Skip to content
Nelum
Laws of Albania

Law No. 9583 amending and supplementing Law No. 9235 of 2004 on the restitution and compensation of the property

Made 2006-07-17 · Text as of 2026-10-01

Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.

About this law

Language
Albanian
Kind
Act
Organisation
European Union
Country
Albania
Subjects
Land and soil
Keywords
land reform, ownership, expropriation, institution, governance, land tenure, property rights

Where to read it

    No source link is recorded for this law.

Text

The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.

  1. REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI L I G J Nr.9583, datë 17.7.2006 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9235, DATË 29.7.2004 “PËR KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONËS”, TË NDRYSHUAR Në mbështetje të neneve 78 e 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I: Në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: Neni 1 Në fund të nenit 2 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Fusha e veprimit të këtij ligji shtrihet edhe për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë, të krijuara përpara datës 7 prill 1939 dhe që janë sekuestruar sipas nenit 14 të ligjit nr.37, datë 13.1.1945 “Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”.”. Neni 2 Në nenin 3 shtohet pika 6 me këtë përmbajtje: “6. Truall industrial” nënkupton sipërfaqen e tokës që ndodhet jashtë vijave kufizuese të qyteteve dhe qendrave të banuara, mbi të cilin janë ngritur objekte të përhershme ndërtimore për qëllime ekonomike ose që u shërbejnë funksionit të tyre.” . Neni 3 Në nenin 6 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 1. Në pikën 1 fjalët “deri në 60 ha dhe kur në këtë ligj përcaktohet ndryshe” zëvendësohen me fjalët “deri në 100 ha, në rast se subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) nuk kanë përfituar nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën””. 2. Pas pikës 1 shtohen pikat 1/a, 1/b, 1/c dhe 1/ç me këtë përmbajtje: “1/a. Kur subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) kanë përfituar tokë nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, atëherë sipërfaqja që kthehet apo kompensohet, sipas këtij ligji, llogaritet si diferencë ndërmjet pjesës, që do t'i takonte në kushtet e mospërfitimit nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me sipërfaqen, që secili prej tyre ka përfituar nga zbatimi i këtij ligji. 1/b. U njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas ligjit nr.7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar. 1/c. Subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës dhe tokat bujqësore të përfshira në veprimtaritë eksperimentale-shkencore të instituteve kërkimore-shkencore dhe në çdo veprimtari tjetër të institucioneve të ndryshme shtetërore, por që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre. 1/ç. Në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara, për të cilën është rënë dakord për t’i përdorur për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar. Kur investimi është kryer mbi një tokë pronë publike, subjekti kontraktues i paguan shtetit brenda 6 muajve vlerën e truallit me çmimin e tregut. Të ardhurat e realizuara nga shitja përfshihen në fondin e kompensimit të pronave.”. 3. Në fund të pikës 2 shtohen fjalët “toka do të vlerësohet si truall industrial.”. Neni 4 Pas nenit 6 shtohet neni 6/1 me këtë përmbajtje: “Neni 6/1 Pemëtaritë dhe vreshtat, pronë e subjekteve të shpronësuara, tokat e të cilave nuk janë regjistruar si toka bujqësore, do të konsiderohen si të tilla për qëllimet e kompensimit, sipas këtij ligji. Pas verifikimit të pronësisë së tyre, ato do të konvertohen si toka bujqësore, mbi bazën e koeficientit që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.”. Neni 5 Neni 7 të ndryshohet si më poshtë: “Neni 7 Pronat që nuk kthehen 1. Nuk kthehen pronat e paluajtshme, që i shërbejnë një interesi publik dhe ato që: a) shërbejnë për realizimin e detyrimeve të shtetit shqiptar, që rrjedhin nga traktatet dhe konventat, në të cilat shteti ynë është palë; b) janë të zëna sipas akteve ligjore, paraqitur në shtojcën 1 të ligjit. 2. Në rast se pronat e paluajtshme, që përfshihen në pikën 1 të këtij neni, propozohen të tjetërsohen, ato u kalojnë subjekteve të shpronësuara kur këto nuk janë kompensuar. 3. Pronat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni kompensohen sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.”. Neni 6 Pas nenit 7 shtohet neni 7/1 me këtë përmbajtje: “Neni 7/1 Prona të kthyera që i shërbejnë interesit publik 1. Në të gjitha rastet kur marrëveshjet ndërkombëtare, planet e përgjithshme të zhvillimit urbanistik apo planet e zhvillimit ekonomik ose të turizmit parashikojnë, në pronat e kthyera sipas këtij ligji, ngritjen dhe zhvillimin e projekteve të investimit, në ekonomi a infrastrukturë, infrastukturën turistike, vepra ujore, energjetikë etj. nga shteti ose të tretë, në shërbim apo në interes publik, subjektet e shpronësuara dhe zhvilluesi i interesuar për investim, në varësi të formës juridike ku mbështetet zhvillimi i projektit, mund të hyjnë në marrëdhënie kontraktore, me qëllim realizimin e investimit. 2. Kur subjektet e shpronësuara dhe zhvilluesit e investimit nuk përfundojnë brenda një afati normal negociatash nënshkrimin e marrëveshjeve respektive të kalimit apo posedimit të ligjshëm të pasurisë, Këshilli i Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi, vendos kompensimin e subjektit të shpronësuar, sipas çmimit të tregut për sipërfaqet ku do të zhvillohet projekti. Subjekti i shpronësuar dhe zhvilluesi i investimit i zhvillojnë negociatat, sipas paragrafit të parë të kësaj pike, në kushtet e tregut.”. Neni 7 Në nenin 8 pikat 2 dhe 4 shfuqizohen. Neni 8 Pas nenit 8 shtohet neni 8/1 me këtë përmbajtje: “Neni 8/1 Trualli i zënë me ndërtime në pronësi të shtetit 1. Në ndryshim nga formulimi i nenit 7, u kthehet apo u kompensohet subjekteve të shpronësuara trualli privat, mbi të cilin janë ngritur ndërtime të përhershme dhe të ligjshme në pronësi të pronarit shtet, sipas rastit: a) Kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, duke i njohur atij të drejtën e parablerjes së objektit në privatizim. Deri në privatizimin e objektit, sipas këtij ligji, shteti detyrohet t’i paguajë subjektit të shpronësuar çmimin e qirasë për truallin që ka në posedim, sipas tarifave që zbaton për dhënien me qira të trojeve shtetërore të tretëve. b) Kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet janë në përdorim të të tretëve, në bazë të një kontrate qiraje, koncesioni ose enfiteoze mbi truallin ku ngrihet ndërtesa apo vetë ndërtesën, veprohet: i) kur investimi i kryer është mbi 150 për qind të vlerës së truallit, subjekti kontraktues i paguan shtetit, brenda 6 muajve, vlerën e truallit me çmimet e tregut. Shteti ia paguan menjëherë vlerën e truallit pronarit të tokës. Në rast se subjekti kontraktues nuk paguan vlerën e truallit brenda afatit të mësipërm, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, i cili, deri në përfundim të kontratës, merr nga shteti edhe qiranë e vendosur në kontratë. Në përfundim të kontratës, pronari i truallit ka të drejtën e parablerjes; ii) kur investimi i kryer është nën 150 për qind të vlerës së truallit, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, i cili merr nga shteti, deri në përfundim të kontratës, edhe qiranë e truallit që paguan subjekti sipas kontratës. Në përfundim të kontratës, pronari i truallit ka të drejtën e parablerjes së objektit. 2. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, institucioneve shtetërore nuk u lejohet të japin me qira, enfiteozë, koncesion apo përdorim objektet shtetërore të ndërtuara mbi troje private, përveç rasteve kur kontratat i shërbejnë realizimit të interesave publikë, të përcaktuar në nenin 7/1 të këtij ligji. Në rast se objektet shtetërore të ndërtuara mbi troje private transferohen në pronësi apo në administrim të një institucioni tjetër shtetëror, e drejta e parablerjes nuk shuhet.”. Neni 9 Neni 9 ndryshohet si më poshtë: “Neni 9 Banesat 1. Banesat, pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilat u janë dhënë me qira qiramarrësve nga shteti para hyrjes në fuqi të ligjit nr.7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” dhe që shfrytëzohen për nevoja strehimi, kalojnë në posedim të subjekteve të shpronësuara, kur vërtetohet një nga rastet e mëposhtme: a) qiramarrësit kanë plotësuar nevojat e tyre për strehim në çfarëdo mënyre tjetër të ligjshme; b) subjektet e shpronësuara u ofrojnë qiramarrësve strehim në sipërfaqe jo më të vogël dhe me kushte të përafërta me strehimin që kanë në përdorim, brenda së njëjtës njësi të qeverisjes vendore, derisa qiramarrësit të plotësojnë nevojat e tyre për strehim në njërën nga mënyrat e tjera të parashikuara në këtë nen; c) qiramarrësit nënshkruajnë kontratën e kredisë me institucionin financiar, sipas pikave 1 dhe 2 të nenit 25 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”; ç) qiramarrësit përfitojnë strehim ose truall, sipas pikës 3 të nenit 25 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”. 2. Në zbatim të kërkesave të shkronjës “c” të pikës 1 të këtij neni, kontrata e përcaktuar në pikën 1 të nenit 25 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” duhet të lidhet midis Ministrit të Financave, ministrit që mbulon strehimin dhe institucionit që jep dhe menaxhon kredinë, brenda datës 31 dhjetor 2006. Për qiramarrësit që përfitojnë kredi, sipas pikës 2 të nenit 25 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, kontrata duhet të përmbajë edhe fondin limit të financimit. Fondi limit fiksohet në përputhje me aktet nënligjore në fuqi, që caktojnë koston mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave dhe të koeficientit “K”, mbi të cilin operon Enti Kombëtar i Banesave. 3. Lista e të pastrehëve, qiramarrës në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara, që trajtohen sipas shkronjave “c” dhe “ç” dhe fondi limit, sipas pikës 2 të këtij neni, hartohen nga Enti Kombëtar i Banesave, në bazë të dokumentacionit të njësive të qeverisjes vendore dhe të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pas verifikimit në terren të të dhënave dhe miratohet nga Këshilli i Ministrave jo më vonë se data 31 tetor 2006. 4. Personat e pastrehë, qiramarrës në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilët brenda datës 31 dhjetor 2008 nuk lidhin kontratën sipas shkronjës “c” të pikës 1 të këtij neni, apo që deri në këtë datë nuk kanë plotësuar nevojat e tyre për strehim, sipas çdonjërit nga rastet e përcaktuara në shkronjat “a” ,”c” e “ç” të pikës 1 të këtij neni, humbasin të drejtën e posedimit të ligjshëm të banesës dhe trajtohen në bazë të programeve sociale të strehimit, sipas nenit 4 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”. Subjekti i shpronësuar përfiton të drejtën e posedimit të ligjshëm të banesës në pronësi të tij. 5. Qiraja e banesave të zëna nga personat e pastrehë, të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, indeksohet bazuar në të dhënat e INSTAT-it për rritjen vjetore të çmimeve dhe pagave dhe synon mbulimin e shpenzimeve lidhur me koston e pronarit për mirëmbajtje dhe miradministrim të banesës. Në çdo rast, qiraja vjetore e indeksuar nuk mund të tejkalojë 10 për qind të kostos minimale fiskale, që llogaritet nga administrata tatimore për efekt TVSH-je. Indeksimi i qirasë, sipas kësaj pike, bëhet nga Këshilli i Ministrave për çdo vit kalendarik. Për vitin e parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji, çmimi i indeksuar zbatohet duke filluar nga data 1 korrik. Neni 10 Në nenin 11 bëhen këto ndryshime: 1. Pas shkronjës “a” shtohet shkronja “a/1” me këtë përmbajtje: “a/1) me pasuri të paluajtshme publike në zonat, që kanë përparësi zhvillimin e turizmit;”. 2. Pika 2 shfuqizohet. Neni 11 Në nenin 12, fjalia e parë dhe e dytë ndryshohen si më poshtë: “Kompensimi fizik, sipas shkronjave “a”, “a/l” dhe “b” të nenit 11 të këtij ligji, bëhet edhe jashtë kufijve territorialë të qarkut, ku ndodhet prona e paluajtshme. Këshilli i Ministrave miraton kriteret dhe procedurat për caktimin e pronave, fond pasurie të paluajtshme, për kompensim fizik. Për kryerjen e kompensimit fizik përparësi kanë pronat publike, brenda zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit, të përcaktuara në mbështetje të ligjit nr.7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”. Trojet e dhëna me kompensim në zona turistike duhet të përdoren vetëm në përputhje me masterplanin për zhvillimin e turizmit dhe planet rregulluese respektive të territorit, të miratuara në zbatim të tij.”. Neni 12 Në fund të pikës 1 të nenit 14 shtohen dy fjali me këtë përmbajtje: “E drejta e parablerjes regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore për të drejtën e parablerjes në privatizimin e objekteve.”. Neni 13 Neni 15 ndryshohet si më poshtë: “Neni 15 Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave 1. Për zbatimin e këtij ligji krijohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, person juridik publik. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (në vijim AKKP), ka qendër në Tiranë dhe zyra rajonale në çdo qark. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kryen këto detyra dhe ka këto përgjegjësi: a) pranon kërkesat për kthim ose kompensim, sipas këtij ligji; b) shqyrton kërkesat dhe kontrollon vërtetësinë e dokumentacionit që paraqesin subjektet e shpronësuara dhe e ballafaqon atë me aktet ligjore, nënligjore ose vendimet gjyqësore, sipas nenit 2 të këtij ligji, që kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë nga shteti të pronës; c) verifikon dhe llogarit detyrimet financiare që lindin për shtetin, subjektin e shpronësuar ose të tretët, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj; ç) u konfirmon të drejtën e pronësisë subjekteve të shpronësuara, duke lëshuar dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose të kompensimit të pronësisë, sipas modelit të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave; d) regjistron aktet e njohjes, kthimit ose kompensimit të pronave dhe të drejtat reale të lidhura me to në regjistrat e pasurisë së paluajtshme. 2. Për ushtrimin e përgjegjësive të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, AKKP-ja bashkëpunon me institucionet që kanë në administrim pronën shtetërore ose publike. Këshilli i Ministrave, jo më vonë se 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcakton procedurën dhe afatet e komunikimit ndërmjet institucioneve. 3. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.”. Neni 14 Neni 16 ndryshohet si më poshtë: “Neni 16 Përgjegjësitë e zyrave në qendër dhe në qarqe 1. Zyra e AKKP-së në qendër udhëheq dhe mbikëqyr punën për zbatimin e këtij ligji në zyrat rajonale të qarqeve, bën shqyrtimin fillestar të kërkesës së subjektit të shpronësuar për kompensim, sipas mënyrës së parashikuar nga neni 11 i këtij ligji, për pasurinë e paluajtshme të njohur për t’u kompensuar, si dhe shqyrton ankimin ndaj vendimeve të zyrës rajonale të AKKP-së në qark. Në zbatim të përgjegjësive të veta, për kompensimin dhe zgjidhjen e ankimeve, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së shprehet me vendim. 2. Zyrat rajonale të AKKP-së në qark kryejnë trajtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara për njohje dhe kthim të pasurisë së paluajtshme për pasuritë me vendndodhje brenda territorit të qarkut. Drejtori i zyrës së qarkut nënshkruan vendimin për njohjen e së drejtës së pronësisë dhe kthimin ose kompensimin e pasurisë dhe të drejta të tjera reale, që parashikohen sipas këtij ligji. Në zbatim të përgjegjësive të veta, për njohjen e së drejtës së pronësisë, kthimin ose kompensimin, si dhe të drejta të tjera reale, drejtori i zyrës rajonale të AKKP-së në qark shprehet me vendim. 3. Vendimet e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni duhet të jenë në formë të shkruar, të arsyetuar, të nënshkruar nga titullari dhe të përmbushin kërkesat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative për aktin administrativ. Kur vendimi i parashikuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk ankimohet nga kërkuesi, ai përbën titull ekzekutiv. Ngarkohen zyrat e përmbarimit për ekzekutimin e tij, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile.”. Neni 15 Neni 17 ndryshohet si më poshtë: “Neni 17 Afati 1. Subjektet e shpronësuara, për fitimin e të drejtave të parashikuara nga ky ligj, kanë të drejtë të depozitojnë kërkesa të reja deri në datën 1 tetor 2007. 2. Zyra e AKKP-së në qendër shqyrton kërkesën për kompensim, jo më vonë se 3 muaj nga data e regjistrimit të saj. Në rast se zyra e AKKP-së në qendër e ka të pamundur të vendosë brenda këtij afati, ajo njofton subjektin e shpronësuar dhe, me vendim të arsyetuar, mund të shtyjë afatin për një periudhë jo më shumë se 30 ditë. Kërkesa e subjektit të shpronësuar depozitohet drejtpërdrejt në institucion apo nëpërmjet postës dhe evidentohet në regjistrin e protokollit të institucionit. Subjekti pajiset me vërtetimin e regjistrimit të kërkesës. I njëjti afat dhe e njëjta procedurë është e vlefshme edhe për shqyrtimin e kërkesës për njohje pronësie pranë zyrës së AKKP-së rajonale. 3. Në zbatim të këtij ligji, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk do të trajtojë me vendim asnjë kërkesë që mbështet pretendimin e vet vetëm në një vendim gjyqësor të vërtetimit të faktit juridik të pronës mbi pasurinë e paluajtshme, në kuptim të nenit 388 të Kodit të Procedurës Civile. Të gjitha aplikimet e mbështetura mbi vërtetim fakti juridik do t’u kthehen subjekteve brenda 30 ditëve nga depozitimi i tyre. Ekzekutimi i vendimit për kompensim financiar kryhet brenda 6- mujorit të parë të çdo viti financiar. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat dhe kriteret për trajtimin e vendimeve të kompensimit financiar.”. Neni 16 Nenit 18 ndryshohet si më poshtë: “Neni 18 Ankimi 1. Kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të drejtave të tjera reale të zyrës rajonale të AKKP-së në qark, subjekti i shpronësuar ka të drejtë të bëjë ankim brenda 30 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi në zyrën e AKKP-së në qendër, sipas pikës 1 të nenit 16 të këtij ligji. Jo më vonë se 45 ditë nga regjistrimi i ankimit, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së merr vendim për objektin e ankimit. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos: a) lënien në fuqi të vendimit; ose b) shfuqizmin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të tij. Kundër vendimit për lënie në fuqi të vendimit të AKKP-së së zyrës rajonale, ankimi kryhet pranë gjykatës së rrethit në territorin e qarkut ku ka vendodhjen zyra rajonale e AKKP-së së qarkut dhe mbrojtja e interesave të AKKP-së kryhet nga zyra rajonale e AKKP-së së qarkut. Kur vendimi zgjidh çështjen në themel, ankimi kryhet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë dhe AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër. 2. Kundër vendimit të AKKP-së në qendër për kompensim të pronës, subjekti i shpronësuar ka të drejtë të bëjë ankim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë brenda 30 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi. AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër.”. Neni 17 Neni 19 shfuqizohet. Neni 18 Neni 20 ndryshohet si më poshtë: “Neni 20 Transferimi i arkivit, logjistikës dhe mjeteve të punës Veprimtaria e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe e komisioneve në qarqe përfundon ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Arkivi, mjetet e punës dhe logjistika e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe komisioneve vendore në qarqe, e krijuar dhe e administruar sipas ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, transferohet në administrim të AKKP-së brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.”. Neni 19 Neni 21 ndryshohet si më poshtë: “Neni 21 Transferimi i fondeve buxhetore të KSHKKP- së dhe komisioneve vendore Fondet buxhetore, të planifikuara për Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave dhe komisonet vendore të kthimit të pronave në qarqe, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, transferohen në llogari të AKKP-së. Përjashtim bën vetëm fondi i pagës për punonjësin që kryen dorëzimin e dosjeve.”. Neni 20 Pas nenit 22 shtohet neni 22/1 me këtë përmbajtje: “Neni 22/1 Kudo në ligj emërtimet “Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” dhe “Komisioni vendor i kthimit dhe kompesimit të pronave” zëvendësohen përkatësisht me emërtimet “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” dhe “Zyra rajonale e AKKP-së në qark”.”. Neni 21 Në nenin 24, rreshti i dytë, afati i përfundimit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave bëhet “31.6.2008”. Neni 22 Neni 28 ndryshohet si më poshtë: “Neni 28 Fondi i pasurive të paluajtshme për kompensim fizik Përveç fondit financiar të kompensimit, të parashikuar nga neni 23 i këtij ligji, krijohet fondi i pasurive të paluajtshme për kompensim fizik. Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave miraton fondin e pronave pasuri të paluajtshme shtetërore që vihen në dispozicion për kompensim fizik, sipas shkronjave “a”, “a/1” dhe “b” të nenit 11 të këtij ligji, si dhe mënyrat e vendosjes së këtij fondi në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.”. Neni 23 Pas nenit 28 shtohen nenet 28/1 dhe 28/2 me këtë përmbajtje: “Neni 28/1 Dispozita kalimtare Për pasuri të paluajtshme, mbi të cilat janë ngritur nga të tretë objekte pa leje në kundërshtim me ligjin “Për urbanistikën”, kthimi fizik nuk zbatohet pa përfunduar afatet ligjore të parashikuara për legalizmin e objekteve në zona informale dhe objekte të tjera informale me vendndodhje brenda territoreve formale. Në përfundim të afatit ligjor të parashikuar për procesin e legalizmit, zbatohet, aty ku është e mundur, kthimi fizik i pronës së paluajtshme, ndërsa pjesa tjetër kompensohet në përputhje me nenin 11 të këtij ligji. Në çdo kohë, subjektit të shpronësuar ose subjektit që është zhveshur arbitrarisht nga pronësia i lind e drejta që, përpara përfundimit të afatit të parashikuar për mbylljen e procesit të legalizmit, të heqë dorë nga e drejta e kthimit fizik të pasurive të zëna me këto ndërtime kundrejt kompesimit, sipas dispozitave të nenit 11 të këtij ligji. Ky kufizim nuk i shtrin efektet e tij për pasuritë e paluajtshme, të cilat janë vënë në dispozicion të të tretëve me qira, enfiteozë, koncesion etj. nga shteti, me gjithë përmirësimet ose ndërtimet e kryera në to. Për të gjitha këto pasuri të paluajtshme zbatohet menjëherë rregullimi ligjor i parashikuar në pikën 1 shkronja “b” të nenit 8/1 të këtij ligji.”. Neni 28/2 Verifikimi i ligjshmërisë së tjetërsimeve 1. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të verifikojë procesin e kalimit në përdorim ose në pronësi pa kundërshpërblim të pasurisë së paluajtshme tokë, sipas akteve ligjore të paraqitura në shtojcën 1/1 të këtij ligji, familjeve ose anëtarëve të ndërmarrjeve bujqësore apo kooperativave bujqësore, personave që kanë themeluar ish ndërrmarrje bujqësore, ish-punonjësve të ndërmarrjeve bujqësore me banim në qytet ose specialistëve të bujqësisë. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e organizon këtë proces nëpërmjet drejtorive rajonale të bujqësisë në 12 qarqe. 2. Procesi i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni i nënshtrohet verifikimit të ligjshmërisë. Verifikimi mbështetet në dokumente zyrtare që administron vetë ministria, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Arkivi i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, si dhe çdo ent tjetër publik ose privat dhe, sipas rastit, në verifikime në vend. Dokumentet zyrtare të lëshuara nga institucionet publike për llogari të këtij procesi regjistrohen në një regjistër të posaçëm dhe përjashtohen nga pagesat për taksë pulle apo tarifë shërbimi. 3. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit përfundon procesin e verifikimit në të gjithë territorin e vendit brenda datës 15 mars 2007. Në përputhje me rezultatet e verifikimit, Këshilli i Ministrave përcakton masat administrative për rivendosjen e ligjshmërisë në vend.”. Neni 24 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. K R Y E T A R E Jozefina Topalli (Çoba) Shtojca 1/1 Ligji nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, i ndryshuar; Ligji nr.7983, datë 27.7.1995 “Për shitblerjen e tokës bujqësore, livadheve dhe kullotave”; Ligji nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa kundërshpërblim të tokës bujqësore”; Ligji nr.8312, datë 26.3.1993 “Për tokat bujqësore të pandara”; Ligji nr.8337, datë 30.4.1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore pyjore, livadheve dhe kullotave”; Vendimi nr.452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”.

Law No. 9583 amending and supplementing Law No. 9235 of 2004 on the restitution and compensation of the property · Nelum