Skip to content
Nelum
Laws of Albania

Regulation No. 660 date 31.10.2018 approving the requirements of metal waste management

Made 2018-10-31 · Text as of 2026-10-01

Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.

About this law

Language
English
Kind
Regulation
Country
Albania
Subjects
Waste and hazardous substances
Keywords
waste disposal, waste management, waste prevention, inspection, institution, internal trade, authorization/permit, recycling/reuse, processing/handling, registration, business/industry/corporations, governance
Categories
*

Where to read it

Text

The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.

  1. VENDIM Nr. 660, datë 31.10.2018 PËR MIRATIMIN E KËRKESAVE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE TË METALEVE Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: I. TË PËRGJITHSHME 1. Qëllimi i këtij vendimi është miratimi i kërkesave për menaxhimin e mbetjeve të metaleve, me qëllim: a) Parandalimin, minimizimin e ndotjes së tokës nga rrjedhjet e lëngjeve dhe të ndotjes nga instalimet e pajisjet e vendit të grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve të metaleve; b) Minimizimin e ndotjes nga ujërat e shiut, të shkarkuar nga instalimi i vendit të grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve të metaleve; c) Minimizimin e ndotjes së ajrit, duke përfshirë pluhurin, aromat, zhurmat dhe vibrimet gjatë proceseve të trajtimit të mbetjeve të metaleve; ç) Minimizimin e ndikimit të vlerave kulturore dhe estetike në peizazhin natyror, duke kontribuar në këtë mënyrë në mbrojtjen, ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit. 2. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e kërkesave mjedisore për pranimin nga operatorët të mbetjeve të metaleve, vendet e grumbullimit, të depozitimit, të trajtimit të mbetjeve të metaleve dhe aktivitetet që lidhen me grumbullimin, depozitimin dhe trajtimin e tyre, të cilat çojnë në një minimizim të vazhdueshëm dhe parandalim të efekteve negative në mjedis. II. FUSHA E ZBATIMIT DHE TERMAT E PËRDORUR 1. Ky vendim është i detyrueshëm për zbatim për të gjithë operatorët, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, për grumbullimin, trajtimin apo riciklimin e mbetjeve të metaleve. 2. Grumbullimi, trajtimi, ripërdorimi dhe riciklimi i automjeteve në fund të jetës do të kryhet sipas vendimit nr. 705, datë 10.10.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për menaxhimin e mbetjeve të automjeteve në fund të jetës”. 3. Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e ligjit nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar. Gjithashtu, në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: a) “Mbetje të metaleve ferrore”, mbetjet e metaleve të hekurit dhe të çelikut, të cilat përbëhen kryesisht nga metal hekuri dhe çeliku; b) “Operator i mbetjeve të metaleve”, që më poshtë do të përdoret termi “Operator”, është çdo person fizik ose juridik, që operon në grumbullimin, transportin, përpunimin dhe tregtimin e mbetjeve të metaleve, i licencuar sipas legjislacionit në fuqi për ushtrimin e aktivitetit: i. “Operatorë të vegjël”, quhen ata operatorë që grumbullojnë mbetje të metaleve deri në 500 kg mbetje në ditë; ii. “Operatorë të mëdhenj”, quhen të gjitha ato subjekte juridike, përfshirë grumbulluesit e mëdhenj, qendra transferimi të përkohshme, apo qendra depozitimi, si dhe çdo kompani tregtare me objekt aktiviteti mbetjet e metaleve, të cilët i kalojnë kufijtë e përcaktuar më sipër për operatorët e vegjël. c) “Rajon” ka kuptimin e një zone të administrimit të mbetjeve, që është përcaktuar në përputhje me strategjinë dhe Planin Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve. ç) “Ministria”, ministria përgjegjëse për mjedisin. d) “Vendgrumbullim i mbetjeve të metaleve”, vendi ku grumbullohen vetëm mbetjet e metaleve dhe nuk lejohet asnjë rrymë tjetër mbetjesh. III. ROLI I AUTORITETEVE PUBLIKE 1. Autoritetet publike qendrore dhe organet e vetëqeverisjes vendore, respektojnë të gjitha kërkesat e Planit të Përgjithshëm Vendor dhe për mbrojtjen e mjedisit miratojnë hapësira të përshtatshme për ushtrimin e veprimtarisë për grumbullimin, depozitimin, trajtimin dhe tregtimin e mbetjeve të metaleve, me kërkesë të operatorëve ekonomikë, si dhe monitorojnë zbatimin të këtij vendimi me anë të strukturave përkatëse. 2. Ministria, në bashkëpunim me autoritetet e tjera publike qendrore, si dhe organet e vetëqeverisjes vendore, nxit dhe mbështet operatorët aktualë të marrin masat e nevojshme teknike që veprimtarinë e tyre ekzistuese ta përshtatin me kërkesat e përcaktuara në këtë vendim. IV. KËRKESAT MJEDISORE PËR VENDET E GRUMBULLIMIT, TË DEPOZI-TIMIT DHE TË TRAJTIMIT TË MBETJEVE TË METALEVE 1.1 Për vendet e grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve të metaleve, operatori, i cili do t’u nënshtrohet procedurave të pajisjes me leje, licenca, autorizime apo miratime për ndërtimin e tyre, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të përmbushë kërkesat e mëposhtme të pozicionohen: 1.1 Për sa i takon vendndodhjes së vendeve të grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve të metaleve, duhet: a) Jo më pak se 500 m larg nga të gjitha kategoritë e zonave të mbrojtura dhe zonat e rekreacionit bashkiak; b) Jo më pak se 500 m larg nga zonat me rëndësi për biodiversitetin, të miratuara nga autoritetet përkatëse. 1.2 Operatorët e vendosur në afërsi të rrugëve interurbane duhet të marrin masa për rregullimin e peizazhit pamor, duke bërë rrethime të larta dhe duke mbjellë pemë deri në nivelin e mbulimit të plotë të pamjes nga rruga të mbetjeve të metaleve. 1.3 Për sa i takon minimizimit të zhurmave dhe dridhjeve, për këto veprimtari duhet që: a) Transportimi, vetëshkarkimi, grumbullimi, depozitimi, trajtimi dhe seleksionimi i mbetjeve të metaleve në instalimet e grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit, duhet të bëhet në mënyrë të kontrolluar dhe profesionale, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi për zhurmat; b) Makineritë dhe pajisjet duhet të mirëmbahen dhe të shfrytëzohen në kushte të përshtatshme dhe eficiente; c) Instalimet e grumbullimit, të depozitimit dhe përpunimit të mbetjeve të metaleve, duhet të kenë një procedurë të dokumentuar, ku të përshkruhet si do të shmangen ose minimizohen zhurmat dhe dridhjet. Kjo procedurë duhet të rishikohet në rastet kur ndryshon mënyra e operimit të instalimit, si dhe kur futen në shfrytëzim makineri dhe pajisje të reja. 1.2 Operatori, në varësi të veprimtarisë dhe të kushteve të lejes mjedisore specifike, që ai zotëron, për vendet ku do të zhvillohet veprimtaria e grumbullimit dhe e depozitimit e trajtimit të mbetjeve të metaleve, duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme: a) Të ketë një sipërfaqe të qëndrueshme, të papërshkrueshme nga uji, lëngjet, substancat ndotëse, si dhe e hidroizoluar dhe me infrastrukturën përkatëse të grumbullimit dhe të drenazhimit të ujërave sipërfaqësore, rrjedhjeve të mundshme e ujërave të shiut; b) Të ketë impiant për trajtimin e ujërave të ndotura dhe, sipas rastit, dekantues, me qëllim trajtimin dhe eliminimin e substancave të rrezikshme, në përputhje me objektin e veprimtarisë, nëse impianti për trajtim/ dekantuesi përcaktohet në kushtet e lejes specifike mjedisore të operatorit; c) Të ketë hapësira të përshtatshme për ndarjen dhe depozitimin e diferencuar të materialeve të ardhura në vendin e grumbullimit; ç) Të jetë i pajisur me një sistem të mbrojtjes nga zjarri, të miratuar nga autoritetet përkatëse; d) Sipërfaqja e veprimtarisë të jetë e rrethuar me mur, me qëllim shmangien e hyrjes në vend të personave të paautorizuar, si dhe për të parandaluar rrjedhat e ujërave sipërfaqësore brenda territorit të impiantit. 1.3 Impiantet e trajtimit të mbetjeve të metaleve duhet të kenë një plan masash për emergjencat, lidhur me parandalimin e shkarkimeve të ujërave të ndotura dhe/apo kimikateve në mjedis, të miratuar nga autoritetet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi. 1.4 Mbetjet e metaleve, të cilat gjenerohen gjatë proceseve teknologjike të trajtimit të tyre, menaxhohen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve. 1.5 Operatori që grumbullon, depoziton dhe trajton mbetjet e metaleve duhet të jetë i pajisur me lejen mjedisore, sipas përcaktimit në ligjin nr. 10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, si edhe me licencën me kodin III.2.B, “Veprimtaritë e tjera profesionale lidhur me ndikimin në mjedis”, sipas vendimit nr. 538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet QKL-së dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar. V. KËRKESAT DHE STANDARDET PËR PRANIMIN E MBETJEVE TË METALEVE NË VENDIN E GRUMBULLIMIT, TË DE-POZITIMIT TË MBETJEVE TË METALEVE 1. Mbetjet e metaleve, që vijnë nga çdo zotërues, grumbullues, individ ose çdo person apo palë e tretë me mjete të ndryshme transporti, duhet të: a) Peshohen, b) Kontrollohen; dhe c) Pranohen nga operatori, përpara se ato të ndahen dhe të trajtohen. 2. Në pikat e grumbullimit të mbetjeve të metaleve lejohet të grumbullohen vetëm mbetjet e metaleve, duke përjashtuar çdo rrymë tjetër mbetjesh. 3. Operatori, në procedurat e pranimit të mbetjeve të metaleve në vendin e grumbullimit dhe të depozitimit, duhet të kryejë kontrollin fillestar të sasisë së mbetjeve, me qëllim parandalimin e pranimit të mbetjeve të tjera, të palejuara në vendet e grumbullimit dhe të depozitimit të mbetjeve të metaleve. 4. Në rast se operatori konstaton praninë e mbetjeve të papranueshme në ngarkesën e mbetjeve, duhet të marrë masat e nevojshme për të adresuar dhe për të trajtuar mbetjet e identifikuara jometalike, në përputhje me legjislacionin në fuqi, që rregullojnë menaxhimin e rrymave të tjera të mbetjeve. 5. Pas pranimit të mbetjeve të metaleve, operatori duhet: a) Të sistemojë mbetjet e metaleve në vendin e përcaktuar për seleksionim paraprak, brenda sheshit të impiantit, përpara se të transferohen në vendin e depozitimit respektiv për trajtim të mëtejshëm; b) Të vendosë vendin e seleksionimit në afërsi të vendit të depozitimit të mbetjeve, për të minimizuar lëvizjet e pajisjeve/automjeteve në sheshin e depozitimit në vendet e trajtimit; c) Të vendosë në stoqe, në distanca të përshtatshme midis tyre, mbetjet e metaleve, gjatë grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit, duke siguruar gjithmonë rrugë kalimi të lirë ndërmjet tyre. Stoqet e mbetjeve vendosen në struktura të qëndrueshme, të papërshkrueshme nga uji dhe materialet e lëngshme; ç) Të ketë një vend për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve të metaleve, i cili duhet të përmbushë standardet e mëposhtme: i. të jetë i hidroizoluar. Për hidroizolim duhet të përdoren shtresa argjilore dhe membrana plastike; ii. mbi shtresën e hidroizolimit duhet të ketë një shtresë të betonizuar, për të garantuar ndalimin e kalimit të shkarkimeve të lëngshme në shtresat e nëntokës; iii. fortësia dhe rezistenca e shtresës së betonit duhet të jetë e tillë që të përballojë peshën e skrapit metalik të grumbulluar dhe të mjeteve dhe të pajisjeve që do të operojnë brenda këtij territori; iv. të mos bëhet shtrimi me pllaka, tulla, gurë etj., pasi nuk garantojnë ndalimin e depërtimit të shkarkimeve të lëngshme në shtresat e nëntokës; v) hidroizolimi dhe betonizimi i sheshit të grumbullimit të mbetjeve të metaleve të realizohet mbi bazën e një projekti inxhinerik, të përgatitur nga subjekte të licencuar për punime hidroizolimi. d) Të ketë një sistem kolektorësh të grumbullimit të shkarkimeve të lëngshme, i cili duhet të garantojë që: i. asnjë shkarkim i lëngshëm nuk duhet të devijojë jashtë kolektorit të grumbullimit; ii. shkarkimet e lëngshme nga kolektori duhet të grumbullohen në një depozitë, ku do t’i nënshtrohen një procesi trajtimi dhe dekonta-minimi para shkarkimit në mjedis; iii. depozitat të jenë nëntokësore ose mbi tokë, si dhe të garantojnë shmangien e shkarkimit të lëngjeve në mjedis; iv. kapaciteti i depozitës përllogaritet mbi bazën e volumit të shkarkimeve të lëngshme, që gjenerohen nga pikat e grumbullimit të skrapit metalik dhe mbi bazën e një studimi për çdo rast dhe impiant; v. shkarkimi në mjedis i mbetjeve të lëngshme të bëhet vetëm pas trajtimit dhe dekontaminimit të tyre mbi bazën e një metodologjie të miratuar dhe të certifikuar nga autoritetet përkatëse; vi. shkarkimi i depozitave bëhet vetëm në prani dhe nën mbikëqyrjen e inspektoratit përgjegjës për mjedisin; vii. normat e lejuara të shkarkimeve të jenë në përputhje me vendimin nr. 177, datë 31.3.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta dhe kriteret e zonimit të mjediseve ujore pritëse”. dh) Të zbatojë kërkesat e legjislacionit në fuqi për kimikatet, në rastet e evidentimit të tyre në vendet e grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve të metaleve. e) Të zbatojë kërkesat e legjislacionit në fuqi për mbetjet nga pajisjet elektrike dhe elektronike dhe të trajtohen si të tilla, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi, në rastet e evidentimit të tyre në vendet e grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve të metaleve. ë) Substancat ozonholluese në pajisjet frigoriferike dhe kondicionerët, të cilët evidentohen në vendet e grumbullimit, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve të metaleve duhet të rikuperohen dhe të depozitohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për substancat ozonholluese dhe detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për substancat që hollojnë shtresën e ozonit. f) Transporti dhe depozitimi i tyre në një impiant/venddepozitim të licencuar, për të grumbulluar mbetjet nga pajisjet elektrike e elektronike dhe trajtuar këto mbetje, duhet të kryhet nga një transportues i licencuar. Dorëzimi duhet të bëhet me dokument midis palëve, në përputhje me kërkesat e vendimit nr. 229, datë 23.4.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për transferimin e mbetjeve jo të rrezikshme dhe informacionit që duhet të përfshihet në dokumentin e transferimit”. 6. Në rast se operatori nuk merr masat e nevojshme, në përputhje me pikën 4, të këtij kreu, do të zbatohen sanksionet e përcaktuara në ligjin nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar. VI. REGJISTRAT DHE INFORMIMI Operatori, gjatë blerjes, marrjes apo pranimit të mbetjeve të metaleve në vendet e grumbullimit dhe të depozitimit të tyre, të zbatojë kërkesat e vendimit nr. 229, datë 23.4.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për transferimin e mbetjeve jo të rrezikshme dhe informacionit që duhet të përfshihet në dokumentin e transferimit”. VII. INSPEKTIMI 1. Inspektorati shtetëror përgjegjës për mjedisin inspekton të gjithë operatorët ekonomikë, që zotërojnë instalime të grumbullimit, transportit dhe përpunimit të mbetjeve të metaleve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e integruar të mbetjeve, lejet e mjedisit dhe për inspektimin në Republikën e Shqipërisë. 2. Operatorët ekonomikë, të cilët janë subjekt i këtij vendimi, u vënë në dispozicion inspektoratit shtetëror përgjegjës për mjedisin, pas kërkesës së tyre me shkrim, të gjithë dokumentacionin dhe të dhënat e nevojshme për kryerjen e inspektimeve në vendgrumbullimet, venddepozitimet dhe vendet e trajtimit të tyre. VIII. DISPOZITA KALIMTARE 1. Të gjithë operatorët ekonomikë, që zotërojnë një instalim ekzistues për grumbullimin, depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve të metaleve, brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të marrin të gjitha masat teknike, ligjore, rregullatore për të qenë në përputhje me kërkesat e këtij vendimi. 2. Të gjithë operatorët ekonomikë, që zotërojnë një instalim ekzistues për grumbullimin, depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve të metaleve, në rast se nuk plotësojnë kërkesat e këtij vendimi, brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të aplikojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), për rishikimin e kushteve të lejes së mjedisit, në përputhje me këtë vendim. 3. Pas kalimit të afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij kreu dhe, në çdo rast, kur nga strukturat e kontrollit, të monitorimit dhe inspektimit konstatohet mospërmbushja e këtyre kërkesave të këtij vendimi, sipas shkallës së shkeljes, ndërmerren masat ligjore dhe administrative për ndërprerjen, pezullimin, mbylljen apo sekuestrimin e instalimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi. 4. Ngarkohen ministria e përgjegjëse për mjedisin, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe inspektorati shtetëror përgjegjës për mjedisin për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Edi Rama