamja e kostos, për të mbështetur zbatimin e një Programi Kombëtar për Konsolidimin e Tokës. 3. ANALIZA E ANËVE TË FORTA, TË DOBËTA, MUNDËSIVE DHE RREZIQEVE (SWOT) 49. Analiza e situatës aktuale të organizimit dhe zbatimit të procesit të konsolidimit të tokës në Shqipëri ka përshfaqur anët e forta, të dobëta, mundësitë dhe rreziqet, mbi bazën e të cilave janë formuluar objektivat, qëllimet, si dhe masat për zbatim. Anët e forta - Qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar për uljen e nivelit të fragmentarizimit të tokës duke e konsideruar atë si një problem serioz në Shqipëri që lidhet me tregun jofunksional të tokës, abandonimin e tokës, mungesën e konkurrueshmërisë etj. - Shqipëria ka një situatë të stabilizuar makroekonomike në saje të reformave ekonomike të ndërmarra, si dhe mundësi për kalimin në një fazë intensive të zhvillimit ekonomik. - Politikat kombëtare ekzistuese afatmesme dhe afatgjata, si dhe strategjitë sektoriale janë mbështetëse të zhvillimeve aktuale dhe atyre të së ardhmes në sektorin bujqësor. - Aktivitetet pilote në mbështetje të qasjes vullnetare për konsolidimin e tokës kanë krijuar bazën për të fituar një shkallë të caktuar përvoje, identifikuar pengesat e procesit, përcaktuar rrugën që do të ndiqet, si dhe praktikat për zbatimin e konsolidimit të tokës. - Shqipëria ka mjedisin dhe kushte të tjera të favorshme për një bujqësi intensive (toka, topografia, klima, tradita) veçanërisht për produkte me vlerë të lartë të shtuar (fruta, perime etj.). - Ekziston një treg funksional, dinamik dhe në përmirësim për sektorin bujqësor përfshirë këtu inputet dhe prodhimet. Mundësitë - Konsolidimi i tokës mund të shndërrohet në një forcë drejtuese për transformimin e bujqësisë shqiptare në një sektor produktiv dhe fitimprurës. - Zhvillimi i infrastrukturave rurale do t’i bëjë më atraktive zonat rurale, inkurajojë zhvillimin e bizneseve jobujqësore në këto zona, si dhe do të krijojë mundësi për vende të reja pune. - Konsolidimi i tokës do të krijojë mundësi më të mira për fermerët e vegjël që të rrisin shkallën e fitimit e për pasojë të sigurojnë një nivel më të mirë jetese për veten dhe familjet e tyre. - Përmes procesit të konsolidimit të tokës dhe skemave mbështetëse (sikurse subvencionet shtetërore dhe skemat e IPARD-së) zonat rurale dhe bujqësia do të bëhen më tërheqëse për Anët e dobëta - Pjesa më e madhe e fermave bujqësore janë të përqendruara në sigurimin e nevojave të veta, dhe për shkak të strukturës së tyre të pafavorshme pengojnë zhvillimin konkurrues dhe të qëndrueshëm të sektorit bujqësor. - Shqipëria ka një treg toke të dobët dhe për më tepër informacioni mbi tregun e tokës është jo i plotë. - Nuk ekziston ndonjë kuadër ligjor specifik lidhur me konsolidimin e tokës, si dhe ka mungesë fondesh për zbatimin e projekteve të konsolidimit të tokës. - Toka bujqësore nuk pranohet si kolateral nga bankat për shkak të pasigurisë së të drejtave të pronësisë dhe madhësisë së parcelave; bankat nuk ofrojnë kredi me destinacion tregun e tokës. - Infrastruktura e dobët rurale (rrugët, furnizimi me ujë, kanalizimet, trajtimi i ujërave, sistemet e ujitjes dhe kullimit etj.) është një faktor kryesor kufizues për zhvillimin e bujqësisë. Procedurat e transaksioneve të tokës janë të ndërlikuara dhe kostot e transaksioneve janë të larta. - Deri tani nuk ka ndërgjegjësim publik mbi konceptin dhe procesin e konsolidimit të tokës, gjë e cila do të kishte shërbyer si një parakusht për fermerët për t’u përfshirë në proces. - Fermerët, aktorët institucionalë dhe zyrtarët kanë mungesë informacioni dhe të kuptuari lidhur me perspektivën gjinore mbi çështjet e tokës, pronësisë dhe të drejtave, veçanërisht për sa u përket aspekteve ligjore. Rreziqet - Pronarët e tokës dhe komunitetet rurale mbajnë një qëndrim skeptik lidhur me konsolidimin e tokës. - Si rezultat i largimit të vazhdueshëm të popullatës nga zonat rurale dhe plakjes së popullatës së këtyre zonave, ekzistojnë probleme të mprehta sociale dhe ekonomike. - Mungesa e kooperimit dhe e aktiviteteve mbi konsolidimin e tokës janë faktorë kufizues për zhvillimin rural dhe mbrojtjen e mjedisit. - Mungesa e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë nga perspektiva gjinore nënkupton se zëri i grave apo individëve/grupeve të dobëta, përfshirë të rinjtë, nuk dëgjohet dhe nevojat e tyre nuk merren parasysh në iniciativat për tokën apo ato bujqësore. brezin e ri që do të ketë perspektiva të reja. - Zhvillimi i infrastrukturës rurale do të krijojë vende të reja pune që do të parandalojnë migrimin nga zonat rurale. - Shqipëria ka mundësinë të përdorë përvojën e fituar nga vendet evropiane lidhur me konsolidimin e tokës, si dhe të përfitojë nga bashkëfinancimi i BE-së në PZHR. - Vendi mund të përfitojë nga programet e BE- së për bashkëpunimin ndërkufitar për aktivitete të zhvillimit rural dhe mbrojtjes së mjedisit, gjë që mund të jetë një burim financimi për projektet e KT-së. 50. Analiza e situatës e paraqitur më lart tregon se potenciali i sektorit bujqësor aktualisht nuk është përdorur tërësisht dhe niveli i investimeve në bujqësi mbetet ende i ulët. 51. Fragmentimi ekstrem i tokës është një nga arsyet kryesore për kufizimin e procesit të modernizimit dhe zbatimit të metodave moderne në bujqësi. Faktorë të tillë kanë një efekt thelbësor mbi nivelin e prodhimit dhe eficiencën e ndërhyrjeve në sektorin bujqësor. 52. Fermat e vogla dhe të mesme përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të numrit total të fermave duke pasur, gjithashtu, një rol të ndjeshëm për ekonominë rurale, pasi ato përfaqësojnë burimin kryesor të të ardhurave për pjesën më të madhe të popullatës. 53. Pjesa më e madhe e fermave prodhojnë për plotësimin e nevojave të tyre dhe nuk janë të orientuara drejt tregut. Ferma të tilla nuk janë konkurruese për shkak të madhësisë së tyre të vogël, nivelit të lartë të fragmentimit të parcelave dhe nivelit të ulët të fitimit. 54. Tregu i tokës është i pazhvilluar dhe informacioni mbi mekanizmat e tregut është i kufizuar. Shpesh toka shihet si një e mirë sociale që ofron përfitime në mënyrë të vazhdueshme; ndaj pronarët e tokës hezitojnë të hyjnë në transaksionet e tokës (shit-blerje), gjë e cila për pasojë rezulton në një nivel të ulët të mobilitetit të tokës. Në shumë raste pronarët e tokës zhvillojnë transaksione informale veçanërisht kur shkëmbejnë parcela toke midis njëri-tjetrit. Kjo ndodh për shkak të vështirësive në transaksionet e tokës, kostot e larta dhe procesin e zgjatur të transaksionit etj. 55. Në situatën aktuale të mungesës së një ligji për konsolidimin e tokës, procedurat ekzistuese të - Sektori i zhvillimit rural po kalon në modifikime/ndryshime të vazhdueshme të kuadrit normativ. - Qëndrimet kulturore dhe tradicionale ndikojnë në fuqizimin e pabarazive gjinore për mundësinë e përdorimit dhe menaxhimit të burimeve, duke lënë në hije kontributin kyç të grave në familjet fermere dhe bujqësi. - Nuk ekzistojnë mjete apo mekanizma mbështetës për individë dhe/ose grupe të marxhinalizuara në zona rurale. transaksioneve të tokës që nevojiten për konsolidimin e tokës janë shumë të komplikuara, burokratike dhe të shtrenjta. Së pari dhe, mbi të gjitha, është e nevojshme të zgjidhen çështje të tilla si gabimet në reformën e tokës bujqësore, gabimet me emrat, gabimet lidhur me dokumentacionin e tokës (tapitë), si dhe regjistrimin fillestar të tokës. Gjithashtu, ka probleme që lidhen me Kodin Civil, i cili kërkon që çdo anëtar i familjes duhet të paraqitet para noterit për çfarëdo transaksion që përfshin tokën e familjes, gjë e cila shoqërohet edhe me një kosto të lartë transaksioni etj. 56. Modernizimi i bujqësisë dhe diversifikimi i aktiviteteve në zonat rurale krijon bazën për një transformim të suksesshëm të forcës së punës nga aktivitete të lidhura me bujqësinë drejt atyre jobujqësore. Përmirësimi i standardeve të jetesës në sektorin rural duhet të mbështetet përmes programeve të zhvillimit rural që, ndër të tjera, synojnë të krijojnë mundësi punësimi përmes diversifikimit dhe zhvillimit të mundësive për gjenerimin e të ardhurave në sektorin e bujqësisë dhe jashtë tij në zonat rurale duke u përqendruar më shumë në ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. 57. Projektet e qeverisë mbi zbatimin e konsolidimit të tokës duhet të vazhdojnë me krijimin e një “shtrese” fermash familjare komerciale, si dhe të kontribuojnë në më shumë investime dhe teknologji bujqësore. 4. OBJEKTIVAT E PËRGJITHSHËM DHE SPECIFIKË 58. Objektivi i përgjithshëm i strategjisë është krijimi i fermave familjare ekonomikisht të suksesshme, konkurruese dhe të qëndrueshme. Kjo duhet të bëhet në një mënyrë të tillë që kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të barabartë nga pikëpamja gjinore dhe sociale të sektorit rural dhe bujqësor, në rritjen ekonomike, përmirësimin e sigurimit të ushqimit dhe uljen e varfërisë, përdorimin racional të burimeve natyrore, mbrojtjen e mjedisit dhe restaurimit të zonave natyrore. 59. Objektivi specifik i strategjisë është të ndihmojë fermerët në përmirësimin e strukturës së fermës, duke ofruar mundësi për uljen e fragmentimit të tokës dhe rritjen e madhësisë së fermës. Strategjia synon ta arrijë këtë duke zhvilluar kushtet për konsolidimin e tokës, përfshirë një program kombëtar të konsolidimit të tokës, miratimin e një kuadri të përshtatshëm ligjor, si dhe zbatimin e suksesshëm të projekteve të konsolidimit të tokës. 60. Strategjia synon të arrijë të gjithë fermerët, ku grupi i synuar, së pari, janë fermat familjare (përfshirë të gjithë anëtarët, meshkuj dhe femra, të rinj dhe të moshuar), të cilët kanë potencialin ta drejtojnë prodhimin bujqësor. Tipa të tjerë të fermave janë, gjithashtu, të pranueshme për të marrë pjesë në projekte të konsolidimit të tokës, ku pjesëmarrja e tyre mund të jetë e rëndësishme për të arritur ndikime të qëndrueshme. 61. Kohëzgjatja e Strategjisë është për një periudhë 15-vjeçare prej 2016–2030, e ndarë kjo në tri faza kryesore: Faza 1 (2016–2018): punë përgatitore për programin e konsolidimit të tokës, kuadrin ligjor dhe projekte të tjera pilote; Faza 2 (2019–2026): zbatimi i projekteve të konsolidimit të tokës me theks në përmirësimin e strukturave të fermës; Faza 3 (2026–2030): shtrirje e projekteve të konsolidimit të tokës në shërbim të iniciativave më të gjera për zhvillim rural krahas përmirësimit të strukturave të fermës. 5. PROGRAMI I KONSOLIDIMIT TË TOKËS 5.1 Parimet e konsolidimit të tokës 62. Parimet kryesore të konsolidimit të tokës, janë: a) Pjesëmarrja vullnetare – pjesëmarrja në projektet e konsolidimit të tokës duhet të jetë vullnetare dhe bazuar në pëlqimin e lirë të pronarëve të tokës; b) Pjesëmarrja, transparenca dhe demokratizimi – çdo vendim në projektet e konsolidimit të tokës duhet realizuar me pjesëmarrje, në mënyrë demokratike dhe të sillet në vëmendjen e të gjithë pronarëve dhe të të interesuarve të tjerë; c) Jodiskriminimit – askush nuk duhet të diskriminohet në projektet e konsolidimit të tokës; përfshirë këtu diskriminimin mbi bazë gjinore, fetare apo etnike; d) Barazia gjinore – gratë dhe burrat, përfshirë të rinjtë, duhet të kenë të drejta të barabarta për të marrë pjesë në aktivitetet e konsolidimit të tokës. Projektet e konsolidimit të tokës duhet të mbrojnë dhe të respektojnë të drejtat e pronësisë për të gjitha gratë, burrat dhe të rinjtë; e) Mbrojtja e mjedisit dhe qëndrueshmëria – projektet e konsolidimit të tokës duhet të mbrojnë mjedisin dhe të sigurojnë qëndrueshmërinë e tij dhe nuk duhet të çojnë në përkeqësimin e cilësisë së mjedisit. 5.2 Procedurat për përzgjedhjen e fshatrave për projektet e konsolidimit të tokës 63. Ky seksion identifikon hapat për procesin e thirrjeve për aplikime për konsolidimin e tokës, përzgjedhjen e fshatrave mbi bazën e kritereve të publikuara, përgatitjen e buxhetit për fazën analitike, përzgjedhjen e njësisë zbatuese dhe realizimin e një marrëveshjeje me bashkitë. Për këta hapa duhet të zhvillohen procedura të thjeshta dhe efektive nga pikëpamja e kostos. 5.2.1 Thirrja për aplikime për konsolidimin e tokës 64. MBZHRAU-ja njofton thirrjen për aplikime në bazë vjetore ose mbi baza periodike me një afat kohor të përshtatshëm. 65. MBZHRAU-ja vendos një seri kriteresh për një zbatim eficient të strategjisë së konsolidimit të tokës për shkak të kapacitetit dhe burimeve financiare të kufizuara, si dhe situatës së ndryshme në fshatra lidhur me tokën. 66. Bashkitë e interesuara u përgjigjen thirrjeve për aplikime duke përgatitur aplikimet për projekte me pjesëmarrjen e komuniteteve lokale të fermerëve. Bashkitë paraqesin aplikimet e tyre në MBZHRAU. 5.2.2 Përzgjedhja e fshatrave (sipas kritereve të publikuara) 67. Një proces i duhur/drejtë për përzgjedhjen e fshatrave pjesëmarrëse është shumë i rëndësishëm për të garantuar efektivitetin e programit të konsolidimit të tokës, qëndrueshmëri dhe një ndikim pozitiv të procesit për pjesën më të madhe të pronarëve të tokës. 68. Fshatrat do të përzgjidhen bazuar mbi një listë të parapërgatitur kriteresh për përzgjedhje dhe formatesh të përcaktuara, të përmendura në thirrjen për propozime në varësi kjo nga objektivat e strategjisë apo objektivat e programit të përcaktuar dhe publikuar nga MBZHRAU-ja. 69. Sektori i Konsolidimit të Tokës (SKT) në MBZHRAU aprovon ose nuk aprovon aplikimet për projekte bazuar në informacionin e paraqitur, vlerësimin e fshatrave dhe informacionin në dispozicion dhe më pas rendit aplikimet e aprovuara dhe përzgjedh bashkitë e renditura në krye. 70. SKT-ja duhet të realizojë analiza të plota të zonave të projekteve potenciale gjatë fazës përzgjedhëse, me qëllim që të identifikohen problemet e ndryshme potenciale, si dhe të vlerësohen mundësitë për konsolidimin e tokës (interesi i personave lokalë, mobiliteti i tokës etj.). 5.2.3 Përgatitja e buxhetit për fazën e analizave për çdo fshat të përzgjedhur 71. Buxheti do të përgatitet nga SKT-ja në MBZHRAU. 5.2.4 Përzgjedhja e njësisë zbatuese për fazën e analizave për çdo fshat të përzgjedhur 72. MBZHRAU-ja do të përcaktojë nëse njësia zbatuese që ndërmerr aktivitetet e konsolidimit të tokës (aspektet teknike, takime, intervistime të pronarëve të tokës etj.) në një fshat është Shërbimi Këshillimor Publik ose një njësi private e kontraktuar. 73. Në rastin e zbatimit nga një njësi private, procesi për përzgjedhjen e njësisë zbatuese duhet të jetë transparent dhe konkurrues. Fillimisht organizohet një tender dhe kompania që fiton tenderin për fazën e parë fiton, gjithashtu, dhe një mundësi për fazën e dytë. 5.2.5 Marrëveshja me bashkitë e çdo fshati të përzgjedhur 74. MBZHRAU-ja hyn në një marrëveshje bashkëpunimi me bashkitë dhe njësinë e zbatimit të projektit. Numri i aktorëve do të ndryshojë në varësi të burimeve të financimit të projektit etj. 5.3 Procedurat e konsolidimit të tokës në projektet individuale 5.3.1 Faza e analizës (faza 1) 75. Metodologjia e konsolidimit të tokës duhet të sigurojë procedura të thjeshta dhe efektive nga pikëpamja e kostos, duke parashikuar hapat e mëposhtëm: Takim pune në komunitet për prezantimin e projektit 76. Pas përzgjedhjes së fshatrave, MBZHRAU- ja organizon një takim pune në komunitet me pjesëmarrjen e të gjithë pronarëve të tokës, anëtarët e familjeve fermere dhe përfituesit e tjerë me qëllim prezantimin e projektit të konsolidimit të tokës. 77. Në këtë takim pune shpjegohen aktivitetet e projektit, përfituesit dhe rezultatet e pritshme; testohet niveli fillestar i interesit të pronarëve të tokës; qartësohen procedurat e konsolidimit, përzgjidhet një komitet me të interesuarit lokalë, i përbërë nga pronarë të tokës dhe fermerë të tjerë nga komunitetet e zonës së projektit. Njësia zbatuese duhet të jetë e pranishme në këtë takim pune me qëllim që të dëgjohen komentet dhe propozimet e komunitetit lokal. 78. Komisioni i Konsolidimit të Tokës (KKT) (siç referohet në kapitullin 5.4) ftohet të marrë pjesë në takimin për prezantimin e projektit. Përzgjedhja e komitetit të të interesuarve 79. Në takimin fillestar të punës, pronarët e tokës duhet të përzgjedhin komitetin e të interesuarve lokalë që do të përfaqësojë interesat e përgjithshme të grupeve të ndryshme të pronarëve të tokës gjatë gjithë zbatimit të projektit. Gratë dhe të rinjtë duhet të kenë përfaqësimin e tyre të balancuar dhe të barabartë në këtë komitet. Rishikimi i kadastrës dhe përgatitja e hartës 80. Njësia zbatuese përgatit hartën e pronësisë (plani 1) dhe rishikon e rivlerëson informacionin kadastral dhe atë të pronësisë gjatë intervistimeve individuale me pronarët e tokave. Intervistimet me pronarët e tokave dhe fermerët 81. Njësia zbatuese, do të: a) Realizojë intervista me të gjithë pronarët e tokës dhe fermerët, si gratë ashtu edhe burrat, në fshatrat e përfshirë në projekt dhe identifikojë interesat e tyre individuale e nevojat lidhur me konsolidimin e tokës; b) Analizojë rezultatet e intervistave me pronarët e tokës dhe fermerët dhe të përgatisë një raport për situatën fillestare me një vlerësim të mundësive për konsolidim toke në komunitetin e projektit, si dhe hartën e mobilitetit të tokës. Përgatitja e buxhetit 82. Njësia zbatuese do të grumbullojë informacionin që i nevojitet SKT-së për t’i mundësuar përgatitjen e buxhetit për fazën e rishpërndarjes/riparcelimit (faza 2). Zhvillimi i komunitetit 83. Konsolidimi i tokës, kurdoherë që është e përshtatshme, duhet të shihet në kontekstin e zhvillimit të komunitetit lokal. Njësia zbatuese organizon takime në komunitet në nivel fshati me qeverinë vendore, grupe të ndryshme të të interesuarve dhe intervistime me individë/grupe mbi zhvillimin e komunitetit, duke synuar lidhjen e projektit të konsolidimit të tokës me zhvillimin e komunitetit. Vendimi mbi vazhdimin 84. SKT-ja do të vendosë lidhur me vijimin ose jo të zbatimit të projektit të konsolidimit në varësi kjo të shprehjes së interesit nga ana e pronarëve të tokës. Njësia e zbatimit të projektit paraqet një raport mbi situatën fillestare me planin 1, hartën e mobilitetit të tokës dhe buxhetin e propozuar për fazën zbatuese si anekse për aprovim para fillimit të fazës tjetër të projektit. SKT-ja mund të marrë vendimin për vijimin e projektit bazuar në raportin e situatës fillestare përgatitur nga njësia zbatuese. Në këtë mënyrë, SKT-ja mbikëqyr dhe kontrollon procesin dhe fondet e projektit. 5.3.2 Faza e rishpërndarjes (faza 2) 85. Me qëllim që të arrihet një regjistrim dhe zbatim i qartë dhe efektiv nga pikëpamja e kostos i transaksioneve të tokës si një plan riparcelimi/rishpërndarje të tokës dhe jo si shumatore e marrëveshjeve dypalëshe, duhen ndërmarrë aktivitetet e mëposhtme: Negociatat 86. Njësia zbatuese lehtëson negociatat e detajuara ndërmjet pronarëve të tokës të përfshirë, si dhe të interesuarve të tjerë në zonën e projektit që çojnë në planin draft të rishpërndarjes. Për finalizimin e negociatave çdo pronar toke nënshkruan një “Marrëveshje të riparcelimit të tokës” me përcaktimin e parametrave përfundimtarë të rishpërndarjes (situatë e përmirësuar e vendndodhjes, distancës dhe formës së parcelave), një përshkrim mbi parcelat e shitura, të blera apo të shkëmbyera (numri kadastral/ pasurisë, madhësia, cilësia e tokës etj.), si dhe vlerën korresponduese të parcelave (çmimet). Vlerësimi 87. Në projektet e KT-së bujqësore, SKT-ja dhe njësia zbatuese mund të vendosin të ndërmarrin vlerësimin e parcelave të tokës, me qëllim që të krijojnë bazën për marrëveshje ndërmjet pronarëve të tokave. Në rastin e zbatimit të projekteve të mëdha infrastrukturore shtetërore dhe publike, me qëllim që të sigurohet një kompensim i ndershëm për pronarët e tokës, është e detyrueshme të bëhen vlerësime zyrtare bazuar në ligjin ekzistues mbi shpronësimet. Përgatitja e planit të rishpërndarjes 88. Njësia zbatuese përgatit një draft të planit të riparcelimit/rishpërndarjes (plani 2) që është rezultat i marrëveshjeve vullnetare dhe një shumatore e të gjitha marrëveshjeve të riparcelimit të nënshkruara nga pronarët e tokave dhe e paraqet atë pranë KKT-së. 89. Njësia zbatuese organizon konsultime publike lidhur me planin e riparcelimit/rishpërndarjes. Me qëllim që të sigurohet se konsolidimi i tokës nuk do të ketë ndikime negative në mjedis, në çdo projekt të konsolidimit të tokës bujqësore duhet bërë Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor (VNM) bazuar në legjislacionin ekzistues, gjë që realizohet nga ekspertë të licencuar të kontraktuar nga SKT-ja. 90. Për të gjitha parcelat si pjesë e projektit të KT-së do të bëhet korrigjimi i gabimeve lidhur me regjistrimin e tokës. Miratimi i planit të rishpërndarjes 91. Pas përfundimit të negociatave ndërmjet pronarëve të tokave dhe finalizimit të planit të rishpërndarjes (plani 2), do të organizohet një takim publik ku plani do të prezantohet para KKT-së e ku të gjithë të interesuarit lokalë mund të jenë të pranishëm dhe të mësojnë rreth rezultateve të projektit, të bëjnë pyetje dhe të shprehin kundërshtitë e tyre nëse ata e ndiejnë se ka gjëra të gabuara apo të padrejta. 92. Plani do të jetë i prezantuar publikisht për 1–2 javë para takimit, me qëllim që pronarët e tokave të lejohen të shikojnë planin dhe të mendojnë për çështjet e shtruara në të para se të zhvillohet takimi. Për më tepër, drafti i planit duhet të dërgohet tek anëtarët e KKT-së para se të zhvillohet takimi. 93. KKT-ja përgatit vendimin duke prezantuar listën e pronave pjesëmarrëse (të përfshira) dhe referencat përkatëse në marrëveshjet e nënshkruara nga pjesëmarrësit. Në këtë takim do të prezantohen dhe qartësohen nga përfaqësuesit e SKT-së të MBZHRAU-së të gjitha çështjet dhe pyetjet e paqarta lidhur me planin e rishpërndarjes (plani 2). 94. SKT-ja dhe njësia e zbatimit të projektit garanton praninë e të gjitha dokumenteve të nevojshme në avancë dhe të siguruar nga KKT-ja para marrjes së vendimit përfundimtar në takimin publik. Pas qartësimit të të gjitha çështjeve dhe dhënies përgjigje të të gjitha pyetjeve, KKT-ja aprovon planin e rishpërndarjes (plani 2), që është rezultat i projektit të konsolidimit të tokës gjatë takimit publik. 95. Pasi merret vendimi nga KKT-ja, të gjitha veprimet pasuese do të jenë thjesht teknike dhe nuk do të përfshijnë pronarët e tokës pasi ndryshimi i të drejtave të pronësisë ka ndodhur dhe është aprovuar nga komisioni. 5.3.3 Topografimi dhe regjistrimi (faza 3) Topografimi 96. MBZHRAU-ja do të tenderojë procesin për kompanitë private, institucionet ose topografët e licencuar për një çmim fiks që të realizojnë ofrimin e shërbimit për zbatimin e operacioneve teknike në terren. Kjo përfshin operacionin e topografimit vetëm për parcelat bujqësore të ndara në këtë projekt, që do të përfshijë përgatitjen e dokumenteve për regjistrim të planit të rishpërndarjes. Regjistrimi 97. Regjistrimi i të gjitha transaksioneve në një plan të vetëm riparcelimi/rishpërndarje i miratuar nga KKT-ja i bën procedurat e projektit me një kosto dhe kohë më eficiente si rezultat i ndryshimit të njëkohshëm të të drejtave të pronësisë të pronarëve të tokës pjesëmarrës në proces. Marrëveshjet e KT-së do të regjistrohen sipas ligjit të ri të KT-së. 98. MBZHRAU-ja është përgjegjëse për prezantimin dhe regjistrimin në ZVRPP të planit të miratuar të riparcelimit/rishpërndarjes. 5.3.4 Afatet kohore 99. Periudha e zbatimit të projekteve të konsolidimit të tokës bujqësore duhet të jetë të paktën 3-vjeçare. Projekti pilot i FAOs në Komunën Tërbuf tregon se periudha e nevojshme për mobilizimin e punonjësve, fillimin e aktiviteteve, zgjidhjen e problemeve dhe vështirësive, realizimin e transaksioneve dhe regjistrimin e tyre është rreth 3 vjet. 100. Fillimi dhe momentet kryesore të procesit duhet të jenë në përputhje dhe të bashkërenduara në kohë me sezonin bujqësor; ndaj, intervistimet e pronarëve të tokave dhe negociatat përfundimtare ndërmjet pronarëve duhet të kryhen gjatë vjeshtës së vonë dhe dimrit kur fermerët nuk janë shumë të zënë me punët në bujqësi dhe kanë kohën e mjaftueshme për të negociuar dhe zbatuar të gjitha transaksionet e rëna dakord, përfshirë dhe kryerjen e procedurave të trashëgimisë, kur është e nevojshme. 5.4 Rolet dhe përgjegjësitë institucionale 101. MBZHRAU-ja do të mbetet autoriteti drejtues për konsolidimin e tokës ndaj si e tillë, ajo mban përgjegjësinë kryesore në zbatimin e Programit Kombëtar për Konsolidimin e Tokës (kuadri ligjor, përgatitja e planeve vjetore; sigurimin e shpalljeve publike për kompanitë private, sigurimin e burimeve financiare, garantimin e koordinimit gjatë zbatimit të projektit etj.), dhe: a) Koordinon zbatimin dhe monitorimin e strategjisë së konsolidimit të tokës; b) Harton dhe përshtat programin kombëtar të konsolidimit të tokës; c) Financon, mbikëqyr dhe garanton zbatimin normal të projekteve të konsolidimit të tokës; d) Përzgjedh dhe kontrakton entet për zbatimin e projektit; e) Siguron mbështetjen metodologjike për zbatimin e projekteve të konsolidimit të tokës; f) Përzgjedh fshatrat për pjesëmarrjen në program bazuar në aplikimet e pranuara; g) Lehtëson paraqitjen e planit të riparcelizimit/rishpërndarjes të tokës për miratimin e tij nga ana e KKT-së, si dhe regjistrimin e mëvonshëm nga ana e ZVRPP-së; h) Identifikon nevojat për trajnim së bashku me hartimin dhe zbatimin e programeve për ngritjen e kapaciteteve; i) Vendos marrëdhënie bashkëpunimi me ministritë e ndryshme dhe me agjencitë partnere; j) Përgatit raportet vjetore mbi zbatimin e strategjisë. 102. MBZHRAU-ja do të krijojë Sektorin e Konsolidimit të Tokës (SKT). Numri fillestar i stafit të punësuar pranë SKT-së do të jetë prej tre personash, përfshirë ekspertë që kanë përvojë të gjerë dhe aftësi në bujqësi, çështjet ligjore, kadastrën etj. Duke qenë se kjo strukturë do të jetë e re, burimet financiare do të sigurohen nga MBZHRAU-ja. Në të ardhmen, ndërsa programi i konsolidimit të tokës do të shtrihet më tej, kjo strukturë (SKT) mund të kërkojë rritjen e numrit të personelit duke përfshirë në strukturën e saj specialistë me formim bujqësor, inxhinieri bujqësore, administrim toke, menaxhim mjedisi dhe peizazhi, infrastrukturë rurale, menaxhim uji, aftësi e shprehi në aspektet financiare dhe menaxhim projektesh. 103 SKT-ja do të hartojë një manual për zbatimin e projektit, i cili përfshin udhëzime të detajuara të zbatimit hap pas hapi të projektit të konsolidimit të tokës. 104. MBZHRAU-ja do të vendosë marrëdhënie dhe koordinon me ministritë e linjës dhe me agjenci të ndryshme që do të përfshihen në Projektin e Konsolidimit të Tokës, si dhe me bashkitë ku do të zbatohen projektet, sikurse dhe me donatorë të ndryshëm. 105. Në nivel rajonal, drejtoritë e bujqësisë, në varësi të MBZHRAU-së, do të jenë partnerët kryesorë të SKT-të që do të mbështesin aktivitetet e konsolidimit të tokës. Kontributi i tyre konkret do të jepet në faza të ndryshme të zbatimit të projekteve në zonat e tyre përkatëse, si p.sh., në lançimin e projektit, procesin përzgjedhës, konsultimet me publikun etj. 106. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) (në varësi të Ministrisë së Drejtësisë) dhe zyrat vendore të saj, do të luajnë një rol vendimtar në konsolidimin e tokës, duke qenë se ato janë përgjegjëse për titujt dhe regjistrimin e tokës, mirëmbajtjen e regjistrave dhe mbikëqyrjen e hartave topografike dhe hartografisë, realizojnë politikën shtetërore në marrëdhëniet mbi tokën, regjistrimin, kadastrat, gjeodezinë, hartografinë dhe gjeoinformatikën, si dhe korrigjimin e gabimeve. Ky institucion do t’i sigurojë subjektit zbatues informacionin kadastral dhe atë të pronësisë, të nxjerrë ekstraktet e tokës të nevojshme për përgatitjen dhe legalizimin e kontratave të tjetërsimit dhe më e rëndësishme, të kryejë regjistrimin e planit të rishpërndarjes së tokës, sipas procedurave që do të miratohen në ligjin e ri të konsolidimit të tokës. 107. Bashkitë përfaqësojnë interesin e përgjithshëm të komuniteteve lokale dhe dorëzojnë aplikimet për projektet e konsolidimit të tokës. Bazuar në përvojën e projektit pilot, roli i njësive të qeverisjes vendore është thelbësor për suksesin e zbatimit të projektit. Funksionet specifike që duhet të kryhen nga bashkitë, përfshijnë: a) Dorëzimin e aplikimit fillestar; b) Sigurimin e dokumenteve, të dhënat përkatëse, hartat e planifikimit urban; c) Sigurimin e hapësirës për zyra dhe akomodimin e ekipit lokal të projektit të njësisë zbatuese; d) Mbështetjen e zbatimit të projektit gjatë takimeve të projektit dhe në punën e tyre të përditshme; e) Marrjen pjesë në Komisionin e Konsolidimit të Tokës (KKT). 108. Autoritetet e planifikimit të territorit (që veprojnë në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal) janë përgjegjëse për planifikimin e përdorimit të tokës, përcaktimin e kushteve për zhvillimin e territorit dhe të strukturave natyrore e të ndërtueshme në të. Këto autoritete miratojnë sipas kompetencave dhe juridiksionit, instrumentet për planifikimin e territorit (përfshi këtu përdorimin e tokës dhe strukturave në të, ndryshimin e destinacionit të përdorimit etj.), të cilat mund të jenë në çdo kohë subjekt i ndryshimeve, por që si rregull, rishqyrtohen të paktën një herë në 10 vjet. 109. Drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në nivel qarku do t’i ofrojnë entit zbatues të projektit të konsolidimit të tokës informacione të shumta në lidhje me përdorimin e tokës, kategoritë e tokës, infrastrukturën etj. 110. Komisionet e Konsolidimit të Tokës (KKT) janë organe të reja të propozuara në strategji. Ato janë të nevojshme për t’u krijuar si pjesë e procedurave efikase për konsolidimin e tokës përmes zbatimit të njëkohshëm të të gjitha transaksioneve të tokës në një plan të vetëm të rishpërndarjes. Një strukturë e tillë (KKT) do të merret me miratimin e projekteve të konsolidimit të tokës dhe me autorizimin e regjistrimit të të gjitha transaksioneve të tokës të përfshira në planin e miratuar të rishpërndarjes. 111. KKT-ja do të krijohet për secilin projekt të konsolidimit të tokës. Ai do të përbëhet nga pesë persona, prej të cilëve dy do të përfaqësojnë MBZHRAU-në, një person do të përfaqësojë drejtorinë përkatëse rajonale të bujqësisë, një person do të përfaqësojë bashkinë në të cilën do të zbatohet projekti dhe një person do të përfaqësojë, dhe do të zgjidhet, nga pronarët dhe fermerët që marrin pjesë në projekt. KKT-ja do të drejtohet nga një prej përfaqësuesve të MBZHRAU-së. 112. Komiteti Lokal i Grupeve të Interesit (KLGI) do të zgjidhet ndërmjet pronarëve të tokës dhe palëve të interesuara që marrin pjesë në takimin fillestar të komunitetit dhe duhet të përfaqësojë në mënyrë të barabartë dhe të shprehë interesat e grupeve të ndryshme të fermerëve dhe pronarëve, grave dhe burrave, gjatë zbatimit të projektit të konsolidimit të tokës. Ky komitet (KLGI) shërben si platformë për mbështetje dhe këshillim lokal duke mundësuar sigurimin e një procesi transparent të planifikimit, ku askush nuk është nën presion për të marrë pjesë kundër vullnetit të tij/saj dhe do të përfaqësojë interesin e përgjithshëm të të gjithë anëtarëve të komunitetit, ku është duke u zbatuar projekti. 113. Njësitë zbatuese që kryejnë punën në realizimin e projekteve të konsolidimit të tokës mund të përfshijnë Shërbimin Këshillimor Publik dhe njësitë nga sektori privat. 114. Njësitë e zbatimit do të kenë personelin e duhur të certifikuar me kualifikimet minimale, si më poshtë: a) Diplomë universitare në fushat e bujqësisë, të menaxhimit të tokës, legjislacionit, topografi/ gjeodezi ose një fushë ekuivalente; dhe b) Përvojë në çështje kadastrale dhe ekspertizë GIS; si dhe c) Certifikata për përfundimin e kurseve të specifikuara në konsolidimin e tokës. 115. E gjithë puna topografike dhe matjet kadastrale do të kryhen nga persona me kualifikimin e duhur. 5.5 Përgatitja e Programit Kombëtar të Konsolidimit të Tokës 5.5.1 Ngritja e kuadrit institucional/organizativ të KT-së dhe përcaktimi i procedurave 116. Me qëllim përmbushjen e objektivave të saj, strategjia parashikon veprimet e mëposhtme: a) Ngritja e Sektorit të Konsolidimit të Tokës (SKT) në MBZHRAU; b) Hartimin e kuadrit ligjor; c) Trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve; d) Lançimin dhe zbatimin e projekteve të reja; e) Ndihmë për Komisionin e Konsolidimit të Tokës (KKT) në zhvillimin e procedurave formale në lidhje me aprovimin e planit të rishpërndarjes; f) Aprovimi i aplikimeve dhe koordinimi i aplikimeve për projekte të reja; g) Vendosja e marrëdhënieve të bashkëpunimit me agjenci dhe institucione shtetërore; h) Hartimi i një udhëzuesi të detajuar mbi procedurat dhe zbatimin e projekteve të KT-së; i) Përgatitja e programeve vjetore të punës dhe sigurimi i fondeve të nevojshme. 5.5.2 Krijimi i kuadrit ligjor 117. Kapitulli 2.9.2 demonstron nevojën për një ligj të ri për konsolidimin e tokës. Përmbajtja strukturore e ligjit të ri për konsolidimin e tokës duhet të adresojë çështjet e mëposhtme: a) Objektivat e zbatimit të ligjit bazuar në përmirësimin e qëndrueshëm të jetesës në zonat rurale përmes një strukture parcelash sa më racionale dhe ekonomike; b) Parimet e konsolidimit vullnetar të tokës, të tilla si: zgjedhja e lirë (me bazë vullnetarizmi), transparenca, llogaridhënia, respekti për individët, zbatimi i ligjit, eficienca, mosdiskriminimi, barazia gjinore etj.; c) Mënyrat e funksionimit të skemës për procesin, dinamikën e zhvillimit të tij drejt arritjes së objektivave përfundimtarë; d) Krijimin e KKT-së, përbërjen, funksionimin, juridiksionin dhe kompetencat e tij; e) Rolin dhe përgjegjësitë e MBZHRAU-s, njësive qendrore dhe atyre të qeverisjes vendore, ZRPP-së, komunitetit të fermerëve dhe aktorëve të tjerë të mundshëm në këtë proces; f) Mekanizmin e koordinimit horizontal dhe vertikal midis aktorëve institucionalë të përfshirë në konsolidimin e tokës; g) Skemën e financimit; h) Detajet mbi procedurat për zbatimin dhe regjistrimin e transaksioneve. 118. Gjithashtu, është e nevojshme të ndryshohen një numër ligjesh ekzistuese dhe aktesh nënligjore përkatëse në legjislacionin aktual, sidomos në drejtim të thjeshtëzimit të procedurave administrative. 119. Kostot e transaksionit për projektet e konsolidimit të tokës duhet të përcaktohen në bazë të procedurave të reja të konsolidimit të tokës, pas përgatitjes së ligjit të ri për konsolidimin e tokës dhe gjatë përgatitjeve për zbatimin e programit kombëtar të konsolidimit të tokës. 120. Konsolidimi i tokës shihet si një investim publik. Në këtë kontekst, përfshirja e një dispozite në ligjin e ri të konsolidimit të tokës për reduktimin e kostove të transaksionit për konsolidimin e tokës është një zgjidhje objektive. Në mënyrë të veçantë, sanksionimi i përjashtimit nga pagesa të tarifave të shërbimit në ZRPP, ulja në 50% e tarifave të shërbimit të noterëve, si dhe përjashtimi nga detyrimi për të paguar taksën për transferimin e pronës në rastin e transaksioneve të blerjes, për një periudhë 5-vjeçare nga data e hyrjes së ligjit në fuqi. Kjo heqje e pagesave brenda kësaj periudhe kohore stimulon fermerët e interesuar dhe në të njëjtën kohë në mënyrë të dukshme rrit mundësitë për zbatimin e suksesshëm të ligjit qysh në fazën fillestare të tij. 121. Ekziston një dispozitë e veçantë në Kodin Civil, për pjesëtimin e pasurisë së familjes bujqësore, ku përcaktohet qartë koncepti i njësisë minimale të kultivimit të tokës bujqësore që nevojitet për mbajtjen e një ekonomie bujqësore, sipas kushteve natyrore të krahinës apo zonës përkatëse. Në këtë kontekst, është i domosdoshëm sanksionimi me ligj i këtij kufiri minimal, poshtë të cilit toka bujqësore nuk mund të pjesëtohet më tej. Miratimi i këtij kufizimi ligjor, në procedurat e pjesëtimit të pasurisë, do të ndikojë në frenimin e fragmentimit të tokës bujqësore dhe mbetet mënyra më e përshtatshme për adresimin e këtij problemi. 122. Bazuar në sa më sipër, ligjet specifike të mëposhtme duhet të përmirësohen/amendohen, si vijon: a) Amendimi i ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, për të mundësuar njësitë zbatuese të projektit të konsolidimit të tokës të kryejnë të gjitha procedurat administrative të transaksioneve në emër të pjesëmarrësve; b) Amendimi i ligjit nr. 8337/1998, “Për përcaktimin e pronësisë së tokës bujqësore, tokave pyjore, livadheve dhe kullotave” (neni 5)”, për të zgjidhur në mënyrë më të përshtatshme çështjen për dorëzimin e autorizimit nga gjykata për përfaqësimin e anëtarëve të mitur të familjeve bujqësore në momentin kur formalizohet transaksioni; c) Amendimin e akteve ekzistuese për reduktimin e tarifave të shërbimit nga ana e ZRPP-së, si dhe taksat e transaksionit në rastin e konsolidimit të tokës; d) Rishikimi dhe vendosja e tarifave të reja për regjistrimin e shërbimeve që lidhen me projektet e konsolidimit të tokës. 123. Ndryshimet e mësipërme të kuadrit ligjor janë të nevojshme për krijimin e kushteve dhe lehtësimin e procesit të konsolidimit të tokës, si një mjet efektiv për reduktimin e fragmentizimit të tokës bujqësore. 5.5.3 Zhvillimi i kapaciteteve 124. Hartimi i programeve dhe materialeve të trajnimit bazuar në përvojën më të mirë të akumuluar gjatë zbatimit të projekteve pilot të KT- së, është një parakusht për zbatimin e suksesshëm të programit kombëtar të konsolidimit tokës. 125. Sektori i konsolidimit të tokës në MBZHRAU është përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e programeve të trajnimit. Programi i trajnimit për njësitë zbatuese 126. Me qëllim përmbushjen e nevojave për specialistë të kualifikuar dhe të aftë që të merren me konsolidimin e tokës, do të zhvillohet një program trajnimi i bazuar në eksperiencën më të mirë lokale, kuadrin e rishikuar ligjor dhe institucional, si dhe përvojën evropiane dhe çështjet gjinore: a) Kurset e shkurtra të trajnimit 2–3-javor në konsolidimin e tokës do t’i pajisin pjesëmarrësit me një certifikatë dhe do t’i bëjnë ato të aftë për të punuar si planifikues të konsolidimit të tokës me backgraund-in e duhur; b) MBZHRAU-ja do të lëshojë certifikata (në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera kur është e nevojshme). 127. Në një periudhë kohore afatgjatë nga universitetet do të përgatitet një kurrikul për programe mësimore Master Professional në konsolidimin e tokës, e cila do t’i lejojë të gjithë të diplomuarit që të jenë të përshtatshëm për të punuar si planifikues në konsolidimin e tokës. Program trajnimi për strukturat shtetërore të përfshira 128. Programi i trajnimit për strukturat shtetërore do të ketë si target kryesor zyrtarët e përfshirë në zbatimin e strategjisë. Kurse trajnimi të posaçme do të përgatiten dhe zhvillohen nga sektori i konsolidimit të tokës. 5.5.4 Rritja e ndërgjegjësimit të publikut 129. MBZHRAU-ja do të hartojë një program komunikimi duke përdorur kanalet e multimedias për të informuar komunitetin rural rreth Programit të Konsolidimit të Tokës. Përpjekje specifike dhe të orientuara do të bëhen për të përfshirë gratë dhe të rinjtë për të ngritur ndërgjegjësimin e tyre për të drejtat e pronësisë dhe për të siguruar pjesëmarrje domethënëse të tyre në programin e KT-së. 130. MBZHRAU-ja do të përfshijë aktivitetet e komunikimit në planet e saj vjetore të punës. 5.6 Konsolidimi i tokës si një mjet për qëllime të tjera 131. Përveç përmirësimit të strukturave bujqësore, aty ku është e përshtatshme, qasjet e KT-së do të përdoren për qëllime të tjera në lidhje me zhvillimin rural. 132. Në një numër rastesh, ndërhyrjet publike do të rezultojnë me ndryshime në përdorimin e tokës, të cilat do të ndikojnë negativisht në aktivitetet bujqësore të disa fermerëve (p.sh., projektet infrastrukturore) dhe qasjet e KT-së dhe Bankës së Tokës mund të përdoren për t’i lejuar fermerët që të vazhdojnë të merren me bujqësi, madje t’i zgjerojnë operacionet e tyre (duke përfituar tokë alternative përmes përdorimit të KT- së dhe qasjeve të Bankës së Tokës). Në këtë rast, procedurat e konsolidimit të tokës mund ta shpejtojnë zbatimin e projektit dhe të zvogëlojnë nevojën për shpronësime, të cilat do të vazhdojnë të bëhen në përputhje me ligjin për shpronësimet. 133. Kur Shqipëria të anëtarësohet në BE do të jetë e nevojshme të ketë një përputhje me normat e BE-së, të tilla si: direktivat Natura 2000 dhe direktiva kuadër e ujit, për të hequr tokë nga prodhimi. Përveç kësaj, KT-ja mund të përdoret për të reduktuar koston e shpronësimeve të lidhura me ndërtimin e infrastrukturës publike, të tilla si: autostrada, sistemet e ujitjes dhe kullimit etj. 134. Projekte të tilla të konsolidimit të tokës do të iniciohen nga autoritetet përgjegjëse ose ministritë e linjës. Institucione, të tilla si: Ministria e Mjedisit (MM), Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës (MTI) mund të marrin rolin si iniciatore të projektit dhe propozojnë vendndodhjet e zbatimit të projektit. 5.7 Krijimi i Bankës së Tokës dhe përdorimi i saj në aktivitetet e KT-së 135. Banka e Tokës mund të jetë një instrument i rëndësishëm që mund të ndihmojë në zbatimin e suksesshëm të projekteve të konsolidimit të tokës. Planifikimi i konsolidimit të tokës është shumë i vështirë kur mobiliteti i tokës është shumë i ulët (shumë pak shitës), ku pjesa më e madhe e fermerëve janë të interesuar në shkëmbimin e parcelave me qëllim reduktimin e numrit të parcelave (fragmentarizimin). Në kushte të tilla është e dobishme që të rritet mobiliteti i tokës dhe banka e tokës mund të jetë një instrument shumë i mirë për t’u përdorur nëpërmjet rritjes së numrit të parcelave në dispozicion, që mund të përdoren në transaksionet e konsolidimit të tokës. 136. Banka e tokës do të futet dhe operojë në mënyrë të përshkallëzuar dhe progresive gjatë periudhës së strategjisë. Para shpalljes së projektit të konsolidimit të tokës, MBZHRAU-ja do të konsiderojë blerjen e përshtatshme të tokës nga pronarët e tokës kur ofrohet për shitje (në mënyrë vullnetare dhe me kushtet e tregut) dhe ta mbajë atë përkohësisht për të qenë e disponueshme për shitje ose shkëmbim për fermerët që do të marrin pjesë në projektin e konsolidimit të tokës. 137. MBZHRAU-ja mund të krijojë një buxhet fillestar dhe të përgatisë procedura të thjeshta administrative për blerjen e tokës dhe blerje të njëpasnjëshme të saj, në projektet e konsolidimit të tokës. Procedura të tilla do të përcaktohen qartësisht me rregullat e duhura. 5.8 Fazat e zbatimit dhe financimi 138. Procesi i konsolidimit të tokës do të zbatohet sipas fazave të strategjisë: Faza 1. 2016–2018 Pasi të miratohet ligji i ri, do të finalizohen një–dy projekte pilot shtesë (hapat fillestarë të projekteve pilot do të kryhen paralel me përgatitjen e ligjit). Qëllimi i këtyre projekteve pilot shtesë do të jetë vazhdimi i ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve, dhe testimi i mëtejshëm i procedurave të konsolidimit të tokës para futjes së tyre në shkallë të gjerë. Kostoja totale e vlerësuar do të jetë 14 milionë lekë/projekt, pa përfshirë koston për asistencë teknike ndërkombëtare si kosto shtesë, të cilën MBZHRAU-ja do të përpiqet që ta sigurojë nga donatorë të ndryshëm. Fazat 2 dhe 3: 2017–2028 Çdo vit do të zbatohen 3–4 projekte të shkallës së mesme duke planifikuar burimet financiare në buxhet vit pas viti. Fillimi i projekteve shkallëzohet në mënyrë të tille që bëhet i mundur fillimi i projekteve të reja çdo vit: 3–4 projekte në vitin 2019 (për të përfunduar më 2021), një grup tjetër 3–4 projektesh më 2020 (për të përfunduar më 2022) dhe një grup i tretë 3–4 projektesh më 2021 (për të përfunduar më 2023) dhe kështu me radhë. Kostoja totale e vlerësuar do të jetë rreth 14 milionë lekë/projekt. 139. Këto vlerësime të kostove do të rishikohen mbështetur në monitorimin dhe vlerësimin e projekteve pilote shtesë të ndërmarra gjatë fazës së parë (2016–2018). 140. Projektet pritet që të financohen nga buxheti i shtetit dhe financime të huaja. 141. Sigurimi i financimeve nga donatorë për përgatitjen e ligjit të ri, raundin tjetër të projekteve pilote, përgatitjen e programeve të trajnimit etj., do të jenë prioritet për MBZHRAU-në. 6. REZULTATET E STRATEGJISË DHE KRITERET E VLERËSIMIT 142. Kriteret e vlerësimit janë vendosur me qëllim që të monitorohet zbatimi i kësaj strategjie, nëpërmjet një vlerësimi të rregullt të progresit të bërë drejt arritjes së qëllimeve dhe objektivave të specifikuar në këtë strategji. 143. Nëpërmjet përdorimit të mekanizmave të ndryshëm për arritjen e objektivave organizativë, si dhe nga shpërndarja e sasive të përshtatshme të burimeve financiare, nga fillimi deri në implementimin e kësaj strategjie, do të arrihen rezultatet e mëposhtme: a) Reduktimi i nivelit të fragmetarizimit të parcelave bujqësore; b) Përmirësimi i kapaciteteve që merren me menaxhimin dhe administrimin e tokës bujqësore; c) Rritja e investimeve në bujqësi dhe zhvillimi i tregut formal të tokës; d) Rritja e konkurrueshmërise së sektorit bujqësor; e) Rritja e GDP-së për banor të sektorit bujqësor; f) Përmirësimi i cilësisë së jetës në zonat rurale; g) Rritja e vetëdijes së pronarëve të tokës mbi tokën dhe të drejtën e pronës; h) Rritja e vetëdijes dhe ngritja e kapaciteteve për të gjithë aktorët e përfshirë në çështjet gjinore të lidhura me tokën dhe konsolidimin e saj. 144. Zbatimi i kësaj strategjie do të monitorohet nëpërmjet objektivave të strategjisë, numrit të projekteve të zbatuara dhe nga rezultatet e arritura. Treguesit e përgjithshëm të progresit përfshijnë aspekte të ndryshme të konsolidimit të tokës, si: numrin total të projekteve të zbatuara të konsolidimit të tokës, sipërfaqja totale e tokës së konsoliduar, numri i publikimeve, programet e radios dhe TV-së mbi konsolidimin e tokës, numri i specialistëve që kanë përmirësuar kualifikimin e tyre dhe janë të aftë të merren me konsolidimin e tokës etj. 145. MBZHRAU-ja do të hartojë një udhëzues të veçantë vlerësimi dhe monitorimi, i cili do të përmbajë kërkesat dhe rekomandimet kryesore për vlerësimin e projektit, bazuar në grupet e treguesve kryesorë të mëposhtëm: a) Treguesit e zotërimit/aksesit të tokës: reduktimi i numrit total të parcelave, rritja e madhësisë mesatare të parcelës, rritja e madhësisë së fermës, përmirësimi i formës së parcelës, reduktimi i distancës ndërmjet parcelave, përmirësimi i specializimit dhe mekanizimit etj.; b) Treguesit ekonomikë: ndryshimet në prodhimin bujqësor, ndryshimet në shitjet dhe konsumin e fermës, ndryshimet në të ardhurat dhe shpenzimet e fermës, aksesi ndaj infrastrukturës dhe shërbimeve të fermës etj.; c) Treguesit socialë: numri i pronarëve të tokës që kanë marrë pjesë (i ndarë sipas gjinisë dhe moshës), ndryshimet në të ardhurat e përfituesve, numri i të rinjve të përfshirë në aktivitetet bujqësore (para dhe pas konsolidimit të tokës), numri i infrastrukturave sociale të zhvilluara (shkollat, qendrat shëndetësore, mjediset/lehtësirat sociale dhe rekreative). 146. Në rastin kur konsolidimi i tokës përdoret për projekte infrastrukturore të mëdha ose për projektet e përmirësimit/restaurimit të natyrës, janë të nevojshëm më shumë tregues se sa në rastin e ristrukturimit të “thjeshtë” të fermës, të tillë si: situata e zotërimit të tokës, aspektet ekonomike, aspektet mjedisore dhe sociale etj. 147. Koordinimi i zbatimit të Strategjisë së Konsolidimit të Tokës, monitorimi, vlerësimi dhe përshtatja/modifikimi i strategjisë do të kryhet nga MBZHRAU-ja. 148. Monitorimi dhe zbatimi i strategjisë dhe kriteret e vlerësimit të strategjisë rrjedhin nga qëllimet dhe objektivat strategjikë dhe lejojnë një vlerësim të vazhdueshëm të progresit të zbatimit të strategjisë. Procesi i monitorimit do të përmbushet në tri mënyra: përmes monitorimit vjetor, vlerësimit periodik dhe vlerësimit përfundimtar të strategjisë. 149. MBZHRAU-ja do të përgatisë dhe paraqesë në Këshillin e Ministrave raporte vjetore progresive në lidhje me zbatimin e strategjisë. Çdo pesë vjet do të kryhet një vlerësim i ndërmjetëm dhe në fund të strategjisë do të kryhet një vlerësim përfundimtar. 7. PLANI I ZBATIMIT 150. Zbatimi i strategjisë aktuale do të kalojë përmes tri fazave të lidhura ngushtë me njëra- tjetrën, siç janë prezantuar më poshtë: Faza 1. Faza përgatitore (0–3 vjet): faza e parë përfshin periudhën kohore 2016–2018 dhe veprimet kryesore përfshijnë aktivitetet e fillimit, të tilla si: ndryshimet ligjore (hartimi i ligjit të ri të KT- së dhe amendimi i legjislacionit ekzistues dhe akteve të tjera nënligjore të nevojshme), vazhdimi i një–dy projekteve të tjera pilote, trajnimi dhe certifikimi, përgatitja e manualeve etj. Gjithashtu, gjatë kësaj faze fokusi do të jetë kryesisht në ngritjen dhe pajisjen e sektorit të konsolidimit të tokës, punësimi i stafit të sektorit të KT-së, diskutimi me partnerë të ndryshëm në aspektin e opsioneve/mundësive të mbështetjes financiare, kërkesa për burime financiare shtesë, hapat e parë për zbatimin e KT-së sipas skemave të zbatimit. Ndihma e mëtejshme teknike do të jetë një prioritet kryesor i MBZHRAU-së në këtë fazë. Faza 2. Fillimi i programit (viti 4 deri në vitin e 10-të): pas finalizimit të aktiviteteve të planifikuara në fazën e parë, mbështetur në rezultatet e monitorimit dhe vlerësimit, si dhe në nevojat aktuale, do të përgatitet një plan i ri i aktiviteteve si pjesë e fazës së dytë të strategjisë. Veprimet kryesore të fazës së dytë përfshijnë aktivitete të konsolidimit të tokës të fokusuara në ristrukturimin e sektorit bujqësor në programin kombëtar në vazhdim të konsolidimit të tokës. Faza 3. Futja e projekteve më gjithëpërfshirëse (viti 11–15): afër fundit të fazës së dytë, fokusi gradualisht zhvendoset drejt zbatimit të projekteve të KT-së me vepra të infrastrukturës publike dhe integrimin e KT-së me zhvillimin rural dhe për qëllime jobujqësore (mbrojtja e natyrës, qëllime mjedisore dhe restauruese, projekte të ndryshme me nevoja risistemimi), ndërkohë që ende do të ketë projekte të thjeshta ripërshtatjeje/rirregullimi. ac