Law No. 36/2013 amending and supplementing Law No. 9385 on forests and the forestry service
Made 2013-02-14 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Act
- Country
- Albania
- Subjects
- Forestry
- Keywords
- forest management/forest conservation, forest service, forestry protection measures, offences/penalties
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
LIGJ Nr. 36/2013 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9385, DATË 4.5.2005 “PËR SHËRBIMIN PYJOR”, TË NDRYSHUAR Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: Në ligjin nr. 9385, datë 4.5.2005 “Për shërbimin pyjor”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Neni 1 Në nenin 6, pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje: “3. Funksioni kontrollues ushtrohet nga Policia Pyjore, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë””. Neni 2 Në nenin 7 bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë: 1. Në shkronjën “c” të pikës 1 fjalët “me degët e saj rajonale” hiqen. 2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë: “3. Policia pyjore është pjesë organike e inspektoratit shtetëror të ministrisë që mbulon fushën e mbrojtjes së mjedisit, pyjeve dhe ujërave. Strukturat dhe organikat menaxhuese të shërbimit pyjor miratohen me urdhër të Kryeministrit dhe me propozimin e ministrit.”. 3. Pas pikës 3 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje: “4. Organizimi dhe funksionimi i inspektoratit shtetëror të ministrisë që mbulon fushën e mjedisit, pyjeve dhe administrimit të ujërave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me ligjin për inspektimin.”. Neni 3 Në nenin 12, pika 1 ndryshohet si më poshtë: “1. Policia Pyjore është organ i specializuar i shërbimit pyjor, me funksione kontrolluese. Struktura e Policisë Pyjore, gjatë kryerjes së shërbimit, përfiton status të njëjtë me atë të Policisë së Shtetit.”. Neni 4 Në nenin 37 bëhet ndryshimi dhe shtesa si më poshtë: 1. Pika 2 ndryshohet si më poshtë: “2. Inspektorët e Policisë Pyjore, kur vërejnë shkeljen e këtyre dispozitave, mbajnë procesverbal, në përputhje me kërkesat e ligjit për inspektimin.”. 2. Pas pikës 3 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje: “4. Punonjësit e tjerë të shërbimit pyjor, punonjësit e pushtetit vendor që mbulojnë pyjet dhe pronarët privatë, në rastet kur konstatojnë shkelje të dispozitave të këtij ligji, janë të detyruar të njoftojnë menjëherë Policinë Pyjore për të kryer procedurat e nevojshme.”. Neni 5 Në nenin 38 bëhen shtesat si më poshtë: 1. Në pikën 1, pas shkronjës “r” shtohet shkronja “rr” me këtë përmbajtje: “rr) mosnjoftimi i inspektoratit për shkeljet e konstatuara nga subjektet e përcaktuara në pikën 4 të nenit 37 përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me 10 000 (dhjetë mijë) lekë gjobë.”. 2. Pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje: “3. Sipas nevojave të rastit, krahas dënimit kryesor me gjobë, merren edhe masa urgjente në përputhje me ligjin për inspektimin.”. Neni 6 Neni 40 ndryshohet si më poshtë: “Neni 40 Vendimi për kundërvajtjet administrative dhe ankimi 1. Inspektori i Policisë Pyjore merr vendimin për marrjen e masave urgjente, caktimin e dënimit kryesor dhe dënimeve plotësuese, në përputhje me ligjin për inspektimin. 2. Në zbatim të këtij ligji dënime plotësuese janë: a) masa e sekuestros, sipas nenit 39 të këtij ligji; b) mbyllja e përhershme e veprimtarive dhe çmontimi i instalimeve, sipas nenit 40/3 të këtij ligji. 3. Ndaj vendimit të dhënë në zbatim të këtij neni mund të bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin.”. Neni 7 Neni 40/1 ndryshohet si më poshtë: “Neni 40/1 1. Për çdo rast të kryerjes së kundërvajtjes administrative apo veprës penale në pyje, nga inspektori vlerësohet edhe dëmi që është shkaktuar. 2. Struktura menaxhuese e sipërfaqeve pyjore, pronë shtetërore, ose njësia përkatëse e qeverisjes vendore që ka në pronësi sipërfaqen pyjore, në të cilën ka ndodhur kundërvajtja, janë të detyruara të kërkojnë, në çdo rast, shpërblimin e dëmit nga kundërvajtësi. Këtë të drejtë e gëzon edhe pronari privat për sipërfaqen në pronësi të tij. 3. Në zbatim të këtij neni, Policia Pyjore njofton subjektet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni për dënimin e konstatuar dhe u përcjell atyre të gjithë praktikën përkatëse. 4. Kriteret dhe mënyra e caktimit të vlerës së dënimit të shkaktuar miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”. Neni 8 Dispozitë kalimtare Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj. Neni 9 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 14.2.2013 Shpallur me dekretin nr. 7995, datë 1.3.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani