Regulation No. 1269 date 17.9.2008 on the composition, functioning and responsibilities of the state structures responsible for examining the legal validity of the ownership titles on agricultural land
Made 2008-09-17 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Organisation
- European Union
- Country
- Albania
- Subjects
- Land and soil
- Keywords
- agricultural land, ownership, land tenure, cadastre/land registration, property rights
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
VENDIM Nr.1269, datë 17.9.2008 PËR PËRBËRJEN, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT DHE DETYRAT E PËRGJEGJËSITË E STRUKTURAVE SHTETËRORE, TË NGARKUARA PËR SHQYRTIMIN E VLEFSHMËRISË LIGJORE TË KRIJIMIT TË TITUJVE TË PRONËSISË MBI TOKËN BUJQËSORE Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11 të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: I. PËRBËRJA, MËNYRA E FUNKSIONIMIT, DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E KOMISIONIT QEVERITAR TË TOKËS (KQT) A. Përbërja dhe mënyra e funksionimit 1. Komisioni Qeveritar i Tokës kryesohet nga zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje: - Ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit zëvendëskryetar; - Ministrin e Drejtësisë anëtar; - Ministrin e Brendshëm anëtar; - Ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit anëtar; - Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit anëtar; - Drejtorin e Drejtorisë së Politikave të Pyjeve dhe Kullotave, në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave anëtar; - Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit, në Ministrinë e Drejtësisë anëtar; - Kryeregjistruesin e Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë anëtar; - Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t anëtar; - Drejtorin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave anëtar; - Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit të Burimeve dhe Ofrimit të Shërbimeve, në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit anëtar. 2. Anëtarët e KQT-së ndjekin zbatimin e vendimeve të tij në institucionet, që drejtojnë dhe, për vështirësitë që dalin, informojnë, në çdo kohë, kryetarin e këtij komisioni. 3. Mbledhjet e KQT-së zhvillohen në datën dhe orën e njoftuar nga kryetari ose, në mungesë dhe me porosi të tij, nga zëvendëskryetari, jo më pak se një herë në tre muaj, por në raste të veçanta, që vlerësohen nga kryetari, ky komision mund të mblidhet në çdo kohë. 4. Vendimet e KQT-së merren me votim të hapur dhe quhen të vlefshme, kur votojnë "pro" më shumë se 50 për qind e numrit të përgjithshëm të anëtarëve. Anëtarit të KQT-së nuk i lejohet të abstenojë. Anëtari, që voton kundër, mund të kërkojë që në procesverbalin e mbledhjes të shënohet fakti dhe arsyet e votimit kundër. B. Detyrat dhe përgjegjësitë KQT-ja ka këto detyra dhe përgjegjësi: 1. Shqyrton dhe miraton, në mbledhjen e parë të çdo fillimviti, programet vjetore të kontrollit dhe të verifikimit, të përgatitura nga komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV-të). 2. Pasi shqyrton propozimet e KV-ve, të sekretariatit teknik apo/edhe kryesisht për masat disiplinore dhe administrative, për të gjitha institucionet, organet, strukturat dhe subjekte të tjera, që, me veprimet ose mosveprimet e tyre, kanë penguar përmbushjen e detyrimeve, që rrjedhin nga dispozitat e ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", e të akteve nënligjore, në zbatim të tij, si dhe vendimeve të këtij komisioni, merr vendime në përputhje me pikën 5 të nenit 6 të ligjit të sipërpërmendur. 3. Shqyrton ankesat e palëve ndaj veprimeve të KV-ve, të paraqitura pranë KQT-së nga sekretariati teknik, dhe merr vendimet përkatëse. KQT-ja nuk merr në shqyrtim ankesat, për të cilat KV-të kanë paraqitur kërkesat përkatëse në organet gjyqësore, në kuptim të zbatimit të neneve 10, 12, 13 e 15 të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". 4. Merr vendime për zgjidhjen e konflikteve territoriale, ndërmjet qarqeve për kufijtë e zërit kadastral të tokës bujqësore, në bazë të raporteve paraprake, të përgatitura nga sekretariati teknik. 5. Thërret në raport prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetarët e komunave dhe/ose bashkive, si dhe drejtuesit e strukturave të tjera shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me krijimin e titujve të pronësisë mbi tokën, për çdo rast, kur kjo vlerësohet e nevojshme nga kryetari i KQT-së teknik. 6. Merr vendime për mënyrën e organizimit të veprimtarive të KV-ve, mënyrën e kryerjes së verifikimeve, të përgatitjes dhe mbajtjes së dokumentacionit, për llojin e informacionit, që paraqitet në komision, afatet e përmbushjes së detyrimeve për çështje konkrete të shqyrtimit dhe të verifikimit të titujve të pronësisë, mënyrën e bashkëveprimit me institucione të tjera, veprimtaria e të cilave lidhet me verifikimin e titujve të pronësisë, të bazuara në dispozitat e ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", dhe në aktet nënligjore, në zbatim të tij. II. PËRBËRJA, MËNYRA E FUNKSIONIMIT, DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E SEKRETARIATIT TEKNIK TË KQT-SË A. Përbërja d he mënyra e funksionimit 1. Sekretariati teknik i KQT-së krijohet si strukturë e veçantë, administrative, teknike, pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në shërbim të KQT-së, dhe përbëhet nga 5 (pesë) punonjës, me përvojë për problemet e pronësisë, të cilët emërohen, lirohen apo shkarkohen nga detyra nga zëvendëskryeministri, pas këshillimeve me Ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. 2. Sekretariati teknik drejtohet nga drejtori, i cili caktohet nga zëvendëskryeministri. Drejtori i sekretariatit teknik ka pagë të njëjtë me atë të drejtorit të përgjithshëm në ministri. B. Detyrat dhe përgjegjësitë e sekretariatit teknik Sekretariati teknik ka këto detyra dhe përgjegjësi: 1. Administron të gjitha ankesat, kërkesat ose informacionet e paraqitura me shkrim nga shtetas, institucione ose struktura shtetërore, veprimtaria e të cilave ka për objekt ndarjen e tokës dhe krijimin e titujve të pronësisë mbi të, të regjistruara në protokollin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Ankesat, kërkesat dhe informacionet e administruara, në mbështetje të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", grupohen sipas përmbajtjes, rëndësisë dhe përgjegjësisë për zgjidhjen e tyre dhe paraqiten: a) për shqyrtim në KQT; b) për shqyrtim ose rishqyrtim në KV. Kur ankesat, kërkesat dhe informacionet e administruara nuk kanë për objekt të drejtpërdrejtë shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, sekretariati teknik i trajton ato sipas dispozitave të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999 "Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë". 2. Përgatit mbledhjet e KQT-së, sipas rendit të ditës, të miratuar paraprakisht nga kryetari i këtij komisioni, i cili u njoftohet anëtarëve pesë ditë para mbledhjes, çështjet e përgjithshme e të veçanta për shqyrtim, si dhe projektvendimet përkatëse. 3. Mban procesverbalin e mbledhjes së KQT-së, që nënshkruhet nga kryetari dhe sekretari i këtij komisioni. 4. I paraqet KQT-së programet vjetore të dërguara nga KV-të së bashku me komentet, vërejtjet dhe propozimet e tij. 5. Përgatit përgjigjet përkatëse për ankesat, kërkesat dhe informacionet e paraqitura nga shtetasit, institucionet ose strukturat shtetërore për zbatimin e dispozitave të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore" dhe të akteve nënligjore, në zbatim të tij. 6. Përgatit aktet e KQT-së, të cilat duhet të përmbajnë numrin e vendimit dhe datën e marrjes së tij, në dy kopje, të nënshkruara nga zëvendëskryeministri dhe të vulosura me vulën e Këshillit të Ministrave. Një kopje ruhet në arkivin e Këshillit të Ministrave dhe kopja tjetër në arkivin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. 7. Ia përcjell të gjitha vendimet e KQT-së institucioneve apo individëve, të shoqëruara me shkresë përcjellëse, të nënshkruara nga drejtori i sekretariatit teknik. Të gjitha këto vendime do të vulosen me vulën e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe do të jenë të protokolluara në regjistrat e protokollit të kësaj ministrie. 8. Mbikëqyr të gjithë veprimtarinë e KV-ve, ndërmjet dy mbledhjeve të KQT-së, nëpërmjet informacioneve të marra prej tyre dhe të kontrollove të drejtpërdrejta, që ushtron mbi to, në zbatim të vendimeve, që merr KQT-ja. III. PËRBËRJA, MËNYRA E FUNKSIONIMIT, DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E KOMISIONIT VENDOR TË VLERËSIMIT TË TITUJVE TË PRONËSISË (KV) A. Përbërja dhe mënyra e funksionimit 1. Komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë krijohet si strukturë e veçantë, pranë prefektit të qarkut, me numër punonjësish, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. 2. Anëtarët e komisioneve vendore duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme, të përcaktuara me ligjin e shërbimit civil, si dhe kërkesat e veçanta, të formuluara nga kryetari i KQT- së. Ata emërohen, lirohen apo shkarkohen nga detyra nga prefekti i qarkut. Ata duhet të jenë juristë, agronomë apo inxhinierë gjeodetë ose, në pamundësi, teknikë topografë të licencuar. Komisionet vendore prej 3 anëtarësh duhet të kenë të paktën një jurist. Komisionet vendore prej 5 anëtarësh duhet të kenë të paktën 2 juristë. Komisionet vendore prej 6 e 7 anëtarësh duhet të kenë të paktën 3 juristë. 3. Marrëdhëniet e punës për punonjësit e komisioneve vendore, si dhe të sekretariatit teknik rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995 "Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar. 4. Prefekti i qarkut, për raste të domosdoshme, mund të angazhojë pranë KV-ve edhe punonjës të përkohshëm, për të kryer shërbime mbështetëse. 5. Drejtori i KV-së është përgjegjës për organizimin dhe përmbushjen e detyrave. Prefekti përgjigjet para KQT-së për funksionimin e KV-së. 6. KV-ja funksionon si organ kolegjial, si më poshtë vijon: a) Mbledhjet e këtij komisioni thirren dhe drejtohen nga prefekti. Në mbledhje, prefekti mund të thërrasë edhe drejtues të institucioneve shtetërore, që ushtrojnë veprimtari në juridiksionin e qarkut, drejtues të qeverisjes vendore, të cilët kanë lidhje dhe informacion me çështjet konkrete, që shqyrtohen. Në mbledhjen e KV-së paraqitet për shqyrtim informacioni përmbledhës për verifikimet e kryera, të ballafaquara e të diskutuara me subjektet e interesuara, dokumentacioni, që ka lidhje me çështjen, dhe propozimi përkatës. Për çdo informacion, përveç relatorit përkatës ose grupit të punës, që ka verifikuar çështjen, çdo pjesëtar i KV së është i detyruar të shprehë mendimin e vet, i cili shënohet në procesverbalin e mbledhjes. Procesverbali nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e KV-së, pjesëmarrës në mbledhje. b) Vendimet merren vetëm në praninë e anëtarëve të KV-së dhe të prefektit, me votim të hapur. Vendimet quhen të vlefshme kur votojnë "pro" më shumë se 50 për qind e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të KV-së. Prefekti nuk merr pjesë në votim, por është përgjegjës për mbarëvajtjen dhe respektimin e procedurave. Të gjitha vendimet e KV-së, përveç atyre, që kanë për objekt kundërvajtjet administrative, nënshkruhen nga prefekti, si dhe nga drejtori i KV-së. Kur prefekti vëren shkelje të procedurave, ai mund t'i kontestojë vendimet e KV-së, duke mos i nënshkruar ato, e duke i kërkuar më pas KQT-së, ta gjykojë rastin dhe të vendosë për to. Vendimet e KV-së janë akte administrative dhe përgatiten në përputhje me ligjin nr.8485, datë 12.5.1999 "Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë". Ato vulosen me vulën e institucionit të prefektit dhe u dërgohen të gjitha subjekteve të interesuara. c) Drejtori ose çdo pjesëtar i KV-së, i autorizuar prej tij, përfaqëson KV-në në proceset gjyqësore të të gjitha shkallëve, që kanë si objekt shqyrtimet e vendimeve të KV-së. ç) Korrespondenca shkresore e KV-ve me institucionet e tjera dhe shtetasit mbahet në përputhje me të gjitha rregullat, sipas të cilave funksionon administrata e prefektit. B. Detyrat dhe përgjegjësitë Komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë ka këto detyra e përgjegjësi: 1. Pas verifikimit të dokumentacionit zyrtar dhe veprimtarisë së kryer nga ish-komisionet e tokës së fshatit, komunës dhe/ose bashkisë, si dhe komisioni i tokës së qarkut (ish-rrethit) në procesin e ndarjes së tokës, arrin në përfundime të bazuara ligjore dhe merr vendime: a) për saktësimin e kufijve të tokës bujqësore, ndërmjet rretheve, brenda juridiksionit të qarkut, ndërmjet komunave dhe/ose bashkive, brenda rrethit, si dhe ndërmjet fshatrave (subjekteve), brenda territorit të komunës dhe/ose bashkisë; b) për konfliktet ndërmjet familjeve bujqësore ose individëve të një fshati, si dhe ndërmjet tyre dhe ish-komisioneve të ndarjes së tokës; c) në zbatim të nenit 10 të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". Vendimet, krahas paraqitjes në gjykatë, i dërgohen edhe zyrës vendore të Avokaturës së Shtetit dhe, për dijeni, Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit; ç) të tjera, në përputhje dhe në zbatim të ligjit, akteve nënligjore, dalë në zbatim të tij, si dhe të vendimeve të KQT-së. 2. Kërkon nga kryetarët e komunave ose të bashkive plotësimin e akteve të marrjes së tokës në pronësi, për familjet bujqësore ose individët e ish-kooperativave bujqësore, në zbatim të pikës 6 të nenit 8 të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". Aktet e marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e komunave dhe/ose bashkive, KV-ja i vlerëson për bazueshmërinë ligjore të tyre dhe ia përcjell seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës (SAMT-së), në qark, kur: a) vërtetohet se më 1.8.1991 personi, në emër të të cilit lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, ka qenë anëtar i kooperativës bujqësore dhe plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara në vendimin nr.255, datë 2.8.1991 të Këshillit të Ministrave "Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore"; b) verifikohet se sipërfaqja, për të cilën më 1.8.1991 është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, figuron në regjistrat e kadastrave vetëm me cilësinë e zërit "tokë bujqësore" (bimë arash, pemëtore, vreshtë, ullishte); c) madhësia e sipërfaqes së dhënë për familjen bujqësore është mirëllogaritur, si prodhim i normës për frymë të fshatit me numrin e frymëve të familjes, gjendje më 1.8.1991, në regjistrin e zyrës së gjendjes civile, pavarësisht shtesave ose pakësimeve të këtij numri në periudhën vijuese. 3. Rishqyrton, në rrugë administrative, konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet palëve, në rastet kur kjo është kërkuar me vendim të formës së prerë të organeve gjyqësore. Në këtë rast, KV-ja, brenda 20 ditëve nga data e vendimit të organeve gjyqësore, merr vendim përfundimtar, për zgjidhjen e konfliktit, përmbajtja e të cilit u njoftohet palëve. 4. Evidenton madhësinë dhe vendndodhjen e sipërfaqeve të tokës bujqësore, të liruara nga mbajtja dhe përdorimi i paligjshëm i tyre nga persona fizikë ose juridikë, pas procedurave të realizuara sipas përcaktimeve të nenit 9 të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". Për tokat e liruara, KV-ja harton procesverbalin përkatës, në përmbajtje të të cilit pasqyrohen vendndodhja (fshati dhe komuna dhe/ose bashkia), numri kadastral i ngastrës, sipas regjistrit të SAMT-së, dhe sipërfaqja, në metër katror, e shoqëruar me një planimetri manuale. Ky procesverbal i dorëzohet përgjegjësit të SAMT-së së qarkut përkatës. Përgjegjësi i SAMT-së, pas marrjes së kopjes së procesverbalit dhe në mbështetje të tij, kryen veprimet e dorëzimit të kësaj sipërfaqeje: a) komunës dhe/ose bashkisë, në juridiksion të së cilës ndodhet toka, për t'u administruar sipas dispozitave të ligjit nr.8312, datë 26.3.1998 "Për tokat bujqësore të pandara", të ndryshuar, dhe të akteve nënligjore, në zbatim të tij, në rastet kur toka bujqësore e liruar rezulton me prejardhje nga ish-kooperativat bujqësore, sipas gjendjes më 1.8.1991; b) zyrës rajonale të AKKP-së, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave me nr.567, datë 5.9.2007 "Për miratimin e kritereve dhe të procedurave, përcaktimin e pronave, fond pasurie të paluajtshme, për kompensim fizik", dhe nr.868, datë 18.6.2008 "Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi i tokës bujqësore", kur toka bujqësore e liruar rezulton me prejardhje nga ish-ndërmarrjet bujqësore (NB), sipas gjendjes më 1.10.1992. 5. Harton programin e veprimtarive për kontrollet dhe verifikimet, si dhe për zbatimin e vendimeve të KQT-së, në kuptim të shkronjave "b" e "ç" të pikës 2 të nenit 7 të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". Analiza e realizimit të këtij programi bëhet nga KV-ja në fund të çdo viti. IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT 1. Për çdo pjesëmarrje në mbledhje anëtarët e KQT-së, përfitojnë një shpërblim, në masën 5000 (pesë mijë) lekë. 2. Ngarkohet Ministria e Brendshme që, për çdo vit, të planifikojë, në buxhetin vjetor të institucionit të prefektit të qarkut, si zë të veçantë, një fond për mbulimin e shpenzimeve të KV-së, sipas llogaritjeve të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, të paraqitura nga KQT-ja. 3. Ngarkohen KQT-ja dhe Ministria e Brendshme për përgatitjen e akteve për krijimin, brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të strukturave të përcaktuara në këtë vendim. 4. Ngarkohen Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe institucioni i prefektit të krijojnë kushtet normale dhe bazën materiale të nevojshme për vënien në funksion të plotë të sekretariatit teknik të KQT-së dhe të KV-ve në qarqe. 5. Vendimi nr.230, datë 22.7.1991 i Këshillit të Ministrave "Për krijimin e komisioneve të tokave", i ndryshuar, shfuqizohet. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Sali Berish APASQYRË ANALITIKE E PËRLLOGARITJES SË KOSTOVE PËR STRUKTURAT SHTETËRORE TË SHQYRTIMIT TË VLEFSHMËRISË LIGJORE TË TITUJVE TË PRONËSISË MBI TOKËN BUJQËSORE I-Për PBMUK: a) kosto e personelit (600-601) 1- Sekretariati teknik i Nr. Paga bruto Paga bruto (tetor- KQT-së vjetore në 000/lekë dhjetor)2008 në 000/lekë Shuma (5) 3300 825 Paga bruto është përcaktuar sipas tabelës përkatëse të VKM për pagat të krahasueshme në ministri. b) shpenzime operative (602) vjetore në (tetor-dhjetor) 2008 000/lekë 000/lekë 1. Për sekretariatin teknik 1565 391 të KQT-së (karburant, dieta, të tjera) 2. Për veprimtarinë e KQT-së 455 180 Shuma 2020 571 Totali (a+b) për MBUMK 5320 1396 II- Për KV të administratës së prefektit të qarkut: a) kosto e personelit Nr. Paga bruto Paga bruto (600-601) vjetore (tetor-dhjetor) 2008 në 000/lekë në 000/lekë Shuma 60 48450 12306 Paga e drejtorit të KV-së është barazuar me pagën e përgjegjësit të sektorit në ministri (III- a); ndërsa paga e specialistëve të KV-së është barazuar me pagën e specialistit në ministri (IV-a) b) Shpenzime operative (602) për KV-të Vjetore (tetor-dhjetor)2008 (karburante, dieta, kancelari etj.) 000/lekë 000/lekë 31260 7815 Totali (a+b) për KV-të në qarqe 79710 20121 LIDHJA NR.1 NUMRI I PUNONJËSVE TË STRUKTURAVE SHTETËRORE TË SHQYRTIMIT TË VLEFSHMËRISË LIGJORE TË DHËNIES SË TOKËS BUJQËSORE NË PRONËSI DHE FINANCIMI NGA BUXHETI I SHTETIT TË VEPRIMTARISË SË TYRE Nr. Emërtimi i institucionit Numri i punonjësve Kosto në 000/lekë Deri në fund të vitit 2008 (tetor-dhjetor) Gjithsej Personeli (600-601) Shpenzime operative 602 I Për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (Komisioni qeveritar dhe sekretariati teknik 5 571 Mbulohet nga buxheti ekzistue s i MBUMK 571 II Për prefekturat e qarqeve: 60 20121 12306 7815 1 Berat 3 1015.9 624.9 391 2 Dibër 3 1015.9 624.9 391 3 Durrës 6 2031.8 1249.8 782 4 Elbasan 5 1660.5 1009.5 651 5 Fier 6 2031.8 1249.8 782 6 Gjirokastër 3 1015.9 624.9 391 7 Korçë 6 2031.8 1249.8 782 8 Kukës 3 1015.9 624.9 391 9 Lezhë 5 1660.5 1009.5 651 10 Shkodër 6 2031.8 1249.8 782 11 Tiranë 7 2304.1 1394.1 910 12 Vlorë 7 2305.1 1394.1 911 TOTALI (I+II) 65 20692 12306 8386