Skip to content
Nelum
Laws of Albania

Regulation No. 177 dated 6.3.2012 on packaging and their residues

Made 2012-03-06 · Text as of 2026-10-01

Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.

About this law

Language
Albanian
Kind
Regulation
Country
Albania
Subjects
Waste and hazardous substances
Keywords
packaging/labelling, consumer protection, pollution control, recycling/reuse, waste disposal, waste management

Where to read it

    No source link is recorded for this law.

Text

The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.

  1. VENDIM Nr. 177, datë 6.3.2012 PËR AMBALAZHET DHE MBETJET E TYRE* Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 29 të ligjit nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave VENDOSI: DISPOZITA TË PËRGJITHSHME I. QËLLIMI 1. Qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja, ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit dhe shëndetit të njeriut përmes minimizimit të ndikimeve negative nga ambalazhet dhe mbetjet e tyre. 2. Vendimi synon: a) të parandalojë mbetjet nga gjenerimi i ambalazheve; b) të nxitë grumbullimin e diferencuar, ripërdorimin, riciklimin dhe rikuperimin e mbetjeve nga ambalazhet, duke reduktuar sasitë e tyre që asgjësohen përfundimisht; c) të vendosë rregulla për prodhimin e ambalazheve dhe menaxhimin e mbetjeve të tyre në të gjitha fazat, si dhe të përcaktojë subjektet përgjegjëse për menaxhimin e tyre. II. FUSHA E ZBATIMIT Ky vendim zbatohet për të gjitha llojet e ambalazheve të hedhura në treg në Republikën e Shqipërisë dhe për të gjitha mbetjet nga ambalazhet, të përdorura ose të hedhura nga subjektet shtëpiake, bujqësore, industriale, si dhe nga shërbimet e tjera tregtare, përfshi edhe sektorin publik, pavarësisht nga lloji i materialit ambalazhues. III. PËRKUFIZIME Të gjithë termat e përcaktuar në nenin 3, të ligjit nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, do të shërbejnë si përkufizime dhe do të kenë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa me termat e mëposhtëm, për qëllime të këtij vendimi, nënkuptohen: 1. “Agjencia”, autoriteti publik, siç përcaktohet në kreun X, seksioni 1 të ligjit nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”. 2. “Ambalazh”, përveç përcaktimit të dhënë në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, nënkupton edhe të gjitha produktet, pavarësisht nga materiali përbërës, që përdoren për mbajtjen, mbrojtjen, transferimin, shpërndarjen dhe prezantimin e mallrave nga prodhuesi te përdoruesi apo konsumatori, pavarësisht nga fakti nëse malli brenda tyre është lëndë e parë apo produkt i përpunuar. Termi “ambalazh” i referohet çdo objekti apo sendi që përmbush, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, kriteret e mëposhtme: 2.1 Përmbush funksionin e përmendur më lart, pavarësisht nga funksionet e tjera që ai mund të ketë, si: nuk është pjesë përbërëse e një produkti (malli); nuk është i nevojshëm për të mbështetur apo mbrojtur produktin (mallin) gjatë gjithë ciklit të tij të jetës; dhe nuk synohet që të gjitha elementet e tij të përdoren, të harxhohen apo të asgjësohen së bashku. 2.2 Është projektuar për t’u mbushur në pikat e prodhimit ose shitjes së produktit (mallit) dhe pjesët e tij shiten, mbushen apo projektohen e përdoren për t’u mbushur në pikat e prodhimit ose shitjes, me kusht që të plotësojë funksionin e synuar të ambalazhit. * CELEX Reference: 31994L0062 Titulli i direktivës: 94/62/EC e Parlamentit dhe Këshillit Europian e datës 20 dhjetor 1994 “Për ambalazhet dhe mbetjet nga ambalazhet” hyrë në fuqi më 31 dhjetor 1994, e amenduar me Direktivën 2004/Direktivën 2004/12 të Parlamentit Europian dhe të Këshillit Europian të datës 11 shkurt 2004. 2.3 Është pjesë përbërëse e ambalazhit apo element mbështetës i integruar në ambalazh, me kusht që të mos jetë pjesë përbërëse e produktit (mallit) dhe nuk synohet që të gjitha elementet e tij të përdoren apo të asgjësohen së bashku. 3. “Ambalazh i grupuar ose ambalazh i dytë”, njësia ambalazhuese që përmban një grup produktesh (mallra) të paketuara në ambalazhe shitjeje, në mënyrë që produkti të merret nga konsumatori, qoftë në ambalazh të grupuar, qoftë në ambalazh shitjeje. Ai mund të hiqet nga produkti pa ndikuar në karakteristikat e tij. Nëse ambalazhet e grupuara, në të njëjtën kohë, kanë dhe funksionin e ambalazheve për shitje, ato konsiderohen si ambalazhe shitjeje. 4. “Ambalazh me shumë përdorime”, ambalazhi, i cili, pasi është boshatisur, ripërdoret për të njëjtin qëllim. 5. “Ambalazh me shumë shtresa”, ambalazhi i përbërë nga materiale të ndryshme, të cilat nuk mund të ndahen në mënyrë manuale. 6. “Ambalazhe plastike që nuk biodegradohen”, ambalazhet plastike që janë me përbërës, të cilët nuk janë të biodegradueshëm. 7. “Ambalazhe plastike të biodegradueshme”, ambalazhet që janë prodhuar dhe janë plotësisht të biodegradueshme dhe të dekompozueshme. 8. “Ambalazh shitjeje ose ambalazh i parë”, njësia e ambalazhit në të cilën shitet produkti te konsumatori. Këtu përfshihen dhe pjatat, lugët, pirunët e thikat njëpërdorimshme, si dhe çdo ambalazh i cili mbushet në vendin e shitjes së produktit (mallit) te konsumatori. 9. “Ambalazh transporti ose ambalazh i tretë”, ambalazhet që përdoren për të lehtësuar lëvizjen dhe transportin e një sasie të caktuar produktesh, të paketuara në ambalazhe shitjeje dhe/ose në ambalazhe të grupuara dhe që shërbejnë për të parandaluar dëmtimin e mundshëm të tyre gjatë transferimit fizik dhe transportit. Ambalazh transporti mund të jetë një fuçi, kuti, thes, paletë. Në këtë lloj ambalazhi nuk përfshihen kontejnerët për transportin rrugor, hekurudhor, detar dhe ajror të mallrave, përveç kur këto, në të njëjtën kohë, kanë dhe funksionin e ambalazheve për shitje duke u konsideruar ambalazhe shitjeje. 10. “Ambalazhues”, çdo subjekt, tregtar apo shtetëror, i cili paketon mallra (produkte) dhe i hedh ato në treg për qëllime të aktivitetit të tij. 11. “Biodegradim” ose “Degradimi biotik”, shpërbërja ose dekompozimi i mbetjeve të ambalazheve nga bakteret ose me mënyra të tjera biologjike. 12. “Furnizues i fundit”, subjekti tregtar që shpërndan mallra të ambalazhuara në ambalazhe shitjeje, ambalazhe të grupuara apo ambalazhe transporti drejtpërdrejt te konsumatori, pavarësisht nëse ky subjekt është apo jo edhe prodhues ose importues i këtyre mallrave. 13. “Konsumator”, personi, fizik ose juridik, që e nxjerr produktin nga ambalazhi për ta konsumuar përfundimisht. 14. “Kosto e menaxhimit të mbetjeve”, tarifa sipas llojit të materialit të ambalazhit, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për menaxhimin e tyre. Këtu përfshihen shpenzimet e grumbullimit të diferencuar, qendrat e transferimit dhe diferencimit të mëtejshëm, të magazinimit të përkohshëm, transportimit të tyre për në vendet e trajtimit. 15. “Marrëveshje vullnetare”, marrëveshja e përfunduar ndërmjet autoriteteve publike kompetente nga njëra anë dhe subjekteve ose sektorëve ekonomikë të interesuar nga ana tjetër, e hapur për të gjitha palët që kanë interesa të ligjshme dhe marrin përsipër të plotësojnë kushtet e parashikuara në këtë marrëveshje dhe objektivat e përcaktuar në këtë vendim. 16. “Material ambalazhi”, materiali nga i cili prodhohet ambalazhi. Materialet e ambalazheve që rregullohen nga ky vendim janë; i) letra, kartoni, kartoni i rrudhosur; ii) qelqi; iii) druri; iv) qeramika, porcelani; v) metalet; vi) fibrat tekstile; vii) plastika; viii) kompozitet; ix) materiale ambalazhi të tjera, në veçanti ato me bazë biologjike. 17. “Mbetje bashkiake”, mbetjet nga ambalazhet, që shkaktohen si pasojë e përdorimit të produkteve të ambalazhuara në sektorin shtëpiak, në administratë, në vende sociale dhe publike. Këtu përfshihen edhe mbetjet nga tregtia, aktivitetet e punës me dorë, të shërbimeve apo aktiviteteve të tjera që janë të ngjashme me mbetjet nga ambalazhet të shkaktuara nga sektori shtëpiak, administrata, vendet publike apo sociale. 18. “Mbetje jobashkiake”, mbetjet nga ambalazhet që shkaktohen si pasojë e prodhimit, shitjes së mallrave apo aktiviteteve të ngjashme me to. 19. “Mbetje nga ambalazhi”, të gjitha ambalazhet ose materialet e tyre të biodegradueshme ose jo të biodegradueshme, të përcaktuara në vendimin nr. 99, datë 18.2.2005 të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut shqiptar të mbetjeve”, nën kodin 1501 (kodet 15 01 01 deri 15 01 11*) dhe përfshijnë çdo ambalazh ose material ambalazhimi, i cili mbetet pas nxjerrjes dhe veçimit të produktit nga ambalazhi, duke përjashtuar mbetjet nga prodhimi. 20. “Menaxhimi i mbetjeve nga ambalazhet”, grumbullimi, magazinimi i përkohshëm, transportimi, riciklimi, rikuperimi i tyre, përfshirë dhe mbikëqyrjen e këtyre operacioneve. 21. “Ministri”, ministri përgjegjës për mjedisin. 22. “Ministria”, ministria përgjegjëse për mjedisin. 23. “Njësi e qeverisjes vendore”, komuna, bashkia, qarku dhe nënndarjet e tyre, në përputhje me ligjin nr. 8652, datë 31.7.2000“Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar. 24. “Operator ekonomik” ka kuptimin që jepet në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. 25. “Parandalim” ka kuptimin që jepet në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. 26. “Prodhues i mallrave të ambalazhuara”, çdo subjekt tregtar, person, fizik dhe/ose juridik, i cili prodhon ose importon dhe hedh në treg për qëllim të aktivitetit të tij tregtar mallra të mbështjella në ambalazhe shitjeje, ambalazhe të grupuara apo në ambalazhe transporti, si dhe prodhuesit apo importuesit e ambalazheve që mbushen në vendin e shitjes së produktit. 27. “ppm” (parts për milion), njësi matëse “pjesë për milion”. 28. “Prodhuesit e ambalazheve”, një subjekt tregtar, person, fizik dhe/ose juridik, që prodhon ose importon ambalazhe, duke përjashtuar prodhuesit apo importuesit e ambalazheve që mbushen në vendin e shitjes së produktit. 29. “Qese plastike”, ambalazhet plastike që përdoren në pikat e shitjes me shumicë apo pakicë, supermarkete dhe pika shitjeje të zakonshme. 30. “Riciklim”, ka kuptimin që jepet në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. 31. “Riciklim organik”, trajtimi aerobik (kompostim) apo an-aerobik (biometanizim) në kushte të kontrolluara dhe duke përdorur mikroorganizma të pjesëve të biodegradueshme të mbetjeve të ambalazheve, që prodhojnë mbetje organike të stabilizuara apo metan. Lendfilli nuk konsiderohet si riciklim organik. 32. “Rikuperim” ka kuptimin që jepet në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. 33. “Rikuperim energjie”, përdorimi i mbetjeve të djegshme të ambalazheve si një mënyrë për të gjeneruar energji, përmes incinerimit të drejtpërdrejtë të tyre, me ose pa praninë e mbetjeve të tjera, por me rikuperim nxehtësie. 34. “Ripërdorim”, ka kuptimin që jepet në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. 35. “Sistem i pagesave të rimbursueshme”, sistemi sipas së cilit blerësi në momentin e blerjes së një produkti të ambalazhuar parapaguan një vlerë të caktuar, e cila, në këmbim të kthimit të një sasie ambalazhi, i rikthehet atij: i) në vlerë monetare; ii) në trajtë të një malli apo produkti tjetër me vlerë të njëjtë me shumën e parapaguar. 36. “Stacion transferimi”, një qendër e autorizuar dhe e specializuar, ku dërgohet përmbajtja e të gjithë koshave të mbetjeve të riciklueshme të thata, të asaj njësie të qeverisjes vendore, për të realizuar ndarjen e mëtejshme e të veçuar sipas rrymave specifike të mbetjeve, si ambalazheve të letrës e kartonit, të plastikës, të qelqit etj. 37. “Shitës”, një person, fizik ose juridik, i cili e shet ose e ofron produktin e paketuar te konsumatori. 38. “Trajtimi i mbetjeve nga ambalazhet”, procedura në të cilën, gjatë procesit mekanik, fizik, termik, kimik ose biologjik, përfshirë grumbullimin e diferencuar, karakteristikat e mbetjeve ndryshohen me qëllim që të reduktohet sasia e tyre, duke lehtësuar, në këtë mënyrë, menaxhimin dhe përmirësimin e përdorimit të tyre. IV. PRODHIMI I AMBALAZHEVE Prodhuesit e materialeve të ambalazheve dhe të ambalazheve e të mallrave të ambalazhuara përdorin teknikat më të mira të disponueshme, sipas përcaktimit të bërë për to në ligjin nr. 10 448, datë 14.7.2011 “Për lejet e mjedisit”. Këto teknologji kontribuojnë në: a) zvogëlimin e sasisë së mbetjeve të përftuara nga ambalazhet; b) parandalimin dhe pakësimin e materialeve përbërëse të ambalazhit të dëmshme për mjedisin; c) shfrytëzimin e ambalazhit duke e ripërdorur, përpunuar, ricikluar dhe duke e rikuperuar atë. V. MASAT PËR PARANDALIMIN E GJENERIMIT TË MBETJEVE NGA AMBALAZHET 1. Operatorët ekonomikë marrin masat e nevojshme për parandalimin e gjenerimit të mbetjeve të ambalazheve, duke përmbushur kriteret e përcaktuara në kreun VI, të këtij vendimi, për kërkesat specifike për ambalazhet. 2. Shitësit përcaktojnë çmimin e ambalazhit të mallrave që ambalazhohen në pikën e tyre të shitjes dhe e pasqyrojnë atë si zë më vete në faturën përkatëse që i lëshojnë blerësit. 3. Prodhuesit e materialeve të ambalazheve dhe të ambalazheve, në zbatim të programeve kombëtare, rajonale e vendore, për parandalimin e mbetjeve, hartojnë programet e tyre specifike për parandalimin e gjenerimit të mbetjeve të ambalazheve. 4. Agjencitë rajonale të mjedisit miratojnë programet e parandalimit të gjenerimit të mbetjeve nga subjektet e përcaktuara në pikën 3, të këtij kreu, duke pasur parasysh sigurimin e zbatimit të parimit të përgjegjësisë mjedisore për çdo operator. 5. Inspektorët rajonalë mjedisorë kontrollojnë zbatimin e programit të parandalimit të mbetjeve të subjekteve të përcaktuara më sipër. VI. KËRKESA THELBËSORE PËR PRODHIMIN DHE PËRBËRJEN E AMBALAZHEVE 1. Prodhuesit e materialeve të ambalazheve prodhojnë dhe hedhin në treg ambalazhe, në përputhje me kërkesat thelbësore të përcaktuara në këtë vendim, përfshirë edhe ato të përcaktuara në shtojcën nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi. 2. Ambalazhi konsiderohet në përputhje me kërkesat thelbësore të këtij rregulli teknik kur ai është në përputhje me: a) standardet e harmonizuara shqiptare, referenca e të cilave është botuar në Fletoren Zyrtare; b) kur nuk ekzistojnë Standardet e Harmonizuara Shqiptare, me standardet e parashikuara në pikën, të këtij kreu. VII. NIVELI I PËRQENDRIMIT TË METALEVE TË RËNDA NË AMBALAZH 1. Prodhuesit e ambalazheve, të materialeve të ambalazheve dhe të mallrave të ambalazhuara prodhojnë ambalazhe dhe materiale ambalazhesh apo tregtojnë ambalazhe, me kusht që shuma e niveleve të përqendrimit të plumbit, kadmiumit, merkurit ose kromit hekzavalent të pranishëm në ambalazh apo pjesë të ambalazhit, brenda afateve kohore të mëposhtme, sipas shtojcës nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi, nuk kapërcen: a) gjashtëqind ppm të peshës, deri më 30 qershor 2014; b) dyqind e pesëdhjetë ppm të peshës, deri më 30 qershor 2015; c) njëqind ppm të peshës, deri më 30 qershor 2017. 2. Kërkesat e pikës 1 të këtij kreu, nuk zbatohen për ambalazhet që përbëhen tërësisht prej qelqit, me kristal prej plumbi. VIII. SISTEMI I SHËNJIMIT DHE IDENTIFIKIMIT TË AMBALAZHEVE 1. Prodhuesi i mallrave të ambalazhuara apo ambalazhuesi shënon mbi çdo ambalazh të hedhur në treg: a) numrin e identifikimit dhe shkurtimin e emërtimit të materialeve të ambalazheve sipas shtojcës nr. 4, bashkëlidhur këtij vendimi; b) shenjën e riciklimit/rikuperimit të ambalazhit sipas shtojcës nr. 4, bashkëlidhur këtij vendimi; c) shënimin që njofton detyrimin për grumbullim të diferencuar të mbetjeve nga ambalazhet. 2. Subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu, janë të detyruara që të vendosin shënimin përkatës për materialin e biodegradueshëm sipas shtojcës nr. 4, bashkëlidhur këtij vendimi. 3. Subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu, marrin masa, që, brenda muajit janar 2013, të sigurojnë që shënimet mbi ambalazh të jenë të qarta, të lexueshme dhe të qëndrueshme edhe pasi të jetë hapur ambalazhi. 4. Subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu, duhet t’i vendosin shënimet e sipërpërmendura mbi ambalazh ose mbi markën e tij. IX. RIPËRDORIMI I MBETJEVE TË AMBALAZHEVE 1. Operatorët ekonomikë marrin masa për të nxitur ripërdorimin e ambalazheve, sikurse përcaktohet në kreun XI të këtij vendimi. 2. Operatorët ekonomikë marrin masat e nevojshme dhe i njoftojnë përdoruesit për mundësinë e ripërdorimit të ambalazheve. X. RICIKLIMI DHE RIKUPERIMI 1. Çdo prodhues i mallrave të ambalazhuara apo ambalazhues që ushtron veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë do të rikuperojë dhe do të riciklojë minimalisht sasitë e përcaktuara më poshtë të ambalazheve dhe mbetjeve nga ambalazhet, brenda kufijve kohorë, si më poshtë vijon: a) Jo më vonë se data 30 qershor 2017: i) rikuperon ose incineron në incineratorë mbetjesh me rikuperim energjie 50-65% të mbetjeve nga ambalazhet e gjeneruara në territorin e Republikës së Shqipërisë; ii) riciklon 25-45% të totalit të peshës totale të materialeve që përmbahen në mbetjet e ambalazhit dhe të paktën 15% të peshës për secilin material në veçanti; b) Jo më vonë se data 31 dhjetor 2019: i) rikuperon ose incineron në incineratorë mbetjesh me rikuperim energjie 60% të mbetjeve nga ambalazhet; ii) riciklon 55-80% të peshës së ambalazheve; iii) riciklon, sipas llojit të materialit të mbetjes së ambalazhit: 60% të qelqit; 60% të letrës dhe kartonit; 50% të metalit; 22,5% të plastikës, duke llogaritur vetëm atë që riciklohet përsëri në plastikë; 15% të drurit. 2. Objektivat e përcaktuar në pikën 1 të këtij kreu, janë të detyrueshëm për t’u arritur edhe në nivelin e çdo njësie të qeverisjes vendore. 3. Mbetjet e ambalazheve të eksportuara llogariten për efekt të realizimit të objektivave vetëm në bazë të dokumenteve, ku evidentohet se operacionet e rikuperimit dhe/ose riciklimit janë kryer në kushte të ngjashme ose shumë të ngjashme me ato të përcaktuara në legjislacionin e Bashkimit Europian për këtë çështje. XI. SISTEMET E GRUMBULLIMIT, KTHIMIT DHE RIKUPERIMIT 1. Prodhuesi i mallrave të ambalazhuara dhe prodhuesi i ambalazheve që mbushen në pikën e shitjes apo persona të tretë që veprojnë në emër të tyre marrin masa që të financojnë të gjitha kostot, që rrjedhin për ngritjen dhe funksionimin e sistemeve të kthimit e rikuperimit të mbetjeve të ambalazheve, individualisht apo në bashkëpunim ndërmjet tyre, brenda një afati prej 4 (katër) vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. 2. Përdoruesi shtëpiak dhe joshtëpiak hedh mbetjet e ambalazheve në vendin e treguar për dorëzimin e mbetjeve të ambalazheve nga subjektet e përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, dhe/ose në vendet e përcaktuara nga njësia e qeverisjes vendore përkatëse, bazuar në rregulloren e miratuar prej saj. 3. Subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu, me qëllim që të ruajnë të pacenuar cilësinë e mbetjeve të ambalazheve që shkojnë për ripërdorim apo riciklim, marrin masat për transportimin me mjete të përshtatshme, në mënyrë të diferencuar, të mbetjeve të ambalazheve dhe, në asnjë rast, nuk lejojnë transportimin e mbetjeve bashkiake të përziera. 4. Subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu, peshojnë mbetjet e ambalazheve sipas materialit të tyre dhe kryejnë rregullisht regjistrimin e të dhënave në regjistrat e tyre, të krijuara për këtë qëllim. 5. Subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu, u dorëzojnë subjekteve ricikluese mbetje ambalazhesh të përbëra prej materialeve që ato riciklojnë, kundrejt dorëzimit të formularit 2, siç përshkruhet në shtojcën nr.5, bashkëlidhur këtij vendimi, ku evidentohen të dhëna për ambalazhet e grumbulluara dhe ato të dërguara për përpunim e riciklim. XII. MONITORIMI DHE RAPORTIMI 1. Prodhuesi i mallrave të ambalazhuara dhe prodhuesi i ambalazheve që mbushen në pikën e shitjes apo persona të tretë që veprojnë në emër të tyre, brenda datës 31 janar të çdo viti, raportojnë në njësinë e qeverisjes vendore përkatëse të dhënat e regjistruara për vitin paraardhës, në përputhje me kërkesat e pikës 4 të kreut XI të këtij vendimi. 2. Njësitë e qeverisjes vendore llogaritin të dhënat e marra e të regjistruara nga subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu, për gjithë territorin nën juridiksionin e tyre për vitin kalendarik paraardhës dhe i regjistrojnë ato në regjistrat e tyre, të krijuar për këtë qëllim. 3. Njësitë e qeverisjes vendore raportojnë, brenda datës 28 shkurt të çdo viti në agjenci, shifrat e realizuara të grumbullimit për vitin paraardhës, sipas pikës 4 të kreut XI të këtij vendimi, dhe në total për gjithë territorin nën juridiksionin e tyre. 4. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raporton, brenda datës 28 shkurt të çdo viti, në agjenci, për importet dhe eksportet e mallrave ambalazh dhe të mallrave të ambalazhuara për vitin paraardhës, në bazë të peshës së tyre. 5. Agjencia llogarit për gjithë territorin e vendit dhe regjistron në regjistrat e saj, të krijuar për këtë qëllim: a) peshën e përgjithshme të mbetjeve të ambalazheve të grumbulluara në mënyrë të diferencuar; b) peshën e përgjithshme të mbetjeve të ambalazheve sipas llojit të materialit përbërës. 6. Agjencia i përfshin rezultatet e përqindjeve të grumbullimit të mbetjeve të ambalazheve në raportet e gjendjes së mjedisit. 7. Agjencia krijon, administron dhe përditëson një sistem database për ambalazhet dhe mbetjet e tyre, duke marrë në konsideratë, por pa u kufizuar, në të dhënat e tabelave 1 dhe 2 në shtojcën nr. 6, bashkëlidhur këtij vendimi. 8. Sistemi i regjistrimit database, përveç të tjerave, jep informacion për përmasat, karakteristikat dhe evolucionin e rrymave të ambalazheve dhe mbetjeve të tyre, toksicitetin apo rrezikun e materialeve të ambalazhit dhe të përbërësve nga të cilat është prodhuar. 9. Ministria i vendos rezultatet e këtij regjistrimi e monitorimi në dispozicion të publikut, bazuar në nenin 60 të ligjit nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”. XIII. INFORMIMI I PËRDORUESVE TË AMBALAZHEVE Ministria, njësitë e qeverisjes vendore dhe operatorët ekonomikë marrin masat e nevojshme, që, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të njoftojnë përdoruesit dhe, në mënyrë të veçantë, konsumatorët për: a) sistemet e kthimit, grumbullimit dhe rikuperimit që janë në dispozicion të tyre për mbetjet nga ambalazhet; b) pagesën që bën blerësi për ambalazhet që mbushen në pikën e shitjes; c) rolin dhe kontributin e tyre në grumbullimin e diferencuar, në ripërdorimin, rikuperimin dhe riciklimin e ambalazheve dhe mbetjeve të tyre; ç) kuptimin e shenjave mbi ambalazhet që janë hedhur në treg; d) rëndësinë e përmbushjes dhe elementet përbërëse të planit kombëtar, rajonal e lokal të menaxhimit të ambalazheve dhe mbetjeve të tyre. XIV. INSTRUMENTET EKONOMIKE 1. Përdoruesit e ambalazheve dhe mallrave të ambalazhuara, si dhe prodhuesit dhe/ose palët e treta që veprojnë në emër të tyre përdorin instrumente ekonomike që nxitin zbatimin e kërkesave të këtij vendimi (si taksa produkti, taksa të diferencuara etj.), duke marrë në konsideratë parashikimet e bëra në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, apo mbështetur në akte të tjera, ligjore e nënligjore. 2. Prodhuesit e ambalazheve, të mallrave të ambalazhuara e të materialeve të ambalazheve dhe persona të tretë, që veprojnë në emër të tyre, përdorin instrumente ekonomike (sisteme të rimbursimit të pagesave etj.), që nxitin: a) grumbullimin e mbetjeve të ambalazheve; b) përdorimin e materialeve ambalazhuese që nuk përmbajnë substanca të rrezikshme. XV. NDALIME 1. Ndalohen prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e ambalazheve kur nuk respektohen nga subjektet përgjegjëse kërkesat për nivelet e përqendrimit të metaleve të rënda në ambalazhe, të përcaktuara në kreun VII të këtij vendimi. 2. Ndalohen prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike nën 30µ (mikro) (15 për çdo anë). 3. Mbas datës 1 shtator 2012 ndalohen prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjithë operatorët ekonomikë. 4. Mbas datës 1 shtator 2012 ndalohet importimi i qeseve të plastikës të pabiodegradueshme. 5. Mbas datës 1 janar 2013 ndalohen përdorimi dhe tregtimi i qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjitha njësitë tregtare. 6. Ndalohet transporti i mbetjeve të ambalazheve me mjetet që transportojnë mbetje organike të përziera shtëpiake/bashkiake. DISPOZITA TË FUNDIT XVI. ORGANET PËRGJEGJËSE DHE AKTE TË MINISTRIT PËRGJEGJËS PËR MJEDISIN Ngarkohen Ministria, Inspektorati Qendror Teknik, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, njësitë e qeverisjes vendore dhe të gjithë operatorët ekonomikë e subjektet e përcaktuara në këtë vendim për zbatimin e këtij vendimi. XVII. SANKSIONET Shkelja e parashikimeve të këtij vendimi, kur ato nuk përbëjnë vepër penale, i nënshtrohet sanksioneve të përcaktuara në nenin 62 të ligjit nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si dhe sanksioneve të tjera, të parashikuara nga dispozitat ligjore përkatëse. XVIII. SHTOJCAT Shtojcat bashkëlidhur këtij vendimi janë pjesë përbërëse e tij. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Sali Berisha SHTOJCA NR. 1 SHEMBUJ ILUSTRUES PËR KRITERET E PËRMENDURA NË PIKËN 1 TË PËRKUFIZIMEVE 1. Shembuj ilustrues për kriterin 1.1 Ambalazh: Kuti ëmbëlsirash; mbështjellësja me një fletë të hollë metalike e një kutie CD. Joambalazh: Vazo lulesh të projektuara për të qëndruar me bimën gjatë gjithë ciklit të jetës së tyre; kuti veglash; qese/paketa çaji; shtresat e dyllit përreth djathit; lëkurat e sallameve. 2. Shembuj ilustrues për kriterin 1.2 Ambalazhe nëse janë projektuar dhe synuar që të mbushen në pikën e shitjes: Qese mbajtëse prej letre ose plastike; pjata dhe gota njëpërdorimshme; qese mbështjellëse plastike; qese sanduiçësh; mbështjellëse alumini; përzierës; lugë, pirunë e thika njëpërdorimshme 3. Shembuj ilustrues për kriterin 1.3 Ambalazhe: Etiketa që vendosen drejtpërsëdrejti ose ngjiten te produkti Pjesë e ambalazhit; furça rimelesh që përbëjnë pjesë të rimelit; kapëse letrash; doreza plastike; pajisje për matjen e dozave që janë të përfshirë në pluhurat larës. SHTOJCA NR. 2 KËRKESAT THEMELORE PËR PËRBËRJEN, RIPËRDORIMIN DHE RIKUPERIMIN, PËRFSHIRË RICIKLIMIN E AMBALAZHEVE 1. Kërkesa specifike për prodhimin dhe përbërjen e ambalazheve Ambalazhet do të prodhohen në mënyrë të tillë që volumi i ambalazhit dhe pesha e tij të kufizohet në masën minimale të mundshme që njëkohësisht siguron nivelin e nevojshëm të sigurisë, higjienës dhe pranueshmërisë, si për produktin e ambalazhuar ashtu edhe për konsumatorin. Ambalazhet do të projektohen, prodhohen dhe tregtohen në mënyrë të tillë që të lejojnë ripërdorimin ose rikuperimin e tij, duke përfshirë riciklimin, dhe të minimizojnë ndikimin në mjedis të mbetjeve të ambalazheve gjatë menaxhimit apo çka tepron prej këtyre operacioneve gjatë asgjësimit të tyre. Ambalazhet duhet të prodhohen, në mënyrë të tillë që prania e substancave të dëmshme dhe substancave dhe materialeve të tjera të rrezikshme, si përbërës të materialit të ambalazheve apo të ndonjë prej përbërësve të ambalazheve, të minimizohet për sa i përket pranisë së tyre në shkarkimet në ajër, hirin, apo lëngjet e kullimit kur ambalazhet apo mbetjet e tyre pas operacioneve të tjera të menaxhimit incinerohen apo asgjësohen në lendfill. 2. Kërkesat specifike sipas natyrës së ripërdorimit të ambalazheve Njëkohësisht duhet të plotësohen edhe kërkesat e mëposhtme: Veçoritë dhe karakteristikat fizike të ambalazheve duhet të bëjnë të mundur realizimin e një numri udhëtimesh apo rrotullimesh në kushte përdorimi normalisht të parashikueshme. Mundësia për përpunimin e ambalazheve të përdorura me qëllim që të përmbushen kërkesat për shëndetin dhe sigurinë e fuqisë punëtore. Plotësimin e kërkesave specifike për rikuperimin e ambalazheve kur ambalazhet nuk ripërdoren më dhe kthehen në mbetje. 3. Kërkesat specifike sipas natyrës së rikuperueshmërisë së ambalazheve a) Ambalazh i rikuperueshëm në formën e riciklimit të materialeve Ambalazhi duhet të prodhohet në mënyrë të tillë që të mundësojë riciklimin e një përqindjeje të caktuar të peshës së materialeve të përdorura për prodhimin e produkteve të tregëtueshme, në përputhje me standardet aktuale në fuqi në Komunitetin Europian. Vendosja e kësaj përqindjeje mund të ndryshojë në varësi të llojit të materialit prej të cilit është përbërë ambalazhi. b) Rikuperimi në formën e rikuperimit të energjisë Mbetjet e ambalazheve të përpunuara me qëllim rikuperimin e energjisë do të kenë një vlerë minimale kalorike të caktuar në mënyrë që të mundësojnë optimizimin e rikuperimit të energjisë. c) Ambalazhe të rikuperueshme në formën e kompostimit Mbetjet e ambalazheve që përpunohen në formën e kompostimit do të jenë të një natyre të tillë të biodegradueshme që të mos pengojnë grumbullimin e diferencuar dhe procesin ose aktivitetin e kompostimit. d) Ambalazhe të biodegradueshme Mbetjet nga ambalazhet e biodegradueshme duhet të jenë të një natyre të tillë që të përballojnë zbërthimet fizike, kimike, termike ose biologjike, në mënyrë që pjesa më e madhe e masës së formuar në fund, të dekompozohet në dioksid karboni, biomasë dhe ujë. SHTOJCA NR. 3 DEKLARATAT E PËRPUTHSHMËRISË DEKLARATA E PËRPUTHSHMËRISË Me kërkesat e seksionit VII “Niveli i përqendrimit të metaleve të rënda në ambalazh” të vendimit të Këshillit të Ministrave nr….. datë …… “Për ambalazhet dhe mbetjet nga ambalazhet. Nr ……. , datë ……… Prodhuesi/importuesi i ambalazheve/ materialeve të ambalazheve: ………………… ....... (emërtimi i kompanisë/ emri i subjektit tregtar, nr. NIPT-i) Përfaqësuar nga:……………………………………………………………………………… (emri dhe mbiemri, funksioni) Të dhënat e kompanisë/ subjektit tregtar:…………………………………………………... (adresa e selisë/ objekti i aktivitetit tregtar, telefon, fax etj. ) DEKLAROJ SE: 1. Ambalazhi/ materiali i ambalazhit : …………………………………………………………… (identifikimi i sasisë dhe materialit të ambalazhit) I përgjigjet kërkesave të seksionit VII “Niveli i përqendrimit të metaleve të rënda në ambalazh” të vendimit të Këshillit të Ministrave nr….. datë……. “Për ambalazhet dhe mbetjet nga ambalazhet”. 2. Ambalazhi/ materiali i ambalazhit është prodhuar në përputhje me;………………… (identifikimi i standardit përkatës shqiptar) Unë deklaroj se jam i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë time në lidhje me ligjin “Për menaxhimin e mbetjeve”. ......................................................... ................................................................................... (vendi dhe data e lëshimit) (firma dhe vula e prodhuesit, importuesit ) DEKLARATË PËRPUTHSHMËRIE Me kërkesat e seksionit VI “Kërkesa specifike për prodhimin dhe përbërjen e ambalazheve” të vendimit të Këshillit të Ministrave nr….. datë …… “Për ambalazhet dhe mbetjet nga ambalazhet” Nr. ……. datë. ……… Prodhuesi/importuesi i materialeve të ambalazheve/ ambalazheve; ………………… ....... (emërtimi i kompanisë/ emri i subjektit tregtar, nr. NIPT-i) Përfaqësuar nga;……………………………………………………………………………… (emri dhe mbiemri, funksioni) Të dhënat e kompanisë/ subjektit tregtar;…………………………………………………... (adresa e selisë/ aktivitetit tregtar, telefon, fax etj. ) DEKLAROJ SE: 1. Ambalazhi/materiali i ambalazhit:……………………………………………………... (identifikimi i sasisë dhe materialit të ambalazhit) I përgjigjet kërkesave të seksionit III “Kërkesa specifike për prodhimin dhe përbërjen e ambalazheve” të vendimit të Këshillit të Ministrave nr….. datë……. “Për ambalazhet dhe mbetjet nga ambalazhet”. 2. Ambalazhi/ materiali i ambalazhit është ekzaminuar në .. … ...................... (emrin dhe adresën e laboratorit ekzaminues të akredituar, të dhënat e dokumentit, datë, nr. prot. etj. ) Unë deklaroj se jam i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë time në lidhje me ligjin “Për menaxhimin e mbetjeve”. ................................................ ................................................................................... (vendi dhe data e lëshimit) (firma dhe vula e prodhuesit, importuesit ) SHTOJCA NR. 4 SISTEMI I IDENTIFIKIMIT TË AMBALAZHEVE Identifikimi i materialeve të ambalazhit bëhet sipas një sistemi numrash dhe/ose shkurtimesh të mëposhtme. Këto shkurtime vendosen mbi ambalazh. Përdorimi i numrave dhe shkurtimeve të tjera për identifikimin e të njëjtave materiale nuk lejohet. Numrat: 1-9 i takojnë plastikës; 20-30 i takojnë letrës dhe kartonit; 40-49 i takojnë metalit; 50-59 i takojnë drurit; 60-69 i takojnë tekstileve; dhe 70-79 i takojnë qelqit. Shkurtimet bëhen me shkronja kapitale, p.sh.: a) Disa shembuj për shkurtime dhe numra për plastikën Polietilen tereftalat: PET; Polietilen me dendësi të lartë: HDPE, 2; Klor polivinil: PVC, 3; Polietilen me dendësi të ulët: LDPE, 4; Polipropilen: PP, 5; Polistiren: PS, 6. b) Shkurtime dhe numra për letrën dhe pllakën e presuar Pllakë e presuar e valëzuar: PAP, 20; Pllakë e presuar jo e valëzuar: PAP, 21; Letër: PAP, 22. c) Shkurtime dhe numra për metalet Çeliku: FE, 40; Alumini: ALU, 41. d) Shkurtime dhe numra për materialet e drurit Druri: FOR, 50; Tapa: FOR, 51. e) Shkurtime dhe numra për materialet tekstile Pambuku: TEX, 60; Fibra copash(Jute): TEX, 61. f) Shkurtime dhe numra për qelqin Qelq pa ngjyrë: GL, 70; Qelq jeshil: GL, 71; Qelq kaf GL, 72. g) Shkurtime dhe numra për materialet e përbëra Për lëndët e përbëra C/ plus shkurtimet e materialit dominues; Letër dhe pllakë e presuar/metale të tjera: 80; Letër dhe pllakë e presuar/plastika: 81; Letër dhe pllakë e presuar/alumini: 82; Letër dhe pllakë e presuar/teneqe: 83; Letër dhe pllakë e presuar/plastika/alumini: 84; Letër dhe pllakë e presuar/plastika/teneqe: 85; Plastika/alumini: 90; Plastika/teneqe: 91; Plastika/metale të tjera: 92; Qelq/plastikë: 95; Qelq/alumin: 96; Qelq/teneqe: 97; Qelq/metale të tjera: 98. Shenja për riciklueshmërinë/rikuperueshmërinë e ambalazhit dhe llojin e materialit nga i cili është prodhuar. Shenja për evidentimin e materialit ambalazhues i cili është i biodegradueshëm Shenjat e identifikimit të materialit shënohen në qendër ose poshtë shenjës grafike që tregon riciklueshmërinë apo rikuperueshmërinë e ambalazhit apo që përbëhet nga material i biodegradueshëm. SHTOJCA NR. 5 FORMULARI 1 1. Të dhënat për ambalazhin e hedhur në treg: datë 2. Të dhënat për prodhuesin/ambalazhuesin Kompania: Personi i Kontaktit: Tel/Fax: Adresa: Numri unik i identifikimit të kompanisë tregtare (NIPT) 3. Të dhënat për llojin dhe sasinë e ambalazhit që është hedhur në treg Lloji i materialit të ambalazhit Përmbajtja e metaleve të rënda mg/kg Sasia e hedhur në treg (kg) Sasia e ambalazhit të hedhur në treg njësia e ambalazhit (copë) Sasia e ambalazhit të: eksportuar - importuar 1. Qelq 2. Metal 3. Letër-karton dhe ambalazh shumështresor i përbërë prej letre 4. Plastikë 5. Dru 6. Ambalazh prej materialeve të tjera 4. Personi përgjegjës për të dhënat: Formulari 2 5. Të dhënat për ambalazhin e grumbulluar dhe çuar në përpunim, riciklim Raportimi për vitin Ambalazhi i hedhuri në treg: datë 6. Të dhënat për prodhuesin/ambalazhuesin Kompania: Personi i kontaktit: Tel/Fax: Adresa: Numri unik i identifikimit të kompanisë tregtare (NIPT) 7. Të dhënat për llojin dhe sasinë e ambalazhit Sasia e dorëzuar te përpunuesi (kg) Lloji i materialit të ambalazhit Sasia e përgjithshme e grumbulluar (kg) Sasia për riciklim (kg) Sasia për mënyra të tjera të përpunimit (kg) Sasia e eksportuar Përpunuesi 7. Qelq 8. Metal 9. Letër-karton dhe ambalazh shumështresor i përbërë prej letre 10. Plastikë 11. Dru 12. Ambalazh prej materialeve të tjera 11. Dokumentacion bashkëlidhur që provon vërtetësinë e të dhënave : 12. Personi përgjegjës për të dhënat: SHTOJCA 6 RAPORTI PËRMBLEDHËS PËR AMBALAZHET DHE MBETJET NGA AMBALAZHET E RIPËRPUNUARA Tabela 1 Sasitë e mbetjeve nga ambalazhet që gjenerohen në Republikën e Shqipërisë dhe që janë rikuperuar apo incineruar me rikuperim energjie brenda ose jashtë Shqipërisë Materiali Mbetjet e gjeneruara (a) Të rikuperuara ose incineruara me rikuperim energjie nga: Riciklim i materialit (b) Forma të tjera riciklimi (c) Riciklim total (d) Rikuperimi i energjisë (e) Forma të tjera rikuperim (f) Incinerim me rikuperi energjie (g) Qelq Plastika Letra dhe dërrasa Metali Alumin Çelik Totali Druri Të tjera Total Shënime 1. Kutitë e bardha: Sigurimi i të dhënave është i detyrueshëm. Llogaritjet mund të përdoren pavarësisht se ato mund të jenë bazuar në të dhëna empirike dhe të jenë shpjeguar në përshkrimin e metodologjisë. 2. Kuti me ngjyrë të verdhë: Sigurimi i të dhënave është i detyrueshëm, por edhe të dhënat e përafërta janë të pranueshme. Këto llogaritje duhet të shpjegohen në përshkrimin e metodologjisë. 3. Kuti me ngjyrë jeshile: Sigurimi i të dhënave është vullnetar. 4. Për qëllimin e këtij vendimi, të dhënat për riciklimin e materialeve për plastikën duhet të përfshijnë të gjithë materialin e ricikluar prapë në plastikë. 5. Kolona “c” përfshin të gjitha format e riciklimit duke përfshirë dhe riciklimin organik, por duke përjashtuar riciklimin material. 6. Kolona “d” është shuma e kolonave “b” dhe “c”. 7. Kolona “f” përfshin të gjitha format e rikuperimit duke përjashtuar riciklimin dhe rikuperimin e energjisë. TABELA 2 SASITË E MBETJEVE NGA AMBALAZHET TË EKSPORTUARA PËR RIKUPERIM OSE INCINERIM ME RIKUPERIM ENERGJIE Materiali Mbetjet nga ambalazhet që janë eksportuar në shtetet e tjera anëtare ose jashtë komunitetit për: Riciklimi Forma të tjera të riciklimi Rikuperim energjie Forma të tjera të rikuperimi Incinerim me rikuperim energjie Qelq Plastika Letra dhe dërrasa Metali Alumini Çeliku Totali Druri Të tjera Totali Shënime 1. Të dhënat në këtë tabelë i referohen vetëm sasive që llogariten sipas detyrimeve të këtij vendimi për objektivat. Ato janë një nënbashkësi e të dhënave që jepen në tabelën 1. 2. Kjo tabelë është vetëm për qëllime informimi. 3. Kutitë me ngjyrë të bardhë: Sigurimi i të dhënave është i detyrueshëm, por pranohen dhe llogaritje të përafërta. Këto llogaritje duhet të shpjegohen në përshkrimin e metodologjisë. 4. Kutitë me ngjyra jeshile: Sigurimi i të dhënave është vullnetar. 5. Për qëllimin e këtij vendimi, të dhënat për riciklimin material për plastikën duhet të përfshijnë të gjithë materialin e ricikluar prapë në plastikë.

Regulation No. 177 dated 6.3.2012 on packaging and their residues · Nelum