Law No. 10469 dated 13 October 2011 concerning the protection against non-ionising radiations
Made 2011-10-13 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- English
- Kind
- Act
- Country
- Albania
- Subjects
- Environment, Waste and hazardous substances
- Keywords
- pollution control, radiation, authorization/permit, institution, offences/penalties, hazardous waste, emissions, governance, hazardous substances, waste management
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
LIGJ Nr.10 469, datë 13.10.2011 PËR MBROJTJEN NGA RREZATIMET JOJONIZUESE Në mbështetje të neneve 78 e 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi i ligjit Qëllimi i këtij ligji është kontrolli i ekspozimeve të publikut dhe të punonjësve, si dhe monitorimi i rrezatimeve jojonizuese, duke shfrytëzuar të mirat që vijnë nga përdorimi i tyre. Neni 2 Objekti Ky ligj përcakton masat që synojnë mbrojtjen e publikut dhe të punonjësve nga efektet dëmtuese në shëndet, si rezultat i ekspozimit të tyre ndaj rrezatimeve jojonizuese në intervalin e frekuencave 0-300 GHz. Neni 3 Përkufizime Në këtë ligj termat e mëposhtme kanë këto kuptime: 1. “Efektet dëmtuese shëndetësore” janë efektet biologjike, që kanë pasoja dëmtuese në gjendjen fizike, mendore ose të përgjithshme të njerëzve të ekspozuar, qofshin ato afatshkurtra ose afatgjata. 2. “Ekspozim ndaj rrezatimit jojonizues” është rrezatimi i një individi nga fushat elektrike, magnetike ose elektromagnetike. 3. “Ekspozim profesional” është ekspozimi ndaj rrezatimeve jojonizuese, që ndodhin gjatë punës me pajisjet e këtyre rrezatimeve. 4. “Ekspozim publik” është ekspozimi ndaj rrezatimeve jojonizuese që marrin individët ose publiku, përjashtuar ekspozimet profesionale e mjekësore. 5. “Kufizime bazë” janë kufizimet ndaj ekspozimeve të fushave elektrike, magnetike ose elektromagnetike, në bazë të efekteve shëndetësore të përcaktuara. Në varësi të frekuencës së fushave, madhësitë fizike, që përdoren për të përcaktuar këto kufizime, janë densiteti i rrymës (J), shkalla e përthithjes së energjisë specifike (SAR) dhe densiteti i fuqisë (S). 6. “Kufi ekspozimi” është kufiri i sipërm, i vendosur për ekspozimin e njerëzve ndaj rrezatimeve jojonizuese, me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e dëmshme biologjike. 7. “Mbikëqyrje” është monitorimi i ekspozimit të individëve ndaj rrezatimeve jojonizuese ose monitorimi i burimeve që lëshojnë rrezatim jojonizues. 8. “Miratim” është miratimi i lëshuar nga trupa rregullatore, mbi bazën e një aplikimi për veprimtari me pajisje rrezatuese jojonizuese. 9. “Pajisja me rrezatim jojonizues” është çdo produkt i fabrikuar që prodhon rrezatim jojonizues. 10. “Pajisje elektromagnetike mjekësore” është çdo pajisje ose instrument që përdor fushën elektromagnetike për diagnostikimin ose kurimin e pacientëve që janë nën kontroll mjekësor. 11. “Rrezatim jojonizues (Fushë elektromagnetike)” është entiteti fizik që mbart ose ruan energjinë në hapësirë dhe që ushtron forcë mbi ngarkesat elektrike. FEM-ja përfshin fushat magnetike, elektrike ose statike, me frekuenca në intervalin 0-300 GHz. 12. “Veprimtari me burime të rrezatimit jojonizues” është veprimtaria e personit fizik ose juridik, i cili zotëron, transferon, importon, eksporton, merr, përdor, fabrikon ose instalon pajisje me rrezatim jojonizues. Neni 4 Detyrimet e subjekteve që kryejnë veprimtari me burime të rrezatimit jojonizues 1. Të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, që kryejnë veprimtari me burime të rrezatimeve jojonizuese, janë subjekt i këtij ligji. 2. Çdo person fizik ose juridik, vendas apo i huaj, është i detyruar të pajiset me akt miratimi nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet për çdo veprimtari me burime të rrezatimeve jojonizuese. 3. Personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, të pajisur me akt miratimi, detyrohen të zbatojnë dispozitat e parashikuara në këtë ligj dhe në aktet e tjera në zbatim të tij. 4. Personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, që kryejnë veprimtari me burime të rrezatimeve jojonizuese, duhet të punësojnë persona të kualifikuar për punë me këto pajisje, të monitorojnë ekspozimet e tyre dhe të marrin masat e nevojshme për uljen e ekspozimit, kur ato janë mbi nivelet kufi. 5. Punonjësit, që nuk kanë kualifikimin e nevojshëm për punë me pajisjet që emetojnë rrezatim jojonizues, duhet të trajtohen si individë të publikut. 6. Instituti i Shëndetit Publik bën vlerësimin e shëndetit, të efekteve të rrezatimit jojonizues si për punonjësit e ekspozuar profesionalisht, edhe për publikun. KREU II ORGANIZIMI I STRUKTURAVE TË MBROJTJES NGA RREZATIMET JOJONIZUESE Neni 5 Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet 1. Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet është autoriteti përgjegjës kombëtar rregullator, që mbikëqyr dhe siguron zbatimin e dispozitave të këtij ligji e të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fushën e mbrojtjes nga rrezatimet jojonizuese. Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet përcakton masat e nevojshme për të siguruar, në çdo rast, që ekspozimet e çdo instalimi ose pajisjeje, që emetojnë rrezatim jojonizues, të jenë në përputhje me normat e miratuara nga rregulloret përkatëse. 2. Përbërja, organizimi, funksionimi dhe mënyra e shpërblimit të anëtarëve të Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 6 Detyrat e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet, përveç detyrave të përcaktuara në fushën e rrezatimit jonizues, ka edhe këto detyra për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese: a) harton rregulloret dhe miraton udhëzimet e aktet e praktikave të mbrojtjes nga rrezatimet jojonizuese, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga të gjithë personat fizikë ose juridikë; b) kontrollon zbatimin e akteve ligjore e nënligjore për mbrojtjen nga rrezatimi jojonizues; c) miraton veprimtaritë me burime të rrezatimit jojonizues; ç) bën rekomandime dhe propozime për përmirësimin e legjislacionit në fuqi në fushën e mbrojtjes nga rrezatimet jojonizuese; d) bashkëpunon me organizmat kombëtare e ndërkombëtare për problemet e mbrojtjes nga rrezatimet jojonizuese; dh) angazhon institucionet kërkimore-shkencore në të gjithë vendin për zgjidhjen e problemeve kombëtare në fushën e mbrojtjes nga rrezatimet jojonizuese; e) përcakton kërkesat për mbikëqyrjen e veprimtarive me rrezatim jojonizues dhe monitoron ekspozimet e publikut dhe ekspozimet profesionale; ë) kërkon nga çdo operator, prodhues, importues ose instalues i pajisjeve, që emetojnë rrezatim jojonizues, të përmbushë respektimin e kufijve bazë dhe të kufijve të ekspozimit, nëpërmjet matjeve, deklaratave me shkrim ose certifikatave që lëshohen nga prodhuesit; f) miraton procedurat testuese për pajisjet, që emetojnë rrezatim jojonizues dhe ato elektromjekësore, si dhe për kompanitë që do të bëjnë testimin e tyre. Neni 7 Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet është njësi ekzekutive e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet, e cila, përveç detyrave të përcaktuara në fushën e rrezatimit jonizues, kryen edhe këto detyra: a) paraqet për miratim në komision aktet rregulluese të veprimtarisë së mbrojtjes nga rrezatimet jojonizuese; b) kontrollon në praktikë dhe mbikëqyr zbatimin e akteve ligjore e nënligjore në fushën e mbrojtjes nga rrezatimet jojonizuese; c) kryen inspektimin e instalimeve me rrezatim jojonizues; ç) mbledh informacion dhe kryen matjet bazë e analizat e nevojshme për kontrollin e mbrojtjes nga rrezatimet jojonizuese; d) përgatit dosjet për miratimin e veprimtarive me burime të rrezatimit jojonizues; dh) përgatit materialet e mbledhjeve të komisionit, si dhe raportet e kërkuara prej tij; e) mban inventarin kombëtar të instalimeve dhe regjistrat e posaçëm për të gjitha matjet e kryera. Neni 8 Informimi Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet ose personat fizikë apo juridikë, të miratuar, që kanë marrëveshje me të, mund të publikojnë ose të shpërndajnë informacione, të dhëna për matje apo çdo material që ka lidhje me dispozitat e këtij ligji, në faqen zyrtare ose nëpërmjet broshurave të ndryshme. KREU III SANKSIONET Neni 9 Sanksionet 1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë: a) shkelja e pikës 2 të nenit 4, për mospajisje me akt miratimi nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet, dënohet me gjobë 500 000 lekë; b) shkelja e pikës 5 të nenit 4, për punësimin e punonjësve të pakualifikuar, dënohet me gjobë 100 000 lekë; c) shkelja e pikës 3 të nenit 4, për moszbatimin e kërkesave të ligjit dhe akteve, të dala në zbatim të tij, dënohet me gjobë nga 10 000 deri në 300 000 lekë. 2. Gjobat vendosen nga inspektorët e Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimet. 3. Kundër vendimit të inspektorëve bëhet ankim në Komisionin e Mbrojtjes nga Rrezatimet brenda 10 ditëve. 4. Vendimi i Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet ankimohet në gjykatë brenda 30 ditëve. 5. Procedurat për vënien e gjobës dhe ankimimin rregullohen me ligjin nr.10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”. KREU IV DISPOZITA TË FUNDIT Neni 10 Nxjerrja e akteve nënligjore Rregulloret për sigurinë e publikut dhe të punonjësve të ekspozuar ndaj rrezatimeve jojonizuese miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 11 Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shpallur me dekretin nr.7141, datë 28.10.2011 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi