Skip to content
Nelum
Laws of Albania

Order nr. 449 dated 13 June 2024 on the approval of the regulation On the non-commercial movement of companion birds

Made 2024-06-13 · Text as of 2026-10-01

Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.

About this law

Original title
Urdhër Nr. 449, datë 13.6.2024 për miratimin e rregullores Për lëvizjen jotregtare të zogjve të shoqërimit.
Language
Albanian
Kind
Regulation
Country
Albania
Subjects
Livestock, Wild species and ecosystems
Keywords
animal health, authorization/permit, birds, marking/identification, transport/storage, pet animals

Where to read it

Text

The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.

  1. URDHËR Nr. 449, datë 13.6.2024 PËRMIRATIMIN E RREGULLORES “PËR LËVIZJEN JOTREGTARE TË ZOGJVE TË SHOQËRIMIT” Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102 të Kushtetutës dhe pikës 6, të nenit 33, të ligjit nr. 10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, URDHËROJ: 1. Miratimin e rregullores “Për lëvizjen jotregtare të zogjve të shoqërimit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij urdhri dhe është pjesë përbërëse e tij. 2. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. MINISTËR I BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL Anila Denaj RREGULLORE PËR LËVIZJEN JOTREGTARE TË ZOGJVE TË SHOQËRIMIT Neni 1 Subjekti, qëllimi dhe fushëveprimi 1. Kjo rregullore përcakton kërkesat shëndetësore dhe modelin e dokumentit të identifikimit për lëvizjet jotregtare të kafshëve të shoqërimit për speciet e zogjve, të referuar në pjesën B, të shtojcës I, të urdhrit nr. 634, datë 2.11.2023, “Për miratimin e rregullores për lëvizjen jotregtare të kafshëve të shoqërimit”, në territorin e Republikës së Shqipërisë nga një vend tjetër (kafshë shtëpiake të llojit të zogjve). 2. Kjo rregullore nuk zbatohet: a) kur numri i përgjithshëm i zogjve të shoqërimit gjatë një lëvizjeje të vetme e kalon numrin pesë (5) të tyre; b) për lëvizjet e zogjve të shoqërimit që vijnë nga Andorra, Faeroes, Gjibraltari, Grenlanda, Islanda, Lihtenshtajni, Monako, Norvegjia, San Marino, Zvicra dhe shteti i Vatikanit. Neni 2 Numri maksimal i zogjve të shoqërimit për lëvizjet jotregtare Numri maksimal i zogjve të shoqërimit që mund të shoqërojnë pronarin e tyre ose një person të autorizuar, gjatë një lëvizjeje të vetme jotregtare në një vend tjetër nuk duhet të kalojë numrin pesë (5) të tyre. Neni 3 Identifikimi i zogjve të shoqërimit 1. Zogjtë e shoqërimit lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë nga një territor ose vend tjetër vetëm nëse janë të identifikuar në territorin, ose në vendin tjetër të dërgimit me një identifikues individual të përhershëm, jo të lëvizshëm dhe të lexueshëm ku shfaqet një kod alfa numerik. 2. Kur zogjtë e shoqërimit zhvendosen, në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 4(1), pika b “i”, “ii” ose “iii”, identifikimi i parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni duhet të jetë aplikuar para izolimit të tyre, testimit ose vaksinimit kundër gripit të shpendëve të nëntipit H5 dhe H7. 3. Me përjashtim të pikës 1, është i mjaftueshëm një përshkrim i zogjve të shoqërimit me kusht që zogjtë e shoqërimit të jenë në përputhje me kërkesat e mëposhtme: a) të lëvizin sipas kushteve të përcaktuara në nenin 6; b) të jenë vendosur në një kontejner të vulosur nga autoriteti kompetent i territorit ose vendit tjetër të dërgimit, përpara dërgimit të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të qëndrojnë në atë kontejner të mbyllur gjatë karantinës së përmendur në nenin 6(1), pika “a”. Neni 4 Masat shëndetësore parandaluese për lëvizjen jotregtare të zogjve të shoqërimit në territorin e Republikës së Shqipërisë nga një vend/territor tjetër 1. Zogjtë e shoqërimit mund të vijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë nga një territor ose një vend tjetër vetëm nëse janë në përputhje me kërkesat e mëposhtme: a) territori ose vendi tjetër i dërgimit është anëtar i Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), duke përfshirë edhe shtetet që Republika e Shqipërisë ka lidhur marrëveshje; b) zogjtë e shoqërimit plotësojnë një nga kushtet e mëposhtme: i. ato e kanë origjinën nga një vend ose territor tjetër, ku duhet të kenë kaluar izolimin nën mbikëqyrjen zyrtare, për një periudhë prej të paktën 30 ditësh përpara datës së dërgimit nga territori ose vendi tjetër; ii. brenda periudhës prej gjashtë muajsh përpara datës së dërgimit në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jo më vonë se 60 ditë përpara datës së dërgimit në territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë marrë ciklin e parë të plotë të vaksinimit dhe aty ku është e zbatueshme rivaksinimi, në përputhje me udhëzimet e prodhuesit me një vaksinë të licencuar kundër gripit të shpendëve të nëntipit H5 dhe H7, e cila nuk duhet të jetë një vaksinë e gjallë e atenuar dhe duhet të administrohet nga një veteriner i autorizuar ose një veteriner zyrtar i territorit, ose vendit tjetër të dërgimit, ose; iii. në territorin ose vendin tjetër të dërgimit, ato kanë qenë: të mbajtura të izoluara nën mbikëqyrjen e një veterineri të autorizuar ose një veterineri zyrtar për një periudhë prej të paktën 14 ditë përpara datës së dërgimit në territorin e Republikës së Shqipërisë; dhe i janë nënshtruar një testi të zbulimit të antigjenit ose gjenomit të gripit të shpendëve H5 dhe H7, të kryer me rezultate negative në një mostër të marrë nga një veteriner i autorizuar ose një veteriner zyrtar, jo më herët se dita e shtatë e izolimit; c) zogjtë e shoqërimit i janë nënshtruar, brenda një periudhe prej 48 orësh ose në ditën e fundit përpara datës së dërgimit nga territori, ose vendi tjetër, për një inspektim klinik nga një veteriner i autorizuar ose një veteriner zyrtar i territorit, ose vendit tjetër të dërgimit dhe nuk ka pasur ndonjë shenjë të dukshme të sëmundjes; ç) gjatë periudhës ndërmjet inspektimit klinik të përmendur në pikën “c” dhe largimit nga territori ose vendi tjetër i dërgimit, zogjtë e shoqërimit nuk kanë qenë në kontakt me asnjë shpend tjetër. 2. Testet që kërkohen të kryhen dhe vaksinat që kërkohen të administrohen, në përputhje me paragrafin 1(b) “ii” dhe “iii” të këtij neni, duhet të plotësojnë kërkesat e kapitullit 3.3.4, në Manualin e Testeve Diagnostike dhe Vaksinave për Kafshët Tokësore, Botimi i 8-të, 2018, i Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH). Neni 5 Lëvizjet e zogjve të shoqërimit pas mbërritjes së tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë Pronarët ose personat e autorizuar që do të lëvizin vetëm zogjtë e shoqërimit që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë nga një territor ose një vend tjetër, direkt nga pika e hyrjes së udhëtarëve në një familje ose një vendbanim tjetër brenda vendit, ku zogjtë e shoqërimit duhet të mbahen nën kontroll zyrtar për një periudhë prej të paktën 30 ditësh nga data e hyrjes së tyre në vend dhe gjatë kësaj periudhe ato nuk duhet të futen në shfaqje, panaire, ekspozita apo organizime të tjera të shpendëve. Neni 6 Përjashtimet nga kërkesat e nenit 4(1), pika “b” dhe nenit 5 1. Me përjashtim të kërkesave të nenit 4(1), pika “b” dhe nenit 5, zogjtë e shoqërimit që nuk përmbushin kushtet e përcaktuara në nenin 4(1), pika “b” mund të zhvendosen në territorin e Republikës së Shqipërisë kur vijnë nga një territor ose vend tjetër nëse ato përmbushin kushtet e mëposhtme: a) ato janë të destinuara për një stabiliment karantine të miratuar në përputhje me pjesën I, të shtojcës II, në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku ata do t’i nënshtrohen karantinës për një periudhë prej të paktën 30 ditësh menjëherë pas mbërritjes së tyre në vend; b) pronari ose personi i autorizuar duhet t’i zhvendosë zogjtë e shoqërimit drejtpërdrejt nga pika e hyrjes së udhëtarëve në vend, në stabilimentin e miratuar të karantinës së përmendur në pikën “a”; c) zogjtë lirohen nga karantina vetëm me autorizimin me shkrim të një veterineri zyrtar. 2. Autoriteti kompetent duhet të: a) monitorojë mbërritjen e zogjve të shoqërimit në qendrën e miratuar të karantinës së përmendur në paragrafin 1, pika “a” të këtij neni; b) të inspektojë kushtet e karantinës, duke përfshirë një ekzaminim të të dhënave të vdekshmërisë dhe një inspektim klinik të zogjve të shoqërimit, të paktën në fillim dhe në fund të periudhës së karantinës. Neni 7 Certifikimi shëndetësor 1. Zogjtë e shoqërimit mund të vendosen në territorin e Republikës së Shqipërisë vetëm nëse plotësojnë kërkesat e mëposhtme: a) një veteriner zyrtar i territorit ose vendit tjetër të dërgimit ka vërtetuar se zogjtë e shoqërimit janë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë rregullore dhe në përputhje me certifikatën veterinare të përcaktuar në pjesën 1, të shtojcës I të kësaj rregulloreje; ose b) një veteriner i autorizuar i territorit ose i vendit tjetër ka vërtetuar se zogjtë e shoqërimit janë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë rregullore dhe në përputhje me certifikatën veterinare të përcaktuar në aneksin e pjesës 1, të shtojcës I, të kësaj rregulloreje dhe një vërtetim i tillë është miratuar më pas nga autoriteti kompetent i territorit ose i vendit tjetër të dërgimit. 2. Zogjtë e shoqërimit mund të zhvendosen në territorin e Republikës së Shqipërisë vetëm nëse certifikata veterinare, e përmendur në pikën 1 të këtij neni, është plotësuar nga veterineri zyrtar ose veterinari i autorizuar në territorin, ose vendin tjetër të dërgimit, në bazë të një deklarate me shkrim nga pronari ose personi i autorizuar që është pjesë e asaj certifikate veterinare, dhe në bazë të: a) dëshmisë së ofruar nga pronari ose personi i autorizuar, se janë marrë masa për karantinimin e zogjve të shoqërimit në një mjedis karantine të miratuar në përputhje me pjesën I, të shtojcës II, në rastin e shpendëve të shoqërimit që do t’i nënshtrohen karantinës, në përputhje me nenin 6 të kësaj rregulloreje; ose b) lejes së dhënë nga vendi i destinacionit, në rastin e shpendëve të shoqërimit të cilëve u është dhënë një përjashtim, në përputhje me nenin 21, të urdhrit nr. 634, datë 2.11.2023, “Për miratimin e rregullores për lëvizjen jotregtare të kafshëve të shoqërimit”. Neni 8 Modeli i dokumentit të identifikimit 1. Modeli i dokumentit të identifikimit, të përmendur në nenin 1, është paraqitur në shtojcën I dhe përbëhet nga sa vijon: a) certifikatën veterinare të përcaktuar në pjesën 1, të shtojcës I; b) deklaratën me shkrim që duhet të nënshkruhet nga pronari ose një person i autorizuar i përcaktuar në pjesën 2, të shtojcës I. 2. Certifikata veterinare e përmendur në paragrafin 1, pika “a”, duhet të: a) plotësohet në përputhje me shënimet në pjesën II të certifikatës veterinare; b) lëshohet nga një veteriner zyrtar i territorit ose të vendit tjetër të dërgimit ose nga një veteriner i autorizuar dhe më pas të miratohet nga autoriteti kompetent i atij territori ose vendi tjetër, në përputhje me kërkesat në lidhje me lëshimin e certifikatës veterinare të vendosur në pjesën 3, të shtojcës I. 3. Deklarata me shkrim e përmendur në paragrafin 1, pika “b”, plotësohet nga pronari ose personi i autorizuar, në përputhje me kërkesat në lidhje me lëshimin e deklaratës me shkrim, të përcaktuar në pjesën 4, të shtojcës I. SHTOJCA I Modeli i dokumentit të identifikimit i përcaktuar në germën “c”, të pikës 2, të nenit 14, të urdhrit nr. 634, datë 2.11.2023, “Për miratimin e rregullores për lëvizjen jotregtare të kafshëve të shoqërimit” Pjesa 1 Modeli i certifikatës veterinare për lëvizjen jotregtare të zogjve të shoqërimit në territorin e Republikës së Shqipërisë nga një vend ose territor tjetër Pjesa 2 Modeli i shkruar i deklaratës së përcaktuar në pikën 3, të nenit 30, të urdhrit nr. 634, datë 2.11.2023, “Për miratimin e rregullores për lëvizjen jotregtare të kafshëve të shoqërimit” DEKLARATË Unë, i nënshkruari, Emri: …………………………………………………………………………………………… Adresa: ………………………………………………………………………………………… Numri i telefonit: ……………………………………………………………………………… (vendosni të dhënat e pronarit (a) ose personit të autorizuar që ka autorizim me shkrim nga pronari për të kryer lëvizjen jotregtare në emër të pronarit (a) (b)) deklaroj që: 1. Zogu(të) do të shoqërojnë personin e nënshkruar dhe janë “kafshë shoqërimi”, siç përcaktohet në nenin 3, pika “b”, të urdhrit nr. 634, datë 2.11.2023, “Për miratimin e rregullores për lëvizjen jotregtare të kafshëve të shoqërimit” të destinuara për një lëvizje jotregtare dhe nuk synohen të shiten apo transferohen tek një pronar tjetër. 2. Zogu(të) do të mbeten nën përgjegjësinë e personit të nënshkruar gjatë lëvizjes së tij/tyre jotregtare. 3. Gjatë periudhës ndërmjet inspektimit klinik para lëvizjes nga një veteriner zyrtar ose veteriner i autorizuar dhe largimit aktual, zogu(të) do të qëndrojnë të izoluar dhe nuk do të jenë në kontakt me asnjë shpend(ë) tjetër. 4. (a) ose [Zogu(të) do të zhvendosen në një shtëpi ose në një vendbanim tjetër brenda vendit ................................. (vendos adresën) (b) dhe nuk do të përfshihen në shfaqje, panaire, ekspozita ose organizime të tjera të shpendëve gjatë periudhës së 30 ditëve pas datës së hyrjes në vend]; dhe (a) ose [zogu(të) ka/kanë qenë të mbyllur në ambientet e origjinës për një periudhë prej të paktën 30 ditësh menjëherë përpara datës së dërgimit në Republikën e Shqipërisë pa rënë në kontakt me zogj të tjerë.]; (a) ose [zogu(të) është/janë vaksinuar kundër gripit të shpendëve të nëntipit H5 dhe H7 nga një veteriner.]]; (a) ose [zogu(të) i janë nënshtruar/kanë kaluar 14 ditë izolim para lëvizjes dhe kanë rezultuar negativë në një test për zbulimin e antigjenit ose gjenomit H5 dhe H7 të gripit të shpendëve.]]; (a) ose [kam bërë rregullime për karantinën 30 ditë pas futjes së zogjve në stabilimentin e karantinës ................................................. (b) (c) (d), siç tregohet në certifikatën përkatëse veterinare.]; (a) ose [ vendi i destinacionit ka dhënë një përjashtim sipas nenit 21, të urdhrit nr. 634, datë 2.11.2023, “Për miratimin e rregullores për lëvizjen jotregtare të kafshëve të shoqërimit” për lëvizjen jotregtare të zogjve të shoqërimit në territorin e tij (d)]. …………………………………………… …………………………………………. Data dhe vendi Emri dhe firma Kjo deklaratë me shkrim është e vlefshme për një periudhë 10-ditore nga data e nënshkrimit të certifikatës veterinare nga veterineri zyrtar i territorit ose vendit të origjinës. Në rastin e transportit me rrugë detare, periudha e vlefshmërisë do të zgjatet me një periudhë shtesë që korrespondon me kohëzgjatjen e udhëtimit detar. (a) Mbajeni sipas rastit. (b) Vendosni informacionin me shkronja kapitale. (c) Vendosni emrin, numrin e miratimit dhe detajet e kontaktit të stabilimenti të karantinës. (d) Dëshmia duhet t’i jepet veterinerit zyrtar të territorit ose të vendit të origjinës. Pjesa 3 Kërkesat në lidhje me lëshimin e certifikatës veterinare të përcaktuar në pjesën 1 Për lëshimin e certifikatës veterinare të përcaktuar në pjesën 1 të kësaj shtojce, do të zbatohen: a) Kur certifikata veterinare thotë se deklarata të caktuara duhet të mbahen sipas nevojës, deklaratat që nuk janë relevante duhet të shënjohen (me vizë), iniciohen dhe vulosen nga veterineri zyrtar ose veterinari i autorizuar, ose fshihen plotësisht nga certifikata veterinare; b) Origjinali i çdo certifikate veterinare duhet të përbëhet nga një fletë e vetme letre, ose, kur kërkohet më shumë tekst, duhet të jetë në një formë të tillë që të gjitha fletët e kërkuara të letrës të jenë pjesë e një certifikate veterinare të integruar dhe të pandashme; c) Certifikata veterinare duhet të hartohet në të paktën një nga gjuhët zyrtare të vendit të origjinës dhe në anglisht dhe duhet të plotësohet me shkronja të mëdha; d) Nëse certifikatës veterinare i bashkëngjiten fletë letre ose dokumente shtesë, ato fletë letre ose dokumente do të konsiderohen gjithashtu si pjesë e origjinalit të certifikatës veterinare me aplikimin e nënshkrimit dhe vulës së veterinerit zyrtar ose veterinerit të autorizuar, në secilën prej këtyre faqeve; e) Kur certifikata veterinare, duke përfshirë çdo fletë letre shtesë ose dokumente mbështetëse të përmendura në pikën “d”, përfshin më shumë se një faqe, çdo faqe do të numërohet (numri i faqes së numrit të përgjithshëm të faqeve) në fund të faqeve dhe do të ketë në krye të çdo faqeje numrin e referencës së certifikatës veterinare që është caktuar nga autoriteti kompetent; f) Origjinali i certifikatës veterinare do të lëshohet nga një veteriner zyrtar i territorit ose vendit të dërgimit ose alternativisht nga një veteriner i autorizuar dhe më pas miratohet nga autoriteti kompetent i territorit ose vendit të dërgimit. Autoriteti kompetent i territorit ose vendit tjetër të dërgimit duhet të sigurojë që rregullat dhe parimet e certifikimit janë të barasvlershme me ato të përcaktuara në pjesën II, të shtojcës II. Ngjyra e nënshkrimit(ve) në certifikatën veterinare duhet të jetë e ndryshme nga ajo e printimit. Kjo kërkesë do të zbatohet gjithashtu për vulat e tjera nga ato të stampuara ose me filigran; g) Numri i referencës së certifikatës veterinare të përmendur në kutitë I.2 dhe II.a të certifikatës veterinare do të lëshohet nga autoriteti kompetent i territorit ose vendit të dërgimit. Pjesa 4 Kërkesat në lidhje me lëshimin e deklaratës me shkrim, të përcaktuara në pjesën 2 Deklarata me shkrim do të hartohet në të paktën një nga gjuhët zyrtare të vendit dhe në anglisht, dhe duhet të plotësohet me shkronja të mëdha. SHTOJCA II Pjesa 1 Kërkesat për dhënien e miratimit të stabilimenteve të karantinës për kafshët tokësore që mbahen për mbarështim, të ndryshme nga primatët 1. Kërkesat në lidhje me karantinën, izolimin dhe masat e tjera të biosigurisë së stabilimenteve të karantinës për kafshët tokësore që mbahen për mbarështim, të ndryshme nga primatët, janë si më poshtë: a) çdo njësi e stabilimentit të karantinës duhet: i. të jetë i vendosur në një distancë të sigurt nga stabilimentet përreth ose vende të tjera ku mbahen kafshët, për të shmangur transmetimin e sëmundjeve ngjitëse të kafshëve midis atyre në fermë dhe atyre në karantinë; ii. që periudha e nevojshme e karantinës të fillojë në momentin kur kafsha e fundit futet në karantinë; iii. të boshatiset nga kafshët, të pastrohet dhe dezinfektohet, në fund të periudhës së karantinës për grupin e fundit dhe më pas të mbahet pa kafshë për një periudhë prej të paktën shtatë ditësh përpara se një grup i ri kafshësh të futet në stabilimentin e karantinës, i cili ka hyrë në vend nga vende ose territore të tjera; b) duhet të hiqen shtrojat, kur një ngarkesë kafshësh zhvendoset nga një vend i rrethuar, dhe duhet të zëvendësohet me shtroja të reja, pasi të ketë përfunduar procesi i pastrimit dhe dezinfektimit; c) foragjeret, mbeturinat, feçet dhe urina nuk duhet të mblidhen nga objekti, përveç rasteve kur ato i janë nënshtruar një trajtimi të posaçëm për të shmangur përhapjen e sëmundjeve të kafshëve; d) duhet të merren masa paraprake për të parandaluar kontaminimin e kryqëzuar ndërmjet ngarkesave të kafshëve që hyjnë dhe dalin; e) kafshët e liruara nga stabilimentet e karantinës duhet të përmbushin kërkesat e lëvizjes së kafshëve tokësore që mbahen për mbarështim, midis vendeve. 2. Kërkesat në lidhje me masat e survejancës dhe kontrollit të stabilimenteve të karantinës për kafshët tokësore që mbahen për mbarështim, përveç primatëve, do të jenë si më poshtë: a) plani i survejancës së sëmundjeve duhet të përfshijë kontrollin e duhur të zoonozave të kafshëve dhe duhet të zbatohet, dhe përditësohet sipas numrit dhe specieve të kafshëve të pranishme në stabiliment, dhe situatës epidemiologjike brenda dhe rreth stabilimentit për sa i përket sëmundjeve të listuara dhe emergjente; b) kafshët e dyshuara se janë të infektuara ose të kontaminuara nga agjentët e sëmundjeve të listuara ose emergjente duhet t’i nënshtrohen testeve klinike, laboratorike ose testimit postmortum; c) vaksinimi dhe trajtimi i kafshëve të prekshme ndaj sëmundjeve të transmetueshme të kafshëve duhet të kryhet sipas rastit; d) kur urdhërohet nga autoriteti kompetent, kafshët sentinele (roje) duhet të përdoren për zbulimin e hershëm të sëmundjeve të mundshme. 3. Kërkesat në lidhje me objektet dhe pajisjet e stabilimenteve të karantinës për kafshët tokësore që mbahen për mbarështim, përveç primatëve, do të jenë si më poshtë vijon: a) stabilimentet duhet të jenë të përcaktuara qartë dhe lejimi i kafshëve dhe i njerëzve në objektet e kafshëve duhet të jetë i kontrolluar; b) duhet të ketë ambiente mjaftueshëm të mëdha në dispozicion të personelit përgjegjës për kryerjen e kontrolleve veterinare, duke përfshirë dhomat e zhveshjes, dushet dhe tualetet; c) duhet të jenë të disponueshme mjetet e duhura për kapjen, mbylljen dhe kur është e nevojshme kufizimi dhe izolimi i kafshëve; d) duhet të jenë të disponueshme pajisjet për pastrim dhe dezinfektim; e) pjesa e stabilimentit ku mbahen kafshët duhet të jetë: i. kur urdhërohet nga autoriteti kompetent për të adresuar rreziqe specifike për shëndetin e kafshëve, rezistente ndaj insekteve me hyrjen dhe daljen e ajrit me filtër HEPA, kontrollin e brendshëm të vektorëve, lejimin e hyrjes nëpërmjet dy dyerve dhe procedurat e funksionimit; ii. e ruajtur nga zogjtë, mizat dhe parazitët; iii. e mbyllur në mënyrë që të lejojë tymosjen; iv. e një standardi të përshtatshëm dhe të ndërtuar në mënyrë që kontakti me kafshët jashtë të parandalohet dhe që inspektimet dhe çdo trajtim i nevojshëm mund të kryhen lehtësisht; v. e ndërtuara në atë mënyrë që dyshemetë, muret dhe i gjithë materiali tjetër ose pajisjet mund të pastrohen dhe dezinfektohen lehtësisht. Pjesa 2 Nënshkrimi, lëshimi dhe garancitë e certifikatave zyrtare 1. Certifikatat zyrtare lëshohen nga autoritetet kompetente të dy vendeve. 2. Autoritetet kompetente duhet të caktojnë zyrtarët certifikues të cilët janë të autorizuar për të nënshkruar certifikatat zyrtare dhe do të sigurojnë që këta zyrtarë: a) të jenë të paanshëm, të lirë nga çdo konflikt interesi dhe në veçanti nuk janë në një situatë që mundet, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të ndikojë në paanshmërinë e sjelljes së tyre profesionale, në lidhje me atë që certifikohet; dhe b) kanë marrë trajnimin e duhur mbi rregullat me të cilat pajtueshmëria vërtetohet me një certifikatë zyrtare dhe për vlerësimin teknik të pajtueshmërisë me ato rregulla, si dhe me rregullat përkatëse të përcaktuara në këtë rregullore. 3. Certifikatat zyrtare do të nënshkruhen nga zyrtari certifikues dhe do të lëshohen për një nga arsyet e mëposhtme: a) njohja e drejtpërdrejtë nga zyrtari certifikues për faktet dhe të dhënat e përditësuara të rëndësishme për certifikimin, që është marrë nëpërmjet: i. një kontrolli zyrtar; ose ii. marrjes së një certifikate tjetër zyrtare të lëshuar nga autoritetet kompetente; b) faktet dhe të dhënat e rëndësishme për certifikimin, njohuritë e të cilave janë konstatuar nga një person tjetër i autorizuar për këtë qëllim nga dhe që vepron nën kontrollin e autoriteteve kompetente, me kusht që zyrtari certifikues të mund të verifikojë saktësinë e këtyre fakteve dhe të dhënave; c) faktet dhe të dhënat relevante për certifikimin, të cilat janë marrë nga sistemet e kontrollit të vetë operatorëve, të plotësuara dhe të konfirmuara me rezultate nga kontrollet e rregullta zyrtare, ku në këtë mënyrë zyrtari certifikues është i kënaqur që kushtet për lëshimin e certifikatës zyrtare janë plotësuar. 4. Certifikatat zyrtare nënshkruhen nga zyrtari certifikues dhe lëshohen vetëm në bazë të pikës “a”, të paragrafit 3 të këtij neni, kur këtë e kërkojnë rregullat e përmendura në nenin 1(2). 5. Certifikatat zyrtare duhet: a) të kenë një kod unik; b) të mos nënshkruhen nga zyrtari certifikues kur janë bosh ose jo të plota; c) të hartohen në një nga ose më shumë nga gjuhët zyrtare të vendeve; d) të jenë autentike dhe të sakta; e) të lejojnë identifikimin e personit që i ka nënshkruar dhe datën e lëshimit; dhe f) të lejojë verifikimin e lehtë të lidhjeve ndërmjet certifikatës, autoritetit lëshues dhe ngarkesës, lotit ose kafshës, ose mallit individual të mbuluar nga certifikata. 6. Autoritetet kompetente marrin të gjitha masat e duhura për të parandaluar lëshimin e certifikatave zyrtare false ose mashtruese, ose abuzimin me certifikatat zyrtare.

Order nr. 449 dated 13 June 2024 on the approval of the regulation On the non-commercial movement of companion birds · Nelum