Regulation No. 336 date 6.6.2018 approving detailed rules on the production, transfer, exceptions, and inspection of plant products and sea algae
Made 2018-06-06 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Original title
- VENDIM Nr. 336, datë 6.6.2018 PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PRODHIMIN, KALIMIN, RREGULLAT PËRJASHTUESE TË PRODHIMIT DHE KONTROLLIN E PRODHIMIT BIOLOGJIK BIMOR DHE TË ALGAVE TË DETIT
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Cultivated plants
- Keywords
- ecological production/organic production, packaging/labelling, plant production, post-harvest treatment, inspection
- Categories
- agriculture
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
VENDIM Nr. 336, datë 6.6.2018 PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PRODHIMIN, KALIMIN, RREGULLAT PËRJASHTUESE TË PRODHIMIT DHE KONTROLLIN E PRODHIMIT BIOLOGJIK BIMOR DHE TË ALGAVE TË DETIT1 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, pika 3, 18, 24 e 33, të ligjit nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Miratimin e rregullave të hollësishme për prodhimin, kalimin, rregullat përjashtuese të prodhimit dhe kontrollin e prodhimit biologjik bimor dhe të algave të detit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. 2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, trupat e kontrollit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror 1 Ky vendim është përafruar pjesërisht me Rregulloren e Këshillit (KE) nr. 889/2008, datë 5.9.2008, që përcakton rregullat e hollësishme për zbatimin e rregullores së Këshillit 834/2007, “Për prodhimin biologjik dhe etiketimin e produkteve biologjike në lidhje me prodhimin biologjik, etiketimin dhe kontrollin”, të ndryshuar. Numri CELEX: 02008R0889-20160507, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 250, datë 18.9.2008, faqe 1– 17. i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. ZËVENDËSKRYEMINISTRI Senida Mesi KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi dhe fusha e zbatimit 1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë rregullat e hollësishme: a) për prodhimin biologjik bimor dhe algat e detit; b) për kalimin e prodhimit bimor dhe algave të detit në prodhim biologjik; c) përjashtuese për prodhimin bimor; ç) për kontrollin e prodhimit biologjik bimor dhe algave të detit. 2. Për prodhimin e algave të detit përcaktohen rregullat për mbledhjen dhe kultivimin e tyre. Algat e detit përfshijnë të gjitha algat shumëqelizore detare, fitoplanktonet dhe mikroalgat. Neni 2 Përkufizime Të gjithë termat e përcaktuar në ligjin nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim: 1. “Energjia nga burimet e rinovueshme”, sipas ligjit nr. 7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”. 2. “Fermë”, sipas ligjit nr. 9817/2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”. 3. “Jobiologjike”, që nuk vjen nga prodhimi i prodhuar në përputhje me ligjin nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, ose nuk ka lidhje me të. 4. “Njësi prodhimi”, të gjitha asetet që përdoren në një sektor prodhimi, të tilla si: objektet prodhuese, toka bujqësore, kullotat, sipërfaqe të hapura, objektet ku mbahen kafshët, vaska peshkimi, sistemet e kontrollit/ hermetizimit të algave të detit, objektet për magazinimin e prodhimeve bujqësore, produkteve bimore, produkteve shtazore, produkteve të algave të detit, lëndët e para dhe çdo input-i tjetër që lidhen me një sektor të veçantë të prodhimit. 5. “Prodhimi hidroponik”, metoda e rritjes së bimëve me rrënjët e tyre vetëm në një tretësirë ushqyese minerale ose në një mjedis të ngurtë, si: perlite, zhavorr ose fibër guri, të cilave u shtohet një tretësirë ushqyese. 6. “Pleh organik”, produktet e jashtëqitjes nga blegtoria apo një përzierje e produkteve të jashtëqitjes nga blegtoria, të lëngshme dhe të ngurta, si dhe në formë të përpunuar. KREU II RREGULLAT PËR PRODHIMIN BIOLOGJIK BIMOR DHE ALGAT E DETIT DHE RREGULLAT PËRJASHTUESE SEKSIONI I Prodhimi bimor Neni 3 Rregulla të përgjithshme Në prodhimin biologjik bimor, përveç kërkesave të përcaktuara në nenin 12, të ligjit nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, zbatohen edhe kërkesat e përcaktuara në këtë vendim. Neni 4 Menaxhimi dhe plehërimi i tokës 1. Në prodhimin biologjik bimor përdoren vetëm plehrat dhe përmirësuesit e tokës të përcaktuara në listën e produkteve dhe substancave, sipas nenit 16, pika 2, të ligjit nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, në masën e nevojshme. Operatorët duhet të mbajnë regjistrat për përdorimin e këtyre produkteve. 2. Vlera e përgjithshme e plehut organik të përdorur në fermë nuk duhet të kalojë sasinë prej 170 kg azot në vit/ha. Kjo sasi përdoret vetëm për përdorimin e plehut organik, të plehut të thatë të fermës, të plehut të dehidruar të shpendëve, jashtëqitjet e kafshëve të kompostuara, përfshirë plehun e shpendëve, plehun e fermës së kompostuar dhe jashtëqitjet e lëngshme të kafshëve. 3. Fermat e prodhimit biologjik mund të lidhin kontratë me fermat e tjera që zbatojnë rregullat e prodhimit biologjik, me qëllim shpërndarjen e plehut të tepërt nga prodhimi biologjik. Kufiri maksimal, i përcaktuar në pikën 2 të këtij neni llogaritet duke marrë parasysh sasitë e të gjitha njësive të prodhimit biologjik të përfshira në këtë kontratë. 4. Për të përmirësuar kushtet e përgjithshme të tokës ose për sigurimin e lëndëve ushqyese në tokë ose në bimët bujqësore mund të përdoren preparate të prodhuara nga mikroorganizma. 5. Për aktivizimin e kompostimit të plehrave përdoren preparate me bazë bimore ose preparate të prodhuara nga mikroorganizmat. Neni 5 Ndalimi i prodhimit hidroponik Në prodhimin biologjik bimor ndalohet përdorimi i metodës së prodhimit hidroponik. Neni 6 Menaxhimi i dëmtuesve, sëmundjeve dhe bimëve të padëshirueshme 1. Në prodhimin biologjik bimor, kur është e nevojshme, përdoren vetëm pesticidet e përcaktuara në listën e produkteve dhe substancave, sipas nenit 16, pika 2, të ligjit nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”. Operatorët mbajnë dokumentacionin për përdorimin e pesticideve. 2. Për pesticidet që përdoren në kurthe ose metoda çorientuese, përveç ferromoneve, kurthet dhe/ose metodat çorientuese duhet të parandalojnë çlirimin e substancave të ndaluara në mjedis dhe kontaktin e produkteve të përdorura me bimët e kultivuara. Kurthet, pas përdorimit, mblidhen dhe hidhen në vende të caktuara të riciklimit, për të shmangur mundësinë e përhapjes së tyre. Neni 7 Rregulla të veçanta për prodhimin e kërpudhave Për prodhimin e kërpudhave, substraktet përdoren vetëm nëse përmbajnë përbërësit e mëposhtëm: a) Plehun e fermës dhe jashtëqitjet e kafshëve nga: i) fermat që prodhojnë sipas metodës së prodhimit biologjik; ii) kur produkti i përcaktuar në nënndarjen “i” nuk gjendet, përdoren substancat e përcaktuara në listën e produkteve dhe substancave, sipas nenit 16, pika 2, të ligjit nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, dhe kur nuk kalojnë 25% të peshës totale të përbërësve të substraktit, me përjashtim të materialit mbulues e të ujit të shtuar para kompostimit të plehrave; b) Produktet me prejardhje bujqësore, të ndryshme nga ato të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni; c) Torfë që nuk është trajtuar kimikisht; ç) Dru që nuk trajtohet me produkte kimike pas prerjes; d) Ujin, tokën dhe produktet minerale të përcaktuara në listën e produkteve dhe substancave, sipas nenit 16, pika 2, të ligjit nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”. SEKSIONI II Prodhimi i algave të detit Neni 8 Përshtatshmëria e mjedisit ujor dhe plani i menaxhimit të qëndrueshëm 1. Aktiviteti prodhues i algave të detit duhet të vendoset në vende që nuk ndoten nga produkte ose substanca, të cilat nuk përdoren në prodhimin biologjik ose nga ndotës të tjerë që ndikojnë në natyrën biologjike të produkteve. 2. Njësitë e prodhimit biologjik dhe jobiologjik duhet të jenë qartësisht të ndara. Ndarja bëhet duke marrë parasysh kushtet në vend, si: sistemet e shpërndarjes së ujit, të cilat duhet jenë të ndara, si dhe distancat dhe vendndodhjen e njësisë së prodhimit biologjik. Në rast dyshimi që prodhimi biologjik mund të ndotet, autoriteti kompetent përcakton vende ose zona të cilat konsiderohen të papërshtatshme për vjeljen e algave të detit, si dhe distancat minimale midis njësive të prodhimit biologjik dhe jobiologjik. Kur përcaktohen distancat minimale ndarëse, autoriteti kompetent duhet të informojë operatorët dhe trupat e kontrollit. 3. Për të gjitha proceset e reja që zbatohen në prodhimin biologjik dhe kur prodhohet më shumë se 20 tonë produkte të algave të detit në vit, duhet një vlerësim mjedisor në proporcion me njësinë e prodhimit, për të përcaktuar kushtet e njësisë së prodhimit dhe ndikimet mjedisore të menjëhershme të funksionimit të saj. Operatori i algave të detit duhet të paraqesë vlerësimin mjedisor te trupa e kontrollit dhe përmbajtja e vlerësimit mjedisor bazohet në kërkesat e legjislacionit në fuqi “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”. Nëse njësia e prodhimit biologjik ka qenë objekt i një vlerësimi mjedisor ekuivalent, atëherë ky vlerësim përdoret edhe për këtë qëllim. 4. Operatori i algave të detit duhet të hartojë një plan të menaxhimit të qëndrueshëm në proporcion me njësinë e prodhimit për vjeljen e algave të detit. Plani duhet të përditësohet çdo vit dhe të detajohen ndikimet mjedisore të aktivitetit, monitorimi mjedisor dhe masat e ndërmarra për të minimizuar ndikimet negative në mjediset ujore dhe tokësore, duke përfshirë shkarkimin e lëndëve ushqyese në mjedis për cikël prodhimi ose për vit. Plani duhet të përfshijë mbikëqyrjen dhe riparimin e pajisjeve teknike. 5. Operatori i algave të detit përdor sipas preferencave burimet e rinovueshme të energjisë dhe materiale të riciklueshme dhe harton si pjesë të planit të menaxhimit të qëndrueshëm një program të reduktimit të mbetjeve, i cili duhet të zbatohet që në fillim të aktivitetit. Përdorimi i nxehtësisë së mbetjeve, kur është e mundur, reduktohet nga përdorimi i burimeve të energjisë së rinovueshme. 6. Për vjeljen e algave të detit, duhet të kryhet një vlerësim i biomasës që në fillim të vjeljes, me qëllim ruajtjen e specieve nga zhdukja. Neni 9 Vjelja e qëndrueshme e algave të egra të detit 1. Në njësinë e prodhimit të algave të detit operatori mban dokumentacionin financiar, i cili i mundëson atij identifikimin dhe trupës së kontrollit, verifikimin, nëse vjelësit kanë vjelë vetëm alga deti të egra të prodhuara në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”. 2. Vjeljet kryhen në mënyrë të tillë që sasitë e vjela të mos shkaktojnë ndikim ndotës në mjedisin ujor. Për të siguruar rigjenerimin e algave të detit merren parasysh faktorë, si: teknika e vjeljes, madhësitë minimale, mosha, ciklet e riprodhimit ose madhësia e algave të detit të mbetura. 3. Në rastet kur algat e detit vilen nga një zonë vjeljeje në përdorim të përbashkët nga disa operatorë, dokumentacioni i mbajtur duhet të tregojë që e gjithë sasia e vjelë është kryer në përputhje me kërkesat e këtij vendimi. 4. Të dhënat për vlerësimin e prodhimit të pritshëm që mund të vilet për sezon dhe burimet e ndotjes së mundshme për shtretërit e vjelë tregojnë nëse ka një menaxhim të qëndrueshëm dhe pa ndikim afatgjatë në zonat e vjeljes. Neni 10 Kultivimi i algave të detit 1. Algat e kultivuara në det duhet të shfrytëzojnë vetëm lëndët ushqyese që ndodhen natyrshëm në mjedisin ku kultivohen ose nga prodhimet shtazore të akuakulturës biologjike, mundësisht të lokalizuara pranë dhe pjesë e një sistemi shumëkulturësh. 2. Për pajisjet në tokë, kur përdoren burimet e jashtme ushqyese, nivelet ushqyese në ujin rrjedhës duhet të jenë njëlloj me ujin e ardhur. Përdoren vetëm ushqyesit me origjinë minerale ose bimore dhe që përfshihen në listën e përcaktuar në nenin 16, pika 2, të ligjit nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”. 3. Litarët e pajisjet e tjera të përdorura për rritjen e algave të detit mund të ripërdoren ose të riciklohen. Neni 11 Masat për pastrimin e makinerive dhe të pajisjeve të prodhimit 1. Pastrimi i pajisjeve dhe i makinerive kryhet nëpërmjet metodave fizike dhe mekanike. Kur pastrimi nuk është i mundur me këto metoda, atëherë për pastrim përdoren vetëm substancat e përfshira në listën e përcaktuar në nenin 16, pika 2, të ligjit nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”. 2. Organizmat e vegjël largohen vetëm me metoda fizike dhe, nëse është e mundur, kthehen në det sa më larg nga ferma. SEKSIONI III Rregullat përjashtuese të prodhimit për prodhimin bimor Neni 12 Prodhimi paralel Në përjashtim nga rregullat e prodhimit, për të siguruar fillimin apo vazhdimësinë e prodhimit biologjik në ferma që përballen me kushtëzime klimatike, gjeografike ose strukturore, një prodhues mund të menaxhojë në të njëjtën hapësirë njësitë e prodhimit biologjik dhe jobiologjik në rastin: a) E prodhimit të kulturave shumëvjeçare, të cilat kërkojnë një periudhë kultivimi të paktën trevjeçare, dhe kur varietetet nuk mund të dallohen lehtë, me kusht që të plotësohen kushtet e mëposhtme: i. të gjitha njësitë e prodhimit të përfshihen në një plan kalimi, i cili parashikon fillimin e kalimit në prodhim biologjik të njësisë së fundit, brenda një periudhe 5-vjeçare; ii. të sigurohet ndarja e përhershme e produkteve të prodhuara nga çdo njësi prodhimi; iii. të njoftohet trupa e kontrollit për vjeljen e çdo produkti, të paktën 48 orë më parë; iv. të informohet trupa e kontrollit mbi sasitë e vjela në njësitë e prodhimit dhe masat e zbatuara për ndarjen e produkteve kur përfundon vjelja; v. të miratohen nga trupa e kontrollit dhe të raportohen tek autoriteti kompetent plani i kalimit dhe masat e kontrollit dhe ky miratim të konfirmohet çdo vit pas fillimit të planit të kalimit; b) Kur sipërfaqet bujqësore përdoren për kërkime bujqësore të miratuara nga autoriteti kompetent dhe kur provohet që plotësohen kushtet e përcaktuara në shkronjën “a”, nënndarjet “ii”, “iii”, “iv” dhe “v”, të këtij neni; c) E prodhimit të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor e transplanteve të tyre dhe kur provohet që plotësohen kushtet e përcaktuara në shkronjën “a”, nënndarjet “ii”, “iii”, “iv” dhe “v” të këtij neni; ç) E kullotave që përdoren vetëm për kullotje. Neni 13 Përdorimi i farave ose i materialit shumëzues bimor që nuk janë përftuar me metodën e prodhimit biologjik 1. Në prodhimin biologjik, në rastin e përjashtimit nga rregullat e prodhimit për të siguruar fillimin apo vazhdimësinë e prodhimit biologjik, në ferma që përballen me kushtëzime klimatike, gjeografike ose strukturore përdoren: a) Farat dhe materiali shumëzues bimor nga një njësi prodhimi në kalim; b) Farat dhe materiali shumëzues bimor jobiologjike kur kërkesa e shkronjës “a” të kësaj pike nuk mund të zbatohet me lejen e trupës së kontrollit. 2. Për përdorimin e farave jobiologjike zbatohen kërkesat, si më poshtë vijon: a) Farat jobiologjike përdoren me kusht që të mos jenë trajtuar me produkte të mbrojtjes së bimëve (në vijim PMB), të tjera nga ato të lejuara sipas nenit 6, pika 1, të këtij vendimi, përveç rasteve kur trajtimi është miratuar për qëllime fitosanitare nga autoriteti kompetent për të gjitha varietetet e një lloji të dhënë në zonat ku do të përdoren farat. b) Trupa e kontrollit lejon përdorimin e farave jobiologjike vetëm në rastet e mëposhtme kur: i. nuk gjendet asnjë varietet i llojeve që prodhuesi kërkon të prodhojë; ii. asnjë operator furnizues, nuk mund të shpërndajë fara ose farë patateje biologjike përpara mbjelljes; iii. varieteti të cilin prodhuesi kërkon të prodhojë nuk gjendet i regjistruar në katalogun kombëtar si varietet i prodhuar nga fara të prodhuara me metodën biologjike dhe prodhuesi vërteton se asnjë nga varietetet e të njëjtit lloj të regjistruara si biologjike nuk janë të përshtatshme; iv. justifikohet përdorimi në kërkime, testime në fushë, në shkallë eksperimentale ose për qëllime të ruajtjes së varieteteve të miratuara nga autoriteti kompetent; c) Trupa e kontrollit lëshon lejen për përdorimin e farave jobiologjike para mbjelljes. ç) Leja lëshohet vetëm për prodhuesit individualë për një sezon e për çdo periudhë dhe trupa e kontrollit regjistron sasitë e farave të lejuara. d) Në përjashtim të përcaktimit në shkronjën “ç” të këtij neni, autoriteti kompetent lëshon një leje të përgjithshme për të gjithë përdoruesit për një varietet kur dhe për sa kohë plotësohet kushti, sipas përcaktimit në shkronjën “b”, nënndarja “i” dhe/ose nënndarja “iii”, të këtij neni. KREU III RREGULLAT E KALIMIT PËR BIMËT, PRODUKTET BIMORE DHE ALGAT E DETIT Neni 14 Rregullat e kalimit për bimët dhe produktet bimore 1. Bimët dhe produktet bimore konsiderohen biologjike, kur në parcelat e prodhimit të tyre zbatohen rregullat e prodhimit të përcaktuara në ligjin nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, dhe në kreun II të këtij vendimi, gjatë një periudhe kalimi, të paktën dy vjet para mbjelljes, ose në rastin e kullotës ose foragjereve shumëvjeçare, të paktën dy vjet para përdorimit si ushqim për kafshë nga fermat biologjike, ose në rastin e kulturave shumëvjeçare përveç foragjereve, të paktën tre vjet para vjeljes së parë të produkteve biologjike. 2. Trupa e kontrollit vendos për të njohur si pjesë të periudhës së kalimit çdo periudhë të mëparshme në të cilën: a) Parcelat kanë qenë subjekt i masave të përcaktuara në një program zyrtar, me kusht që këto masa të sigurojnë që në parcela nuk janë përdorur produkte të palejuara për përdorim në prodhimin biologjik; b) Parcelat kanë qenë tokë ose tokë bujqësore djerrë, të cilat nuk janë trajtuar me produkte të palejuara. 3. Periudha, sipas përcaktimit në shkronjën “b”, të pikës 2, të këtij neni, mund të merret parasysh vetëm nëse operatori i paraqet trupës së kontrollit prova dhe dokumente të mjaftueshme që vërtetojnë se kushtet plotësohen për një periudhë të paktën trevjeçare. 4. Trupa e kontrollit vendos të zgjasë periudhën e kalimit përtej periudhës së përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, në rastet kur toka është ndotur me produkte të palejuara për prodhimin biologjik. 5. Trupa e kontrollit duhet të informojë autoritetin kompetent për të gjitha vendimet për zgjatjen ose reduktimin e periudhës së kalimit. 6. Në rastin e parcelave, të cilat janë certifikuar ose janë në proces kalimi në prodhim biologjik, që trajtohen me një produkt të palejuar, autoriteti kompetent mund të shkurtojë periudhën e kalimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, vetëm në rastet kur parcelat janë pjesë e: a) Masave të detyrueshme për kontrollin e sëmundjeve ose të dëmtuesve, të përcaktuara nga autoriteti kompetent; b) Testimeve shkencore të miratuara nga autoriteti kompetent. 7. Në rastet e përcaktuara në pikën 6 të këtij neni, kohëzgjatja e periudhës së kalimit caktohet duke marrë parasysh faktorët e mëposhtëm: a) Procesi i degradimit të produktit të përdorur të garantojë një nivel të papërfillshëm të mbetjeve në tokë në fund të periudhës së kalimit dhe në rastin e kulturave shumëvjeçare në bimë; b) Prodhimi i vjelë pas trajtimit nuk mund të shitet duke iu referuar metodës së prodhimit biologjik. Neni 15 Periudha e kalimit për algat e detit 1. Periudha e kalimit në prodhim biologjik për një zonë vjeljeje të algave të detit të egra është gjashtë muaj. 2. Periudha e kalimit në prodhim biologjik për një njësi kultivimi të algave të detit është më e gjatë se gjashtë muaj ose sa një cikël i plotë prodhimi. KREU IV RREGULLAT E HOLLËSISHME TË KONTROLLIT PËR PRODHIMIN BIMOR DHE ALGAT E DETIT SEKSIONI I Rregullat e hollësishme të kontrollit për bimët dhe produktet bimore të prodhuara ose të mbledhura nga ferma Neni 16 Masat e kontrollit 1. Për bimët dhe produktet bimore të prodhuara ose të mbledhura nga ferma zbatohen rregullat e hollësishme të kontrollit, të përcaktuara në këtë kre. 2. Çdo njësi prodhimi biologjik duhet të ketë një përshkrim të plotë të njësisë, i cili: a) Hartohet edhe kur operatori ushtron aktivitetin e tij vetëm në mbledhjen e bimëve spontane; b) Përmban magazinat, ambientet e prodhimit, parcelat dhe/ose zonat e mbledhjes së bimëve spontane, si dhe, kur është e mundur, ambientet në të cilat realizohen proceset e përpunimit dhe/ose paketimit; c) Specifikon datën e trajtimit të fundit me produkte të palejuara në prodhimin biologjik në parcelat dhe/ose zonat e mbledhjes. 2. Në rastin e mbledhjes së bimëve spontane, për të siguruar përputhshmërinë me rregullat e prodhimit biologjik, operatori duhet të marrë një vërtetim nga autoritetet kompetente zyrtare, që vërteton se plotësohen kërkesat e nenit 12, pika 2, të ligjit nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”. Neni 17 Komunikimet Çdo vit, para datës së kërkuar nga trupa e kontrollit, operatori i prodhimit biologjik e njofton atë lidhur me planin e prodhimit të produkteve bujqësore, të ndarë sipas parcelave. Neni 18 Të dhënat për prodhimin bimor 1. Të dhënat për prodhimin bimor mbahen nga operatori në formën e një regjistri dhe duhet të jenë të disponueshme për trupën e kontrollit në çdo kohë. 2. Përveç planit të prodhimit, sipas nenit 17 të këtij vendimi, regjistri duhet të përmbajë të paktën informacionin për: a) Përdorimin e plehrave, si: datën e përdorimit, llojin, sasinë e plehut dhe parcelën ku përdoret; b) Përdorimin e PMB-së, si: arsyen, datën e trajtimit, llojin dhe metodën e trajtimit; c) Furnizimet me input-e të fermës, si: datën, llojin dhe sasinë e produktit të blerë; ç) Vjeljet, si: datën, llojin dhe sasinë e prodhimit biologjik ose prodhimit në kalim. Neni 19 Menaxhimi i disa njësive të prodhimit nga një operator Në rastin kur operatori menaxhon disa njësi prodhimi biologjike dhe jobiologjike në të njëjtin vend, edhe njësitë që prodhojnë prodhime jobiologjike, së bashku me objektet e magazinimit për input-et në fermë duhet të zbatojnë rregullat e përgjithshme dhe të hollësishme të kontrollit, të përcaktuara në ligjin nr. 106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, dhe në këtë vendim. SEKSIONI II Rregullat e hollësishme të kontrollit për algat e detit Neni 20 Masat e kontrollit 1. Kur operatori aplikon për herë të parë për t’u përfshirë në sistemin e kontrollit të prodhimit biologjik, përshkrimi për njësinë e prodhimit përfshin: a) Një përshkrim të plotë të instalimeve në tokë dhe në det; b) Vlerësimin mjedisor; c) Planin e menaxhimit të qëndrueshëm. 2. Për algat e detit të egra hartohet një përshkrim i plotë, siç përcaktohet në pikën 1 të këtij neni, si dhe një hartë e zonave bregdetare ose detare të grumbullimit dhe zonave tokësore ku ndodhin aktivitetet pas grumbullimit. Neni 21 Të dhënat për prodhimin e algave të detit 1. Të dhënat për prodhimin e algave të detit mbahen nga operatori në formën e një regjistri dhe janë të disponueshme për trupën e kontrollit në çdo kohë. Këto të dhëna përmbajnë të paktën: a) Listën e specieve, datën dhe sasinë e vjelë; b) Datën e përdorimit, llojin dhe sasinë e plehrave të përdorura. 2. Për mbledhjen e algave të detit të egra, regjistri, përveç të dhënave të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, përmban edhe: a) Historikun e aktivitetit të vjeljes për çdo specie në shtretërit e përcaktuar; b) Vlerësimin e prodhimit të pritshëm që mund të vilet për sezon; c) Burimet e ndotjes së mundshme për shtretërit e vjelë; ç) Prodhimin e qëndrueshëm vjetor për çdo shtrat.