Law No. 9863 on Food
Made 2008-01-28 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Act
- Organisation
- European Union
- Country
- Albania
- Subjects
- Livestock, Food and nutrition
- Keywords
- animal feed/feedstuffs, basic legislation, traceability, food safety and quality, processing/handling, hygiene/sanitary procedures, standards, internal trade, packaging/labelling, institution, inspection, offences/penalties, HACCP, governance, drugs, food additives, geographical indication, MRL-maximum residue limit, pesticides, residues, toxicity/poisoning, genetically modified organism (GMO), novel food, biotechnology
Where to read it
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
LIGJ 1 Korrigjuar me ndreqje gabimi botuar në Fletoren Zyrtare nr. 54, 2022. LIGJ Nr.9863, datë 28.1.2008 PËR USHQIMIN (ndryshuar me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009, nr. 74/2013, datë 14.2.2013; nr. 8/2019, datë 26.2.2019; nr. 16/2020, datë 12.2.2020; nr. 10/2022, datë 27.1.2022; nr. 99/2024, datë 12.9.2024)1 (i përditësuar) Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi Ky ligj ka për qëllim të vendosë bazat për sigurimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve dhe interesat e konsumatorit, duke përcaktuar: a) kërkesat dhe parimet e përgjithshme për higjienën dhe sigurinë e ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë; b) detyrimet e operatorëve të biznesit të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë, për higjienën dhe sigurinë e këtyre ushqimeve; c) kërkesat e përgjithshme për cilësinë e ushqimeve; ç) kërkesat e përgjithshme për regjistrimin e treguesve gjeografikë dhe emërtimin e origjinës së kontrolluar; d) kërkesat e përgjithshme për mënyrën e etiketimit të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë; dh) kërkesat e përgjithshme të nxjerrjes në treg të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë; e) kërkesat e përgjithshme të nxjerrjes në treg të ushqimeve të reja dhe të ushqimeve të reja për kafshë; ë) sistemin e kontrollit zyrtar të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë; f) sistemin e laboratorëve të autorizuar për analiza dhe të laboratorëve të referencës; g) menaxhimin e krizës dhe të emergjencave; gj) krijimin e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë; h) përgjegjësitë e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të prodhuara në Republikën e Shqipërisë ose të importuara dhe të nxjerra në treg në Republikën e Shqipërisë. Neni 2 Fusha e zbatimit 1. Ky ligj zbatohet në prodhimin primar dhe në të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë. 2. Ky ligj nuk zbatohet për ushqimet e prodhuara, të përgatitura, të përpunuara dhe të grumbulluara për qëllime përdorimi vetijak, të cilat nuk janë të destinuara për t’u nxjerrë në treg. Neni 3 Përkufizime (ndryshuar pika 19 me ligjin nr. 74/2013, datë 14.2.2013) Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 1. “Ushqim” ose “produkt ushqimor” është çdo substancë ose produkt i përpunuar, pjesërisht i përpunuar ose i papërpunuar, i përcaktuar të jetë ose, për ndonjë arsye, është i konsumueshëm për njerëz. Termi “ushqim” përfshin, gjithashtu, pijet, çamçakëzin, aditivët ushqimorë dhe çdo substancë tjetër që, në mënyrë të qëllimshme, bëhet pjesë e ushqimit gjatë përpunimit, përgatitjes ose trajtimit. Termi “ushqim” përfshin edhe ujin: a) të përdorur si ujë të pijshëm për furnizimin publik të popullsisë; b) të përdorur dhe/ose të bashkuar në ushqim gjatë prodhimit, përgatitjes ose trajtimit të tij; c) të paketuar si ujë tryeze, ujë mineral dhe ujë burimi. Termi “ushqim” nuk përfshin: a) ushqimin për kafshë; b) kafshët e gjalla, me përjashtim të rasteve kur janë përcaktuar për konsum njerëzor; c) bimët dhe frutat, përpara korrjes ose vjeljes; ç) produktet mjekësore; d) produktet kozmetike; dh) duhanin dhe cigaret; e) substancat narkotike dhe psikotrope; ë) mbetjet, kontaminuesit, si dhe përbërësit natyrorë të bimëve dhe kafshëve, që shkaktojnë efekt të kundërt në shëndetin e njerëzve. 2. “Biznes ushqimor” është çdo veprimtari e ndërmarrë për qëllime përfitimi ose jo, publike ose private, për prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e ushqimit. 3. “Operator i biznesit ushqimor” është çdo person fizik ose juridik, i regjistruar për të kryer veprimtari, që lidhen me biznesin ushqimor, përgjegjës për të siguruar se kërkesat e ligjit të ushqimit janë arritur në biznesin ushqimor tё kontrolluar prej tij. 4. “Ushqim për kafshë” (ose produkt ushqimor për kafshë) është çdo substancë ose produkt, përfshirë aditivët, i përpunuar, pjesërisht i përpunuar ose i papërpunuar, i përcaktuar për t’u përdorur për ushqim për kafshë që prodhojnë ushqim. 5. “Biznes i ushqimit për kafshë” është çdo veprimtari e ndërmarrë për qëllime përfitimi ose jo, publike ose private, në prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e ushqimeve për kafshë, përfshirë veprimtarinë e çdo prodhuesi që prodhon, përpunon, ruan ose transporton ushqime për ushqyerjen e kafshëve të fermës së vet. 6. “Operator i biznesit ushqimor për kafshë” është çdo person fizik ose juridik, i regjistruar për të kryer veprimtari, që lidhen me biznesin e ushqimit për kafshë, përgjegjës për të siguruar se kërkesat e ligjit të ushqimit janë plotësuar në biznesin e kontrolluar prej tij. 7. “Shitje” është trajtimi dhe/ose pёrpunimi i ushqimeve dhe ruajtja e tyre në pikat e shitjes me pakicё ose të shpërndarjes te konsumatori i fundit, ku përfshihen rrugët e shpërndarjes, operatorët e kuzhinave, kantinat, kuzhinat institucionale, restorantet dhe shërbimet operative të ngjashme të ushqimit, dyqanet, supermarketet, qendrat e shpërndarjes dhe të shitjes me shumicë. 8. “Vendosje në treg” është mbajtja e ushqimeve dhe e ushqimeve për kafshë për qëllime shitjeje, ku përfshihen ofrimi për shitje ose ndonjë formë tjetër transferimi, me ose pa pagesë, si dhe shitja, shpërndarja dhe forma të tjera transferimi në territorin e Republikës së Shqipёrisë. 9. “Risk” është mundësia e një efekti të kundërt në shëndet dhe ashpërsia e këtij efekti, si rrjedhojë e pranisë së një ose më shumë dëmtuesve në ushqim. 10. “Analizë risku” është një proces që ka lidhje me tre komponentë të ndërthurur me njëri- tjetrin, që janë: vlerësimi i riskut, menaxhimi i riskut dhe komunikimi i riskut. 11. “Vlerësim i riskut” është një proces i bazuar shkencërisht, me katër etapa: identifikimi i dëmtuesit, karakterizimi i dëmtuesit, vlerësimi i ekspozimit dhe karakterizimi i riskut. 12. “Menaxhim i riskut” është procesi, i ndarë nga vlerësimi i riskut, i vlerësimit të politikave alternative në këshillim me subjektet e interesuara, duke pasur parasysh vlerësimin e riskut dhe faktorët e tjerë të pranueshëm. Nёse është e nevojshme, kihen parasysh edhe zgjedhja e mundësive të përshtatshme parandaluese dhe ato të kontrollit. 13. “Komunikim i riskut” janë shkëmbimet e ndërsjella të informacionit dhe të mendimeve gjatë procesit të analizimit të riskut për dëmtuesit dhe risqet, faktorët e lidhur me riskun dhe perceptimin e tij. Kjo bëhet nëpërmjet vlerësuesve të riskut, menaxherëve të riskut, konsumatorëve, biznesit të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, komunitetit akademik dhe aktorëve të tjerë të interesuar, duke shpjeguar vlerësimin e riskut të gjetur dhe bazën e vendimeve të menaxhimit të riskut. 14. “Dëmtues” është një agjent biologjik, kimik apo fizik, ose kushtet e ushqimit apo të ushqimit për kafshë, potenciale për të shkaktuar një efekt të dëmshëm në shëndetin e njerëzve. 15. “Gjurmim” është aftësia për të gjurmuar dhe ndjekur një ushqim, ushqim për kafshë, kafshët që prodhojnë ushqim, ose substanca të përcaktuara, që janë ose priten të jenë të lidhura me një ushqim për njerëz ose kafshë, në të gjitha fazat e prodhimit, tё përpunimit dhe të shpërndarjes. 16. “Faza të prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes” është çdo fazë, përfshirë importet dhe lëndët e para për prodhimin e ushqimeve, pёrfshirё ruajtjen, transportin, shitjen ose furnizimin e konsumatorit përfundimtar dhe, në mënyrë të ngjashme, importimin, prodhimin, ruajtjen, transportin, shpërndarjen, shitjen dhe furnizimin e ushqimeve për kafshë. 17. “Prodhim primar” (ose prodhim i parë) është prodhimi, rritja e lëndëve të para, ku përfshihen kultivimi, korrja, vjelja, mjelja dhe rritja e kafshëve nё ferma, të destinuara për t’u therur, si dhe gjuetia, peshkimi dhe mbledhja e bimëve të egra. 18. “Konsumator i fundit” është konsumatori i fundit i produkteve ushqimore, që nuk e përdor ushqimin si pjesë të biznesit ushqimor. 19. “Kontroll zyrtar” është çdo kontroll për të verifikuar respektimin e kërkesave ligjore në fushën e ushqimit dhe ushqimit për kafshë. 20. “Siguri ushqimore” është garancia se ushqimi nuk shkakton efekte të dëmshme në shëndetin e njerëzve, nëse është përgatitur dhe konsumuar, sipas kushteve të përdorimit. 21. “Higjienë e ushqimit” është tërësia e masave dhe e kushteve të nevojshme pёr kontrollin e dëmtuesve, për të siguruar pёrshtatshmёrinё pёr konsum njerëzor tё një produkti ushqimor, duke pasur parasysh përdorimin e përcaktuar tё tij. 22. “Siguri ushqimore për ushqimin për kafshë” është garancia e ushqimeve, që përdoren për kafshët, që prodhojnë ushqime për njerëz, për praninë e disa substancave biologjike, kimike ose fizike në ushqim. 23. “Kontaminant” ose “substancë e dëmshme” është një agjent biologjik, kimik apo fizik, ose kushte tё ushqimit apo ushqimit pёr kafshё, me mundёsi pёr tё shkaktuar njё efekt tё kundërt nё shёndet. 24. “Mbetje” ose “substancë që mbetet” është substanca biologjike ose kimike, që ёshtё lejuar të përdoret në sasi dhe faza të caktuara të prodhimit primar të ushqimit, si dhe mbetjet metabolite dhe produktet e dekompozimit të tyre. Nё mbetje nuk përfshihen aditivët ushqimorë. 25. “Aditiv ushqimor” është çdo substancë, e cila normalisht nuk konsumohet, nuk është njё përbërës tipik i ushqimit, nuk ka vlera ushqimore dhe është shtuar qëllimisht për të përcaktuar karakteristikat teknologjike dhe organo-leptike të ushqimit gjatë përgatitjes, trajtimit, përpunimit, formimit, paketimit, transportit ose ruajtjes. 26. “Aditiv ushqimor për ushqime për kafshë” është çdo substancë, e cila bashkëvepron me ushqimin për kafshë dhe që mund të ndikojë në karakteristikat e ushqimit apo prodhimin e kafshëve që prodhojnë ushqim, ose kafshët e përdorura për prodhimin e ushqimit të përcaktuar për konsum njerëzor. 27. “Cilësi e ushqimeve” janë karakteristikat e veçanta të ushqimit, të cilat kënaqin kërkesat e konsumatorit të fundit. 28. “Etiketim” është çdo fjalë, pamje, markë tregtare, emër tregtar, konfigurim apo simbol për një ushqim, që vendoset mbi çdo paketim, dokument, njoftim, etiketë, unazë ose mbajtëse, që shoqëron apo i referohet një ushqimi të caktuar. 29. “Materiale në kontakt me ushqimin” janë aksesorët, pajisjet dhe materialet e tjera, të përdorura në biznesin e ushqimit, që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me ushqimin. 30. “Ushqime të reja” janë ushqimet ose përbërësit ushqimorë, që nuk kanë qenë përdorur më parë për konsum njerëzor në territorin e Republikës sё Shqipërisë. 31. “Organizëm i modifikuar gjenetikisht” është çdo organizëm i gjallë, që zotëron një kombinim të ri të materialit gjenetik, që përftohet nëpërmjet përdorimit të bioteknologjisë moderne. 32. “Ushqim për nevoja të veçanta dietetike” është një ushqim me përbërje të veçantë ose një mënyrë e veçantë prodhimi, i ndryshëm nga ushqimi i zakonshëm, për shkak të karakteristikave ushqimore. Këto ushqime mund të parashikohen për përdorim te fëmijët deri 12 muaj dhe fëmijët e vegjël, te njerëzit me çrregullime të aparatit tretës ose të metabolizmit dhe te personat, të cilët janë në gjendje të veçantë fiziologjike, për të cilët është e nevojshme të arrihen efekte të veçanta nga një marrje e kontrolluar e disa përbërësve ushqimorë. 33. “Lëndë e parë” janë produktet dhe nënproduktet me origjinë bimore, shtazore dhe minerale (përfshirë edhe ujin e pijshëm), që përdoren për përftimin e produkteve ushqimore. 34. “Stabiliment” është çdo mjedis, ku zhvillohet biznesi ushqimor dhe/ose biznesi ushqimor për kafshë. 35. “Legjislacion ushqimor” janë ligjet dhe aktet nënligjore, që trajtojnё problemet e ushqimeve, në përgjithësi, dhe tё sigurisë ushqimore, në veçanti. Ky legjislacion pёrfshin çdo fazë të prodhimit, pёrpunimit dhe shpёrndarjes sё ushqimit e tё ushqimit pёr kafshё, që prodhojnë lëndë për ushqim. 36. “Ambalazh" ose “material paketues” është çdo material, që shërben për paketimin e produkteve ushqimore, i cili mund ta mbulojë, tërësisht ose pjesërisht, kёtё produkt. Ai e mbron produktin nga ndotja, infeksionet, si dhe nga ndikimet që ulin cilësinë dhe vlerën ushqimore dhe e bën të përshtatshëm për transport, tregtim e përdorim. Një ambalazh mund të përmbajë disa njësi ose tipe ambalazhesh, të përdorura në çastin që i ofrohet konsumatorit. 37. "Paraambalazhim" është vendosja, paraprakisht, e një produkti ushqimor në një ambalazh, për t'iu ofruar konsumatorit ose për përdorim kolektiv. Paraambalazhimi bёhet nё mёnyrё tё tillё, qё ambalazhi tё mbulojё, tёrёsisht ose pjesёrisht, ushqimin, por, nё çdo rast, pёrmbajtja nuk mund tё ndryshojё pa hapur apo ndryshuar ambalazhin. KREU II PARIME TË PËRGJITHSHME TË ANALIZËS SË RISKUT DHE MBROJTJES SË INTERESAVE TË KONSUMATORIT Neni 4 Vlerёsimi i riskut 1. Vlerësimi i riskut bazohet në vlefshmërinë e të dhënave shkencore dhe të vendimeve të marra në mënyrë të pavarur, objektive dhe transparente. 2. Vlerësimi i riskut kryhet nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. Neni 5 Komunikimi i riskut Komunikimi i riskut bëhet nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, pёr t’i siguruar njё informacion të shpejtë, në kohë, objektiv dhe të kuptueshëm, për ushqimin, dëmtuesit dhe risqet: a) Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit; b) Ministrisë së Shëndetësisë; c) operatorëve të biznesit të ushqimit për njerëz dhe kafshë; ç) konsumatorëve; d) institucioneve të tjera përgjegjëse; dh) grupeve të interesit; e) pushtetit vendor. Neni 6 Menaxhimi i riskut 1. Menaxhimi i riskut siguron që masat parandaluese dhe ato të kontrollit, të marra për të parandaluar, zvogëluar ose eliminuar rreziqet për shëndetin e njerëzve, të lidhura me konsumimin e ushqimeve, të bazohen në rezultatet e vlerësimit të riskut. 2. Menaxhimi i riskut kryhet nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe ministri përgjegjës për ushqimin. Neni 7 Parime parandaluese 1. Në rrethana të veçanta, kur nga vlerësimi i të gjithë informacionit në dispozicion, identifikohet mundësia e një efekti të dëmshëm të një ushqimi për shëndetin e njerëzve, për të cilin ekziston pasiguria shkencore, struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe ministri përgjegjës për ushqimin mund të marrin masa të përkohshme për menaxhimin e riskut. Këto masa janë të nevojshme për të siguruar nivelin më të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve deri në çastin që sigurohet një informacion i bazuar shkencërisht, për një vlerësim të përgjithshëm të riskut. 2. Masat e marra, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, duhet të jenë të mjaftueshme, por jo të kufizojnë tregun më shumë sesa është e nevojshme, për të arritur nivel më të lartë në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, duke pasur parasysh lehtësitë teknike dhe ekonomike, si dhe gjendjen e krijuar. 3. Struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe ministri përgjegjës për ushqimin duhet të rishqyrtojnë, brenda një periudhe të arsyeshme kohore, në varësi të natyrёs së riskut të identifikuar për jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe të natyrës së informacionit të nevojshëm, masat e marra për të sqaruar pasiguritë shkencore. Neni 8 Parimet e transparencës 1. Struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet përfaqësuesve të autorizuar të konsumatorëve dhe/ose të grupeve të interesit, gjatë përgatitjes, vlerësimit dhe rishikimit të masave të menaxhimit të riskut, kryen këshillim publik, të hapur dhe transparent, me përjashtim të pamundësisë, për shembull, në raste urgjente. 2. Kur ka dyshime të justifikuara se ushqimi ose ushqimi për kafshë mund të paraqesë një rrezik për shëndetin e njerëzve ose të kafshëve, në varësi të natyrës, seriozitetit dhe shkallës së këtij rreziku, struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë merr masa për të informuar publikun për natyrën e rrezikut. Në këtë rast, është i nevojshëm identifikimi i ushqimit ose ushqimit për kafshë, rreziku që ai mund të paraqesë, si dhe masat e marra, ose që mund të merren, për të parandaluar, zvogëluar ose zhdukur këtë rrezik. Neni 9 Mbrojtja e interesave të konsumatorit Ky ligj mbron interesat e konsumatorëve dhe siguron bazën për zgjedhjen prej tyre të informacionit të nevojshëm për konsumimin e ushqimeve. Ligji parandalon: a) praktikat falsifikuese ose mashtruese; b) cenimin e cilësisë së ushqimeve nga përdorimi i përbërësve të papërshtatshëm; c) çdo praktikë tjetër që orienton në mënyrë të gabuar konsumatorin. KREU III KËRKESA TË PËRGJITHSHME TË SIGURISË USHQIMORE Neni 10 Kërkesat e sigurisë ushqimore 1. Ushqimi është i sigurt kur nuk shkakton veprim të dëmshëm në shëndetin e njerëzve, kur prodhohet, përgatitet dhe konsumohet, sipas përdorimit të parashikuar. 2. Ushqimi quhet i pasigurt kur është: a) i dëmshëm për shëndetin; b) i papërshtatshëm për konsum njerëzor. 3. Ushqimi nuk nxirret në treg nëse është i pasigurt. Neni 11 Përcaktimi i sigurisë ushqimore (shtuar pika 5 me ligjin nr. 10/2022, datë 27.1.2022) 1. Për të përcaktuar nëse një ushqim nuk është i sigurt duhen pasur parasysh: a) kushtet normale të përdorimit të ushqimit nga konsumatori dhe çdo fazë e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes; b) informacioni që i jepet konsumatorit, përfshirë informacionin e dhënë në etiketë ose informacione tё tjera, të vlefshme për tё, për parandalimin e efekteve të dëmshme, specifike për shëndetin nga një ushqim i caktuar ose nga njё kategori ushqimesh. 2. Për të përcaktuar se një ushqim dëmton shëndetin duhet pasur parasysh: a) jo vetëm mundësia e efektit të menjëhershëm, afatshkurtër ose afatgjatë të ushqimit në shëndetin e një personi që e konsumon atë, por edhe mundësia e efekteve në gjeneratat e ardhshme; b) efektet toksike të mundshme grumbulluese; c) ndjeshmëritë e veçanta shëndetësore të një kategorie të caktuar konsumatorësh, kur ushqimi është përcaktuar për këtë kategori. 3. Për të përcaktuar se një ushqim është i papërshtatshëm për konsum njerëzor, duhet që ushqimi të jetë i papranueshëm për t’u përdorur, sipas përcaktimit të tij, për konsum njerëzor, për arsye kontaminimi, të pranisë së lëndëve të huaja, të prishjes ose kalbëzimit. 4. Kur ushqimi, që përcaktohet i pasigurt, është pjesë e një pakoje, pjesë e një pjese të ngarkesës ose e ngarkesës së plotë të një ushqimi të së njëjtës kategori ose përshkrim, atëherë do të pranohet se i gjithë ushqimi i pakos, i pjesës së ngarkesës ose i ngarkesës së plotë është, gjithashtu, i pasigurt, vetëm nëse, pas kryerjes së analizave laboratorike, provohet e kundërta. 5. Për sigurimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve hartohet Strategjia Kombëtare e Sigurisë Ushqimore, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo strategji rishikohet çdo 7 vjet. Neni 12 Vlerësimi i sigurisë ushqimore 1. Një ushqim është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve nëse ai përmban: a) mikroorganizma ose parazitë të dëmshëm për shëndetin e njerëzve, toksina bakteriale, mykotoksina, substanca histaminike ose të ngjashme me to dhe mikroorganizma apo parazitë në sasi më të mëdha se ato të lejuara nga standardet e miratuara; b) toksina ose substanca natyrore toksike në sasi më të mëdha nga ato të lejuara; c) mbetje të pesticideve, medikamenteve veterinare, metale dhe substanca të tjera, të dëmshme për shëndetin e njerëzve, në sasi më të mëdha se ato të lejuara; ç) aditivë ushqimorë, të cilët nuk mund të përdoren në disa kategori ushqimesh ose kur sasia e aditivëve të pranishëm në ushqim është më e madhe se ajo e lejuar; d) elemente radioaktive mbi normat e lejuara; dh) materiale paketuese, që përmbajnë mikroorganizma ose substanca të tjera, që mund të ndikojnë në rritjen e përmbajtjes së substancave të dëmshme për shëndetin e njerëzve. 2. Një ushqim është i papërshtatshëm për konsum njerëzor nëse: a) karakteristikat e tij ndryshohen për shkak të trajtimit fizik, kimik apo mikrobiologjik; b) përmban substanca ose lëndë të para, të cilat nuk janë verifikuar dhe vlerësuar nga ana toksikologjike dhe nuk janë të sigurta për konsum publik; c) përmban papastërti dhe përzierje, të cilat mund të jenë të dëmshme për shëndetin e njerëzve. Neni 13 Masat kufizuese Masat kufizuese për nxjerrjen në treg të ushqimeve ose ushqimeve për kafshë, si dhe heqjen e tyre nga tregu, nëse ka dyshime të argumentuara shkencërisht se ushqimi ose ushqimi për kafshë është i pasigurt, përcaktohen, pёr çdo rast, me urdhër të ministri përgjegjës për ushqimin. KREU IV IMPORTI DHE EKSPORTI I USHQIMEVE Neni 14 Importi 1. Ushqimi i importuar në Republikën e Shqipërisë nxirret në treg kur plotëson kërkesat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi. 2. Në rastin e marrëveshjeve të veçanta ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe vendit eksportues, ushqimi i importuar në Republikën e Shqipërisë nxirret në treg kur plotëson kërkesat e përcaktuara në kёto marrëveshje. Neni 15 Eksporti 1. Ushqimi i eksportuar nga Republika e Shqipërisë për nxjerrjen në treg në vendin ku eksportohet ose rieksportohet, duhet të plotësojë kërkesat e legjislacionit shqiptar për ushqimin, si dhe ato të vendit importues. 2. Në rastin e marrëveshjeve të veçanta ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe vendit importues, ushqimi i eksportuar nga Republika e Shqipërisë duhet të plotësojë kërkesat e përcaktuara në këto marrëveshje. Neni 16 Mbikëqyrja e sigurisë së ushqimeve të importit (ndryshuar pika 1, shtuar pika 4 dhe 5 me ligjin nr. 10/2022, datë 27.1.2022) 1. Kontrolli i përputhshmërisë së dokumentacionit shoqërues, sipas nenit 18 tё kёtij ligji, të ngarkesave të ushqimeve të importuara me kërkesat e legjislacionit shqiptar kryhet në Pikat e Inspektimit Kufitar nga inspektori i strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. Inspektori vendos bllokimin e ngarkesës dhe masa të tjera të parashikuara në këtë ligj ose në aktet nënligjore në zbatim të tij kur dokumentacioni shoqërues nuk është në përputhje me kërkesat ligjore. 2. Kontrolli i sigurisë së ushqimeve të importuara kryhet në pikat e inspektimit kufitar. Gjatë kontrolleve merren mostra për analizim. Kontrollet, marrja e mostrave dhe analizimi i tyre bëhen sipas kritereve të hartuara nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. 3. Pikat e inspektimit kufitar për ushqimet përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për ushqimin. 4. Në rast të marrëveshjeve ndërkombëtare dypalëshe ose shumëpalëshe kontrolli i përcaktuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni mund të kryhet sipas parashikimeve të përcaktuara në marrëveshje. 5. Rregullat dhe procedurat e kryerjes së kontrollit zyrtar sipas këtij neni përcaktohen me udhëzim të ministrit. Neni 17 Kontrolli në doganë i ushqimeve të importuara (ndryshuar pika 4 me ligjin nr. 16/2020, datë 12.2.2020; shtuar fjali pas fjalisë së parë në pikën 1, ndryshuar pika 4 me ligjin nr. 10/2022, datë 27.1.2022) 1. Autoritetet doganore kryejnë procedurat doganore për ngarkesat ushqimore, pasi inspektorët e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, në pikat e inspektimit kufitar, kanë dhënë miratimin. Në rastin e pikës 4 të nenit 16 të këtij ligji procedurat doganore kryhen pasi inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë jep miratimin. 2. Ngarkesa e ushqimeve, për të cilën ka dyshime, duhet të mbahet në ruajtje, brenda standardeve të lejuara, në magazinat doganore derisa të kryhen procedura e përcaktimit të sigurisë së tyre dhe procedura doganore. 3. Inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë, në pikat e inspektimit kufitar, për të verifikuar sigurinë e ushqimit të importuar, ka të drejtë të marrë mostra pa pagesë dhe t’i dërgojë ato në laboratorët e autorizuar për kryerjen e analizave, në bazë të planit të hartuar nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe të miratuar nga ministri përgjegjës për ushqimin. Rregullat e marrjes së mostrave përcaktohen me udhëzim tё ministrit përgjegjës për ushqimin. 4. Shpenzimet për kontrollin zyrtar, për marrjen e mostrës dhe kryerjen e analizave laboratorike përballohen nga importuesi, me përjashtim të parashikimeve të marrëveshjeve ndërkombëtare dypalëshe ose shumëpalëshe me vendet eksportuese, ku në kushte reciprociteti mund të mos aplikohen tarifa. Neni 18 Certifikatat e importit 1. Ngarkesa e ushqimit të importuar shoqërohet me certifikatë, në përputhje me kërkesat ndërkombëtare, për sigurinë e ushqimit që importohet. 2. Për ushqimin që importohet, certifikatat e sigurisë së ngarkesave mund të njihen në mbështetje të marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe, të lëshuara nga autoriteti kompetent i vendit eksportues. 3. Në rast se nuk ka marrëveshje, sipas pikës 2 të këtij neni, njohja e certifikatave dhe dokumenteve të tjera kryhet me urdhër të ministrit përgjegjës për ushqimin, me propozimin e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. 4. Certifikatat dhe dokumentet e tjera të sigurisë duhet të jenë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën e vendit prej nga ato vijnë. KREU V LICENCIMI DHE REGJISTRIMI I STABILIMENTEVE (ndryshuar titulli i kreut me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009) Neni 19 Licencimi dhe regjistrimi i operatorëve, i stabilimenteve ushqimore (ndryshuar me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009, ndryshuar pika 4 me ligjin nr. 74/2013, datë 14.2.2013) 1. Veprimtaritë e prodhimit primar, të përpunimit, magazinimit, ruajtjes, transportit, tregtimit me shumicë apo pakicë, përfshirë edhe në hapësira të lëvizshme dhe/ose të përkohshme, të përcaktuara në këtë ligj, përfshihen në kategorinë II.1 të shtojcës së ligjit për licencat. Licencimi i këtyre veprimtarive, për çdo operator e për çdo stabiliment, bëhet sipas ligjit për licencat. 2. Çdo stabiliment, për të cilin është marrë licenca, identifikohet në bazë të numrit që ka në regjistrin e posaçëm, të krijuar për këtë qëllim në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. 3. Operatorët janë të detyruar, që për ushqimin apo ushqim për kafshë, që ata prodhojnë, të shënojnë në etiketë dhe/ose në dokumentacionin shoqërues numrin e regjistrit. 4. Struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë pezullon përkohësisht apo i propozon ministrit revokimin e licencës, me kërkesë të operatorëve të biznesit ushqimor apo në rast se gjatë kontrollit rezulton se nuk plotësohen kërkesat tekniko-teknologjike, higjieno-sanitare, fitosanitare apo veterinare, sipas këtij ligji. Neni 20 Ndalimi i veprimtarisë së operatorëve të biznesit ushqimor (ndryshuar me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009) Ministrit përgjegjës për ushqimin mund të pezullojë dhe/apo revokojë licencën, në përputhje me nenin 19 të këtij ligji, në rastet kur ka një rrezik serioz për shëndetin publik dhe është e nevojshme e urgjente marrja e masave parandaluese. Neni 21 Tarifat për procedurën licencimit (ndryshuar me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009 dhe shfuqizuar me ligjin nr. 16/2020, datë 12.2.2020) KREU VI PËRGJEGJËSITË E OPERATORËVE TË BIZNESIT USHQIMOR Neni 22 Përgjegjësia për higjienën dhe sigurinë e ushqimeve Operatorët e biznesit ushqimor mbajnë përgjegjësi për çdo dëmtim të shëndetit të njerëzve, të shkaktuar nga konsumi i ushqimit tё rezultuar i pasigurt, në të gjitha fazat e prodhimit, tё përpunimit dhe shpërndarjes. Neni 23 Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të higjienës së ushqimeve 1. Operatorët e biznesit ushqimor të prodhimit primar duhet të sigurojnë zbatimin sistematik të kushteve të përgjithshme dhe tё veçanta të higjienës së ushqimeve. Këto kushte përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. 2. Operatorët e biznesit ushqimor, në të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe të shpërndarjes së ushqimit, sigurojnë zbatimin sistematik të kushteve të përgjithshme dhe të veçanta të higjienës së ushqimeve, të cilat përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. 3. Operatorët e biznesit ushqimor në tregun me shumicë duhet të zbatojnë kërkesat higjienike tё veçanta, tё cilat pёrcaktohen me udhёzim tё ministrit përgjegjës për ushqimin. 4. Operatorët e biznesit ushqimor që përgatisin, përpunojnё, trajtojnë dhe ruajnë në frigorifer ushqimin, në mjedise të tregtisë me pakicë, duhet të sigurojnë zbatimin sistematik të kërkesave higjienike tё veçanta, të cilat përcaktohen me udhёzim tё ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 24 Përgjegjësitë për ushqimet që nuk plotësojnë kërkesat 1. Nëse një operator i biznesit ushqimor vlerëson se një ushqim, të cilin ai e ka importuar, prodhuar, përpunuar, shpërndarë apo nxjerrё nё treg, nuk është në përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore apo dёmton shёndetin e njerёzve, ai menjëherë fillon procedurat për heqjen e ushqimit në fjalë nga tregu dhe vë në dijeni strukturën përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe ministrin përgjegjës për ushqimin. 2. Kur ushqimi është blerë nga konsumatori, operatori duhet të njoftojë, në mënyrë efektive dhe të përshtatshme, konsumatorin për arsyet e heqjes nga tregu të ushqimit dhe, nëse është e nevojshme, i kërkon kthimin e ushqimit të blerë, kur masat e tjera nuk janë të mjaftueshme, për një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit. 3. Operatori i biznesit ushqimor, përgjegjës për veprimtarinë e shitjes me pakicë ose të shpërndarjes, veprimtaria e tё cilit nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në paketimin, etiketimin, sigurimin dhe integritetin e ushqimit, fillon, sapo merr njoftim apo vendimin përkatës, procedurën e heqjes nga tregu të ushqimit, qё nuk plotёson kërkesat e sigurisë ushqimore. 4. Operatori i biznesit ushqimor duhet t’u japë strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe ministrit përgjegjës për ushqimin informacionin e nevojshëm për gjurmueshmërinë e ushqimit. 5. Operatori i biznesit ushqimor duhet të bashkëpunojë dhe nuk duhet të ndalojë asnjë person tjetër për të bashkëpunuar me strukturën përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, në marrjen e masave për reduktimin e riskut të ardhur nga ushqimet, me të cilat ata furnizojnë ose kanë furnizuar tregun. Neni 25 Kërkesat për gjurmueshmërinë e ushqimeve 1. Gjurmueshmëria përcaktohet në të gjitha nivelet e prodhimit, tё përpunimit dhe të shpërndarjes së ushqimit, tё lëndëve tё para, me origjinë bimore ose shtazore, kafshët, që prodhojnë ushqim ose kafshët e përdorura në prodhimin e ushqimeve, përfshirë gjurmimin e çdo substance tjetër, të përcaktuar për të bashkëvepruar ose që ka bashkëvepruar me ushqimin. 2. Operatorët e biznesit ushqimor krijojnë një sistem për mbajtjen e të dhënave, të quajtur bazë të dhënash dhe garantojnë procedurat, të cilat mundësojnë identifikimin e tyre nё çdo çast. Nёpёrmjet kёtyre tё dhёnave bёhet identifikimi i çdo personi fizik apo juridik, që i ka furnizuar ata me ushqime, me kafshë që prodhojnë ushqime, kafshë tё përdorura për prodhimin e ushqimeve ose me çdo substancё tjetër, të përcaktuar për prodhimin apo që pritet të përdoret për prodhimin e ushqimit. 3. Operatorët e biznesit ushqimor e ruajnë informacionin e përmendur në pikën 2 të këtij neni për tre vjet dhe ia japin këtë informacion strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe ministrit përgjegjës për ushqimin me kërkesë tё tyre. 4. Ushqimi i nxjerrë në treg ose që mund të nxirret në treg duhet të etiketohet dhe të identifikohet nëpërmjet dokumenteve dhe çdo lloj informacioni tjetër, për të siguruar gjurmueshmërinë. Kërkesat për gjurmueshmërinë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 26 Kërkesat për sistemin e vetëkontrollit (ndryshuar pika 7 me ligjin nr. 16/2020, datë 12.2.2020) 1. Operatori i biznesit ushqimor, me përjashtim të prodhimit primar, siguron kontroll të rregullt të kushteve higjienike të prodhimit, në çdo objekt, nëpërmjet zbatimit të procedurave parandaluese të sistemit të vetëkontrollit, sipas parimeve të sistemit të analizës së riskut dhe pikave kritike të kontrollit (më poshtë HACCP), duke: a) identifikuar të gjithë dëmtuesit, të cilët mund të parandalohen, eliminohen ose reduktohen në një nivel të pranueshëm; b) identifikuar pikat kritike të kontrollit; c) përcaktuar limitet kritike në pikat kritike të kontrollit; ç) përcaktuar procedurat efektive të monitorimit sistematik të pikave kritike të kontrollit; d) përcaktuar veprimet korrigjuese, kur sistemi i monitorimit paralajmёron se pika kritike e kontrollit nuk është nën kontroll; dh) përcaktuar nëse procedurat e verifikimit të masave, të përcaktuara në shkronjat “a” deri në “d” të kësaj pike, janë efektive; e) mbajtur dokumente dhe regjistra të përshtatshëm për identifikimin e zbatimit efektiv të masave të përcaktuara në shkronjat “a” deri në “dh” të kësaj pike. 2. Operatori i biznesit ushqimor, në nivelin primar të prodhimit, përcakton dhe vë në zbatim kontrollin e rregullt të kushteve higjienike të prodhimit në çdo objekt që ka nën kontroll, nëpërmjet zbatimit të procedurave parandaluese të vetëkontrollit, sipas modelit të praktikave të mira të prodhimit. 3. Verifikimi fillestar i përshtatshmërisë së planeve të HACCP-së, për objektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, kryhet nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. 4. Në rast se rezultatet e vetëkontrollit, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, tregojnë ekzistencën e rreziqeve shëndetësore për njerëzit, atëherë vlerësohet se ushqimi nuk plotëson kërkesat e sigurisë ushqimore dhe operatori i biznesit ushqimor merr masat e pёrcaktuara nё nenin 24 të këtij ligji. 5. Kushtet për zbatimin e sistemit të vetëkontrollit në objektet e përmendura në pikat 1 e 2 të këtij neni përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. 6. Operatori i biznesit ushqimor mban dokumentacion pёr zbatimin e sistemit tё vetëkontrollit dhe e pёrditёson atë. Me kёrkesёn e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe ministrit përgjegjës për ushqimin, operatori jep tё dhёna pёr pёrputhjen e veprimtarisё sё tij me kёrkesat e pёrcaktuara nё pikat 1 e 2 tё kёtij neni. 7. Përjashtime nga zbatimi i sistemit të vetëkontrollit, sipas pikës 1 të këtij neni, bëhen për 2 Në nenet 28, 29 dhe 54 fjala “leje” zëvendësohet me fjalën “autorizim” dhe ky zëvendësim bëhet në të gjitha nenet e ligjit, për të prodhuesit e produkteve tradicionale, prodhuesit e sasive të vogla të produkteve primare, që furnizojnë direkt konsumatorin e fundit ose operatorë biznesi të prodhimit dhe të shitjes me pakicë direkt te konsumatori i fundit, nëse struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, pas kontrollit të ushtruar, konfirmon se garantohet arritja e një niveli të pranueshëm higjienik, sipas praktikave të mira të prodhimit. Sasia e prodhimit dhe e shitjes, rrezja e tregtimit, kushtet dhe kriteret e miratimit të operatorëve të biznesit, që përjashtohen nga zbatimi i sistemit të vetëkontrollit, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. KREU VII USHQIMET E REJA Neni 27 Kategoritë e ushqimeve të reja 1. Vlerësohen pjesë e ushqimeve të reja kategoritë e mëposhtme: a) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë, të cilët përmbajnë ose përbëhen nga organizma të modifikuar gjenetikisht (më poshtë OMGJ); b) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë, duke përjashtuar ushqimet shtesë (aromatizuesit dhe enzimat) të prodhuara dhe që nuk përmbajnë OMGJ; c) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë me strukturë molekulare parësore, të re ose të modifikuar qëllimisht; ç) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë, që përbëhen nga mikroorganizma, kërpudha, alga ose që janë të izoluara prej tyre; d) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë, me origjinë bimore apo shtazore, materiale minerale, sintetike ose që janë të izoluara prej tyre, duke përjashtuar ushqimet dhe përbërësit ushqimorë, të cilët janë përftuar nё mënyrё tradicionale riprodhimi dhe që, për një kohë të gjatë, është vërejtur se janë të sigurta për konsum. dh) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë, për të cilët është zbatuar një proces prodhimi jobashkëkohor, që shkakton ndryshime të rëndësishme në përbërjen, strukturën dhe përbërësit ushqimorë e që ndikon në vlerat ushqyese, në metabolizmin ose në nivelin e substancave të padëshiruara. 2. Vlerësohen pjesë të ushqimeve të reja, përveç atyre të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, edhe kategoritë e ushqimeve, që janë: a) plotësisht ose pjesërisht me lëndë të para të reja; b) me përbërje bazë të ndryshuar; c) prodhuar me teknologji prodhimi, që ndryshon nga të mëparshmet. 3. Kategoritë e ushqimeve të reja, të përcaktuara në pikat 1 e 2 të këtij neni, nuk duhet: a) të dëmtojnë shëndetin e njerëzve; b) të mashtrojnë konsumatorin; c) të ndryshojnë nga ushqimet dhe përbërësit ushqimorë, që janë përcaktuar të zëvendësojnë nё atё masё, qё konsumimi normal i tyre të pёrbёjё disavantazh ushqimor për konsumatorin. 4. Dispozitat e këtij ligji dhe rregulloret e përmendura në pikën 5 të këtij neni zbatohen në kategoritë e ushqimeve të reja, të përcaktuara në shkronjat “a” e “b” të pikave 1 e 2 të këtij neni. 5. Rregulloret e veçanta të ushqimeve të reja përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 28 Nxjerrja në treg e ushqimeve të reja2 njëjtin përdorim të fjalës “leje” si në këto nene. (ndryshuar fjalë me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009) 1. Për nxjerrjen në treg të ushqimeve të reja në Republikën e Shqipërisë, aplikuesi duhet të marrë autorizim nga ministri përgjegjës për ushqimin, pas dhënies së mendimit paraprak shkencor tё strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. 2. Kushtet dhe procedurat për dhënien e autorizimit, sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 29 Regjistri pёr autorizimet e dhëna për nxjerrjen e ushqimeve të reja në treg (ndryshuar fjalë me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009) 1. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mban regjistrin për autorizimet e dhëna për nxjerrjen e ushqimeve të reja në treg. 2. Përmbajtja, forma dhe mënyra e mbajtjes së regjistrit, sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 30 Ndalimi i nxjerrjes së ushqimeve të reja në treg 1. Nëse ka ndonjë mospёrputhje shkencore për efektin e dëmshëm të ushqimeve të reja në shëndetin e njerëzve, veçanërisht të ushqimit dhe të përbërësve të ushqimit, të cilat përmbajnë organizma të modifikuar gjenetikisht ose që përbëhen nga ta, ministri përgjegjës për ushqimin ndalon përkohësisht nxjerrjen e një ushqimi të tillё në treg, për parandalimin ose zvogëlimin e mundësisë së ndikimeve negative në shëndetin e njerëzve. 2. Ministri përgjegjës për ushqimin ndalon nxjerrjen e ushqimeve të reja në treg, veçanërisht të ushqimit dhe të përbërësve ushqimorë, të cilët përmbajnë organizma të modifikuar gjenetikisht ose që përbëhen nga ta, nëse, bazuar në vlerësimin e një rreziku shkencor, janë vlerësuar të dëmshme për shëndetin e njerëzve. 3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ushqimin ndalon, përkohësisht ose përgjithmonë, importin e ushqimeve të reja, që përmbajnë organizma të modifikuar gjenetikisht, kur nuk ka informacion shkencor dhe njohuri për pasojat negative të mundshme për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Neni 31 Asgjësimi i ushqimeve të reja të pasigurta (shfuqizuar me ligjin nr. 16/2020, datë 12.2.2020) KREU VIII PËRCAKTIMI I ORIGJINËS DHE I TREGUESVE GJEOGRAFIKË TË USHQIMEVE (shfuqizuar me ligjin nr. 8/2019, datë 26.2.2019) KREU IX TREGUESI “PRODUKT USHQIMOR TRADICIONAL” I USHQIMIT (shfuqizuar me ligjin nr. 8/2019, datë 26.2.2019) KREU X ETIKETIMI DHE PUBLIKIMI I USHQIMIT Neni 36 Kërkesa të përgjithshme të etiketimit të ushqimit 1. Ushqimi, që nxirret në treg, pajiset me etiketën, ku shënohen: a) emri i produktit; b) lista e përbërësve; c) sasia e përbërësve të veçantë ose e kategorive të përbërësve; ç) sasia neto, në rastin e ushqimeve të paraambalazhuara; d) data e jetëgjatësisё minimale ose, në rastin e ushqimeve që nga pikëpamja mikrobiologjike paraqesin rrezik, shёnohet “të përdoret deri më...”; dh) çdo kusht i veçantë i ruajtjes dhe/ose i përdorimit; e) emri apo emёrtimi i biznesit dhe adresa e prodhuesit, ambalazhuesit dhe/ose e tregtarit; ë) vendi i origjinës; f) udhëzimet e përdorimit, kur ushqimi nuk mund të përdoret pa tё; g) grada alkoolike për vëllim për pijet, që përmbajnë më shumë se 1,2 për qind të vëllimit alkool; gj) përmbajtja ose përbërja e OMGJ-ve, si dhe OMGJ-tё qё përmban. 2. Etiketa duhet të shkruhet në gjuhën shqipe, të jetë e dallueshme, e lexueshme dhe e kuptueshme. 3. Mënyra e etiketimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 37 Paraqitja dhe reklama e ushqimit 1. Paraqitja e ushqimit dhe e ushqimit për kafshë përfshin formën e tyre, pamjen e jashtme ose ambalazhimin, materialet paketuese të përdorura, mënyrën, sipas së cilës ato janë rregulluar dhe mjedisin ku janë paraqitur, si dhe informacionin e vlefshëm rreth tij me çdo mjet informimi. 2. Reklama e ushqimit ose e ushqimit për kafshë bëhet vetëm pasi struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë jep të drejtën e prodhimit dhe të tregtimit të tyre. 3. Mënyra e paketimit, reklamёs dhe paraqitjes së ushqimeve përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. KREU XI KONTROLLI ZYRTAR I USHQIMEVE Neni 38 Kontrolli zyrtar i ushqimeve (shtuar një paragraf me ligjin nr. 74/2013, datë 14.2.2013; shtuar paragrafë në fund të nenit me ligjin nr. 16/2020, datë 12.2.2020; ndryshuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 10/2022, datë 27.1.2022) Kontrolli zyrtar i ushqimeve përfshin një ose më shumë nga veprimtaritë e mëposhtme: a) inspektimin; b) marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave; c) kontrollin e etiketës dhe të dokumentacionit zyrtar; ç) shqyrtimin e dokumentacionit për gjurmueshmërinë; d) shqyrtimin e sistemit të vetëkontrollit. Kontrolli zyrtar kryhet në përputhje me rregullat e parashikuara në ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011“Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, përveç kur parashikohet shprehimisht në këtë ligj. Tarifat për marrjen e mostrave, kryerjen e analizave, kontrollin zyrtar në PIK dhe për pajisjen me dokumentin që vërteton sigurinë e ushqimeve miratohen me udhëzim të ministrit. Në rast të marrëveshjeve ndërkombëtare dypalëshe ose shumëpalëshe zbatohen dispozitat e marrëveshjeve, dhe në kushte reciprociteti mund të mos aplikohen tarifa. Me përjashtim të rasteve të rregulluara me ligje të veçanta, llojet dhe normat e lejueshme lidhur me mbetjet e pesticideve dhe të medikamenteve veterinare në ushqime, me përdorimin dhe pastërtinë e aditivëve ushqimorë, materialet në kontakt me ushqimin, kontaminuesit ushqimorë, enzimat, ushqimet për fëmijë, ekstraktet tretëse, ushqimet për përdorim me vlera ushqimore të caktuara, ushqimet me ngrirje të shpejtë, rrezatimet jonizuese, ujërat minerale, substancat pastruese, si dhe çdo substancë që destinohet të bëhet pjesë e ushqimit apo të jetë në kontakt me të, kërkesat thelbësore që duhet të përmbushin produkte të veçanta ushqimore, rregullat specifike të etiketimit për ushqime të veçanta, si dhe sëmundjet e transmetuara nga ushqimet, rregullat higjienike, sistemi i kontrollit në tregun e brendshëm, rregullat specifike për produktet ushqimore me origjinë shtazore, certifikimi i sistemit TRACES miratohen me udhëzime të ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 39 Organet përkatëse të kontrollit (ndryshuar me ligjin nr. 74/2013, datë 14.2.2013) Kontrolli zyrtar i ushqimit dhe ushqimit për kafshë bëhet nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. Neni 40 Parimet e përgjithshme të kontrollit zyrtar të ushqimit 1. Kontrolli zyrtar i ushqimit kryhet: a) rregullisht dhe në përputhje me përparësitë e përcaktuara në skemën e vlerësimit të riskut; b) kur ka arsye për të besuar se kërkesat e këtij ligji nuk janë plotësuar. 2. Kontrolli kryhet duke përdorur mjete të përshtatshme dhe të kontrollueshme. 3. Kontrolli zyrtar mbulon të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe të shpërndarjes. 4. Kontrolli zyrtar, si rregull, kryhet pa paralajmërim. Neni 41 Objekti i kontrollit zyrtar të ushqimeve Kontrolli zyrtar i ushqimeve ka objekt: 1. Vendndodhjen, kushtet dhe gjendjen e stabilimentit, planimetrinë e prodhimit, zyrat, mjedisin, mjetet e transportit, të përdorura në biznesin ushqimor, veçanërisht kushtet e përcaktuara në nenet 19 e 20 të këtij ligji. 2. Inspektimin e gjendjes shëndetësore të personelit dhe të higjienës së objekteve, që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me ushqimin. 3. Lëndët e para, ujin, përbërësit, aditivët, shtesat teknologjike dhe substancat e tjera, të përdorura për përgatitjen dhe prodhimin e ushqimit. 4. Ushqimet gjysmë të gatshme. 5. Ushqimet e gatshme. 6. Pastrimin, substancat pastruese dhe të mirëmbajtjes që përdoren në proceset e prodhimit. 7. Proceset e përdorura për prodhimin ose përpunimin e ushqimeve. 8. Mënyrën e paketimit, materialet paketuese dhe ato në kontakt me ushqimin. 9. Etiketimin dhe dokumentet shoqëruese të ushqimeve. 10. Përcaktimin e origjinës, të treguesve gjeografikë të mbrojtur dhe treguesin “Produkt ushqimor tradicional”. 11. Proceset teknologjike që zbatohen në prodhimin dhe përgatitjen e ushqimeve. 12. Aditivët ushqimorë, materialet në kontakt me ushqimin, kontaminuesit ushqimorë, si dhe substancat pastruese përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 42 Marrja e mostrave për analizat laboratorike 1. Për qëllim të kontrollit zyrtar të ushqimeve merren mostra të materialeve të papërpunuara të përbërësve, shtesave teknologjike dhe të substancave të tjera, të përdorura për përgatitjen dhe prodhimin e ushqimeve, ushqimeve gjysmë të gatshme, ushqimeve të gatshme, materialeve në kontakt me ushqimet, përfshirë substancat që përdoren për pastrimin dhe mirëmbajtjen në biznesin ushqimor. 2. Operatorët e biznesit ushqimor lejojnë marrjen e sasive të nevojshme të mostrave pa pagesë për kryerjen e analizave, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni. 3. Procedurat e marrjes së mostrave përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 43 Masat e përgjithshme të administrimit të kontrollit zyrtar të ushqimeve 1. Inspektori i kontrolli të ushqimit dhe i ushqimit për kafshë ka të drejtë të hyjë, të kontrollojë dhe të fotografojë shkeljet e konstatuara në stabilimentin ushqimor ose në çdo ndërtesë tjetër ku ushqimi prodhohet, përpunohet dhe shpërndahet, me përjashtim të vendeve të banimit. 2. Kur inspektori i kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, gjatë kontrollit zyrtar, zbulon ose ka arsye për të dyshuar për një shkelje të dispozitave të këtij ligji, merr masat e nevojshme për t’u siguruar që shkelja do të korrigjohet nga operatori i biznesit ushqimor. 3. Pronari, poseduesi, personi përgjegjës, i punësuari në stabiliment, që ndodhen në stabiliment në çastin e kontrollit, duhet të japin informacionin dhe ndihmesën e kërkuar nga inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë. 4. Inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë nuk pengohet në kryerjen e detyrave të tij. 5. Personave të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni nuk u lejohet të marrin asnjë masë të përcaktuar në këtë ligj, për korrigjimin e parregullsive, pa miratim me shkrim të inspektorit. 6. Inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë kryen kontroll zyrtar, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj dhe në ligje të tjera të veçanta në fushën e ushqimit. 7. Detyrat, përgjegjësitë e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, programi vjetor i inspektimeve dhe raportimi përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. KREU XII LABORATORËT E AUTORIZUAR TË KONTROLLIT DHE LABORATORËT E REFERENCËS Neni 44 Laboratorët e autorizuar të kontrollit 1. Analizat laboratorike të mostrave, sipas neneve 17 e 40 të këtij ligji, të marra për kryerjen e kontrollit zyrtar të ushqimit, bëhen në laboratorët e autorizuar nga ministri përgjegjës për ushqimin. 2. Inspektori i kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë i dërgon mostrat e marra në një laborator të autorizuar kontrolli për kryerjen e kontrollit zyrtar. 3. Tarifa e analizave të kryera, për ushqimet e prodhuara në Republikën e Shqipërisë, mbulohet nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. Kur ushqimi nuk përmbush kërkesat e detyrueshme, të bazuara në këtë ligj, si edhe/ose informacionin e specifikuar mbi etiketë, tarifat paguhen nga operatori i biznesit ushqimor, që e prodhon dhe/ose e nxjerr në treg ushqimin. 4. Lista e laboratorëve të autorizuar të kontrollit, ku përcaktohet tipi i laboratorit dhe analizat, që janë të autorizuar të kryejnë, miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për ushqimin dhe botohet në Fletoren Zyrtare një herë në vit. Neni 45 Veprimtaritë e laboratorëve të autorizuar të kontrollit (shfuqizuar pika 2, ndryshuar pika 3 me ligjin nr. 16/2020, datë 12.2.2020) 1. Laboratorët e autorizuar të kontrollit kryejnë: a) veprimtaritë bazë; b) veprimtaritë e specializuara; c) veprimtaritë e specializuara për të lëshuar certifikata ndërkombëtare. 2. Shfuqizuar. 3. Laboratorët e autorizuar të kontrollit për kryerjen e veprimtarive bazë dhe të specializuara duhet të përmbushin kushtet e përcaktuara në praktikat e mira laboratorike, sipas parimeve të përcaktuara nga OECD-ja dhe legjislacioni i BE-së. 4. Laboratorët e autorizuar të kontrollit, që kryejnë veprimtari të specializuara, për të lëshuar certifikata ndërkombëtare, duhet të akreditohen nga një institucion i pavarur. Akreditimi, vlerësimi dhe autorizimi i laboratorëve të analizave mund të bëhen për analiza të veçanta ose për një grup analizash dhe për lloje të veçanta ushqimesh. 5. Me urdhër të ministrit përgjegjës për ushqimin mund të përcaktohen kushte të veçanta, që duhet të përmbushin laboratorët e analizave, të përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c” të pikës 1 të këtij neni. 6. Procedurat e kategorizimit, vlerësimit dhe autorizimit të laboratorëve të kontrollit, sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. 7. Laboratorët e autorizuar të kontrollit u nënshtrohen programeve të përshtatshme të testimit. Neni 46 Laboratorët e referencës 1. Laboratorët e institutit përgjegjës për kryerjen e analizave të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë janë laboratorë reference, për çdo analizë të kryer, për kontrollin zyrtar të sigurisë së ushqimeve. Një laborator mund të jetë laborator reference për një ose me shumë analiza. 2. Laboratorët e referencës duhet të akreditohen nga një institucion i pavarur. 3. Laboratorët e referencës duhet: a) të bëjnë vlerësimin e laboratorëve të autorizuar nëse janë të aftë për kryerjen e analizave, të kontrolleve zyrtare, vlerësim i cili shërben për pajisjen e tyre me autorizim nga ministri përgjegjës për ushqimin; b) të bashkërendojnë punën dhe të ofrojnë mbështetje, përfshirë trajnime dhe shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe metodat e analizave që kryejnë; c) të organizojnë teste paralele të mostrave të standardizuara dhe të marrin pjesë në to në nivel kombëtar e ndërkombëtar për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të autorizuar të kontrollit; ç) të garantojnë se laboratorët e autorizuar përdorin sistemin e tyre të brendshëm të menaxhimit të cilësisë. 4. Lista e laboratorëve të referencës, ku specifikohen analizat, që ata janë të autorizuar të kryejnë, botohet në Fletoren Zyrtare një herë në vit. KREU XIII MENAXHIMI I KRIZAVE DHE I EMERGJENCAVE Neni 47 Masat urgjente për garantimin e sigurisë ushqimore 1. Kur vërehet se ushqimi paraqet një rrezik serioz për shëndetin e njerëzve ose për mjedisin dhe se një rrezik i tillë nuk mund të eliminohet, me propozimin e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, në varësi të shkallës së vështirësisë së gjendjes, ministri përgjegjës për ushqimin urdhëron marrjen e masave, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni. 2. Nëse ushqimi është prodhuar në vend, merren këto masa: a) ndalimi i përkohshëm i hedhjes në treg ose i përdorimit të ushqimit; b) përcaktimi i kushteve të veçanta për ushqime specifike; c) eliminimi i ushqimeve, pa shkaktuar dëme; ç) masa të tjera të përkohshme dhe të përshtatshme. 3. Nëse ushqimi është i importuar, merren këto masa: a) ndalimi i përkohshëm i importit të ushqimit nga vendet eksportuese ose nga pjesë të vendit eksportues ose të vendeve tranzit; b) përcaktimi i masave të veçanta për ushqime specifike nga vendet eksportuese, pjesë të vendeve eksportuese ose nga vendet tranzit; c) eliminimi i ushqimeve pa shkaktuar dëme; ç) masa të tjera të përkohshme dhe të përshtatshme. Neni 48 Plani i përgjithshëm për menaxhimin e krizave 1. Struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, harton një plan të përgjithshëm për trajtimin e krizave në fushën e sigurisë ushqimore. 2. Ky plan miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe përcakton: a) llojet e riskut, me origjinë ushqimore, të cilat mund të rrezikojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, shëndetin e njerëzve e që nuk mund të eliminohen apo reduktohen deri në një nivel të pranueshëm, nëpërmjet zbatimit të dispozitave, të parashikuara në këtë ligj; b) procedurat praktike thelbësore për trajtimin e një krize; c) ngritjen e një njësie për menaxhimin e krizave pranë strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. Kjo njësi përcakton strategjinë e komunikimit në rastet e krizave ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, institucioneve të tjera përgjegjëse, konsumatorit dhe operatorëve të biznesit të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. KREU XIV USHQIMI PËR KAFSHËT Neni 49 Kërkesat e përgjithshme të sigurisë së ushqimeve për kafshë 1. Ushqimi për kafshë nuk nxirret në treg ose nuk përdoret si ushqim për kafshë që prodhojnë ushqime, nëse nuk është i sigurt. 2. Ushqimi për kafshë nuk është i sigurt për t’u përdorur nëse: a) ka një efekt të dëmshëm në shëndetin e njerëzve ose të kafshëve; b) produktet e prodhuara nga kafshët nuk janë të sigurta për konsum njerëzor. 3. Kur një ushqim për kafshë, i identifikuar se nuk plotëson kërkesat e sigurisë ushqimore për kafshë, është pjesë e një pakoje, pjesë e një pjese të ngarkesës ose e ngarkesës së plotë të një ushqimi të së njëjtës kategori ose përshkrimi, atëherë i gjithë ky ushqim nuk është i sigurt, vetëm nëse, pas kryerjes së analizave laboratorike, provohet e kundërta. Neni 50 Përcaktimi i sigurisë së ushqimeve për kafshë 1. Nëse ka arsye të dyshohet se ushqimi për kafshë nuk është i sigurt, me urdhër të ministrit përgjegjës për ushqimin, me propozimin e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, merren masa për kufizimin e tregtimit të këtij ushqimi ose heqjen e tij nga tregu. 2. Ministri përgjegjës për ushqimin nxjerr udhëzime, ku përcaktohen: a) kërkesat për sigurinë e ushqimit për kafshë; b) kushtet higjienike, kur veprohet me ushqimin për kafshë; c) zbatimi i sistemit të vetëkontrollit në operatorët e biznesit të ushqimit për kafshë, për garantimin e sigurisë së ushqimit të kafshëve, që nxirret në treg; ç) kërkesat për punonjësit teknikë, hapësirat dhe pajisjet e laboratorëve për kryerjen e analizave të ushqimit për kafshë; d) ndalimi ose kufizimi i përdorimit të lëndëve të para të veçanta në prodhimin e ushqimit për kafshë, të cilat rrjedhin nga burime specifike, kullotat që lidhen me llojin e kafshës dhe me procesin e përpunimit; dh) kushte të tjera, që lidhen me ushqimin për kafshë dhe që vlerësohen se janë thelbësore për të garantuar se ushqimi për kafshë i përmbush kërkesat e sigurisë. Neni 51 Importi dhe eksporti i ushqimit për kafshë (shtuar pika 8 dhe 9 me ligjin nr. 10/2022, datë 27.1.2022) 1. Nenet 14 e 15 të këtij ligji zbatohen edhe për importin dhe për eksportin e ushqimit për kafshë në Republikën e Shqipërisë. 2. Importuesi i ushqimit për kafshë i paraqet inspektorit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë në pikat e inspektimit kufitar një kërkesë për kontrollin e kontingjentit të ushqimit për kafshë që ai ka importuar, për të përcaktuar sigurinë e këtij ushqimi. 3. Autoriteti doganor kryen procedurën doganore për kontingjentin e ushqimit për kafshë, pasi inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë i pikës së inspektimit kufitar përcakton sigurinë e kontingjentit dhe, me vendim, miraton importin. 4. Autoriteti doganor është i detyruar që, brenda përgjegjësive dhe detyrave të tij, t’i verë në dispozicion inspektorit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë të pikës së kalimit kufitar të gjithë dokumentacionin dhe ta lejojë të bëjë kontrollin e nevojshëm, për të vërtetuar përmbushjen e kërkesave të sigurisë së ushqimit për kafshë. 5. Kur për ngarkesën e ushqimit për kafshë ka dyshime, deri në plotësimin e procedurës së përcaktimit të sigurisë dhe përpara plotësimit të procedurës doganore, ngarkesa mbahet në ruajtje në magazinat doganore. 6. Inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë i pikës së kalimit kufitar, për verifikimin e sigurisë së ushqimit për kafshë të importuar, ka të drejtë të marrë mostra dhe t’i analizojë ato në laboratorët e autorizuar. 7. Shpenzimet për analizimin e kontingjentit, lëshimin e formularit zyrtar të vendimit, sipas pikës 3 të këtij neni dhe shpenzimet e kontrollit laboratorik mbulohen nga importuesi. 8. Parashikimet e pikës 4 të nenit 16 të këtij ligji për kontrollin dhe pikës 1/1 të nenit 17 të këtij ligji për procedurat doganore aplikohen edhe në importin e ushqimit për kafshë. Shpenzimet për kontrollin zyrtar për ushqimin për kafshë, marrjen e mostrës dhe kryerjen e analizave laboratorike përballohen nga importuesi, me përjashtim të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe me vendet eksportuese. 9. Procedurat e kryerjes së kontrollit zyrtar përcaktohen me udhëzim të ministrit. Neni 52 (ndryshuar me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009) Për licencimin e operatorëve dhe të stabilimenteve të biznesit ushqimor për kafshë, që prodhojnë ushqim për njerëzit dhe, përkatësisht, regjistrimi i tyre zbatohet në dispozitat e nenit 19 të këtij ligji. Neni 53 Detyrat dhe përgjegjësitë e operatorëve të biznesit të ushqimit për kafshë Detyrat dhe përgjegjësitë e operatorëve të biznesit të ushqimit për kafshë duhet të jenë në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në kreun VI të këtij ligji për: a) higjienën dhe sigurinë e ushqimit për kafshë; b) procedurat e nevojshme që duhet të ndërmerren, nëse ushqimi për kafshë nuk përmbush kërkesat e sigurisë; c) futjen e sistemit të vetëkontrollit në stabilimentet e biznesit të ushqimit për kafshë; ç) futjen e një sistemi, që mundëson gjurmueshmërinë e ushqimit për kafshë. Neni 54 Hedhja në treg e ushqimit për kafshë, qё ka nё përbërje ose nё përmbajtje OMGJ 1. Aplikuesi, për nxjerrjen për herë të parë në treg të ushqimit për kafshë dhe të përbërësve të këtyre ushqimeve, të cilat kanё nё përbërje ose përmbajnë OMGJ, duhet të pajiset me autorizim nga ministri përgjegjës për ushqimin, nё mbёshtetje tё mendimit shkencor të dhënë më parë nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë 2. Kushtet dhe procedurat për dhënien e autorizimit, sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për ushqimin dhe të Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. 3. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mban një regjistër për autorizimet e dhëna për nxjerrjen në treg të ushqimit për kafshë dhe të përbërësve të tyre, të cilët kanё nё pёrbёrje ose përmbajnë OMGJ. 4. Përmbajtja dhe mënyra e mbajtjes së regjistrit tё pёrmendur nё pikën 3 të këtij neni përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për ushqimin. 5. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ushqimin, mund të ndalojë, përkohësisht ose pёrgjithmonё, importin e ushqimit për kafshë, që përmban organizma të modifikuar gjenetikisht, nëse nuk ka informacion shkencor dhe njohuri të mjaftueshme për ndikimin e mundshëm të pasojave negative nё jetën dhe shëndetin e njerëzve. Neni 55 Asgjësimi i ushqimeve për kafshë që përmbajnë OMGJ Ushqimi për kafshë dhe përbërësit e tij, që kanё nё pёrbёrje ose përmbajnë OMGJ, që nuk përputhen me kërkesat e sigurisë, të pёrcaktuara nga ky ligj, duhen asgjësuar, sipas legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit. Neni 56 Etiketimi i ushqimit për kafshë (ndryshuar me ligjin nr. 74/2013, datë 14.2.2013) Kërkesat që duhet të plotësohen për etiketimin e ushqimeve të blegtorisë janë si më poshtë: 1. Për ushqimet e ambalazhuara në thasë, në etiketë shënohen: a) emri dhe adresa e prodhuesit ose e personit përgjegjës për shpërndarjen e ushqimit; b) numri dhe data e licencës; c) emri i produktit; ç) pesha neto e kolisë; d) emri dhe përbërja në përqindje e të gjithë komponentëve; dh) specia, grupmosha dhe rendimenti i kafshëve dhe shpendëve, për të cilat destinohet ushqimi përkatës, si dhe dozat e përdorimit; e) data e prodhimit dhe afati kohor i përdorimit. 2. Për ushqimet në konteinerë, në etiketa shënohet: a) informacioni, i kërkuar sipas pikës 1, i cili plotësohet në një fletë të veçantë, e cila shoqëron mallin; b) informacionit në pikën “1.ç” i shtohet vëllimi neto për ushqimet në gjendje të lëngshme. 3. Mënyra e etiketimit të ushqimit për kafshë, përfshirë dhe ato që kanë në përbërje ose përmbajnë OMGJ, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 57 Kontrolli zyrtar i ushqimit për kafshë 1. Kontrolli zyrtar i ushqimit për kafshë kryhet nё pёrputhje me nenin 38 të këtij ligji. 2. Kontrolli zyrtar i ushqimit për kafshë, përfshirë edhe aditivёt e ushqimit për kafshë, kryhet nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe përfshin të gjitha nivelet e prodhimit, të përpunimit e të shpërndarjes. 3. Dispozitat e neneve 40, 41 e 43 të këtij ligji zbatohen edhe për kontrollin zyrtar të ushqimit për kafshë. 4. Detyrat dhe përgjegjësitë e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, si dhe programi vjetor i inspektimeve e mënyra e raportimit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. Neni 58 Marrja e mostrave për analizimin laboratorik të ushqimit për kafshë 1. Për kryerjen e kontrollit zyrtar të ushqimit për kafshë merren mostra të lëndëve të para, të përbërësve, shtesave teknologjike dhe substancave të tjera, të përdorura në përgatitjen dhe prodhimin e ushqimit për kafshë, tё materialeve që bien në kontakt të drejtpërdrejtë me këtë ushqim, përfshirë substancat pastruese dhe materialet e mirëmbajtjes, të cilat përdoren në biznesin e ushqimit për kafshë. 2. Operatorët e biznesit të ushqimit për kafshë janё tё detyruar të lejojnë marrjen e sasive të nevojshme pa pagesë të mostrave, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, për qëllime analizash laboratorike. Neni 59 Laboratorët e autorizuar të kontrollit dhe të referencës 1. Analizat laboratorike të mostrave, të marra për kryerjen e kontrollit zyrtar të ushqimit për kafshë, sipas nenit 58 të këtij ligji, bëhen nga laboratorë të autorizuar nga ministri përgjegjës për ushqimin. 2. Inspektori i kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë ёshtё autoriteti zyrtar për marrjen dhe dërgimin e mostrave në një laborator të autorizuar kontrolli. 3. Tarifa e analizave të kryera për ushqimet për kafshë, të prodhuara në Republikën e Shqipërisë, mbulohet nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe ministri përgjegjës për ushqimin dhe, nëse ushqimi për kafshë nuk përmbush kërkesat e detyrueshme, të bazuara në këtë ligj dhe/ose nё informacionin e specifikuar mbi etiketë, tarifat mbulohen nga operatori i biznesit të ushqimit për kafshë, që e prodhon dhe/ose e nxjerr në treg këtë ushqim. 4. Lista e laboratorëve të autorizuar të kontrollit, ku përcaktohen tipi i laboratorit dhe analizat, që ato janë të autorizuar të kryejnë, miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për ushqimin dhe botohet në Fletoren Zyrtare një herë në vit. 5. Për laboratorët e autorizuar të kontrollit, sipas pikës 1 të këtij neni, zbatohet edhe neni 45 “Veprimtaritë e laboratorëve të autorizuar të kontrollit” të këtij ligji. 6. Laboratorët e institutit përgjegjës për kryerjen e analizave të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë janë laboratorë reference, për çdo analizë të kryer, për qëllim të kontrollit zyrtar të sigurisë së ushqimeve për kafshë. 7. Laboratorët e referencës duhet të akreditohen nga një institucion i pavarur. 8. Trajnojnë dhe certifikojnë inspektorët e kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë. 9. Laboratorët e referencës duhet: a) të bëjnë vlerësimin e laboratorëve të autorizuar nëse janë të aftë për kryerjen e analizave, të kontrolleve zyrtare, vlerësim i cili shërben për pajisjen me autorizim nga ministri përgjegjës për ushqimin; b) të bashkërendojnë punën dhe të ofrojnë mbështetje, përfshirë trajnime dhe shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe metodat e analizave që kryejnë; c) të organizojnë teste paralele të mostrave të standardizuara dhe të marrin pjesë në to në nivel kombëtar e ndërkombëtar, për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të autorizuar të kontrollit; ç) të garantojnë se laboratorët e autorizuar përdorin sistemin e tyre të brendshëm të menaxhimit të cilësisë. 10. Lista e laboratorëve të referencës, ku specifikohen analizat, që ata janë të autorizuar të kryejnë, miratohet me urdhër të ministri përgjegjës për ushqimin dhe botohet në Fletoren Zyrtare një herë në vit. Neni 60 Trajtimi i krizave dhe i emergjencave Masat urgjente për garantimin e sigurisë ushqimore dhe plani i përgjithshëm për menaxhimin e krizave, të përcaktuara në nenet 47 e 48 të këtij ligji, zbatohen edhe për trajtimin e krizave dhe tё emergjencave për garantimin e sigurisë së ushqimit për kafshë. KREU XV STRUKTURA PËRGJEGJËSE PËR INSPEKTIMIN DHE KONTROLLIN ZYRTAR TË USHQIMIT DHE TË USHQIMIT PËR KAFSHË Neni 61 Parime të përgjithshme (shfuqizuar pragrafi i dytë i pikës 7, shtuar pika 8 dhe 9 me ligjin nr. 74/2013, datë 14.2.2013; shtuar pika 10 me ligjin nr. 16/2020, datë 12.2.2020; ndryshuar pika 10 me ligjin nr. 99/2024, datë 12.9.2024) 1. Në varësi të ministrit përgjegjës për ushqimin krijohet struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. 2. Struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë është person juridik, publik, me seli në Tiranë dhe drejtori rajonale në qarqe. 3. Struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë kryen veprimtari inspektuese, teknike dhe shkencore, në përputhje me këtë ligj dhe ligjet e tjera specifike, për sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve dhe tё ushqimeve për kafshë, për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, si dhe pёr mbrojtjen e bimëve. 4. Fondet për krijimin dhe fillimin e punës së strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë garantohen nga Buxheti i Shtetit. 5. Fondet për ushtrimin e veprimtarisё së strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë përballohen nga: a) Buxheti i Shtetit; b) burime të tjera të brendshme ose donacione. 6. Strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, me autorizim të ministrit përgjegjës për ushqimin, ua delegon personave të tjerë juridikë, publikë veprimtarinë, në përputhje me objektivin e kёtij institucioni. 7. Organizimi dhe funksionimi i strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ushqimin. 8. Struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë i nënshtrohet kontrollit mbi zbatueshmërinë e dispozitave të legjislacionit ushqimor, me urdhër të ministrit. 9. Rregullorja e brendshme e funksionimit të strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë miratohet me urdhër të ministrit. 10. Marrëdhëniet e punësimit për inspektorët rregullohen sipas ligjit për inspektimin, ndërsa për punonjësit e tjerë rregullohen sipas dispozitave të parashikuara në Kodin e Punës. Neni 62 Fusha e veprimtarisë sё strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë I. Struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë ka objekt tё veprimtarisё analizimin e riskut për ushqimin dhe ushqimin për kafshë. 1. Në kuadër të veprimtarisë së vlerësimit tё riskut, struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë: a) kërkon, grumbullon dhe analizon informacionin shkencor e teknik për të karakterizuar dhe monitoruar riskun, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi sigurinë e ushqimit dhe tё ushqimit për kafshë; b) kryen, në bashkëpunimme Institutin e Shëndetit Publik, institutin përgjegjës për kryerjen e analizave të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë dhe me persona tё tjerë juridikë, monitorimin e sigurisë së ushqimit dhe të ushqimit për kafshë; c) kryen veprimtari për identifikimin dhe karakterizimin e riskut, që shfaqet për sigurinë e ushqimit dhe tё ushqimit për kafshë; ç) bën studime shkencore të nevojshme për promovimin e vlerësimit të riskut në fushën e sigurisë së ushqimit dhe të ushqimit për kafshë; d) vendos mënyra unike të vlerësimit të riskut në të gjitha nivelet e prodhimit, tё përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimit e të ushqimit për kafshë. 2. Në kuadër të komunikimit të riskut, struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë: a) informon mbi riskun dhe jep mendimin shkencor për ministrin përgjegjës për ushqimin, institucionet e tjera publike dhe private, operatorët e biznesit ushqimor dhe të ushqimit për kafshë dhe konsumatorët, për sa u përket rreziqeve dhe sigurisë së ushqimit e të ushqimit për kafshë; b) krijon një sistem informimi të shpejtë dhe, për këtë qëllim, merr e dërgon të gjithë informacionin për rreziqet e ushqimit, si dhe krijon një sistem qendror për shkëmbimin e informacionit. 3. Në kuadër të menaxhimit të riskut, struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë bashkëpunon me ministrin përgjegjës për ushqimin për bashkërendimin e veprimtarive të përcaktuara në pikat 1 e 2 të këtij neni, për kryerjen e kontrollit zyrtar të sigurisë së ushqimit e të ushqimit për kafshë dhe për hartimin e kuadrit ligjor në fushën e sigurisë së ushqimit e të ushqimit për kafshë. II. Krahas veprimtarive tё pёrcaktuara nё kreun I të këtij neni, struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë: 1. Pёrgatit standarde, materiale informuese për praktikat e mira të prodhimit bujqësor, praktikat e mira të përpunimit, praktikat e mira të higjienës, për aplikimin e sistemit HACCP dhe për praktikat e mira laboratorike. 2. Ofron mendim shkencor për ushqimin, vlerat ushqimore të ushqimit dhe tema të tjera, qё lidhen me shëndetin e mirëqenien e kafshëve, si dhe mbrojtjen e bimëve. 3. Bashkëpunon me institucione dhe organizma ndërkombëtarë, që trajtojnё çështjet e ushqimit. 4. Trajnon dhe certifikon inspektorët e kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë. Neni 63 Organet përbërëse të strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë (ndryshuar me ligjin nr. 99/2024, datë 12.9.2024) Organe të tjera, që funksionojnë pranë strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë janë komiteti shkencor, panelet shkencore dhe laboratorët. Neni 64 Struktura, mandati dhe detyrat e bordit (shfuqizuar me ligjin nr. 99/2024, datë 12.9.2024) Neni 65 Drejtori i Përgjithshëm (shfuqizuar me ligjin nr. 99/2024, datë 12.9.2024) Neni 66 Komiteti shkencor dhe panelet shkencore 1. Komiteti shkencor dhe panelet shkencore tё strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe 3Me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009 , ndryshuar fjala “licencë” dhe ky zëvendësim bëhet në të gjitha nenet e ligjit, për të njëjtin përdorim të fjalës “leje” si në këtë nen. kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë kanë në përbërje ekspertë, të cilët përcaktojnë mendimin shkencor për qëllime të veprimtarisë së kёtij institucioni. 2. Numri i paneleve shkencore, përbërja, funksionimi, të drejtat dhe detyrat e komitetit shkencor dhe tё paneleve shkencore përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ushqimin. 3. Komiteti shkencor jep mendime shkencore: a) me kërkesë të bordit; b) me nismën e tij, për çështje brenda kompetencave që ka. 4. Kërkesa e paraqitur në shkronjën “a” të pikës 3 të këtij neni shoqërohet me të gjithë informacionin e nevojshëm, duke shpjeguar se cilës çështje shkencore i adresohet. 5. Komiteti shkencor jep mendimin e vet shkencor brenda periudhës së përcaktuar në kërkesën e bordit, me përjashtim të rastit kur rrethana objektive nuk e lejojnë këtë. 6. Në rastet kur: a) është paraqitur më shumë se një kërkesë për të njëjtën çështje; b) kërkesa për dhënien e mendimit shkencor nuk është shoqëruar me informacionin e nevojshëm ose është e paqartë; c) komiteti shkencor ka dhënë mendimin e vet shkencor për një çështje të caktuar dhe ka vërejtur se nuk ka informacione të reja, që duhen vlerësuar, komiteti shkencor mund ta refuzojë kërkesën ose të propozojë që kërkesa të ndryshohet. Kërkesa e refuzuar shoqërohet me një argumentim shpjegues. Neni 67 Inspektoratet (shfuqizuar me ligjin nr. 74/2013, datë 14.2.2013) KREU XVI KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE Neni 68 Kundërvajtjet administrative (ndryshuar fjalë me ligjin nr.10 137, datë 11.5.20093, ndryshuar me ligjin nr. 74/2013, datë 14.2.2013; shfuqizuar shkronja “j”me ligjin nr. 8/2019, datë 26.2.2019) 1. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga inspektorët e Kontrollit të Ushqimit dhe të Ushqimit për Kafshë, të strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë si më poshtë: a) Nxjerrja në treg e ushqimeve të reja, në kundërshtim me pikën 1 të nenit 28 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 300 000 lekë. b) Etiketimi i ushqimeve të reja, në kundërshtim me nenin 36 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 300 000 lekë. c) Nxjerrja në treg e ushqimeve të reja për kafshë, në kundërshtim me pikën 1 të nenit 54 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 300 000 lekë. ç) Etiketimi i ushqimeve të reja për kafshë, në kundërshtim me nenin 56 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 300 000 lekë. d) Nxjerrja në treg e ushqimeve, në kundërshtim me pikën 2 të nenit 10 të këtij ligji, nga 300 000 deri në 500 000 lekë. dh) Importimi i ushqimeve, në kundërshtim me pikën 1 të nenit 14 të këtij ligji, nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë. e) Zhvillimi i biznesit në një stabiliment të paregjistruar, në kundërshtim me nenin 19 të këtij ligji, nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë. f) Çdo veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit, sipas nenit 24 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 200 000 lekë. g) Çdo veprim në kundërshtim me kërkesat e vetëkontrollit, të përcaktuara në pikat 1, 2 e 4 të nenit 26 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 200 000 lekë. gj) Hedhja në treg e ushqimit për kafshë të pasigurt, në kundërshtim me pikën 1 të nenit 49 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 200 000 lekë. h) Çdo veprim në kundërshtim me kushtet e higjienës së ushqimeve, të përcaktuara në nenin 23 të këtij ligji, nga 300 000 deri në 500 000 lekë. i) Çdo veprim në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë, të përcaktuara në nenin 25 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 200 000 lekë. j) Shfuqizuar. k) Etiketimi në kundërshtim me nenin 36 të këtij ligji, nga 50 000 deri në 100 000 lekë. 2. Kur konstatohet se shkaku për pasigurinë e ushqimit vjen nga neglizhenca e veterinerit zyrtar, gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit veterinar, struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë mund të marrë masat e mëposhtme: a) Të vendosë gjobë ndaj veterinerit zyrtar nga 50 000 deri në 100 000 lekë. b) Të propozojë heqjen e licencës së operatorit të biznesit. 3. Në rastet kur është hedhur në treg një ushqim, i cili është vërtetuar se ka shkaktuar dëm në shëndetin e njeriut, apo kur mund të përbëjë rrezik potencial për jetën e tij, sipas dispozitave të këtij ligji, ndaj operatorit të biznesit të ushqimit merret masa e propozimit për heqje të licencës përkatëse për ushtrimin e veprimtarisë. 4. Gjoba është dënim kryesor, ndërsa masa e heqjes së licencës përkatëse, e parashikuar në këtë nen, është dënim plotësues. Neni 69 Bllokimi dhe asgjësimi i ushqimit dhe ushqimit për kafshë Ushqimi dhe ushqimi për kafshë, që nuk plotëson kërkesat e këtij ligji dhe që është bllokuar ose hequr nga tregu, asgjësohet me procesverbal të rregullt, sipas mënyrave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe shpenzimet përballohen nga operatori i biznesit ushqimor ose operatori i biznesit të ushqimit për kafshë, që ka bërë shkeljen. Neni 70 Procedura e kundërvajtjes administrative (ndryshuar me ligjin nr. 74/2013, datë 14.2.2013; ndryshuar me ligjin nr. 16/2020, datë 12.2.2020) 1. Inspektori i strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë shqyrton shkeljet, sipas këtij ligji, dhe merr vendim përfundimtar në vendin e inspektimit. Vendimi përfundimtar është pjesë e procesverbalit dhe mbahet në vendin e inspektimit dhe i njoftohet, pa vonesë, subjektit të inspektimit. Nëse përfundimi i procesverbalit, përfshirë vendimin përfundimtar, në vendin e inspektimit nuk është i mundur, ai përfundohet në zyrat e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe i njoftohet subjektit të inspektuar, brenda 5 ditëve nga data e përfundimit të inspektimit. 2. Kur struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë kërkon ndihmë, për shkak të zbatimit të detyrës së ngarkuar me ligj, ajo mbështetet nga Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera shtetërore të doganave dhe tatimeve. 3. Procedura e konstatimit, vendosjes dhe ankimit të masave administrative bëhet në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative dhe inspektimin. 4. Të ardhurat nga vjelja e gjobave derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit. Neni 70/1 Shqyrtimi i ankimit të masave administrative (shtuar me ligjin nr. 16/2020, datë 12.2.2020; ndryshuar me ligjin nr. 99/2024, datë 12.9.2024) Ankimi lidhur me masat administrative bëhet sipas legjislacionit në fuqi për inspektimin. KREU XVII DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT Neni 71 Nxjerrja e akteve nënligjore 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 21 pika 1, 25 pika 4, 27 pika 5, 31, 32 pika 3, 36 pika 3, 45 pika 2, 56 pika 2, 61 pika 7, 64 pikat 2 e 5, 65 pika 3 dhe 70 pika 4. 2. Ngarkohet ministri përgjegjës për ushqimin të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 13, 16 pika 3, 17 pika 3, 18 pika 3, 19 pikat 4, 11, 12 e 13, 20, 23, 26 pikat 5 e 7, 28 pika 2, 29 pika 2, 30 pika 1, 33 pikat 2 e 4, 34 pika 2, 37 pika 3, 41 pika 12, 42 pika 3, 43 pika 7, 44 pika 4, 45 pikat 5 e 6, 47 pika 1, 50 pikat 1 e 2, 54 pika 4, 57 pika 4, 59 pika 10 dhe 66 pika 2. Aktet nënligjore që nxjerr ministri përgjegjës për ushqimin, në zbatim të këtij ligji, bëhen me propozimin e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë. 3. Ngarkohen ministri përgjegjës për ushqimin dhe Ministri i Financave të nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të nenit 17 pika 4. 4. Ngarkohet ministri përgjegjës për ushqimin dhe Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të nenit 54 pika 2. Neni 72 Dispozita kalimtare 1. Deri në datën e fillimit të veprimtarisë së strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, funksionet e saj ushtrohen nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme. 2. Deri në miratimin e akteve nënligjore, në zbatim të këtij ligji, mbeten në fuqi aktet nënligjore, të dala në zbatim të ligjit nr.7941, datë 31.5.1995 “Për ushqimin” dhe të ligjeve të tjera, që veprojnë në fushën e ushqimit. 3. Neni 25 “Kërkesat për gjurmueshmërinë e ushqimit” hyn në fuqi 1 vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. 4. Neni 26 “Kërkesat për sistemin e vetëkontrollit” hyn në fuqi 1 vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. 5. Neni 28 “Nxjerrja në treg e ushqimeve të reja”, sipas përcaktimit të pikës 1 të nenit 27 dhe neni 54 “Hedhja në treg e ushqimit për kafshë, që kanë në përbërje ose përmbajnë OMGJ” hyjnë në fuqi 5 vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Dispozitë kalimtare (parashikuar me ligjin nr. 74/2013, datë 14.2.2013) Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj. Dispozita kalimtare (parashikuar me ligjin nr. 16/2020, datë 12.2.2020) Ankesat për gjobat mbi 300 000 lekë, deri në ditën që hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave për funksionimin dhe organizimin e Komisionit për Shqyrtimin e Masave Administrative në ministri, bëhen pranë komisionit të ankesave në strukturën përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë dhe përfundojnë shqyrtimin në këtë komision. Neni 73 Shfuqizimet 1. Ligji nr.7941, datë 31.5.1995 “Për ushqimin” shfuqizohet. 2. Ligji nr.8411, datë 1.10.1998 “Për ushqimet e blegtorisë” nuk zbatohet për kafshët që prodhojnë ushqim. 3. Në ligjin nr.7643, datë 2.12.1992 “Për Inspektoratin Sanitar Shtetëror”: a) në nenin 13 shkronja “ç”, pjesa e fjalisë “kontrollon respektimin e normave higjienike të standardeve shtetërore dhe kushteve teknike të produkteve ushqimore e të artikujve të tjerë, të normave të të ushqyerit të grupeve të veçanta të popullsisë, si dhe miraton destinacionin e produkteve ushqimore me skadencë në limit ose të tejkaluar” shfuqizohet; b) neni 19 paragrafi i parë shfuqizohet, me përjashtim të sapunëve dhe kozmetikës; c) neni 20 shfuqizohet. 4. Në ligjin nr.9441, datë 11.11.2005 “Për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e qumështit dhe produkteve me bazë qumështi”: a) neni 9 “Organet përgjegjëse për dhënien e lejeve” shfuqizohet; b) kreu VIII “Kontrolli” shfuqizohet; c) neni 33 “Organet përgjegjëse për vendosjen e masave administrative” shfuqizohet. 5. Në ligjin nr.8944, datë 19.9.2002 “Për prodhimin, emërtimin dhe tregtimin e vajit të ullirit”, neni 10 “Organet përgjegjëse për vendosjen e masave administrative” shfuqizohet. 6. Në ligjin nr. 8443, datë 21.1.1999 “Për vreshtarinë, verën dhe produktet e tjera që rrjedhin nga rrushi”, neni 34 shfuqizohet. 7. Në ligjin nr. 9308, datë 4.11.2004 “Për shërbimin dhe Inspektoratin Veterinar” të gjitha nenet, pikat, fjalitë dhe fjalët ku trajtohet dhënia e lejeve, kontrolli, prodhimi, përpunimi dhe shpërndarja e produkteve ushqimore me origjinë shtazore shfuqizohen. Neni 74 Hyrja në fuqi Ky ligj, me përjashtim të nenit 72, i cili hyn në fuqi ditën e përfundimit të afatit të përcaktuar në këtë nen, hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shpallur me dekretin nr.5617, datë 13.2.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi