Skip to content
Nelum
Laws of Albania

Regulation No. 388 establishing the State Committee for Organic Production

Made 2005-05-31 · Text as of 2026-10-01

Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.

About this law

Language
Albanian
Kind
Regulation
Organisation
European Union
Country
Albania
Subjects
Agricultural and rural development, Livestock, Cultivated plants
Keywords
institution, ecological production/organic production, governance
Categories
agriculture

Where to read it

    No source link is recorded for this law.

Text

The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.

  1. VENDIM Nr. 388, datë 31.5.2005 PËR PËRBËRJEN, FUNKSIONIMIN, TË DREJTAT DHE DETYRAT E KOMISIONIT SHTETËROR TË PRODHIMIT ORGANIK Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 3 të ligjit nr.9199, datë 26.2.2004 “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio””, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Komisioni Shtetëror i Prodhimit Organik (KSHPO), i cili krijohet si organ ndërinstitucional, të ketë në përbërje 9 veta, si më poshtë vijon: Zëvendësministri i Bujqësisë dhe i Ushqimit kryetar; Drejtori i Drejtorisë së Prodhimit Blegtoral, në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit anëtar; Drejtori i Drejtorisë së Prodhimit Bimor dhe Mbrojtjes së Bimëve, në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit anëtar; Përgjegjësi i sektorit të Drejtorisë së Cilësisë dhe Inspektimit të Ushqimeve, në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit anëtar; Juristi i Drejtorisë Juridike dhe Përshtatjes së Legjislacionit, në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit anëtar; Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Parësor, në Ministrinë e Shëndetësisë anëtar; Një përfaqësues nga Shoqata e Bujqësisë Organike anëtar; Një përfaqësues nga Ministria e Mjedisit anëtar; Një përfaqësues nga Universiteti Bujqësor i Tiranës anëtar. 2. KSHPO-ja thirret në mbledhje një herë në muaj, me njoftim të kryetarit. Për raste të veçanta, kur vlerësohet nga kryetari, KSHPO-ja mund të mblidhet në çdo kohë. 3. Vendimet në KSHPO merren kur janë të pranishëm mbi 50 për qind e anëtarëve. Kur nga votimi rezultojnë vota të barabarta, vota e kryetarit është përcaktuese. 4. KSHPO-ja, në mbledhjen e parë, zgjedh sekretarin, i cili ndjek dhe drejton punën e sekretariatit të këtij komisioni. 5. Sekretariati përbëhet nga tre anëtarë, përkatësisht, një specialist nga Drejtoria e Prodhimit Bimor dhe e Mbrojtjes së Bimëve, një nga Drejtoria e Prodhimit Blegtoral dhe një nga Drejtoria e Cilësisë dhe Inspektimit të Ushqimeve. Sekretariati përgatit dokumentet dhe materialet për mbledhjen e KSHPO-së, administron dokumentet dhe aktet, që miratohen në KSHPO, si dhe nxjerr buletinin e këtij Komisioni. Mënyra e funksionimit të sekretariatit përcaktohet me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit. 6. Anëtarët e KSHPO-së, për pjesëmarrjen në mbledhjet e këtij Komisioni, të shpërblehen me 6000 (gjashtë mijë) lekë në muaj, ndërsa kryetari dhe sekretari me nga 8000 (tetë mijë) lekë. Shpenzimet për shpërblimet e anëtarëve të mbulohen nga buxhetet vjetore të institucioneve përkatëse. 7. Administrimi i të ardhurave, që krijohen nga veprimtaria e KSHPO-së, bëhet sipas vendimit nr.424, datë 9.7.1998 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijojnë institucionet buxhetore”. 8. Detyrat dhe të drejtat e KSHPO-së janë: a) Pranon dhe analizon praktikat e organizmave certifikues dhe të trupave inspektues, vendas ose të huaj, me të cilët lidh kontratë bashkëpunimi. b) Regjistron organizmat certifikues dhe trupat inspektues, vendas ose të huaj, që ushtrojnë veprimtari brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. c) Regjistron kërkesat e fermerëve, që pranojnë të punojnë si njësi të prodhimit organik, dhe ia përcjell për zbatim organizmit certifikues, të përzgjedhur nga vetë fermerët aplikues. ç) Miraton planet vjetore të veprimtarisë së organizmave certifikues, vendas ose të huaj. d) Regjistron/çregjistron nga regjistri kombëtar i njësisë së prodhimit organik, pas miratimit nga organizmi certifikues, njësitë e prodhimit, të përpunimit dhe të tregtimit të produkteve “Bio”. Çdo njësi e prodhimit organik ka një numër të veçantë identifikimi. Të dhënat e këtij regjistrimi janë konfidenciale dhe mund të përdoren vetëm nga KSHPO-ja dhe organizmi certifikues. dh) Bën publike listën e përditësuar të emrave dhe adresave të njësive të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve “Bio”, subjekte të inspektimit. e) Regjistron subjektet vendase ose të huaja, që eksportojnë a importojnë produkte “Bio”. ë) Vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga subjektet, që eksportojnë apo importojnë produkte “Bio”, për metodën e përdorur në prodhimin e produkteve të tyre dhe i pajis këto subjekte me certifikatë eksport-importi. Certifikata e lëshuar është e vlefshme vetëm për rastin e shqyrtuar. f) Propozon tarifat e pagesave për regjistrimin e organizmave certifikues dhe të trupave inspektues, vendas ose të huaj, si dhe të njësive të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve “Bio”. Këto tarifa miratohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit. g) Kontrollon, sipas kontratës së bashkëpunimit, veprimtarinë e organizmave certifikues, të miratuar, dhe të trupave inspektues, vendas ose të huaj nëse është në përputhje me ligjin nr.9199, datë 26.2.2004 “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio”, si dhe me aktet nënligjore, të dala në zbatim të tij. Nëse vëren se veprimtaria e tyre nuk është në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore, vendos ndërprerjen e kontratës së bashkëpunimit. gj) Publikon logon e organizmit certifikues. h) I paraqet për miratim Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit vendimet e marra për pranimin e veprimtarisë ose ndërprerjen e kontratës së bashkëpunimit për organizmat certifikues dhe trupat inspektues, vendas ose të huaj. Vendimi i miratuar botohet në buletinin e KSHPO-së. i) Njofton me shkrim subjektet e interesuara për shkaqet e mospranimit të dokumentacionit të paraqitur nga ana e tyre në KSHPO. j) Propozon modelet e formularëve, që duhen plotësuar nga njësitë e prodhimit organik, organizmat certifikues dhe subjektet importuese-eksportuese, si dhe të certifikatës së eksport importit të produkteve “Bio”, të cilat miratohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit. k) Organizon kualifikimin e inspektorëve të prodhimit organik, sipas një programi të miratuar, për një periudhë jo më pak se pesë ditë në vit. Shpenzimet për kualifikimin e inspektorëve mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe i Ushqimit, i caktuar për shërbimin këshillimor, si dhe nga projekte, organizma certifikues dhe donatorë. l) Pajis inspektorët me kartën e inspektorit të prodhimit organik dhe vë në dijeni organizmat certifikues. ll) Organizon kontrollin e njësive të prodhimit, të grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve “Bio” me inspektorët e miratuar të prodhimit organik. 9. Ngarkohet Ministri i Bujqësisë dhe i Ushqimit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Fatos Nano

Regulation No. 388 establishing the State Committee for Organic Production · Nelum