Skip to content
Nelum
Laws of Albania

Law No. 20/2025 on the Mountain Package

Made 2025-03-13 · Text as of 2026-10-01

Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.

About this law

Original title
Ligj Nr. 20/2025 për paketën e maleve.
Language
Albanian
Kind
Act
Country
Albania
Subjects
Agricultural and rural development, Environment, Land and soil
Keywords
agricultural development, agricultural land, basic legislation, contracts, farming, financial agricultural measures, taxes, tourism, business/industry/corporations, governance, local government, property rights, standards, fiscal and market measures, green economy, labour, biodiversity, waste disposal, waste management, authorization/permit, investment, land reform, land tenure, legal proceedings/administrative proceedings, mountain area, special fund, subsidy/incentive, transfer rights, use restrictions, desertification, inspection, monitoring, cadastre/land registration, hazards
Categories
*

Where to read it

Text

The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.

  1. LIGJ Nr. 20/2025 PËR PAKETËN E MALEVE Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi Ky ligj ka për qëllim tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik apo turistik në zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, përmes kalimit të pronësisë së pronës së paluajtshme shtetërore tek individët dhe/ose personat fizikë e juridikë posedues jopronar me destinacion investimin në projekte që mundësojnë rimëkëmbjen ekonomike, nxitjen e punësimit në zonë, përmirësimin e kushteve të jetesës, shfrytëzimin eficient të burimeve natyre, mbrojtjen e ekosistemit dhe vlerave territoriale, në përputhje me parimet e transparencës dhe mbrojtjes së interesit publik. Neni 2 Objekti Objekti i këtij ligji është përcaktimi i procedurave, kritereve, rregullave dhe afateve procedurale për miratimin dhe zhvillimin e zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, procedurave të kalimit të pronësisë së pronës së paluajtshme shtetërore te poseduesit jopronarë me çmim simbolik 1 (një) euro, si dhe rregullave specifike për investitorët, duke garantuar përdorimin e saj për investime të qëndrueshme dhe zhvillimin e territorit. Neni 3 Përkufizimet Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: a) “Kontrata e kalimit të pronësisë” është marrëveshja e lidhur ndërmjet palës shitëse të pasurisë së paluajtshme shtetërore, të përfaqësuar nga titullari i ministrisë përgjegjëse për ekonominë apo personi i autorizuar prej tij, në cilësinë e pronarit shtet, dhe pala blerëse, e përfaqësuar nga poseduesi jopronar, emri i të cilit figuron në kartelën e pasurisë së paluajtshme shtetërore si posedues jopronar i pasurisë, me objekt kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 (një) euro; b) “Investitor” është personi fizik ose juridik, i regjistruar në regjistrin tregtar, në përputhje me legjislacionin vendas ose të huaj, sipas rastit, që kryen një investim në përputhje me 2 parashikimet e këtij ligji dhe paraqet kërkesë në marrëveshje me poseduesin jopronar për realizimin e një projekti investimi; c) “Poseduesi jopronar” është individi, personi fizik ose juridik i identifikuar gjatë zbatimit të dispozitave të këtij ligji, i cili ka ushtruar dhe ushtron posedim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë prej të paktën 10 (dhjetë) vjetësh mbi pasurinë e paluajtshme shtetërore, duke e përdorur atë sikur të ishte ai pronari i saj. Për qëllime të këtij ligji, konsiderohen posedues jopronarë edhe ata individë që nuk e përdorin pasurinë, por vërtetojnë lidhjen e tyre me pasurinë për të cilën nuk janë pajisur me titull pronësie sipas legjislacionit në fuqi dhe kërkojnë ta zhvillojnë atë nëpërmjet një investimi; ç) “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” (në vijim zonë zhvillimi) është zona e miratuar sipas këtij ligji, e cila për shkak të karakteristikave që ofron peizazhi, burimet natyrore, trashëgimia kulturore apo tërësisë së aktiviteteve në natyrë që ofrojnë, përbëjnë potencial për zhvillimin e ekonomisë dhe nxitjen e investimeve, të cilat mund të arrihen përmes një mbështetjeje të posaçme, me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, nxitjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të jetesës, shfrytëzimin me eficiencë të burimeve të natyrës, mbrojtjen e ekosistemit, të vlerave territoriale, konsolidimin e marrëdhënieve të pronësisë, lehtësimin e procedurave administrative, të aplikimit të instrumenteve ekonomike të favorshme, me qëllim nxitjen e investimeve dhe diversifikimin e ekonomisë malore, në përputhje me parimet ndërkombëtare/bashkëkohore për zhvillimin në zonat malore. Neni 4 Përcaktimi i zonave me prioritet zhvillimi 1. Ministri përgjegjës për pushtetin vendor, me kërkesë të argumentuar të bashkisë kompetente, mund t’i propozojë Këshillit të Ministrave shpalljen e territorit të bashkisë apo të pjesës malore të atij territori si zonë zhvillimi. Vendimi i Këshillit të Ministrave përmban kufijtë e zonës dhe llojet e aktiviteteve që miratohen për t’u zhvilluar sipas këtij ligji në atë zonë. 2. Kërkesa për shpalljen e zonës së zhvillimit motivohet kryesisht nga nevoja për nxitjen dhe realizimin e potencialit të zhvillimit ekonomik, industrial apo turistik të zonës. Kjo kërkesë argumentohet me praninë e poseduesve jopronarë në territorin e zonës, si dhe me vështirësitë e hasura në dhënien e akteve të zhvillimit të territorit (leje zhvillimi dhe ndërtimi) në raport me pjesën tjetër të territorit, si pasojë e mosrregullimit të marrëdhënieve juridike të pronësisë private mbi tokën. 3. Pas shpalljes së zonës së zhvillimit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (në vijim ASHK-ja) fillon menjëherë procedurën e regjistrimit fillestar të zonave kadastrale, që përfshihen në zonën për zhvillim, nëse këto procedura nuk janë kryer më parë, në përputhje me rregullat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për kadastrën. Kur zona i është nënshtruar më parë regjistrimit fillestar, nëse është e nevojshme, ASHK-ja kryen procedurat për përmirësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, sipas të njëjtit legjislacion. 4. Rregullat e hollësishme për dokumentacionin dhe procedurën e shpalljes së zonës prioritare të zhvillimit përcaktohen me udhëzimin e ministrit përgjegjës për pushtetin vendor. KREU II PROCEDURA E NJOHJES SI POSEDUES JOPRONAR Neni 5 E drejta për t’u njohur “posedues jopronar” Pas shpalljes së zonës së zhvillimit, subjekteve (persona fizikë, juridikë apo individë), që zotërojnë pa titull pronësie pasuri shtetërore brenda kësaj zone, u lind e drejta të njihen si “posedues jopronarë”, me vendim të këshillit bashkiak përkatës, sipas procedurës së këtij kreu. 3 Neni 6 Kërkesa 1. Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave, që shpall zonën e zhvillimit, subjektet paraqesin aplikimin pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore për njohjen si posedues jopronarë, të shoqëruar me plan rilevimi të sipërfaqes së poseduar, të hartuar nga një ekspert gjeodet i licencuar. 2. Poseduesi jopronar bashkangjitur kërkesës paraqet edhe dokumentacion provues ose informacion për këtë posedim, për cilësitë e përcaktuara në shkronjën “c”, të nenit 3, nëse ka të tillë, si vijon, por pa u kufizuar në: a) dokumentacion tatimor për aktivitet ekonomik mbi pronën; b) fatura të shërbimeve të lidhura me pronën; c) deklarata/dëshmi nga banorët dhe autoritetet vendore që konfirmojnë përdorimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh të pronës; ç) fotografi, ortofoto ose prova të tjera materiale që vërtetojnë posedimin; ose d) dokumentacionin që vërteton lidhjen e tij me pasurinë. 3. Mungesa e dokumentacionit për posedimin nuk pezullon procedurën administrative për njohjen e tij si “posedues jopronar” dhe nuk passjell rrëzimin e kërkesës për sa kohë që nuk paraqiten prova apo pretendime nga të tretët përgjatë afatit të afishimit publik sipas përcaktimeve në nenin 10 të këtij ligji dhe nëse nuk rezulton problematikë me gjendjen juridike të pasurisë gjatë procesit të verifikimit, sipas nenit 7 të këtij ligji. 4. Rregullat e hollësishme për mënyrën e paraqitjes së aplikimit dhe procedurat e brendshme administrative për zbatimin e këtij neni pranë bashkive përcaktohen me udhëzim të kryetarit të bashkisë, në varësi të rrethanave të posaçme të secilës zonë. Neni 7 Verifikimet që kryhen nga bashkia 1. Bashkia kompetente brenda 30 (tridhjetë) ditëve nis evidentimin në terren të sipërfaqeve, objekt të kërkesave të administruara, duke verifikuar gjendjen e posedimit të pasurisë nga subjektet, për të cilën mban procesverbalin përkatës. 2. Krahas evidentimit në terren, bashkia kërkon informacion për gjendjen juridike të pasurisë, faktin nëse përfshihet në proceset kalimtare të pronësisë, si dhe për faktin nëse ajo është inventarizuar apo jo nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Gjithashtu, kërkon informacion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për faktin nëse për sipërfaqen ka ose jo vendim për kthimin ose kompensimin fizik në favor të ish-pronarëve, sipas legjislacionit përkatës. Këto institucione duhet t’i kthejnë përgjigje bashkisë brenda 20 (njëzet) ditëve nga administrimi i kërkesës sipas legjislacionit në fuqi. Neni 8 Kriteret e lidhura me pronën 1. Sipërfaqja e pronës, objekt i kërkesës së subjektit, pavarësisht llojit të saj, duhet të plotësojë njëkohësisht këto kritere: a) të jetë pasuri shtetërore. Objekt i procedurave sipas këtij ligji janë edhe tokat në pronësi shtetërore, që janë inventarizuar në përgjegjësi administrimi të institucioneve qendrore, si dhe ato që janë transferuar në pronësi ose në përdorim te njësitë e vetëqeverisjes vendore, me kusht që sipërfaqja e pretenduar nga subjekti të mos përfshijë gjurmën e objekteve shtetërore. Në këto raste, procedura sipas këtij kreu vijon pas marrjes së pëlqimit nga institucioni administrues. Përjashtimisht, trajtohen sipas këtij ligji edhe rastet e sipërfaqeve që figurojnë në pronësi shtetërore në regjistrin e pasurive të paluajtshme, por për të cilat subjekti kërkues disponon 4 dokumentacion pronësie të paregjistrueshëm sipas Kodit Civil dhe/ose legjislacionit në fuqi për kadastrën, me kusht që për tokën të mos ketë njëkohësisht edhe tituj pronësie të të tretëve, qoftë edhe të paregjistrueshëm; b) të mos jetë pronë publike e patjetërsueshme. Në kuptim të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për pronat e paluajtshme të shtetit, llojet e pasurisë “pyll”, “kullotë” “livadh” nuk janë të patjetërsueshme dhe mund t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë sipas këtij ligji; c) nuk i shërben operacionalitetit të Forcave të Armatosura, sipas legjislacionit në fuqi për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë; ç) të mos rëndojnë mbi të të drejta reale të të tretëve; d) të mos jetë objekt i procedurave të fitimit të pronësisë sipas ligjit nr. 20/2020 dhe ligjeve të tjera të posaçme, që parashikojnë fitimin e pronësisë nëpërmjet procedurave administrative. Rastet kur, bazuar në legjislacionin e mësipërm, janë marrë vendime për rrëzimin e kërkesës së kalimit të pronësisë, trajtohen në përputhje me parashikimet e këtij ligji; dh) të mos jetë marrë për të vendimi i kthimit ose i kompensimit fizik të ish-pronarëve, sipas legjislacionit përkatës. 2. Kriteret e parashikuara në pikën 1 të këtij neni verifikohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Neni 9 Refuzimi i plotë ose i pjesshëm i kërkesës 1. Nëse pas administrimit të informacionit nga ASHK-ja dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave, dhe verifikimit të kushteve të lidhura me tokën e me subjektin sipas këtij ligji, bashkia konstaton se sipërfaqja e përcaktuar në planin e rilevimit, në tërësinë e saj, nuk përmbush njërin prej kushteve të përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji apo se nga dokumentacioni ka prova ose informacion se subjekti nuk plotëson kushtet, sipas kuptimit të shkronjës “c”, të nenit 3 të këtij ligji, ajo i kthen përgjigje subjektit kërkues duke e informuar atë për pamundësinë e vijimit të procedurës së njohjes si “posedues jopronar” sipas këtij ligji. 2. Përjashtimisht, nëse vetëm një pjesë e sipërfaqes së planit të rilevimit nuk përmbush kushtet, bashkia i kërkon subjektit të shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nëse është dakord me vijimin e procedurës vetëm për pjesën e mbetur, sipas planit të ri të rilevimit të hartuar nga vetë bashkia apo të porositur prej saj. Nëse subjekti nuk shprehet brenda këtij afati, prezumohet se ai ka refuzuar vijimin e procedurës për pjesën e mbetur. Neni 10 Afishimi dhe miratimi nga këshilli bashkiak 1. Pas përfundimit të procedurës së përcaktuar në nenin 9 të këtij ligji, për pasuritë apo pjesët e tyre që përmbushin kushtet, bashkia kryen njoftimin me afishim publik për 45 (dyzet e pesë) ditë në ambientet e saj, në një vend tjetër publik brenda territorit të zonës, si dhe në faqen zyrtare të saj të internetit. Afishimi përmban listën e subjekteve me sipërfaqet respektive, përshkrimin e vendndodhjes së tyre dhe shoqërohet nga planet e rilevimit përkatëse. 2. Nëse gjatë afishimit publik paraqiten pretendime nga të tretë për pronësinë mbi pasurinë, të mbështetur në dokumentacion fitimi pronësie, qoftë edhe të paregjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme apo paraqiten prova, apo informacion prej tyre për faktin se subjekti nuk përmbush kushtet sipas shkronjës “c”, të nenit 3 të këtij ligji, bashkia i kthen përgjigje subjektit kërkues, duke e informuar atë për pamundësinë e vijimit të procedurës së njohjes si “posedues jopronar” sipas këtij ligji. Përjashtimisht, nëse vetëm një pjesë e sipërfaqes së planit të rilevimit pretendohet nga të tretët apo për të paraqiten prova/indicie se nuk është ushtruar posedimi sipas kushteve të këtij ligji, bashkia i kërkon subjektit të shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nëse 5 është dakord me vijimin e procedurës vetëm për pjesën e mbetur, sipas planit të ri të rilevimit të hartuar nga vetë bashkia apo të porositur prej saj. Nëse subjekti nuk shprehet brenda këtij afati, prezumohet se ai ka refuzuar vijimin e procedurës për pjesën e mbetur. Nuk pengojnë vijimin e procedurës pretendimet e të tretëve, të cilat nuk bazohen as në dokumentacion pronësie, as në dokumentacion që tregon rrethana të lidhura me cilësitë që duhet të plotësojë “pronari joposedues”, sipas përkufizimit në shkronjën “c”, të nenit 3 të këtij ligji. 3. Pas përfundimit të afatit të njoftimit përmes afishimit publik, bashkia harton listën e subjekteve që kërkojnë të njihen si “posedues jopronarë” dhe planrilevimet e sipërfaqeve përkatëse, të cilat i paraqiten për miratim këshillit bashkiak, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i afatit të njoftimit përmes afishimit publik. Këshilli bashkiak shprehet brenda 20 (njëzet) ditëve nga dërgimi i dokumentacionit. Pas miratimit të listës së poseduesve jopronarë, bashkia ose poseduesi jopronar paraqesin kërkesë në ASHK, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për kadastrën, për pasqyrimin e poseduesit jopronar në kartelën e secilës prej pasurive. 4. Në rastet e subjekteve që paraqesin rishtazi kërkesë për njohjen si “posedues jopronarë”, bashkia harton lista të reja ose dokumentacionin individual për një subjekt, nëse është rasti, duke ndjekur të njëjtat procedura të parashikuara në këtë kre. KREU III KALIMI I PRONËSISË, ZHVILLIMI DHE LEHTËSITË Neni 11 Miratimi i lejes së zhvillimit nga autoritetet e zhvillimit të territorit 1. Poseduesi jopronar, i njohur si i tillë me vendim të këshillit bashkiak, emri i të cilit figuron në kartelën e pasurisë së paluajtshme shtetërore, pavarësisht faktit se nuk ka fituar ende titullin e pronësisë mbi sipërfaqen, ka të drejtë të paraqesë kërkesën për marrjen e lejes së zhvillimit për të apo për një pjesë të saj, duke iu drejtuar Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. 2. Për rastet e parashikuara në këtë ligj, miratohet leja e zhvillimit, pavarësisht nëse sipërfaqja gjendet në zonën për të cilën nuk ka ende dokumente të miratuara të planifikimit të territorit ose kur, edhe nëse ka të tilla, ato nuk parashikojnë kryerjen e ndërtimeve, sipas destinacionit të kërkuar. Vlerësimi i kërkesës për leje zhvillimi bëhet në bazë të projektit paraprak të veprës, që synohet të ndërtohet nga vetë poseduesi apo nga investitori që ka lidhur marrëveshje me të, i cili i bashkëlidhet kërkesës për leje zhvillimi. Pavarësisht parashikimeve të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autoriteti kompetent për miratimin e lejes së zhvillimit në këto rrethana është Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (në vijim KKTU). 3. Sipërfaqet që trajtohen sipas parashikimeve të këtij ligji i nënshtrohen në çdo rast miratimit të lejes zhvillimit, sipas parashikimeve të këtij neni. Për këto sipërfaqe nuk zbatohen rastet e përjashtimit nga detyrimi për marrjen e lejes së zhvillimit të parashikuara nga legjislacioni për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. 4. Kërkesa shqyrtohet në përputhje me parashikimet e legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, me përjashtim të kushtit për pasjen e titullit të pronësisë, si dhe të çështjeve që rregullohen posaçërisht nga ky ligj, të cilat nuk pengojnë miratimin e lejes së zhvillimit për qëllimet e këtij ligji. Në rastet kur është pajisur me leje zhvillimi vetëm për një pjesë të sipërfaqes për të cilën është njohur si posedues jopronar, ky i fundit ka të drejtë të paraqesë rishtas kërkesa për leje zhvillimi për pjesët e mbetura. Neni 12 Kërkesa për blerje në ministrisë përgjegjëse 6 1. Pas marrjes së lejes së zhvillimit, poseduesi jopronar ka të drejtë të paraqesë në ministrinë përgjegjëse për ekonominë kërkesën për blerjen e sipërfaqes së përfshirë në lejen e zhvillimit, me vlerën simbolike 1 (një) euro të shoqëruar me: a) vendimin e këshillit bashkiak për njohjen si posedues jopronar; b) projektin e zhvillimit të veprës, të shoqëruar nga vendimi për lejen e zhvillimit; c) marrëveshjen e lidhur me investitorin, në rast se nuk do ta zhvillojë vetë sipërfaqen. 2. Ministria përgjegjëse për ekonominë, bazuar në dokumentacionin e pikës 1 të këtij neni, kryen shqyrtimin e kërkesës brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga paraqitja e saj dhe e njofton subjektin për pranueshmërinë ose jo të kërkesës. Në rast mosplotësimi të kushteve të mësipërme, informon në mënyrë të arsyetuar kërkuesin për shkaqet e mospranimit. 3. Procedurat e kalimit të pronësisë sipas këtij ligji kryhen në çdo rast vetëm për atë pjesë të sipërfaqes që përfshihet në gjurmën e lejes së zhvillimit. Për pjesët e tjera të sipërfaqes për të cilën subjekti është njohur si posedues jopronar, të cilat nuk i nënshtrohen zhvillimit, subjekti ruan të drejtën për të kërkuar njohjen si pronar sipas parashikimeve të Kodit Civil, nëse plotëson kushtet e parashikuara në të apo kur t’i plotësojë këto kushte. Neni 13 Kontrata e shitjes 1. Në rast pranimi të kërkesës, ministria përgjegjëse për ekonominë fton poseduesin jopronar për lidhjen e kontratës së shitjes me kusht, me vlerën simbolike 1 (një) euro, ku kushti konsiston në marrjen e certifikatës së përdorimit. 2. Kontrata e shitjes me kusht regjistrohet në përputhje me rregullat e legjislacionit për kadastrën. Kalimi i pronësisë mbi sipërfaqen pasqyrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme vetëm pas plotësimit të kushtit. 3. Ministria përgjegjëse për ekonominë pas njoftimit të autoritetit kompetent për kontrollin e zhvillimit ka të drejtë ta zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme nëse pas kalimit të 3 (tre) vjetëve nga lidhja e saj nuk kanë nisur ende punimet për ndërtimin e veprës. Zgjidhja e njëanshme e kontratës pasqyrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Neni 14 Leja e ndërtimit 1. Pas regjistrimit të kontratës së shitjes, pronari dhe investitori, që ka lidhur marrëveshje me të, kanë të drejtë të aplikojnë përkatësisht për pajisjen me leje ndërtimi për pjesën e sipërfaqes në posedim për të cilën është lidhur kontrata, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, për aq sa këto të fundit nuk bien në kundërshtim me këtë ligj. Leja e ndërtimit miratohet nga KKTU-ja. 2. Në rast se gjatë shqyrtimit të kërkesës për leje ndërtimi rezulton se sipërfaqja ose projekti për të cilin kërkohet miratimi i kësaj lejeje, është më e vogël nga ajo për të cilën është lidhur kontrata, pezullohet miratimi i lejes së ndërtimit deri në ndryshimin e kontratës. Në këtë rast, ministria përgjegjëse për ekonominë lidh kontratën ndryshuese vetëm për sipërfaqen për të cilën është kërkuar miratimi i lejes së ndërtimit. 3. Autoriteti kompetent për kontrollin e zhvillimit të territorit monitoron zbatimin e lejes së ndërtimit dhe informon ministrinë përgjegjëse për ekonominë. Leja e ndërtimit e humbet vlefshmërinë e saj nëse punimet për veprën nuk nisin brenda 2 (dy) vjetëve nga miratimi i saj. Neni 15 Lehtësitë 7 1. Subjektet, që përfitojnë pronësinë mbi sipërfaqet sipas këtij ligji e që realizojnë projektin dhe ushtrojnë aktivitetin e deklaruar prej tyre, përfitojnë për një periudhë 10-vjeçare: a) përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë; b) përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme; c) përjashtim nga TVSH-ja; ç) përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat. 2. Në çdo rast, lehtësitë, sipas pikës 1 të këtij neni, nuk mund të përfitohen nga më tepër se sa 500 (pesëqind) subjekte, që kanë fituar pronësinë sipas këtij ligji në të gjithë territorin e vendit. Në rast se numri i përgjithshëm i kërkesave të kalimit të pronësisë e tejkalon këtë shifër, ndiqet parimi i “të parit në kohë”, në raport me momentin e paraqitjes së kërkesës së kalimit të pronësisë, duke hequr nga rendi më pas edhe rastet e kërkesave që nuk procedohen dot për shkak të mosplotësimit të kushteve të tjera të këtij ligji. 3. Rregullat dhe procedurat për mënyrën e përfitimit të lehtësive sipas këtij neni përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat. KREU IV DISPOZITA TË FUNDIT Neni 16 E drejta e ankimit Kundër vendimeve administrative të nxjerra nga organet kompetente në kuadër dhe sipas përcaktimeve të këtij ligji, individët, si dhe personat fizikë dhe/ose juridikë të interesuar, brenda 30 ditëve mund të ushtrojnë ankim administrativ pranë institucionit që ka marrë vendimin në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative, si dhe më tej ankim gjyqësor sipas rregullave të ligjit për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. Neni 17 Aktet nënligjore 1. Ngarkohet ministri përgjegjës për pushtetin vendor dhe ministri përgjegjës për financat që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë udhëzimet për dokumentacionin dhe procedurën e shpalljes së zonës prioritare të zhvillimit, si dhe për mënyrën e përfitimit të lehtësive, sipas neneve 4 dhe 15 të këtij ligji. 2. Ngarkohen kryetarët e bashkive që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të miratojnë udhëzimin për mënyrën e paraqitjes së aplikimit dhe procedurave të brendshme administrative për zbatimin sipas nenit 6 të këtij ligji. Neni 18 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 13.3.2025. KRYETARE Elisa Spiropali

Law No. 20/2025 on the Mountain Package · Nelum