Regulation No. 22 date 12.1.2018 approving the certification criteria of agro tourism activities
Made 2018-01-12 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Agricultural and rural development
- Keywords
- tourism, certification, governance, inspection, institution
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
VENDIM Nr. 22, datë 12.1.2018 PËR MIRATIMIN E KRITEREVE PËR CERTIFIKIMIN E VEPRIMTARISË SË AGROTURIZMIT Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr. 93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave VENDOSI: I. PARIME TË PËRGJITHSHME 1. Agroturizëm është veprimtaria pritëse, që zhvillohet në një fermë ose njësi tjetër agrikulturore, me qëllimin për të tërhequr vizitorë, shpeshherë duke u mundësuar atyre pjesëmarrjen në veprimtaritë bujqësore ose veprimtari të tjera ndihmëse, që zhvillohen në atë mjedis bujqësor. 2. Agroturizmi mbështet zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm të zonave rurale nëpërmjet mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së traditave dhe promovimit të produkteve tipike të zonës. 3. Çdo subjekt që kërkon të ofrojë veprimtari pritëse të certifikuar, si “agroturizëm”, duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në këtë vendim. Vetëm subjektet e certifikuara sipas këtij vendimi kanë të drejtë të përdorin në emrin e tyre tregtar ose në ambientet e tyre emërtimin “agroturizëm”. II. KRITERET PËR CERTIFIKIMIN E VEPRIMTARISË PRITËSE SI “AGROTURIZËM” 4. Agroturizmi, si veprimtari, mund të zhvillohet në ferma që plotësojnë këto kritere: Ferma bujqësore duhet të ketë, të paktën, 1 ha tokë të mbjellë me kultura bujqësore ose, minimalisht, 0,5 hektarë serra; Ferma blegtorale duhet të mbarështojë, minimalisht, 10 krerë gjedh ose 100 krerë dele/dhi apo 200 krerë shpendë. Te fermat blegtorale klasifikohen edhe stanet; Ferma peshkimi/akuakulture. 5. Agroturizmi mund të zhvillohet edhe në njësi agrikulturore, që kanë si aktivitet përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit e akuakulturës (si, p.sh., pika përpunimi të vajit të ullirit, kantina të përpunimit të rrushit/frutave, pika përpunimi të bulmetit/baxho, peshkut, ferma akuakulture etj.), të cilat janë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive të agroturizmit. 6. Subjektet, që zhvillojnë veprimtari pritëse të klasifikuar si “agroturizëm”, duhet të ofrojnë, minimalisht, njërin nga shërbimet e mëposhtme: a) Akomodim; b) Ushqim dhe pije; c) Veprimtari argëtuese/çlodhëse, të lidhura me fermën ose mjedisin përreth. 7. Subjektet agroturistike, që ofrojnë akomodim, duhet të kenë një kapacitet nga 6 deri 30, por jo më shumë, dhoma pritëse. 8. Strukturat, në të cilat ofrohet shërbimi i akomodimit, sipas klasifikimit të ligjit për turizmin në fuqi, duhet të respektojnë kriteret urbanistike dhe kriteret e tjera në fuqi për ndërtimin, të përcaktuara në planet e përgjithshme vendore. Atje ku është e mundur, godinat duhet të respektojnë traditat lokale të ndërtimit. 9. Akomodimi mund të ofrohet edhe në formën e fushimit, me ambiente për vendosjen e çadrave apo të makinave të fushimit. Në këto raste, subjekti agroturistik garanton kushtet minimale higjieno sanitare (si, p.sh., tualet, ujë të pijshëm, pikë grumbullimi të mbeturinave, lidhje me energjinë elektrike) për një kapacitet maksimal prej 15 makinash fushimi. 10. Ofrimi i ushqimit dhe i pijeve bëhet në ambiente të përshtatshme dhe që plotësojnë normat në fuqi për ushqimin dhe kushtet higjieno-sanitare. Struktura pritëse, ku ofrohet ushqim dhe pije, duhet të ketë, minimalisht, 6 deri në 60, por jo më shumë, tavolina. 11. Ushqimi dhe pijet e ofruara në subjektet agroturistike duhet të jenë me origjinë nga ferma (të prodhuara ose të përpunuara në fermë/njësinë agrikulturore), minimalisht në 30% të sasisë së tyre. Nga 30% deri në 70% të produkteve ushqimore/pijeve lejohet të jenë me origjinë lokale, të prodhuara apo të përpunuara nga prodhues lokalë, që kryejnë aktivitet në bashkinë ku ka selinë agroturizmi. 12. Subjektet agroturistike ofrojnë/mundësojnë për vizitorët e turistët veprimtari argëtuese/çlodhëse, që lidhen me fermën (si, p.sh., por pa u kufizuar në mbjellje/vjelje të produkteve bujqësore, aktivitete të lidhura me kafshët, peshkim artizanal, degustim të produkteve etj.) ose jashtë fermës (si, p.sh., por pa u kufizuar në hipizëm, alpinizëm, ecje në natyrë etj.) III. ORGANET CERTIFIKUESE 13. Për certifikimin e subjekteve dhe dhënien e certifikatës “Subjekt i certifikuar agroturizmi”, pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin ngrihet një komision vlerësues, i përbërë nga 5 anëtarë, 3 prej të cilëve janë përfaqësues të caktuar nga ministri përgjegjës për turizmin dhe 2 nga ministri përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural. 14. Brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ministri përgjegjës për turizmin dhe ministri përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural përcaktojnë, me urdhër të përbashkët, rregulloren e funksionimit të komisionit, si dhe procedurat e aplikimit e të vlerësimit. 15. Subjektet, që aplikojnë për marrjen e certifikatës “Subjekt i certifikuar agroturizmi”, paguajnë një tarifë prej 500 (pesëqind) lekësh në llogarinë e ministrisë përgjegjëse për turizmin. 16. Bazuar në vendimmarrjen e komisionit, ministri përgjegjës për turizmin lëshon certifikatën “Subjekt i certifikuar agroturizmi”. Certifikata lëshohet për një periudhë 5-vjeçare. 17. Modeli i certifikatës miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural. 18. Në rast konstatimi të shkeljes së kritereve të këtij vendimi nga organet përkatëse të bashkive, inspektoratit të turizmit ose organeve kompetente të inspektimit të ushqimit dhe kushteve higjieno sanitare, komisioni, bazuar në kërkesën e organeve konstatuese të shkeljes, mund të marrë vendim për pezullimin dhe/ose revokimin e certifikatës “Subjekt i certifikuar agroturizmi”. 19. Subjektit të cilit i pezullohet/revokohet certifikata, nuk mund ta përdorë atë në ambientet e tij ose në emërtimin tregtar. Subjekti mund të aplikojë sërish për marrjen e certifikatës në rast se plotëson kriteret e përcaktuara nga ky vendim. IV. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE 20. Ministria përgjegjëse për turizmin mban regjistrin e subjekteve të certifikuara si “Subjekt i certifikuar agroturizmi” dhe e përditëson atë në mënyrë periodike. 21. Subjektet që, aktualisht, përdorin në emërtimin tregtar dhe ambientet e tyre emërtimin “agroturizëm”, detyrohen që brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të aplikojnë për marrjen e certifikatës “Subjekt i certifikuar agroturizmi”. 22. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimin në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Edi Rama