Order n. 230, dated 20 May 2022 on the approval of the regulation On a multi-year rehabilitation plan for spearfish”
Made 2022-05-20 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Original title
- Urdhër nr.230, date 20.5.2022 për miratimin e rregullores “Për një plan shumëvjeçar rehabilitimi për peshkun shtizë”.
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Fisheries and aquaculture
- Keywords
- fishery management and conservation, fishing vessel, marine fisheries, marine fishes, policy/planning, protection of species, allocation/quota, sustainable use, aquatic animals, biodiversity
Where to read it
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
URDHËR Nr. 230, datë 20.5.2022 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR NJË PLAN SHUMËVJEÇAR REHABILITIMI PËR PESHKUN SHTIZË” Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës; të nenit 15 dhe pikës 1 të nenit 19, të ligjit nr. 64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar; si dhe të pikave 1 dhe 2, të nenit 8, të Konventës Ndërkombëtare për Ruajtjen e Peshkut Ton të Atlantikut (ICCAT), të miratuar me ligjin nr. 9822, datë 29.10.2007, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për Ruajtjen e Peshkut Ton të Atlantikut (ICCAT)”, URDHËROJ: 1. Miratimin e rregullores “Për një plan shumëvjeçar rehabilitimi për peshkun shtizë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij urdhri dhe është pjesë përbërëse e tij. 2. Ngarkohet Drejtoria e Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës dhe Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. MINISTËR I BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL Frida Krifca RREGULLORE PËR NJË PLAN SHUMËVJEÇAR REHABILITIMI PËR PESHKUN SHTIZË Neni 1 Qëllimi Kjo rregullore përcakton rregulla të përgjithshme për zbatimin e një plani shumëvjeçar rehabilitimi për peshkun shtizë (Xiphias gladius) të miratuar nga ICCAT-i, deri në vitin 2031. Neni 2 Objekti Objekti i kësaj rregulloreje është arritja e një niveli biomase të peshkut shtizë (Xiphias gladius), që i korrespondon rendimentit maksimal të qëndrueshëm deri në vitin 2031, me një probabilitet prej të paktën 60%, të arritjes së këtij objektivi. Neni 3 Përkufizimet 1. Në kuptim të kësaj rregulloreje, zbatohen përkufizimet, si më poshtë: a) “Anije peshkimi” nënkupton çdo anije të pajisur për shfrytëzimin tregtar të burimeve biologjike detare; b) “Autorizim për të peshkuar” nënkupton autorizimin ose lejen e lëshuar, në përputhje me ligjin nr. 64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, për të lejuar anijet e peshkimit të kryejnë aktivitete specifike të peshkimit, në periudha të caktuara, në një zonë të caktuar, sipas kushteve specifike; c) “CPC” nënkupton palët kontraktuese të Konventës ICCAT dhe palët, subjektet ose subjektet e peshkimit bashkëpunuese jokontraktuese; ç) “Deti Mesdhe” nënkupton ujërat detare të Mesdheut në Lindje të meridianit 5o36’ në Perëndim; d) “Kontratë çarter” nënkupton një marrëveshje qiraje ose huapërdorje me të cilën një anije peshkimi kontraktohet për një periudhë të caktuar nga një operator vendës ose i huaj, pa ndryshuar flamur; dh) “Grep” nënkupton një copë teli çeliku të mprehtë dhe të përkulur; e) “Hedhurina” nënkupton atë pjesë të zënieve, e cila hidhet përsëri në det; ë) “ICCAT’ nënkupton Konventën Ndërkombëtare për Ruajtjen e Peshkut Ton të Atlantikut; f) “Linjë grepash” nënkupton një vegël peshkimi, e cila përbëhet nga një linjë kryesore ku vendosen grepa ose linja dytësore me gjatësi dhe vendosje, në varësi të specieve objekt peshkimi; g) “Mundësi për të peshkuar” nënkupton të drejtën për të peshkuar, shprehur në zënie ose njësi të sforcos; gj) “Peshkim çlodhës-argëtues” nënkupton aktivitetin e peshkimit jotregtar, i cili shfrytëzon burimet peshkore si formë argëtimi, turizmi ose sporti; h) “Produkte peshkore” nënkupton organizmat ujorë të përfituar nga çdo aktivitet peshkimi, ose produktet e prejardhura nga ky aktivitet; i) “SCRS” nënkupton Komitetin e Përhershëm për Kërkimin dhe Statistikat; j) “Transbordim” nënkupton shkarkimin e çfarëdo sasie produktesh peshkore nga bordi i një anije tek bordi i një anijeje tjetër; k) “Zbarkim” nënkupton shkarkimin e çfarëdo sasie produktesh peshkore nga bordi i anijes së peshkimit në tokë; l) “Zona e Konventës ICCAT” nënkupton të gjithë ujërat e Oqeanit Atlantik dhe të deteve përreth. Neni 4 Shpërndarja e mundësive për të peshkuar 1. Zëniet e lejuara vjetore (kuota) për peshkun shtizë (Xiphias gladius) përcaktohet në bazë vjetore nga ICCAT-i. 2. Drejtoria përgjegjëse për peshkimin harton Planin Vjetor të Peshkimit të peshkut shtizë, sipas formatit të përcaktuar nga udhëzuesi i ICCAT-it, ku përcaktohet kuota, numri i anijeve të lejuara, shpërndarja e kuotës midis segmenteve të flotës dhe sasia e lejuar për zëniet e padëshiruara. 3. Çdo vit kalendarik, drejtoria përgjegjëse për peshkimin kryen shpërndarjen e mundësive të peshkimit për peshkun shtizë bazuar në kritere objektive, përfshirë këtu kriteret mjedisore, sociale dhe ekonomike, për të siguruar një shpërndarje të drejtë midis segmenteve të flotës, përfshirë këtu edhe peshkimin artizanal dhe tradicional, bazuar në nenin 30, të ligjit nr. 64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar. 4. Drejtoria përgjegjëse për peshkimin parashikon që një pjesë e kuotave të dedikohet për zëniet rastësore. 5. Peshqit shtizë të peshkuar dhe të lëshuar të ngordhur zbriten nga kuota vjetore. 6. Në rast të rritjes së kuotës, rishpërndarja e saj garanton zënie edhe për anijet të cilat përmbushin kriteret, por që nuk kanë pasur kuota të alokuara në vitin paraardhës. 7. Nuk lejohet të peshkohet peshku shtizë gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimit çlodhës argëtues. Neni 5 Masat kufizuese 1. Ndalohet peshkimi i peshkut shtizë, si dhe zëniet rastësore, mbajtja në bord, transbordimi dhe zbarkimi gjatë periudhës 1 janar deri më 31 mars të çdo viti. 2. Ndalohet peshkimi, mbajtja në bord, transbordimi, zbarkimi, magazinimi dhe tregtimi i peshkut shtizë: a) me përmasa më të vogla se 100 cm (gjatësia e matur nga nofulla e poshtme deri te bifurkacioni i bishtit); ose b) me peshë më të vogël se 11.4 kg peshë e gjallë ose 10.2 kg peshë e karkasës. 3. Lejohet mbajtja në bord, transbordimi, zbarkimi ose transportimi për herë të parë vetëm për peshkun shtizë të papërpunuar, pa heqjen e velëzave dhe organeve të brendshme. 4. Anijet e peshkimit të autorizuara për të peshkuar peshkun shtizë, mund të mbajnë në bord, transbordojnë, zbarkojnë, magazinojnë, tregtojnë zëniet e padëshiruara për këtë specie, nën përmasat e referencës të përcaktuara në pikën 3 të këtij neni, nëse ato nuk tejkalojnë 5% të peshës ose numrit total të individëve të peshkut shtizë të zënë nga këto anije gjatë vitit. 5. Zëniet rastësore të peshkut shtizë nuk duhet të tejkalojnë limitin e përcaktuar në Planin Vjetor të Peshkimit të peshkut shtizë. 6. Kur kuota është arritur, peshku shtizë i zënë i gjallë duhet të lëshohet përsëri në det, i gjallë. 7. Kur kuota për peshkun shtizë është arritur, ndalohet tregtimi dhe përpunimi i individëve të ngordhur. 8. Zëniet e realizuara pas plotësimit të kuotës për peshkun shtizë, si dhe zëniet e padëshiruara duhet të raportohen. Neni 6 Karakteristikat e veglave të peshkimit 1. Numri maksimal i lejuar i grepave që mund të përdoren ose mbahen në bordin e anijeve që kryejnë gjuetinë e peshkut shtizë është jo më shumë se 2500 grepa. 2. Me përjashtim të pikës 1 të këtij neni, në bordin e anijes mund të mbahet si zëvendësim një seri grepash me jo më shumë se 2500 grepa, në rastet kur udhëtimi i peshkimit zgjat më shumë se 2 ditë. Kjo seri grepash zëvendësuese duhet të jetë e lidhur dhe e vendosur nën kuvertën e anijes, në mënyrë që të mos përdoret lehtësisht. 3. Grepat duhet të jenë me një gjatësi jo më të vogël se 7 cm. 4. Linja e grepave nuk duhet të tejkalojë 30 milje detare gjatësi (55.56 km). Neni 7 Autorizimi për të peshkuar 1. Drejtoria përgjegjëse për peshkimin lëshon autorizimet për anijet e peshkimit që peshkojnë peshkun shtizë. 2. Vetëm anijet e peshkimit të regjistruara në regjistrin e anijeve të ICCAT-it, mund të peshkojnë, mbajnë në bord, transbordojnë, zbarkojnë, transportojnë ose përpunojnë peshkun shtizë. 3. Anijet e peshkimit me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 20 metra duhet të regjistrohen në regjistrin e ICCAT-it. 4. Anijet e peshkimit, të cilat kanë kryer aktivitet peshkimi për peshkun shtizë, duke përdorur linja grepash, gjatë vitit paraardhës, duhet të raportohen në Sekretariatin e ICCAT-it, brenda datës 31 korrik të çdo viti. 5. Raportimi duhet të jetë në përputhje me “Manualin ICCAT për dërgimin e të dhënave dhe informacioneve” dhe duhet të përmbajë: a) emrin e mjetit lundrues (ose numrin unik të regjistrit NFR); b) numrin ICCAT. Neni 8 Monitorimi dhe vëzhgimi Pajisja, sinjalizimi, funksionimi i sistemit të monitorimit të anijeve (VMS) për anijet e autorizuara për peshkimin e peshkut shtizë kryhen në përputhje me nenin 72, të ligjit nr. 64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar dhe me kreun IV, të vendimit nr. 407, datë 8.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e një regjimi kontrolli për të garantuar respektimin e rregullave të politikave menaxhuese në peshkim”, të ndryshuar. Neni 9 Kontrata çarter Ndalohet dhënia me qira ose huapërdorje e anijeve të autorizuara për të peshkuar peshkun shtizë. Neni 10 Programi kombëtar i vëzhgimit shkencor për peshkimin pelagjik me linja grepash 1. Programi kombëtar i vëzhgimit shkencor mbulon të paktën 10% e anijeve me gjatësi mbi 15 metra të autorizuara për të peshkuar peshkun shtizë me linjë grepash. Përqindja e mbulimit matet bazuar në ditët e peshkimit, numrin e anijeve ose në operacionet e peshkimit. 2. Programi kombëtar i vëzhgimit shkencor përmban metodologjinë, si dhe mënyrën e grumbullimit të të dhënave për anijet e përmendura në pikën 1 të këtij neni. 3. Programi kombëtar i vëzhgimit shkencor dërgohet për t’u vlerësuar në Komitetin e Përhershëm për Kërkimin dhe Statistikat (SCRS) të ICCAT. Metodologjia e grumbullimit të të dhënave pranohet nga ICCAT-i përpara se të zbatohet. 4. Vëzhguesit e autorizuar për të zbatuar Programin Kombëtar të Vëzhgimit shkencor duhet të jenë të pajisur me një dokument identifikues. 5. Detyrat e vëzhguesve përcaktohen në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje. 6. Përveç detyrave të përcaktuara në shtojcën 1, vëzhguesit vlerësojnë dhe raportojnë të dhënat, si më poshtë: a) nivelet e hedhurinave për peshkun shtizë nën përmasat minimale të përcaktuara në pikën 2, të nenit 4 të kësaj rregulloreje; b) specifikat rajonale për moshën dhe përmasat e arritjes së pjekurisë seksuale; c) përdorimin e habitatit, si krahasim për disponueshmërinë të peshkut shtizë në format e tjera të peshkimit, duke përfshirë krahasimet midis formave të peshkimit me linja grepash tradicionale dhe mezopelagjike; ç) impaktin e peshkimit me linja grepash mezopelagjike, bazuar në përbërjen e zënieve, zënie për njësi të sforcos, si dhe përbërjen e zënieve, sipas përmasave trupore. d) raportim mujor mbi përqindjen e rekrutëve dhe riprodhuesve në zënie. 7. Jo me vonë se 31 korriku të secilit vit, dërgohet në Sekretariatin e ICCAT-it, informacioni i grumbulluar gjatë vitit paraardhës. Neni 11 Regjistrimi dhe raportimi i të dhënave 1. Kapitenët e anijeve të autorizuara për të zënë peshkun shtizë duhet të mbajnë në bord dhe të plotësojnë librin e zënies, sipas kërkesave të shtojcës 2, të kësaj rregulloreje, i cili pas plotësimit duhet të dërgohet në ministri. 2. Informacioni i grumbulluar dërgohet çdo tremujor në ICCAT dhe jo më vonë se 15 ditë nga përfundimi i tremujorit (p.sh. jo më vonë se 15 prill, 15 korrik, 15 tetor dhe 15 janar të vitit pasardhës). 3. Përveç informacionit të kërkuar në paragrafin 1 të këtij neni, dërgohet në Sekretariatin e ICCAT-it brenda datës 31 korrik të çdo viti, për vitin paraardhës informacioni për anijet e peshkimit të autorizuara për të peshkuar peshkun shtizë me linja grepash, si më poshtë: a) Informacioni lidhur me aktivitetin e peshkimit sipas specieve dhe zonave, bazuar në kampionim ose në të gjithë flotën duke përfshirë: i. periudhën e ushtrimit të aktivitetit dhe ditët totale të peshkimit për secilën anije; ii. zonën gjeografike (sipas kuadrateve statistikore të ICCAT-it) ku është ushtruar aktivitet peshkimi; iii. llojin e anijes; iv. numrin e grepave të përdorur; v. numrin e linjave të grepave të përdorura; vi. gjatësinë totale të linjave të grepave të përdorur. b) Të dhëna për zëniet duke përfshirë: i. përmasat, si dhe shpërndarjen moshore të zënieve; ii. zëniet dhe përbërjen e tyre për çdo anije; iii. sforcon e peshkimit. 4. Informacionet e përmendura në paragrafët 1, 3 dhe 4 të këtij neni dërgohen sipas formatit të përcaktuar në “Manualin e ICCAT-it për Dërgimin e të Dhënave dhe Informacionit”. Neni 12 Zbarkimi dhe transbordimi 1. Peshku shtizë i zënë gjatë aktivitetit të peshkimit, si dhe zëniet rastësore, zbarkohen dhe/ose transbordohen vetëm në portet e peshkimit të përcaktuara në paragrafin 2 të këtij neni. 2. Portet e peshkimit në të cilët mund të zbarkohen/transbordohen zëniet e peshkut shtizë janë: a) Porti i Durrësit; b) Porti i Shëngjinit; c) Porti i Vlorës; ç) Porti i Sarandës. 3. Brenda 1 marsit të secilit vit, Ministria raporton në Sekretariatin e ICCAT-it portet e përcaktuara për zbarkimin dhe transbordimin e zënieve të peshkut shtizë. 4. Kapitenët e anijeve me gjatësi më të madhe ose barabartë me 12 metra, të autorizuar për të peshkuar peshkun shtizë, duhet të raportojnë përpara hyrjes në port inspektoratin e peshkimit. 5. Kapitenet e anijeve me gjatësi nën 12 metra të autorizuar për të peshkuar peshkun shtizë duhet të njoftojnë inspektoratin e peshkimit të paktën 4 orë përpara mbërritjes në port me informacionin, si më poshtë: a) kohën e mbërritjes në port; b) sasinë e peshkut shtizë në bord; c) zonën ku janë kryer zëniet. 6. Nëse kthimi zgjat më pak se 4 orë, atëherë raportimi mbi zëniet mund të bëhet në çdo kohë, përpara mbërritjes në port. 7. Inspektorati i peshkimit duhet të regjistrojë të gjitha njoftimet e kryera nga anijet e peshkimit përgjatë vitit. 8. Ndalohet trasbordimi në det i peshkut shtizë. Neni 13 Inspektimi 1. Në bazë vjetore, inspektorati i peshkimit harton planin e inspektimit vjetor, i cili përmban objektivat, prioritetet dhe procedurat inspektuese. 2. Ministria dërgon Planin Vjetor të Inspektimit për miratim në Sekretariatin e ICCAT-it brenda datës 31 janar të secilit vit. Neni 14 Skema e Inspektimit të Përbashkët Ndërkombëtar nga ICCAT-i 1. Aktivitetet e inspektimit të përbashkët ndërkombëtar kryhen në përputhje me Skemën e Inspektimit të Përbashkët Ndërkombëtar të ICCAT-it, sipas shtojcës 3, të kësaj rregulloreje. 2. Ministria përcakton inspektorët të cilët do të marrin pjesë në skemën e inspektimit ICCAT. 3. Nëse më shumë se 50 anije peshkimi janë të autorizuara për të peshkuar peshkun shtizë në zonën e zbatimit të ICCAT-it, atëherë duhet të vihet në dispozicion një anije inspektuese, për kryerjen e inspektimeve në det gjatë periudhës të zhvillimit të aktivitetit të peshkimit. 4. Ministria dërgon brenda datës 1 dhjetor të secilit vit, emrat e inspektorëve dhe emrin e anijes inspektuese, të cilët do të marrin pjesë në skemën e inspektimit të ICCAT-it. 5. Në rastin kur një anije peshkimi ka kryer shkelje, në kundërshtim me dispozitat e kësaj rregulloreje, sigurohet kryerja e inspektimit fizik të mjetit lundrues në port. Neni 15 Raportimi vjetor 1. Në bazë vjetore drejtoria përgjegjëse për peshkimin harton raportin mbi zbatimin e kësaj rregulloreje. 2. Raporti vjetor përmban informacione mbi masat e ndërmarra për të zvogëluar zëniet e padëshiruara dhe për të reduktuar hedhurinat e peshkut shtizë, nën dimensionet minimale, si dhe studime të kryera në terren. 3. Ministria dërgon informacionin, sipas paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni, në sekretariatin e ICCAT-it, jo më vonë se 15 tetori i çdo viti. SHTOJCA I STANDARDET MINIMALE PËR PROGRAMIN E VËZHGIMIT SHKENCOR NË ANIJET E PESHKIMIT SIPAS ICCAT-it Parashikimet e përgjithshme 1. Standardet minimale për programin e vëzhgimit shkencor në anijet e peshkimit sipas parashikimeve të rekomandimit ICCAT 16–14 janë, si më poshtë: Kualifikimi i vëzhgueseve 2. Ministria garanton që vëzhguesit të kenë kualifikimin minimal për të përmbushur detyrat e tyre: a) njohuri të mjaftueshme dhe eksperiencë për të identifikuar speciet ICCAT, si dhe për konfigurimin e veglave të peshkimit; b) aftësinë për të vëzhguar dhe për të regjistruar me kujdes informacionin që do të grumbullohet, sipas përcaktimeve të programit; c) aftësinë për të përmbushur detyrat e përcaktuara në pikën 6 të kësaj shtojce; ç) aftësinë për të grumbulluar kampionë biologjikë; d) trajnime të përshtatshme lidhur me sigurinë dhe mbijetesën në det. 3. Gjithashtu, për të siguruar integritetin e programit kombëtar të vëzhgimit, ministria siguron që vëzhguesit: a) nuk janë anëtarë të ekuipazhit të anijeve të peshkimit që po vëzhgohen; b) nuk janë të punësuar nga pronari ose nuk janë pronar të anijeve të peshkimit, të cilat po vëzhgohen; c) nuk kanë interesa financiarë me anijet e peshkimit të cilat po vëzhgohen. Mbulimi i programit të vëzhgimit 4. Ministria siguron në përputhje me programin kombëtar të vëzhgimit, si më poshtë: a) Mbulimin e të paktën 5% të sforcos së peshkimit për anijet që përdorin linja grepash, sipas përcaktimeve të ICCAT-it, gjueti me karrem, kurthe, njica dhe rrjeta fundore. Përqindja e mbulimit matet: i. për linjat e grepave pelagjike, sipas ditëve, operacioneve ose udhëtimeve të peshkimit; ii. për gjuetinë me karrem dhe kurthet, në ditë peshkimi; iii. për njicat, sipas orëve ose ditëve të peshkimit; iv. për rrjetat fundore, sipas operacioneve ose ditëve të peshkimit. b) Mbulim në hapësirë dhe në kohë të aktivitetit të flotës për të siguruar grumbullimin e përshtatshëm të të dhënave, sipas kërkesave të rekomandimit ICCAT 16–14. c) Të dhëna të lidhura me disa aspekte të operacioneve të peshkimit, duke përfshirë zëniet, sipas përcaktimeve të pikës 6, të kësaj shtojce. 5. Ministria siguron që vëzhguesit të alternojnë anijet e vëzhguara. Detyrat e vëzhgueseve 6. Ministria kërkon, ndër të tjera, që vëzhguesit: a) Të regjistrojnë dhe raportojnë për aktivitetin e peshkimit të anijes së vëzhguar. Raportimi duhet të përmbajë të paktën: i. të dhëna të grumbulluara, që përfshijnë sasinë e zënieve për speciet target, hedhurinat dhe zëniet e padëshiruara (duke përfshirë edhe peshkaqenët, breshkat e detit, gjitarët detarë dhe shpendët detarë), duke vlerësuar ose matur përbërjen e përmasave trupore, statusin e tyre (p.sh. i mbajtur, i lëshuar i ngordhur, i lëshuar i gjallë), grumbullimin e të dhënave biologjike për studime lidhur me ciklin jetësor (gonadet, otolitet, halat dhe luspat); ii. grumbullimin dhe raportimin mbi të gjithë shënjuesit e gjetur; iii. të dhëna lidhur me operacionet e peshkimit, si: vendndodhjen e zënieve, sipas gjerësisë dhe gjatësisë gjeografike; të dhëna mbi sforcon e peshkimit; të dhëna për secilin operacion peshkimi, duke përfshirë edhe kohën e fillimit dhe mbarimit të aktivitetit; gjendjen e përgjithshme të kafshëve të lëshuara, si dhe shkallën e mbijetesës. b) të vëzhgojnë dhe regjistrojnë përdorimin e masave lehtësuese për zëniet e padëshiruara si dhe informacione të tjera të rëndësishme; c) të vëzhgojnë dhe regjistrojnë, sipas mundësive, kushtet mjedisore, d) të kryejnë çdo detyrë tjetër shkencore, sipas rekomandimeve të Komitetit të Përhershëm për Kërkimin dhe Statistikat dhe dakordësimin me ICCAT-in. Detyrimet e vëzhgueseve 7. Ministria siguron që vëzhguesit: a) të mos ndërhyjnë në pajisjet elektronike të anijes; b) të njohin masat e emergjencës në bordin e anijes, duke përfshirë këtu vendndodhjen e varkave të shpëtimit, fikseve të zjarrit dhe kutisë së ndihmës së shpejtë; c) të komunikojnë nëse është e nevojshme me kapitenin e anijes mbi çështje dhe detyra relevante; ç) të mos pengojnë ose ndërhyjnë gjatë aktivitetit të peshkimit dhe veprimtarive të tjera në anije; d) të marrin pjesë në mbledhje informuese me përfaqësuesit të instituteve shkencore ose me autoritetet përgjegjëse për zbatimin e programit të vëzhgimit. Detyrimet e kapitenit 8. Kapiteni i anijes për të cilën është përcaktuar një vëzhgues: a) duhet të lejojë aksesin e duhur në anije; b) të mundësojë që vëzhguesi mund të kryejë detyrat e tij në mënyrën më eficiente, duke përfshirë këtu sigurimin: i. të aksesit në veglat e peshkimit, dokumentacionin (përfshirë librat e anijes, elektronik ose letër), si dhe zëniet; ii. të komunikimit me përfaqësuesit të instituteve shkencore ose me autoritetet përgjegjëse; iii. të aksesit të duhur në pajisjet elektronike dhe pajisjeve të tjera të lidhura me aktivitetin e peshkimit, duke përfshirë: pajisjet e lundrimit satelitor; pajisjet e komunikimit; iv. që ekuipazhi i anijes të mos tjetërsojë dhe shkatërrojë pajisjet dhe dokumentacionin e vëzhguesit, të pengojë, të ndërhyjë ose të veprojë për të ndaluar vëzhguesin për të kryer detyrën e tij, të frikësojë, ngacmojë ose dëmtojë vëzhguesin në çfarëdo mënyre, të korruptojë ose të tentojë për të korruptuar atë. c) të ofrojë akomodim për vëzhguesit, përfshirë këtu ushqim dhe kujdesin e përshtatshëm shëndetësor dhe mjekësor, të barabartë me ato të oficerëve të anijes; ç) t’i ofrojë vëzhguesit hapësirën e nevojshme në bordin e anijes për të kryer detyrat e tij. Detyrat e Ministrisë 9. Ministria duhet: a) të sigurojë që anijet e peshkimit që peshkojnë speciet e ICCAT-it, të mbajnë në bord vëzhgues shkencor, në përputhje me rekomandimin e ICCAT 16–14; b) të ofrojë sigurinë e vëzhgueseve në det; c) të inkurajojë, kur është e nevojshme, që institutet shkencore ose autoritet kombëtare të bëjnë marrëveshje me institutet shkencore ose autoritet kombëtare të shteteve të tjera për shkëmbimin e raporteve dhe të dhënave të vëzhguesit; ç) të garantojë që raporti vjetor i përgatitur për ICCAT-in dhe SCRS-në, të përmbajë informacion specifik mbi zbatimin e rekomandimit ICCAT 16–14: i. detajet mbi strukturën e programit shkencor të vëzhgimit, duke përfshirë: shkallën e mbulimit të vëzhgimit, sipas veglave të peshkimit; të dhënat që duhet të grumbullohen; protokollet e grumbullimit dhe përpunimit të të dhënave; informacion mbi përzgjedhjen e anijeve të cilat mbulohen nga programi i vëzhgimit; trajnimet e nevojshme për vëzhguesit; kualifikimin e nevojshëm për vëzhguesit. ii. numri i anijeve të monitoruara, shkalla e mbulimit sipas llojit të anijes dhe veglës së peshkimit të përdorur; iii. mënyra se si është përllogaritur shkalla e mbulimit. d) informacioni i përcaktuar në pikën 9(d) dërgohet çdo vit në ICCAT; dh) informacioni i grumbulluar gjatë programit të vëzhgimit kombëtar, dërgohet në SCRS sipas formatit elektronik të miratuar nga SCRS-i; e) të sigurojë zbatimin e një protokolli të qëndrueshëm për grumbullimin e të dhënave nga vëzhguesit, për të përmbushur detyrimet e përcaktuara në pikën 6, duke përdorur edhe materiale fotografike, kur është e mundur dhe e nevojshme. SHTOJCA II KËRKESAT PËR LIBRIN E ANIJES Specifikimet minimale për librin e anijes: 1. Libri anijes numërohet sipas fletëve. 2. Libri anijes plotësohet çdo ditë ose përpara mbërritjes në port. 3. Libri anijes plotësohet, në rast inspektimi në det. 4. Kopjet e fletëve i bashkëlidhen librit të anijes. 5. Në bord mbahen librat e anijes për të mbuluar një periudhë për një vit aktivitet. Informacioni standard minimal për librin e anijes: 1. Emri dhe adresa e kapitenit. 2. Data dhe porti i nisjes, data dhe porti i mbërritjes. 3. Emri i anijes, numri i regjistrit, numri ICCAT, sinjali ndërkombëtar i thirrjes radio (IRCS) dhe numri IMO (nëse disponohet). 4. Veglat e peshkimit: a) kodi FAO; b) përmasat (p.sh. gjatësia, madhësia e syzes, numri i grepave). 5. Të plotësohet të paktën një rresht i librit të anijes për ditë peshkimi, duke përcaktuar: a) aktivitetin (peshkimi, lundrim); b) pozicioni: pozicionet e sakta ditore (në gradë dhe minuta), të regjistruara për cdo operacion peshkimi ose në mesditë kur nuk është kryer aktivitet peshkimi gjatë asaj dite; c) regjistrimin e zënieve, duke përfshirë: i. kodi FAO; ii. pesha e rrumbullakosur në kg për ditë peshkimi; iii. numri i individëve për ditë peshkimi. 6. Nënshkrimi i kapitenit të anijes. 7. Mënyra e matjes së peshës: vlerësimi, peshimi në bord. 8. Në librin e anijes zëniet regjistrohen në ekuivalent të peshës së gjallë, duke përcaktuar koeficientet e konversionit të përdorur gjatë vlerësimit. Informacioni minimal i librave të anijes në rast zbarkimi ose transbordimi: 1. Data dhe porti i zbarkimit ose i transbordimit. 2. Produktet: a) speciet dhe gjendja sipas kodit FAO; b) numrin e peshqve ose arkat dhe sasinë në kg. 3. Nënshkrimi i kapitenit ose subjektit të anijes. 4. Në rast transbordimi: emri i anijes marrëse, flamuri i saj dhe numri ICCAT. SHTOJCA III SKEMA E ICCAT-it PËR INSPEKTIMIN E PËRBASHKËT NDËRKOMBËTAR Në bazë të paragrafit 3 të nenit IX të Konventës ICCAT, ICCAT-i rekomandon krijimin e marrëveshjes për kontroll ndërkombëtar jashtë ujërave nën juridiksionin kombëtar, me qëllim sigurimin e zbatimit të Konventës ICCAT dhe masat në fuqi sipas saj. I. Shkelje të rënda 1. Për qëllime të këtyre procedurave, shkelje e rëndë nënkupton shkeljet e mëposhtme të dispozitave për masat e ruajtjes dhe menaxhimit të miratuara nga ICCAT-i: a) peshkimi pa licencë, leje ose autorizim të lëshuar nga ministria; b) mungesa e regjistrimit të mjaftueshëm të zënieve dhe të dhënave të lidhura me zëniet, në përputhje me kërkesat e ICCAT-i lidhur me raportimin ose keqraportimin e të dhënave mbi zëniet ose të të dhënave të lidhura me zëniet; c) peshkimi në një zonë të mbyllur; ç) peshkimi gjatë një periudhë ndalimi; d) zënien ose mbajtjen e qëllimshme të peshkut shtizë, në kundërshtim me çdo masë ruajtjeje dhe menaxhimi të zbatueshme të miratuara nga ICCAT-i; dh) shkelje të rënda të limiteve të zënies ose të kuotave në fuqi, në përputhje me rregullat e ICCAT-it; e) përdorimi i veglave të ndaluara të peshkimit; ë) falsifikimin ose fshehjen e qëllimshme të shënjuesve, identitetit ose regjistrimit të një anijeje peshkimi; f) fshehja, tjetërsimi ose asgjësimi të elementeve të provës të lidhura me hetimin e një shkeljeje; g) shkeljet e shumta, të cilat të marra së bashku përbëjnë një neglizhencë serioze të masave në fuqi, sipas ICCAT-it; gj) kanosja ose çdo veprim tjetër i dhunshëm të ushtruar ndaj një inspektori të autorizuar ose vëzhguesi, si dhe ndërhyrja, pengimi ose vonimi në mënyrë të padrejtë gjatë ushtrimit të detyrës së tij; h) tjetërsimi ose çaktivizimi i qëllimshëm i VMS-së; i) shkelje të tjera që mund të përcaktohen nga ICCAT-i, pasi këto shkelje të përfshihen dhe të qarkullojnë në një versioni të rishikuar të këtyre procedurave; j) ndërhyrje në sistemin e monitorimit satelitor ose në funksionimin e një anijeje pa VMS; k) transbordimi në det. 2. Në rastin e imbarkimit dhe inspektimit të një anijeje peshkimi gjatë të cilit inspektorët e autorizuar vëzhgojnë një veprimtari ose situatë që do të përbënte një shkelje të rëndë, siç përcaktohet në paragrafin 1, autoritetet e Shtetit te flamurit të anijes së inspektimit duhet të njoftojnë menjëherë Shtetin e flamurit të anijes së peshkimit, drejtpërdrejt, si dhe përmes Sekretariatit të ICCAT-it. Në situata të tilla, inspektori duhet të informojë, gjithashtu, çdo anije inspektuese të shtetit flamur që është në afërsi. 3. Inspektorët e ICCAT-it regjistrojnë inspektimet e ndërmarra dhe shkeljet e konstatuara (nëse ka) në librin e anijes të anijes së peshkimit. 4. CPC-ja e shtetit të flamurit do të sigurojë që anija e peshkimit e inspektuar ndalon të gjitha aktivitetet e peshkimit, pas inspektimit të parashikuar në paragrafin 2 të kësaj shtojce. CPC-ja e shtetit të flamurit do t’i kërkojë kësaj anije peshkimi kthimin, brenda 72 orëve në një port të përcaktuar, ku do të nisë një hetim. 5. Në rastin kur gjatë një inspektimi është konstatuar një aktivitet ose situatë që do të përbënte shkelje të rëndë, anija duhet të rishikohet sipas procedurave të përshkruara në rekomandimin 11–18 të ICCAT-it, duke marrë parasysh çdo veprim tjetër pasues. II. Kryerja e inspektimeve 6. Inspektimet do të kryhen vetëm nga inspektorët e përcaktuar nga ministria (CPC). Emri i institucionit të autorizuar, si dhe të inspektorëve të caktuar, për këtë qëllim i dërgohen Komisionit të ICCAT-it. 7. Anijet inspektuese që kryejnë inspektim ndërkombëtar, në përputhje me këtë shtojcë do të lundrojnë me një flamur të veçantë të miratuar nga Komisioni ICCAT dhe të lëshuar nga Sekretariati i ICCAT-it. Emrat e këtyre anijeve i dërgohen Sekretariatit të ICCAT-it në një kohë sa më të shpejtë. Sekretariati ICCAT vendos në dispozicion informacionin e disponueshëm në lidhje me anijet e përcaktuara të inspektimit për të gjitha CPC-të, duke përfshirë këtu edhe publikimin në faqen e saj të internetit. 8. Inspektorët mbajnë dokumentacionin e duhur të identitetit të lëshuar nga autoritetet e shtetit të flamurit, sipas formatit të parashikuar në paragrafin 21. 9. Në varësi të marrëveshjeve të dakordësuara, sipas paragrafit 16, një anije peshkimi, me flamurin e një CPC-je dhe që peshkon peshkun ton ose peshq të ngjashëm me tonin në zonën e zbatimit të Konventës ICCAT jashtë ujërave kombëtare, ndalon me marrjen e sinjalit, sipas Kodit Ndërkombëtar të Sinjaleve nga një anije inspektimi që lundron nën flamurin e ICCAT-it, sipas paragrafit 7 dhe që mban një inspektor, përveç rasteve kur anija e peshkimit është duke peshkuar. Në këtë rast ajo ndalon menjëherë pasi të ketë përfunduar aktivitetin e saj. Kapiteni i anijes së peshkimit lejon trupën inspektuese, sipas paragrafit 10, të imbarkohen dhe siguron një shkallë imbarkimi. Kapiteni i mundëson trupës inspektuese që të inspektojë pajisjet, rrjetat ose zëniet dhe çdo dokumentet tjetër që inspektori e gjykon të nevojshme për të verifikuar përputhshmërinë e legjislacionit të shtetit flamur të anijes së peshkimit të inspektuar me rekomandimet në fuqi të ICCAT. Gjithashtu, inspektorët mund të kërkojnë çdo shpjegim që ata e gjykojnë të nevojshme. 10. Numri i inspektorëve do të përcaktohet nga oficeri komandues i anijes së inspektimit, duke marrë parasysh rrethanat përkatëse. Trupa e inspektimit duhet të jetë sa më e vogël që të jetë e mundur për të përmbushur, në mënyrë të sigurt detyrat e përcaktuara në këtë shtojcë. 11. Pas imbarkimit në anijen e peshkimit, inspektorët paraqesin dokumentin e identifikimit të sipas paragrafit 8. Inspektorët zbatojnë rregulloret, procedurat dhe praktikat ndërkombëtare në lidhje me sigurinë e anijes së peshkimit që inspektohet dhe ekuipazhit të saj, dhe duhet të zvogëlojnë ndërhyrjen në aktivitetin e peshkimit ose magazinimin e produktit, duke shmangur veprime që do të ndikonin negativisht në cilësinë e produktit. Inspektorët kufizojnë hetimet në konstatimin e respektimit të rekomandimeve në fuqi të ICCAT-it, në lidhje me shtetin e flamurit të anijes së peshkimit në fjalë. Gjatë kryerjes së inspektimit, inspektorët mund t’i kërkojnë ndihmë kapitenit të anijes së peshkimit brenda nevojës. Inspektorët do të hartojnë një raport të inspektimit, sipas formatit të miratuar nga Komisioni ICCAT. Inspektorët e nënshkruajnë raportin në prani të kapitenit të anijes së peshkimit, i cili ka të drejtë të shtojë në raport çdo vëzhgim që ai mund ta konsiderojë të përshtatshëm si dhe t’i nënshkruajë ato. 12. Kopjet e raportit i jepen kapitenit të anijes së peshkimit dhe shtetit të trupës inspektuese, e cila transmeton kopjet autoriteteve përkatëse të shtetit flamur të anijes së peshkimit të inspektuar dhe Komisionit të ICCAT-it. Kur konstatohet ndonjë shkelje e rekomandimeve të ICCAT-it, inspektori duhet, aty ku është e mundur, të informojë, gjithashtu, çdo anije inspektuese të shtetit flamur të anijes së peshkimit që ndodhet në afërsi. 13. Kundërshtimi ndaj inspektorëve ose moszbatimi i udhëzimeve të tyre trajtohet nga shteti i flamurit të anijes së peshkimit të inspektuar, në një mënyrë të njëjtë me një sjellje të ngjashme kryer ndaj një inspektori kombëtar. 14. Inspektorët kryejnë detyrat e tyre, sipas këtyre marrëveshjeve në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë rregullore, duke mbetur nën kontrollin operacional të autoriteteve të tyre kombëtare dhe janë përgjegjës ndaj tyre. 15. CPC-ja marrin në konsideratë dhe veprojnë në lidhje me raportet e inspektimit, vëzhgimet sipas rekomandimit 94–09 të ICCAT-it dhe deklaratave nga inspektimet të dokumentuara të inspektorëve të huaj, sipas këtyre marrëveshjeve si të ishin raporte të përpunuara nga inspektorë kombëtar. Dispozitat e këtij paragrafi sjellin asnjë detyrim ndaj CPC-së për t’i dhënë raportit të një inspektori të huaj një vlerë provuese më të lartë se sa ndaj inspektorit vendës. CPC-të bashkëpunojnë për të lehtësuar procedurat gjyqësore ose të tjera procedura që rrjedhin nga një raport i një inspektori sipas këtyre marrëveshjeve. 16. a) CPC-ja informojnë Komisionin e ICCAT-it deri më 1 janar të çdo viti për planet e tyre të përkohshme për kryerjen e aktiviteteve të inspektimit, sipas rekomandimit 16–05 të ICCAT-it gjatë vitit kalendarik në fjalë dhe Komisioni i ICCAT-it mund të bëjë sugjerime CPC-së për koordinimin e operacioneve kombëtare në këtë fushë, duke përfshirë numrin e inspektorëve dhe të anijeve inspektuese; b) parashikimet e përcaktuara në rekomandimin 16–05 të ICCAT-it dhe planet për pjesëmarrje zbatohen ndërmjet CPC-ve, përveç rasteve kur ka një marrëveshje ndërmjet tyre, për të cilën njoftohet Komisioni i ICCAT-it. Megjithatë, pezullimi i marrëveshjes ndërmjet CPC-ve kur të paktën njëra prej tyre ka njoftuar Komisionin ICCAT, në pritje të përfundimit të një marrëveshjeje të tillë. 17. a) Veglat e peshkimit inspektohen në përputhje me rregulloret në fuqi për nën zonën gjeografike (GSA) në të cilën kryhet inspektimi. Inspektorët deklarojnë në raportin e inspektimit GSA në të cilën është kryer inspektimi dhe përshkrimin e çdo shkeljeje të konstatuar; b) inspektorët kanë autoritetin për të inspektuar të gjitha veglat e peshkimit në përdorim ose në bordin e anijes. 18. Inspektorët vendosin një shenjë identifikimi të miratuar nga Komisioni ICCAT në çdo vegël peshkimi të inspektuar, e cila është në kundërshtim me rekomandimet në fuqi të ICCAT-it të zbatuara nga shteti i flamurit për këtë anije peshkimi, si dhe regjistron këtë në raportin e tij. 19. Inspektorët mund të fotografojnë veglat e peshkimit, pajisjet, dokumentacionin dhe çdo element tjetër që konsideron të nevojshëm për të zbuluar ato karakteristika, që sipas tyre nuk janë në përputhje me rregulloren në fuqi, në këtë rast këto fotografime renditen në raport dhe kopjet e tyre i bashkëlidhen kopjeve të raportit për shtetin e flamurit. 20. Inspektorët, sipas nevojës, inspektojnë të gjithë zëniet në bord për të përcaktuar përputhshmërinë me rekomandimet e ICCAT-it. 21. Modeli i dokumentit të identifikimit për inspektorët është, si më poshtë: Përmasat: gjatësia 10,4 cm, lartësia 7 cm.