Regulation no. 428 date 8.6.2016 establishing the state database for the digital map of the urban waste sites
Made 2016-06-08 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Original title
- Vendim Nr. 428, datë 8.6.2016 për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për hartën dixhitale të venddepozitimeve të mbetjeve urbane.
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Waste and hazardous substances
- Keywords
- data collection/reporting, solid waste, waste disposal, waste management
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
VENDIM Nr. 428, datë 8.6.2016 PËR KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR HARTËN DIXHITALE TË VENDDEPOZITIMEVE TË MBETJEVE URBANE Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr. 10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Miratimin e bazës së të dhënave shtetërore për hartën dixhitale të venddepozitimeve të mbetjeve urbane (shkurtimisht “HDVMU”). 2. Termat e përdorur në këtë vendim kanë kuptimin e përcaktuar në ligjin nr. 10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, ligjin nr. 72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe ligjin nr. 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar. 3. Sistemi i bazës së të dhënave të hartës dixhitale të venddepozitimeve të mbetjeve urbane realizohet në përputhje me standardet e parashikuara në ligjin nr. 72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, dhe përmban të dhëna, për: a) llojin e venddepozitimit; b) popullsinë së cilës i shërben ky venddepozitim; c) sasinë e mbetjeve të depozituara në vit; ç) distancat nga: i) vendbanimet; ii) rrugët nacionale; iii) brigjet ujore; iv) burimet ujore; v) aeroportet; vi) shtëpitë; vii) hekurudhat; viii) varrezat; ix) qendrat e qytetit. d) fotografitë e venddepozitimit dhe të zonës përreth; dh) dokumente të planifikimit; e) të dhëna hapësinore/hartografike në lidhje me rajonin e mbetjeve dhe bashkitë ku ndodhet venddepozitimi. 4. Institucioni administrues i sistemit të hartës dixhitale të venddepozitimeve të mbetjeve urbane është Ministria e Zhvillimit Urban nëpërmjet strukturës përkatëse që mbulon çështjet e HDVMU-së. 5. Të dhënat parësore dhe dytësore të hartës janë, si më poshtë vijon: 5.1 Të dhënat parësore përfshijnë: a) shtrirjen fizike të venddepozitimit në territor; b) sipërfaqen e venddepozitimit; c) distancat nga zona me interes të veçantë; ç) foto të venddepozitimit, si dhe të zonës përreth; d) pikat në hartë. 5.2 Të dhënat dytësore përfshijnë: a) hartat dhe ortofotot për të gjithë territorin e Shqipërisë; b) rrugët nacionale; c) linjat hekurudhore; ç) kufijtë administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore (NJVQV); d) dokumentet e planifikimit të vëna në dispozicion nga organet e njësive të vetëqeverisjes vendore përkatëse; dh) sasitë e mbetjeve të depozituara në venddepozitim; e) numrin e popullsisë të cilës i shërben venddepozitimi ekzistues. 6. Dhënësit e informacionit për hartën janë përdoruesit e thjeshtë, sipas rolit që kryejnë në hartë, si: a) Drejtoria e Shërbimeve Urbane dhe Strehimit, në Ministrinë e Zhvillimit Urban, dhe Gjeoportali Kombëtar ASIG, në nivel kombëtar; b) organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, në nivel vendor. 6.1 Informacioni i dhënë nga Drejtoria e Shërbimeve Urbane dhe Strehimit përfshin: a) caktimin e pikave të venddepozitimeve në hartë; b) përcaktimin e sipërfaqeve të venddepozitimeve në hartë; c) reflektimin e zhvillimeve të reja bazuar në planet kombëtare. 6.2 Informacioni i dhënë nga organet e njësive të vetëqeverisjes vendore nëpërmjet shkresave zyrtare dhe vizitave në terren përfshin: a) numrin e popullsisë; b) dokumente planifikimi; c) të dhëna statistikore dhe historike mbi mbetjet. 6.3 Informacioni i dhënë nga Gjeoportali Kombëtar ASIG, përfshin: a) informacion mbi kufijtë territorialë; b) harta dhe ortofoto. 7. Baza e të dhënave e hartës dixhitale shkëmben informacion, nëpërmjet shërbimeve on-line të kërkimit, shikimit, shkarkimit dhe transformimit me sistemin e Gjeoportalit Kombëtar të ASIG ut, sipas përcaktimeve të nenit 23, të ligjit nr. 72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”. 8. Subjektet e interesuara kanë mundësi të marrin informacionin e afishuar në hartë dhe të bëjnë komente mbi të, por jo të kryejnë përditësime. 9. Baza e të dhënave e hartës dixhitale ka dy nivele përdoruesish: a) administrator; b) përdorues. 10. Subjektet e interesuara për hartën dixhitale, janë: a) qytetarët, për qëllime informimi; b) zhvilluesit dhe investitorë, për qëllime informimi e investimi; c) organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, për qëllime informimi e planifikimi; ç) institucionet qendrore, për qëllime informimi e planifikimi. 11. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. ZËVENDËSKRYEMINISTRI Niko Peleshi