Law No. 9791 amending and supplementing Law No. 9385 of 2005 on forests and the forestry service
Made 2007-07-23 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Act
- Organisation
- European Union
- Country
- Albania
- Subjects
- Forestry
- Keywords
- forest management/forest conservation, forest service, forestry protection measures, non-governmental entity, offences/penalties
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI L I G J Nr.9791, datë 23.7.2007 PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9385, DATË 4.5.2005 "PËR PYJET DHE SHËRBIMIN PYJOR", TË NDRYSHUAR Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I: Në ligjin nr.9385, datë 4.5.2005 "Për pyjet dhe shërbimin pyjor", të ndryshuar, bëhen këto shtesa e ndryshime: Neni 1 Në nenin 2 bëhen shtesat si më poshtë: 1. Në fund të pikës 21 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: "Për zbatimin e Protokollit të Kiotos pyll vlerësohet edhe sipërfaqja e tokës me një grup të dendur drurësh pyjorë, me sipërfaqe më të madhe se 0,1 ha, me shkallë mbulimi jo më të vogël se 30 për qind dhe me potencial për të arritur lartësi më të madhe se 3 metra, kur pylli ka arritur maturinë në kushte in-situ.". 2. Pas pikës 30 shtohen pikat 31, 32 e 33 me këtë përmbajtje: "31. "Ministria" është ministria përgjegjëse për pyjet. 32. "Ministër" është ministri përgjegjës për pyjet. 33. "Pyll komunal" është pylli në pronësi apo në përdorim të organeve të qeverisjes vendore.". Neni 2 Në nenin 5 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme: 1. Pika 4 ndryshohet si më poshtë: "4. Plani i mbarështimit të pyjeve shtetërore shqyrtohet nga komisioni teknik pranë Drejtorisë së Politikave Pyjore, i ngritur me urdhër të ministrit. Plani miratohet nga ministri.". 2. Pas pikës 4 shtohen pikat 5 e 6 me këtë përmbajtje: "5. Planet e mbarështimit të pyjeve komunale dhe private hartohen nga subjekte të licencuara dhe miratohen, sipas rastit, nga këshilli i komunës/bashkisë, në bashkëpunim me drejtorinë përkatëse të shërbimit pyjor. 6. Mënyra e hartimit të planeve të mbarështimit të pyjeve, e cila zbatohet për të gjitha format e pronësisë së pyllit, caktohet me udhëzim të ministrit.". Neni 3 Në nenin 7 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme: 1. Shkronja "b" e pikës 2 ndryshohet si më poshtë: "b) drejtoritë rajonale të shërbimit pyjor;". 2. Pas shkronjës "b" shtohet shkronja "c" me këtë përmbajtje: "c) Policia Pyjore me degët e saj rajonale.". 3. Pika 3 ndryshohet si më poshtë: "3. Strukturat dhe organikat e shërbimit pyjor, ato menaxhuese dhe të Policisë Pyjore miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit .". Neni 4 Neni 8 shfuqizohet. Neni 5 Në nenin 13 shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: "Pyjet janë edhe objekt i sekuestrimit të karbonit. Ministria është organi përgjegjës për zbatimin e dispozitave të Protokollit të Kiotos. Karboni i sekuestruar llogaritet dhe tregtohet, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në Protokollin e Kiotos, ku Republika e Shqipërisë është palë.". Neni 6 Në nenin 15, pas pikës 4 shtohet pika 5 me këtë përmbajtje: "5. Kuotat e karbonit, në procesin e sekuestrimit të tij, u përkasin pronarëve, sipas pronësisë që kanë mbi fondin pyjor.". Neni 7 Në nenin 17 pika 1 ndryshohet si më poshtë: "1. Pjesë të fondit pyjor kombëtar, që kërkohen nga subjekte juridike ose fizike apo nga organet e qeverisjes vendore, për t'u kthyer në truall, për zgjerimin e vijës kufizuese të ndërtimit dhe të shtrirjes territoriale të periferisë së qytetit dhe të qendrave të banuara në zonat rurale, për ndërtimin e strukturave turistike, të qendrave të pushimit apo shëndetësore, ose për qëllime të tjera publike, për rrugë automobilistike apo hekurudhore, për shpim dhe shfrytëzim të puseve të naftës e të gazit, për veprimtari minerare e gjeologjike, për aeroporte dhe struktura të telekomunikacionit, për qëllime të strukturave ushtarake e qendrave industriale, si dhe për qëllime bujqësore, hiqen nga fondi pyjor dhe nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve, si më poshtë: a) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe deri në 1 ha, me miratimin e ministrit; b) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe mbi 1 ha e deri në 100 ha, me vendim të Këshillit të Ministrave; c) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe mbi 100 ha, me ligj të veçantë." Neni 8 Në nenin 19 pikat 1, 2 e 3 ndryshohen si më poshtë: "1. Pjesë të fondit pyjor kombëtar dhe të pyjeve e tokave pyjore mund të jepen në përdorim për punë kërkimore e studimore, për mbarështim të florës dhe faunës së egër e për gjueti, për baza didaktike apo eksperimentale, për qëllime pushimi, argëtimi, shëndetësore, shoqërore dhe për veprimtari turistike. Pjesë jopyjore të fondit pyjor kombëtar mund të jepen në përdorim për veprimtari biznesi dhe për kryerjen e operacioneve hidrokarbure, gjeologjike e minerare, për gurore e kariera, pa cenuar vlerat dhe funksionet e tyre. Organet e shërbimit pyjor miratojnë, në fondin pyjor publik, vendet ose sheshet, ku mund të ushtrohen këto veprimtari, para se ato të licencohen, të pajisen me leje mjedisore e të miratohet ndërtimi i tyre nga KRRT-të. 2. Plotësimi i nevojave të banorëve të komunave me lëndë dhe dru zjarri, për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë e për kullotje, si dhe për grumbullimin e prodhimeve drusore e jodrusore bëhet nga pyjet komunale. Për komunat, që nuk kanë pyje komunale, këto nevoja mund të plotësohen nga pyjet shtetërore, sipas rregullave dhe procedurave të udhëzimit, të miratuar nga Këshilli i Ministrave. 3. Dhënia në përdorim e pjesëve të fondit pyjor publik bëhet në bazë të kontratave, të nënshkruara nga drejtori i drejtorisë rajonale të shërbimit pyjor, pasi është marrë më parë miratimi i ministrit. Kontratat përfundojnë në çastin kur KRRTRSH-ja miraton, për sipërfaqen e fondit pyjor, objekt kontrate, studime urbanistike. Rregullat, procedurat e kërkimit, të shqyrtimit e të miratimit të kërkesave për dhënie në përdorim të fondit pyjor kombëtar caktohen me udhëzim të ministrit.". Neni 9 Në nenin 23 pika 1 ndryshohet si më poshtë: "1. Administrimi dhe zhvillimi i pyjeve vendore apo i pjesëve të tyre bëhen nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas planeve të mbarështimit dhe të dispozitave të këtij ligji.". Neni 10 Në nenin 26 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme: 1. Pika 2 ndryshohet si më poshtë: "2. Personat fizikë dhe juridikë mund ta trajtojnë dhe shfrytëzojnë fondin pyjor kombëtar vetëm me lejen përkatëse, të lëshuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Kushtet dhe kriteret për dhënien e lejes për trajtimin dhe shfrytëzimin e fondit pyjor kombëtar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Të drejtat, që sigurohen nga leja e trajtimit dhe shfrytëzimit të fondit pyjor kombëtar, nuk mund t'u transferohen apo t'u jepen të tretëve. Subjektet, që pajisen me leje, mund të ndërtojnë ose të vendosin instalime të përkohshme, sipas skemave teknologjike, të miratuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor.". 2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë: "3. Materiali drusor, që shfrytëzohet çdo vit nga fondi pyjor kombëtar, caktohet brenda mundësive vjetore të trajtimit dhe shfrytëzimit të pyjeve, të përcaktuara në planet e mbarështimit, ndërsa në pyjet, me funksion mbrojtës e të veçantë, lejohet vetëm në rastet kur kryhen punimet e përkujdesjes dhe të prerjeve sanitare.". 3. Pika 4 ndryshohet si me poshtë: "4. Shfrytëzimi i ngastrave dhe i nënngastrave lejohet vetëm kur kërkohet teknikisht, në rastet e prerjeve farore, dritësuese, përfundimtare apo prerjet në pyjet e dëmtuara nga katastrofat natyrore apo zjarret, nën kontrollin e organeve të shërbimit pyjor.". 4. Pas pikës 14 shtohen pikat 15 e 16 me këtë përmbajtje: "15. Kur subjekti privat i specializuar kërkon të ndërtojë, me shpenzimet e veta, rrugën, për shfrytëzimin e ngastrave e të nënngastrave pa rrugë autopyjore, drejtoria përkatëse pyjore kompenson shpenzimet për ndërtimin e rrugës, duke bërë korrektimin e tarifave bazë, në varësi të investimeve të kryera për m3 lëndë drusore në këmbë. Në këto raste, subjekti gëzon të drejtën e shfrytëzimit të tyre deri në prerjet përfundimtare, të përcaktuara në planet e mbarështimit. 16. Kur subjekti privat i specializuar kërkon të marrë sipërfaqe të gjëra nga fondi pyjor, për afate të gjata kohore për të rehabilituar pyjet, kërkesa shqyrtohet, në mbështetje të dispozitave të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 "Për koncesionet.". Neni 11 Neni 27 ndryshohet si më poshtë: "Neni 27 1. Shitja e materialit drusor në pyjet publike bëhet nga organet e shërbimit pyjor, me ankand, në dy mënyra: a) në formën e asortimenteve të gatshme, në anë të rrugës ose në sheshet e depozitimit; b) në këmbë (të paprera). 2. Ankandet për shitjen e asortimenteve të gatshme në anë të rrugës, të prodhuara nga subjektet private, për llogari të shërbimit pyjor, zhvillohen vetëm për pyjet e reja kur trajtohen me prerje kulturale, me rallime, të tipit I e II, si dhe për zonat e mbrojtura, në varësi të nevojave të trajtimit të ngastrave e nënngastrave pyjore, të fondeve të planifikuara për këtë qëllim dhe të kërkesave të tregut. 3. Shfrytëzimi dhe prodhimi i asortimenteve të gatshme dhe magazinimi i tyre në anë të rrugës apo në sheshe depozitimi realizohen nga subjekte private, të përzgjedhura, nëpërmjet tenderave, të organizuara nga organet e shërbimit pyjor, në përputhje me rregullat dhe procedurat e legjislacionit në fuqi. Tenderat zhvillohen për ngastrat dhe nënngastrat, për të cilat janë përgatitur projektet tekniko-ekonomike të trajtimit apo të shfrytëzimit dhe vetëm në rastet kur garantohen efektiviteti ekonomik, miradministrimi dhe ruajtja e asortimenteve deri në shitjen e tyre. 4. Ankandet për shitjen e lëndës drusore në këmbë zhvillohen për pyjet e larta trungishte, pyjet e ulëta cungishte, si dhe për shkurret, që kanë arritur moshën e shfrytëzueshmërisë, sipas fazave të prerjes, të përcaktuara në planet e mbarështimit. 5. Këshilli i Ministrave cakton kriteret dhe rregullat e shfrytëzimit të pyjeve dhe të shitjes me ankand të materialit drusor e të prodhimeve të tjera, pyjore e jopyjore. 6. Materialet drusore dhe çdo prodhim tjetër me origjinë pyjore, të sekuestruara në qendrat e përpunimit apo në sheshet e depozitimit dhe të tregtimit, ruhen nga subjektet, të cilave u janë sekuestruar, deri në shitjen e tyre nga organet e shërbimit pyjor. 7. Materiali drusor, i përpunuar ose i papërpunuar, si dhe prodhimet e tjera pyjore e jopyjore transportohen nga pikat e grumbullimit dhe qendrat e përpunimit, deri në destinacionin përfundimtar, të shoqëruara me lejen e transportit, të lëshuar nga organet e shërbimit pyjor ose nga pronari privat, të nënshkruar nga organi përkatës i shërbimit pyjor, e cila vërteton prodhimin e tyre në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Modeli i lejes së transportit miratohet nga ministri.". Neni 12 Pas nenit 27 shtohet kreu VI/I me këtë përmbajtje: "KREU VI/I MONITORIMI DHE TË DHËNAT Neni 27/1 Monitorimi i pyjeve Monitorimi i pyjeve, që përfshin monitorimin e treguesve cilësorë dhe sasiorë të tyre, të biodiversitetit në pyje, të dukurive natyrore dhe të ndotjes e të dëmtimit të tyre, është proces i përhershëm dhe i detyrueshëm. Neni 27/2 Programi i monitorimit 1. Në bashkëpunim me organet qendrore dhe vendore, me Fakultetin e Shkencave Pyjore e me shoqatat e përdoruesve të pyjeve, ministria harton programin e monitorimit të pyjeve, si dhe bashkërendon e kontrollon punën për zbatimin e tij. Ministri miraton programin e monitorimit. 2. Programi i monitorimit të pyjeve përcakton treguesit e cilësisë së pyjeve, të biodiversitetit, të zhvillimit të ndotjes dhe dëmtimit, të dukurive natyrore, mënyrat e matjeve, të përpunimit të të dhënave, si dhe raportimin e botimin e tyre. Neni 27/3 Sistemi i të dhënave 1. Për të siguruar grumbullimin, përpunimin dhe botimin e të dhënave për pyjet, Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, në bashkëpunim me strukturat menaxhuese të pyjeve, me Policinë Pyjore, me qeverisjen vendore, me Fakultetin e Shkencave Pyjore e me shoqatat e përdoruesve të pyjeve, krijon sistemin e të dhënave, të domosdoshme për monitorimin e pyjeve. 2. Sistemi i të dhënave përmbledh tërësinë e treguesve shifrorë, të matshëm e të numërueshëm, që qartësojnë gjendjen e pyjeve dhe prirjet e proceseve që zhvillohen në to. 3. Në krijimin dhe përsosjen e sistemit të të dhënave, Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve synon përafrimin e plotë të tij me sistemet që përdor FAO-ja dhe që përcaktohen në direktivat e BE-së. Neni 27/4 Grumbullimi i të dhënave 1. Të dhënat për monitorimin e pyjeve kërkohen, hartohen dhe paraqiten sipas rregullave të miratuara me udhëzim të ministrit. Personat fizikë e juridikë, publikë dhe privatë, paraqesin të dhënat brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës. 2. Të dhënat shoqërohen me shpjegime për interpretimin e tyre, me rekomandime për zgjidhjen e problemeve që dalin dhe dorëzohen në Agjencinë e Mjedisit dhe Pyjeve, në përputhje me formatin që ajo kërkon. 3. Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve kontrollon cilësinë e monitorimit, të matjeve, zbatimin e metodikave, kualifikimin e specialistëve që marrin pjesë, pajisjet e përdorura dhe vërtetësinë e rezultateve. Neni 27/5 Informimi dhe botimi i të dhënave 1. Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve përpunon dhe dërgon për botim të dhënat dhe rezultatet që dalin prej tyre, në media dhe shtyp, në një formë të kuptueshme për publikun. 2. Në bazë të të dhënave dhe të rezultateve të monitorimit, Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, në bashkëpunim me strukturat menaxhuese, harton dhe boton raportin vjetor për gjendjen e pyjeve. Përpunimi dhe botimi i të dhënave për vitin pararendës bëhen brenda tremujorit të parë të vitit pasardhës. 3. Publiku dhe organizatat jofitimprurëse informohen për gjendjen e pyjeve, nëpërmjet botimit të të dhënave nga strukturat menaxhuese të pyjeve, nga Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, nga organet e qeverisjes vendore, si dhe duke kërkuar të dhëna pranë këtyre organeve. 4. Rregullat dhe procedurat për informimin e botimin dhe shpërndarjen e të dhënave janë sipas legjislacionit në fuqi. Neni 27/6 Tërheqja në vendimmarrje 1. Gjatë procesit të vendimmarrjes për pyjet, organet shtetërore, qendrore dhe vendore, sigurojnë pjesëmarrje dhe rol aktiv të komunitetit, të shoqatave të përdoruesve të pyjeve dhe të organizatave jofitimprurëse. 2. Ministri miraton rregullat e procedurat, që realizojnë pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjet e strukturave menaxhuese. Neni 27/7 Shoqatat e përdoruesve të pyjeve 1. Në procesin e zbatimit të këtij ligji, strukturat e menaxhimit të pyjeve dhe organet e qeverisjes vendore përfshijnë edhe shoqatat e përdoruesve të pyjeve. 2. Ministri përcakton rregullat dhe procedurat për përfshirjen e shoqatave, sidomos në hartimin, miratimin dhe zbatimin e: a) strategjive, të planeve të veprimit dhe të programeve të zhvillimit të pyjeve; b) planeve të mbarështimit e të programeve të monitorimit të pyjeve; c) projektakteve normative për pyjet. 3. Përfaqësues të shoqatave të përdoruesve të pyjeve marrin pjesë në borde e komisione, që krijohen për administrimin dhe mbrojtjen e pyjeve, në nivel vendor dhe qendror. Neni 27/8 Lidhjet me biznesin Lidhjet me biznesin realizohen në rrugë institucionale, nëpërmjet dhomave të tregtisë dhe të industrisë, si dhe të organizatave profesionale të biznesit, të cilat paraqesin pikëpamjet e veta për hartimin dhe zbatimin e programeve të administrimit, të zhvillimit, të mbrojtjes e të shfrytëzimit të pyjeve.". Neni 13 Neni 38 ndryshohet si më poshtë: "Neni 38 1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si me poshtë: a) prerja pa leje e pyjeve, e pyjeve të reja, e filizërisë dhe e fidanishteve, si dhe dëmtimi i tyre e i tokës pyjore, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë 80 000 ( tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë; b) prerja e drurëve pa damkën e organeve të shërbimit pyjor, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë 80 000 ( tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë; c) përdorimi i paligjshëm i fondit dhe i tokës pyjore dënohet me gjobë 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë; ç) prerja pa leje apo dëmtimi i pyjeve, në pronësi private, nga pronarët apo nga subjektet, të cilave u janë dhënë në përdorim ose me qira, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë; d) kullotja e bagëtive në pyjet e reja, në pyllëzime, në filizëri e fidanishte, në parcelat gjenetike e eksperimentale e në pyjet mbrojtëse, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë 5 000 (pesë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë; dh) grumbullimi i prodhimeve pyjore e jopyjore, si rrëshirë, boçe, hala, gjethe, bar, lëgushë, humus, plisa, rrënjë e lëvore, lule, fruta, sytha e herbë, kërpudha, bimë mjekësore, eterovajore, tanifere, patavra, cungje, kucka, fashina, thupra, hunj, bandiera, zhuka e kallamishte, gurë, zhavorr e rërë, pa lejen përkatëse të organit të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë 5 000 ( pesë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë; e) nxjerrja e rrënjëve të shqopës, bushit, maresë dhe prerja e thuprës së shelgut e të llojeve të tjera të drurëve pyjorë, gjatë periudhës së vegjetacionit, dënohen me gjobë 20 000 (njëzet mijë) deri në 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë; ë) krasitja për gjethe dhe kositja e grumbullimi i barit në fondin pyjor, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohen me gjobë 8 000 (tetë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë; f) mbledhja e prodhimeve të dyta pyjore e jopyjore e bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere, e bimëve të rralla e të kërcënuara e të tjera të kësaj natyre, jashtë periudhës teknike të vjeljes e me mënyra që sjellin degradimin, kërcënimin, rrallimin, zhdukjen apo dobësimin e funksioneve të tyre, dënohet me gjobë 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë; g) ndërhyrjet me punime të ndryshme në ligatinat dhe dunat bregdetare, pjesë përbërëse të fondit pyjor kombëtar, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohen me gjobë 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë; gj) ndezja e zjarreve jashtë vendeve të caktuara nga organet e shërbimit pyjor dënohet me gjobë 7 000 (shtatë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë; h) prishja apo përdorimi i çekiç-damkës e i damkës nga persona të paautorizuar dhe nga një zonë pyjore në tjetrën, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohen me gjobë 30 000 ( tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë; i) prishja, fshirja ose dëmtimi i shenjave kufidëftuese, gjeodezike e topografike, i tabelave paralajmëruese apo treguese, të vendosura në fondin pyjor kombëtar, dënohen me gjobë 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) deri në 20 000 (njëzet mijë) lekë; j) ndërtimi i furrave të gëlqeres dhe i kaminave të qymyrit të drurit në fondin pyjor, pa miratimin e organeve të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë 7 000 (shtatë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë; k) ngritja e ndërtimeve të thjeshta, gardhimeve, kampingjeve, brenda territoreve të gardhuara të fondit pyjor dhe të atyre të deklaruara me funksion mbrojtës e të veçantë, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në këtë ligj, dënohet me gjobë 20 000 (njëzet mijë) deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë; l) hedhja e mbetjeve urbane dhe e inerteve brenda në pyll ose në tokën pyjore dhe jashtë vendeve të caktuara, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë; ll) parkimi i automjeteve, vendosja e rulotave në pyjet me funksion mbrojtës e të veçantë, në parqet kombëtare, në rezervatet e mbarështimit të florës e të faunës së egër, në fidanishtet pyjore ose në vendet e tjera të fondit pyjor, me rëndësi të veçantë, pa miratimin e organeve të shërbimit pyjor, dënohen me gjobë 3 000 (tre mijë) deri në 5 000 (pesë mijë) lekë; m) ndryshimi i zërit kadastral apo i kulturave pyjore nga pronari privat, pa miratimin e organeve të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë 7 000 (shtatë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë; n) mosraportimi nga pronari i ndryshimeve përkatëse në fondin pyjor dhe në tokën pyjore, brenda 6 muajve nga data e vënies re, dënohet me gjobë 3 000 (tre mijë) deri në 5 000 (pesë mijë) lekë; nj) transferimi i të drejtave, të siguruara nga leja e ushtrimit të veprimtarisë në fondin pyjor kombëtar, dënohet me gjobë 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë; o) transporti me kamionë i materialit drusor nga pylli dhe prej shesheve të depozitimit për në qendrat e përpunimit e të shitjes, i pashoqëruar me lejen tip të transportit, dënohet me gjobë 80 000 ( tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë; p) mosruajtja e materialit drusor dhe e çdo prodhimi tjetër, me origjinë pyjore, të sekuestruar, i cili ndodhet në qendrat e përpunimit apo në sheshet e depozitimit e të tregtimit, nga subjektet, të cilave u është sekuestruar, deri në shitjen e tyre, dënohet me gjobë 8 000 (tetë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë; q) tregtimi ose tjetërsimi i materialeve drusore dhe i prodhimeve të tjera, pyjore e jopyjore të fondit pyjor kombëtar, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë 80 000 ( tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë; r) tregtimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera të pyllit, të infektuara nga sëmundjet, barërat e këqija e parazitare ose të prekura nga insektet, dënohet me gjobë 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. 2. Kur shkeljet e këtij ligji kanë sjellë pasoja të rënda, Policia Pyjore bën kallëzim penal. Kriteret për ndarjen e shkeljeve me pasoja të lehta apo me pasoja të rënda caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.". Neni 14 Pas nenit 40 shtohen nenet 40/1, 40/2 e 40/3 me këtë përmbajtje: "Neni 40/1 Vlerësimi i dëmit 1. Për çdo rast të kryerjes së kundërvajtjes administrative apo të veprës penale në pyje, vlerësohet edhe dëmi që është shkaktuar dhe kërkohet shpërblimi i tij nga personi përgjegjës. 2. Kriteret dhe mënyra e caktimit të vlerës së dëmit të shkaktuar miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 40/2 Likuidimi i gjobës Gjobat për kundërvajtjet administrative, të vëna në përputhje me këtë ligj, shlyhen brenda 30 ditëve nga data që vendimi ka marrë formën e prerë. Pas këtij afati, gjoba vilet nga organet e përmbarimit. Neni 40/3 Lidhja e kontratës Personat juridikë e fizikë, që kanë bërë instalime, ndërtime dhe ushtrojnë veprimtari në fondin pyjor publik, pa lidhur kontrata me drejtorinë përkatëse të shërbimit pyjor, duhet t'i lidhin ato brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Pas këtij afati, Policia Pyjore bën mbylljen e përhershme të veprimtarive dhe çmontimin e instalimeve.". Neni 15 Neni 42 ndryshohet si më poshtë: "Neni 42 Aktet nënligjore 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 7 pika 4, 9 pika 3, 17 pika 1 shkronja "b" e pika 2, 19 pika 2, 20 pika 9, 21 pika 8, 23 pika 7, 26 pikat 2, 8 e 10, 27 pika 5, 38 pika 2 dhe 40/1 pika 2. 2. Ngarkohet ministri të nxjerrë urdhrat dhe udhëzimet në zbatim të neneve 5 pika 6, 8 pika 2, 16 pikat 5 e 8, 17 pika 1 shkronja "a", 19 pika 3, 20 pika 12, 25 pika 2, 26 pika 11, 27 pika 7, 27/2 pika 1, 27/4 pika 1, 27/5 pika 4, 27/6 pika 2 dhe 27/7 pika 2.". Neni 16 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. K R Y E T A R E Jozefina Topalli (Çoba)