Regulation No. 289 on the issue of licences, authorizations and concessions for water use
Made 2005-04-15 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Organisation
- European Union
- Country
- Albania
- Subjects
- Water
- Keywords
- water rights, authorization/permit, concession
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
VENDIM Nr. 289, datë 15.4.2005 PËR PËRCAKTIMIN E KËRKESAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR MIRATIMIN E LEJEVE, TË AUTORIZIMEVE DHE TË KONCESIONEVE PËR PËRDORIMIN E UJIT Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, 7, 12, 18 e 72 të ligjit nr.8093, datë 21.3.1996 “Për rezervat ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Rregullimit të Territorit dhe të Turizmit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Deklarimet për përdorim të lirë të ujit nga subjektet fizike të bëhen pranë agjencive të ujit të baseneve ujëmbledhëse (më poshtë agjencia), sipas formularit “A”, të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Ujit (më poshtë KKU). 2. Subjektet, juridike dhe fizike, vendase apo të huaja, të paraqesin, pranë sekretariatit teknik të KKU-së (më poshtë sekretariati) ose agjencisë, një kërkesë për marrjen e lejeve, të autorizimeve apo marrjen me koncesion, për përdorimin e ujit, sipas formularëve të miratuar nga KKU-ja. 3. Kërkesat për marrjen e lejeve dhe të autorizimeve për përdorimin e ujit paraqiten në: a) agjenci, kur veprimtaria do të kryhet brenda kufirit të basenit; b) sekretariat, kur veprimtaria do të kryhet jashtë kufirit të një baseni të vetëm dhe në rastet kur veprimtaria ka si objekt “lundrueshmërinë” ose “ndërtimin e strukturave ankoruese, portuale”. 4. Lejet dhe autorizimet për përdorimin e ujit, përkatësisht, sipas formularëve “B” e “D”, të miratuara nga KKU-ja, miratohen nga: a) Këshilli i Basenit Ujëmbledhës (më poshtë KBU) kur veprimtaria do të kryhet brenda kufirit të basenit; b) KKU-ja, kur veprimtaria do të kryhet jashtë kufirit të një baseni të vetëm. Në këtë rast duhet marrë më parë mendimi i sekretariatit; c) KKU-ja, kur veprimtaria ka si objekt “lundrueshmërinë” ose “ndërtimin e strukturave ankoruese, portuale”. 5. Kohëzgjatja e lejeve dhe e autorizimeve të jetë si më poshtë vijon: a) Lejet jepen për një afat 5-vjeçar, me të drejtë rinovimi çdo vit. b) Autorizimet jepen për një afat deri në 2 vjet. Kur studimi del me sukses dhe në kushtet e autorizimit është parashikuar e drejta për kërkesë për leje ose koncesion, i autorizuari duhet ta paraqesë kërkesën brenda 6 muajve nga data e përfundimit të studimit. 6. Subjektet që përdorin ujin (nga pus-shpimet ose burimet natyrore) në veprimtaritë, si në restorante, bare, hotele, pishina, për rritjen e rasatit të peshkut, në stallat e blegtorisë, pulari, lavazhe, për përpunimin e mermerit, në nyjet e prodhimit të inerteve, si dhe për proceset teknologjike, të përcaktuara në tabelën 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të pajisen me leje nga KKU-ja a KBU-ja, sipas formularit “B”. 7. Kërkesat për koncesion për përdorimin e ujit, në funksion të prurjes së kërkuar, të paraqiten pranë sekretariatit ose agjencisë, sipas tabelave nr.l, nr.2 dhe nr.4, që i bashkëlidhen këtij vendimi (kolonat 10 dhe 11). 8. Ndërmarrjet ose sha-të e ujësjellës-kanalizimeve, te zonat që ato ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, pasi të kenë plotësuar nevojat e popullsisë, lidhin kontratë koncesioni me subjektet, të cilëve u nevojitet përdorimi i ujit nga rrjeti i ujësjellësit. Kjo kontratë bëhet e vlefshme pas miratimit nga KBU-ja përkatëse. 9. Dhënia e koncesioneve për përdorimin e ujit, me përjashtim të rasteve të pikave 17 e 18 të këtij vendimi, bëhet me miratimin e KKU-së a KBU-së, sipas procedurave të mëposhtme: a) Në rastin e një propozimi të kërkuar, që nënkupton se KKU-ja a KBU-ja ka vendosur të japë përdorimin e ujit me koncesion, në përputhje me planin kombëtar të rezervave ujore, me planet e rezervave ujore të baseneve ujëmbledhëse apo me studimet e tjera specifike, subjektet e interesuara, pas shpalljes se konkursit, u nënshtrohen procedurave të konkurrimit. b) Në rastin e një propozimi të pakërkuar, që nënkupton se janë subjektet, që kanë paraqitur kërkesën për përdorimin e ujit me koncesion, dhe KKU-ja ose KBU-ja, pasi merr mendimin e sekretariatit a të agjencisë për parametrat kryesorë të burimit ujor dhe impaktet e përdorimit të tij, gjykon dhe vendos nëse subjektet do t’u nënshtrohen procedurave të konkurrimit. Sekretariati ose agjencia mund të kërkojë oponencë për propozimet e përmendura në shkronjat “a” e “b”, nga organet a instititutet e specializuara, financiare dhe teknike, si dhe nga këshilli konsultativ teknik i ngritur pranë tij/saj. Në rast se fillohet procedura e konkurrimit dhe nuk paraqitet asnjë subjekt tjetër i interesuar, vazhdohet procedura me subjektin që ka paraqitur ofertën. Koncesionet për përdorimin e ujit jepen për një afat deri në 30 vjet. 10. Për kërkesat e përcaktuara në pikat 3 shkronja “b” dhe 7 të këtij vendimi, që i drejtohen sekretariatit, para se të shqyrtohen nga KKU-ja, të merret mendimi i KBU-së përkatëse. 11. Përgatitja e dokumentacionit të konkursit dhe procedurat e konkurrimit kryhen nga sekretariati ose agjencia. 12. Format e konkursit janë: a) Konkurs i hapur, që përdoret për prurjet sipas rreshtave 1-3 të tabelës nr.1 dhe 1-2 të tabelës nr.2; b) Konkurs ndërkombëtar, që përdoret për prurjet sipas rreshtave 4-5 të tabelës nr.1 rreshti 3 i tabelës nr.2 dhe rreshtave 1-2 të tabelës nr.4, që i bashkëlidhen këtij vendimi. 13. Mënyra e përgatitjes së konkursit është si më poshtë vijon: 13.1. Për një pjesëmarrje sa më të gjerë të subjekteve të interesuara dhe për të tërhequr një numër sa më të madh ofertash, shpallja e konkursit të bëhet: a) për konkursin e hapur, në dy gazeta kombëtare; b) për konkursin ndërkombëtar, në një gazetë të njohur ndërkombëtare, në një gazetë kombëtare dhe nëpërmjet medias elektronike. 13.2. Subjektet të marrin, pranë sekretariatit ose agjencisë, dokumentacionin standard, që duhet të plotësojnë për të marrë pjesë në konkurs, ku u jepen sqarimet e nevojshme për plotësimin dhe afatet e dorëzimit të tij. Dokumentacioni standard i konkursit miratohet nga KKU-ja dhe përmban: a) Ftesën për ofertë, me këto elemente: i) Procedurën e konkursit; ii) Emrin e burimit ujor dhe tipin e tij; iii) Vendndodhjen e burimit; iv) Karakteristikat kryesore të burimit (prurja, kimizimi etj.); v) Sasinë e ujit që jepet për përdorim; vi) Qëllimet e përdorimit (pa kufizuar të drejtën e subjekteve për propozime të tjera); vii) Ditën dhe orën e hapjes së ofertave; viii) Afatin dhe çmimin e tërheqjes së dokumenteve të konkursit pranë sekretariatit ose agjencisë përkatëse; ix) Adresën e sekretariatit ose agjencisë; b) Udhëzimin për pjesëmarrësit në konkurs. Periudha ndërmjet afatit të tërheqjes së dokumentacionit të konkursit dhe të dorëzimit të propozimeve të jetë: jo më shumë se 30 ditë për konkursin e hapur; jo më shumë se 45 ditë për konkursin ndërkombëtar. c) Kontratën tip, të miratuar nga KKU-ja. ç) Kontratën tip të koncesionit, të miratuar nga KKU-ja. d) Kërkesat për kualifikim (dokumentacioni juridik), të parashikuara në formularin “C”, të miratuar nga KKU-ja. dh) Dokumentacionin teknik dhe atë ekonomiko-financiar, të parashikuar në formularin “C”, të miratuar nga KKU-ja. e) Shtojcën me shpjegimet e nevojshme për pjesët përbërëse të formularit “C” dhe për mënyrën e plotësimit të tij etj. ë) Termat specifikë per burimin ujor, kur është e nevojshme e sipas rastit. f) Tabelën përkatëse të tarifave të përdorimit të ujit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. 13.3. Dokumentacioni dorëzohet në 2 zarfe të mbyllura, të veçanta, ku në njërin, zarfi nr.1, futet formulari i aplikimit e dokumentacioni juridik, ndërsa në tjetrin, zarfi nr.2, dokumentacioni teknik dhe ai ekonomiko-financiar. Dokumentacioni i kërkuar të dorëzohet në origjinal dhe/ose i noterizuar. Përveç dokumetacionit të mësipërm, sekretariati ose agjencia, kur e sheh të nevojshme, mund t’u kërkojë pjesëmarrësve në konkurs edhe dokumente a të dhëna të tjera. 14. Mënyra e zhvillimit të konkursit 14.1. Hapja e ofertave do të bëhet nga një komision, me minimumi 5 veta, i përbërë nga punonjësit e sekretariatit dhe specialistët e caktuar nga zëvendëskryetari i KKU-së, për sekretariatin, ose nga punonjësit e agjencisë dhe nga specialistët (njëri prej të cilëve duhet të jetë jurist), të caktuar nga kryetari i KBU-së, për agjencinë. Në ditën dhe orën e caktuar, sekretariati ose agjencia, në prani të të gjithë përfaqësuesve të subjekteve që kanë sjellë propozime, shqyrton zarfin nr.1. Nëse sekretariati ose agjencia vëren mangësi ose parregullsi në dokumentacionin e paraqitur, subjektet përkatëse skualifikohen nga konkursi. Në rastet kur sekretariati ose agjencia gjykon të domosdoshëm ndonjë ndryshim a plotësim në dokumentacion, u kërkon subjekteve pjesëmarrëse që, brenda një periudhe të caktuar (jo më vonë se një e treta e afatit të caktuar për përgatitjen e dokumentacionit të propozimit), të bëjnë ndryshimet ose plotësimet e nevojshme. 14.2. Kriteret e vlerësimit të propozimeve Sekretariati ose agjencia, pasi shqyrton zarfin nr.2, bën vlerësimin me pikë të subjekteve, si më poshtë vijon: Maksimumi i mundshëm, në pikë Vlerësimi i dokumentacionit teknik 25 Projekti i përdorimit të ujit 10 Sasia më e vogël e përdorimit të ujit (1/sek) 10 Cilësia e pajisjeve që do të përdoren 5 Vlerësimi i dokumentacionit ekonomiko-financiar 75 Tarifa më e lartë e pagesës, e propozuar nga konkurruesi, për njësinë e ujit (ku tarifa më e ulët përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave) 28 Periudha më e shkurtër e koncesionit 15 Synimet e biznesit (rritja e gamës së prodhimeve, shtimi i tregjeve etj.) Periudha më e shpejtë për vënien në shfrytëzim të burimit ujor dhe frytshmëria e tij 10 Përvoja në fushën përkatëse të përdorimit të ujit 5 Mundësia financiare për investimin, besueshmëria e huasë 3 Niveli i plotësimit të kërkesave për ofertë 2 Besueshmëria e ofertës (mundësia reale për realizimin e kësaj oferte) 7 Shuma 100 Që subjektet të kualifikohen duhet të plotësojnë 75 pikë nga 100 të mundshme (përjashtohen nga ky kusht koncesionet për prodhim hidroenergjie dhe për vaditje, deri në miratimin e tarifave përkatëse nga Këshilli i Ministrave). Procedura e mësipërme dhe vlerësimi në pikë zhvillohet edhe sikur të jetë një subjekt i vetëm propozues. Nëse dy apo më shumë subjekte vlerësohen me pikë të barabarta, përparësi ka subjekti që ka kryer një studim të burimit ujor, në bazë të një autorizimi të dhënë nga KKU-ja ose KBU-ja. Në rastet e tjera, ka përparësi subjekti që ofron tarifën me të lartë të pagesës për përdorimin e ujit. 14.3. Shpallja e listës së vlerësimit. Sekretariati ose agjencia, brenda 15 ditëve nga data e hapjes së ofertave, shqyrton dokumentacionin teknik dhe ekonomiko-financiar, si dhe harton listën e vlerësimit të tyre sipas renditjes së pikëve. Kjo listë shpallet në vende të caktuara në Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe të Turizmit ose në agjenci. Subjekteve pjesëmarrëse në konkurs, brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes së listës së vlerësimit, u lind e drejta të ankohen pranë ministrit përkatës kur konkursi zhvillohet nga sekretariati, ose pranë drejtuesit të sekretariatit kur konkursi zhvillohet nga agjencia. Ndaj vendimeve të ministrit ose të drejtuesit të sekretariatit mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për vendimin. 14.4. Shpallja e fituesit Sekretariati ose agjencia, pasi ka bërë klasifikimin e subjekteve të kualifikuara dhe pas plotësimit të afatit të ankimit të subjekteve, brenda 5 ditëve paraqet materialin përkatës për miratim në mbledhjen e radhës së KKU-së a KBU-së, të cilat vendosin shpalljen e fituesit. Nëse KKU-ja ose KBU-ja vëren parregullsi në procedurat e vlerësimit, ia kthen për rishqyrtim materialin përkatës sekretariatit ose agjencisë, të cilët, brenda 10 ditëve, duhet ta ridërgojnë për miratim në KKU ose KBU. Procesverbali i mbledhjes, së bashku me dokumentacionin e konkursit ruhen nga sekretariati ose agjencia në një dosje, me emërtimin e konkursit, në përputhje me ligjin “Për arkivat”. Këto dokumente u vihen në dispozicion, sa herë që kërkohen, organeve të autorizuara për kontroll apo verifikim. Sekretariati dhe agjencia, brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit të KKU-së a KBU-së për shpalljen e fituesit, njofton subjektin fitues për nënshkrimin e kontratës me kusht. Subjekti fitues, brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit për shpalljen fitues, duhet të paraqesë një garanci bankare, ku të ketë të ngurtësuar 2 për qind të vlerës së investimit të parashikuar. 15. Kontrata me kusht Kontrata me kusht është akt juridik, që nënshkruhet nga drejtuesi i sekretariatit ose agjencisë dhe subjektit fitues. Kontrata duhet të përmbajë këto kushte: a) Objektin, pranimin e lidhjes së kontratës së koncesionit, në përputhje me ofertën e paraqitur dhe kërkesat e parashikuara në dokumentacionin e konkursit; b) Afatin tremujor të vlefshmërisë, deri në lidhjen e kontratës së koncesionit; c) Zotimin e subjektit që, brenda këtij afati, të negociojë dhe të përfundojë kontratën e koncesionit, të cilën duhet ta dorëzojë së bashku me: vërtetimin e pronësisë (nga hipoteka a kadastra) ose kontratën apo aktmarrëveshjen për blerjen a marrjen me qira të truallit ku do të investohet; lejen mjedisore nga Ministria e Mjedisit; dokumentin e kualifikimit profesional. ç) Plotësimin e detyrimeve nga subjekti fitues sipas kësaj kontrate me kusht, brenda 3 muajve. Në të kundërt, nëse për faj të tij nuk arrihet lidhja e kontratës së koncesionit, e pranueshme për të dyja palët, subjekti humbet të drejtën e marrjes me koncesion dhe i mbahet garancia bankare për sigurimin e lidhjes se kontratës. Në këtë rast, njoftohet të paraqitet për negocim subjekti i kualifikuar i dyti dhe, nëse ai pranon, përsëritet procedura, duke filluar nga nënshkrimi i kontratës me kusht, e kështu me radhë për subjektet e tjera. Sekretariati ose agjencia, gjatë periudhës së negocimit të kontratës, së koncesionit mund të kryejë kontrolle dhe sondazhe për besueshmërinë e të dhënave të paraqitura nga fituesi i tenderit. 16. Miratimi dhe nënshkrimi i kontratës së koncesionit Kur pas negocimeve, ndërmjet sekretariatit ose agjencisë dhe subjektit, arrihet në përfundim se kontrata e koncesionit, e paraqitur nga subjekti është e pranueshme për të dyja palët, ajo nënshkruhet nga drejtuesi i sekretariatit a i agjencisë dhe nga përfaqësuesi ligjor i subjektit. Kontrata paraqitet nga sekretariati ose agjencia në mbledhjen e radhës së KKU-së ose KBU-së, ku merret vendimi për miratimin ose jo të saj. Në rastin e mosmiratimit, për ndryshime apo plotësime, kontrata i rikthehet sekretariatit ose agjencisë, të cilat pas korrigjimeve, brenda një afati të përcaktuar në mbledhje, e paraqesin përsëri për miratim në KKU ose KBU. Për rastet kur miratimi i kontratës është e drejtë e Këshillit të Ministrave, ajo, pas miratimit nga KKU-ja, dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave. 17. Për kërkesat e paraqitura për përdorimin e ujit për: a) furnizimin me ujë të pijshëm të popullsisë nga ndërmarrjet ose shoqëritë anonime (sha të) të ujësjellës-kanalizimeve; b) ujitjen nga federatat dhe shoqatat e përdoruesve të ujit; lidhet kontratë koncesionare, ndërmjet sekretariatit a agjencisë dhe: përfaqësuesit të pushtetit vendor, që zotëron asetet e ndërmarrjeve ose shoqërive anonime (sha-të) të ujësjellës kanalizimeve, për rastet e shkronjës “a” të kësaj pike; përfaqësuesve të federatave dhe shoqatave të përdoruesve të ujit, për rastet e shkronjës “b” të kësaj pike; Kontratat e koncesionit, për rastet e përmendura në shkronjat “a” e “b” të kësaj pike, lidhen sipas modeleve tip, të miratuara nga KKU-ja. 18. Për kërkesat e paraqitura për përdorimin e ujit, për prodhim hidroenergjie, lidhet kontratë koncesionare ndërmjet ministrive të fushave përkatëse dhe përfaqësuesve të subjekteve që kanë aplikuar për përdorim të ujit. Kontrata e koncesionit për këtë rast negociohet nga palët para miratimit të dhënies së koncesionit nga Këshilli i Ministrave. 19. Organet përgjegjëse për miratimin e kontratës së koncesionit përcaktohen në tabelat nr.1, nr.2 dhe nr.4, që i bashkëlidhen këtij vendimi (kolonat 6, 7, 8 dhe 9). 20. Afatet, brenda të cilave subjekti që ka fituar të drejtën e përdorimit të ujit duhet të fillojë veprimtarinë, janë: për autorizimet 3 muaj; për lejet 2 muaj; për koncesionet afati i shënuar në kontratë. Pas këtij afati, për lejet dhe autorizimet subjekti humbet të drejtën e përdorimit të ujit, kurse për koncesionet, e drejta për përdorim të ujit i jepet, pas plotësimit të të gjitha procedurave të përcaktuara në këtë vendim, subjektit të klasifikuar i dyti në listën e vlerësimit të konkursit. 21. Pranë sekretariatit dhe agjencisë, bazuar në regjimet e përdorimit të ujit, krijohen regjistra të veçantë për: deklarimet për përdorim të lirë të ujit; autorizimet për kërkime, studime dhe zbulime në fushën e ujit, me përjashtim të kërkimit shkencor në fushën e peshkimit dhe akuakulturës; lejet për përdorim uji; koncesionet për përdorim uji. 22. Të gjitha institucionet që kanë lidhje me fushën e përdorimit të ujit, të mos japin leje të reja apo të rinovojnë lejet e lëshuara, nëse subjektet kërkuese nuk janë të pajisura me lejen, autorizimin apo kontratën e koncesionit përkatës për përdorimin e ujit nga KKU-ja dhe KBU-ja. 23. Vendimi nr.63, datë 26.1.2001 i Këshillit të Ministrave “Për procedurat e kërkimit, të shqyrtimit dhe të dhënies së autorizimeve, të lejeve dhe koncesioneve për përdorim të rezervave ujore” dhe udhëzimi nr.2, datë 26.1.2001 i Këshillit të Ministrave, shfuqizohen. 24. Ngarkohet Ministria e Rregullimit të Territorit dhe e Turizmit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Fatos Nano