Law No. 9890 amending and supplementing Law No. 8934 of 2002 on environmental protection
Made 2008-03-20 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Act
- Organisation
- European Union
- Country
- Albania
- Subjects
- Air and atmosphere, Environment, Land and soil, Water, Wild species and ecosystems, Waste and hazardous substances
- Keywords
- pollution control, ecosystem conservation, polluter pays principle, precautionary principle, liability/compensation, monitoring, environmental planning, authorization/permit, clean development mechanism, policy/planning, soil conservation/soil improvement, freshwater pollution, management/conservation, biodiversity, wild fauna, wild flora, air quality/air pollution, ozone layer, waste management, hazardous substances
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI L I G J Nr.9890, datë 20.3.2008 PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8934, DATË 5.9.2002 “PËR MBROJTJEN E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I: Në ligjin nr.8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Neni 1 Në nenin 3 bëhen shtesat si më poshtë: 1. Në fund të pikës 18 shtohet fjalia me këtë përmbajtje: “Leja mjedisore për veprimtaritë, që përdorin burimet natyrore ose që mund të kenë ndikim negativ në mjedis, lëshohet sipas dispozitave të këtij ligji dhe të ligjeve të tjera të veçanta për mjedisin.”. 2. Pas pikës 18 shtohet pika 18/1 me këtë përmbajtje: “18/1. “Leja mjedisore e integruar” është leje e mbështetur në më shumë se në një ligj të veçantë mjedisor dhe e lëshuar për veprimtari, që i nënshtrohen parandalimit dhe kontrollit të integruar të ndotjes, sipas nenit 15 të këtij ligji, bazuar në direktivën 96/61/EC, 24.9.1996 “Për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes (IPPC).”. 3. Pas pikës 39 shtohen pikat 40, 41, 42, 43, 44, 45, 46, 47 dhe 48 me këtë përmbajtje: “40. “Publik” janë personat fizikë ose juridikë, organizatat jofitimprurëse dhe grupimet e tyre. 41. “Aksident” është dukuri në formë të emisionit të madh, të zjarrit ose të shpërthimit, që ndodh si rezultat i ngjarjeve të pakontrolluara gjatë punës së një veprimtarie, me praninë e një apo më tepër substancave të rrezikshme e që sjell rrezik serioz për jetën e shëndetin e njeriut dhe për mjedisin, menjëherë ose më vonë, në vendin e zhvillimit të veprimtarisë ose jashtë saj. 42. “Rrezik” është cilësia e një substance të rrezikshme ose e një situate fizike, e aftë të shkaktojë dëme për jetën, shëndetin e njeriut dhe për mjedisin. 43. “Kërcënim” është mundësia për paraqitjen e pasojës së caktuar negative për mjedisin, në periudhë të caktuar kohore ose në rrethana të caktuara. 44. “Ndryshime klimatike” janë ndryshime të shkaktuara nga ndikimet antropogjene në sistemin klimatik, në përputhje me dispozitat e Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara “Për ndryshimet klimatike”, ku Republika e Shqipërisë është palë me ligjin nr.9334, datë 16.12.2004 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin e Kiotos të Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike”. 45. “Mekanizëm për zhvillim të pastër” është njëri nga mekanizmat fleksibël të përcaktuar në nenin 12 të Protokollit të Kiotos, ku Republika e Shqipërisë është palë me ligjin nr.9334, datë 16.12.2004 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin e Kiotos të Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike”. 46. “Biocenozë” është bashkësi llojesh apo shoqërimi i mikroorganizmave, bimëve ose kafshëve, të lidhur me një biotop të caktuar. 47. “Ministër” është ministri që drejton ministrinë përgjegjëse për mjedisin. 48. “Ministri” është ministria përgjegjëse për mjedisin.”. Neni 2 Kudo në ligj emërtimi “Ministër i Mjedisit” zëvendësohet me emërtimin “ministër” dhe emërtimi “Ministria e Mjedisit” zëvendësohet me emërtimin “ministria”. Neni 3 Në fund të nenit 4 shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Çdo person, që ushtron një veprimtari ligjore, sipas këtij ligji, gjatë zbatimit të detyrave të tij, mban parasysh dhe zbaton parimet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.”. Neni 4 Në nenin 8, pika 2 shfuqizohet. Neni 5 Në nenin 22 bëhen këto shtesa e ndryshime: 1. Në fund të pikës 1 shtohet fjalia me këtë përmbajtje: “Importimi i mbetjeve të rrezikshme ndalohet edhe për qëllime përdorimi, përpunimi e riciklimi.”. 2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë: “3. Importimi i mbetjeve të ngurta për t'u përdorur, përpunuar e ricikluar bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas rregullave, procedurave, sasive dhe afateve të miratuara prej tij, me propozimin e ministrit.”. 3. Pas pikës 3 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje: “4. Me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave miraton listën e mbetjeve, që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, përpunimi e riciklimi.”. Neni 6 Pas nenit 25 shtohet neni 25/1 me këtë përmbajtje: “Neni 25/1 Kadastra e mjedisit 1. Për të evidentuar ndotjet e dëmtimet e mjedisit dhe të përbërësve të tij, si dhe për të rritur efektshmërinë e masave mbrojtëse e rehabilituese të mjedisit, në Agjencinë e Mjedisit dhe të Pyjeve organizohet kadastra e mjedisit. 2. Kadastra e mjedisit përbën bazën e të dhënave numerike dhe cilësore për ndotësit, burimet e ndotjes e për zonat e ndotura, në bazë të regjistrave dhe të evidencave, diagramave, tabelave e hartave. 3. Në nivel kombëtar, kadastra e mjedisit administrohet nga Agjencia e Mjedisit dhe e Pyjeve, ndërsa në nivel qarku administrohet nga agjencitë rajonale të mjedisit. 4. Rregullat për krijimin dhe administrimin e kadastrës së mjedisit, për regjistrimin, përditësimin dhe ndryshimet në gjendjen e tij, miratohen me udhëzim të ministrit.”. Neni 7 Në nenin 36, pikat 3 dhe 4 ndryshohen si më poshtë: “3. Leja mjedisore jepet, hiqet, rishikohet e ndryshohet nga ministri, vetëm në kushtet e parashikuara në këtë ligj. 4. Nëse veprimtaria e pajisur me leje mjedisore nuk fillon brenda dy vjetëve nga data e miratimit të saj, leja bëhet e pavlefshme dhe procedura e aplikimit fillon nga e para.”. Neni 8 Pas nenit 36 shtohet neni 36/1 me këtë përmbajtje: “Neni 36/1 Leja e integruar mjedisore Leja e integruar mjedisore lëshohet në rast se veprimtaria e propozuar: a) është e një natyre të tillë, për të cilën kërkohet një leje mjedisore, e mbështetur në legjislacion më të zgjeruar sesa në një ligj të veçantë; b) i nënshtrohet parandalimit dhe kontrollit të integruar të ndotjes, sipas nenit 17 të këtij ligji.”. Neni 9 Në nenin 38, pikat 1 dhe 2 ndryshohen si më poshtë: “1. Leja mjedisore jepet brenda 2 muajve nga paraqitja e kërkesës dhe është e vlefshme nga koha kur fillon veprimtaria, derisa kushtet, mbi të cilat është dhënë, nuk ndryshojnë. 2. Organi përgjegjës mund ta zgjasë kohën e dhënies së lejes deri në 3 muaj, kur del e nevojshme kryerja e ekspertizave tepër të kualifikuara. Nëse organi që miraton lejen mjedisore nuk jep përgjigje brenda afatit të mësipërm, leja quhet e miratuar.”. Neni 10 Pas nenit 39 shtohen nenet 39/1 dhe 39/2 me këtë përmbajtje: “Neni 39/1 Përmbajtja e lejes mjedisore Çdo leje mjedisore përmban: a) një përshkrim të veprimtarisë së lejuar, përfshirë emërtimin, natyrën, vendndodhjen e saj, si dhe hollësitë e çdo shkarkimi të autorizuar nga leja; b) të dhëna të mbajtësit të lejes; c) kërkesat dhe kushtet e ndërtimit dhe të funksionimit të veprimtarisë së lejuar; ç) kërkesat e raportimit, që përfshijnë edhe normat e standardet mjedisore të shkarkimeve; d) çdo kusht apo informacion tjetër, sipas këtij ligji, ligjeve të tjera të veçanta mjedisore dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre. Neni 39/2 Formati i lejes Lejet mjedisore formatohen në përputhje me llojin e veprimtarive. Formati i tyre miratohet nga ministri.”. Neni 11 Neni 40 shfuqizohet. Neni 12 Në nenin 41, pika 2 shfuqizohet. Neni 13 Neni 42 ndryshohet si më poshtë: “Neni 42 Transferimi i lejes 1. Leja mjedisore është personale dhe mund të transferohet te një person tjetër fizik ose juridik, kur veprimtaria e pajisur me leje kalon në pronësi apo në përdorim të tij. Transferimi bëhet vetëm me miratimin me shkrim të organit që ka lëshuar lejen, në bazë të kërkesës së të interesuarit, shoqëruar me dokumentet që provojnë kalimin e pronësisë apo të përdorimit. 2. Ndryshimi i administratorit të një personi juridik nuk është shkak për transferimin e lejes mjedisore.”. Neni 14 Pas nenit 45 shtohet neni 45/1 me këtë përmbajtje: “Neni 45/1 Regjistri i lejeve mjedisore 1. Ministria dhe çdo agjenci rajonale mbajnë regjistrin e lejeve mjedisore, formati i të cilit miratohet nga ministri. Në regjistër shënohen të dhëna: a) për kërkesat për dhënien e çdo lejeje të re mjedisore, si dhe për ndryshimin apo modifikimin e lejeve të miratuara; b) për të gjitha lejet mjedisore të miratuara; c) të cilat mbajtësi i lejes ia përcjell agjencisë rajonale të mjedisit, në përputhje me kërkesat e lejes; ç) për çdo masë të vendosur nga Inspektorati i Mjedisit ndaj veprimtarisë së pajisur me leje. 2. Në një regjistër, që mbahet sipas këtij neni, nuk mund të përfshihet asnjë informacion, që vë në rrezik sigurinë kombëtare apo që e cenon atë. 3. Regjistrat e krijuar dhe të administruar, në përputhje me këtë nen, janë të hapur për konsultim pa pagesë nga publiku, gjatë orarit të zakonshëm të punës dhe administruesi i tij siguron lehtësi për t'i mundësuar publikut të marrë kopje të të dhënave të regjistrit me tarifa të arsyeshme, të miratuara nga ministri. 4. Kërkuesi ose mbajtësi i lejes mund t'i kërkojë ministrisë, që informacioni për lejen mjedisore ose kërkesën për leje të mos shënohet në regjistër ose të mos i jepet publikut kur: a) përbën sekret tregtar; b) dhënia e tij do t'i shkaktonte atij dëm ose humbje ekonomike. 5. Për të përjashtuar ose jo një informacion nga një regjistër apo për të mos ia dhënë publikut, sipas pikës 4 të këtij neni, administruesi i tij i kërkon operatorit paraqitjen e dokumenteve dhe të fakteve, që provojnë vërtetësinë e dëmit ose të humbjes ekonomike që ai pretendon. 6. Për të përcaktuar nëse një informacion duhet përjashtuar apo jo nga një regjistër, administruesi i tij balancon interesin publik për nxitjen e aksesit ndaj informacionit mjedisor me interesat konkretë të aplikantit.”. Neni 15 Në nenin 46, shkronja “e” ndryshohet si më poshtë: “e) njoftimin e agjencive rajonale të mjedisit për rezultatet e vetëmonitorimit dhe, në çdo kohë, për aksidentet ose emergjencat me ndikim negativ në mjedis. Afatet e njoftimit të rezultateve të vetëmonitorimit përcaktohen me urdhër të ministrit, në bazë të llojeve të veprimtarive.”. Neni 16 Pas nenit 51 shtohet neni 51/1 me këtë përmbajtje: “Neni51/1 Parandalimi dhe kontrolli i integruar i ndotjes 1. Me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave miraton listën e veprimtarive, të cilat, për shkak të tendencës së tyre për të shkaktuar dëm mjedisor, do t'i nënshtrohen parandalimit dhe kontrollit të integruar të ndotjes dhe do të pajisen me leje mjedisore të integruar (këtu e tutje referuar si leje IPPC), në përputhje me dispozitat e këtij neni. 2. Kërkesat, dokumentet dhe informacionet që e shoqërojnë, rregullat dhe procedurat për lejet e integruara, si dhe për parandalimin e kontrollin e integruar të ndotjes, sipas direktivës IPPC të KE-së, miratohen me udhëzim të ministrit. 3. Në përcaktimin e një kërkese për një leje IPPC, ministri mban parasysh këto parime: a) marrjen e masave të përshtatshme kundër ndotjes, nëpërmjet zbatimit të teknikave më të mira në dispozicion; b) veprimtaria të mos shkaktojë asnjë ndotje të konsiderueshme; c) shmangien e gjenerimit të mbetjeve dhe, kur kjo nuk është e mundur, riciklimin e tyre, ose kur kjo është e pamundur nga pikëpamja teknike ose ekonomike, asgjësimin për të shmangur ose ulur ndikimin në mjedis; ç) përdorimin me efektivitet të energjisë; d) marrjen e masave të përshtatshme, për të parandaluar aksidentet dhe për të kufizuar pasojat e tyre; dh) marrjen masave të nevojshme për ndërprerjen përfundimtare të veprimtarisë, për të shmangur çdo rrezik ndotjeje dhe për ta kthyer vendin e veprimtarive në gjendje të përshtatshme. 4. Për të arritur një nivel shumë të lartë të mbrojtjes së mjedisit në çdo leje IPPC do të parashtrohen këto kushte: a) përcaktimin e masave për mbrojtjen e ajrit, ujit dhe tokës; b) përdorimin e teknikave më të mira në dispozicion; c) vendosjen e standardeve të detyrueshme mjedisore mbi shkarkimet ose, sipas rastit, të parametrave të barasvlefshme ose të masave teknike; ç) parashikimin e mbrojtjes së tokës dhe të ujërave tokësore dhe të masave për menaxhimin e mbetjeve; d) parandalimin ose minimizimin e ndotjes në distancë të largët ose ndotjes ndërkufitare; dh) specifikimin e pajisjeve dhe të procedurave monitoruese, përveç kërkesave të raportimit; e) informimin nga mbajtësi i lejes të ministrisë për çdo incident ose aksident, që cenon mjedisin në shkallë të konsiderueshme.”. Neni 17 Në nenin 57, pika 3 shfuqizohet. Neni 18 Në nenin 66 shtohet shkronja “d” me këtë përmbajtje: “d) miraton udhëzime dhe rregullore për zbatimin në praktikë të projekteve për mekanizmat e zhvillimit të pastër, sipas dispozitave të Protokollit të Kiotos.”. Neni 19 Në nenin 69, titulli dhe pikat 1 e 2 ndryshohen si më poshtë; “Rrjeti i agjencive të mjedisit 1. Në përbërje të ministrisë funksionon rrjeti i agjencive të mjedisit, si organe të specializuara për monitorimin dhe mbrojtjen e mjedisit. Ai përbëhet nga Agjencia e Mjedisit dhe e Pyjeve, si organ qendror dhe nga agjencitë rajonale të mjedisit, që veprojnë në nivel qarku. Rrjeti i agjencive të mjedisit është në varësi të ministrit. 2. Në zbatim të përparësive dhe të objektivave të ministrisë, rrjeti i agjencive kryen këto detyra: a) organizon dhe drejton zbatimin e programit vjetor të monitorimit të mjedisit, të miratuar nga ministri; b) mbi bazën e të dhënave të monitorimit, Agjencia e Mjedisit dhe e Pyjeve harton raportin vjetor të gjendjes së mjedisit, të cilin ministri e paraqet për shqyrtim e miratim në Këshillin e Ministrave, ndërsa agjencitë rajonale hartojnë raportin e gjendjes së mjedisit në bazë qarku, të cilin e miraton këshilli i qarkut. Pas miratimit, këto raporte publikohen nëpërmjet mediave të shkruara dhe elektronike; c) ndihmon grupet e kontrollit të Inspektoratit të Mjedisit me matje dhe analiza për shkarkimet në ajër, në ujë e në tokë, që gjenerojnë veprimtaritë që kontrollohen; ç) ndihmon organet e pushtetit vendor për administrimin dhe mbrojtjen e mjedisit, që kanë në juridiksion, bashkëpunon për hartimin dhe zbatimin e planeve vendore të veprimit për mjedisin; d) nxit përdorimin e teknologjive të pastra dhe futjen e sistemeve të administrimit mjedisor; dh) merr pjesë në procesin e miratimit të lejes dhe të deklaratës mjedisore, duke përmbushur detyrat që përcakton ministri me udhëzim të veçantë. Në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore, jep pëlqimin dhe autorizimin mjedisor për veprimtari vendore, si forma të lejes mjedisore; e) në procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis për veprimtaritë, që do të ushtrohen në territorin që kanë në juridiksion, bashkëpunon me organet e qeverisjes vendore, informon publikun dhe siguron tërheqjen e tij në vendimmarrje; ë) publikon të dhëna për mjedisin dhe plotëson kërkesat e publikut për informacionet mjedisore që ai u kërkon; f) angazhohet në studime e projekte mjedisore, që drejton ministria apo organet e qeverisjes vendore.”. Neni 20 Në nenin 70 bëhen këto ndryshime: 1. Pikat 1 dhe 2 ndryshohen si më poshtë: “1. Në përbërje të ministrisë funksionon Inspektorati i Mjedisit, si organ i specializuar kontrolli për mjedisin dhe për zbatimin e legjislacionit mjedisor. 2. Inspektorati i Mjedisit përbëhet nga Kryeinspektori, nga inspektorët në ministri dhe nga njësitë e inspektoratit në qarqe. Me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave miraton organizimin dhe funksionimin e njësive të inspektoratit për çdo qark.”. 2. Pikat 5 dhe 6 shfuqizohen. Neni 21 Pas nenit 86 shtohet neni 86/1 me këtë përmbajtje: “Neni 86/1 Shpërblimi i dëmit 1. Për çdo rast të kryerjes së kundërvajtjes administrative apo të veprës penale në mjedis, vlerësohet edhe dëmi që i është shkaktuar mjedisit dhe kërkohet shpërblimi i tij nga personi përgjegjës. 2. Kriteret dhe mënyra e caktimit të vlerës së dëmit të shkaktuar në mjedis miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.”. Neni 22 Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shkronja “b” e nenit 20 të ligjit nr.9537, datë 18.5.2006 “Për administrimin e mbetjeve të rrezikshme”, shfuqizohet. Neni 23 Në nenin 88 bëhen këto shtesa: 1. Në pikën 1, pas fjalëve “79 pika 3” shtohen fjalët “22 pikat 3 e 4, 51/1 pika 1, 70 pika 2, 86/1 pika 2”. 2. Në pikën 2, pas fjalëve “87 pika 2” shtohen fjalët “25/1 pika 4, 39/2, 45/1 pikat 1 e 3, 46 shkronja “e”, 51/1 pika 2 dhe 66 shkronja “d””. Neni 24 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. K R Y E T A R E Jozefina Topalli (Çoba)