Regulation No. 1553 establishing the National Authority for Clean Development Mechanisms in the framework of the obligations established by the Kyoto Protocol
Made 2008-11-26 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Organisation
- European Union
- Country
- Albania
- Subjects
- Air and atmosphere
- Keywords
- institution, air quality/air pollution, ozone layer, clean development mechanism, pollution control, governance
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
V E N D I M Nr. 1553, date 26.11.2008 PËR KRIJIMIN E AUTORITETIT KOMBËTAR TË PËRCAKTUAR TË MEKANIZMIT TË ZHVILLIMIT TË PASTËR, NË KUADËR TË ZBATIMIT TË ANGAZHIMEVE TË PROTOKOLLIT TË KIOTOS Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 2, të protokollit të Kiotos, të konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara, për ndryshimet klimatike, miratuar me ligjin nr.9334, datë 16.12.2004, të nenit 13, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të pikave 44 e 45, të nenit 3, të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: 1. Krijimin e Autoritetit Kombëtar të Përcaktuar (AKP), të mekanizmit të zhvillimit të pastër, në zbatim të angazhimeve të ndërmarra, në kuadër të nenit 12, të protokollit të Kiotos. 2. Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtme nënkuptohen: a) “Konventa”, konventa kuadër e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, në të cilën vendi ynë është palë, që nga viti 1994. b) “Protokolli i Kiotos”, protokolli i konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara, për ndryshimet klimatike, i cili ka vendosur objektiva të detyrueshme për reduktimin e shkarkimit të gazeve, me efekt serrë, për vendet e zhvilluara. Vendi ynë edhe pse nuk ka detyrime për reduktimin e gazeve, me efekt serrë, mund të marrë pjesë në mekanizmin për zhvillim të pastër (MZHP) dhe të jetë përfitues projektesh nga vendet e zhvilluara. c) “Mekanizëm i zhvillimit të pastër (MZHP)”, mekanizmi i përcaktuar nga neni 12, i protokollit të Kiotos, me qëllim që: i. të ndihmohen palët, që nuk bëjnë pjesë në grupin e vendeve të zhvilluara (Aneksi I i konventës), për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm; ii. të kontribuojë në plotësimin përfundimtar të synimeve të konventës; iii. të ndihmohen palët e përfshira në aneksin I, të përmbushin angazhimet e tyre për reduktimin e shkarkimeve të gazeve, me efekt serrë. ç) “Metodologjia bazë”, aplikimi i një qëndrimi të caktuar për një veprimtari në kuadër të MZHP-së, i cili ka parasysh sektorin dhe rajonin, siç përshkruhet në paragrafin 48, të modaliteteve dhe procedurave të këtij mekanizmi. Bordi ekzekutiv i MZHP-së, sipas të njëjtit paragraf, ka rënë dakord që, në rastin e një metodologjie,: i. të re (në hartimin e një metodologjie bazë të re), hapi i parë është identifikimi i përqasjes më të përshtatshme për veprimtarinë e projektit dhe, më pas, i një metodologjie të zbatueshme; ii. të miratuar, kur zgjedhin një metodologji bazë të miratuar, pjesëmarrësit e projektit, automatikisht, e kanë përcaktuar përqasjen për veprimtarinë e projektit të njëjtë me atë të metodologjisë. d) “Metodologjia e monitorimit”, metoda e përdorur nga pjesëmarrësit e projektit për mbledhjen dhe arkivimin e të gjitha të dhënave përkatëse, të nevojshme për zbatimin e planit të monitorimit. dh) “Autoriteti Kombëtar i Përcaktuar (AKP)”, autoriteti kombëtar për MZHP-në, që caktohet nga pala përkatëse e protokollit të Kiotos. e) “Letër miratimi (LM)”, një letër e nënshkruar nga Autoriteti Kombëtar i Përcaktuar, i vendit pritës, për një projekt MZHP, ku konfirmohet se projekti, ashtu siç është propozuar, do të sjellë reduktim të shkarkimeve të gazeve, me efekte serrë, të cilat janë shtesë e atyre, që ndodhnin në mungesë të projektit, dhe se zbatimi i projektit e ndihmon vendin pritës për të arritur objektivat kombëtare të zhvillimit të qëndrueshëm. ë) “Letër pranimi (LP)”, letra ku konfirmohet, në parim, se vendi pritës, nuk ka vërejtje ndaj një projektideje të propozuar dhe se do ta mbështesë më tej zhvillimin e saj si një projekt i plotë MZHP. f) “Projektideja (PI)”, përshkrim i një projektideje të re MZHP, ku jepet një vlerësim i parë e i përafërt i reduktimeve në shkarkimin e CO2. PI shërben për t’i kërkuar AKP-së një letër pranimi dhe për të justifikuar, në një fazë të mëvonshme vleftësimi të projektit MZHP, se ky i fundit është marrë seriozisht parasysh në një fazë të hershme. g) “Dokumenti i plotë i projektit (DPP)”, dokumentacioni, që përgatitet dhe paraqitet nga pjesëmarrësit e projektit, përpara një entiteti të pavarur ligjor, të akredituar nga bordi ekzekutiv i MZHP-ve, për të bërë të vlefshëm një projekt të propozuar. gj) “Pjesëmarrësit e projektit”, entitete ligjore (publike apo private), që propozojnë, zhvillojnë dhe zbatojnë projekte, në kuadër të MZHP-së. h) “Ministër dhe ministri”, përkatësisht, ministri përgjegjës për mjedisin dhe ministria, që mbulon fushën e mejdisit. 3. AKP-ja vepron si organizëm i specializuar, në përbërje të ministrisë, për të shqyrtuar dhe miratuar projektidetë dhe projektet e mekanizmit të zhvillimit të pastër, që paraqiten nga propozues të ndryshëm, në kuadër të protokollit të Kiotos, si të përshtatshëm për t’u zbatuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. 4. Autoriteti Kombëtar i Përcaktuar përbëhet nga dy njësi: nga komiteti dhe nga sekteratriati teknik. Komiteti i AKP-së përbëhet nga shtatë anëtarë, ndërsa sekretariati teknik nga katër anëtarë. Anëtarët e komitetit dhe të sekretariatit teknik janë ekspertë të fushave të ndryshme të mjedisit, me statusin e nëpunësit civil. Emërimi i anëtarëve të komitetit dhe të sekretariatit teknik, si dhe rregulla më të hollësishme, për mënyrën e funksionimit të këtyre njësive, përcaktohen me urdhër të ministrit. Anëtarët e komitetit dhe të sekretariatit teknik nuk marrin shpërblim për pjesëmarrje në këto veprimtari. 5. Shpenzimet për krjimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Përcaktuar mbulohen nga buxheti i ministrisë. 6. Komiteti i AKP-së kryen këto funksione: a) Bashkërendon, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, veprimtaritë për zbatimin e angazhimeve, të vendit tonë, si palë në konventën dhe në protokollin e Kiotos; b) Siguron që projektet, në kuadër të MZHP-së, të zhvillohen në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe sipas kuadrit të duhur të bashkëpunimit ndërkombëtar; c) Autorizon, kur e vlerëson të nevojshme, në varësi të përmbajtjes dhe natyrës së projekteve, pjesëmarrjen e ekspertëve të ministrive të linjës, në AKP; ç) Nxjerr, kur është e përshtatshme, kërkesat për miratimin e propozimeve për projekte; d) Vlerëson praktikën e hartuar nga sekretariati teknik i AKP-së. 7. Sekretariati teknik i AKP-së është në shërbim të komitetit dhe kryen këto detyra: a) Përgjigjet për zhvillimin normal të marrëdhënieve, ndërmjet propozuesve të projekteve dhe AKP-së, duke respektuar kërkesat dhe afatet e përcaktuara në këtë vendim; b) Pranon kërkesat e propozuesve të projekteve dhe realizon shqyrtimin paraprak të tyre; c) Siguron bashkërendimin ndërsektorial të punës në procesin e shqyrtimit të kërkesës e të dokumentacionit shoqërues të projektit; ç) Siguron realizimin e procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis të projekteve, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.8990, datë 23.1.2003, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, dhe me aktet nënligjore, dalë në zbatim të tij; d) Integron, në procedurën e vlerësimit të projektit, vërejtjet e ekspertëve të ministrive të linjës; dh) Siguron realizimin e kërkesave të zhvillimit të qëndrueshëm për çdo projekt; e) I paraqet komitetit, për shqyrtim e miratim, projektin e shtjelluar, sipas hapave të sipërpërmendura; ë) Harton letrat e miratimit të projektit. 8. Paraqitja e projektideve dhe e dokumentit të plotë të projektit nga propozuesit, shqyrtimi dhe miratimi i tyre nga sekretariati dhe nga komiteti bëhen sipas procedurave dhe afateve të mëposhtme: a) Propozuesi i projektit paraqet në AKP kërkesën dhe projektidenë. Projektideja përmban të dhëna paraprake për projektin e propozuar dhe përfshin: i. Një përshkrim të shkurtër të projektit (lloji, madhësia, vendndodhja); ii. Vlerësimin e reduktimeve të mundshme të shkarkimeve të gazeve, me efekt serrë, të krahasuara me skenarin e zakonshëm të biznesit; iii. Metodat bazë dhe monitoruese, që do të përdoren gjatë zhvillimit të projektit; iv. Vlerësimin e kostove të investimit të projektit dhe kohëzgjatjen e tij. b) Sekretariati teknik vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga propozuesi brenda 25 ditëve nga data e dorëzimit të tij. Sekretariati teknik, brenda këtij afati,: i) vlerëson nëse aplikimi është i plotë dhe nëse drejtoritë e sektorët përgjegjës të ministrisë kanë përfunduar shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur nga propozuesi; ii) kur e çmon të nevojshme, ua dërgon dokumentacionin, për vlerësim, ministrive të linjës; iii) i kërkon propozuesit të dhënat shtesë dhe i integron ato në dokumentacionin fillestar, përpara fillimit të vlerësimit të plotë, nëse ekspertët e ministrisë apo të ministrive të linjës vlerësojnë se është i nevojshëm dokumentacion shtesë; iv) i kërkon propozuesit të kryejë komunikimin me publikun e interesuar për projektin; v) përgatit praktikën përfundimtare, brenda 5 ditëve pune, të cilën ia paraqet komitetit të AKP-së, pas marrjes së komenteve dhe të mendimeve të ekspertëve të ministrisë dhe të ministrive të linjës. c) Komiteti i AKP-së, në bazë të praktikës përfundimtare, merr një vendim paraprak, brenda 5 ditëve pune nga data e paraqitjes së saj. Ai, gjithashtu,: i) merr vendim për miratimin e projektidesë; ii) harton një letër pranimi me shpjegimet përkatëse, për rezultatin përfundimtar të shqyrtimit, që nënshkruhet nga ministri; iii) vë në dijeni, me anë të letrës së pranimit, propozuesin e projektit për rezultatet e shqyrtimit fillestar, brenda afatit 25-ditor të shqyrtimit të projektidesë. 9. Pasi merr letrën e pranimit, propozuesi i paraqet, me shkrim, komitetit të AKP-së, dokumentin e plotë të projektit (DPP), në dy gjuhë, anglisht dhe shqip, si dhe në versionin elektronik, ku përfshihen: i) Kërkesa e propozuesit, drejtuar komitetit të AKP-së; ii) Një përshkrim i përgjithshëm i veprimtarisë së projektit; iii) Raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis të projektit; iv) Një deklaratë e nënshkruar, për statusin, financiar dhe ligjor, të shoqërisë, e cila bën ofertën; v) Dokumenti, që vërteton zbatimin e një metodologjie bazë dhe monitoruese; vi) Kohëzgjatja e projektit/periudha kredituese; vii) Çdo dokument apo e dhënë, e kërkuar nga sekretariati teknik në letrën e pranimit, si përgjigje ndaj projektidesë; viii) Letër miratimi nga institucionet përkatëse për zhvillimin e veprimtarisë. 10. Procesi i shqyrtimit dhe miratimit të dokumentacionit të plotë të projektit zgjat 30 ditë nga data e paraqitjes së tij. Brenda këtij afati, sekretariati teknik kryen detyrat, si më poshtë vijon: a) Kontrollon dokumentet për të pare, nëse aplikimi është i plotë, dhe ua nis ato, për mendim, ekspertëve mjedisorë të ministrisë dhe të ministrive të linjës, kur e çmon të nevojshme, të cilët, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së dokumentacionit, vlerësojnë nëse ato: i) janë në përputhje me kërkesat e parimit të zhvillimit të qëndrueshëmm, që zbaton vendi ynë; ii) plotësojnë kërkesat e procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis, në përputhje me ligjin nr.8990, datë 23.1.2003, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”; iii) vërtetojnë pjesëmarrjen e secilit institucion në zbatimin e projektit; iv) vërtetojnë qëndrueshmërinë, ligjore dhe financiare, të pjesëmarrësve të projektit. b) Pasi sekretariati teknik i AKP-së mbledh komentet e ekspertëve të ministrisë dhe të ministrive të linjës, harton praktikën përfundimtare, brenda 4 ditëve, të cilën ia paraqet komitetit të AKP-së, për marrjen e vendimit përfundimtar për projektin. 11. Komiteti i AKP-së, brenda 5 ditëve pune, realizon shqyrtimin fillestar dhe merr, brenda 10 ditëve, vendimin përfundimtar. Vendimi dhe letra miratuese ose refuzuese nënshkruhen nga ministri, brenda 5 ditëve, pas datës së marrjes së vendimit përfundimtar të komitetit. Në letrën e refuzimit shpjegohen arsyet e mosmiratimit të projektit, si dhe jepen sugjerime për përmirësimin e tij, për një riparaqitje të mundshme. 12. Për shqyrtimin dhe miratimin e projekteve MZHP, propozuesi i projektit, në mbështetje të pikës 2, të nenit 30, të ligjit nr.8990, datë 23.1.2003, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, paguan një tarifë shërbimi, prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, në çastin e paraqitjes së kërkesës për miratim, e cila është e pakthyeshme edhe në rastet kur projekti nuk miratohet. 13. Ngarkohet Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. K R Y E M I N I S T R I SALI BERISHA