Regulation No. 956 on the green crown of Tirana and the measures for its protection
Made 2014-12-29 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Land and soil
- Keywords
- land-use planning, urban land
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
VENDIM Nr. 956, datë 29.12.2014 PËR PËRCAKTIMIN E KURORËS SË GJELBËR TË TIRANËS DHE MASAT PËR MBROJTJEN E SAJ Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 2, të ligjit nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 10, pika 3, 20 e 23, të ligjit nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Përcaktimin e kurorës së gjelbër të Tiranës dhe masat për mbrojtjen e saj, me qëllim parandalimin e ndotjes së ajrit, ruajtjen e natyrës, mbrojtjen e përmirësimin e kushteve të mjedisit dhe nxitjen e planifikimit të qëndrueshëm, bazuar në planet e zhvillimit të kësaj zone. 2. Përbërja dhe shtrirja e kurorës së gjelbër të Tiranës janë, si më poshtë vijon: a) Sipërfaqja e përgjithshme e kurorës së gjelbër të Tiranës është 39 907 (tridhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e shtatë) hektarë dhe grafikisht paraqitet në hartën që i bashkëlidhet këtij vendimi. b) Zonat përbërëse të kurorës së gjelbër të Tiranës janë sipas lidhjes 1, bashkëlidhur këtij vendimi. 3. Detyrat dhe përgjegjësitë e organeve shtetërore, me qëllim marrjen e masave për mbrojtjen e saj, janë si më poshtë vijon: a) Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, gjatë hartimit dhe miratimit, referuar legjislacionit në fuqi, të dokumenteve të planifikimit, të territorit dhe planeve të zhvillimit, brenda kompetencave të tyre, marrin parasysh në mënyrë të veçantë parandalimin dhe/ose reduktimin e rrezikut ndaj mjedisit në tërësi, me qëllim ruajtjen, përmirësimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tij. b) Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT), brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi, miraton kufijtë e detajuar të zonave që përbëjnë kurorën e gjelbër të Tiranës, si dhe harton planin e zhvillimit, me qëllim rritjen e shkallës së ruajtjes së saj, sipas zonimit të territorit. c) AKPT-ja është autoriteti përgjegjës për kontrollin e përputhshmërisë me këtë vendim të dokumenteve të planifikimit të çdo niveli, që do të hartohen në të ardhmen për kurorën e gjelbër të Tiranës. ç) Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, në zbatimin e kritereve e të procedurave të kualifikimit të ndërtimeve pa leje në territorin e kurorës së gjelbër të Tiranës, të respektojë shkallën përkatëse të ruajtjes, të përcaktuar sipas këtij vendimi. 4. Vendimi nr. 221, datë 20.2.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e zonave të brezit të gjelbër të qytetit të Tiranës dhe të rrethinave të tij”, shfuqizohet. 5. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe njësitë e qeverisjes vendore, sipas zonave të përmendura në lidhjen 1, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Edi Rama