Regulation No. 372 date 18.5.2016 approving the rules of communication, bilateral consultation, and decision-making of the type-A environmental permission for the functioning of installations placed in the territory of the Republic of Albania that has real potential for considerable negative impact in the environment of a different state, or after it is required by such a state
Made 2016-05-18 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Environment
- Keywords
- pollution control, environmental standards, international agreement-implementation, international cooperation, standards, protection of environment
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
VENDIM Nr. 372, datë 18.5.2016 PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË KOMUNIKIMIT, KONSULTIMIT DYPALËSH DHE VENDIMMARRJES PËR LEJEN E MJEDISIT TË TIPIT A, PËR FUNKSIONIMIN E INSTALIMIT TË VENDOSUR NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QË KA MUNDËSI REALE TË KRIJOJË EFEKTE NEGATIVE TË KONSIDERUESHME NË MJEDISIN E NJË SHTETI TJETËR, OSE MENJËHERË PASI I KËRKOHET NGA KY SHTET1 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr. 10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Miratimin e rregullave të komunikimit, konsultimit dypalësh dhe vendimmarrjes lidhur me lejen e mjedisit të tipit A, për funksionimin e instalimit të vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që ka mundësi reale të krijojë efekte negative të konsiderueshme në mjedisin e një shteti tjetër, ose menjëherë pasi i kërkohet nga ky shtet, sipas tekstit bashkëngjitur këtij projektvendimi. 2. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim që u jepet, përkatësisht, në: a) ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar; b) ligjin nr. 10448, datë 7.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar; c) ligjin nr. 10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar. 3. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet juridike nga data 1 shtator 2016. KRYEMINISTRI Edi Rama 1 Ky vendim transpozon pjesërisht direktivën 2010/75/BE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 24 nëntor 2010, për emetimet industriale (parandalimi dhe kontrolli i integruar i ndotjes), të ndryshuar, EUR-Lex - 32010L0075 – EN, Fletorja Zyrtare OJ L 334 RREGULLAT E KOMUNIKIMIT, KONSULTIMIT DYPALËSH DHE VENDIMMARRJES PËR LEJEN E MJEDISIT TË TIPIT A, PËR FUNKSIONIMIN E INSTALIMIT TË VENDOSUR NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QË KA MUNDËSI REALE TË KRIJOJË EFEKTE NEGATIVE TË KONSIDERUESHME NË MJEDISIN E NJË SHTETI TJETËR 1. Kërkuesi, përpara aplikimit në QKL, dërgon në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM), në njësinë e vetëqeverisjes vendore (NJVV) dhe në Agjencinë Rajonale të Mjedisit (ARM) ku do të ketë vendndodhjen instalimi një njoftim me shkrim dhe në formë elektronike (CD, DVD) për aplikimin që do të kryejë për t’u pajisur me leje mjedisi të tipit A, në të paktën 20 kopje elektronike për secilin institucion. 2. Njoftimi duhet të përmbajë këto të dhëna: a) Informacion nëse kërkesa do të jetë për “Aplikim për leje mjedisi të tipit A” apo “Aplikim për ndryshim thelbësor në kushtet e lejes së mjedisit të tipit A”; b) Aktin e regjistrimit të personit fizik/juridik, sipas legjislacionit në fuqi; c) Adresën e vendndodhjes së instalimit; ç) Përshkrimin e veprimtarisë që parashikohet të zhvillohet në instalim; d) Një përshkrim të elementeve të listuara në formularin informues, sipas formatit të miratuar me legjislacionin në fuqi për lejet e mjedisit; dh) Përmbledhjen joteknike të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis në nivel kombëtar ose ndërkufitar; e) Relacion të konsultimeve gjatë procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis në kontekst ndërkufitar; ë) Autoritetin vendimmarrës për dhënien e aktit të miratimit të lejes së mjedisit, procedurat dhe afatet që do të ndiqen; f) Adresën e AKM-së, ku publiku mund të dërgojë komentet dhe sugjerimet e tij, me shkrim apo në formë elektronike; g) Mandatpagesën për tarifën përkatëse për lejen e mjedisit të tipit A, sipas legjislacionit në fuqi. 3. Kopjet e të dhënave të pikës 3, më lart, që dorëzohen pranë AKM-së, hartohen në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, me shpenzimet e kërkuesit. 4. AKM-ja, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së njoftimit, sipas pikave 3 dhe 4 të këtij vendimi, e publikon atë, në: a) faqen e saj të internetit, për të paktën 30 ditë; b) Buletinin e Njoftimeve Zyrtare. 5. AKM-ja i përcjell ministrisë njoftimin në gjuhën angleze, brenda 5 ditëve nga marrja e tij, për vijimin e konsultimit ndërkufitar. 6. Ministria dërgon pranë autoritetit kompetent për mjedisin të vendit/eve ndër kufitar/e që ka/në mundësi të ndikohet/n nga operimi i instalimit të tipit A, dhe për dijeni Ministrisë së Punëve të Jashtme, brenda 5 ditëve: a) njoftimin, sipas pikës 6 të këtij vendimi; b) ftesën për pjesëmarrje në dëgjesën publike, me të dhënat për datën, orën dhe vendin. 7. Në rast se autoriteti kompetent për mjedisin i vendit/eve ndërkufitar/e që ka/në mundësi të ndikohet/n nga operimi i instalimit të tipit A, shpreh/in interesin për të marrë pjesë në dëgjesën publike, shpenzimet për pjesëmarrjen e palës së prekur përballohen nga kërkuesi. 8. Pas publikimit të njoftimit në faqen e internetit të AKM-së dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, kërkuesi publikon në, të paktën, një gazetë të zonës ku do të ushtrohet veprimtaria dhe një gazetë kombëtare, njoftimin për aplikimin, duke iu referuar për informacion më të hollësishëm faqes së internetit të AKM-së. Njoftimi publikohet në, të paktën, dy numra të njëpasnjëshëm të secilës gazetë. 9. Njoftimi në gazetë dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare duhet të përmbajë, të paktën: a) llojin e instalimit/veprimtarisë; b) emrin e personit fizik/juridik; c) adresën e vendndodhjes së instalimit; ç) adresën e internetit ku është publikuar njoftimi dhe adresën e AKM-së, ku publiku mund të dërgojë komentet dhe sugjerimet e tij, me shkrim apo në formë elektronike, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit. 10. NJVV-ja (bashkia apo njësia administrative), në territorin e së cilës do të jetë vendndodhja e instalimit, pasi merr njoftimin, sipas pikës 2 të këtij vendimi, e publikon atë në një vend të dukshëm në mjediset e saj për, të paktën 20 ditë. 11. Publiku ka të drejtë të konsultojë, në mjediset e NJVV-së/AKM-së/ARM-së, dhe të kërkojë një kopje të njoftimit, sipas pikës 2 të këtij vendimi, nga NJVV-ja/AKM-ja/ARM-ja, pa pagesë. 12. Publiku mund të bëjë komente, me shkrim ose në mënyrë elektronike, për njoftimin për leje mjedisi të tipit A, në adresën e AKM-së, brenda afatit 30-ditor të publikimit. 13. Në përfundim të afatit 30-ditor, kërkuesi, në bashkëpunim me AKM-në dhe NJVV-në, në datën e përcaktuar në pikën 7 të këtij vendimi, organizon dëgjesën me publikun, palët e interesuara, përfshirë OJF-të dhe autoritetin kompetent për mjedisin të vendit/eve ndërkufitar/e që ka/në mundësi të ndikohet/n nga operimi i instalimit të tipit A. 14. Njoftimi për dëgjesën me publikun shpallet për, të paktën, 15 ditë në: a) radio ose TV dhe gazetën e zonës ku do të ushtrohet veprimtaria; b) faqet e internetit të AKM-së dhe NJVV-së; c) Buletinin e Njoftimeve Zyrtare; ç) në tabelën e njoftimeve, në një vend të dukshëm, në mjediset e NJVV-së dhe ARM-së së qarkut përkatës. 15. Njoftimi duhet të shoqërohet me: a) llojin e instalimit/veprimtarisë; b) emrin e personit fizik/juridik; c) adresën e vendndodhjes së instalimit; ç) vendin ku gjendet kopja e njoftimit në NJVV dhe adresën elektronike të AKM-së ku është publikuar njoftimi; d) përcaktimin e vendit, të datës dhe orës së organizimit të dëgjesës me publikun. 16. Procesverbali i dëgjesës mbahet nga kërkuesi dhe nënshkruhet nga pjesëmarrësit në dëgjesë. Kopje të procesverbalit u vihen në dispozicion publikut, palëve pjesëmarrëse në dëgjesë, NJVV-së dhe AKM-së. Në rast se autoriteti kompetent për mjedisin i vendit/eve ndërkufitar/e merr pjesë në dëgjesën publike, procesverbali mbahet edhe në gjuhën angleze. 17. Kërkuesi, kur aplikon për leje mjedisi të tipi A, harton një relacion rreth dëgjesës me publikun dhe palët e interesuara dhe e dorëzon në QKL. 18. Shpenzimet e organizimit të dëgjesës mbulohen nga kërkuesi. 19. AKM-ja, gjatë hartimit të aktit të miratimit të lejes së mjedisit të tipit A, merr parasysh çdo koment, informacion, analizë apo mendim të paraqitur nga publiku, autoriteti kompetent për mjedisin i vendit/eve ndërkufitar/e që ka/në mundësi të ndikohet/n nga operimi i instalimit të tipit A e që vlerësohet i vlefshëm, dhe argumenton arsyet kur ato nuk janë marrë parasysh. 20. Në rast se autoriteti kompetent për mjedisin i vendit/eve ndërkufitar/e që ka mundësi të ndikohet/n nga operimi i instalimit të tipit A, ka/në marrë pjesë në dëgjesën publike dhe ka/në pasur komente apo sugjerime lidhur me hartimin e aktit të miratimit të lejes së mjedisit të tipit A, AKM-ja e përkthen aktin e miratimit të lejes së mjedisit të tipit A në gjuhën angleze dhe ia dërgon ministrisë. 21. Ministria dërgon pranë autoritetit kompetent për mjedisin të vendit/eve ndërkufitar/e që ka/në mundësi të ndikohet/n nga operimi i instalimit të tipit A aktin e miratimit të lejes së mjedisit të tipit A në gjuhën angleze, duke vënë në dijeni edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. 22. AKM-ja, brenda 45 ditëve, në rastin kur ministria apo AKM-ja marrin njoftim nga një vend ndërkufitar që ndikohet nga operimi i një instalimi të tipit A ekzistues, i kërkon operatorit të zbatojë kërkesat e këtij vendimi, brenda një afati kohor prej 6 muajsh nga marrja e njoftimit nga AKM-ja. 23. Nëse gjatë konsultimeve që ndërmerren për pajisjen me lejen e tipit A konstatohet se operimi i instalimit do të ketë ndikime negative të konsiderueshme në ujërat ndërkufitare, ministria përgjegjëse për mjedisin njofton Komisionin e Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndër kufitare për vazhdimin e procedurave të mëtejshme të komunikimit dhe vendimmarrjes ndërmjet palëve.