Skip to content
Nelum
Laws of Albania

Regulation No. 3 on the plans of rehabilitation of the areas damaged by mining companies

Made 2006-05-17 · Text as of 2026-10-01

Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.

About this law

Language
Albanian
Kind
Regulation
Organisation
European Union
Country
Albania
Subjects
Environment, Mineral resources
Keywords
mining, soil rehabilitation, liability/compensation
Categories
metals-base, metals-precious, minerals-critical

Where to read it

    No source link is recorded for this law.

Text

The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.

  1. 1. Personat fizikë e juridikë, që çelin gurore për shfrytëzim inertesh apo mineralesh, janë të detyruar të rehabilitojnë habitatet që dëmtojnë me veprimtarinë e tyre.

  2. 2. Rehabilitimi i sipërfaqeve (habitateve) të dëmtuara nga guroret është pjesë e pandarë e veprimtarisë shfrytëzuese të tyre. Ai parashikohet, planëzohet e zhvillohet njëkohësisht dhe krahas veprimtarisë shfrytëzuese dhe vazhdon pas përfundimit të saj, deri sa habitati të jetë rehabilituar plotësisht.

  3. 3. Rehabilitimi i habitateve të dëmtuara nga guroret kryhet sipas planeve të rehabilitimit të tyre, të cilët paraqiten nga subjektet e këtyre aktiviteteve në agjencinë rajonale të mjedisit të qarkut ku do të hapë guroren, si pjesë e dokumentacionit për t’u pajisur me leje mjedisore.

  4. 4. Për subjektet që janë duke shfrytëzuar guroret, por nuk kanë plan rehabilitimi dhe nuk kanë kryer veprime për të rehabilituar habitatin, plani i rehabilitimit paraqitet në agjencinë rajonale të mjedisit të qarkut përkatës, brenda dy muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi. Kur kjo kërkesë nuk zbatohet, Inspektorati i Mjedisit pezullon punimet deri në dorëzimin e planit të rehabilitimit.

  5. 5. Personat fizikë e juridikë që kanë përfunduar aktivitetin e shfrytëzimit të gurores dhe nuk e kanë rehabilituar habitatin që kanë dëmtuar, mbeten të detyruar për ta rehabilituar atë ose duke zbatuar kërkesat e këtij udhëzimi ose do të detyrohen gjyqësisht.

  6. 6. Inspektorati i Mjedisit evidenton sipas qarqeve subjektet juridike e fizike të cilat nuk kanë planin e rehabilitimit të sipërfaqeve rreth dhe në brendësi të guroreve dhe u kërkon hartimin dhe zbatimin e tij, gjatë gjithë fazave të operacioneve të punimeve. Subjektet që nuk i përgjigjen kësaj kërkese, paditen në gjykatë për shpërblimin e dëmeve që i kanë shkaktuar mjedisit.

  7. 7. Plani i rehabilitimit është dokumenti që përmban projektin e rehabilitimit dhe afatet kohore për kryerjen e punimeve rehabilituese. Projekti shoqërohet me përshkrimet përkatëse dhe me fotografi që qartësojnë gjendjen e habitatit para përdorimit për gurore.

  8. 8. Plani i rehabilitimit shqyrtohet dhe miratohet në procesin e dhënies të lejes mjedisore. Personi fizik apo juridik që ka paraqitur planin, mund të ankohet me shkrim te Ministri për aspekte të planit të miratuar që i vlerëson të padrejta, brenda 20 ditëve nga marrja e tij. Ministri i përgjigjet ankesës brenda 30 ditëve nga regjistrimi i saj në protokollin e Ministrisë. Ndaj përgjigjes së Ministrit apo kur ky nuk është përgjigjur në afat, ankuesi mund t’i drejtohet gjykatës, brenda 30 ditëve nga marrja e përgjigjes apo nga skadimi i afatit.

  9. 9. Plani i rehabilitimit trajton detyrimisht masat dhe veprimet për sistemimin dhe përgatitjen e vendit, për parandalimin e erozionit, për gjelbërimin dhe rigjelbërimin, si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme që sigurojnë mirëmbajtjen e habitatit.

  10. 10. Masat rehabilituese në planet e rehabilitimit identifikohen në përputhje me karakteristikat e vlerat e habitatit. Ato jepen të detajuara, duke u grupuar në: a) punime inxhinierike; b) punime biologjike.

  11. 11. Rigjelbërimi i habitatit me bimësi kryhet, duke i dhënë përparësi bimëve autoktone, të përshtatshme me zonën, që kanë ekzistuar para hapjes së gurores, si dhe bimësisë tjetër që është në përputhje me tipin e tokës.

  12. 12. Llojet pyjore që përdoren për ripyllëzimin e sipërfaqes rreth dhe në brendësi të gurores rekomandohen, duke pasur parasysh: a) për mbrojtjen e tokave nga erozioni të përdoren llojet fletore përherë të blerta ; b) për veshjen e terreneve shkëmbore të përdoren llojet pyjore të cilat kanë sistem rrënjor të fuqishëm, e mbajnë të mbuluar tokën edhe gjatë stinëve me rreshje të bollshme dhe e lidhin mirë atë; c) për terrene me shfaqje të erozionit duhet të përdoren dhe llojet që lidhin mirë terrenin dhe ndihmojnë parandalimin e erozionit; d) për terrene të eroduara, krahas fidanëve, të përdoret edhe mbjellja me farë.

  13. 13. Pyllëzimet e ripyllëzimet e terreneve të degraduara, pasi përfundojnë, i dorëzohen me dokumente të rregullta Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, e cila i vë në ruajtje dhe i mbron për një periudhë 20-vjeçare për të bërë të mundur rimëkëmbjen e tyre.

  14. 14. Kriteret për vlerësimin e rehabilitimit të habitatit të dëmtuar nga guroret përfshijnë: a) zona e rehabilituar të rikthehet në një gjendje të qëndrueshme dhe jo ndotëse; b) zona të jetë kthyer në gjendje të përshtatshme për përdorimin e mëtejshëm të planifikuar; c) zona nuk duhet të preket nga erozioni; d) rigjelbërimi të jetë efektiv në të gjithë sipërfaqen e habitatit, duke vlerësuar densitetin e fidanëve, larminë e llojeve dhe mbulesën bimore, siç është parashikuar në planin e miratuar të rehabilitimit.

  15. 15. Në raportimet periodike që bëjnë subjektet për rezultatet që u dalin nga vetëmonitorimi i veprimtarisë që zhvillojnë, punët dhe veprimet që kanë bërë për rehabilitimin e habitatit të raportohen si zë i veçantë.

  16. 16. Inspektorati i Mjedisit, në kontrollet që ushtron mbi guroret, ndjek zbatimin e planit të rehabilitimit, duke marrë masa e duke lënë detyra që garantojnë zbatimin e tij.

  17. 17. Pas mbarimit të të gjitha operacioneve rehabilituese, subjekti mund të kërkojë nga Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor dokumentin që vërteton se rehabilitimi i habitatit ka përfunduar në mënyrë të kënaqshme dhe në përputhje me kërkesat e planit të rehabilitimit. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. MINISTRI I MJEDISIT, PYJEVE DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE Lufter Xhuveli SHTOJCË ÇËSHTJE PËR T’U TRAJTUAR NGA PLANET E REHABILITIMIT TË SIPËRFAQEVE TË GUROREVE DHE MASA TË SUGJERUARA PËR REHABILITIMIN

  18. 1. Përkufizimi Rehabilitimi përfshin të gjitha ato masa të cilat synojnë të riaftësojnë tokën e degraduar dhe t’i kthejnë këto toka në një gjendje të qëndrueshme dhe të pandotur.

  19. 2. Objektivat Synimet kryesore të punës rehabilituese janë: - Të arrihet një stabilizim i zonave të dëmtuara nëpërmjet ndërhyrjeve hidroteknike për të minizuar ndër të tjera erozionin. - Të rigjelbërojë të gjitha zonat e eroduara me specie të përshtatshme bimore, që kanë ekzistuar më parë. - Të minimizojë ndikimin pamor të zonave të degraduara e të përmirësojë peizazhin.

  20. 3. Sistemimi dhe përgatitja e vendit Hapi i parë në operacionin e rehabilitimit është pastrimi i përgjithshëm dhe sigurimi i zonës. Masa të sugjeruara Punimet e pastrimit të vendit që ndërmerren pas ndërprerjes së veprimtarisë përfshijnë: - heqja dhe ndalimi i zhvillimit të veprimtarive që kanë karakter përpunimi (fraksionim guri) apo përgatitje betoni në afërsi të karierave; - largimin e të gjitha pajisjeve të fiksuara dhe të palëvizshme, të përkohshme dhe të përhershme; - largimi dhe eliminimi i duhur i të gjitha mbetjeve përfshirë ato të rrezikshme; - rehabilitimi i rrugëve dhe vendit të zyrave; - pas pastrimit të vendit mund të jetë i nevojshëm pengimi i hyrjes së makinave në vend duke ngritur gardhe për të parandaluar hyrjen e makinave, motoçlikletave, njerëzve dhe kafshëve deri në rehabilitimin e zonës. Hapi i parë në procesin e përgatitjes përfshin rimodelimin e zonës. Përdorimi përfundimtar i tokës do të përcaktojë formën e relievit. Vendi duhet të modelohet në mënyrë të tillë që të harmonizohet me peizazhin rrethues. Vendi duhet lënë në një gjendje të qëndrueshme, lehtësisht të kulluar që të harmonizohet me zonën rrethuese. Shtresa e tokës duhet të ripërhapet në mënyrë uniforme mbi zonë në një thellësi të përshtatshme për të mbështetur rigjelbërimin. Kur mungon shtresa e tokës, duhen kërkuar alternativa në materiale argjile të pranishme në vend, në mbulesë mineralesh ose shkëmbinjsh sedimentare që përfshin një përmbajtje të lartë plurur minerali, shkëmb shumë të thërmuar ose shtresë dheu që mund të merret nga vendet e ndërtimit, por duhet përshtatur në ngjyrë pa prishur peizazhin. Të gjitha zonat e ngjeshura duhet të punohen thellë përgjatë konturit. Kjo mund të kryhet përpara ose pas përhapjes së shtesës së dheut.

  21. 3. Rigjelbërimi dhe gjelbërimi Vegjetacioni është stabilizuesi më i mirë i mirëmbajtjes së thjeshtë të zonave të degraduara në periudhë afatgjatë. Rigjelbërimi i shërben parandalimit të erozionit. Rigjelbërimi gjithashtu minimizon ndikimin e ndërhyrjes pamore. Masa të sugjeruara Rigjelbërimi duhet të synojë instalimin e bimëve autoktone. Instalimi i tipeve të vegjetacionit jo autokton shpesh kërkon më shumë burime se riinstalimi i vegjetacionit origjinal. Tokat për llojet e huaja duhet të jenë relativisht pjellore dhe mund të jenë të nevojshme trajtimet e mirëmbajtjes, si plehërimi dhe krasitja. Shtresa e materialit organik me të cilin mbulohet sipërfaqja e tokës për të parandaluar erozionin rreth fidanëve që rriten, mund të reduktojë barërat e këqija dhe të ruajë lagështinë e tokës dhe shtimin e ushqyesve dhe lëndës organike të dobishme. Ndër materialet që mund të përdoren përfshijnë: komposto, mbetje druri, copëra, pluhura sharre, kashtë, levore etj.

  22. 4. Mbjellja Në rastet më të shumta, rigjelbërimi i guroreve do të përfshijë riintroduktimin e llojeve të bimëve të përshtatshme për të plotësuar rigjenerimin me anë të erës ose farës së ruajtur në tokë. Ky riintroduktim mund të jetë në formën e fidanëve të shtuar në fidanishte ose aplikimi i drejtpërdrejtë të farës në shtratin e farës të përgatitur.

  23. 5. Monitorimi dhe mirëmbajtja Rehabilitimi është një proces që mund të shkojë me vite për të dhënë një ekosistem të qëndrueshëm dhe vetëqëndrues. Kujdesi i mëpastajshëm është vitalisht i rëndësishëm dhe çdo dështim duhet të riparohet shpejt. Masa të sugjeruara Zonat e rehabilituara duhet të inspektohen rregullisht për të vlerësuar shëndetin e vegjetacionit dhe kontrolluar për erozion, dëmtim nga kullotja dhe ndotje nga barërat e këqija. Inspektime të përvitshme mund të kërkohen në disa zona më të mëdha pas ndërprerjes së operacioneve për të siguruar suksesin në vazhdim të rigjelbërimit.

Regulation No. 3 on the plans of rehabilitation of the areas damaged by mining companies · Nelum