Law No. 9587 on biodiversity protection
Made 2006-07-20 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Act
- Organisation
- European Union
- Country
- Albania
- Subjects
- Wild species and ecosystems
- Keywords
- biodiversity, invasive alien species, ecosystem conservation, ex-situ conservation, policy/planning, research, offences/penalties, community management, framework law
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
1 LIGJ Nr.9587, datë 20.7.2006 PËR MBROJTJEN E BIODIVERSITETIT (Ndryshuar me ligjin nr. 37/2013, datë 14.2.2013; nr. 68/2014, datë 3.7.2014; nr. 41/2020, datё 23.4.2020; nr. 69/2024, datë 4.7.2024) (i përditësuar) Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi(shtuar pikat 3, 4 dhe 5 me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014) Ky ligj synon: 1. Të sigurojë mbrojtjen dhe ruajtjen e diversitetit biologjik. 2. Të rregullojë përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të diversitetit biologjik, nëpërmjet integrimit të elementeve kryesore të biodiversitetit në strategjitë, planet, programet dhe vendimmarrjet e të gjitha niveleve. 3. Të sigurojë ngritjen e rrjetit për ruajtjen e habitateve natyrore dhe florës e faunës së egër në territorin e Republikës së Shqipërisë. 4. Të përcaktojë masa për të mbajtur ose rivendosur në një status të favorshëm ruajtjeje habitatet natyrore dhe llojet e faunës së egër të Shqipërisë dhe me interes për Komunitetin Europian. 5. Të sigurojë që masat e ndërmarra, në zbatim të këtij ligji, të marrin në konsideratë kërkesat ekonomike, sociale dhe kulturore, si dhe karakteristikat rajonale. Neni 2 Përkufizime (ndryshuar pikat 12, 35 dhe 36, shfuqizuar pika 37, shtuar pikat 43, 44, 45, 46 dhe 47 me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014, shfuqizuar pika 12, ndryshuar pikat 17, 38, 43, shfuqizuar pikat 44, 45, 46 dhe 47, shtuar pikat 48, 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55, 56, 57 e 58 me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohet: 1. “Biodiversitet (diversitet biologjik) ose larmi biologjike” është shumëllojshmëria e organizmave të gjallë të të gjitha llojeve, duke përfshirë, ndër të tjera, ekosistemet tokësore, detare dhe ekosistemet e tjera ujore, si dhe komplekset ekologjike, ku ato bëjnë pjesë. Ky term përfshin shumëllojshmërinë brenda dhe ndërmjet llojeve dhe shumëllojshmërinë e ekosistemeve. 2 2. “Bioteknologji” është çdo zbatim teknologjik, që përdor sistemet biologjike, organizmat e gjallë apo derivatet e tyre, për të prodhuar a modifikuar produkte ose procese për përdorim të veçantë. 3.“Bioteknologji moderne” është zbatimi i teknikave in vitro të acidit nukleik, duke përfshirë acidin dezoksiribonukleik (ADN) dhe injektimin e drejtpërdrejtë të acidit nukleik në qelizë apo organellë ose i shkrirjes së qelizave përtej familjes taksonomike, që tejkalon barrierat e riprodhimit fiziologjik apo të rikombinimit dhe që nuk janë teknika të përdorura në kryqëzimet dhe përzgjedhjen tradicionale. 4. “Burime gjenetike” janë materiale gjenetike, me vlerë aktuale apo potenciale. 5. “Ekosistem” është një kompleks dinamik, i përbërë nga komitete të bimëve, kafshëve e mikroorganizmave, si dhe mjedisi jo i gjallë, të cilat ndërveprojnë ndërmjet tyre si një njësi funksionale. 6. “Gjenom” është tërësia e materialit gjenetik, që gjendet në një organizëm të gjallë. 7. “Habitat” është mjedisi i disa individëve, bimorë ose shtazorë, i popullatave ose i bashkësive të tyre. 8. “Introduktim i qëllimshëm” është futja në një mjedis e një lloji të huaj apo e një organizmi gjenetikisht të modifikuar, që kryhet dhe/ose përfshin një lëvizje të qëllimshme, të kryer nga njerëzit. Për llojet e huaja, kjo përfshin një lëvizje të qëllimshme të një lloji jashtë shtrirjes së vet natyrore dhe potencialit të përhapjes. 9. “Introduktim i paqëllimshëm” është futja e paqëllimshme e një lloji të huaj ose e një organizmi të modifikuar gjenetikisht, që i përdor njerëzit apo sistemet e shpërndarjes së njeriut si vektorë për përhapje. Për llojet e huaja, introduktimi i paqëllimshëm është jashtë potencialit të përhapjes. 10. “Kampion mjedisor” janë mostrat e ujit, të tokës, ajrit apo materialeve të tjera fizike. 11. “Ligatina” janë sipërfaqet kënetore, moçalore, turbishte apo sipërfaqet ujore, natyrore ose artificiale, të përhershme ose të përkohshme, me ujë të fjetur ose të rrjedhshëm, të ëmbël, të kripur, përfshirë dhe sipërfaqet e ujërave detare, thellësia e të cilave, në zbaticë, nuk i kalon 6 metrat. Ligatinat përcaktohen nga komunitetet e tyre biologjike dhe nga karakteristikat e tyre hidrologjike dhe që, në varësi të situatës, nga karakteristikat e tyre gjeografike, të tilla si tipi i tokës. 12. Shfuqizuar. 13. “Lista e kuqe” është renditja e llojeve sipas rrezikut të prekjes nga zhdukja, në mbështetje të klasifikimit të përpunuar nga Qendra Botërore e Ruajtjes së Natyrës. 14. “Lloj ose specie” është një njësi taksonomike, ku bëjnë pjesë bimë, kafshë ose mikroorganizma taksonë më të ulët ose popullatat e tyre. 15. “Lloj i huaj” është një kafshë, bimë apo mikroorganizëm, që ndodhet jashtë shtrirjes natyrore dhe potencialit të përhapjes dhe përfshin çdo pjesë ose gamet, që mund të mbijetojë dhe të riprodhohet. 16. “Lloj i huaj invaziv” është një lloj i huaj, që zë vend në ekosisteme, habitate ose peizazhe, a që vepron si një faktor ndryshimi dhe kërcënon mjedisin, shëndetin e njeriut ose zhvillimin e qëndrueshëm. 17. “Material gjenetik” është çdo material me origjinë bimore, shtazore, mikrobiale ose tjetër, që përmban njësi funksionale të trashëgueshmërisë. 18. “Molekulë biologjike” është tërësia e lëndëve, të thjeshta e të përbëra, organike, që janë pjesë përbërëse e gjallesave, ku përfshihen proteinat, acidet nukleike, karbohidratet dhe yndyrnat. 19. “Organizëm i gjallë” është çdo entitet biologjik, i aftë të transferojë apo shumëzojë materialin gjenetik, ku përfshihen edhe organizmat sterilë dhe viruset. 20. “Organizma gjenetikisht të modifikuar (OMGJ)” është çdo organizëm i gjallë, që zotëron një ndërthurje të re të materialit gjenetik, që përftohet nëpërmjet përdorimit të bioteknologjisë moderne. 21. “Peizazh” është një hapësirë siç perceptohet nga njerëzit, karakteri i së cilës është 3 rezultat i veprimit dhe i ndërveprimit të faktorëve natyrorë dhe/ose njerëzorë. 22. “Përbërës të larmisë biologjike” janë ekosistemet, organizmat e gjallë ose pjesë të tyre, burimet gjenetike a çdo përbërës tjetër biotik i ekosistemeve me përdorim ose vlerë aktuale apo potenciale për njerëzimin. 23. “Përdorim” është zotërimi, tregtimi i çdo lloji, i formave jetësore ose i pjesëve a derivateve të tij dhe përpjekjet për t'u përfshirë në veprime të tilla. 24. “Përdorim i qëndrueshëm” është përdorimi i përbërësve të biodiversitetit në një mënyrë dhe një ritëm, që nuk çon në zvogëlimin afatgjatë të biodiversitetit, duke mirëmbajtur potencialin e tij, për të plotësuar nevojat dhe aspiratat e brezave të sotëm dhe të ardhshëm. 25. “Raca dhe varietete të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi” janë racat e kafshëve e varietetet e bimëve të vendit dhe burimet gjenetike të lidhura me to, që përdoren për ushqim, bujqësi dhe mjedise të tjera prodhuese. 26. “Ruatje ex-situ” janë masat menaxhuese, të nevojshme për ruajtjen e llojeve dhe të burimeve të tyre gjenetike shoqëruese, jashtë ekosistemeve apo habitateve të tyre natyrore. Për racat e varietetet autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, kuptohet ruajtja jashtë mjediseve të prodhimit, ku ato kanë zhvilluar karakteristikat e tyre dalluese. 27. “Ruatje in-situ” janë masat menaxhuese, të nevojshme për të ruajtur ekosistemet dhe habitatet e për të mirëmbajtur ose për të restauruar popullatat e llojeve, që mund të jetojnë në habitatet e tyre. Për racat dhe varietetet autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, kuptohet ruajtja brenda mjediseve të prodhimit, ku ato kanë zhvilluar karakteristikat e tyre dalluese. 28. “Status ruajtjeje i një ekosistemi, habitati apo peizazhi” është tërësia e ndikimeve, që veprojnë në një ekosistem, habitat apo peizazh dhe llojet tipike, që mund të ndikojnë në shpërndarjen, strukturën, funksionet natyrore dhe mbijetesën afatgjatë të llojeve tipike. 29. “Status ruajtjeje i një lloji” është tërësia e ndikimeve, që veprojnë në llojet e interesuara, që mund të ndikojnë në shpërndarjen dhe prurjen afatgjatë të popullatave të veta. 30. “Statusi i favorshëm i ruajtjes së një ekosistemi, habitati apo peizazhi” është kur: a) shtrirja natyrore dhe sipërfaqet, që mbulon brenda kësaj shtrirjeje, janë të qëndrueshme ose në rritje; b) strukturat dhe funksionet e veçanta, të cilat janë të nevojshme për mirëmbajtjen e vet afatgjatë, janë të pranishme dhe mund të vazhdojnë të ekzistojnë në të ardhmen e afërt; c) llojet e tij tipike kanë një status ruajtjeje të favorshëm. 31. “Statusi i favorshëm i ruajtjes së një lloji” është kur: a) të dhënat e dinamikës së popullatës për një lloj të interesuar tregojnë, se ai mbetet për një kohë afatgjatë një përbërës, i vlefshëm dhe i aftë i habitateve të veta natyrore; b) shtrirja natyrore e llojeve nuk është zvogëluar dhe as nuk ka mundësi të zvogëlohet në të ardhmen e afërt; c) është dhe ndoshta do të vazhdojë të jetë një habitat i mjaftueshëm, nga madhësia, për të mbajtur popullatat për një afat kohor të gjatë. 32. “Statusi i pafavorshëm i ruajtjeve” është: a) për llojin, kur nuk plotësohet çdonjëri prej kushteve të parashikuara në pikën 31 të këtij neni; b) për ekosistemet, habitatet dhe peizazhet, kur nuk plotësohet çdonjëri prej kushteve të parashikuara në pikën 30 të këtij neni. 33. “Shfrytëzim” është gjuajtja, vrasja, dëmtimi, kapja, mbledhja, vjelja, çrrënjosja, shkulja, prerja, shkatërrimi, përpunimi, ballcamimi, transporti, konsumimi, tregtimi ose largimi i një lloji, i formave të tij jetësore, pjesëve apo derivateve të veta, si dhe orvatjet për t'u angazhuar në këto veprime. 34. “Shtrirje natyrore” është mjedisi, që një lloj zë në mënyrë natyrore, si në të kaluarën dhe në të tashmen. 35. “Ministria” është ministria përgjegjëse për mjedisin. 4 36. “Ministër” është ministri përgjegjës për mjedisin. 37. Shfuqizuar. 38. “Rrjeti i zonave të mbrojtura” është sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura. 39. “Informacion ekzistues” janë të dhënat për biodiversitetin, që janë të disponueshme nga publiku dhe të botuara në dokumentet zyrtare. 40. “Informacion i ri” janë të dhënat për biodiversitetin, që nuk janë botuar ose shpërndarë zyrtarisht dhe që vlerësohen nga specialistët si risi shkencore. 41. “Përdorime ose shfrytëzime të mëparshme” janë përdorime ose shfrytëzime të lejuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të cilat mund të përdoren edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit. 42. “Përdorime ose shfrytëzime të reja” janë përdorime ose shfrytëzime, që lejohen pas hyrjes në fuqi të ligjit. 43. “Njësitë e vetëqeverisjes vendore” kanë të njëjtin kuptim të dhënë në legjislacionin për vetëqeverisjen vendore. 44. Shfuqizuar. 45. Shfuqizuar. 46. Shfuqizuar. 47. Shfuqizuar. 48. “Akses” nënkupton lejimin, përvetësimin dhe ndarjen e burimeve gjenetike ose të njohurive tradicionale të lidhura me to. 49. “Burime gjenetike të përdorura në mënyrë të paligjshme” janë burimet gjenetike dhe njohuritë tradicionale të lidhura me burimin gjenetik, por të përdorura pa u respektuar detyrimet ligjore të përcaktuara në këtë ligj, ose detyrimet e parashikura në Protokollin e Nagoyas, i ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr. 113/2012, datë 22.11.2012. 50. “Certifikatë e pajtueshmërisë së njohur ndërkombëtarisht” (këtu e në vijim Certifikata) ka kuptimin e një akti të lëshuar nga ministria, që vërteton se burimi gjenetik që do të përdoret apo të dhënat që ai prodhon janë në përputhje me kushtet e miratuara nga lëshuesi i kësaj certifikate. 51. “Deklarata e kontrollit të detajuar të kërkimit shkencor” është deklarata e kërkuesit, në të cilën shprehet se kërkimi shkencor do të zbatojë parimin e kujdesit të duhur në këtë proces. 52. “Kushte të pranuara reciprokisht” ka kuptimin e marrëveshjeve kontraktuale, të lidhura ndërmjet furnizuesit të burimit gjenetik ose të njohurive tradicionale të lidhura me burimin gjenetik dhe një përdoruesi të mirëpërcaktuar, me anë të të cilave përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, përfshirë edhe ndarjen e drejtë dhe të barabartë të fitimit që do të vijë si pasojë e shfrytëzimit të burimit gjenetik apo të njohurive tradicionale të lidhura me burimin gjenetik. 53. “Njohuri tradicionale e lidhur me burimin gjenetik” është njohuri e posaçme, e zotëruar nga një vendas apo një komunitet vendas afër burimit gjenetik, e cila ka vlerë të rëndësishme në lidhje me përdorimin e këtij burimi gjenetik dhe që ёshtё e përshkruar si e tillё në kushtet e pranuara reciprokisht të zbatueshme lidhur me përdorimin e burimit gjenetik. 54. “Përdorues” është një person fizik apo juridik, që përdor burime gjenetike ose njohuri tradicionale të lidhura me burimet gjenetike. 55. “Protokolli i Nagoyas” është protokolli për aksesin në burimet gjenetike dhe ndarjen e drejtë e të barabartë të përftimeve që rrjedhin nga përdorimi i tyre. 56. “Pëlqimi paraprak i informuar” nënkupton miratimin administrativ të dhënë nga autoriteti kombëtar kompetent i një vendi ofrues të burimeve gjenetike një përdoruesi të tyre, para aksesit në burimet gjenetike, në përputhje me përcaktimin e Protokollit të Nagoyas. 57. “Shfrytëzim i burimeve gjenetike” është kryerja e kërkimeve, me qëllim zhvillimin gjenetik dhe/ose biokimik të burimit gjenetik, përfshirë përdorimin e bioteknologjisë, sipas kuptimit të nenit 2 të Protokollit të Nagoyas. 58. “Vjelja” është procesi i grumbullimit, ruajtjes së grupmostrave të mbledhura ose informacionit përkatës dhe i mbajtjes së tyre nga subjektet fizike e juridike, publike ose private. 5 Neni 3 Fusha e zbatimit (shtuar fjalë në shkronjën “a”, të pikës 1 me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014, shtuar shkronja “ç” me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Ky ligj zbatohet: a) për të gjitha sipërfaqet gjeografike, tokësore, ujore dhe detare të Republikës së Shqipërisë, pronë shtetërore apo private veçanërisht në rrjetin përfaqësues të zonave të mbrojtura të Shqipërisë; b) për të gjithë përbërësit e diversitetit biologjik, që gjenden në mjediset e përmendura në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij neni. c) nga organet shtetërore, që veprojnë në kuadër të këtij ligji apo të ligjeve të tjera të kësaj fushe, nga personat fizikë dhe juridikë, publikë e privatë, vendas dhe të huaj, veprimtaritë e të cilëve kanë ndikim në biodiversitet, si dhe nga organizatat shoqërore dhe nga publiku. ç) për të gjitha burimet gjenetike dhe njohuritë tradicionale të këtyre burimeve gjenetike. 2. Materiali gjenetik dhe organizmat gjenetikisht të modifikuar (OMGJ-të) nuk janë objekt i këtij ligji. KREU II INSTITUCIONET PËR RUAJTJEN DHE MBROJTJEN E BIODIVERSITETIT Neni 4 Institucionet shtetërore 1. Republika e Shqipërisë, për mbrojtjen dhe ruajtjen e larmisë biologjike: a) ushtron të drejtat sovrane për përbërësit e diversitetit biologjik, që gjenden në sipërfaqet e veta tokësore, ujore dhe detare; b) përdor përbërësit e diversitetit biologjik në mënyrë të qëndrueshme për brezat e sotëm dhe të ardhshëm; c) siguron që veprimtaritë brenda juridiksionit të vet nuk dëmtojnë biodiversitetin tej kufijve shtetërorë dhe në territoret e shteteve të tjera. 2.Republika e Shqipërisë bashkëpunon me shtete dhe organizata ndërkombëtare për ruajtjen e diversitetit biologjik dhe për përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të tij, veçanërisht për: a) përbërësit e përbashkët ose ndërkufitarë të diversitetit biologjik; b) ndikimet ndërkufitare të veprimtarive, që ushtrohen në territorin e saj; c) përballimin e situatave emergjente; ç) përmbushjen e detyrimeve, që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat ajo është palë. Neni 5 Ministria përgjegjëse për mjedisin (ndryshuar titulli me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014) Ministria është institucioni qendror përgjegjës për ruajtjen e biodiversitetit dhe për përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të tij, në nivel kombëtar dhe vendor. 6 Neni 6 Ministria përgjegjëse për bujqësinë Ministria përgjegjëse për bujqësinë është autoriteti drejtues dhe përgjegjës për të siguruar ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të racave dhe të varieteteve autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi. Neni 7 Organe të tjera Organet shtetërore, qendrore dhe vendore, që sipas ligjeve të veçanta administrojnë burime natyrore përbërëse të biodiversitetit, e mbrojnë atë, duke vepruar në kuadër të këtij funksioni. KREU III INSTRUMENTET E PLANIFIKIMIT TË BIODIVERSITETIT Neni 8 Strategjia dhe plani i veprimit të biodiversitetit 1. Për mbrojtjen e biodiversitetit hartohet strategjia kombëtare dhe plani i veprimit të biodiversitetit, kërkesat e të cilëve zbatohen nga organet shtetërore dhe personat fizikë e juridikë. Ky dokument miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. 2. Kërkesat e strategjisë dhe të planit të veprimit të biodiversitetit harmonizohen me këtë ligj e me ligje të tjera të mbrojtjes së mjedisit, si dhe ndihmojnë në zbatimin e tyre. 3. Strategjia e biodiversitetit rinovohet çdo 10 vjet. 4. Ministria drejton punën për hartimin dhe rinovimin e strategjisë dhe të planit të veprimit të biodiversitetit, duke siguruar pjesëmarrjen e të gjitha grupeve të interesuara, të organeve shtetërore, qendrore dhe vendore, komunitetit shkencor dhe shoqërisë civile. 5. Përparësitë dhe kërkesat e përcaktuara në strategjinë dhe në planin e veprimit të biodiversitetit të përfshihen në strategjitë, planet, programet sektoriale dhe në vendimmarrjet e organeve shtetërore, në nivel kombëtar dhe vendor. Neni 9 Rrjeti i inventarizimit dhe i monitorimit të biodiversitetit 1. Për ruajtjen e biodiversitetit dhe përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të tij ngrihet rrjeti i inventarizimit dhe i monitorimit të biodiversitetit, si burim kryesor informacioni për të mbështetur vendimmarrjet në të gjitha nivelet. 2. Kriteret dhe procedurat për ngritjen e këtij rrjeti, mënyra e funksionimit dhe detyrat e tij, si dhe organet e institucionet, që ngarkohen me ngritjen dhe administrimin e tij, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. Neni 10 Planifikimi për emergjencat Ministria, në bashkëpunim me strukturat e tjera shtetërore, të ngarkuara për emergjencat natyrore: a) harton plane dhe procedura veprimi për menaxhimin e rasteve të papritura nga veprimtaritë njerëzore ose nga ndodhitë natyrore, që mund të kërcënojnë biodiversitetin, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë ose në zonat ndërkufitare; 7 b) njofton shtetet potencialisht të rrezikuara dhe organizatat ndërkombëtare përkatëse në rastet e rrezikut ose të dëmtimit, të shpejtë ose të rëndë, të biodiversitetit dhe bashkëpunon me to për të parandaluar apo zvogëluar kërcënimet e shfaqura. Neni 11 Ndikimet ndërkufitare Kur ndikimet negative rrezikojnë diversitetin biologjik të një shteti fqinj, ministria njofton, shkëmben të dhëna dhe këshillohet me shtetin e interesuar, si dhe vlerëson kërkesat e tij përpara se të japë lejen mjedisore. KREU IV RUAJTJA E EKOSISTEMEVE, HABITATEVE DHE PEIZAZHEVE, QË NDODHEN JASHTË RRJETIT PËRFAQËSUES TË ZONAVE TË MBROJTURA Neni 12 Ruajtja 1. Ekosistemet, habitatet dhe peizazhet ruhen edhe kur ndodhen jashtë rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura, pronë publike apo private. 2. Ruajtja e ekosistemeve, habitateve dhe peizazheve, që ndodhen jashtë rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura, përfshin: a) ekosistemet, habitatet dhe peizazhet e mbrojtura; b) ekosistemet, habitatet dhe peizazhet veçanërisht të mbrojtura; c) ekosistemet, habitatet dhe peizazhet e degraduara. Neni 13 Identifikimi 1. Kategoritë e përgjithshme të ekosistemeve, habitateve dhe peizazheve të mbrojtura përfshijnë ligatinat dhe zonat e tjera me ndjeshmëri të lartë mjedisore, që identifikohen për të marrë një status të përshtatshëm ruajtjeje. 2. Në ekosistemet, habitatet dhe peizazhet veçanërisht të mbrojtura përfshihen ato: a) me status ruajtjeje të pafavorshëm; b) me diversitet të lartë e numër të madh llojesh, endemike apo të egra; c) që popullohen nga llojet veçanërisht të mbrojtura; ç) që kërkohen e përdoren nga llojet shtegtare; d) që janë të rëndësishme për vetitë natyrore, shkencore, kulturore apo social-ekonomike; dh) që janë përfaqësuese unike apo të lidhura me proceset kyçe të zhvillimit ose me procese të tjera biologjike; e) të shpallura si të tilla në bazë të instrumenteve ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë. 3. Në ekosistemet, habitatet dhe peizazhet e degraduara përfshihen ato, të cilat janë të ndotura, të mbishfrytëzuara dhe të shkatërruara, modifikimi i të cilave ka ulur, në mënyrë të ndjeshme, aftësinë e funksioneve dhe të proceseve të tyre, si dhe aftësinë për të mbajtur popullata autoktone, të afta për të jetuar. 4. Ekosistemet, habitatet dhe peizazhet individuale, që kërkojnë mbrojtje të veçantë, identifikohen me qëllim që t'u sigurohet statusi i favorshëm i ruajtjes, ndërsa ato të degraduara identifikohen me qëllim që të rehabilitohen dhe të kthehen në gjendje natyrore. 8 5. Identifikimi bëhet duke u mbështetur në të dhënat e reja dhe ato ekzistuese, në strategjinë dhe planin e veprimit të biodiversitetit, në rrjetin e inventarizimit e të monitorimit të diversitetit biologjik dhe në burimet ndërkombëtare të të dhënave. 6. Për ekosistemet, habitatet dhe peizazhet e mbrojtura apo veçanërisht të mbrojtura, si dhe për ato të degraduara, ministria harton dhe mban regjistrat kombëtarë përkatës. 7. Ministri miraton formatin, kërkesat për regjistrim, çregjistrim dhe kriteret e përdorimit të regjistrave. 8. Ministria merr masa për mbrojtjen dhe menaxhimin e këtyre zonave, përpara regjistrimit në regjistër dhe përpara zbatimit të planit të menaxhimit e të veprimit për to. Neni 14 Përdorimet e mëparshme Veprimtaritë apo përdorimet e mëparshme të një ekosistemi, habitati apo peizazhi do të vazhdojnë të ushtrohen edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ministria dhe organet e tjera, të përcaktuara me ligj për administrimin e tyre, marrin masa për të siguruar se këto veprimtari apo përdorime janë në përputhje me statusin e favorshëm të ruajtjes, që kanë ose që mund të rimarrin ekosistemet, habitatet e peizazhet, duke iu nënshtruar procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe trajtohen sipas legjislacionit në fuqi për vlerësimit e ndikimin në mjedis. Neni 15 Veprimtari ose përdorime të reja Veprimtaritë ose përdorimet e reja në ekosisteme, habitate dhe peizazhe të mbrojtura mund të ushtrohen vetëm pasi t'u jenë nënshtruar procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe trajtohen sipas legjislacionit në fuqi për vlerësimit e ndikimin në mjedis. Neni 16 Masat e menaxhimit (shtuar fjalë në pikën 1, shtuar pika 1/1 me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014) l. Brenda 7 vjetëve nga miratimi i këtij ligji, ministria dhe ministria përgjegjëse për bujqësinë, në bashkëpunim me organe të tjera shtetërore dhe vendore, me organizatat jofitimprurëse mjedisore dhe me persona juridikë dhe fizikë, hartojnë planet e menaxhimit dhe planet e veprimit, për të mbajtur apo rivendosur statusin e favorshëm të ruajtjes së ekosistemeve, habitateve a peizazheve të mbrojtura, të ekosistemeve, habitateve apo peizazheve veçanërisht të mbrojtura, si dhe të atyre të degraduara, të cilat miratohen nga ministri dhe Ministri përgjegjëse për bujqësinë. 1/1. Kriteret minimale për planet e menaxhimit të ekosistemeve, habitateve dhe që ndodhen jashtë rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura përcaktohen me udhëzim të ministrit. 2. Objektivat dhe kërkesat e planeve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni integrohen në strategji, plane, programe dhe në vendimmarrje, në nivel kombëtar dhe vendor, jo më vonë se dy vjet pas miratimit të tyre. Neni 17 Mbrojtja dhe menaxhimi vullnetar Pronarët privatë ose grupe të tjera të interesuara mund të hyjnë në marrëveshje me organin shtetëror përkatës për të mbrojtur dhe menaxhuar një pronë, me ndihmën teknike, financiare dhe organizative të shtetit, për të mbajtur apo për t'i kthyer ekosistemit, habitatit a peizazhit statusin e favorshëm të ruajtjes. 9 KREU IV/I LISTA E LLOJEVE TË HABITATEVE NATYRORE, BIMËVE, KAFSHËVE E SHPENDËVE DHE RAPORTIMI (shtuar me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014, ndryshuar titulli me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Neni 17/1 (shtuar me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014, shfuqizuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Neni 17/2 (shtuar me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014, shfuqizuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Neni 17/3 (shtuar me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014, shfuqizuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Neni 17/4 Listat e llojeve të habitateve natyrore, bimëve, kafshëve dhe shpendëve (shtuar me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014) Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit, miraton: a) listën e llojeve të habitateve natyrore me interes për komunitetin, ruajtja e të cilave kërkon përcaktimin e zonave të veçanta të ruajtjes; b) listën e llojeve të bimëve dhe kafshëve me interes për komunitetin, ruajtja e të cilave kërkon përcaktimin e zonave të veçanta të ruajtjes; c) listën e llojeve të bimëve dhe kafshëveme interes për komunitetin në nevojë përmbrojtje strikte; ç) listën e llojeve të bimëve dhe kafshëve me interes për komunitetin, marrja e të cilave në gjendje të egër dhe shfrytëzimi mund të jetë objekt i masave menaxhuese; d) parimet e identifikimit të llojeve që do të jenë objekt kërkimesh për mbrojtjen dhe menaxhimin e shpendëve të egër. Neni 17/5 Raportimi (shtuar me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014, ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Ministria përgatit, çdo 6 vjet, raportin për zbatimin e masave të marra, sipas dispozitave të këtij ligji, të ligjit për zonat e mbrojtura dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tyre. 2. Formati që do të përdoret për hartimin e raportit, përcaktohet me urdhër të ministrit. KREU V MASAT MBROJTËSE PËR LLOJET (SPECIET) TOKËSORE, UJORE DHE DETARE Neni 18 Fusha e veprimit Llojet në këtë kre nuk përfshijnë racat dhe varietetet e rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive. 10 Neni 19 Ruajtja dhe përdorimi 1. Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i llojeve dhe habitateve të tyre është pjesë e politikave, planeve, programeve dhe vendimmarrjes shtetërore, në nivel kombëtar dhe vendor. 2. Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i llojeve dhe habitateve të tyre kushtëzohet nga mbajtja apo rivendosja e statusit të favorshëm të ruajtjes për llojin në habitatin e vet. 3. Organet shtetërore, personat juridikë, publikë dhe privatë dhe personat fizikë marrin masa dhe shmangin dëmtimet e panevojshme të llojeve dhe habitateve të tyre, brenda dhe jashtë zonave të mbrojtura. 4. Ruajtja e llojeve përfshin llojet e mbrojtura dhe llojet veçanërisht të mbrojtura. Neni 20 Statusi i llojeve të mbrojtura 1. Kapja, marrja, mbajtja dhe përdorimi i individëve të llojeve të kafshëve dhe bimëve të mbrojtura janë të ndaluara, përveç rasteve kur në këtë ligj përcaktohet ndryshe. 2. Me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave miraton, me vendim, listën e llojeve të mbrojtura të vendit. 3. Llojet e këtij grupi mund t'u nënshtrohen masave menaxhuese dhe përdorimit në gjendje natyrore të rregulluar në ligj, që do të bëhet në përputhje me statusin e ruajtjes së favorshme. Mbështetur në të dhënat e marra nga rrjeti i inventarizimit dhe monitorimit të diversitetit biologjik, në masa të tilla mund të përfshihen: a) rregullimet, që lidhen me aksesin në prona të caktuara; b) ndalimi, i përkohshëm ose lokal, i nxjerrjes së llojeve në natyrë dhe shfrytëzimi i popullatave të caktuara; c) rregullimi i periudhave dhe/ose metodave të marrjes së llojeve; ç) zbatimi i rregullave të gjuetisë dhe të peshkimit, të cilat marrin parasysh ruajtjen e këtyre popullatave; d) vendosja e një sistemi licencimi për përdorimin e llojeve ose të kuotave të vjeljes; dh) rregullimi i blerjes, shitjes, ofertës për shitje, mbajtjes për shitje ose transportit për shitje të llojeve e individëve; e) kontrolli i shumimit në gjendje jo të lirë të llojeve të kafshëve, si dhe shumimi artificial i llojeve bimore në kushte të rrepta kontrolli, për pakësimin e marrjes së llojeve nga gjendja e egër; ë) vlerësimi i efektit të masave të marra. Neni 21 Shfrytëzime ose përdorime të reja për llojet e mbrojtura Shfrytëzime apo përdorime të reja të individëve të llojeve të kafshëve dhe bimëve të mbrojtura lejohen të ushtrohen kur nuk cenojnë statusin e ruajtjes së llojeve të kërcënuara, kur janë miratuar nga ministri dhe trajtohen sipas legjislacionit në fuqi për vlerësimit e ndikimin në mjedis. Këto përdorime ose shfrytëzime lejohen për: a) qëllime shkencore apo edukimi; b) ruajtje ex-situ, për masa përzgjedhëse ose qëllime riintroduktimi; c) materiale gjenetike; ç) të mbrojtur diversitetin biologjik; d) shëndetin, sigurinë dhe qëllime turistike; dh) masa sanitare apo fitosanitare. 11 Neni 22 Identifikimi i llojeve veçanërisht të mbrojtura 1. Llojet, që kërkojnë mbrojtje të veçantë, identifikohen me qëllim që t'u ruhet ose t'u jepet statusi i favorshëm i ruajtjes. 2. Identifikimi bëhet në bazë të të dhënave të reja dhe atyre ekzistuese, të siguruara nga strategjia e biodiversitetit, plani i veprimit, rrjeti i inventarizimit dhe monitorimit të diversitetit biologjik, si dhe nga burime të tjera të mundshme. 3. Ministria harton dhe administron regjistrin e llojeve veçanërisht të mbrojtura, ku përfshihen, në radhë të parë, llojet që: a) kanë një status ruajtjeje të pafavorshëm; b) janë endemike; c) për të cilat ka të dhëna të pamjaftueshme; ç) janë shpallur veçanërisht të mbrojtura, në bazë të instrumenteve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë. 4. Formati i regjistrit dhe kriteret e përdorimit të tij miratohen me udhëzim të ministrit. 5.Institucionet kërkimore-shkencore hartojnë listën e kuqe, si dokumenti ku pasqyrohet statusi i ndryshëm i llojeve të rrezikuara në vend. Ky dokument rinovohet çdo 5 vjet dhe miratohet me urdhër të ministrit. Neni 23 Statusi i për mbrojtjen e llojeve veçanërisht të mbrojtura 1. Ndalohen të shfrytëzohen ose të përdoren individët e kafshëve dhe të bimëve veçanërisht të mbrojtura, me përjashtim të rastit kur me ligj parashikohet ndryshe. Këto ndalime zbatohen për të gjitha fazat e jetës së kafshëve dhe për të gjitha fazat e ciklit biologjik të bimëve. 2. Llojet e bimëve veçanërisht të mbrojtura i nënshtrohen një regjimi të rreptë mbrojtjeje, duke ndaluar: a) mbledhjen e qëllimshme, prerjen, shkuljen ose shkatërrimin e këtyre bimëve në zonën e tyre natyrore, në gjendje të egër; b) mbajtjen, transportin, shitjen, shkëmbimin ose ofertën për shitje a shkëmbim të këtyre llojeve, të marra në gjendje të egër. 3. Llojet e kafshëve veçanërisht të mbrojtura i nënshtrohen një regjimi të rreptë mbrojtjeje në zonën e tyre natyrore të përhapjes, duke ndaluar: a) të gjitha format e kapjes së qëllimshme ose vrasjen e këtyre llojeve; b) shqetësimin e qëllimshëm të këtyre llojeve, veçanërisht gjatë periudhës së shumimit, rritjes, dimërimit dhe shtegtimit; c) shkatërrimin e qëllimshëm ose marrjen e vezëve të tyre; ç) dëmtimin ose shkatërrimin e zonave të shumimit ose të vendeve të qëndrimit; d) mbajtjen, transportin, shitjen, shkëmbimin ose ofertën për shitje a shkëmbim të këtyre llojeve, të marra në gjendje të egër. Neni 24 Shfrytëzime ose përdorime të mëparshme për llojet veçanërisht të mbrojtura (shfuqizuar pika 2 me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Ministria dhe organet e tjera, të përcaktuara me ligj për administrimin e llojeve veçanërisht të mbrojtura, marrin masa për të siguruar që përdorimet ose shfrytëzimet e mëparshme 12 të llojeve veçanërisht të mbrojtura të jenë në përputhje me statusin e favorshëm të ruajtjes së tyre. 2. Shfuqizuar. Neni 25 Shfrytëzime ose përdorime të reja për llojet veçanërisht të mbrojtura 1. Shfrytëzimet ose përdorimet e reja të individëve të kafshëve e të bimëve veçanërisht të mbrojtura, që paraqiten në rastet e përcaktuara në nenin 21 të këtij ligji, trajtohen sipas legjislacionit në fuqi për vlerësimit e ndikimin në mjedis. a) nuk ka alternativa të tjera të kënaqshme; b) janë në përputhje me statusin e favorshëm të ruajtjes së llojit; c) nuk bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë; ç) nuk bien ndesh me objektivat e planit të veprimit të llojit, për llojet me status të pafavorshëm ruajtjeje. 2. Shfrytëzimi ose përdorimi i rastësishëm i llojeve veçanërisht të mbrojtura është i ndaluar. Neni 26 Menaxhimi (shtuar pika 3/1 me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014) 1. Për llojet veçanërisht të mbrojtura, të regjistruara me status ruajtjeje të pafavorshëm, ministria, në bashkëpunim me organet shtetërore, qendrore e vendore, institute të specializuara, organizata jofitimprurëse dhe me persona fizikë e juridikë, harton planet e veprimit për ruajtjen e llojit. Këto plane miratohen me udhëzim të ministrit. 2. Planet e veprimit për ruajtjen e llojit përfshihen në strategjitë, planet, programet dhe në vendimmarrjet shtetërore, në nivel kombëtar dhe vendor. 3. Planet e menaxhimit dhe të veprimit për habitatet e llojeve veçanërisht të mbrojtura, me status të pafavorshëm ruajtjeje, përgatiten si pjesë e planeve të veprimit për ruajtjen e llojit. 3/1. Kriteret minimale për planet e menaxhimit të habitateve të llojeve veçanërisht të mbrojtura përcaktohen me udhëzim të ministrit. 4. Në planet e veprimit përcaktohen hollësisht masat e menaxhimit, për t’i mbajtur llojet në një status të favorshëm ruajtjeje ose për t’ua dhënë këtë status, kur nuk e kanë. 5. Në hartimin e planeve të veprimit për ruajtjen e llojit, përbën përparësi fakti se sa i kërcënuar është një lloj, sipas përcaktimit të bërë në nenin 22 të këtij ligji. Hartimi i planeve bëhet sipas kërkesave të strategjisë dhe planit të veprimit për biodiversitetin, jo më vonë se 5 vjet pas regjistrimit. Kërkesat për hartimin e planeve të veprimit për ruajtjen e llojit miratohen nga ministri. 6. Ministria, nëpërmjet rrjetit të inventarizimit dhe monitorimit të diversitetit biologjik, bashkërendon punën për kërkimin, inventarizimin dhe monitorimin e zbatimit të statusit të ruajtjes së llojeve të regjistruara. Neni 27 Masa të përkohshme për mbrojtjen dhe menaxhimin Për llojet veçanërisht të mbrojtura me një status të pafavorshëm ruajtjeje, ministria dhe organet shtetërore përkatëse marrin masat e domosdoshme paraprake për mbrojtjen dhe menaxhimin para regjistrimit të tyre në regjistër dhe para hartimit të planeve të veprimit për ruajtjen e llojit. 13 Neni 28 Masat për mbrojtjen dhe menaxhimin vullnetar Pronarët privatë ose grupe të tjera të interesuara mund të lidhin marrëveshje me organin shtetëror përkatës, për të mbrojtur dhe administruar një pronë, me ndihmën teknike, financiare dhe organizative të shtetit, për t’i siguruar llojit veçanërisht të mbrojtur status të favorshëm ruajtjeje. KREU VI RACAT DHE VARIETETET AUTOKTONE, TË RËNDËSISHME PËR USHQIM DHE BUJQËSI Neni 29 Ruajtja dhe përdorimi 1. Organet shtetërore, organizatat jofitimprurëse dhe personat fizikë dhe juridikë, publikë ose privatë, ruajnë dhe përdorin në mënyrë të qëndrueshme racat dhe varietetet autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, në kushtet in-situ dhe ex-situ. 2. Organet e pushtetit qendror dhe vendor krijojnë lehtësitë dhe mbështesin programet për ruajtje dhe kërkime in-situ dhe ex-situ për racat dhe varietetet e rëndësishme për ushqim dhe bujqësi. Metodat e ruajtjes ex-situ përdoren si metoda plotësuese për ruajtjen in-situ. 3. Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i racave dhe i varieteteve autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, janë pjesë e strategjive, planeve, programeve dhe vendimmarrjeve, në nivel kombëtar dhe vendor. Neni 30 Identifikimi 1. Racat dhe varietetet autoktone të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi identifikohen në kushtet e tyre in-situ dhe ex-situ. 2. Identifikimi kryhet në bazë të të dhënave të reja dhe ekzistuese, të siguruara nga strategjia e plani i veprimit të biodiversitetit, nga rrjeti i inventarizimit dhe monitorimit të biodiversitetit, si dhe nga burime ndërkombëtare. 3. Ministria përgjegjëse për bujqësinë mban regjistrin e racave dhe të varieteteve autoktone të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi. 4. Formati, kriteret e regjistrimit e të çregjistrimit, si dhe rregullat për administrimin dhe shfrytëzimin e regjistrave, miratohen me udhëzim të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë. Neni 31 Masat e menaxhimit 1. Për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të racave dhe të varieteteve autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi, të regjistruara në regjistër ministria përgjegjëse për bujqësinë harton politika kombëtare të integruara, të cilat miratohen nga Këshilli i Ministrave brenda 5 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 2. Ministria përgjegjëse për bujqësinë, nëpërmjet rrjetit të inventarizimit dhe monitorimit të biodiversitetit, bashkërendon punën për kërkimin, inventarizimin dhe monitorimin, për të mbështetur ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të racave dhe varieteteve autoktone, të rëndësishme për ushqim dhe bujqësi. 3. Përdorimi për qëllime fitimi i një varieteti autokton nuk mund të bëhet pa miratimin e pronarit të tij. 14 KREU VII LLOJET E HUAJA DHE LLOJET E HUAJA INVAZIVE Neni 32 Importimi dhe/ose introduktimi (ndryshuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Importimi dhe/ose introduktimi i qëllimshëm i llojeve të huaja ose i llojeve të huaja invazive në mjediset tokësore, ujore ose detare të Republikës së Shqipërisë bëhet vetëm pas vlerësimit të ndikimit në mjedis, referuar legjislacionit në fuqi, duke provuar se një lloj i huaj apo invaziv nuk do të ndikojë negativisht në mjedis, në shëndetin e njeriut dhe në zhvillimin e qëndrueshëm. 2. Vlerësimi i ndikimit në mjedis duhet, të paktën: a) tё bëhet për çdo rast konkret, përpara futjes së tij në vendin tonë; b) tё bëhet me metoda shkencore; c) tё bazohet në teknika të njohura vlerësimi; ç) tё mbështetet në udhëzime të njohura ndërkombëtare. 3. Aplikimi për vlerësimin e ndikimit në mjedis, përveç procedurave dhe dokumentacionit referuar legjislacionit në fuqi, përfshin edhe: a) masat për menaxhimin dhe kontrollin e rreziqeve të identifikuara; b) një program monitorimi; c) një plan për menaxhimin e pasojave të padëshirueshme apo situatave emergjente; ç) një garanci financiare për të përballuar pasojat e padëshirueshme apo situatat emergjente. 4. Llojet e huaja ose llojet e huaja invazive, përpara introduktimit të lejuar të tyre ose të produkteve që ato përmbajnë, u nënshtrohen eksperimenteve të nevojshme. 5. Për të gjithë organizmat, për të cilёt lejohet importimi ose introduktimi, bëhet regjistrimi në regjistër të hapur për publikun. Formatin, kriteret e regjistrimit e të çregjistrimit dhe rregullat e administrimit të këtij regjistri miratohen me urdhër të ministrit. 6. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton listën e llojeve të huaja ose llojeve të huaja invazive dhe përcakton procedurat për ndalimin dhe/ose futjen e tyre në pikat doganore të vendit. Neni 33 Asgjësimi, kontrolli ose frenimi 1. Ministri dhe ministri përgjegjës për bujqësinë urdhërojnë asgjësimin ose frenimin e përhapjes së llojeve të huaja dhe llojeve të huaja invazive, kur ato janë të dëmshme apo potencialisht të dëmshme, të futura me ose pa qëllim. 2. Shpenzimet për masat e marra për asgjësimin, kontrollin, frenimin dhe për riparimin e dëmtimeve mjedisore, mbulohen nga personat juridikë dhe fizikë, përgjegjës për futjen e këtyre llojeve. 3. Ministria bashkërendon punën për hartimin e planeve dhe të masave për asgjësimin dhe kontrollin, ku përfshihen edhe masat për ndërgjegjësimin e publikut për llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive të dëmshme, që janë introduktuar. Neni 34 Njoftimi i shteteve të tjera dhe këshillimi me to 1. Ministria njofton shtetet e prekura ose potencialisht të prekura, si dhe organizatat 15 përkatëse ndërkombëtare, kur në territorin e Republikës së Shqipërisë ndodh apo mund të ndodhë një transport ndërkufitar i llojit të huaj dhe/ose lloji të huaj invaziv që mund të ketë ndikime negative në shtete të tjera apo në një sipërfaqe jashtë kufijve të çdo juridiksioni kombëtar. 2. Njoftimi përmban: a) të dhëna për rreziqet e mundshme, që lidhen me introduktimin, lëvizjen dhe masat për menaxhimin e rrezikut të mundshëm; b) një pikë kontakti për komunikime të mëtejshme; c) çdo të dhënë tjetër që është e vlefshme. 3. Ministria, në të gjitha rastet, këshillohet me shtetet e prekura apo potencialisht të prekura, me qëllim që ato të ndërmarrin veprimet e nevojshme dhe masat e sigurimit. Neni 35 Planifikimi për llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive 1. Ministria, nëpërmjet rrjetit kombëtar për inventarizimin dhe monitorimin e biodiversitetit, bashkërendon procesin e vlerësimit të kërcënimeve ndaj mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm nga llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive, në sipërfaqet tokësore, ujore dhe detare të Republikës së Shqipërisë, brenda 5 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 2. Nëpërmjet vlerësimit identifikohen: a) llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive në Republikën e Shqipërisë; b) niveli i kërcënimeve për mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm; c) rrugët e futjes; ç) masat për të parandaluar futjet e ardhshme ose për të zhdukur dhe kontrolluar llojet e huaja ekzistuese apo llojet e huaja invazive të identifikuara; d) të dhëna të tjetra të nevojshme. 3. Të dhënat përdoren për hartimin e politikave, planeve, programeve dhe veprimtarive për të rregulluar apo administruar rrugët e identifikuara, duke kontrolluar, kufizuar ose asgjësuar llojet e huaja dhe llojet e huaja invazive, kërcënuese apo të dëmshme për mjedisin. Neni 36 Riintroduktimi i llojeve të huaja dhe i llojeve të huaja invazive 1. Riintroduktimi i llojeve, për t’u kthyer popullatave të tyre mundësinë për të jetuar, ku përfshihen përpjekjet për ripopullim, bëhet vetëm me leje mjedisore ose me miratimin e ministrit përgjegjëse për bujqësinë 2. Riintroduktimi lejohet në zonat e mbrojtura, ekosistemet, habitatet e peizazhet veçanërisht të mbrojtura, me kusht që të mos ndikojë negativisht në biodiversitet dhe në mjedisin pritës. 3. Riintroduktimi realizohet sipas rregullave të njohura ndërkombëtare dhe planit të veprimit të llojit ose instrumenteve të tjera menaxhuese. KREU VIII RUAJTJA EX-SITU Neni 37 Ruajtja (ndryshuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Përdoruesit e llojeve dhe të burimeve gjenetike të metodave të ruajtjes ex-situ krijojnë kushtet e nevojshme për mirëmbajtjen dhe plotësojnë metodat e ruajtjes in-situ. 16 Neni 38 Planifikimi Ministria, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për bujqësinë dhe me institucionet kërkimore-shkencore, ndjek dhe bashkërendon procesin e vlerësimit për ruajtjen ex-situ, nëpërmjet të cilit sigurohen të dhënat e nevojshme, që shërbejnë për politikat, planet dhe programet për ruajtjen e biodiversitetit. KREU IX VEPRIMTARI KËRKIMORE QË LIDHEN ME BIODIVERSITETIN Neni 39 Programet kërkimore Organet shtetërore përgjegjëse mbështesin dhe përkrahin institucionet kërkimore shkencore, publike dhe private, për hartimin e programeve kërkimore që mbështesin studimin, koleksionimin e burimeve gjenetike, ruajtjen e biodiversitetit dhe përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të tij. Neni 40 Vlerësimi Ministria, në bashkëpunim me Ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, brenda 4 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kryen vlerësimin e veprimtarive kërkimore për diversitetin biologjik. Vlerësimi do të shërbejë për rishikimin e strategjisë dhe planit të veprimit të biodiversitetit, si dhe do të mbështesë zhvillimin e rrjetit të inventarizimit dhe monitorimit të diversitetit biologjik. Neni 41 Lejimi i veprimtarisë së shfrytëzimit dhe përdorimit të diversitetit biologjik (ndryshuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, veprimtaritë që shfrytëzojnë e përdorin elemente të diversitetit biologjik dhe të përbërësve të tij do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi për vlerësimin e ndikimit në mjedis në rastet kur: a) veprimtaria kërkimore është në përputhje me kërkesat e këtij ligji; b) janë siguruar informacione për personat juridikë dhe fizikë, që do të kryejnë kërkime, për përdorimin e mëvonshëm të materialeve kërkimore, objekt studimi, si dhe informacione të tjera shoqëruese; c) parashikohet se veprimtaria kërkimore do të ketë ndikim negativ në diversitetin biologjik. 2. Përparësi u jepet veprimtarive kërkimore që ndikojnë në masat e ruajtjes e të përdorimit të qëndrueshëm, si dhe në rrjetin e inventarizimit e monitorimit të biodiversitetit. 3. Përdorimet e mëvonshme të materialit gjenetik dhe të molekulave biologjike, të lidhura me materialin e mbledhur, realizohen vetëm me pëlqimin e ministrisë dhe/ose të pronarit dhe u nënshtrohen kushteve për ndarjen e përfitimeve. 4. Kur veprimtaritë kërkimore janë propozuar nga persona juridikë dhe fizikë të huaj, miratimi përkatës, përveç të tjerave, përmban edhe këto kushte: a) ndarjen ose përdorimin e mëvonshëm të materialeve kërkimore ndërmjet studiuesve, vendas e të huaj, duke u mbështetur në kushtet e vendosura paraprakisht në kontratë dhe në bazë të rezultateve përfundimtare; b) të drejtën që Republika e Shqipërisë t’i shfrytëzojë a përdorë kampionet ose produktin 17 e arritur dhe të dhënat e mbledhura nëpërmjet këtyre veprimtarive; c) vlerësimin e të dhënave, për zyrtarizimin e tyre; ç) pëlqimin e dhënë nga ministria dhe/ose institucioni përgjegjës respektiv, që të dhënat e rezultateve të kërkimeve të pasqyrohen në rrjetet ndërkombëtare të informacionit; d) mbledhja nga burime in-situ dhe përdorimi i sasive të konsiderueshme të bimëve, kafshëve apo materialit mikrobik, të materialit gjenetik apo të molekulave të tjera biologjike, si dhe të dhënave shoqëruese, është e ndaluar pa miratimin përkatës, referuar legjislacionit në fuqi për vlerësimin e ndikimit në mjedis. KREU X MBLEDHJA DHE PËRDORIMI I BURIMEVE GJENETIKE SHQIPTARE IN SITU DHE EX-SITU DHE I NJOHURIVE TRADICIONALE TË LIDHURA ME TO (ndryshuar titulli me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Neni 42 Mbledhja dhe përdorimi i materialeve biologjike e i kampioneve të mjedisit nga burime in-situ (ndryshuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Veprimtaria e mbledhjes nga burime in-situ dhe përdorimi i sasive të konsiderueshme të bimëve, kafshëve apo materialit mikrobik, të materialit gjenetik apo të molekulave të tjera biologjike, si dhe të dhënave shoqëruese i nënshtrohet procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis, referuar legjislacionit në fuqi, kur: a) është siguruar informacioni i plotë për personat juridikë dhe fizikë, që kërkojnë materialet për veprimtaritë e propozuara dhe për përdorimin e mëvonshëm të materialeve që duhen mbledhur; b) veprimtaria mbledhëse nuk është e ndaluar me ligj; c) pronarët e materialit, të cilëve u është dhënë informacion i plotë për veprimtarinë e propozuar dhe për përdorimet e mëvonshme, kanë dhënë pëlqimin paraprak, të informuar, që lidhet me aksesin dhe përdorimin e çdo të dhëne shoqëruese; ç) është rënë dakord për kushtet e përdorimit të mëvonshëm të materialeve dhe për ndarjen e përfitimeve, monetare dhe jomonetare, me Republikën e Shqipërisë ose me pronarët private. Neni 43 Përdorimi i kampioneve të materialeve biologjike nga burime ex-situ (ndryshuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Përdorimi i kampioneve të bimëve, kafshëve, materialit mikrobik, gjenetik apo i molekulave të tjera biologjike që ato përmbajnë, të marra nga burime ex-situ në pronësi apo financim publik, si dhe i të dhënave shoqëruese, bëhen me marrëveshje për transferimin e materialit të siguruar nga këto burime kur: a) veprimtaria është e lejuar nga ligji; b) janë siguruar të dhëna të plota për personat juridikë dhe fizikë, që i kërkojnë materialet dhe për përdorimin e mëvonshëm të tyre; c) është rënë dakord për kushtet e përdorimit të mëvonshëm të materialeve dhe për ndarjen e përfitimeve, monetare dhe jomonetare, me Republikën e Shqipërisë ose me pronarin privat; ç) është dhënë çdo e dhënë tjetër që kërkohet nga ministria. 18 Neni 44 Përdorim i kushtëzuar i llojeve (shfuqizuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) KREU X/I DETYRIMET E AUTORITETIT KOMBËTAR PËRGJEGJËS (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Neni 44/1 Autoriteti Kombëtar Përgjegjës dhe Pika Kombëtare e Kontaktit (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Ministria përgjegjëse për mjedisin është Autoriteti Kombëtar Përgjegjës dhe Pikë Kombëtare e Kontaktit në Protokollin e Nagoyas. 2. Detyrimet e Autoritetit Kombëtar Përgjegjës janë: a) vënia në dispozicion e informacionit mbi burimet gjenetike dhe përdoruesit tradicionalë të tyre; b) dhënia e këshillimit mbi përdorimin e burimeve gjenetike dhe përdoruesve tradicionalë të tyre; c) dhënia e aksesit për përdorimin e burimit gjenetik ose të dhënave referuar legjislacionit në fuqi për vlerësimin e ndikimit në mjedis të përdoruesit të burimit gjenetik; ç) shkëmbimi i informacionit për aksesin dhe ndarjen e përfitimit; d) monitorimi i përdoruesve të burimit gjenetik dhe informacionit përkatës; dh) krijimi dhe përditësimi i regjistrit të koleksioneve të burimeve gjenetike; e) raportimi pranë sekretariatit të Konventës mbi zbatimin e Protokollit të Nagoyas. Neni 44/2 Vënia në dispozicion e informacionit (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Ministria përgjegjëse për mjedisin vë në dispozicion të të interesuarve informacionet lidhur me: a) autoritetet kombëtare përgjegjëse dhe funksionet e tyre; b) komunitetet përkatëse të zonës ku ndodhet burimi gjenetik dhe grupet përkatëse të interesit; c) procedurat e nevojshme për marrjen e pëlqimit paraprak, të informuar, të komunitetit të zonës ku ndodhet burimi gjenetik dhe kushtet e dakordësuara nga palët, përkatësisht, komunitetit të zonës dhe përdoruesit të burimit gjenetik, duke përfshirë këtu edhe ndarjen e përfitimeve, për subjektet kërkuese, të cilët duan të kenë akses në burimet gjenetike; ç) procedurat për marrjen e pëlqimit paraprak, të informuar, nga komunitetet e zonës dhe vendosjen e kushteve të dakordësuara nga palët, duke përfshirë këtu edhe ndarjen e përfitimeve, për subjektet kërkuese, të cilët duan të kenë akses në njohuritë tradicionale lidhur me burimet gjenetike. Neni 44/3 Këshillimi dhe aksesi mbi përdorimin e burimeve gjenetike dhe përdoruesve tradicionalë të tyre (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Autoritetet kombëtare shkencore janë përgjegjëse për mbajtjen dhe përditësimin e 19 informacionit mbi burimet gjenetike, të dhënave e përdoruesve tradicionalë të tij, si dhe për dhënien e këshillimit mbi burimet gjenetike. Neni 44/4 Mekanizmi i Shkëmbimit të Informacionit për Aksesin dhe Ndarjen e Përfitimeve (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Mekanizmi i Shkëmbimit të Informacionit për Aksesin dhe Ndarjen e Përfitimeve është një sistem elektronik, ndërkombëtar, i shpërndarjes dhe aksesit të informacionit mbi burimet gjenetike, njohuritë tradicionale dhe përdoruesit tradicionalë të tyre. Ministria përgjegjëse për mjedisin, në cilësinë e Autoritetit Kombëtar Përgjegjës, ka përgjegjësinë për administrimin, ngarkimin dhe përditësimin me të dhëna të siguruara nga autoritetet kombëtare shkencore. 2. Ministria përgjegjëse për mjedisin publikon dhe përditëson informacionin mbi certifikatat e dhëna për aksesin në burimin gjenetik apo në aksesin për informacionet përkatëse gjenetike pranë Mekanizmit të Shkëmbimit të Informacionit për Aksesin dhe Ndarjen e Përfitimit, sipas përcaktimeve në Protokollin e Nagoyas. Ky informacion vërteton edhe dhënien e pëlqimit paraprak, të informuar, dhe vendosjen e kushteve të dakordësuara nga palët. 3. Informacioni i përditësuar në sistemin elektronik, sipas pikës 2, të këtij neni, përmban: a) autoritetin përgjegjës për lëshimin e certifikatës; b) datën e lëshimit të certifikatës dhe afatin e vlefshmërisë së saj; c) ofruesin; ç) personin apo subjektin, të cilit i është dhënë pëlqimi paraprak, i informuar, nga komuniteti; d) burimin gjenetik ose informacionin e burimit gjenetik që mbulon kjo certifikatë; dh) periodicitetin e vetëdeklarimit të të dhënave të përdorimit të objektit të certifikatës nga mbajtësi i saj; e) kushtet e përdorimit, referuar karakteristikave specifike të objektit të certifikatës; ë) vërtetimin se janë vendosur kushtet e dakordësuara nga palët; f) vërtetimin se është marrë pëlqimi paraprak, i informuar, nga komuniteti; g) përdorimin ose jo për qëllime tregtare. 4. Certifikata lëshohet nga ministrit përgjegjës për mjedisin ose personi i autorizuar prej tij. Formati i certifikatës për akses miratohet me urdhër të ministrit. Neni 44/5 Monitorimi i përdoruesve të burimit gjenetik dhe informacionit përkatës (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Autoriteti përgjegjës, pas dhënies së certifikatës për akses në burimin gjenetik ose në informacionin rreth tij, ka detyrimin për monitorimin e përdorimit të objektit të certifikatës, sipas kushteve përkatëse të përcaktuara në të. 2. Ministria ose autoriteti i ngarkuar prej saj monitoron dhe kontrollon zbatimin e kushteve të certifikatës. 3. Procedura e zhvillimit të kontrolleve miratohet me urdhër të ministrit. 4. Në fazën e zhvillimit përfundimtar të objektit të certifikatës, poseduesi i saj, nëpërmjet vetëdeklarimit, njofton ministrinë se: a) i ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga certifikata; b) janë plotësuar kushtet e dakordësuara. 5. Ministria përditëson të dhënat e përfituara, sipas pikës 3, të këtij neni, në sistemin elektronik të Mekanizmit të Shkëmbimit të Informacionit për Aksesin dhe Ndarjen e Përfitimit, në pjesën ku është publikuar certifikata përkatëse. 20 Neni 44/6 Krijimi dhe përditësimi i Regjistrit të Koleksioneve të Burimeve Gjenetike (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Ministria krijon regjistrin elektronik për koleksionin e burimeve gjenetike dhe e përditëson atë me tërësinë e burimeve gjenetike që ndodhen brenda territorit administrativ të Republikës së Shqipërisë. 2. Ky koleksion popullohet me të dhëna menjëherë pas evidentimit të një burimi gjenetik të panjohur më parë. 3. Ministria merr masa që regjistri i koleksioneve të burimeve gjenetike të jetë lehtësisht i aksesueshëm për publikun. Ministria përgjegjëse për mjedisin mban dhe përditëson në regjistrin e koleksioneve të burimeve gjenetike informacionin referuar dispozitave të këtij ligji, duke ruajtur të dhënat konfidencale dhe duke respektuar të drejtën e autorit. KREU X/II PROCEDURA E APLIKIMIT DHE TRAJTIMIT TË KËRKESËS PËR AKSES (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Neni 44/7 Aplikimi për akses dhe procedura e vlerësimit në burimet gjenetike in-situ (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Ushtrimi i aktivitetit të mbledhjes së produkteve nga burime in-situ dhe përdorimi i sasive të konsiderueshme të bimëve, kafshëve apo materialit mikrobik, të materialit gjenetik apo të molekulave të tjera biologjike, si dhe të dhënave shoqëruese të tyre kryhet vetëm pas pajisjes me certifikatën e aksesit. 2. Me qëllim përdorimin e materialit gjenetik dhe të molekulave biologjike, personi fizik/juridik i interesuar duhet të pajiset me certifikatë nga ministria, pas miratimit paraprak, të informuar, nga pronari i burimit gjenetik, mbi bazën edhe të kushteve të dakordësuara nga palët për ndarjen e përfitimeve. 3. Aplikimi për akses dhe informacion në burimet gjenetike apo në informacionin e tyre realizohet nëpërmjet kërkesës me shkrim pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin, sipas formatit përkatës të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin. 4. Pas marrjes së kërkesës, sipas pikës 3, të këtij neni, ku kërkohet aksesi në burimet gjenetike in-situ, ministria përgjegjëse për mjedisin vlerëson nëse: a) aplikimi përmban informacionin për personat juridikë dhe fizikë, që kërkojnë materialet për veprimtaritë e propozuara dhe për përdorimin e mëvonshëm të materialeve që vilen; b) veprimtaria vjelëse nuk është e ndaluar me ligj; c) aplikimi përmban informacionin për pronarët e materialit, të cilët vërtetojnë se janë informuar plotësisht për veprimtarinë e propozuar dhe për përdorimet e mëvonshme, dhe kanë dhënë pëlqimin paraprak, të informuar, të tyre për aksesin dhe përdorimin e çdo të dhëne shoqëruese; ç) është rënë dakord për kushtet e përdorimit të mëvonshëm të materialeve dhe për ndarjen e përfitimeve, monetare dhe jomonetare, me Republikën e Shqipërisë ose me pronarët privatë të burimit gjenetik apo informacionit rreth tij. 21 Neni 44/8 Procedura e vlerësimit të kërkesës për akses (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Pas marrjes së kërkesës për akses në burime gjenetike ex-situ, ministria përgjegjëse për mjedisin përcakton nëse aplikimi plotëson kushtet e mëposhtme: a) veprimtaria është e lejuar nga ligji; b) janë siguruar të dhëna të plota për personat juridikë dhe fizikë që i kërkojnë materialet dhe për përdorimin e mëvonshëm të tyre; c) ёshtë rënë dakord për kushtet e përdorimit të mëvonshëm të materialeve dhe për ndarjen e përfitimeve, monetare dhe jomonetare, me Republikën e Shqipërisë ose me pronarin privat. 2. Aksesi për sasi të vogla, kryesisht për qëllime kërkimore apo demonstruese, të bimëve, kafshëve, materialit mikrobik, materialit gjenetik apo molekulave të tjera biologjike, të vjela nga burime ex-situ, që janë në pronësi apo financim publik, si dhe i të dhënave shoqëruese të tyre, bëhen me marrëveshje për transferimin e materialit të siguruar nga këto burime, nëse kërkesa plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni. 3. Procedura e vlerësimit të kërkesës për akses i nënshtrohet procedurave ligjore për vlerësimin e ndikimit në mjedis. 4. Aplikimi për akses dhe informacion në burimet gjenetike ex-situ realizohet nëpërmjet kërkesës me shkrim pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin, sipas formatit përkatës të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin. Neni 44/9 Rastet përjashtimore të trajtimit të kërkesës për akses (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Ministri, me urdhër, mund të miratojë me procedurë të thjeshtuar aksesin dhe informacionin në burime gjenetike për të interesuarit, për qëllime kërkimi jotregtare. 2. Rregullat për aksesin në burimet gjenetike lidhur me ushqimin e bujqësinë dhe rolin e tyre të veçantë për sigurimin e ushqimeve, miratohen me urdhër të përbashkët të ministrit dhe ministrit përgjegjës për bujqësinë, duke mbajtur në konsideratë edhe aktet ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë. KREU X/III PRONËSIA, TRANSFERIMI, EKSPORTI DHE PËLQIMI I KOMUNITETIT (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) Neni 44/10 Pronësia, transferimi dhe eksporti i materialeve gjenetike (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Materialet e përfituara nga burimet gjenetike, pavarësisht sasisë së tyre, dhe të dhënat shoqëruese, edhe pas përdorimit, mbeten pronë e Republikës së Shqipërisë ose të pronarit nga i cili ato u volën ose janë marrë, në përputhje me përcaktimet e nenit 44/11, të këtij ligji. 2. Pajisja e përdoruesit me certifikatë nuk ndryshon pronësinë e materialeve gjenetike të mbledhura in-situ nga veprimtaria kërkimore, por lejon përdorimin e tyre dhe rikthimin e tyre te pronari fillestar, pas përfundimit të veprimtarisë kërkimore, me përjashtim të rasteve kur është vendosur ndryshe, paraprakisht, ndërmjet palëve. 3. Transferimi i materialeve apo të dhënave shoqëruese tek të tretët lejohet në bazë të normave ndërkombëtare, vetëm pas marrjes së miratimit paraprak, të informuar, me shkrim, nga 22 ministria apo pronari privat dhe nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse ndërmjet palëve. 4. Ministria përgjegjëse për mjedisin harton formatin e marrëveshjes për transferimin e materialit për përdorim nga të gjitha burimet ex-situ në pronësi, e cila miratohet me urdhër të ministrit. 5. Ndalohet eksporti i materialeve apo mostrave të burimeve gjenetike të vjela në mënyrë in-situ. Neni 44/11 Pëlqimi i informuar paraprak nga komuniteti (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Të gjithë të personat, që duan të kenë akses në dijet, risitë dhe praktikat e komuniteteve vendore në lidhje me burimet gjenetike dhe njohuritë tradicionale, duhet të marrin pëlqimin e informuar, paraprak, nga këto komunitete, duke përcaktuar, paraprakisht, edhe kushtet e dakordësuara me to për ndarjen e përfitimeve nga përdorimi i tyre. 2. Pëlqimi paraprak, i informuar, jepet me shkrim nga komuniteti ose përfaqësuesi i tyre. 3. Të gjitha komunitetet apo personat brenda komuniteteve kanë të drejtë të përfitojnë nga përdorimi tregtar ose jotregtar i dijeve, risive dhe praktikave të tyre në lidhje me burimin gjenetik, si pasojë e afërsisë territoriale. KREU XI DIJET, RISITË DHE PRAKTIKAT E KOMUNITETEVE VENDORE Neni 45 Ruajtja dhe mirëmbajtja 1. Dijet, risitë dhe praktikat e komuniteteve vendore për ruajtjen e biodiversitetit dhe përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të tij respektohen, ruhen dhe promovohen. Ato përdoren për të plotësuar praktikat për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të diversitetit biologjik në Republikën e Shqipërisë. 2. Mbledhja dhe dokumentimi i dijeve dhe i praktikave nga komunitetet ose individët vendorë kryhen vetëm me pëlqimin e tyre dhe kur ata e dinë se si do të përdoren këto materiale. 3. Komunitetet ose individët brenda komunitetit kanë të drejtë të përfitojnë nga përdorimi tregtar ose jotregtar i dijeve dhe i praktikave të tyre. KREU XII PJESËMARRJA E PUBLIKUT Neni 46 Detyrat e organeve shtetërore 1. Organet shtetërore, qendrore dhe vendore, sigurojnë mbështetjen e publikut për të ruajtur diversitetin biologjik dhe për t’i përdorur përbërësit e tij në mënyrë të qëndrueshme. 2. Organet shtetërore sigurojnë që publiku dhe shoqëria civile: a) të vihen në dijeni gjerësisht për diversitetin biologjik dhe përbërësit e tij nëpërmjet botimit të të dhënave dhe programeve të ndërgjegjësimit e të edukimit; b) të përfshihen në vendimmarrje për diversitetin biologjik dhe përbërësit e tij, që përfshin edhe proceset e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe të vlerësimit strategjik mjedisor; c) t’u sigurohet e drejta për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet që lidhen me ruajtjen e diversitetit biologjik dhe përdorimin e qëndrueshëm të përbërësve të tij. 23 Neni 47 Pjesëmarrja dhe vënia në dijeni e publikut 1. Politikat, programet, regjistrat dhe vendimmarrjet realizohen në këshillim me organet e tjera shtetërore, me organizatat jofitimprurëse dhe me publikun. Mendimet e tyre vlerësohen nga vendimmarrësit përpara marrjes së vendimeve. 2. Organet shtetërore sigurojnë se dokumentet dhe instrumentet, që lidhen me biodiversitetin, të përcaktuara në këtë ligj apo në ligje të tjera, të jenë të disponueshme për publikun. 3. Ministri shpall Ditën Kombëtare të Biodiversitetit, në përputhje me datën ndërkombëtare të biodiversitetit, të vendosur nga Konventa e Diversitetit Biologjik dhe miraton kalendarin kombëtar të mjedisit. Neni 48 Edukimi dhe përgatitja Ministria, në bashkëpunimmeMinistrinë e Arsimit dhe Shkencës, bashkërendon integrimin e parimeve të ruajtjes së biodiversitetit në programet shkollore, për edukimin dhe përgatitjen e nxënësve dhe të studentëve. KREU XIII KONTROLLI Neni 49 Kontrolli (zëvendësuar emërtim, ndryshuar pika 1, shtuar pika 4 me ligjin nr. 37/2013, datë 14.2.2013, ndryshuar pika 1 dhe 2 me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Për ruajtjen e biodiversitetit dhe të përbërësve të tij, në zbatim të kërkesave të këtij ligji, ushtrojnë kontroll strukturat përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit. 2. Kontrollet shërbejnë për verifikimin e zbatimit të legjislacionit për biodiversitetin, për kontrollin e zbatimit të kushteve të certifikatës së aksesit dhe për marrjen e masave të përcaktuara në këtë ligj. 3. Kontrollet ushtrohen mbi veprimtaritë që kanë ndikime mbi biodiversitetin dhe përbërësit e tij. Pas kontrollit, në përputhje me dëmtimet e biodiversitetit, vendoset mbyllja a pezullimi i pjesshëm ose i plotë i veprimtarisë, duke përcaktuar edhe masat për rehabilitimin e gjendjes. 4. Për ruajtjen e biodiversitetit dhe të përbërësve të tij, në zbatimin e kërkesave të këtij ligji dhe në përputhje me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, inspektorët përkatës marrin masa urgjente sipas nevojave të rastit. Neni 49/1 Deklaratat e kontrollit të detajuar të kërkimit shkencor (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Ministria përgjegjëse për mjedisin është autoriteti kompetent për pajisjen me deklaratë të kontrollit të detajuar ndaj kërkimit shkencor për burimet gjenetike. 2. Deklarata e kontrollit të detajuar ndaj kërkimit shkencor përfitohet nga kërkuesi pas dorëzimit nga ana e tij, pranë ministrisë, të formularit të kërkesës së plotësuar, sipas formatit të miratuar me urdhër të ministrit. 24 3. Deklarata është një kopje e vetme dhe autentike, që plotësohet vetëm një herë dhe lëshohet përpara se: a) të kërkohet miratimi apo autorizimi për hedhjen në treg të një produkti të zhvilluar nga shfrytëzimi i burimeve gjenetike dhe njohurive tradicionale të lidhura me burimet gjenetike; b) të kryhet, paraprakisht, njoftimi, për futjen për herë të parë në tregun shqiptar të një produkti të zhvilluar nga shfrytëzimi i burimeve gjenetike dhe njohurive tradicionale të lidhura me burimet gjenetike; c) rezultatet e përdorimit t’i shiten apo transferohen çdo personi fizik apo juridik brenda Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që ai person të kryejë njërën prej veprimtarive të shpjeguara në shkronjat “a” dhe “b” tё kёsaj pike; ç)të ketë përfunduar shfrytëzimi në Republikën e Shqipërisë dhe rezultatet t’i jenë shitur apo transferuar një personi fizik apo juridik jashtë Republikës së Shqipërisë. 4. Formati i deklaratës së kontrollit të kërkimit shkencor miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin. 5. Përdoruesit i japin të dhëna autoritetit kompetent, sipas kërkesës me shkrim të këtij të fundit. 6. Dokumentacioni shoqërues i formularit, afatet dhe procedura e shqyrtimit të kërkesës për pajisje me deklaratë, si dhe deklarata për arritjen e fazës së zhvillimit përfundimtar të kërkimit shkencor, sipas nenit 49/2, të këtij ligji, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për mjedisin. Neni 49/2 Deklarata për arritjen e fazës së zhvillimit përfundimtar të kërkimit shkencor (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Ministria është autoriteti kompetent për pajisjen me deklaratë të zhvillimit përfundimtar të kërkimit shkencor për burimet gjenetike. 2. Deklarata e kontrollit të zhvillimit përfundimtar të kërkimit shkencor përfitohet nga kërkuesi pas dorëzimit nga ana e tij, pranë ministrisë, të formularit të kërkesës, të plotësuar sipas formatit të miratuar me urdhër të ministrit, duke deklaruar se ka përmbushur detyrimet. Njëkohësisht me formularin, kërkuesi duhet të dorëzojë: a) informacionin përkatës, sipas certifikatës ndërkombëtare të pajtueshmërisë; b) kur nuk disponon certifikatën e pajtueshmërisë ndërkombëtare, informacionin e mëposhtëm: i) datën dhe vendin e burimeve gjenetike ose të njohurive tradicionale të lidhura me burimet gjenetike; ii) përshkrimin e burimeve gjenetike ose të njohurive tradicionale, që lidhen me burimet gjenetike të përdorura; iii) vendndodhjen, nga e cila gjenerohen burimet gjenetike ose njohuritë tradicionale të lidhura me këto burime, si dhe shfrytëzuesit e këtyre burimeve gjenetike ose njohurive tradicionale të lidhura me to; iv) praninë ose mungesën e të drejtave dhe detyrimeve në lidhje me aksesin dhe ndarjen e përfitimeve, përfshirë të drejtat dhe detyrimet në lidhje me aplikimet pasuese dhe komercializimin; v) lejet e aksesit, kur është e aplikueshme; vi) kushtet e dakordësuara reciprokisht, duke përfshirë marrëveshjet për ndarjen e përfitimeve, aty ku është e aplikueshme. 3. Përdoruesit i japin të dhëna autoritetit kompetent, sipas kërkesës me shkrim të këtij të fundit. 4. Informacionin e mbledhur, ministria përgjegjëse për mjedisin e përditëson në regjistrin e koleksioneve të burimeve gjenetike, referuar dispozitave të këtij ligji, duke ruajtur të dhënat konfidenciale dhe duke respektuar të drejtën e autorit. 5. Formati i deklaratës së kontrollit të kërkimit shkencor dhe formati i deklaratës së zhvillimit përfundimtar të kërkimit shkencor miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin. 25 Neni 49/3 Ruajtja e konfidencialitetit (shtuar me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020) 1. Kërkuesit, pas lejimit të aksesit, ruajnë konfidencialitetin e informacionit nga kërkimi shkencor dhe të ndarjes së përfitimeve për një periudhë 20-vjeçare pas përfundimit të periudhës së kërkimit. 2. Autoritetet përgjegjëse respektojnë konfidencialitetin e informacionit tregtar apo industrial, në përputhje me parashikimet e legjislacionit kombëtar për mbrojtjen e interesave legjitimё ekonomikё, veçanërisht lidhur me përcaktimin e burimeve gjenetike dhe përdorimin e tyre. KREU XIV MASAT EKONOMIKE DHE FINANCIARE NË MBËSHTETJE TË BIODIVERSITETIT Neni 50 Masat ekonomike Ministria bashkërendon punën për hartimin e masave sektoriale dhe ndërsektoriale: a) nxitjet e duhura ekonomike për veprimtarinë e dobishme për ruajtjen e biodiversitetit ose përdorimin e tij në mënyrë të qëndrueshme për të: i) ruajtur diversitetin biologjik, ekosistemet, habitatet dhe peisazhet veçanërisht të mbrojtura, llojet veçanërisht të mbrojtura dhe llojet e rëndësishme për ushqim e bujqësi; ii) kryer transferimet teknologjike që nuk dëmtojnë mjedisin dhe që mbrojnë biodiversitetin; b) ndaluese të duhura, përfshirë sanksionet për ruajtjen e diversitetit biologjik për: i) veprimtari, që nuk përdorin në mënyrë të qëndrueshme përbërësit e diversitetit biologjik; ii) përdorimin e teknologjive që nuk janë të pajtueshme me konceptet e mbrojtjes së mjedisit dhe/ose kërcënojnë diversitetin biologjik; c) që sigurojnë identifikimin dhe heqjen ose zbutjen e masave ekonomike e të masave të tjera, që nxisin ose ulin humbjet e diversitetit biologjik. Neni 51 Fondet për mjedisin Ministria bashkërendon punën për mënyrën e financimit për mbrojtjen e mjedisit dhe të diversitetit biologjik, si dhe përfshirjen në Buxhetin e Shtetit, si zë të veçantë, të fondeve për këtë qëllim. Neni 52 Ndarja e burimeve financiare 1. Ministria, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, bashkërendon punën për sigurimin e burimeve financiare nga Buxheti i Shtetit dhe nga donatorë të huaj për zbatimin e masave të parashikuara në nenin 50 të këtij ligji dhe për zbatimin tërësor të ligjit. 2. Institucionet qendrore dhe organet e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me ministrinë, planifikojnë një fond në buxhetin vjetor, i cili do të përdoret për të mbështetur zbatimin e detyrave që u ngarkon ky ligj. 26 KREU XV SANKSIONET Neni 53 Përgjegjësitë 1. Çdo organ shtetëror, organizatë shoqërore, person juridik ose fizik, që dëmton ose kërcënon biodiversitetin, përgjigjet për dëmtimet dhe përballon koston e ripërtëritjes e të rehabilitimit të përbërësve të prekur të biodiversitetit. 2. Për shkeljet e kryera nga një person juridik, mbajnë përgjegjësi edhe drejtuesi dhe/ose nëpunësi që ishte ose që duhet të ishte në dijeni për shkeljen. Neni 54 Sanksionet (ndryshuar pikat 3, 4 dhe 5 me ligjin nr. 37/2013, datë 14.2.2013, hiqen fjalë në shkronjat “b”, në “d”, “ë”, ndryshuar shkronja “dh”, zëvendësuar fjalё në shkronjat “f” dhe “g”, të pikës 2, me ligjin nr. 41/2020, datё 23.4.2020; ndryshuar pika 3 dhe fjalë në pikën 1, 3 dhe 4, shtuar pika 3/1 me ligjin nr. 69, datë 4.7.2024) 1. Kur shkeljet e këtij ligji përbëjnë vepër penale, Struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit dhe organet e tjera të kontrollit, të përmendura në pikën 1 të nenit 49 të këtij ligji, bëjnë kallëzim për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës për shkeljen. 2. Kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme: a) kapja, marrja, mbajtja dhe përdorimi i llojeve të kafshëve dhe i bimëve të mbrojtura; b) shfrytëzimet apo përdorimet e reja të individëve të llojeve të kafshëve dhe bimëve, që cenojnë statusin e ruajtjes së llojeve të kërcënuara, kur nuk janë miratuar nga ministri; c) shfrytëzimi ose përdorimi i rastësishëm i llojeve veçanërisht të mbrojtura; ç) përdorimi për qëllime fitimi i një varieteti autokton pa miratimin e pronarit të tij; d) importimi ose introduktimi i qëllimshëm i llojeve të huaja ose llojeve të huaja invazive në mjedise tokësore, ujore ose detare të Republikës së Shqipërisë, pa autorizimin e organit përkatës; dh) mospajisja me miratimin përkatës të veprimtarive që shfrytëzojnë diversitetin biologjik dhe përbërësit e tij, përfshirë këtu edhe përdorimin e burimeve gjenetike apo të dhënave të dala nga përdorimi i tyre; e) transferimi i materialit të mbledhur si pjesë e veprimtarive kërkimore palëve të tjera, pa pëlqimin e ministrisë dhe/ose pronarit; ë) mbledhja nga burime in-situ dhe përdorimi i sasive të shumta të bimëve, kafshëve apo materialit mikrobik, të materialit gjenetik apo molekulave të tjera biologjike, si dhe i të dhënave shoqëruese; f) mospajisja me miratimin përkatës të veprimtarive, sipas pikës 2 të nenit 42 të këtij ligji; g) eksportimi pa miratimin përkatës të materialeve ose kampioneve të mbledhura nga burime in-situ dhe i të dhënave shoqëruese për veprimtaritë mbledhëse; gj) përdorimi pa marrëveshje i sasive të pakta të bimëve, kafshëve, i materialit mikrobik, gjenetik apo i molekulave të tjera biologjike, që ato përmbajnë, të marra nga burime ex-situ, me pronësi apo financim publik, si dhe i të dhënave për transferimin e materialit të siguruar nga burimet ex-situ; h) transferimi pa marrëveshje dhe pa pëlqimin e pronarit për transferimin e materialit të përfituar dhe i të dhënave shtesë palëve të treta; i) eksportimi pa marrëveshje transferimi i materialeve apo kampioneve dhe i të dhënave shoqëruese nga burime ex-situ në pronësi publike; j) mbledhja dhe dokumentimi i dijeve dhe praktikave pa pëlqimin e komuniteteve ose të 27 individëve vendorë; k) shfrytëzimi apo përdorimi i individëve të kafshëve dhe bimëve veçanërisht të mbrojtura, siç përcaktohet në nenin 23 të këtij ligji. 3. Struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit për kundërvajtjet administrative të parashikuara në pikën 2 të këtij neni jep dënimin kryesor me gjobë: a) për shkeljet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “d”, “dh”, “ë” dhe “j” nga 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) lekë deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë; b) për shkeljet e përcaktuara në shkronjat “ç”, “e”, “g”, “gj”, “h” dhe “i” nga 13 000 (trembëdhjetë mijë) lekë deri në 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) lekë. 3/1. Gjoba e vendosur në zbatim të këtij neni përbën titull ekzekutiv pas shterimit të ankimit administrativ, sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurave Administrative. Gjoba paguhet brenda 10 ditëve kalendarike nga data kur është njoftuar kundërvajtësi për vendimin e dënimit me gjobë, që përbën titull ekzekutiv. Në rast mosekzekutimi vullnetar, për ekzekutimin e saj ngarkohet zyra e përmbarimit sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurave Civile dhe në ligjin për kundërvajtjet administrative. 4. Krahas dënimit me gjobë, mund të vendosen edhe dënimet plotësuese të sekuestrimit të mjeteve që shkaktojnë dëmtimin, ose heqja e lejes mjedisore, si dhe masa e pezullimit të pjesshëm ose të plotë të veprimtarisë, duke përcaktuar edhe masat për rehabilitimin e gjendjes, sipas nenit 49 të këtij ligji. Në çdo rast kundërshtimi për zbatimin e këtyre masave, Struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit bashkëpunon me Policinë e Shtetit. 5. Shkeljet e parashikuara në krerët IV, V dhe VI të këtij ligji, përveç gjobave dhe dënimeve plotësuese të parashikuara në pikën 4 të këtij neni, në të gjitha rastet, shoqërohen edhe me dënimin plotësues të konfiskimit të materialit biologjik dhe të mjeteve, me të cilat është kryer veprimi i paligjshëm. Neni 55 Ankimi (ndryshuar me ligjin nr. 37/2013, datë 14.2.2013) Kundër vendimit që cakton sanksionet administrative të parashikuara në këtë ligj mund të bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin. Dispozitë kalimtare (shtuar me ligjin nr. 37/2013, datë 14.2.2013) Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj. Dispozitë kalimtare, aktet nënligjore (shtuar me ligjin nr. 68/2014, datë 3.7.2014) 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 6 të tij. 2. Ngarkohet ministri përgjegjës për mjedisin për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 5, 6 dhe 7 të këtij ligji. Neni 56 1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 9 pika 2, 20 pika 2, 31 pika 1 e 32 pika 7 të këtij ligji. 28 2. Ngarkohen, përkatësisht, Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe ministri përgjegjës për bujqësinë të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të neneve 13 pika 6, 16 pika 1, 22 pikat 4 e 5, 26 pikat 1 e 5, 30 pika 4, 32 pika 6 dhe 47 pika 3 të këtij ligji. 3. Ministri propozon dhe miraton akte nënligjore, në zbatim të kompetencave të tij, për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Neni 57 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shpallur me dekretin nr.5007, datë 4.8.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu