Law No. 39/2013 amending Law No. 9774 on the assessment of noise pollution
Made 2013-02-14 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Act
- Country
- Albania
- Subjects
- Air and atmosphere
- Keywords
- air quality/air pollution, inspection, pollution control
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
LIGJ Nr. 39/2013 PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9774, DATË 12.7.2007 “PËR VLERËSIMIN DHE ADMINISTRIMIN E ZHURMËS NË MJEDIS” Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: Në ligjin nr. 9774, datë 12.7.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, bëhen këto ndryshime: Neni 1 Në nenin 29 bëhen ndryshimet e mëposhtme: 1. Emërtimi “Inspektorati i Mjedisit” zëvendësohet me emërtimin “Inspektorati që mbulon fushën e mbrojtjes së mjedisit”; emërtimi “Inspektorati Sanitar Shtetëror” zëvendësohet me emërtimin “Inspektorati që mbulon fushën e shëndetit”; emërtimi “Inspektorati Shtetëror i Punës” zëvendësohet me emërtimin “Inspektorati që mbulon fushën e punës” dhe emërtimi “Inspektorati i Kontrollit të Automjeteve” zëvendësohet me emërtimin “Struktura përgjegjëse për kontrollin e automjeteve”. 2. Pika 2 ndryshohet si më poshtë: “2. Organet e përmendura në pikën 1 të këtij neni ushtrojnë kontroll për zhurmën, në përputhje me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe dispozitat e tjera në fuqi.”. Neni 2 Neni 30 ndryshohet si më poshtë: “Neni 30 Vendimi i kontrollit 1. Pas kryerjes së kontrollit, vendimi merret në përputhje me ligjin për inspektimin nga inspektori ose zyrtari i ngarkuar me këtë funksion i strukturës përgjegjëse të pushtetit vendor që bën kontrollin. Në rast të konstatimit të shkeljeve, inspektori ose zyrtari cakton masat dhe detyrat për rregullimin e gjendjes, ndëshkon me gjobë kundërvajtjet administrative dhe, sipas rastit, vendos mbylljen, ndalimin apo ndërprerjen e plotë ose të pjesshme të veprimtarisë. 2. Rezultatet dhe vendimi i kontrollit u njoftohen subjektit të kontrolluar dhe organit të qeverisjes vendore, në territorin e të cilit ndodhet veprimtaria e kontrolluar. Një përmbledhje e vendimit të kontrollit vihet në dispozicion të publikut për 1 muaj, duke u depozituar në organin e qeverisjes vendore përkatëse. 3. Sipas nevojave të rastit, inspektori ose struktura përgjegjëse e pushtetit vendor, marrin masa urgjente në përputhje me ligjin për inspektimin.”. Neni 3 Në nenin 32 bëhen ndryshimet e mëposhtme: 1. Paragrafi i parë i pikës 1 ndryshohet si më poshtë: “Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen nga organet e kontrollit, të parashikuara në nenin 29 të këtij ligji, me dënim kryesor me gjobë si më poshtë:”. 2. Pika 2 ndryshohet si më poshtë: “2. Krahas dënimit me gjobë, në varësi të dëmit që shkakton zhurma, vendoset edhe dënimi plotësues i mbylljes së përkohshme, derisa subjekti të marrë masat e nevojshme për eliminimin e saj, ose mbyllja e përhershme e burimit të zhurmës.”. Neni 4 Neni 33 ndryshohet si më poshtë: “Neni 33 Ankimi Ndaj vendimit të inspektorit ose të zyrtarit të strukturës përgjegjëse të pushtetit vendor mund të bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin.”. Neni 5 Dispozitë kalimtare Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj. Neni 6 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 14.2.2013 Shpallur me dekretin nr. 7998, datë 1.3.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani