Skip to content
Nelum
Laws of Albania

Regulation No. 547 establishing the procedures and the rent for water areas rented for intensive aquaculture activities

Made 2009-05-13 · Text as of 2026-10-01

Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.

About this law

Language
Albanian
Kind
Regulation
Organisation
European Union
Country
Albania
Subjects
Fisheries and aquaculture
Keywords
aquaculture, mariculture, concession, legal proceedings/administrative proceedings

Where to read it

    No source link is recorded for this law.

Text

The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.

  1. VENDIM Nr.547, datë 13.5.2009 PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË VLERAVE TË QIRASË PËR SIPËRFAQET UJORE, PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SË AKUAKULTURËS INTENSIVE Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5 të nenit 27 të ligjit nr.7908, datë 5.4.1995 “Për peshkimin dhe akuakulturën”, të ndryshuar, dhe të nenit 801 të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Sipërfaqet ujore u jepen me qira personave, juridikë e fizikë, vendas apo të huaj, për ushtrimin e veprimtarive të akuakulturës intensive, nëpërmjet procedurës së konkurrimit. 2. Sipërfaqet ujore, që jepen me qira, janë në zonat detare, në ujërat e brendshme (pa përfshirë ujëmbledhësit e bujqësisë, që shërbejnë për ujitje) dhe në liqenet natyrore. 3. Njoftimi për botim për dhënien me qira të zonës shpallet 2 herë në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe përmban të dhënat për sipërfaqen, pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, dokumentacionin, që duhet të paraqesin konkurrentët, si dhe vendin, datën e orën e paraqitjes së dokumentacionit. Data e konkurrimit të jetë jo më parë se 7 ditë kalendarike nga data e botimit të fundit. 4. Dokumentacioni, që duhet të paraqesin pjesëmarrësit në konkurrim, është: Kërkesa për marrjen me qira të sipërfaqes ujore; Regjistrimi në QKR; Projekti teknik; Planbiznesi i hollësishëm për zhvillimin e veprimtarisë; Autodeklarimi se projekti përputhet me kërkesat mjedisore të zonës në fjalë; Oferta për tarifën vjetore të detyrimit. 5. Kushtet e pjesëmarrjes në konkurrim janë: Garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në planbiznes; Prania e specialistit të fushës, nëpërmjet CV-së profesionale, ku të tregohet përvoja në fushën e peshkimit dhe të akuakulturës; Autodeklarimi se subjekti nuk ka procese gjyqësore në ngarkim, nuk ka detyrime tatimore ose detyrime të tjera. 6. Kriteret e konkurrimit për dhënien me qira të sipërfaqeve ujore janë: Niveli i investimit dhe i projektit; Niveli i punësimit; Tarifa e qirasë vjetore. 7. Me urdhër të ministrit ngrihet dhe vepron komisioni i vlerësimit të kërkesave të paraqitura. Urdhri i ministrit përmban: a) Të dhënat e zonës: emërtimi, sipërfaqja, qëllimi i përdorimit, çmimi dysheme, afati; b) Veprimtarinë, që mund të ushtrohet në zonë; c) Pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, të përcaktuara sipas pikës 6 të këtij vendimi; ç) Vendin, datën dhe orën, ku paraqiten dokumentet; d) Përbërjen e komisionit të shqyrtimit të ofertave të konkurrentëve, i cili, në çdo rast, përbëhet nga jo më pak se pesë anëtarë, specialistë të ministrisë; dh) Dokumentacionin, që duhet të paraqesin konkurrentët. 8. Komisioni i vlerësimit ka këto detyra: a) Hap, në prani të konkurrentëve, dokumentacionin e paraqitur prej tyre, duke bërë të njohur të dhënat kryesore për çdo ofertë të paraqitur. Kur dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë, konkurrenti skualifikohet në prani të tij; b) Harton procesverbalin e zhvillimit të konkurrimit, ku përshkruhen pjesëmarrësit, konkurrentët e skualifikuar dhe shkaku, konkurrentët e kualifikuar dhe lista e dokumenteve të paraqitura prej tyre; c) Bën shqyrtimin brenda 10 ditëve të ofertave të paraqitura dhe vlerëson me pikë çdo element konkurrimi, sipas përcaktimit në urdhrin e ministrit. Subjektit, që paraqet vlerën më të lartë të propozuar, i jepen pikët maksimale për çdo element konkurrimi, ndërsa subjekteve të tjera pikët u llogariten në përpjesëtim të drejtë me vlerën më të lartë, të propozuar; ç) Rendit, pas përfundimit të konkursit, konkurruesit, në bazë të pikëve të fituara; d) Paraqet, brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “c” të kësaj pike, te ministri një informacion për zhvillimin e konkursit, së bashku me procesverbalin dhe listën e konkurruesve, të renditur sipas pikëve të fituara. 9. Komisioni shpall subjektin fitues. Njoftimi për shpalljen fitues vendoset në këndin e njoftimeve të ministrisë. 10. Subjektet konkurruese, brenda 5 ditëve nga shpallja e subjektit fitues, kanë të drejtën e ankimimit te ministri, i cili, brenda 10 ditëve, i përgjigjet ankuesit me shkrim. 11. Pas përfundimit të procedurave të mësipërme dhe pajisjes me leje mjedisore, ministria ose përfaqësuesi i pronës shtetërore lidh kontratën e qirasë dhe miraton kohëzgjatjen e projektit, i cili nuk mund të jetë më shumë se për 10 vjet. 12. Afati i kontratës për dhënien me qira të sipërfaqes ujore është i njëjtë me kohëzgjatjen e zbatimit të projektit. 13. Për kategoritë ujore të përcaktuara në pikën 2 të këtij vendimi, çmimi i qirasë vjetore është 1 (një) euro për ha. Ky çmim do të zbatohet dhe për kontratat ekzistuese të qirasë, për periudhën që ka mbetur deri në mbarim të kontratës. 14. Pagesa e qirasë është vjetore dhe llogaritet nga data e lidhjes së kontratës. Ajo shlyhet në çastin e lidhjes së kontratës dhe në të njëjtën datë, në vitet pasardhëse. 15. Të ardhurat e siguruara nga dhënia me qira e sipërfaqeve ujore administrohen, në përputhje me shkronjën “b” të pikës 1 të vendimit nr.432, datë 28.6.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijojnë institucionet buxhetore”. 16. Vendimi nr.135, datë 8.3.2006 i Këshillit të Ministrave “Për procedurat dhe çmimet e dhënies me qira të sipërfaqeve ujore për ushtrimin e veprimtarisë së akuakulturës intensive”, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet. 17. Ngarkohet Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Sali Berisha

Regulation No. 547 establishing the procedures and the rent for water areas rented for intensive aquaculture activities · Nelum