Law no. 14, dated 8 February 2024 on the approval of the National Security Strategy of the Republic of Albania
Made 2024-02-08 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Original title
- Ligj Nr. 14, datë 8.2.2024 për miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
- Language
- Albanian
- Kind
- Act
- Country
- Albania
- Subjects
- Environment, General
- Keywords
- hazards, pests/diseases, policy/planning, public health, climate change, protection of environment
Where to read it
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
1. HYRJE Strategjia e Sigurisë Kombëtare për periudhën e parashikuar 2023–2028, në vijim të Strategjisë së mëparshme të vitit 2014, synon të pasqyrojë në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse sfidat dhe kërcënimet kryesore për sigurinë kombëtare të vendit tonë, si dhe të përfshijë përgjigjet institucionale ndaj tyre në harkun kohor 2023–2028. Që prej vitit 2014 jemi ndeshur me një përkeqësim të dukshëm të sigurisë ndërkombëtare dhe të efekteve negative mbi sigurinë e Evropës, rajonit dhe të vendit tonë. Paralelisht ngjarje të tjera madhore, si: tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia globale SARS-CoV-2 e tre vjetëve të fundit, prekën ndjeshëm sigurinë e vendit tonë, duke sjellë kosto njerëzore, ekonomike dhe sociale, duke evidentuar veçanërisht domosdoshmërinë e nxjerrjes së mësimeve të duhura për përballimin efektiv të fenomeneve të tilla, si dhe përmirësimin e nevojshëm në dimensionet strukturale dhe organizative. 1 Ndërsa që prej 24 shkurtit 2022 po përballemi me ndryshime edhe më dramatike në panoramën e sigurisë ndërkombëtare, të cilat kanë vënë në pikëpyetje të gjithë arkitekturën e sigurisë evropiane që pas Luftës së Ftohtë. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës ka kthyer në Evropë luftën frontale duke sjellë një konfrontim të ashpër politiko-ushtarak, por edhe një polarizim të skajshëm mes vendeve demokratike dhe fuqive autoritare, disa prej të cilave po shfaqen gjithnjë e më tepër si rivale sistemike të vlerave demokratike. Gjithashtu, fuqizimi i autoritarizmit në shkallë globale, i shoqëruar me cenimin e demokracisë, po rrezikon zhbërjen e multilateralizmit, i cili ka karakterizuar marrëdhëniet ndërkombëtare që pas Luftës së Ftohtë. Rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është aktualisht i sfiduar nga përdorimi agresiv i forcës ushtarake për pushtim territoresh, ndërkohë që regjimi i kontrollit të armëve thuajse është zhbërë tërësisht. Krahas ndryshimeve gjeopolitike dhe kërcënimeve të shtuara të sigurisë, sfida të rëndësishme shfaqen dhe në hapësirën kibernetike, ku teknologjia mund të përdoret në çdo kohë si armë kundër qëndrueshmërisë sociale, ekonomike dhe politike. Kërcënimet e sigurisë bëhen dhe më sfiduese, për shkak të mungesës së një regjimi të kontrollit të armëve kibernetike. Këto zhvillime negative kanë thelluar më tej rivalitetin gjeostrategjik të viteve të fundit dhe kanë përkeqësuar më tej problematikat ekzistuese ekonomiko-sociale në shkallë të gjerë, duke afektuar negativisht sferën energjetike në shkallë globale, duke sjellë tkurrje të ndjeshme të parashikimeve të rritjes ekonomike globale, shtim të inflacionit, si dhe rritje të lartë të çmimeve të lëndëve të para. Po ashtu, zhvillimet e lartpërmendura cenojnë rëndë sigurinë ushqimore, duke e bërë konkret rrezikun e një krize të rëndë ushqimore gjatë dy–tre vjetëve të ardhshëm, e cila, veçanërisht në vendet e varfra, mund të ketë efekte shpërthyese social–politike, me të gjitha pasojat negative të mundshme, përfshirë konflikte rajonale dhe valë të përtëritura emigracioni drejt Evropës. Natyrshëm, këto efekte negative prekin edhe vendin tonë, por krahas tyre siguria e vendit është përballur, ndërkohë edhe me theksimin eksponencial të disa kërcënimeve të sofistikuara konkretisht si sulmet kibernetike në vitin e kaluar ndaj sistemeve tona online, apo aktivitetet e inteligjencës dhe ato influencuese për të rritur ndikimin politik dhe ekonomik të aktorëve globalë kundërshtarë të sistemit demokratik. Situata aktuale ka krijuar në këtë mënyrë një akumulim sfidash dhe kërcënimesh, të cilat shtrihen nga dimensioni klasik i riaktualizimit të mbrojtjes ushtarake të territoreve, te terrorizmi dhe përdorimi i efekteve të teknologjive në zhvillim në formë dëmtuese/çorientuese e deri në ndryshime klimatike e rreziqe mjedisore. Si të tilla, ato sjellin me vete një paparashikueshmëri të lartë, si dhe vështirësi objektive për përballimin e tyre efektiv në nivel thjesht kombëtar.
2. INTERESAT STRATEGJIKË Në nivelin global, interesat strategjikë të Shqipërisë burojnë nga përkatësia e saj politike perëndimore, si vend anëtar i NATO-s, vend kandidat i Bashkimit Evropian, si dhe nga sistemi i saj politik demokratik. Kështu, interesat kryesorë strategjikë të Shqipërisë janë mbrojtja dhe siguria e territorit të mbuluara nga klauzolat e Traktatit të Atlantikut të Veriut, rivendosja e paqes në kufijtë e territorit të BE-së, rivendosja dhe mirëfunksionimi i arkitekturës së sigurisë evropiane, lufta kundër terrorizmit, fuqizimi në shkallë globale i Demokracisë dhe Multilateralizmit, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve dhe e konflikteve mes shteteve, rivendosja e arkitekturës ndërkombëtare të kontrollit të armëve, angazhimi global kundër ndryshimeve klimatike, rritja e sigurisë energjetike dhe asaj ushqimore, përpjekjet e përbashkëta ndërkombëtare për të reduktuar problemet sociale në vendet e origjinës të valëve të emigracionit drejt Evropës si dhe forcimi i rolit dhe i angazhimit ndërkombëtar të Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti. Në nivelin rajonal, interesat strategjikë të Shqipërisë burojnë nga përkatësia e saj politike perëndimore dhe natyrshëm janë dhe interesat e saj kombëtarë. Ata janë konsolidimi i mëtejshëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon, konsolidimi dhe përshpejtimi i perspektivës euroatlantike dhe evropiane të rajonit nëpërmjet zgjerimit të NATO-s dhe zgjerimit të BE-së, zgjidhja paqësore e problematikave të bartura ndërshtetërore, përballimi efektiv i ndërhyrjeve dëmprurëse, keqdashëse dhe influencuese të palëve të treta, pengimi aktiv i përhapjes së mundshme të destabilizimit, si rrjedhojë e përkeqësimit të situatës së sigurisë evropiane, shndërrimi i rajonit në një treg të integruar nëpërmjet heqjes së barrierave dhe ndërtimit të infrastrukturave të përbashkëta për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve, mallrave dhe kapitaleve, thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe energjetik me interes të ndërsjellë, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare. 2 Në nivelin kombëtar, interesat strategjikë të Shqipërisë natyrisht përkojnë me interesat e saj kombëtarë. Ato burojnë nga vlerat themelore të përcaktuara në Kushtetutë, nga përkatësia e saj politike dhe nga sistemi i saj politik demokratik. Në suazën e tyre janë integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Shqipërisë, siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, si parakushte themelore për ekzistencën e shtetit me të gjitha funksionet e tij dhe të një shoqërie të qëndrueshme. Me rëndësi strategjike për Shqipërinë janë edhe përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, forcimi i mbrojtjes kibernetike, përforcimi i dimensionit të qëndrueshmërisë, me theks të veçantë në forcimin e mëtejshëm të aftësive për të parandaluar përpjekjet për depërtim ekonomiko-financiar të fuqive të huaja jomiqësore, si dhe ndërhyrjet e tyre keqdashëse, forcimi i sigurisë së infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme, rritja e sigurisë energjetike, asaj ushqimore dhe asaj shëndetësore. Gjithashtu, në këtë suazë janë dhe lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, menaxhimi i duhur i fatkeqësive natyrore, intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar, dhe korrupsionit, përforcimi i sundimit demokratik të ligjit, krijimi i një klime të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja të sigurta, si dhe zhvillimi arsimor dhe kulturor i vendit. Po ashtu, me rëndësi të veçantë është edukimi kombëtar që në kohë paqeje me vlerat e demokracisë, tolerancës etnike dhe fetare, si dhe ato integruese e multikulturale1. Në suazën e interesave strategjikë të Shqipërisë vendoset dhe kontributi aktiv për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja e rrugëtimit të saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik, si dhe përfshirja e saj në nismat rajonale si A-5 etj.
3. MJEDISI STRATEGJIK Analiza e mjedisit strategjik të sigurisë, e shtjelluar në nivel global, rajonal dhe kombëtar, shërben për të përcaktuar përgjigjet institucionale të Republikës së Shqipërisë ndaj kërcënimeve për sigurinë e saj kombëtare në të tri nivelet dhe në harkun kohor 2023–2028. Që prej fillimit të agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, mjedisi strategjik i sigurisë paraqitet më i përkeqësuari që prej fundit të Luftës së Ftohtë. Koncepti i ri Strategjik i NATO-s, i aprovuar në korrik të vitit 2022, përcakton se tashmë ndodhemi në një kohë kritike për sigurinë, paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe se agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës ka ndikuar në mënyrë domethënëse në stabilitetin e paqes dhe sigurisë në rajon. Koncepti strategjik i NATO-s nënvizon, gjithashtu, se janë shkelur normat dhe parimet që kontribuuan në një rend të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë evropiane dhe se në kushtet aktuale nuk mund të përjashtohet mundësia e një sulmi kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të territorit aleat. Koncepti strategjik i NATO-s shprehet, gjithashtu, se konkurrenca strategjike, paqëndrueshmëria e përhapur dhe krizat e përsëritura përcaktojnë mjedisin aktual të sigurisë, ndërkohë që kërcënimet me të cilat përballemi, siç është kërcënimi i vazhdueshëm i terrorizmit, kanë natyrë globale, të ndërlidhur e të paparashikueshme. Edhe Kompasi Strategjik i BE-së, i aprovuar në vitin 2022, nënvizon se zona e BE-së është e rrethuar nga paqëndrueshmëria dhe konfliktet dhe përballet me luftë në kufijtë e saj. Kompasi shprehet po ashtu se gjendemi përballë një përzierjeje të rrezikshme të agresionit të armatosur, aneksimit të paligjshëm, shteteve të brishta, fuqive revizioniste dhe regjimeve autoritare dhe se ky mjedis strategjik është një terren pjellor për kërcënime të shumta ndaj sigurisë evropiane, si: terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe krimi i organizuar, konfliktet hibride dhe sulmet kibernetike, instrumentalizimi i emigrimit të parregullt, përhapja e armëve dhe dobësimi progresiv i arkitekturës së kontrollit të armëve. Kjo situatë evidenton faktin që, me gjithë tendencën e qartë pozitive të konsolidimit, siguria e vendit tonë, si vend anëtar i NATO-s dhe si vend kandidat i Bashkimit Evropian, është e ndërvarur nga siguria e territorit të Aleancës Atlantike dhe atij të BE-së, duke bërë që zhvillimet në situatën e sigurisë ndërkombëtare të kenë përparësi në krahasim me rreziqet me natyrë të brendshme. Situata aktuale në mjedisin e sigurisë ka krijuar kështu një akumulim sfidash dhe kërcënimesh me paparashikueshmëri të lartë. Paralelisht me shtimin e rreziqeve të lartpërmendura, Republika e Shqipërisë ka intensifikuar përpjekjet e saj për të rritur qoftë aftësitë ndaj përballimit të kërcënimeve me burim të brendshëm, qoftë 1 Në përputhje edhe me parashikimet e Konventës së Hagës “Mbi mbrojtjen e vlerave kulturale në rast konflikti të armatosur”, si dhe në protokollin dhe rregulloren mbi zbatimin e kësaj konvente, adoptuar nga Konferenca e UNESCO-s në Hagë më 14 maj 1954. 3 ndaj atyre me burim të jashtëm nëpërmjet një ndërveprimi gjithnjë e më intensiv në fushën e sigurisë me NATO-n, Bashkimin Evropian, partnerët strategjikë, si edhe me organizatat e tjera ndërkombëtare. a) Niveli global Agresioni ushtarak i Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe lufta frontale tashmë njëvjeçare në kufijtë e territorit të mbuluar nga prerogativat e Traktatit të Atlantikut të Veriut, kanë sjellë një përplasje të mprehtë gjeopolitike mes vendeve demokratike dhe atyre autoritare, duke vënë seriozisht në diskutim të gjithë arkitekturën e sigurisë të pas Luftës se Ftohtë në Evropë dhe më gjerë. Konflikti në Ukrainë ka sjellë, gjithashtu, më afër se kurrë mundësinë e një përplasjeje të armatosur konvencionale mes Federatës Ruse dhe NATO-s, si edhe rrezikun e përshkallëzimit të kësaj përplasjeje në një konflikt bërthamor. Gjithashtu, lufta në Ukrainë ka cenuar dimensionin energjetik në shkallë globale, ka shkaktuar tkurrje të ndjeshme të ekonomisë globale, rritje të lartë të çmimeve të lëndëve të para, si edhe ka cenuar rëndë sigurinë ushqimore. Në të njëjtën kohë, në arenën globale janë theksuar edhe veprimet dhe qëndrimet jokonstruktive dhe armiqësore të fuqive autoritare, si: Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, të cilat kanë zgjedhur të rreshtohen në krah të Rusisë, duke e mbështetur atë politikisht dhe në rastin e Iranit dhe Koresë së Veriut edhe me mjete ushtarake. Rendi global i pas Luftës së Ftohtë dhe, veçanërisht arkitektura e tij e sigurisë po kërcënohet nga qasja më agresive e fuqive autoritare me synime hegjemoniste dhe antidemokratike dhe përpjekjet e tyre intensive diplomatike, ushtarake, shërbimeve të inteligjencës dhe hibride, për të kushtëzuar vendimmarrjen ndërkombëtare, sipas interesave të tyre gjeostrategjikë. Këta aktorë do të vijojnë të paraqesin sfida dhe kërcënime të rëndësishme tradicionale, jotradicionale, hibride dhe asimetrike në sferën politike, ushtarake dhe ekonomike. Zhbërja e arkitekturës së kontrollit të armëve, si rrjedhojë e shkeljeve të njëanshme të detyrimeve ndërkombëtare dhe tërheqjes nga marrëveshjet ndërkombëtare të armë-kontrollit, të cilat kanë bërë të mundur ruajtjen e sigurisë evropiane për dekada, rrezikon përhapjen e pakontrolluar të armëve të dëmtimit në masë, si ato bërthamore, biologjike e kimike, duke rritur kërcënimin për përdorimin e tyre për synime gjeopolitike si nga aktorë shtetërorë, ashtu dhe joshtetërorë, në një masë më të ulët. Terrorizmi, në të gjitha format dhe manifestimet e tij, i përcaktuar në Konceptin Strategjik të NATO- s si kërcënimi asimetrik më i drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve të NATO-s, mbetet një kërcënim konstant krahas gamës së kërcënimeve asimetrike dhe hibride. Lindja e grupeve të reja terroriste apo i fraksioneve ekstremiste nga grupe të njohura, më synime zgjerim territori nën kontroll, aftësia e tyre për të përshtatur strategjinë, organizatën dhe mënyrat e veprimit, për të shfrytëzuar zona e rajone me vakum sigurie, apo për të plotësuar hapësirat e lëna pas nga paqëndrueshmëritë politike dhe konfliktet, vijon të përbëjë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare. Teknologjitë në zhvillim dhe çorientuese po sjellin në skenën e sigurisë ndërkombëtare kërcënime të reja, veçanërisht ato që lidhen me hapësirën kibernetike, manipulimin e të dhënave, keqpërdorimin e inteligjencës artificiale dhe përdorimin e saj për motive ushtarake dhe të sigurisë. Zhvillimi i programeve të avancuara për teknologji të dëmshme dhe çorientuese në mungesë të plotë të transparencës, nga aktorë të caktuar me synime mbizotërimi gjeopolitik, motive radikalizimi, aktiviteti terrorist dhe financim të këtyre aktiviteteve, si dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme, rrezikon të kthehen në kërcënime potenciale për sigurinë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e sigurisë energjetike dhe asaj kibernetike. Këtyre kërcënimeve i shtohen ndryshimi i kushteve klimatike, të cilat kanë potencial të sjellin implikime të reja social-ekonomike për sigurinë. Ato po shkaktojnë një efekt zinxhir, i cili shkon nga ngrohja globale dhe degradimi i mjedisit te rivaliteti për burime, emigracioni në rritje, përhapja e sëmundjeve dhe pandemive me impakt global në sigurinë shëndetësore dhe atë ushqimore nëpërmjet pakësimit të burimeve jetike, si uji i pijshëm dhe rritja e forcës shkatërruese të fatkeqësive natyrore, çka ka sjellë si pasojë lëvizjet e pakontrolluara të njerëzve, si drejt zonave urbane ashtu dhe në emigracion. Kështu, ndryshimet klimatike po marrin një rol më të rëndësishëm në ndryshimin e mjedisit global gjeopolitik, duke shkaktuar paqëndrueshmëri dhe fërkim më të madh politik brenda dhe ndërmjet vendeve e duke ndikuar në efektshmërinë e aktorëve shtetërorë dhe ndërkombëtarë për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe krizave humanitare. Gjithashtu, ato mund të ndikojnë në rritjen e konkurrencës dhe kërcënimeve ekzistuese, si dhe në balancat gjeopolitike. Situata globale e sigurisë ka sjellë dhe rritje të emigracionit të pakontrolluar, duke sfiduar kapacitetet e qeverive në mbarë botën për menaxhimin e flukseve të emigracionit, të cilat sa vijnë e bëhen më të 4 paparashikueshme. Ky fenomen ka shkaktuar tensionime politike të mprehta në vendet pritëse duke rrezikuar që t’i fraksionojë potencialisht shoqëritë, duke krijuar edhe kushte për rritjen e nominalizmave dhe ksenofobisë, shtimin e radikalizimit politik dhe fetar, por edhe margjinalizimit të grupimeve për shkak të etnisë, kombësisë, përkatësisë fetare. Për më tepër, këto flukse mund të shfrytëzohen nga grupet apo organizatat kriminale për trafikun njerëzor, por edhe nga organizatat terroriste për lëvizje operativësh me synime aktivitetet terroriste. Përdorimi i energjisë dhe i ushqimit si armë dhe mjet presioni nga ana e Federatës Ruse ka sjellë çrregullimin e tregjeve dhe çmimeve globale të hidrokarbureve dhe drithërave, duke konsoliduar një realitet të ri strategjik në Evropë. Sabotimi i gazsjellësve Nord Stream 1 dhe 2 në ujërat ndërkombëtare të Detit Baltik e ka bërë NATO-n dhe vendet e saj anëtare që t’i kushtojnë një vëmendje të shtuar ruajtjes së infrastrukturës kritike energjike dhe nënujore në territorin e vendeve aleate. Kalimi i gazsjellësit TAP në territorin e vendit tonë dhe në detin Adriatik merr një rendësi të shtuar strategjike në kontekstin aktual. Në të njëjtën kohë, situata aktuale energjetike ka shtuar përpjekjet e diversifikimit të burimeve energjetike, ndërkohë që në BE, veçanërisht po punohet për kalimin në përdorimin e energjisë së gjelbër, e cila kërkon edhe një transformim rrënjësor industrial. Ky kalim gradual nga energjia me karbon në një energji të pastër do të ketë ndikim edhe në sjelljen e vendeve që po e përdorin apo synojnë ta përdorin energjinë si armë apo mjet presioni, duke u pakësuar atyre avantazhet politike, si edhe do të sjellë ndryshime në marrëdhëniet gjeopolitike rajonale dhe globale. b) Niveli rajonal Koncepti Strategjik i NATO-s thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me kërcënime dhe sfida, mes të cilave ndërhyrjet dëmprurëse dhe keqdashëse të palëve të treta. Po ashtu, Kompasi Strategjik i BE-se thekson se siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor nuk janë ende të garantuara, edhe për shkak të rritjes së ndërhyrjeve të huaja, përfshirë fushatat e manipulimit të informacionit, si dhe për shkak të përhapjes së mundshme të destabilizimit nga përkeqësimi aktual i situatës së sigurisë evropiane. Vendet e rajonit kanë bërë progres të dukshëm në drejtim të demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe bashkëjetesës paqësore. Marrëdhëniet midis vendeve të rajonit janë përmirësuar dhe bashkëpunimi ka njohur rritje cilësore dhe sasiore. Konsolidimi dhe institucionalizimi i perspektivës euroatlantike dhe evropiane, zgjerimi i NATO-s apo zgjerimi i pritshëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor, kanë sjellë ndryshime rrënjësore pozitive në rajon, duke shërbyer si katalizatorë të reformave demokratike, të bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe të procesit të pajtimit. Tashmë, rajoni në pjesën më të madhe të tij, krahasuar me vite më parë, ka vullnet gjithnjë në rritje, dhe tashmë synon të jetë në gjendje të prodhojë stabilitet të brendshëm rajonal, por edhe të kontribuojë për sigurinë e paqen edhe në hapësira gjeopolitike përtej tij. Në bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal mbizotëron prirja drejt heqjes së barrierave përmes ndërtimit të infrastrukturave të përbashkëta për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve, mallrave dhe kapitaleve, duke synuar shndërrimin e rajonit në një treg të integruar, tërheqës dhe konkurrues për investimet e huaja. Vendet e rajonit kanë forcuar institucionet dhe mekanizmat e kundërvënies ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, uljes së ndikimit të proceseve radikalizuese, aktiviteteve të tjera të paligjshme, si krimi i organizuar dhe bashkëpunimi mes tyre është thelluar dhe ka dhënë efekte pozitive në rritjen e kundërvënies. Paralelisht, rajoni përballet me synimet e aktorëve globalë dhe mbështetës të tyre rajonalë, të cilët përpiqen të lëvizin nga shinat orientimin euroatlantik të vendeve të rajonit, nëpërmjet mjeteve diplomatike, aktiviteteve të inteligjencës edhe atyre influencuese keqdashëse. Aktorë të huaj synojnë të shfrytëzojnë çështjet ndëretnike, të cilat synojnë të influencojnë zhvillimet e brendshme politike, të nxisin nacionalizma e ekstremizma, si edhe të amplifikojnë problematikat ekzistuese për synime dhe avantazhe gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Po ashtu, rajoni vijon të përballet me një sërë kërcënimesh të përbashkëta, siç janë ekzistenca e krimit të organizuar me lidhje rajonale e më gjerë, influenca të jashtme dhe faktorë të brendshëm që mundësojnë radikalizmin dhe tendenca të ekstremizmit të dhunshëm, cenim të marrëdhënieve ndëretnike, nivel i lartë korrupsioni, krim ekonomik i favorizuar edhe nga shkalla e informalitetit, situatë problematike ekonomike dhe sociale, tranzicion i zgjatur dhe kulturë demokratike e pakonsoliduar, problematika të bartura ndërshtetërore dhe retorikë nacionaliste e shtuar. Pavarësisht vullneteve qeverisëse për të avancuar me proceset integruese, reformave në përmbushje të kritereve, në situata të caktuara më rëndësi për vendimmarrjen për avancimin e proceseve integruese, 5 ka përpjekje për shfrytëzim të problematikave të bartura historike, për t’i kushtëzuar, e për pasojë për t’i vonuar ato. Rajoni vijon të mbetet një rrugë tranziti për krimin e organizuar me lidhje rajonale e ndërkombëtare dhe trafiqet e tij. Grupet kriminale nën ndikim të atyre ndërkombëtare kanë sofistikuar mënyrat e operimit, rritur kapacitetet financiare të gjeneruara nga aktiviteti kriminal. Në sofistikimin e mënyrave të operimit përfshihet edhe zhvendosja e veprimtarisë së grupeve kriminale në hapësirën kibernetike duke e shfrytëzuar për lehtësimin e koordinimit të operacioneve të tyre përmes komunikimeve digjitale, si dhe për rritjen e kapaciteteve financiare përmes krimit kibernetik. Në vendet e rajonit nuk ka pasur akte terroriste, planet dhe synimet janë neutralizuar në kohë nga autoritetet ligjzbatuese, janë përforcuar masat kundër terrorizmit, zbatuar strategji efektive, reforma ligjore në luftën kundër terrorizmit dhe forcuar bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar. Gjithsesi, një numër i lartë të kthyerve, individë e mbështetës të radikalizuar nga ideologjia e organizatave terroriste, propaganda online për aktivitete indoktrinuese e radikalizuese, influencat e huaja për radikalizim të komuniteteve drejt linjave fondamentaliste e radikale, përbëjnë kërcënim afatgjatë për sigurinë. Rajoni është një nyjë e rëndësishme e linjës ballkanike të emigracionit të jashtëligjshëm, i cili synon vendet e Evropës, duke bërë që edhe grupet që merren me trafikimin e qenieve njerëzore të shtojnë aktivitetin e tyre në rajon. Mundësia e shfrytëzimit nga organizatat terroriste për të infiltruar operativë terroristë nuk është e përjashtuar dhe përbën kërcënim për sigurinë. Vendet e rajonit kanë problematika të përbashkëta, ku nevoja për garantimin e sigurisë energjetike mbetet prioritet. Teknologjia e vjetërsuar, ndërvarësia, nevoja për diversifikim të burimeve, janë sfidat reale për garantimin e furnizimit me energji të sektorëve të ekonomisë. Gjithashtu, teknologjia e vjetërsuar dhe mungesa e investimeve për modernizimin e teknologjisë e bën këtë sektor më të cenueshëm edhe nga sulmet kibernetike potenciale. Diversifikimi i burimeve energjetike dhe minimizimi i varësisë nga importet, mbetet një nga prioritetet. Vendet e rajonit janë rruga e transportit të naftës dhe të gazsjellësve për në vendet perëndimore. Si konsumatorë, por edhe si pjesë e korridoreve të tranzitit, projektet energjetike rrisin bashkëveprimin e vendeve ballkanike, ndërkohë që mbartin edhe sfida të sigurisë kibernetike. c) Niveli kombëtar Në situatën aktuale të sigurisë ndërkombëtare, vendi ynë mbetet një aktor i rëndësishëm dhe i angazhuar në funksion të ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit rajonal. Mjedisi i brendshëm i sigurisë i vendit tonë është i qëndrueshëm, pa rreziqe imediate që të çojnë në cenim të integritetit territorial të vendit apo cenim të rendit kushtetues. Si vend me orientim të qartë gjeostrategjik perëndimor, vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat në BE, me kontribute pozitive në vendimmarrjet ndërkombëtare për çështje të sigurisë ndërkombëtare, paqes dhe stabilitetit, RSH-ja mbetet një vend me interes për aktorët globalë kundërshtarë të këtyre proceseve. Aktiviteti i tyre pritet të intensifikohet në kuadër të rritjes së konfrontimit dhe qasjes agresive të shteteve kundërshtare me synime gjeostrategjike në cenim të arkitekturës aktuale të sigurisë ndërkombëtare dhe asaj evropiane, por edhe qëndrimit dhe rolit aktiv dhe të qartë të Shqipërisë në koordinim me këta organizma. Ky aktivitet synon të ndikojë negativisht te sistemi ynë politik, të influencojë politikisht dhe ekonomikisht në vendimmarrjet e rëndësishme strategjike, të nxisë destabilitet, të ndikojë perceptimin publik sipas interesave të tyre, rrisë skepticizmin dhe pengojë përpjekjet e vendit në raport me proceset eurointegruese. Informacioni i klasifikuar dhe sistemet e komunikimit të sigurt janë të ekspozuara ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë nga aktorë të ndryshëm shtetërorë dhe joshtetërorë. Veprimtaria e shërbimeve inteligjente të vendeve jo mike synon aksesin tek informacioni i klasifikuar “sekret shtetëror”, i NATO- s, BE-së dhe i shteteve të tjera me të cilat Republika e Shqipërisë ka nënshkruar Marrëveshje Sigurie, me qëllim cenimin e sigurisë kombëtare dhe dëmtimin e marrëdhënieve me aleatët. Aktivitetet influencuese keqdashëse do të vijojnë me të gjitha format edhe nëpërmjet aktorëve të tretë për të formësuar mjedisin informativ, sipas interesave të tyre, pa përjashtuar përpjekje për ndërhyrje e influencim në proceset demokratike, mjet i përdorur tashmë në vendet e Bashkimit Evropian e më gjerë, për të cilën parlamenti i RSH-së ka miratuar edhe një rezolutë kundër ndërhyrjeve në proceset demokratike. 6 Sulmet kibernetike në shkallë të gjerë ndaj infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit nga aktorë keqdashës kibernetikë të sponsorizuar nga aktorë shtetërorë, si ato të vitit të kaluar me origjinë nga Irani, dëshmojnë se siguria kibernetike duhet të marrë përparësi, në kuadër edhe të zhvillimit të digjitalizimit të shërbimeve publike për qytetarët. Infrastrukturat ekzistuese kritike të informacionit dhe projektet në evoluim, përveç progresit pozitiv për garantimin cilësor të shërbimeve dhe reduktimin e hapësirave për korrupsion, mbeten terren i kërcënimit për sulme kibernetike nga aktorë shtetërorë e joshtetërorë për llogari të tyre, të cilët kanë jo vetëm synimet, por edhe kapacitetet për t’i realizuar ato. Aktorë shtetërorë ose jo me qëllime armiqësore mund të ndërmarrin sulme kibernetike, me synim dëmtimin, nxjerrjen jashtë funksionit, ndërprerjen e shërbimeve për qytetarët, krijimin e kaosit dhe të panikut, për synime politike ose përfitime financiare. Kapacitetet kibernetike kërcënuese përdoren nga shtetet dhe shërbimet e inteligjencës kundërshtare si mjet i aktivitetit të tyre në momente të caktuara zhvillimesh të rëndësishme ndërkombëtare për të arritur interesat e tyre gjeopolitikë. Sulmet kibernetike mund të përdoren edhe për motive spiunazhi kibernetik2, për operacione informative, për arritjen e aksesit të synuar të paautorizuar, pasi kjo mundëson arritjen në kohë më të shkurtër të objektivave dhe mundësi më të ulëta për ekspozim dhe identifikim. Siguria e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme merr përparësi në kushtet e kërcënimeve kibernetike në rritje, por edhe për shkak se problematikat që lidhen me amortizimin e pajisjeve janë dobësi të cilat mund të shfrytëzohen nga terrorizmi dhe krimi i organizuar, duke amplifikuar dhe kërcënimet e tjera që lidhen me sigurinë e vendit. Siguria energjetike tashmë nuk është vetëm një kërcënim global, por merr rëndësi parësore edhe në kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të RSH-së, që lidhet me disponueshmërinë e burimeve, pakësimin e burimeve hidrike, për shkak edhe të kushteve klimaterike, amortizimin e kapaciteteve ekzistuese, rritjen e nevojave të popullsisë për konsum. Për më tepër, çrregullimi i tregjeve globale, për shkak nevojës për tregje alternative për të ulur dhe evituar varësinë nga shtetet kundërshtare që përdorin edhe energjinë për motive presioni gjeopolitik do të ndikojnë në sigurinë energjetike. Në këto kushte, merr përparësi menaxhimi me efikasitet i infrastrukturës ekzistuese, rritja e masave mbrojtëse të sigurisë së kësaj infrastrukture nga sulme të mundshme kibernetike, të cilat mund të jenë akte sabotazhi me kapacitet për ta çuar vendin në krizë. Aktivitetet influencuese keqdashëse, lajmet e rreme, dezinformimi, teoritë konspirative me qëllime influencuese kanë njohur rritje, me impakt në perceptimin publik ndaj efektivitetit të funksionimit të sistemit demokratik dhe sigurinë në tërësi. Realitetet ndërkombëtare dëshmojnë se kjo formë grumbullimi e shpërndarje informacioni/dezinformacioni po ndikon në ekonomitë, kohezionin social, marrëdhëniet politike, proceset demokratike dhe sigurinë. Ndërveprueshmëria e shpejtë, audienca e gjerë ka bërë që ky mjet të përdoret me tendenca rritjeje dhe po sfidon besueshmërinë në informacionin e vërtetë, atë shkencor dhe efektshmërinë e qeverisjeve, krijojnë panik e kaos me impakt në sigurinë kombëtare. Degradimi i mjedisit do të vijojë të përbëjë një kërcënim në rritje në raport me pamundësinë e parashikueshmërisë, impaktit njerëzor dhe ekonomik. Tërmetet, përmbytjet, zjarret masive, rrëshqitjet masive kanë dëshmuar tashmë për nga dimensioni kërcënimin në rritje dhe impaktin e ndjeshëm në sigurinë njerëzore dhe atë ekonomike dhe kanë sfiduar kapacitetet ekzistuese për menaxhimin e tyre. Dukuria globale e ndryshimit të klimës ndikon negativisht në ekuilibrat natyrorë të Shqipërisë. Si pasojë, vendi mund të përballet me temperatura të larta që kanë një ndikim domethënës në florën dhe faunën e ambientit tokësor dhe ujor, thatësira të zgjatura dhe përmbytje të mëdha me një rrezik të shtuar për digat dhe hidrovoret, me kosto të konsiderueshme për dimensionin njerëzor dhe ekonominë kombëtare. Republika e Shqipërisë është e prekur dhe rrezikohet nga erozioni kryesisht në ultësirën perëndimore, luginat e lumenjve të mëdhenj dhe bregdeti i Adriatikut, ku vija bazë e detit po përparon gjithnjë e më shumë. Gjithashtu, krimi mjedisor ndikon në degradimin e mëtejshëm të mjedisit, i cili sjell pasoja afatgjata në territor, peizazhin urban, shëndetësi, bujqësi, blegtori, peshkim, si edhe në ekonominë e vendit në përgjithësi. 2 Një akt i ndërmarrë në mënyrë të fshehtë ose nën pretendime false, që përdor kapacitete kibernetike për të grumbulluar informacion, me synimin e komunikimit dhe transmetimit të tyre një pale kundërshtare. 7 Shpërthimet pandemike dhe epidemike me natyrë mikrobiologjike, nga uji i pijshëm apo dhe nga lëndë të ndryshme kimike përbëjnë rrezik të lartë për sigurinë kombëtare. Pandemia SARS COV 2 gjatë 2020–2022 e vijim, H5N8 gjatë 2020–2021 në shpendë, janë ndër shpërthimet e fundit epidemike të cilat kanë prekur vendin tonë. Pandemia e shkaktuar nga COVID-19, dëshmoi dimensionin e impaktit në sigurinë shëndetësore, ekonomike. Sfidoi ndjeshëm infrastrukturën shëndetësore ekzistuese, dobësoi perceptimin publik në efektshmërinë e menaxhimit nga qeveritë, shkaktoi stres ekonomik, ankth te konsumatori dhe investitorët, rritje të papunësisë e për rrjedhojë të problematikave sociale. Ndikimi në ekonomi i shtoi një dimension të ri edhe konkurrencës midis regjimeve autoritare dhe atyre demokratike. Pandemia COVID-19 dëshmoi se si një situatë me vëmendje kaq të madhe publike e ndërkombëtare mund të përdoret nga aktorët kundërshtarë për motive gjeopolitike. Sipas vlerësimit strategjik të riskut të vitit 2019, janë vlerësuar me risk shumë të lartë dhe të lartë 7 fatkeqësi të mundshme: antibiotiko rezistenca, bllokimet nga dëbora dhe ortekët, tërmetet, gripi sezonal, përmbytjet dhe ndotja e ajrit dhe sëmundjet me burim ushqimin dhe ujin, gjithashtu me risk të moderuar janë edhe zjarret masive, meningokoku invaziv, ethet hemorragjike, CCHF, gripi pandemik, SARS, gripi i shpendëve, TB dhe fruthi. Mbrojtja e popullatës nga efektet shëndetësore të pandemive dhe sëmundjeve infektive emergjente, si dhe kërcënimeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore duhet, gjithashtu, të konsiderohet prioritet. Terrorizmi dhe radikalizimi drejt ekstremizmit të dhunshëm, financimi i këtyre aktiviteteve, për shkak të influencave të jashtme dhe aktorëve dhe faktorëve të brendshëm e rajonalë do të vijojë të përbëjë rrezik për kohezionin dhe vlerat e shoqërisë shqiptare, si dhe për harmoninë e bashkëjetesën tradicionale mes besimeve fetare në vend. Edhe pse në vendin tonë nuk ka pasur akte terroriste, ato nuk janë të përjashtuara për shkak të nxitjes e koordinimit nga organizata terroriste, prezencës së LHT-së nga vendi dhe rajoni ende të rreshtuar pranë këtyre organizatave, por edhe mbështetësve të tyre, të cilët të indoktrinuar nga propaganda online mund të veprojnë si aktorë të vetmuar. Influencat e jashtme të linjave ekstremiste fetare vijojnë të influencojnë proceset radikalizuese në vend me synim futjen e virusit të ekstremizmit në komunitetet e paqta fetare në vend, cenimin e harmonisë dhe bashkëjetesës mes besimeve fetare. Krimi i organizuar ende mbetet fenomen kompleks e dinamik, edhe pse është rritur ndjeshëm forca goditëse, janë forcuar kapacitetet kundërvënëse. Grupet/individët e përfshirë në krimin e organizuar, kryesisht në trafikun, prodhimin e lëndëve narkotike, pavarësisht goditjeve domethënëse të aktivitetit të tyre kriminal, pasurive dhe të ardhurave nga ky aktivitet, kanë treguar aftësi në adaptimin e mënyrave të veprimit në raport me kundërvënien. Të ardhurat e aktiviteteve kriminale të siguruara ndër vite nga shkalla e informalitetit, pandëshkueshmëria apo ndëshkueshmëria e ulët, favorizuar nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë, ka sjellë injektimin në ekonominë formale dhe informale të parave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal, zhvendosjen e elementëve të spikatur të grupeve kriminale në vendet e Evropës, por edhe të prodhimit e origjinës së lëndëve narkotike. Gjithashtu, përdorimi i teknologjive të informacionet nga rrjetet kriminale, si dhe zhvendosja e aktiviteteve të tyre në hapësirën kibernetike e vështirëson mundësinë e gjurmimit të tyre për t’i vënë para drejtësisë, duke ndikuar për rrjedhojë në rritjen e pandëshkueshmërisë së tyre. Këta elementë të integruar tashmë në rrjete ndërkombëtare të krimit të organizuar vijojnë të nxisin e koordinojnë aktivitetin kriminal të grupeve dhe anëtarëve të tyre brenda vendit. Siguria ekonomike lidhet kryesisht me pasojat e tërmetit dhe pandemisë, të cilat ndikuan në buxhetin e shtetit dedikuar për rritjen ekonomike. Siguria ekonomike mund të cenohet edhe nga përpjekjet e aktorëve globalë për të depërtuar në ekonomi për objektiva gjeoekonomikë e me synime për ta përdorur ekonominë si mjet presioni politik. Krimet në ekonomi, gjithashtu, pavarësisht reformave konkrete për uljen e informalitetit, rritjes së forcës goditëse të agjencive ligjzbatuese në luftën kundër këtyre fenomeneve, vijojnë të jenë prezente e me impakt për ekonominë e vendit dhe rritjen e qëndrueshme të saj, forcimin e institucioneve shtetërore dhe sundimin e ligjit. Mbeten faktor me rrezikshmëri për rritjen e qëndrueshme ekonomike, besueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit financiar, ekonomik në vend. Krimet në ekonomi janë sofistikuar nga teknologjitë e reja financiare dhe përbëjnë shqetësim për shkak të ndikimit në ekonomi. Pastrimi i parave dhe i produktit kriminal është problematikë prezente e me tendenca të larta impakti për ekonominë e vendit dhe sundimin e ligjit. 8 Korrupsioni dhe perceptimi mbi nivelin e tij minon besimin e publikut te qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, cenon zhvillimin e vendit, forcimin e institucioneve, rritjen e qëndrueshme ekonomike, si dhe mbetet faktor që ngadalëson dhe dëmton procesin e reformave, si dhe dekurajon investimet e brendshme e të huaja, të nevojshme për të krijuar mundësi punësimi për të gjithë. Siguria publike mbetet e cenuar nga aktiviteti me natyrë kriminale, me përdorim të eksplozivëve, vrasësve me pagesë të drejtuara ndaj personit, kryesisht për motive të konflikteve personale, të interesave financiarë, konflikteve pronësore, të trafiqeve të paligjshme dhe rivalitetit mes grupimeve kriminale. Problemet social-ekonomike janë faktori kryesor që nxit emigrimin e parregullt të shtetasve shqiptarë, numri i të cilëve ka njohur rritje. Lëvizja e lirë, gjithashtu, mundësitë që ofron tregu global, ka sjellë rritje të largimeve të shtetasve shqiptarë nga vendi, mes tyre një numër nga profesionet jetike dhe gjeneratat e arsimuara në vend. Siguria ushqimore si element mjaft i rëndësishëm i sigurisë njerëzore, me ndikim në shëndetin e popullatës, merr një rëndësi të veçantë në kushtet e krizës ekonomike, kushteve klimaterike në ndryshim dhe pandemive. Etja për përfitime të shpejta financiare, moszbatimi i standardeve ka ndikuar në raste të cenimit të saj. Emigracioni i jashtëligjshëm nëpër territorin e vendit tonë lidhet me rrugën ballkanike, e cila vijon të mbetet një linjë e rëndësishme që shkon drejt Europës dhe vendi ynë mbetet vend tranziti për kalimin e emigrantëve të paligjshëm. Vendi ynë nuk përjashtohet nga ndikimi i fluksit të emigracionit nga vendet e konfliktit, si një nyjë tranziti në linjën ballkanike. Emigrimi i shtetasve shqiptarë me të cilin përballet vendi ynë ka njohur rritje. Lëvizja e lirë dhe mundësitë që ofron tregu global, si edhe disa faktorë të tjerë kanë sjellë rritjen e numrit të shtetasve shqiptarë, të cilët largohen nga vendi, përshirë ata nga profesionet jetike dhe shtresat e arsimuara. Problemet social-ekonomike mbeten faktori kryesor që nxit emigrimin e parregullt të shtetasve shqiptarë, numri i të cilëve ka njohur rritje, ndërkohë që kërkesat e tregut të punës vendës kanë nxitur dukurinë e re të plotësimit të nevojave me fuqi punëtore nga vende të treta. Një problem tjetër është edhe migrimi nga zonat rurale drejt zonave urbane, i cili ul forcën e punës dhe kapacitetet prodhuese, duke kthyer fermerët nga prodhues në konsumatorë të produkteve agroblegtorale, duke cenuar në këtë mënyrë garantimin e furnizimit me produkte ushqimore të popullatës dhe krijuar një varësi të shtuar nga importet e këtyre produkteve. Rreziku i një agresioni ushtarak ndaj territorit të Shqipërisë konsiderohet i ulët, por situata aktuale e sigurisë ndërkombëtare në kufijtë e Aleancës Atlantike ka rritur mundësinë që një sulm ushtarak ndaj njërit prej vendeve aleatë të NATO-s ose ndaj vetë territorit të Shqipërisë, si dhe detyrimet që burojnë nga zbatimi i nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, ta përfshijnë Shqipërinë në një konflikt konvencional, i cili mund të përshkallëzohet nëpërmjet përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë. Shqipëria nuk mbështet dhe as synon përdorimin e forcës ushtarake për motive agresioni ndaj një vendi tjetër.
4. ROLI NË RRITJE I POLITIKËS SË JASHTME Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë është një nga instrumentet më të rëndësishme të sigurisë së saj kombëtare. Mbrojtja e interesave kombëtarë kryhet vetëm me mjete diplomatike e angazhim konstruktiv demokratik, në respekt e zbatim të legjislacionit ndërkombëtar dhe larg retorikave nxitëse e cenuese të bashkëjetesës demokratike të faktorit shqiptar në vendet e rajonit. Në situatën aktuale të sigurisë ndërkombëtare, politika e jashtme e RSH-së synon të jetë edhe më aktive në përfaqësimin, mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtarë, në forcimin e pozitës dhe rolit rajonal dhe ndërkombëtar të Shqipërisë, duke promovuar në të njëjtën kohë vlerat e paqes, demokracisë dhe të integrimit euroatlantik. Kjo politikë karakterizohet nga vijueshmëria dhe qëndrueshmëria e prioriteteve të saj. Mbrojtja e interesave kombëtarë dhe harmonizimi i tyre me ata të partnerëve kryesorë strategjikë të vendit, si: SHBA-të, Bashkimi Evropian etj., do të vijojë të përbëjë boshtin kryesor të veprimeve diplomatike, ku ruajtja e koherencës mes vendimeve politike dhe mbështetjes me bazë të gjerë nga opinioni publik përbën një element të domosdoshëm. Sistemi ndërkombëtar në të cilin Republika e Shqipërisë synon të ndjekë interesat e saj bazohet në parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Aktit Final të Helsinkit dhe në parimin e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve mes shteteve. Përdorimi i forcës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në shërbim të rivendosjes së paqes, stabilitetit, drejtësisë, dinjitetit 9 njerëzor dhe të mirës së përbashkët, konsiderohet nga Shqipëria vetëm si një zgjedhje e fundit, kur janë shteruar të gjitha mjetet e tjera. Duke pasur parasysh ndërvarësinë në rritje të shumë çështjeve që lidhen me sigurinë dhe interesat tanë kombëtarë, vendi ynë do të vijojë të jetë akoma më aktiv në fushën e diplomacisë shumëpalëshe, veçanërisht në organizatat ndërkombëtare apo rajonale, të cilat trajtojnë çështjet e sigurisë, në përputhje me sa ka dëshmuar gjatë viteve të fundit. Republika e Shqipërisë për të parën herë kryesoi me sukses përgjatë vitit 2020 OSBE-në, ku arriti rezultate të prekshme dhe të vlerësuara edhe në fushën e sigurisë dhe të bashkëpunimit të organizatës. Ky sukses është duke vijuar edhe gjatë anëtarësimit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022–2023, ku Shqipëria është shfaqur si një kontribuese serioze për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar. Si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022–2023 për të parën herë Shqipëria është një mbështetëse aktive dhe e vendosur e Ukrainës. Si bashkëpenmbajtëse me SHBA-të për Ukrainën dhe në bashkëpunim e koordinim të ngushtë me vendet e tjera perëndimore, Shqipëria ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e çështjes së llogaridhënies dhe krijimit të grupit të miqve për llogaridhënien në Ukrainë, si dhe për miratimin e disa rezolutave të rëndësishme mbi konfliktin aktual në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Si një vend anëtar me vlera në NATO, vend kandidat në BE, anëtar i ECOSOC-së më herët, po ashtu i KDNJ-së, i UNDP/UNOPS/UNFPA, në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, me angazhime konkrete në forcat paqeruajtëse ndërkombëtare, por edhe në mbrojtjen e klimës, në Agjendën 2030 të Zhvillimit të Qëndrueshëm etj., Shqipëria jo vetëm demonstron vullnet politik për të pasur një botë të paqtë e të sigurt, por kontribuon po ashtu edhe konkretisht me resurset e saj në këtë drejtim. Bazuar në orientimin politik të saj të bashkëpunimit shumëpalësh, duke e konsideruar multilateralizmin si një instrument të rëndësishëm në dobi të ruajtjes dhe forcimit të paqes në botë, Republika e Shqipërisë do të vijojë të jetë kontribuese aktive në kuadër të veprimtarisë së OKB-së dhe agjencive të saj, si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare e rajonale. Në situatën aktuale të sigurisë ndërkombëtare, e cila ka bërë që NATO-ja ta kthejë fokusin e saj nga menaxhimi i krizave dhe operacionet jashtë zonës në mbrojtjen territoriale, Shqipëria e konsideron Aleancën Atlantike si gurin e themelit të sigurisë së përbashkët të vendeve anëtare, ndaj e sheh sigurinë e saj pazgjidhshmërisht të lidhur me sigurinë e territorit që mbulojnë prerogativat e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Republika e Shqipërisë është pjesë aktive e vullnetit të palëkundur të NATO-s për të siguruar dhe mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit aleat, duke kontribuar ushtarakisht në përforcimin më të madh të NATO-s në lindje të territorit aleat që nga Lufta e Ftohtë. Në funksion të këtij misioni, Republika e Shqipërisë i ka dhënë përparësi rritjes në nivel kombëtar të buxhetit të mbrojtjes, duke kontribuar aktivisht në unitetin e Aleancës dhe në rëndësinë thelbësore të lidhjes Transatlantike, në mënyrë që NATO-ja të mbetet kolonë stabiliteti për gjeneratat e ardhshme. Shqipëria mbështet gjithashtu përqasjen e NATO-s për një rol prej 360 gradësh në mbrojtjen dhe sigurinë e vendeve aleate, përfshirë rolin e intensifikuar të NATO-s në luftën kundër terrorizmit, si edhe forcimin e stabilitetit në dhe përreth zonës euroatlantike. Shqipëria e ka plotësisht të qartë se gama e re e kërcënimeve nuk mund të përballohet vetëm me mjete ushtarake, prandaj në cilësinë e saj të dyfishtë, si vend anëtar i NATO-s dhe si vend kandidat në Bashkimin Evropian, favorizon intensifikimin e bashkëpunimit strategjik NATO-BE për përballimin e tyre. Një Bashkim Evropian më i fortë dhe më i aftë në siguri dhe mbrojtje, do të kontribuojë pozitivisht në sigurinë globale dhe transatlantike, duke qenë njëkohësisht plotësues i NATO-s, e cila mbetet themeli i mbrojtjes kolektive për anëtarët e saj. Veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë është bashkëpunimi midis NATO-s dhe BE-së lidhur me sigurinë në rajonin tonë, i cilësuar me rëndësi strategjike, si nga NATO-ja, ashtu edhe nga BE-ja, ku ky bashkëpunim materializohet në përpjekje të përbashkëta në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në pjesë të ndryshme të tij, si në Kosovë dhe në Bosnjë dhe në Hercegovinë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhja strategjike dhe objektivi më i rëndësishëm gjeostrategjik dhe politik i Republikës së Shqipërisë, i cili qëndron në thelb të politikës së brendshme dhe të jashtme të saj. Standardet e Bashkimit Evropian dhe vlerat universale të promovuara prej tij përputhen plotësisht me aspiratat dhe idealet e popullit shqiptar. Dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, sundimi i ligjit, 10 respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirë edhe pakicat kombëtare, janë vlera themelore evropiane që i përqafon, respekton dhe mbron edhe Republika e Shqipërisë. Këto parime janë themelet e një rendi politik e shoqëror të bazuar në rregulla, i cili sjell paqen sociale, respektimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Prandaj, përparimi i prekshëm në sundimin e ligjit dhe reformat e bazuara në vlerat, rregullat dhe standardet evropiane janë thelbësore për Republikën e Shqipërisë në rrugën e saj drejt avancimit drejt BE-së dhe kushte si ne qua non për sigurinë individuale dhe për barazinë e secilit para ligjit. Integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mbetet një investim në paqe, stabilitet dhe prosperitet, me përfitime të ndërsjella. Ankorimi përfundimtar i Ballkanit Perëndimor në familjen e vlerave që përfaqëson BE-ja është investimi më i mirë strategjik në të ardhmen e përbashkët. Rikthimi i luftës në Evropë, me agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, si dhe ndryshimet dhe sfidat e mëdha gjeopolitike, kanë vënë nën presion vizionin e përbashkët evropian dhe interesat jetikë të sigurisë dhe stabilitetit në një hapësirë më të gjerë evropiane. Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë ende të brishta, edhe për shkak të rritjes së kërcënimeve të reja hibride dhe ndërhyrjeve të huaja, përfshirë fushatat e manipulimit të informacionit, si dhe të nevojës për një paketë më të plotë dhe bashkëkohore angazhimi të BE-së për partnerët në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, përshpejtimi dhe rienergjizimi i procesit të zgjerimit është më urgjent se kurrë për një rol më të konsoliduar të BE-së në rajon, në raport edhe me interesa të tjerë, përfshirë ata sigurisë dhe të paqes. Për të përballuar këto tendenca të rrezikshme, Republika e Shqipërisë mbështet rritjen e kapaciteteve autonome të sigurisë së BE-së. RSH-ja do të rrisë dialogun për sigurinë me partnerët euroatlantikë dhe kapacitetin e saj për të kundërvepruar në solidaritet me ta, do të vijojë linjëzimin 100% të politikës së saj të jashtme me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si edhe do të vijojë të kontribuojë në misionet civile dhe ushtarake të BE-së, duke e bërë Republikën e Shqipërisë jo vetëm përfituese, por edhe kontribuese të sigurisë. Në planin dypalësh, politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë reflekton synimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me interes të ndërsjellë me vendet e NATO-s, ato të BE-së, vendet fqinje, si dhe vendet e tjera demokratike në mbarë botën. Në thelb të marrëdhënieve dypalëshe mbetet fuqizimi dhe thellimi i marrëdhënieve dhe partneritetit me partnerët strategjikë dhe vendet aleate në Amerikën e Veriut dhe në Evropë, me të cilët Shqipëria përafron politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë, duke qenë partnere e besueshme dhe faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë. Një vend të veçantë zë intensifikimi i marrëdhënieve me vendet fqinje me të cilat Shqipëria ndan interesa të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajon, rrugëtimin euroatlantik të tij, thellimin e bashkëpunimit ekonomik me interes të ndërsjellë dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare. Në këtë frymë, Republika e Shqipërisë promovon marrëdhënie të mira bilaterale, angazhohet për thellim të marrëdhënieve strategjike, pjesëmarrje aktive në organizata dhe nisma rajonale që i kontribuojnë integrimit euroatlantik të vendit. Shqipëria është një aktor i rëndësishëm dhe proaktiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cilësuar me rëndësi strategjike nga NATO në Samitet e viteve të fundit dhe ka tashmë një përqasje të konsoliduar konstruktive dhe të përgjegjshme në politikën e saj rajonale, të mbështetur në parimet e fqinjësisë së mirë, perspektivën euroatlantike, bashkëpunimin gjithëpërfshirës, integrimin ekonomik rajonal, respektimin dhe përparimin e të drejtave të pakicave. Partneritetet strategjike në rajon dhe më gjerë, aktivitetet tri- dhe katërpalëshe, mbledhjet e përbashkëta të qeverive, si dhe iniciativat rajonale shënojnë instrumente të rëndësishme për një politikë të jashtme proaktive rajonale të Republikës së Shqipërisë. Duke konsideruar sfidat që lidhen me sigurinë kibernetike, Shqipëria e konsideron me rëndësi të veçantë promovimin e interesave kombëtarë në hapësirën kibernetike dhe zhvillimin e partneriteteve strategjike për forcimin e sigurisë kibernetike kombëtare edhe përmes diplomacisë kibernetike. Konsolidimi dhe institucionalizimi i perspektivës euroatlantike dhe evropiane, zgjerimi i NATO-s apo zgjerimi i pritshëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor kanë sjellë ndryshime rrënjësore pozitive në rajon, duke shërbyer si katalizatorë të reformave demokratike, të bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe të procesit të pajtimit. Në bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal mbizotëron prirja drejt heqjes së barrierave përmes ndërtimit të infrastrukturave të përbashkëta për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve, mallrave dhe kapitaleve, duke synuar shndërrimin e rajonit në një treg të integruar, tërheqës dhe konkurrues për investimet e huaja. Shqiptarët në rajon mbeten dhe do të fuqizohen më tej si një faktor stabilizues, konstruktiv, kontribues dhe koheziv, mbështetës të palëkundur të integrimit euroatlantik, 11 duke kontribuar të zhvillojnë më tej marrëdhëniet ndërshtetërore edhe midis komuniteteve të ndryshme, si një angazhim drejt së ardhmes. Paralelisht, rajoni përballet me tensione të brendshme politike, në disa raste të nxitura direkt nga aktorë të tretë, me synim rritjen e ndikimit të tyre dhe devijimin apo ngadalësimin e integrimit euroatlantik. Ndërhyrja e aktorëve të tretë, si edhe mospërmbushja e të drejtave të grupimeve të caktuara etnike, apo e pakicave kombëtare, si dhe nacionalizmi i skajshëm dhe ekzistenca e shoqërive të ndara, krahas mosmarrëveshjeve dhe problemeve të pazgjidhura ndërshtetërore, mund të shkaktojnë ende tensione dhe të gjenerojnë pasoja negative në marrëdhëniet dypalëshe, rajonale dhe shumëpalëshe. Diaspora shqiptare, historike dhe e re, krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, është ndër më të mëdhatë në botë. Republika e Shqipërisë do të vijojë përpjekjet që të përmbushë detyrimin e saj kushtetues për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve shqiptare jashtë vendit, duke inkurajuar bashkëpunimin shtetëror me institucionet e shteteve pritëse, duke zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke përdorur të gjithë mekanizmat diplomatikë, politikë, ekonomikë, arsimorë apo komunikues. Nëpërmjet marrëdhënies me shqiptarët jashtë kufijve dhe mbështetjes për legjitimitetin e tyre, Republika e Shqipërisë kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit dhe harmonizon marrëdhënien me fqinjët. Me synimin për t’iu dhënë zgjidhje problemeve me të cilat ndeshet komuniteti shqiptar, do të realizohen projekte madhore, të cilat i shërbejnë bashkëpunimit me komunitetet shqiptare në diasporë, si: digjitalizimi i plotë i shërbimeve konsullore, regjistrimi i popullsisë; votimi në diasporë; përmirësimi i kuadrit ligjor në raport me zhvillimet social-ekonomike të vendit; ruajtja e identitetit, gjuhës dhe kulturës me krijimin e qendrave kulturore, certifikimi i mësuesve për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, si dhe realizimi i emisioneve të posaçme televizive, arsimore dhe kulturore, të dedikuara për diasporën. Një tjetër synim i rëndësishëm lidhet me krijimin e strukturave institucionale për të realizuar “rikthimin e trurit”, tërheqjen e profesionistëve të diasporës për angazhime afatshkurtra dhe afatgjata, si dhe studentëve ekselentë shqiptarë, të cilët mund të jenë një forcë kontribuese për vendin e origjinës.
5. PËRFORCIMI I DIMENSIONIT TË QËNDRUESHMËRISË Në përputhje me situatën aktuale të sigurisë ndërkombëtare, kërcënimet e shtuara dhe angazhimet e saj si vend i NATO-s, Shqipëria do t’i kushtojë përparësi përforcimit të mëtejshëm të dimensionit të qëndrueshmërisë kombëtare si pjesë edhe e qëndrueshmërisë kolektive të NATO-s. Ky dimension i rëndësishëm, i cili bazohet në nenin 3 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, është përcaktuar nga NATO- ja si aftësia e një shteti për të rezistuar, rikuperuar dhe për të vazhduar ofrimin e shërbimeve pas një goditjeje të madhe, si: fatkeqësi natyrore, dështim i infrastrukturës kritike ose një sulm hibrid ose të armatosur. Sipas Aleancës Atlantike, ky dimension i rëndësishëm shtjellohet nëpërmjet sigurimit të vazhdimësisë së qeverisë dhe shërbimeve kritike, furnizimit të qëndrueshëm me energji, aftësisë për të trajtuar në mënyrë efektive lëvizjen e pakontrolluar të njerëzve, sigurimin e rezervave të qëndrueshme ushqimore, aftësisë për të përballuar kriza shëndetësore, sistemeve të qëndrueshme të komunikimit dhe sistemeve të qëndrueshme të transportit civil. Mbrojtja e infrastrukturës kritike përbëhet nga veprimet e ndërmarra për të parandaluar, rritur qëndrueshmërinë ose zbutur rreziqet që vijnë nga dobësitë e aseteve të infrastrukturës kritike, ndërsa rritja e qëndrueshmërisë mundësohet përmes analizës, vlerësimit të riskut dhe aftësisë për të reaguar ndaj kërcënimeve të mundshme të saj. Garantimi i furnizimit me ushqime, ilaçe, mallra të tjera thelbësore dhe produkte emergjente janë vendimtare për sektorin shtetëror, por edhe për shoqërinë në kohë krize apo lufte. Qasja jonë kombëtare në drejtim të rritjes së qëndrueshmërisë duhet të udhëhiqet nga tri elemente thelbësore: - Kuptimi: krijimi i një tabloje më të qartë të rreziqeve dhe dobësive; - Mbrojtja: forcimi i qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së infrastrukturave, përfshirë infrastrukturat e informacionit dhe informacionin në tërësi, njerëzve dhe institucioneve; - Reagimi: zhvillimi dhe vendosja e aftësive dhe procedurave për të penguar, menaxhuar dhe reduktuar rreziqet e mundshme. Duke pasur parasysh gamën e lartpërmendur të këtij dimensioni të rëndësishëm, Shqipëria ka emëruar së fundmi një pikë Kontakti Kombëtar për Qëndrueshmërinë në NATO, konkretisht ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, i cili do të jetë koordinatori midis aktorëve të brendshëm dhe 12 Komitetit të Qëndrueshmërisë në NATO, në nivel politik. Në këtë këndvështrim, është domosdoshmëri alokimi i burimeve të nevojshme financiare për rritjen e kapaciteteve dhe mallrave rezervë materiale të shtetit, për të mundësuar ndërhyrjen me sukses, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste dhe veprimeve ushtarake. Çdo sektor duhet të përcaktojë listën e mallrave dhe shërbimeve thelbësore të rëndësishme për reagimin në nivel sektorial ndaj kërcënimit. Rritja e nivelit të sigurisë së mbrojtjes së popullsisë dhe infrastrukturës kritike Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përveç rolit të tyre parësor që buron nga misioni kushtetues për ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të RSH-së, kontributit në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës, pjesëmarrjes në misione dhe operacione të drejtuara nga NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, si dhe mbështetjen në përballimin e emergjencave civile, gjithashtu, ofrojnë burimet e tyre për institucionet e tjera të sigurisë kombëtare për përballimin e kërcënimeve të karakterit virtual dhe ato hibride. Shqipëria, në drejtim të fuqizimit të menaxhimit të sistemeve ekzistuese të infrastrukturës kritike, ka tashmë të miratuar dokumentin e parë të saj të vlerësimit të riskut në nivel qendror, Strategjinë Kombëtare të Zvogëlimit të Riskut nga Fatkeqësitë 2023–2030 dhe Planin Kombëtar të Emergjencave Civile.
6. AVANCIMI DHE ZHVILLIMI I SISTEMIT TË SIGURISË DHE MBROJTJES Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si një prej elementeve kryesore të Fuqisë Kombëtare, konceptohen, ndërtohen dhe përdoren edhe si një forcë e NATO-s. Në kushtet e ndryshimeve në mjedisin e sigurisë ndërkombëtar, rajonal dhe të brendshëm, Forcat e Armatosura do të zhvillohen duke u përqendruar te sigurimi i kapaciteteve të nevojshme luftarake për forcat e luftimit, të mbështetjes me luftim dhe të mbështetjes me shërbim të luftimit, sistemeve e pajisjeve, mbrojtjes kibernetike dhe rritjen e fuqisë njerëzore, në mënyrë të pavarur, ose në bashkëpunim me aleatët, si dhe kapaciteteve infrastrukturore në dispozicion të Aleancës deri në aktivizimin e mekanizmit të mbrojtjes kolektive të Aleancës. Bazuar në rreziqet, kërcënimet dhe kërkesat për kapacitetet e domosdoshme për përmbushjen e misionit, Forcat e Armatosura do të rriten në sasi e cilësi, duke krijuar kapacitetet dhe aftësitë për adresimin e kërcënimeve nëpërmjet realizimit të këtyre objektivave: - Angazhimi i vazhdueshëm i Forcave të Armatosura në misionet e drejtuara nga NATO/OKB/BE dhe koalicione, si dhe harmonizimi i një pjese të planeve kombëtare të mbrojtjes me ato të Aleancës; - Hartimi i Strategjisë së re Ushtarake të RSH-së dhe hartimi i Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura, si reflektim i nevojave të krijuara nga ndryshimet në mjedisin e ri strategjik; - Përmirësimi i kuadrit ligjor për të mundësuar zbatimin e plotë të detyrimeve kombëtare që rrjedhin nga parimi i mbrojtjes kolektive i Traktatit të Atlantikut të Veriut, garantimin e infrastrukturës aeroportuale, të aftë për të mbështetur nevojat dhe kërkesat operacionale të Aleancës, si dhe të përmirësimit të vijueshëm të funksionimit të Forcave të Armatosura; - Krijimi, zhvillimi dhe modernizimi me kapacitete të reja luftarake dhe infrastrukturës ushtarake me ritmin e zhvillimeve teknologjike bashkëkohore, si dhe përfshirja e komponentit rezervist si pjesë e integruar e strukturës së Forcave të Armatosura. Ky komponent, përveçse do të rrisë aftësitë dhe kapacitetet e Forcave të Armatosura, do të forcojë edhe lidhjen midis Forcave të Armatosura dhe publikut; - Angazhim i vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve dhe në mbështetje të autoriteteve civile për përballimin e emergjencave dhe kontrollin e territorit. Buxheti i mbrojtjes, në përmbushje të angazhimit të kryetarëve të vendeve të NATO-s do të rritet gradualisht deri në vitin 2024 duke arritur 2% e PBB-së dhe pas këtij viti do të këtë synimin e të qenit të nivelit minimal, ku të paktën 20% e buxhetit të mbrojtjes do të shpenzohet për modernizimin e pajisjeve të rëndësishme ushtarake. Sigurimi i burimeve të mbrojtjes dhe rritja numerike dhe cilësore e kapaciteteve njerëzore të Forcave të Armatosura do të mundësojë përmbushjen e detyrimeve në gjithë spektrin e angazhimeve në kuadër kombëtar dhe atyre të Aleancës, si dhe realizimin e objektivave të mësipërm.
7. AVANCIMI DHE ZHVILLIMI I KAPACITETEVE SHTETËRORE PËR MBROJTJE KUNDËR KËRCËNIMEVE HIBRIDE 13 Vitet e fundit shpejtësia, shkalla dhe intensiteti i kërcënimeve hibride janë rritur ndjeshëm. Përgatitja për të parandaluar, kundërshtuar dhe për t’iu përgjigjur sulmeve hibride mbetet një prioritet për Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s, si dhe kandidat për Bashkimin Evropian. Aktivitetet hibride janë ndër sfidat më të mëdha për sigurinë tonë dhe për integritetin e institucioneve tona demokratike. Teknikat hibride mund të ndikojnë si në sferën ushtarake, ashtu edhe në atë civile, duke dëmtuar interesat tanë dhe duke rrezikuar kohezionin tonë. Përdorimi i taktikave hibride nuk është i ri, përdorimi i propagandës dhe dezinformimit është po aq i vjetër sa vetë konfliktet. Kërcënimet hibride kombinojnë mjete ushtarake dhe joushtarake, si dhe mjete të fshehta dhe të hapura, duke përfshirë dezinformimin, sulmet kibernetike, presionin ekonomik, si dhe zhvendosjen e grupeve të parregullta ushtarake, me qëllim destabilizimin e shoqërisë. Kërcënimet kibernetike dhe hibride, që shfaqen në formën e dezinformimit, sulmeve kibernetike, presionit ekonomik, kanë si qëllim çorientimin dhe destabilizimin e shtetit dhe shoqërisë dhe e bëjnë të domosdoshme marrjen e masave për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj tyre, duke pasur një qasje ndërinstitucionale të strukturave që kontribuojnë në mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Qasja jonë kombëtare në drejtim të kërcënimeve hibride duhet të udhëhiqet nga këto tri elemente thelbësore: - Kuptimi: krijimi i një tabloje më të qartë të kërcënimeve dhe dobësive. - Mbrojtja: forcimi i qëndrueshmërisë dhe mbrojtjen e informacionit, njerëzve, institucioneve dhe infrastrukturës nga kërcënimet hibride dhe veprimtaria armiqësore ndaj vendit. - Reagimi: zhvillimi dhe vendosja e aftësive dhe procedurave për të penguar, menaxhuar dhe reduktuar rreziqet e mundshme.
8. SIGURIA DHE MBROJTJA KIBERNETIKE Qasja e përgjithshme globale drejt digjitalizimit dhe automatizimit të proceseve të punës duhet të shkojë paralelisht me investimin në mbrojtje kibernetike. Kjo qasje shoqërohet në mënyrë të natyrshme me rritjen e mundshme të rrezikut ndaj sulmeve kibernetike. Sulmet dhe krimet kibernetike tejkalojnë kufijtë fizikë, duke u bërë pjesë e sfidave të rëndësishme globale në fushën e sigurisë. Autorët kanë një profil transnacional dhe gjithmonë e më shumë të përfshirë në aktivitete të tjera kriminale, të tilla si: terrorizmi, trafikimi, pastrimi i parave, vjedhje nëpërmjet sistemeve, mashtrime etj. Këto aktivitete ndikojnë në rritjen e kriminalitetit dhe përhapjen e dhunës në komunitetet tona duke rrezikuar sigurinë publike dhe cenuar aspekte të tjera social-ekonomike. Po ashtu, ato cenojnë shtetin e së drejtës, nxitin korrupsionin, duke nxitur dhe veprimtari armiqësore ndaj shtetit në raste të caktuara. Rrjedhimisht, këto kërkojnë një kornizë strategjike vizionare, të mirëpërcaktuar dhe gjithëpërfshirëse për të adresuar natyrën dinamike dhe gjithnjë në zhvillim të kërcënimeve kibernetike me synim garantimin e sigurisë kibernetike kombëtare. Në këtë kontekst, përcaktohen pesë shtylla kryesore për të mundësuar një qasje holistike të tilla si: parandalimi, menaxhimi dhe përgjigjja ndaj kërcënimeve kibernetike përmes përmirësimit të teknikave, procedurave dhe standardeve të sigurisë; ndërtimi i kapaciteteve përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit; përmirësimi i teknologjisë në vazhdimësi; garantimi i sigurisë në internet për fëmijët dhe të rinjtë; forcimi i partneritetit publik dhe privat në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke zhvilluar diplomacinë kibernetike. Si një strategji proaktive, gjithnjë e më shumë vlerësohet rëndësia e investimit publik dhe privat në teknologji, të cilat të jenë në përputhje me standardet më bashkëkohore të sigurisë kibernetike. Teknologjia është mjaft e rëndësishme për të realizuar dhe mbrojtur interesat kombëtarë, si dhe fituar avantazhe strategjike në hapësirën gjeopolitike për arritjen e objektivave për të ardhmen e sigurt të vendit përmes forcimit të sigurisë, ekonomisë dhe demokracisë. Siguria kibernetike është pjesë thelbësore e sigurisë kombëtare dhe për këtë Shqipëria është e përkushtuar që të rrisë sigurinë kibernetike të infrastrukturave të saj të informacionit nëpërmjet forcimit të kapaciteteve dhe bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar, duke u bashkuar në këtë qasje me vendet e tjera demokratike. Ndërhyrjet e paautorizuara nga sulme kibernetike në sistemet digjitale, vjedhja e informacionit, si dhe çdo aktivitet keqdashës në hapësirën kibernetike, por dhe çdo përpjekje tjetër për të shkatërruar apo dobësuar rrjetet dhe sistemet tona të informacionit, do të mund të minimizohen, duke rritur investimet në këtë fushë, kontrollet mbi infrastrukturat dhe shërbimet, si dhe burimet e hetimit. 14 Në të njëjtën kohë, synohet forcimi i bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë në ekspertizën teknike dhe rritjen e kapaciteteve njerëzore, pajisjen me teknologji të avancuar duke përmirësuar veprimtarinë parandaluese dhe përballuar përpjekjet që mund të bëhen për të cenuar sistemet tona teknologjike publike apo private. Gjithashtu, synohet forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe hetimit, si dhe ndjekjes së prirjeve kriminale të tilla, për të parandaluar kërcënimin e sigurisë kombëtare. Sigurimi i infrastrukturës tonë kritike është domosdoshmëri duke promovuar dhe garantuar sigurinë bazë kibernetike për sektorët kritikë dhe sigurimin e vazhdimësisë së tyre. Prioritet konsiderohet edhe mbrojtja e investimeve në këto infrastruktura dhe forcimi i qëndrueshmërisë së tyre përmes parandalimit, detektimit, kundërpërgjigjes, atribuimit dhe marrjes së masave mbrojtëse ndaj aktiviteteve të aktorëve keqdashës në hapësirën kibernetike. Objektiva të rëndësishëm janë edhe përmirësimi i kuadrit ligjor e rregullator, si dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional. Është e nevojshme të zhvillohen mekanizmat për rritjen e standardeve për infrastrukturën kritike për të përmirësuar me shpejtësi fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë kibernetike, si dhe ndërtimin e aftësive ndërinstitucionale për të pasur implementim sa më të sigurt të infrastrukturave dhe sistemeve digjitale, për të monitoruar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha aktivitetet e dyshimta, si dhe për të reaguar me shpejtësi ndaj çdo sulmi. Si një shoqëri e hapur, Shqipëria ka një interes të qartë në forcimin e normave që zbusin kërcënimet kibernetike dhe rrisin stabilitetin në hapësirën kibernetike. Përmes masave të ndërmarra synohet rritja e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale për të bërë të mundur më pas mbrojtjen e infrastrukturave dhe sistemeve digjitale ndaj sulmeve kibernetike nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë. Rritja dhe forcimi i këtyre kapaciteteve, gjithashtu, bën të mundur që të kemi një përgjigje me vendosmëri dhe duke përdorur të gjitha mjetet e përshtatshme kombëtare ndaj akteve armiqësore në hapësirën kibernetike, duke përfshirë ato që cenojnë ose dobësojnë funksionet jetike të shtetit ose infrastrukturat kritike kombëtare. Njëkohësisht, angazhohemi për të përmbushur detyrimet kombëtare për një sjellje të përgjegjshme të shtetit në hapësirën kibernetike, sipas kuadrit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, sipas të cilit ligji ndërkombëtar zbatohet në internet, ashtu siç zbatohet edhe jashtë tij. Gjithashtu, kërcënimi ndaj sigurisë së sistemeve dhe rrjeteve kompjuterike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura është real, për rrjedhojë FA-të do të sigurojnë kapacitete për mbrojtje kibernetike, duke ofruar moscenimin e rrjeteve dhe sistemeve. Objektivi është garantimi i hapësirës kibernetike në të gjithë aktivitetin e MM-së dhe FA-së, nëpërmjet zhvillimit të kapaciteteve për sigurinë kibernetike, konsolidimit të aftësive mbrojtëse, rritjes së vetëdijes e profesionalizmit, si dhe fuqizimit të bashkëpunimit dhe të koordinimit me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
9. EMERGJENCAT CIVILE Ngjarjet e viteve të fundit kanë treguar se ekziston një nevojë urgjente për të forcuar gatishmërinë ndaj fatkeqësive dhe aftësitë e menaxhimit të riskut, për të miratuar sisteme dhe procedura të përshtatshme reagimi dhe për të përmirësuar kapacitetin institucional për koordinimin dhe menaxhimin e reduktimit të risqeve nga fatkeqësitë për bashkëveprimin midis niveleve publike të qeverisë, si dhe me aktorët privatë dhe ata të shoqërisë civile. Prioritet është parandalimi i degradimit mjedisor dhe reduktimi i pasojave të ndryshimeve klimatike, duke menaxhuar me efektivitet basenet ujore, shtuar sipërfaqet pyjore, trajtuar në mënyrë të integruar mbetjet urbane, si dhe duke bashkëpunuar me shoqërinë civile për ndërgjegjësimin e opinionit publik për ruajtjen e mjedisit dhe garantimi i sigurisë së digave të rezervuarëve. Sistemi i mbrojtjes civile u ridimensionua përmes ngritjes dhe funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila është autoriteti përgjegjës për koordinimin, bashkëpunimin, hartimin dhe harmonizimin e procedurave për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Është përmirësuar kuadri i zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë nëpërmjet identifikimit, vlerësimit periodik të riskut dhe monitorimit të tij, duke zbutur pasojat negative të fatkeqësive, si edhe krijimit të bazës së të dhënave të humbjeve nga emergjencat natyrore dhe fatkeqësitë. Me miratimin e Strategjisë Kombëtare të Vlerësimit të Riskut, e cila ka hyrë në fuqi në shkurt 2023, do të implementohen prioritetet strategjike të evidentuara nga çdo institucion përgjegjës, siç është edhe hartimi i ligjit për infrastrukturën kritike konform me ligjet dhe direktivat e BE-së. 15 Plotësimi i kritereve të lartpërmendura krijoi kushtet që Shqipëria të jetë një shtet pjesëmarrës në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Evropiane. Si anëtare me të drejta të plota e saj, Shqipëria jo vetëm që do të jetë në gjendje të marrë mbështetje të menjëhershme, por, gjithashtu, mund të dërgojë ndihmë në vendet e goditura nga një fatkeqësi nëpërmjet Mekanizmit, duke çuar në një reagim më të fortë dhe më të koordinuar ndaj krizave në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës. Ky sistem, qëllimin strategjik do ta ketë te masat parandaluese dhe ato rehabilituese në infrastrukturë, bashkëpunimin midis strukturave ushtarake dhe civile, ngritjen dhe funksionalizimin e strukturave të mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor, bashkëpunimin dhe ndërveprimin me strukturat homologe rajonale në drejtim të mbështetjes së ndërsjellë, në kuadër të mbrojtjes civile, si dhe rritjen e rolit ndërkombëtar të Republikës së Shqipërisë në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, nëpërmjet rolit më të madh dhe më aktiv të saj dhe përmbushjes së kontributeve ndërkombëtare, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në kuadër të asistencës së procedurave përkatëse.
10. FORCIMI I MËTEJSHËM I PUNËS SË SHËRBIMEVE INTELIGJENTE Ndryshimi i mjedisit strategjik drejt një bote komplekse dhe të pasigurt, ku kërcënimet po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe ndërlidhura, e vë komunitetin e inteligjencës në vend përballë sfidave të reja në orientimin dhe mbështetjen e vendimmarrjes strategjike për përballjen e këtyre kërcënimeve. Natyra transnacionale dhe e sofistikuar e kërcënimeve e bën të domosdoshëm thellimin e bashkëpunimit mes tyre, me agjencitë ligjzbatuese në vend dhe partnerët e aleatët ndërkombëtarë. Komuniteti i Inteligjencës duhet të forcojë kapacitetet në funksion të paralajmërimit të efekteve strategjike për sigurinë kombëtare dhe të përshtatë strukturat në raport me natyrën e kërcënimeve. Ky komunitet duhet të promovojë e identifikojë praktikat e funksionet më të mira për krijimin e një kulture të vazhdueshme bashkëpunimi dhe partneriteti. Përmbushja e misionit ligjor të këtij komuniteti kërkon përgjegjshmëri e përpjekje për të ndarë në mënyrën e duhur njohuritë, informacionet dhe aftësitë në të gjithë kufijtë organizativë, duke përdorur në mënyrë efektive burimet në dispozicion. Përveç kësaj, komuniteti duhet të bëjë investime strategjike afatgjata për të zhvilluar profesionalizmin dhe për të përmirësuar kapacitetet në raport me natyrën e re të kërcënimeve. Për arritjen e këtyre objektivave, Komuniteti i Inteligjencës duhet: - të zhvillojë e të adoptojë vazhdimisht proceset për një sistem inteligjence dinamik, që orienton vendimmarrjen strategjike me vlerësime e parashikime mbi kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare, sipas misionit ligjor dhe fushës së përgjegjësisë; - të zgjerojë e thellojë njohuritë strategjike mbi ambientin strategjik, në funksion të informimit mbi trendet në zhvillim, mundësitë e kërcënimet në zona përgjegjësie dhe interesi, me qëllim maksimalizimin e avantazhit të vendimmarrjes dhe rritjen e kontributit në organizma ndërkombëtarë; - të rrisë ndërveprimin mes komunitetit brenda vendit dhe bashkëpunimin mes tij dhe agjencive të zbatimit të ligjit për rritjen e kundërvënies sipas misionit ligjor; - të forcojë partneritetet ekzistuese me aleatë e partnerë dhe të zhvillojë të reja, në funksion të nevojave të misionit dhe në përputhje me përcaktimet ligjore; - të zhvillojë e të implementojë aftësi dhe kapacitete të reja në raport me trendin dhe natyrën e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare; - të avancojë përpjekjet për mbrojtjen e informacionit, infrastrukturës, personelit të vet dhe të zhvillojë një qasje dinamike për vlerësimin e vazhdueshëm të praktikave të përbashkëta të sigurisë e standardeve, për forcimin e sigurisë së infrastrukturës së komunitetit; - të bazohet në punën dhe strategjitë e tij zhvillimore te ky dokument strategjik.
11. ÇËSHTJET E FUQIZIMIT TË SEKTORIT TË SIGURISË – AGJENCITË LIGJZBATUESE DHE TË SIGURISË SË INFORMACIONIT Siguria e informacionit Për aplikimin dhe zbatimin e standardeve më të mira në disiplinat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, Republika e Shqipërisë do të zhvillojë një sistem efektiv për të garantuar mbrojtjen e këtij informacioni dhe të sistemeve të komunikimit të sigurt, përmes rishikimit të legjislacionit në fuqi, modernizimit, fuqizimit teknologjik dhe aftësimit të kapaciteteve; edukimit të sigurisë dhe bashkëveprimit ndërinstitucional e atij ndërkombëtar. Vëmendje e shtuar do t’i kushtohet miratimit të listës kombëtare të produkteve, që ofrojnë garanci për sigurinë e informacionit të klasifikuar, si dhe identifikimit dhe kontrollit të “influencës së huaj” me 16 origjinë nga vende jo mike, përmes zotërimit të pronësisë tek operatorët ekonomikë që angazhohen në marrëdhënie kontraktuale, në kuadrin e prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë që përmbajnë informacion të klasifikuar. Lufta kundër krimit të organizuar: Lufta e vazhdueshme dhe e pakompromis ndaj tij përbën një nga prioritetet kryesore për qeverinë shqiptare, por dhe kriter kyç në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Vizioni dhe përpjekjet e vazhdueshme do të synojnë garantimin e një mjedisi të sigurt për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë nga kërcënimi i krimit të organizuar, duke siguruar jetën e individit, sipërmarrjen e lirë dhe respektimin e ligjshmërisë në tërësi në vend. Për këtë qëllim, do të punohet për ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve të nevojshme institucionale, zhvillimin e sistemeve, teknologjisë, inteligjencës dhe analizës. Veçanërisht do të punohet për rritjen e kapaciteteve investiguese kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik e financiar, krimit kibernetik dhe drogës, duke rimodeluar, duke profilizuar dhe duke rritur profesionalizmin e strukturave të posaçme në Policinë e Shtetit, në përputhje me kërkesat dhe standardet evropiane dhe të Europolit. Për këtë do të vijojë dhe do të intensifikohet bashkëpunimi mes agjencive ligjzbatuese në vend dhe me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë. Një nga objektivat strategjikë për goditjen e krimit të organizuar do të jetë gjurmimi, sekuestrimi, konfiskimi i financave dhe aseteve të grupeve kriminale, duke e dobësuar atë, si dhe duke i kthyer këto asete te komuniteti dhe duke forcuar qëndrueshmërinë e institucioneve. Migracioni: Vijon të jetë një fenomen me ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë dhe mirëqeverisja e tij është një objektiv madhor dhe një kriter për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Shqipëria vijon të jetë një vend i origjinës së migrantëve ekonomikë, por edhe vend tranzit dhe i destinacionit për migrantët ekonomikë, azilkërkuesit dhe refugjatët që vijnë kryesisht nga vendet e treta. Në frymën e proceseve globale të migracionit dhe të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të ofrohet një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj sfidave dhe mundësive të migracionit. Në këtë drejtim, përpjekjet e institucioneve do të jenë për hartimin dhe për menaxhimin e politikave efektive në fushën e migracionit, të cilat të adresojnë dhe menaxhojnë problematikat dhe sfidat që lindin nga lëvizjet migratore drejt Shqipërisë dhe prej saj, si dhe rritjen e ndikimit të migracionit për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë shqiptare. Përpjekjet kryesore në drejtim të mirëqeverisjes së migracionin kanë të bëjnë me: - parandalimin e plotë të fenomenit të emigrimit të parregullt të shtetasve shqiptarë dhe keqpërdorimin e regjimit pa viza në zonën Shengen dhe BE; - trajtimin efektiv të flukseve të përziera migratore që vijnë nga zonat e konfliktit; - forcimin e mekanizmit të riintegrimit, me qëllim garantimin e një kthimi të qëndrueshëm të shtetasve shqiptarë përmes ofrimit të mbështetjes; - ndikimin e migrimit në zhvillimin e vendit përmes promovimit të investimeve njerëzore dhe financiare të shqiptarëve që janë jashtë vendit për vendin; - forcimin e strukturave të menaxhimit të migracionit dhe politikave të imigracionit në drejtim të integrimit të imigrantëve, në përputhje me të drejtat dhe standardet ndërkombëtare. Përmirësimi i sigurisë kufitare: Një ndër drejtimet e rëndësishme për kontrollin dhe për menaxhimin e migracionit të parregullt do të mbetet përmirësimi i sigurisë kufitare përgjatë vijës së kufirit shtetëror dhe menaxhimi i integruar i qarkullimit kufitar. Për garantimin dhe rritjen e sigurisë kufitare do të punohet për zhvillimin e shërbimeve në kufi përmes projekteve teknologjike; parandalimin e krimit ndërkufitar dhe trafiqeve të paligjshme; bashkëpunimit me FRONTEX dhe me fqinjët. Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm: Shqipëria është ndër vendet e renditura e para në koalicionin kundër terrorizmit. Përgjatë viteve ka përmirësuar legjislacionin, si dhe ka ngritur kapacitete të reja të specializuara për të adresuar këtë fenomen. Shqipëria është pjesëmarrëse aktive në përpjekjet e koordinuara të partnerëve të saj strategjikë SHBA dhe BE kundër terrorizmit. Që prej vitit 2014 ajo është anëtare e Koalicionit Global kundër Shtetit Islamik dhe ka ratifikuar një sërë konventash dhe rezolutash në këtë drejtim. Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka bërë progres në masat parandaluese kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, rritjen e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese dhe zhvillimin e politikave efektive në këtë fushë. 17 Bazuar në studimet dhe raportet e riskut rezulton se kërcënimi real prej terrorizmit në Shqipëri është në nivel “të ulët”. Shqipëria është prekur nga fenomeni i pjesëmarrjes së luftëtarëve terroristë, zhvendosur së bashku me familjet e tyre në zonat në konflikt. Aktualisht, evidentohen akoma shumë shtetas shqiptarë, kryesisht gra dhe fëmijë, të strehuar në qendrat e pritjes për t’u riatdhesuar, të cilët do t’u nënshtrohen programeve rehabilituese dhe riintegruese dhe monitorimit të vazhdueshëm nga strukturat përkatëse. Megjithatë, zhvillimet e kohëve të fundit, si ato në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut, sulmet e organizatave të terrorit ndërkombëtar të ISIS, Al Kaedës apo të tjerë, e kanë çuar në një nivel tërësisht të ri sfidën kundër terrorizmit dhe financimit të terrorizmit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Nuk përjashtohet mundësia e aktivizimit të tyre duke marrë në konsideratë zhvillimet aktuale në konfliktin sirian (humbja e territoreve dhe kontrollit të ISIL/DAESH). Masat parandaluese përmes qasjes soft do të konsistojnë në hartimin e një programi komunikimi strategjik për të kultivuar respektin ndaj të drejtave të njeriut; rritjes së përpjekjeve të institucioneve arsimore dhe shoqërisë civile për edukimin dhe trajtimin e shkaqeve themelore dhe efekteve të stereotipeve, paragjykimeve dhe diskriminimit shoqëror me bazë ideologjike; trajtimit të të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm, duke u orientuar nga parimet e qëndresës së komunitetit dhe dialogut gjithëpërfshirës dhe mbështetjes së komuniteteve pritëse në veçanti për risocializimin e qëndrueshëm të të rikthyerve. Në këtë kontekst, do të tregohet vëmendje e shtuar për të vënë në jetë politika efikase shtetërore edhe për riatdhesimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e qytetarëve shqiptarë dhe familjarëve të tyre. Konsolidimi i kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, përdorimi i platformave dhe teknologjive për shkëmbimin në kohë dhe të sigurt të informacionit, kryerja e analizave të përbashkëta të vlerësimit të riskut nga institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese, rritja e kapaciteteve të hetimit dhe zbulimit veçanërisht të financimit të terrorizmit, rritja e kapaciteteve reaguese dhe gatishmërisë së institucioneve për të vepruar shpejt dhe për të minimizuar pasojat e akteve potenciale terroriste, mbrojtja e infrastrukturës kritike në vend, rritja e kapaciteteve për të monitoruar dhe kontrolluar transportin e mallrave, veçanërisht armëve dhe lëndëve të rrezikshme CBRN, si dhe personave në pikat e kalimit kufitar dhe në territor, do të jenë disa nga aspektet kryesore për minimizimin e kërcënimit nga aktet terroriste. Një vëmendje e shtuar do t’i kushtohet luftës për parandalimin e financimit të terrorizmit, përmes forcimit të kuadrit ligjor për vënien në jetë të masave shtrënguese ndërkombëtare kundër terrorizmit, si edhe rritjes së efikasitetit të strukturave ligjzbatuese në drejtim të hetimit dhe procedimit të rasteve të dyshuara.
12. SIGURIA ENERGJETIKE Në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Energjisë, miratuar me VKM-në nr. 480/2018, dhe referuar rekomandimit të BE-së, në vitin 2021 u miratua Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës (NECP) 2020–2030. Ky plan plotëson Strategjinë Kombëtare të Energjisë dhe vendos objektiva të rinj dhe më ambicioze për eficiencën e energjisë, përdorimin të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe dekarbonizimit. Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës parashikon objektivat dhe masat e mëposhtme për eficiencën e energjisë dhe burimet e rinovueshme deri në vitin 2030: “Kontributet në shkarkimin e GES-ve -18,7% (reduktimi në raport me WEM). “Eficienca e energjisë -8,4% (reduktimi i konsumit final në raport me WEM). “Pjesa që zë energjia e rinovueshme në kërkesën finale për energji është 54.4%. Ligji për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme, i miratuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë, përcakton objektivat kombëtarë detyrues dhe detyrimet raportuese për kontributin e energjisë nga burimet e rinovueshme të energjisë në konsumin bruto final të energjisë, rregullat për informacionin, statistikat, certifikimin, për mekanizmat e bashkëpunimit, për mbështetjen, rregullat që lidhen me aksesin dhe funksionimin e rrjeteve për burimet e rinovueshme të energjisë dhe lidhjen e tyre me rrjetin elektrik, rregullat për dhënien, transferimin dhe anulimin e garancive të origjinës për energjinë e prodhuar nga burimet e rinovueshme, burimet, si dhe rregullat për integrimin e vetëprodhuesve dhe komuniteteve të energjisë së rinovueshme në sektorin e energjisë elektrike. Prodhimi i energjisë elektrike: Energjia në Shqipëri prodhohet 100% nga burimet e rinovueshme (99% nga HEC-et dhe 1% nga FV), duke llogaritur një nga pjesët më të larta të energjisë së rinovueshme në përzierjen e energjisë midis vendeve në botë. Kapaciteti total i prodhimit të energjisë elektrike i instaluar në Shqipëri deri më 31 dhjetor 2022 është 2614 mw. Ky kapacitet ka pasur një nivel rritjeje në vitin 2022 prej rreth 9 mw, krahasuar me vitin 2021. Kapaciteti total i prodhimit të energjisë elektrike i 18 shoqërisë publike KESH sh.a. është 1448 mw dhe përbën rreth 55.4% të kapacitetit total të instaluar në vendin tonë. Kapaciteti total i instaluar i prodhuesve të tjerë të energjisë elektrike është 1166 mw dhe përbën rreth 44.6% të kapacitetit total të instaluar në vendin tonë. Numri i prodhuesve të pavarur të energjisë elektrike, të cilët në vitin 2022 prodhuan rreth 45% të totalit të prodhimit vendës, po rritet çdo vit, duke rritur kështu rëndësinë e këtyre prodhuesve në treg, që është një hap i rëndësishëm për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në vendin tonë. Kapaciteti i instaluar i objekteve gjeneruese të lidhur me rrjetin e transmetimit gjatë vitit 2022 është rreth 2,266 mw dhe prodhimi neto i tyre ka rezultuar të jetë 6,149,229 mwh. Kapaciteti i instaluar i prodhuesve të energjisë elektrike të lidhur me rrjetin e shpërndarjes përgjatë vitit 2022 është përafërsisht 348 mw dhe prodhimi neto i tyre rezultoi 853,414 mwh. Duke qenë e ndjeshme ndaj kushteve hidrologjike dhe e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat e saj për furnizim me energji, Shqipëria është një importues neto i energjisë elektrike. Varësia nga importet e energjisë përbën 20–30% të kërkesës për energji dhe garantimi i sigurisë së furnizimit me energji elektrike është një sfidë. Sistemi duhet të mbështetet në prodhimin vendës dhe të jetë i përballueshëm për konsumatorët duke krijuar ndikim në uljen e varfërisë. Në përgjigje të krizës së vazhdueshme energjetike dhe për të parandaluar rritjen e çmimeve në vend dhe për të garantuar energjinë e pandërprerë, në tetor 2021 qeveria e Shqipërisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në furnizimin me energji elektrike, e cila zgjati deri më 30 qershor 2023. Për të garantuar prodhimin e energjisë elektrike, qeveria e Shqipërisë ka kontraktuar që nga shtatori 2022 dy anije termocentrale me naftë për të operuar nga zona e Vlorës. Anijet do të kenë një kapacitet gjenerues të energjisë elektrike të vlerësuar në 100–114 mw. Kjo do të shërbejë deri në 15% të nevojës së përgjithshme të konsumit të Shqipërisë. Me hyrjen në funksion, ALPEX (Albanian Power Exchange) do të ndryshojë marrëdhëniet ndërmjet pjesëmarrësve të tregut, duke shmangur marrëdhëniet dypalëshe mes tyre. Synimi është të kemi një treg që prodhon, transmeton dhe konsumon energji elektrike në mënyrë efikase, si dhe një treg që çon në fitime më të larta, të organizuar sipas modelit të BE-së, i cili udhëhiqet nga parimet e transparencës, mosdiskriminimit dhe të qëndrueshëm në afatgjatë, bazuar në çmimin konkurrues, me synim integrimin e mëtejshëm në tregun më të gjerë rajonal dhe në fund të brendshëm të energjisë në BE. ALPEX do të jetë funksional për të dy vendet: Shqipëri dhe Kosovë, pas një marrëveshjeje të nënshkruar për ofruesin e shërbimeve. Krijimi i këtij tregu do të përmirësojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike për të dyja vendet (Shqipëri dhe Kosovë), me pritshmëri që të ndikojë ndjeshëm në rritjen e konkurrencës duke sjellë uljen e çmimit të energjisë elektrike në tregun me pakicë. Vitet e fundit në vendin tonë janë instaluar impiante të prodhimit të energjisë elektrike nga centralet fotovoltaike, të cilat ndikojnë në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike, kapaciteti total i instaluar i tyre është 23 mw dhe prodhimi total rezulton 5092 mwh. Në bazë të kuadrit strategjik të Strategjisë Kombëtare të Energjisë (2018–2030), Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (2020–2030), dhe pikëpamjes së qeverisë për zhvillimin e sektorit të energjisë duke rritur kapacitetet prodhuese nëpërmjet diversifikimit të burimeve, investimet në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë janë në vazhdim e sipër përmes iniciativave private dhe proceseve konkurruese. Ka përfunduar procedura e tenderit për ndërtimin e një impianti fotovoltaik në Rema-Karavasta (afër zonës së Lushnjës) me fuqi të instaluar 140 mw, ku 70 mw, si pjesë e masave mbështetëse dhe 70 mw do të jenë në tregun e lirë. APP-ja është nënshkruar në vitin 2020 dhe është në zbatim. Aktualisht, ofertuesi në përputhje me lejet e marra ka nisur fazën e ndërtimit. Ka përfunduar procedura e tenderit për ndërtimin e Uzinës PV Spitalla, në zonën e Spitallës, rrethi i Durrësit, me një kapacitet të instaluar 100 mw (70 mw, si pjesë e Masave Mbështetëse dhe një shtesë prej 30 mw për t’u tregtuar në tregun e lirë. Ofertuesi është në fazën e marrjes së lejeve në përputhje me dispozitat e kontratave të nënshkruara në qershor 2021. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur një proces konkurrues për gjeneratorët e energjisë elektrike me erë me kapacitet të instaluar nga 10 mw në 75 mw. Nëpërmjet kësaj procedure tenderimi, Ministria do të përzgjedhë projektet me kapacitet total prej 100 mw, të cilat do të përfitojnë nga masat mbështetëse. Autoriteti kontraktor më vonë mund të vendosë të rrisë kapacitetin total të tenderuar deri në 150 mw. Procesi është në vazhdim. 19 Përpjekjet e vazhdueshme për të diversifikuar prodhimin e energjisë elektrike me burime të tjera të rinovueshme vazhdojnë. Një impiant diellor fotovoltaik me një kapacitet të vlerësuar prej 5.2 mw në pronësi të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe dy HEC-e të vogla me kapacitet rreth 5 mw iu shtuan kapaciteteve vendëse të prodhimit të energjisë. Gjithashtu, në përputhje me urdhrin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, kompania ose një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total deri në 500 kwp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli. Kapaciteti total i instaluar sot është rreth 100 mw. Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë energjetike, reduktimit të importit të energjisë elektrike dhe rritjes së eficiencës dhe prodhimit të energjisë nga hidrocentralet e tjerë të kaskadës së lumit Drin. Hidrocentrali i Skavicës, si tri hidrocentralet e tjera në kaskadën e lumit Drin, do të operohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Ligji nr. 38/2021 parashikon procedurën e veçantë për negocimin e ekzekutimit dhe miratimin e kontratës me “Bechtel International, Inc” ose filialet e saj për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Gjatë vitit 2022, ERE (Autoriteti Rregullator Kombëtar) ka proceduar me miratimin e disa akteve nënligjore, të cilat kanë ndikuar si në mundësinë e ndërtimit të rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes në sektorin e gazit. Për të përmbushur strategjinë e MIE-n me Albgaz dhe KESH, është e nevojshme të arrihet brenda një afati të shkurtër dhe afatmesëm: “i. TEC Vlorë; “ii. ngritja e një terminali për shpërndarjen e gazit natyror të lëngshëm; si dhe “iii. ndërtimi i një gazsjellësi natyror nga terminali i Vlorës në Fier. Ka një angazhim shumëdimensional për të mundësuar furnizimin me gaz të TEC-it të Vlorës. Futja e LNG-së në çdo formë në zonën e Vlorës dhe ndërtimi i gazsjellësit Fier–Vlorë do të shërbejnë për zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëria. Kjo do të rrisë fizibilitetin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit, duke përdorur lidhjen dykahëshe të pikës së daljes së TAP-it.
13. REFORMA NË DREJTËSI DHE LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT Jetësimi i Reformës në Drejtësi nëpërmjet vënies në funksion të plotë të gjithë arkitekturës së re institucionale në sistemin e drejtësisë ishte domosdoshmëri në një shtet të së drejtës të orientuar drejt shërbimit të hapur, të paanshëm, transparent, profesional, eficiient dhe të aksesueshëm për të gjithë. Kuadri ligjor i kësaj reforme, cikli i ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe pajisja e tyre me kapacitetet e nevojshme infrastrukturore dhe njerëzore për jetësimin e prioriteteve strategjike synojnë projektimin në sistemin tonë të drejtësisë drejt standardeve më të mira evropiane me një vizion gjithëpërfshirës për rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Përpos sfidave të shumta për implementimin e kësaj reforme, në një periudhë shumë të shkurtër, krahas miratimit të legjislacionit përkatës, është krijuar një strukturë e qëndrueshme institucionale, e cila ka dëshmuar rezultate të prekshme dhe cilësore për të konkretizuar efektin transformues të ndryshimeve të thella kushtetuese, ligjore dhe institucionale. Reforma, nuk do të ishte esenciale pa ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, të cilat vijojnë të përmbushin objektivat e tyre për një sistem drejtësie të pavarur, profesional dhe me integritet të lartë. Korrupsioni është kërcënim për demokracinë, mirëqeverisjen, konkurrencën e ndershme, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe politik të një vendi. Qeveria shqiptare ka dhe do të vazhdojë të ketë një vullnet të palëkundur në luftën kundër korrupsionit përmes aksioneve parandaluese, masave ndëshkuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese. Lufta kundër korrupsionit nuk përbën vetëm një prioritet për qeverinë shqiptare, por është edhe një nga 5 prioritetet kyçe që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë në rrugëtimin e saj të integrimit në familjen evropiane. Referuar progresraportit të Komisionit Evropian për vitin 2022, Shqipëria ka një lloj përgatitje në luftën kundër korrupsionit. Pavarësisht këtij progresi, shtimit të përpjekjeve dhe angazhimit politik në luftën kundër korrupsionit, kjo e fundit mbetet një fushë që përbën shqetësim serioz. Janë arritur rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dhe Europolin - një kusht për IGC-në e parë, e cila vazhdon të përmbushet. Po kështu, parandalimi dhe ndëshkimi i korrupsionit është një detyrim që rrjedh nga aderimi i Shqipërisë në instrumentet ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit, si: Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, Konventa Penale e Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit, Konventa Civile e Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit etj. 20 Arkitektura e re gjithëpërfshirëse institucionale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, tashmë e jetësuar në përbërje nga Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Posaçme e Apelit për Gjykimin e Çështjeve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka forcuar mekanizmat e hetimit dhe gjykimit të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke krijuar rezultate hetimi dhe dënimi me synimin për të goditur korrupsionin në të gjitha dimensionet e tij. Procesi i zbatimit të një sistemi të plotë dhe të mirideuar të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve po vijon me ritme të shpejta dhe të kënaqshme, i cili po sjell një transformim të vazhdueshëm të sistemit gjyqësor shqiptar, bazuar në një sistem vlerësimi të aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësim të integritetit dhe pastërtisë së figurës me synimin e plotë për kthimin dhe rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit për një shtet të fortë të së drejtës. Zgjatja e mandatit të organeve të Vettingut, do të thellojë rezultatet për të përfunduar me sukses dhe kaluar në filtër të gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2021–2025 dhe Plani i saj i Veprimit (dhjetor 2021) pasqyrojnë fazën e dytë të Reformës në Drejtësi, duke synuar gjatë periudhës së shtrirjes konsolidimin e kuadrit institucional, zbatimin e politikave moderne evropiane në drejtësinë penale, përmirësimin e infrastrukturës së sistemit të drejtësisë dhe mundësi të reja për teknologjinë e informacionit, përfshi zgjidhje inovative elektronike, që mbështesin një rritje thelbësore të efikasitetit dhe transparencës në sistemin e drejtësisë. Faza e tretë, e cila shtrihet 4–5 vjet (deri në 2030), konsiderohet si faza e fundit e reformave madhore, do të synojë: 1. të eliminojë backlog-un; 2. rritjen e cilësisë së shërbimeve; dhe 3. ofrimin e një drejtësie në nivelin dhe standardet e BE-së. Lufta kundër korrupsionit është, gjithashtu, një nga prioritetet e Programit Drejtues të Këshillit të Ministrave, miratuar me VKM-në nr. 68/2021, “Për miratimin e përbërjes dhe programit politik të Këshillit të Ministrave”. Në këtë program ky prioritet parashikohet të realizohet nëpërmjet modernizimit të shërbimeve, konsolidimit të infrastrukturës digjitale, vazhdimit të reformave për forcimin e shtetit ligjor, si dhe forcimit të kapaciteteve institucionale kundër korrupsionit. Lidhur me modernizimin e shërbimeve dhe konsolidimin e infrastrukturës digjitale, në seksionet “Modernizimi për zhvillim” dhe “Shoqëria digjitale”, programi parashikon ambicien e qeverisë shqiptare për të siguruar ofrimin digjital të të gjitha shërbimeve të mundshme për qytetarët, si dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit, si një instrument i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm për parandalimin e korrupsionit. Ndërsa, në drejtim të vazhdimit të reformave dhe forcimit të kapaciteteve institucionale kundër korrupsionit, programi parashikon objektivin e qeverisë për rritjen e aksesit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë nëpërmjet digjitalizimit të sistemit, si dhe zgjerimin dhe fuqizimin e Rrjetit të Koordinatorëve Kundër Korrupsionit. Gjithashtu, me qëllim riorganizimin e strukturave antikorrupsion, një nga prioritetet e qeverisë është krijimi i Agjencisë kundër Korrupsionit. Misioni i kësaj Agjencie do të jetë parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit në administratën publike, nëpërmjet hartimit të politikave, programeve dhe projekteve në fushën e antikorrupsionit, si dhe ndjekjes dhe hetimit administrativ të rasteve të dyshuara për praktika korruptive. Angazhimi i politikëbërësve drejt një agjende kombëtare antikorrupsion dhe drejt përmirësimit të kuadrit institucional dhe legjislativ në fushën e antikorrupsionit është parësor. Gjithashtu, ekziston nevoja për të forcuar vlerësimin e rreziqeve dhe dobësive ndaj korrupsionit si dhe efektivitetin e mekanizmave për parandalimin. Lufta ndaj korrupsionit përbën një qasje horizontale, e cila përfshin sektorë si transparenca, prokurimet publike, shërbimet elektronike, inspektimet dhe kontrollet financiare në administratën publike, integritetin e autoriteteve publike qendrore dhe vendore, bashkëpunimin e autoriteteve ligjzbatuese, si edhe ndërgjegjësimin dhe edukimin e publikut kundër korrupsionit. Edukimi kundër korrupsionit mbetet një prioritet madhor. Zbatimi i kuadrit ligjor nga ana e punonjësve të institucioneve publike të ngrihet në nivelin e praktikave më të mira ndërkombëtare në këtë fushë. Struktura e Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimin të Organizuar (SPAK), e përbërë nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, është funksionale. SPAK-u ka zhvilluar procese gjyqësore dhe hetime financiare në disa çështje të nivelit të lartë. Janë shpallur disa dënime të formës së prerë për zyrtarë të lartë. Vlerësimi kalimtar i anëtarëve të gjyqësorit vazhdon të sjellë rezultate në luftën 21 kundër korrupsionit brenda gjyqësorit. Rritja e numrit të dënimeve të formës së prerë për zyrtarë të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë. Zbatimi i Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit në përgjithësi është në rrugën e duhur. Vetingu i anëtarëve të drejtësisë ka sjell rezultate në luftën kundër korrupsionit. Sfidat për të ardhmen në luftën ndaj korrupsionit, duke përfshirë edhe rekomandimet e raporteve ndërkombëtare në fushën e antikorrupsionit janë: - vazhdimi i forcimit të luftës kundër korrupsionit; progres i mëtejshëm drejt krijimit të një historie solide të hetimeve, ndjekjes penale dhe gjykimit të rasteve të korrupsionit, sekuestrimin dhe konfiskimin/rikthyerjen e aseteve kriminale që rezultojnë nga veprat e lidhura me korrupsionin; - të sigurojë që struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar (SPAK), Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, si dhe gjykatat e SPAK-ut të trajtojnë efektivisht korrupsionin e nivelit të lartë; të sigurojë burime, aftësi dhe bashkëpunim të përshtatshëm ndërmjet këtyre strukturave të reja dhe subjekteve të tjera prokuroriale dhe gjyqësore; - të sigurojë që procedurat penale të nisin në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të rivlerësimit; - adresimi efektiv i rekomandimeve të GRECO-s dhe zbatimi i planit të veprimit përkatës brenda kornizës kohore.
14. FORCIMI I MËTEJSHME I ADMINISTRATËS PUBLIKE Krijimi i institucioneve të qëndrueshme dhe një shërbimi civil modern, profesional dhe të depolitizuar vijojnë të jenë komponentë të rëndësishëm të reformës në administratën publike, si një nga prioritetet kyç të qeverisë shqiptare në procesin e integrimit evropian. Si rezultat i implementimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike dhe Planit të saj të Veprimit 2015–2022, janë shënuar arritje të rëndësishme në drejtim të reformimit të shërbimit civil. Prioriteti dhe sfida më e afërt është hartimi i strategjisë së re të reformës në administratën publike. Gjithashtu, në drejtim të konsolidimit të institucioneve publike dhe shërbimit civil, përpjekjet tona në vijim do të fokusohen në: - rritjen e performancës institucionale të administratës publike, përmirësimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe menaxhimin e performancës së bazuar në rezultate; - rritjen e atraktivitetit të administratës publike, duke siguruar një paketë shpërblimi të drejtë dhe konkurruese përmes zbatimit të reformës së pagave; - zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të rekrutimit në shërbimin civil të bazuar në meritë; - përmirësimin e legjislacionit të shërbimit civil dhe unifikimin e praktikave të menaxhimit të burimeve njerëzore në të gjithë institucionet e administratës publike përfshirë pushtetin vendor; - zhvillimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht përballë sfidave të shtuara me çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, përmes programeve efikase të trajnimit të ofruara nga ASPA.
15. SIGURIA SHËNDETËSORE Qeveria e Shqipërisë me një përgjigje efektive ndaj pandemisë COVID-19 me kujdes social dhe shëndetësor, duke mbrojtur grupet me risk të lartë, mbajtjen nën kontroll dhe zvogëlimin e rrezikut të përhapjes së mëtejshme të virusit; ofrimin e shërbimeve të tjera të domosdoshme të kujdesit shëndetësor, përtej rasteve të paraqitura me COVID-19, për të gjitha grup-moshat e popullsisë, duke përfshirë të moshuarit, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të familjeve e fëmijëve, përmes zvogëlimit të pasojave të krizës për shkak të pandemisë; vazhdimin e ofrimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror në tërësi; ofrimin në mënyrë të pandërprerë të shërbimeve mbështetëse të specializuara për fëmijët dhe familjet e prekuara nga dhuna dhe abuzimi. Në këtë kuadër, koordinimi i të gjitha aktiviteteve të përgjigjes në nivele të ndryshme të sistemit shëndetësor dhe jo vetëm, si dhe integrimi i aktiviteteve me të gjithë sektorët dhe partnerët e tjerë të interesuar përbën një qasje gjithinstitucionale: duke fuqizuar politikat, procedurat dhe kapacitet për të parandaluar epidemitë, pandemitë dhe emergjencat; duke siguruar gatishmëri kombëtare dhe rajonale për reagimin e koordinuar ndaj emergjencave shëndetësore; duke fuqizuar sigurinë ushqimore, biologjike dhe biokimike, radioaktive bazuar në standardet ndërkombëtare; duke fuqizuar sistemin e mbikëqyrjes në tërësi, nga përgjigjja apo reagimi në kohë ndaj emergjencave deri tek komunikimi i riskut; si dhe duke përmirësuar dhe forcuar kujdesin shëndetësor për impaktin në shëndetin mendor. 22
16. SIGURIMI I USHQIMIT DHE STANDARDET Siguria ushqimore lidhet ngushtësisht me aksesin fizik të popullatës në ushqimet bazë, garantimin e zinxhirit të furnizimit në kohë dhe sigurimin e nivelit më të lartë të mbrojtjes së shëndetit të popullatës dhe interesit e konsumatorëve. Situata aktuale e sigurisë ndërkombëtare solli çrregullimin e tregjeve agroushqimore dhe rritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore bazë në treg. Po kështu, u rritën çmimet e imputeve bujqësore, të cilat sigurohen tërësisht nga importi, si dhe çmimi i naftës. Situata e krijuar solli fokusimin e qeverisë në gjetjen e mekanizmave për të subvencionuar dhe mbështetur sektorin e bujqësisë në vend me prioritet sigurimin e nevojave të popullatës me produktet bazë ushqimore. Nëpërmjet akteve normative u rrit sasia e mbështetjes për fermerët në Skemën Kombëtare për vitin 2022 në 5.1 miliardë lekë, nga e cila përfituan rreth 48 mijë fermerë. Krahas mbështetjes me naftë falas për bujqësinë në një sipërfaqe prej rreth 126 mijë ha për rreth 35 mijë fermerë, mbështetja kryesore përfshiu sektorin e blegtorisë, kultivimin e perimeve në serra, si dhe kultivimin e grurit, të mbjellë në vjeshtën e vitit të kaluar. Prodhimi i drithërave për vitin 2022 shënoi një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2021, ndërsa i patateve dhe i fasuleve ishte thuajse në të njëjtit tregues. Ndërsa të dhënat e importeve tregojnë se sasia e drithërave të importuar është ulur, ndërsa sasia e importuar e produkteve të bulmetit ka qenë e njëjtë me vitin e mëparshëm. MBZHR-ja, në funksion të mbrojtjes së konsumatorit për vitin 2022, ka përgatitur programet e kontrollit të sëmundjeve zoonotike. Gjatë vitit 2022 janë monitoruar fermat mbi 5 krerë e lart, krahasimisht me fermat 10 krerë e lart që janë gjurmuar në vitet paraardhëse. Për kontrollin e tuberkulozit në gjedh është zbatuar programi afatgjatë, i cili konsiston në gjurmimin e kafshëve të llojit gjedh me turbekulinë bovine dhe aviare. Gjithashtu, ka vazhduar kontrolli i sëmundjes së tërbimit nëpërmjet vaksinimit të dhelprave të kuqe nga ajri me mbështetjen e BE-në. Gjithashtu, edhe për vitin 2023 është planifikuar të hartohen dhe zbatohen programet e kontrollit të sëmundjeve së brucelozës në të imta, brucelozës në gjedh, tuberkulozit, plasjes, kontrolli i sëmundjes së tërbimit, nëpërmjet vaksinimit të dhelprave të kuqe nga ajri me mbështetjen e BE-së, si dhe programi i mbikëqyrjes për detektimin e hershëm të sëmundjes së influencës aviare. Një pjesë e mirë e këtyre çështjeve dhe masave nga MBZHR-ja janë përfshirë edhe në strategjinë kombëtare të bujqësisë, zhvillimit rural dhe peshkimit 2021–2027 të miratuar me VKM-në nr. 460, datë 29.6.2022, “Për miratimin e strategjisë së bujqësisë, zhvillimit rural dhe peshkimit, 2021–2027, si dhe VKM-në nr. 366, datë 16.6.2023, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Ushqimore 2023–2027”. Siguria ushqimore është, gjithashtu, një tjetër element shumë i rëndësishëm me ndikim në shëndetin e popullatës. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) është institucioni përgjegjës për kontrollin në të gjithë territorin e vendit mbi sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit në të gjitha fazat e zinxhirit: importimit, prodhimit, përpunimit, magazinimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore, ushqimeve për kafshë, inputeve bujqësore dhe veprimtarive prodhuese të duhan-cigareve, si dhe sigurinë e shëndetit të kafshëve në pikat kufitare, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi. Forcimi i kapaciteteve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nëpërmjet rritjes së cilësisë së inspektimeve në fushën e ushqimit, ushqimit për kafshë dhe inputeve bujqësore, si dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera ligjzbatuese për të forcuar kontrollin ndaj subjekteve që ushtrojnë aktivitete antiligjore që cenojnë sigurinë ushqimore, me qëllim garantimin e ushqimit me standardet e kërkuara dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.
17. FORCIMI I KOHEZIONIT SHOQËROR DHE IDENTITETIT KOMBËTAR Kohezioni shoqëror është faktor vendimtar i sigurisë kombëtare. Vendi ynë ka një popullsi në masë më të madhe homogjene dhe, gjithashtu, mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të pakicave kombëtare ka njohur arritje të qëndrueshme nëpërmjet një kuadri ligjor përkatës, si dhe masave e programe konkrete. Megjithatë, e kaluara diktatoriale ka lënë ende gjurmë në organizimin e brendshëm shoqëror, duke ndikuar në rrjedhën e zhvillimit normal demokratik, politik, social, ekonomik dhe duke ndikuar në avancimin e mëtejshme të vlerave të solidaritetit shoqëror, tolerancës dhe multikulturalizmit. Për këtë arsye përkrahja për shtresat apo grupet shoqërore të paprivilegjuara duhet të qëndrojnë në themel të politikave sociale, në mënyrë që të ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe solidare, çka i shërben konsolidimit 23 të mëtejshëm të sigurisë së vendit. Në këtë kuadër duhet përfunduar procesi i dëmshpërblimit ekonomik dhe moral i të përndjekurve politikë të diktaturës komuniste, me qëllim integrimin e plotë të kësaj shtrese në shoqëri. Gjithashtu, në drejtim të përmirësimit të kohezionit social duhet të punohet në drejtim të vënies në jetë të politikave gjithëpërfshirëse, për sa i përket arsimimit dhe punësimit për grupet e margjinalizuara dhe individët me nevoja të posaçme. Krahas kësaj vendi ynë duhet të vijojë punën në drejtim të avancimit të agjendës së barazisë gjinore, fuqizimit ekonomik, parandalimit të dhunës me bazë gjinore, si dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë. Në lidhje me mirëqenien, rritjen e kohezionit social dhe mbrojtjen për gratë, fëmijët, të moshuarit dhe grupet e cenueshme, nëpërmjet mbështetjes social-ekonomike janë ndërmarrë hapa dhe reforma për të luftuar pasigurinë, për shkak të dhunës, përfshirë edhe dhunën online. Zbatimi i instrumenteve ndërkombëtare të ratifikuara dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë në themel të strategjive dhe mbështetjes sociale-ekonomike në kushtet e COVID-19 për këto grupe. Gjithashtu, është kryer menaxhimi i rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje gjatë fatkeqësisë natyrore COVID-19 dhe në vazhdimësi. Mbrojtja gjatë fatkeqësive natyrore, në veçanti gjatë tërmetit 2019 dhe pandemisë COVID-19 duhet të ofrojë akses të barabartë si në ndihmën humanitare, ashtu dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke marrë në konsideratë gjininë, dhunën me bazë gjinore, mbrojtjen e fëmijëve, moshën dhe aftësinë e kufizuar.
18. ZHVILLIMI I NJË SISTEMI ARSIMOR CILËSOR Sistemi arsimor cilësor është baza për zhvillimin shoqëror dhe rritjen ekonomike. Mirarsimimi i brezave ndikon në kohezionin e shoqërisë, garanton ruajtjen dhe përçimin e vlerave kombëtare, kontribuon në rritjen e ndërgjegjes qytetare, përgjegjshmërisë qytetare dhe në konsolidimin e institucioneve publike dhe proceseve të politikëbërjes. Dokumenti kryesor strategjik që adreson dhe mbulon me detaje politikat, qëllimet dhe angazhimet konkrete në fushën e arsimit është Strategjia Kombëtare për Arsimin (SKA) 2021–2026, dokument i cili është në koherencë të plotë me objektivat strategjikë të kornizës evropiane për bashkëpunim midis vendeve të Bashkimit Evropian në fushën e arsimit dhe të formimit. Vizioni i strategjisë miratuar me VKM-në nr. 621, datë 22.10.2021, synon një sistem arsimor cilësor i bazuar në parimet e gjithëpërfshirjes, ndërkohë që prioritet do të jetë sigurimi i arsimit cilësor për të gjitha nivelet e arsimit dhe kërkimit shkencor, duke përmirësuar kushtet e mësimdhënies e mësimnxënies e duke siguruar kushte të barabarta për pjesëmarrje, me synim plotësimin e standardeve evropiane. Ndryshimet e vazhdueshme të zhvillimit ekonomik dhe fenomenet e ndryshme globale apo lokale kërkojnë fuqizimin jo vetëm të kapaciteteve infrastrukturore, por mbi të gjitha fuqizimin e kapaciteteve njerëzore. Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 shkaktoi një krizë në sektorë të ndryshëm, ku arsimi ishte një nga sektorët më të prekur dhe përballimi i situatës kërkoi një angazhim të madh. Fuqizimi i kapaciteteve të komponentit njerëzor është baza për të rritur edhe sigurinë kombëtare. Edukimi gjithëpërfshirës vlerësohet si një komponent bazë për edukimin qytetar në kuadrin e formimit e zhvillimit personal, gjithashtu edhe në kuadrin e përballimit të situatave kritike, siç janë fatkeqësitë natyrore, sulmet kibernetike, terrorizmi, kërcënimet territoriale etj. që cenojnë sigurinë kombëtare të vendit tonë. Sistemi arsimor shqiptar do të jetë i sinkronizuar me kërkesat dhe pritshmëritë e ekonomisë, dhe sfidat e sigurisë dhe do të sigurohet fuqi punëtore e gatshme për të konkurruar në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar. Kërcënimet e reja në rritje të sigurisë kibernetike kanë rritur nevojën për ekspertë të specializuar në këtë fushë, duke nxjerrë në pah domosdoshmërinë e përditësimit të kurrikulave universitare për programet ekzistuese në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe nevojën e krijimit të programeve të reja për të plotësuar nevojat në nivel kombëtar. Investimi në fushën e dijes dhe kërkimit shkencor në fushën e sigurisë vlerësohet si një objektiv strategjik me përfitime afatgjata për sigurinë kombëtare. Zhvillimi i kompetencës digjitale nëpërmjet shfrytëzimit më të mirë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për mësimdhënie dhe të nxënë luan rol vendimtar në ditët e sotme kur siguria mund të kërcënohet papritmas. Teknologjia e informacionit dhe e komunikimit (TIK) mund të ketë ndikim pozitiv në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, në shtimin e motivimit dhe përmirësimin e performancës së nxënësve dhe studentëve. Në rastin e situatave të paparashikueshme siç janë pandemia 24 ose fatkeqësitë natyrore, TIK-u ofron mundësi për organizimin e mësimit në distancë, ndërkaq, në situata normale, teknologjia mund të shfrytëzohet për avancimin e procesit mësimor në shkolla dhe auditore. Paralelisht kjo duhet të lidhet edhe me ndërgjegjësimin për sigurinë në internet, mbrojtjen e të dhënave personale, mbi privatësinë, dhe problemet e mbrojtjes së fëmijëve online. Konsolidimi i mjediseve të sigurta dhe miqësore për fëmijët në shkollë, nëpërmjet hartimit dhe miratimit të planit të veprimit për shkolla të sigurta, krijimi i sistemit për identifikimin, parandalimin dhe raportimin e dhunës, bullizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe minimizimit të gjuhës së urrejtjes në shkolla, përfaqëson një tjetër objektiv që lidhet me sigurinë në arsim. Gjithashtu, mbrojtja e fëmijëve në internet përbën një objektiv të rëndësishëm për të garantuar sigurinë e fëmijëve në nivel kombëtar. MAS- i, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojë programet për ndërhyrjet që sjellin përmirësimin e klimës në shkollë, si parakusht për parandalimin e dhunës. Nisur nga përvoja e projektit me Këshillin e Evropës për parandalimin e bullizmit dhe radikalizmit dhe projektit për forcimin e edukimit për qytetari demokratike që është në proces, po vijohet që këto përvoja të shtrihen në të gjitha shkollat, duke krijuar shkolla demokratike dhe miqësore. Parandalimi i krimit kibernetik dhe bullizimit të të rinjve në formë kibernetike është, gjithashtu, një prioritet i veçantë i ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022–2029, dhe veçanërisht objektivit specifik 3.1, “Mbrojtja, mbështetja dhe siguria e të rejave dhe të rinjve, veçanërisht e atyre në situatë rreziku, në vendin ku jetojnë dhe hapësirën digjitale”. Në zbatim të VKM-së nr. 930, datë 18.11.2015, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe planit të veprimit”, që nga viti shkollor 2019–2021 në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Qendra CVE), MAS ka punuar për rritjen e kapaciteteve në mjediset shkollore për të identifikuar praninë e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe për përmirësimin e njohurive të kapaciteteve (mësues, drejtues, shërbimi psikosocial, oficerët e sigurisë) për të parandaluar dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Në çdo institucion arsimor parauniversitar ka një mësues koordinator të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, si dhe është punuar në drejtim të konsolidimit të rrjetit të mësuesve koordinatorë për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm në arsimin parauniversitar. Në institucionet arsimore janë hartuar planet vjetore për parandalimin dhe luftën kundër bullizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. MAS-i në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme synon rritjen e sigurisë nëpërmjet ndërveprimit dhe parandalimit përmes marrëveshjes së nënshkruar mes palëve, e cila kërkon të krijojë një qasje të re nëpërmjet projektit “Shkolla të sigurta - Oficerët e sigurisë në shkolla”. Për vitin shkollor 2021–2022 në institucionet arsimore publike ofruan shërbimin 150 oficerë sigurie. Për vitin shkollor 2022–2023 u shtuan edhe 70 oficerë sigurie në institucionet arsimore.
19. ZHVILLIMI KULTUROR Gjuha shqipe përfaqëson elementin themelor të identitetit tonë kombëtar. Ajo është lidhja bashkuese e të gjithë shqiptarëve në rajon dhe në botë. Gjuha shqipe krijon një hapësirë të gjerë kulturore, shoqërore dhe ekonomike, me potencial të lartë për të prodhuar siguri dhe stabilitet për rajonin dhe me gjerë. Në kushtet e globalizmit dhe përhapjes së teknologjive të reja të komunikimit, gjuha shqipe, ashtu si gjuhët e tjera, përballet në vijimësi me hyrjen e frazeologjive dhe terminologji të reja të lidhura me dukuritë e reja teknologjike dhe sociale në aspektin global. Ky proces i pashmangshëm nënvizon domosdoshmërinë e ngritjes së mekanizmave akademikë mbikëqyrës dhe analizues të ecurisë së gjuhës shqipe me synim ndërhyrjet e mirëmenduara për ruajtjen, homologimin, zhvillimin e saj harmonik, si dhe për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në botë. Për sa i përket veçanërisht gjuhës shqipe, sfidë aktuale e sektorit është hartimi i një kuadri ligjor, strategjik e institucional, në mbrojtjen dhe përmirësimin e statusit të saj përmes: - Reformave ligjore për mbrojtjen e gjuhës shqipe (të folur dhe të shkruar, dialekteve dhe nëndialekteve të saj, folklorit letrar etj.); - Krijimit të klimës së përshtatshme dhe nxitjes së diskutimit konstruktiv për ruajtjen, mbrojtjen, transmetimin dhe popullarizimin e pasurisë gjuhësore të trashëguar, duke përfshirë këtu edhe mbrojtjen e kultivimin e gjuhëve të pakicave; - Ruajtjes dhe forcimit të identitetit kombëtar nëpërmjet ruajtjes së trashëgimisë kulturore jomateriale, si dhe gjuhës shqipe, si vektor të transmetimit të kësaj trashëgimie; 25 - Mbajtjes gjallë të traditave dhe gjuhës shqipe në diasporë, nëpërmjet organizimit të Ditëve Kombëtare, por edhe publikimit të regjistrit të elementeve të TJM online, rritjes së vazhdueshme të prezencës së informacionit shqip në web etj. Shoqëria shqiptare ka një trashëgimi kulturore, historike, arkeologjike dhe etnografike të pasur, e cila përbën një vlerë të pazëvendësueshme shpirtërore dhe identitare të kombit. Mbrojtja dhe ruajtja e kësaj trashëgimie kulturore, historike, arkeologjike dhe etnografike të Shqipërisë do të kryhet në funksion të interesave kombëtare nëpërmjet zbatimit të politikave të posaçme ndërsektoriale. Duke pasur parasysh rolin udhëheqës të UNESCO-s në mbrojtjen e kulturës dhe promovimin e pluralizmit kulturor (Rezoluta
38.C48 e Konferencës së Përgjithshme të UNESCO), vendi ynë do të intensifikojë bashkëpunimin me UNESCO, Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, në funksion të ruajtjes së pasurive kulturore dhe diversitetit, si mjet për zhvillim dhe paqe. Me rëndësi të veçantë është parandalimi, mbrojtja, përgjigjja efektive ndaj fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera në pasuritë kulturore dhe muzeore në funksion të ruajtjes, rehabilitimit dhe rimëkëmbjes, si dhe parandalimit të trafikimit të paligjshëm të tyre. Ky objektiv do të arrihet nëpërmjet masave si më poshtë: - struktura organizative të dedikuara dhe koordinim ndërinstitucional në rast të fatkeqësive natyrore; - plan-veprimi për emergjencat civile për trashëgiminë kulturore dhe muzetë në nivel kombëtar dhe rajonal; - protokolle të emergjencave civile në institucionet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore me procedura standarde për mënyrat e veprimit në rastet e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera; - hartimi i një databaze të integruar të vlerësimit të riskut për pasuritë kulturore dhe muzeore (hartëzimi i riskut); - dokumentimi, inventarizimi dhe digjitalizimi i trashëgimisë kulturore dhe muzeore; - forcimi i kapaciteteve të autoriteteve përgjegjëse ndërinstitucionale në funksion të parandalimit, zvogëlimit të riskut për pasuritë kulturore dhe muzeore dhe trafikimit të paligjshëm të tyre, si dhe përgjigjes efektive në rastet e fatkeqësive natyrore; - edukimi, sensibilizimi i opinionit publik dhe nxitja e iniciativave vullnetare për parandalimin e risqeve dhe ruajtjes së pasurive kulturore në rast të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera. Objektivi i rëndësishëm i ruajtjes, mbrojtjes dhe vlerësimit të trashëgimisë kulturore dhe historike, në funksion të interesave kombëtarë, ruajtjes së kujtesës dhe identitetit kombëtar si mjete për zhvillim dhe paqe, synohet të arrihet nëpërmjet zbatimit të masave si më poshtë: - dokumentimi, inventarizimi dhe digjitalizimi i pasurive kulturore materiale, jomateriale, si dhe pasurive muzeore në kohë paqe; - programe edukuese, ndërgjegjësuese dhe promovuese për rëndësinë e ruajtjes dhe e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në kohë paqe; - rritja dhe përmirësimi i kapaciteteve të strukturave përgjegjëse të sistemit të trashëgimisë kulturore dhe grupeve vullnetare në kohë paqe për përballimin e situatave në rast konflikti të armatosura; - struktura drejtuese të dedikuara dhe koordinim ndërinstitucional, në rast të konflikteve të armatosura; - plan-veprimi ndërinstitucional për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvendosjen e pasurive kulturore të luajtshme dhe muzeore bazuar në dokumentet guidë të UNESCO-s3, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe institucioneve/organizmave të tjerë ndërkombëtarë4; - Integrimi në rregulloret aktuale ushtarake të dispozitave për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe muzeore dhe parandalimin e trafikimit të paligjshëm bazuar në dokumente guidë të UNESCO-s5; - Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet Forcave të Armatosura, mbrojtjes civile dhe autoriteteve përgjegjëse për trashëgiminë kulturore; - Përfshirja e mbrojtjes së pasurisë kulturore në aksionet dhe përgjigjen humanitare. 3 Managing Disaster Risks for World Heritage, “Endangered Heritage Emergency Evacuation of Heritage Collections”, Reducing Disasters Risks at World Heritage Properties, Konventa e Hagës “Mbi mbrojtjen e vlerave kulturale në rast konflikti të armatosur”, si dhe në protokollin dhe rregulloren mbi zbatimin e kësaj konvente, adoptuar nga Konferenca e UNESCO-s në Hagë më 14 maj 1954”. 4 ICOMOS, ICCROM, ICOM 5 Protection of Cultural Property, Military Manual. 26 Do të forcohen, gjithashtu, kapacitetet e administratës publike përgjegjëse për trashëgiminë kulturore për parandalimin, zbutjen dhe rikuperimin e dëmeve në pasuritë kulturore në raste të fatkeqësive natyrore apo konflikteve të mundshme të armatosura.
20. ZBATIMI DHE PËRGJEGJËSITË Strategjia e Sigurisë Kombëtare zbatohet nga sistemi i sigurisë kombëtare, autoritetet e të cilit përcaktohen nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Zbatimi i suksesshëm i kësaj Strategjie do të realizohet përmes një procesi gjithëpërfshirës, që angazhon të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë të shoqërisë që kanë mundësi dhe kapacitete për të kontribuar në shërbim të sigurisë. Përgjegjësinë kryesore institucionale për zbatimin e SSK-së e ka Këshilli i Ministrave, institucionet në varësi të tij dhe ministritë e linjës. Brenda 6 (gjashtë) muajve nga miratimi i SSK-së, institucionet përgjegjëse ngarkohen me detyrën për të hartuar strategjitë sektoriale dhe ndërsektoriale, në zbatim të kësaj Strategjie. Kryeministri i paraqet Kuvendit të RSH-së dhe Presidentit të Republikës një raport të përvitshëm për gjendjen e sigurisë kombëtare. Monitorimi i zbatimit të Strategjisë bëhet nga Kuvendi i RSH-së nëpërmjet instrumenteve të kontrollit që i jep Kushtetuta dhe ligjet e vendit. SSK-ja do të rishikohet, si rregull, pas 5 (pesë) vjetësh, në varësi të zhvillimeve të sigurisë brenda dhe jashtë vendit. 27