Law No. 10/2017 on the accession of the Republic of Albania to the Agreement on port state measures to prevent, deter and eliminate illegal, unreported and unregulated fishing
Made 2017-02-02 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Original title
- Ligj Nr. 10/2017 për aderimin e Republikës Së Shqipërisë në marrëveshjen për masat e shteteve portuale për të parandaluar, frenuar dhe eliminuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar.
- Language
- Albanian
- Kind
- Act
- Country
- Albania
- Subjects
- Fisheries and aquaculture
- Keywords
- port State measures, enforcement/compliance, Illegal unreported and unregulated fishing (IUU fishing), international agreement-text, fishery management and conservation, marine fisheries, foreign fishing, ratification
Where to read it
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
LIGJ Nr. 10/2017 PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MARRËVESHJEN PËR MASAT E SHTETEVE PORTUALE PËR TË PARANDALUAR, FRENUAR DHE ELIMINUAR PESHKIMIN E PALIGJSHËM, TË PARAPORTUAR DHE TË PARREGULLUAR Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: Neni 1 Republika e Shqipërisë aderon në marrëveshjen për masat e shteteve portuale për të parandaluar, frenuar dhe eliminuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar, sipas tekstit bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse të këtij ligji. Neni 2 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 2.2.2017 Shpallur me dekretin nr. 10008, datë 15.2.2017, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani MARRËVESHJE PËR MASAT E SHTETEVE PORTUALE PËR PARANDALIMIN, FRENIMIN DHE ELIMINIMIN E PESHKIMIT TË PALIGJSHËM, TË PARAPORTUAR DHE TË PARREGULLUAR PREAMBULË Palët e kësaj Marrëveshjeje, të shqetësuara thellësisht për vazhdimësinë e peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar dhe pasojat e tij negative në rezervat e peshkut, ekosistemin detar dhe mjetet e jetesës së peshkatarëve të ligjshëm, dhe për nevojën në rritje për siguri ushqimore në nivel global; të ndërgjegjshëm për rolin e shtetit portual në miratimin e masave efektive për të nxitur përdorimin e qëndrueshëm dhe konservimin afatgjatë të burimeve të gjalla detare; ndërsa pranojnë që masat për të luftuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar duhet të ngrihen mbi përgjegjësinë parësore të shteteve të flamurit dhe të përdorin të gjitha kompetencat në dispozicion në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë masat e shtetit portual, masat e shtetit bregdetar, masat e lidhura me tregun dhe masat për të siguruar që shtetasit të mos mbështetin ose të mos përfshihen në peshkim të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar; ndërsa pranojnë që masat e shtetit portual ofrojnë një mënyrë të fuqishme dhe efikase për të parandaluar, frenuar dhe eliminuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar; të ndërgjegjshme për nevojën për të rritur koordinimin në nivel rajonal dhe ndërrajonal për të luftuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar nëpërmjet masave të shtetit portual, duke njohur teknologjitë e komunikimit në zhvillim të shpejtë, bazat e të dhënave, rrjetet dhe të dhënat globale që mbështesin masat e shtetit portual; ndërsa pranojnë nevojën për të ndihmuar vendet në zhvillim që të miratojnë dhe zbatojnë masa të shtetit portual; duke pasur parasysh thirrjet nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet Sistemit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Komitetin mbi Peshkimin e Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara, më poshtë i referuar “FAO”, për një instrument ndërkombëtar të detyrueshëm për standardet minimale për masat e shtetit portual, bazuar në Planin Ndërkombëtar të Veprimit 2001 të FAO-s për të parandaluar, frenuar dhe eliminuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar dhe Skemën Model 2005 të FAO-s për masat e shtetit portual për të luftuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar; duke pasur parasysh që në ushtrimin e sovranitetit të tyre mbi portet që ndodhen në territorin e tyre, shtetet mund të miratojnë masa më të rrepta në përputhje me të drejtën ndërkombëtare; duke kujtuar dispozitat përkatëse të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit të 10 dhjetorit 1982, më poshtë e referuar “Konventa”; duke kujtuar Marrëveshjen për Zbatimin e Dispozitave të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit të 10 dhjetorit 1982, në lidhje me Ruajtjen dhe Menaxhimin e rezervave që ndodhen brenda zonës ekonomike ekskluzive të një ose më shumë shteteve dhe në det të hapur dhe rezervave tipike migratore të 4 dhjetorit 1995, Marrëveshjen për Nxitjen e Përputhshmërisë me Masat Ndërkombëtare për Konservimin dhe Menaxhimin nga Anijet e Peshkimit në Det të Hapur të 24 nëntorit 1993 dhe Kodin e Sjelljes 1995 të FAO-s për Peshkim të Përgjegjshëm; ndërsa njohin nevojën për të lidhur një marrëveshje ndërkombëtare brenda kuadrit të FAO-s, sipas nenit XIV të Kushtetutës së FAO-s, kanë rënë dakord si më poshtë: PJESA 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Përdorimi i termave Për qëllime të kësaj Marrëveshjeje: a) “masa konservimi dhe menaxhimi” do të thotë masa për të ruajtur dhe menaxhuar burimet e gjalla detare që janë miratuar dhe zbatuar në përputhje me rregullat përkatëse të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë ato që janë pasqyruar në Konventë; b) “peshq” do të thotë të gjitha speciet e burimeve të gjalla detare, qofshin ato të përpunuara apo jo; c) “peshkim” do të thotë kërkimi, tërheqja, gjetja e vendndodhjes, zënia, marrja ose vjelja e peshqve ose çdo veprimtari që në mënyrë të arsyeshme mund të pritet të rezultojë në tërheqjen, përcaktimin e vendndodhjes, zënien, marrjen ose vjeljen e peshqve; d) “veprimtari që lidhen me peshkimin” do të thotë çdo veprim që mbështet ose përgatit peshkim, përfshirë zbarkimin, paketimin, përpunimin, transbordimin ose transportimin e peshqve që nuk janë zbarkuar më përpara në një port, si edhe pajisjen me personel, lëndë djegëse, mjete peshkimi dhe furnizimeve të tjera në det; e) “peshkim i paligjshëm, i paraportuar dhe i parregulluar” i referohet veprimtarive të përcaktuara në paragrafin 3 të Planit Ndërkombëtar të Veprimit 2001 të FAO-s për të Parandaluar, Frenuar dhe Eliminuar Peshkimin e Paligjshëm, të Paraportuar dhe të Parregulluar, më poshtë i referuar si “peshkimi PPP”; f) “Palë” do të thotë një shtet ose organizatë rajonale e integrimit ekonomik që ka pranuar që kjo Marrëveshje të jetë e detyrueshme për atë palë dhe për të cilën kjo Marrëveshje është në fuqi; g) “port” përfshin terminalin në det të hapur dhe struktura të tjera për zbarkim, transbordim, paketim, përpunim, rifurnizim me lëndë djegëse ose me mjete; h) “organizatë rajonale e integrimit ekonomik” do të thotë një organizatë rajonale për integrimin ekonomik së cilës shtetet anëtare i kanë transferuar kompetencë mbi çështje që mbulon kjo Marrëveshje, duke përfshirë autoritetin për të marrë vendimet e detyrueshme mbi shtetet e saj anëtare, në lidhje me këto çështje; i) “organizata rajonale për menaxhimin e peshkimit” do të thotë organizatë ose strukturë ndërqeveritare peshkimi, sipas rastit, me kompetencë për të marrë masa konservimi dhe menaxhimi; dhe j) “mjet lundrimi” do të thotë çdo mjet, anije e tjetër lloji ose varkë që përdoret, e pajisur për t’u përdorur ose e caktuar që të përdoret për peshkim ose veprimtari që lidhen me peshkimin. Neni 2 Objektivi Objektivi i kësaj Marrëveshjeje është të parandalojë, frenojë dhe eliminojë peshkimin PPP nëpërmjet zbatimit të masave të efektshme të shtetit portual dhe me anë të tyre të sigurojë konservimin afatgjatë dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve të gjalla detare dhe ekosistemeve detare. Neni 3 Zbatimi 1. Çdo Palë, në cilësinë e saj si shtet portual, zbaton këtë Marrëveshje në lidhje me mjetet e lundrimit që nuk kanë të drejtë të mbajnë flamurin e saj, të cilat kërkojnë të hyjnë në portet e saj ose janë në një nga portet e saj, përveçse për: a) mjetet e lundrimit të një shteti fqinj, të cilat janë përfshirë në peshkim artizanal si mjet jetese, me kusht që shteti portual dhe shteti i flamurit të bashkëpunojnë për të siguruar që këto mjete lundrimi të mos përfshihen në peshkim PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin të cilat e mbështesin këtë lloj peshkimi; dhe b) mjete lundrimi kontejner mbajtëse që nuk mbajnë peshqit ose nëse i mbajnë, vetëm peshkun që është zbarkuar më përpara, nëse nuk ka arsye të qarta për të dyshuar që këto mjete lundrimi janë përfshirë në veprimtari që lidhen me peshkimin të cilat e mbështesin peshkimin PPP. 2. Një Palë, në cilësinë e saj si shtet portual, mund të vendosë të zbatojë këtë Marrëveshje për mjetet e lundrimit të marra me qira nga shtetasit e saj në mënyrë ekskluzive për peshkimin në zona nën juridiksionin e saj dhe që veprojnë në autoritetin e saj në këto zona. Këto mjete u nënshtrohen masave nga Pala që janë po aq efektive sa masat që zbatohen në lidhje me mjetet e lundrimit që mbajnë flamurin e saj. 3. Kjo Marrëveshje zbatohet për peshkimin në zona detare, i cili është i paligjshëm, i paraportuar dhe i parregulluar, siç përkufizohet në nenin 1(e) të kësaj Marrëveshjeje dhe për veprimtaritë që lidhen me peshkimit të cilat mbështesin këtë peshkim. 4. Kjo Marrëveshje zbatohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe jodiskriminuese, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. 5. Meqë kjo Marrëveshje ka fushëveprimi globale dhe zbatohet për të gjitha portet, Palët inkurajojnë të gjitha subjektet e tjera që të zbatojnë masat në përputhje me dispozitat e saj. Ato që nuk mund të bëhen palë të kësaj Marrëveshjeje mund të shprehin angazhimin e tyre për të vepruar në përputhje me dispozitat e saj. Neni 4 Marrëdhënia me të drejtën ndërkombëtare dhe instrumente të tjera ndërkombëtare 1. Asnjë dispozitë e kësaj Marrëveshjeje nuk cenon të drejtat, kompetencat dhe detyrat e Palëve sipas së drejtës ndërkombëtare. Në veçanti, asnjë dispozitë e kësaj Marrëveshjeje, nuk do të interpretohet si e tillë që ndikon në: a) sovranitetin e Palëve mbi ujërat e tyre të brendshme, të arkipelagut dhe tokësore ose të drejtat e tyre sovrane mbi shelfin e tyre kontinental dhe në zonën ekskluzive ekonomike; b) ushtrimin e sovranitetit të tyre nga Palët mbi portet në territorin e tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën e tyre për të mohuar hyrjen në to, si edhe për të miratuar masa më të rrepta të shtetit portual sesa ato që parashikon kjo Marrëveshje, përfshirë masat e miratuara sipas një vendimi të një organizate rajonale të menaxhimit të peshkimit. 2. Një Palë, në zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, nuk detyrohet nga masat ose vendimet e një organizate rajonale për menaxhimin e peshkimit në të cilën nuk është anëtare apo nuk detyrohet të njohë një organizatë të tillë. 3. Një Palë, nuk detyrohet sipas kësaj Marrëveshjeje, në asnjë rast, që të miratojë masat ose vendimet e një organizate rajonale për menaxhimin e peshkimit nëse këto masa ose vendime nuk janë miratuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. 4. Kjo Marrëveshje interpretohet dhe zbatohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke pasur parasysh rregullat dhe standardet e zbatueshme ndërkombëtare, përfshirë ato të përcaktuara nëpërmjet Organizatës Ndërkombëtare Detare, si edhe instrumenteve të tjera ndërkombëtare. 5. Palët me mirëbesim përmbushin detyrimet e tyre të ndërmarra sipas kësaj Marrëveshjeje dhe ushtrojnë të drejtat që njihen në të në mënyrë të tillë që të mos përbëjë abuzim me të drejtën. Neni 5 Integrimi dhe koordinimi në nivel rajonal Çdo Palë, në masën më të madhe të mundshme: a) integron ose koordinon masat e shtetit portual në lidhje me peshkimin me sistemin më të gjerë të kontrolleve të shtetit portual; b) integron masat e shtetit portual me masa të tjera për të parandaluar, frenuar dhe eliminuar peshkimin PPP dhe veprimtaritë që lidhen me peshkimin të cilat mbështesin këtë peshkim, duke pasur parasysh Planin Ndërkombëtar të Veprimit 2001 të FAO-s për të Parandaluar, Frenuar dhe Eliminuar Peshkimin e Paligjshëm, të Paraportuar dhe të Parregulluar; dhe c) merr masa për të shkëmbyer informacion mes agjencive të duhura kombëtare dhe për të koordinuar veprimtaritë e këtyre agjencive në zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. Neni 6 Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit 1. Palët, për të promovuar zbatimin e efektshëm të kësaj Marrëveshjeje dhe duke pasur parasysh kërkesat e duhura të konfidencialitetit, bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë informacion me shtetet përkatëse, FAO-n, organizata të tjera ndërkombëtare dhe organizata rajonale për menaxhimin e peshkimit, përfshirë masat e miratuara nga këto organizata rajonale për menaxhimin e peshkimit në lidhje me objektivin e kësaj Marrëveshjeje. 2. Çdo Palë, në masën më të madhe të mundshme, merr masat për të mbështetur masat e konservimit dhe menaxhimit të miratuara nga shtetet e tjera dhe organizatat e tjera të rëndësishme ndërkombëtare. 3. Palët bashkëpunojnë, në nivel lokal, rajonal dhe global, në zbatimin e efektshëm të kësaj Marrëveshjeje, përfshirë, sipas rastit, nëpërmjet FAO-s ose organizatave dhe strukturave rajonale për menaxhimin e peshkimit. PJESA 2 HYRJA NË PORT Neni 7 Përcaktimi i porteve 1. Çdo Palë përcakton dhe publikon portet ku mjetet e lundrimit mund të kërkojnë të hyjnë sipas kësaj Marrëveshjeje. Çdo Palë i dërgon FAO-s një listë të porteve të caktuara, e cila do të publikohet siç duhet. 2. Çdo Palë, në masën më të madhe të mundshme, sigurohet që çdo port i përcaktuar dhe i publikuar sipas paragrafit 1 të këtij neni të ketë kapacitet të mjaftueshëm për të kryer inspektimin sipas kësaj Marrëveshjeje. Neni 8 Kërkesa paraprake për hyrje në port 1. Çdo Palë, si standard minimal, kërkon që t’i jepet informacioni sipas aneksit A përpara se një anijeje t’i lejohet hyrja në port. 2. Çdo Palë kërkon që informacioni i përmendur në paragrafin 1 të këtij neni të jepet paraprakisht mjaftueshëm për t’i dhënë kohë të mjaftueshme shtetit portual që të shqyrtojë këtë informacion. Neni 9 Hyrja në port, autorizimi apo refuzimi 1. Pasi merr informacionin e rëndësishëm të kërkuar sipas nenit 8, si edhe informacion tjetër që mund të kërkohet për të përcaktuar nëse anija që kërkon të hyjë në port është përfshirë në peshkim PPP apo veprimtari që lidhen me peshkimin, të cilat e mbështesin këtë peshkim, çdo Palë vendos nëse do të autorizojë apo refuzojë hyrjen e anijes në portin e saj dhe i komunikon këtë vendim anijes apo përfaqësuesit të saj. 2. Në rastin e autorizimit të hyrjes, kapitenit të anijes ose përfaqësuesit të anijes i kërkohet që të paraqesë autorizimin për hyrje tek autoritetet kompetente të Palës sapo anija të mbërrijë në port. 3. Në rastin e refuzimit të hyrjes, çdo Palë i komunikon vendimin e saj të marrë sipas paragrafit 1 të këtij neni shtetit të flamurit që mban anija dhe, sipas rastit dhe në masën e mundshme, shteteve përkatëse bregdetare, organizatave rajonale për menaxhimin e peshkimit dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. 4. Pa cenuar paragrafin 1 të këtij neni, kur një Palë ka të dhëna të mjaftueshme që një anije, e cila kërkon të hyjë në port është përfshirë në peshkim PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin të cilat e mbështesin këtë peshkim, sidomos që një anije është përfshirë në listën e anijeve të cilat janë marrë me peshkim PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin të cilat e mbështesin këtë peshkim, listë kjo që është miratuar nga organizata përkatëse rajonale për menaxhimin e peshkimit në përputhje me rregullat dhe procedurat e kësaj organizate dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Pala i refuzon kësaj anijeje hyrjen në portet e saj, duke pasur parasysh paragrafët 2 dhe 3, të nenit 4. 5. Pavarësisht paragrafëve 3 dhe 4 të këtij neni, një Palë mund t’i lejojë hyrjen në port një anijeje të përmendur në këta paragrafë në mënyrë ekskluzive për qëllim të inspektimit të saj dhe për të marrë masa të tjera të duhura në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të cilat janë të paktën po aq të efektshme sa refuzimi i hyrjes në port për parandalimin, frenimin dhe eliminimin e peshkimit PPP dhe veprimtarive që lidhen me peshkimin të cilat e mbështesin këtë peshkim. 6. Nëse një anije e përmendur në paragrafin 4 ose 5 të këtij neni është në port për çfarëdo arsye, një Palë i refuzon kësaj anijeje përdorimin e portit të saj për zbarkim, transbondim, paketim dhe përpunim të peshkut dhe shërbimeve të tjera portuale, duke përfshirë, ndër të tjera, rifurnizimin me lëndë djegëse dhe pajisje, mirëmbajtje dhe ankorim në dok. Në këto raste paragrafët 2 dhe 3, të nenit 11, zbatohen mutatis mutandis. Refuzimi i përdorimit të porteve bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Neni 10 Forca madhore ose fatkeqësitë Asnjë dispozitë e kësaj Marrëveshjeje nuk ndikon në hyrjen e anijeve në port në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për arsye të forcës madhore ose fatkeqësive, ose nuk e ndalon një shtet portual që të lejojë hyrjen në port të një anijeje në mënyrë ekskluzive për qëllim të dhënies së ndihmës për personat, anijet ose avionin në rrezik apo fatkeqësi. PJESA 3 PËRDORIMI I PORTEVE Neni 11 Përdorimi i porteve 1. Një palë, kur një anije ka hyrë në një nga portet e saj, i refuzon kësaj anijeje, sipas ligjeve dhe rregullave dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë këtë Marrëveshje, përdorimin e portit për zbarkimin, transbordimin, paketimin dhe përpunimin e peshkut që është zbarkuar më përpara dhe për shërbime të tjera portuale, duke përfshirë, ndër të tjera, rifurnizimin me lëndë djegëse dhe pajisje, mirëmbajtje dhe ankorim në dok nëse: a) Pala konstaton që anija nuk ka autorizim të vlefshëm dhe të zbatueshëm për t’u përfshirë në peshkim ose veprimtari që lidhen me peshkimin të kërkuara nga shteti i flamurit; b) Pala konstaton që anija nuk ka autorizim të vlefshëm dhe të zbatueshëm për t’u përfshirë në peshkim ose veprimtari që lidhen me peshkimin, të kërkuara nga shteti bregdetar në lidhje me zonat nën juridiksionin kombëtar të atij shteti; c) Pala merr të dhëna të qarta që peshku në bord është marrë në shkelje të kërkesave të zbatueshme të një shteti bregdetar në lidhje me zonat nën juridiksionin kombëtar të atij shteti; d) Shteti i flamurit nuk konfirmon brenda një periudhe të arsyeshme kohore, me kërkesë të shtetit portual, që peshku në bord është marrë në përputhje me kërkesat e zbatueshme të një organizate përkatëse rajonale për menaxhimin e peshkimit, duke pasur parasysh paragrafët 2 dhe 3, të nenit 4; ose e) Pala ka shkaqe të arsyeshme të besojë që anija është përfshirë në peshkimin PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin, të cilat e mbështesin këtë peshkim, si edhe në mbështetje të një anijeje të përmendur në paragrafin 4, të nenit 9, përveç rasteve kur anija mund të provojë: i) që ka vepruar në përputhje me masat përkatëse të konservimit dhe menaxhimit; ose ii) që, në rastin e sigurimit të stafit, lëndës djegëse, mjeteve të peshkimit dhe furnizimeve të tjera në det, anija që është furnizuar, në kohën e furnizimit nuk ka qenë anije siç përcaktohet në paragrafin 4 të nenit 9. 2. Një Palë, pavarësisht paragrafit 1 të këtij neni, nuk i refuzon një anijeje të përmendur në atë paragraf përdorimin e shërbimeve portuale: a) thelbësore për sigurinë ose shëndetin e ekuipazhit ose sigurinë e anijes, nëse këto nevoja provohen si duhet; ose b) për kthimin e anijes për skrap, sipas rastit. 3. Nëse një Palë refuzon përdorimin e porteve të saj sipas këtij neni, ajo njofton menjëherë për vendimin e saj shtetin e flamurit dhe, sipas rastit, shtetet përkatëse bregdetare, organizatat rajonale për menaxhimin e peshkimit dhe organizatat përkatëse ndërkombëtare. 4. Një Palë tërheq refuzimin e përdorimit të portit të saj sipas paragrafit 1 të këtij neni në lidhje me një anije vetëm nëse ka prova të mjaftueshme që shkaqet për të cilat është refuzuar janë të papërshtatshme ose të gabuara ose që këto shkaqe nuk vlejnë më. 5. Nëse një Palë tërheq refuzimin e saj sipas paragrafit 4 të këtij neni, ajo njofton menjëherë ata për të cilët është bërë njoftimi sipas paragrafit 3 të këtij neni. PJESA 4 INSPEKTIMI DHE MASAT VIJUESE Neni 12 Nivelet dhe përparësitë për inspektim 1. Çdo Palë inspekton numrin e mjeteve të lundrimit të saj në port të nevojshëm për të arritur një nivel vjetor të inspektimeve të mjaftueshme për realizimin e objektivit të kësaj Marrëveshjeje. 2. Palët synojnë të bien dakord për një numër minimal të inspektimeve të mjeteve të lundrimit nëpërmjet, sipas rastit, organizatave rajonale për menaxhimin e peshkimit, FAO-s ose tjetër. 3. Një Palë, në përcaktimin e mjeteve të lundrimit që do të inspektohen, i jep përparësi: a) mjeteve të lundrimit të cilave u është refuzuar hyrja ose përdorimi i një porti në përputhje me këtë Marrëveshje; b) kërkesave nga Palë të tjera të rëndësishme, shteteve ose organizatave rajonale për menaxhimin e peshkimit që mjete lundrimit të caktuara të inspektohen, sidomos nëse këto kërkesa mbështeten nga të dhëna për peshkim PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin, të cilat mbështesin këtë peshkim me anë të mjeteve të lundrimit në fjalë; dhe c) mjeteve të tjera të lundrimit për të cilat ka arsye të qarta për të dyshuar që janë përfshirë në peshkim PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin të cilat e mbështesin këtë peshkim. Neni 13 Kryerja e inspektimeve 1. Çdo Palë sigurohet që inspektorët e saj të kryejnë funksionet e përcaktuara në aneksin B si standard minimal. 2. Çdo Palë, në kryerjen e inspektimeve në porte: a) sigurohet që inspektimet të kryhen nga inspektorë të kualifikuar si duhet të autorizuar për këtë qëllim, duke pasur veçanërisht parasysh nenin 17; b) sigurohet që, përpara një inspektimi, inspektorëve t’u kërkohet t’i paraqesin kapitenit të mjetit të lundrimit një dokument të duhur që i identifikon inspektorët si të tillë; c) sigurohet që inspektorët të shqyrtojnë të gjitha fushat përkatëse të mjeteve të lundrimit, peshkun në bord, rrjetat dhe çdo mjet tjetër peshkimi, pajisje dhe çdo dokument apo të dhënë në bord që është e rëndësishme për të verifikuar respektimin e masave përkatëse të konservimit dhe menaxhimit; d) i kërkon kapitenit të mjetit të lundrimit që t’u japë inspektorëve të gjithë ndihmën dhe informacionin e nevojshëm dhe të paraqesë dokumentet dhe materialet e rëndësishme që mund të kërkohen ose kopje të noterizuara të tyre; e) në rastin e marrëveshjeve të duhura me shtetin e flamurit të mjetit të lundrimit, fton atë shtet që të marrë pjesë në inspektim; f) bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të shmangur vonesat e mjetit të lundrimit për të minimizuar ndërhyrjen dhe vështirësitë, si edhe çdo prani të panevojshme të inspektorëve në bord dhe për të shmangur veprime që do të ndikonin negativisht në cilësinë e peshkut në bord; g) bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të lehtësuar komunikimin me kapitenin ose anëtarët e ekuipazhit të mjetit të lundrimit, përfshirë, nëse është e mundur dhe e nevojshme, rastet kur inspektori është i shoqëruar me një përkthyes; h) sigurohet që inspektimet të kryhen në mënyrë të drejtë, transparente dhe jodiskriminuese dhe të mos përbëjnë ngacmim të mjetit të lundrimit; dhe i) të mos ndërhyjë në aftësinë e kapitenit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për të komunikuar me autoritetet e shtetit të flamurit. Neni 14 Rezultatet e inspektimeve Çdo Palë, si standard minimal, në një raport të shkruar të rezultateve të çdo inspektimi përfshin informacionin e paraqitur në aneksin C. Neni 15 Përcjellja e rezultateve të inspektimit Çdo Palë i përcjell rezultatet e çdo inspektimi te shteti i flamurit që mban mjeti i lundrimit të inspektuar dhe, sipas rastit: a) Palëve dhe shteteve përkatëse, përfshirë: i) atyre shteteve për të cilat ka të dhëna nëpërmjet inspektimit që mjeti i lundrimit është përfshirë në peshkim PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin të cilat e mbështesin këtë peshkim brenda ujërave në juridiksionin e tyre kombëtar; dhe ii) shtetit, shtetësinë e të cilit e mban kapiteni i mjetit të lundrimit; b) organizatave të duhura rajonale për menaxhimin e peshkimit; dhe c) FAO-s dhe organizatave të tjera përkatëse ndërkombëtare. Neni 16 Shkëmbimi elektronik i informacionit 1. Çdo Palë, për të lehtësuar zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, kur është e mundur, krijon një mekanizëm komunikimi që lejon shkëmbimin e drejtpërdrejtë elektronik të informacionit, duke pasur parasysh kërkesat e duhura të konfidencialitetit. 2. Palët, në masën e mundshme dhe duke pasur parasysh kërkesat e duhura të konfidencialitetit, duhet të bashkëpunojnë për të krijuar një mekanizëm për ndarjen e informacionit, preferueshëm të koordinuar nga FAO-ja, në lidhje me nisma të tjera të rëndësishme shumëpalëshe dhe ndërqeveritare dhe për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit me bankat ekzistuese të të dhënave të rëndësishme për këtë Marrëveshje. 3. Çdo Palë cakton një autoritet që të veprojë si pikë kontakti për shkëmbimin e informacionit sipas kësaj Marrëveshjeje. Çdo Palë njofton FAO-n për autoritetin e caktuar. 4. Çdo Palë e trajton informacionin që do të përcillet nëpërmjet një mekanizmi të krijuar sipas paragrafit 1 të këtij neni në përputhje me aneksin D. 5. FAO-ja i kërkon organizatave të duhura rajonale për menaxhimin e peshkimit që të japin informacion në lidhje me masat ose vendimet që kanë miratuar dhe zbatuar të cilat lidhen me këtë Marrëveshje për integrimin e tyre, në masën e mundshme dhe duke pasur parasysh kërkesat e duhura të konfidencialitetit, në mekanizmin e ndarjes së informacionit të përmendur në paragrafin 1 të këtij neni. Neni 17 Trajnimi i inspektorëve Çdo Palë sigurohet që inspektorët e saj të trajnohen si duhet duke pasur parasysh udhëzimet për trajnimin e inspektorëve në aneksin E. Palët përpiqen të bashkëpunojnë në këtë drejtim. Neni 18 Veprimet e shtetit portual pas inspektimit 1. Nëse, pas një inspektimi ka arsye të qarta për të besuar që një mjet lundrimi është përfshirë në peshkim PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin, të cilat mbështesin këtë peshkim, Pala inspektuese: a) njofton menjëherë për konstatimet e saj shtetin e flamurit dhe, sipas rastit, shtetet përkatëse bregdetare, organizatat rajonale për menaxhimin e peshkimit dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe shtetin shtetësinë e të cilit mban kapiteni i mjetit të lundrimit; dhe b) i refuzon mjetit të lundrimit përdorimin e portit të saj për zbarkim, transbordim, paketim dhe përpunim të peshqve të cilët nuk janë zbarkuar më përpara dhe për shërbime të tjera portuale, përfshirë, ndër të tjera, rifurnizimin me lëndë djegëse dhe mjete, mirëmbajtje dhe ankorim në dok, nëse këto veprime nuk janë kryer më përpara në lidhje me mjetin e lundrimit, në përputhje me këtë Marrëveshje, përfshirë nenin 4. 2. Një Palë, pavarësisht paragrafit 1 të këtij neni, nuk i refuzon një mjeti lundrimi të përmendur në atë paragraf përdorimin e shërbimeve portuale thelbësore për sigurinë ose shëndetin e ekuipazhit ose sigurinë e mjetit të lundrimit. 3. Asnjë dispozitë e kësaj Marrëveshjeje nuk e pengon një Palë që të mos marrë masa në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përveç atyre të specifikuara në paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni, përfshirë masat e kërkuara shprehimisht nga shteti i flamurit ose për të cilat ka dhënë pëlqimin. Neni 19 Informacioni mbi ankimimin në shtetin portual 1. Një Palë vë informacionin e duhur në dispozicion të publikut dhe i jep këtë informacion, pas një kërkese me shkrim, pronarit, operatorit, kapitenit ose përfaqësuesit të një mjeti lundrimi në lidhje me një ankimim të përcaktuar në përputhje me ligjet dhe rregullat e tij kombëtare për masat e shtetit portual të marra nga ajo Palë sipas nenit 9, 11, 13 ose 18, përfshirë informacionin që i përket shërbimeve publike ose institucioneve gjyqësore në dispozicion për këtë qëllim, si edhe informacion nëse ekziston e drejta për të kërkuar dëmshpërblim në përputhje me ligjet dhe rregullat e saj kombëtare, në rast të humbjes ose dëmit të pësuar si pasojë e një veprimi të paligjshëm të pretenduar nga Pala. 2. Pala informon shtetin e flamurit, pronarin, operatorin, kapitenin ose përfaqësuesin, sipas rastit, për rezultatin e çdo ankimimi të tillë. Nëse Palët e tjera, shtetet ose organizatat ndërkombëtare kanë informacion për vendimin paraprak në përputhje me nenet 9, 11, 13 ose 18, Pala i informon për çdo ndryshim në vendimin e saj. PJESA 5 ROLI I SHTETEVE TË FLAMURIT Neni 20 Roli i shteteve të flamurit 1. Çdo Palë i kërkon mjeteve të lundrimit që kanë të drejtë të mbajnë flamurin e saj që të bashkëpunojnë me shtetin portual për inspektimet e kryera sipas kësaj Marrëveshjeje. 2. Nëse një Palë ka arsye të qarta për të besuar se një mjet lundrimi me flamurin e saj është përfshirë në peshkim PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin të cilat mbështetin këtë peshkim dhe që kërkon të hyjë ose është në portin e një shteti tjetër, sipas rastit i kërkon atij shteti që të inspektojë mjetin e lundrimit ose të marrë masat në përputhje me këtë Marrëveshje. 3. Çdo Palë inkurajon mjetet e lundrimit që kanë të drejtë të mbajnë flamurin e saj të zbarkojnë, transbordojnë, paketojnë dhe përpunojnë peshkun dhe të përdorin shërbimet e tjera portuale, në porte të shteteve që veprojnë sipas ose në përputhje me këtë Marrëveshje. Palët inkurajohen të zhvillojnë, edhe nëpërmjet organizatave rajonale për menaxhimin e peshkimit dhe FAOs-s, procedura të drejta, transparente dhe jodiskriminuese për identifikimin e një shteti që mund të jetë duke vepruar sipas ose në përputhje me këtë Marrëveshje. 4. Nëse, pas një inspektimi të shtetit portual, pala e shtetit të flamurit merr një raport inspektimi që tregon se ka arsye të qarta për të menduar që një mjet lundrimi që mban flamurin e saj është përfshirë në peshkim PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin të cilat mbështesin këtë lloj peshkimi, ajo e njofton menjëherë dhe heton plotësisht për çështjen dhe, me të siguruar provat e mjaftueshme, merr masa ekzekutimi pa vonesë në përputhje me ligjet dhe rregulloret e saj. 5. Çdo Palë, në cilësinë e saj si shtet i flamurit, u raporton palëve të tjera, shteteve portuale përkatëse dhe, sipas rastit, shteteve përkatëse, organizatave rajonale për menaxhimin e peshkimit dhe FAO-s për masat e marra në lidhje me mjetin e lundrimit që mban flamurin e saj, i cili, si pasojë e masave të marra nga shteti portual në përputhje me këtë Marrëveshje, rezulton të jetë përfshirë në peshkim PPP ose veprimtari të lidhen me peshkimin, të cilat e mbështesin këtë peshkim. 6. Çdo Palë sigurohet që masat e zbatuara për mjetet e lundrimit, që mbajnë flamurin e saj, të jenë po aq të efektshme në parandalimin, pengimin dhe eliminimin e peshkimit PPP dhe veprimtarive që lidhen me peshkimin, të cilat mbështesin këtë peshkim sa masat që zbatohen për mjetet e lundrimit të përmendura në paragrafin 1, të nenit 3. PJESA 6 KËRKESAT E SHTETEVE NË ZHVILLIM Neni 21 Kërkesat e shteteve në zhvillim 1. Palët i pranojnë plotësisht kërkesat e veçanta të shteteve Palë në zhvillim në lidhje me masat e shtetit portual në përputhje me këtë Marrëveshje. Palët për këtë qëllim, drejtpërdrejt ose përmes FAO s, agjencive të tjera të specializuara të Kombeve të Bashkuara ose organizatave dhe organeve të duhura ndërkombëtare, përfshirë organizatat rajonale për menaxhimin e peshkimit, i ndihmojnë shtetet Palë në zhvillim, ndër të tjera, për të: a) rritur aftësinë e tyre, sidomos të shteteve më pak të zhvilluara mes tyre dhe shteteve të vogla ishullore në zhvillim, që të përgatisin bazën ligjore dhe kapacitet për zbatimin e masave të efektshme të shtetit portual; b) lehtësuar pjesëmarrjen e tyre në organizata ndërkombëtare që promovojnë zhvillimin e efektshëm dhe zbatimin e masave të shtetit portual; dhe c) lehtësuar asistencën teknike për forcimin e zhvillimit dhe zbatimin e masave të shtetit portual prej tyre, në koordinim me mekanizmat e duhur ndërkombëtarë. 2. Palët i japin vëmendjen e duhur kërkesave të veçanta të shtetit Palë portual në zhvillim sidomos më pak të zhvilluar mes tyre dhe shteteve të vogla ishullore në zhvillim për të siguruar që barra disproporcionale që rezulton nga zbatimi i kësaj Marrëveshjeje të mos i transferohet atyre drejtpërdrejt apo jo. Në rastet kur tregohet që transferimi i barrës ka qenë disproporcional, Palët bashkëpunojnë për të lehtësuar zbatimin e detyrimeve sipas kësaj Marrëveshjeje nga shtetet Palë në zhvillim. 3. Palët, drejtpërdrejt ose përmes FAO-s, vlerësojnë kërkesat e veçanta të shteteve Palë në zhvillim në lidhje me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. 4. Palët bashkëpunojnë për të krijuar mekanizmat e duhur të financimit për të ndihmuar shtetet në zhvillim për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. Këta mekanizma, ndër të tjera, orientohen në mënyrë specifike, për: a) zhvillimin e masave kombëtare dhe ndërkombëtare të shtetit portual; b) zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve përfshirë kapaciteteve për monitorimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen dhe për trajnimin në nivel kombëtar dhe rajonal të menaxherëve të portit, inspektorëve dhe stafit zbatues dhe ligjor; c) monitorimin, kontrollin, mbikëqyrjen dhe veprimtaritë e respektimit në lidhje me masat e shtetit portual, përfshirë aksesin në teknologji dhe pajisje; dhe d) ndihmën për shtetet palë në zhvillim me kosto të përfshira në çdo proces për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që rezultojnë nga masat që kanë marrë sipas kësaj Marrëveshjeje. 5. Bashkëpunimi me dhe mes shteteve Palë në zhvillim për qëllimet e përcaktuara në këtë nen mund të përfshijë ofrimin e asistencës teknike dhe financiare përmes rrugëve dypalëshe, shumëpalëshe dhe rajonale, përfshirë bashkëpunimin jug-jug. 6. Palët krijojnë një grup pune ad hoc për të raportuar rregullisht dhe për t’i bërë rekomandime Palëve për krijimin e një mekanizmi financimi përfshirë një skeme për kontribute, identifikimin dhe mobilizimin e fondeve, zhvillimin e kritereve dhe procedurave për të orientuar zbatimin dhe ecurinë në zbatimin e mekanizmave të financimit. Përveç konsideratave të parashikuara në këtë nen, grupi i posaçëm i punës merr parasysh, ndër të tjera: a) vlerësimin e nevojave të shteteve Palë në zhvillim, sidomos më pak të zhvilluar mes tyre dhe shteteve të vogla ishullore në zhvillim; b) disponueshmërinë dhe disbursimin në kohë të fondeve; c) transparencën e vendimmarrjes dhe proceseve të menaxhimit në lidhje me mbledhjen e fondeve dhe alokimeve; dhe d) përgjegjshmërinë e shtetit palë në zhvillim për përdorimin e miratuar të fondeve. Palët marrin parasysh raportet dhe rekomandimet e grupit të punës ad hoc dhe marrin masat e duhura. PJESA 7 ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE Neni 22 Zgjidhja e mosmarrëveshjeve me mirëkuptim 1. Secila Palë mund të kërkojë konsultime me çdo Palë ose Palët e tjera për çdo mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin ose zbatimin e dispozitave të kësaj Marrëveshjeje, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e kënaqshme reciproke sa më shpejt që të jetë e mundur. 2. Në rast se mosmarrëveshja nuk zgjidhet nëpërmjet këtyre konsultimeve brenda një periudhe kohore të arsyeshme, Palët në fjalë konsultohen mes tyre sa më shpejt që të jetë e mundur me qëllim që mosmarrëveshja të zgjidhet me negocim, kërkim, ndërmjetësim, pajtim, arbitrazh, zgjidhje gjyqësore ose mjete të tjera paqësore që ato zgjedhin. 3. Çdo mosmarrëveshje e kësaj natyre, që nuk zgjidhet në këtë mënyrë, me pëlqimin e palëve në mosmarrëveshje, referohet për zgjidhje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Tribunalin Ndërkombëtar për të Drejtën e Detit ose në arbitrazh. Në rast të mosarritjes së marrëveshjes së referuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Tribunalin Ndërkombëtar të së Drejtës së Detit ose arbitrazh, Palët vazhdojnë të konsultohen dhe të bashkëpunojnë për të arritur zgjidhjen e mosmarrëveshjes në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare në lidhje me konservimin e burimeve të gjalla detare. PJESA 8 SHTETET JO PALË Neni 23 Shtetet jo Palë të kësaj Marrëveshjeje 1. Palët inkurajojnë shtetet jo Palë të kësaj Marrëveshjeje që të bëhen Palë të saj dhe/ose të miratojnë ligjet dhe rregulloret dhe të zbatojnë masat në përputhje me dispozitat e saj. 2. Palët marrin masa të drejta, jodiskriminuese dhe transparente në përputhje me këtë Marrëveshje dhe të drejtë tjetër të zbatueshme ndërkombëtare për të frenuar veprimtaritë e shteteve jo Palë që rrezikojnë zbatimin e efektshëm të kësaj Marrëveshjeje. PJESA 9 MONITORIMI, RISHIKIMI DHE VLERËSIMI Neni 24 Monitorimi, rishikimi dhe vlerësimi 1. Palët, në kuadër të FAO-s dhe organeve përkatëse të saj, sigurojnë monitorimin dhe rishikimin e rregullt dhe sistematik të zbatimit të kësaj Marrëveshjeje, si edhe vlerësimin e progresit të bërë për arritjen e objektivave të saj. 2. Katër vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, FAO-ja thërret një takim të Palëve për të rishikuar dhe vlerësuar efektshmërinë e kësaj Marrëveshjeje në arritjen e objektivit të saj. Palët vendosin për takime të mëtejshme sipas nevojës. PJESA 10 DISPOZITA PËRFUNDIMTARE Neni 25 Nënshkrimi Kjo Marrëveshje është e hapur për nënshkrim në FAO nga dita e njëzet e dytë e nëntorit 2009 deri në ditën e njëzet e një të nëntorit 2010 nga të gjitha shtetet dhe organizatat rajonale të integrimit ekonomik. Neni 26 Ratifikimi, pranimi ose miratimi 1. Kjo Marrëveshje i nënshtrohet ratifikimit, pranimit ose miratimit nga palët nënshkruese. 2. Instrumentet e ratifikimit, pranimit ose miratimit depozitohen te Depozitari. Neni 27 Aderimi 1. Pas periudhës gjatë së cilës kjo Marrëveshje është e hapur për nënshkrim, Marrëveshja hapet për aderim nga çdo shtet ose organizatë rajonale për integrimin ekonomik. 2. Instrumentet e aderimit depozitohen te Depozitari. Neni 28 Pjesëmarrja nga organizatat rajonale të integrimit ekonomik 1. Në rastet kur një organizatë rajonale për integrimin ekonomik, pra një organizatë ndërkombëtare e përmendur në aneksin IX, neni 1 i Konventës, nuk ka kompetencë mbi të gjitha çështjet që rregullon kjo Marrëveshje, aneksi IX i Konventës zbatohet mutatis mutandis për pjesëmarrjen nga kjo organizatë rajonale e integrimit ekonomik në këtë Marrëveshje, por dispozitat e mëposhtme të atij aneksi nuk zbatohen: a) neni 2, fjalia e parë; dhe b) neni 3, paragrafi i parë. 2. Në rastet kur një organizatë rajonale për integrimin ekonomik, pra një organizatë ndërkombëtare e përmendur në aneksin IX, neni 1 i Konventës ka kompetencë mbi të gjitha çështjet që rregullon kjo Marrëveshje, dispozitat e mëposhtme zbatohen për pjesëmarrjen e organizatës rajonale të integrimit ekonomik në këtë Marrëveshje: a) në kohën e nënshkrimit ose aderimit, kjo organizatë bën një deklaratë ku thuhet: i) që ka kompetencë mbi të gjitha çështjet që rregullon kjo Marrëveshje; ii) që, për këtë arsye, shtetet anëtare të saj nuk bëhen shtete Palë përveçse në lidhje me territoret e tyre për të cilat organizata nuk ka përgjegjësi; dhe iii) që pranon të drejtat dhe detyrimet e shteteve sipas kësaj Marrëveshjeje; b) pjesëmarrja e kësaj organizate në asnjë rast nuk delegon ndonjë nga këto të drejta sipas Marrëveshjes te shtetet anëtare të organizatës; c) në rast të konfliktit ndërmjet detyrimeve të kësaj organizate sipas kësaj Marrëveshjeje dhe detyrimeve të saj sipas Marrëveshjes që krijon organizatën ose çdo akt në lidhje me atë, detyrimet e kësaj Marrëveshjeje do të kenë epërsi. Neni 29 Hyrja në fuqi 1. Kjo Marrëveshje hyn në fuqi tri ditë pas datës së depozitimit te depozitari i instrumentit të njëzetepestë të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit, në përputhje me nenet 26 ose 27. 2. Për çdo Palë nënshkruese që ratifikon, pranon ose miraton këtë Marrëveshje pas hyrjes në fuqi, kjo Marrëveshje hyn në fuqi tridhjetë ditë pas datës së depozitimit të instrumentit të saj të ratifikimit, pranimit ose miratimit. 3. Për çdo shtet ose organizatë rajonale të integrimit ekonomik që aderon në këtë Marrëveshje, kjo Marrëveshje hyn në fuqi tridhjetë ditë pas datës së depozitimit të instrumentit të saj të aderimit. 4. Për qëllime të këtij neni, çdo instrument i depozituar nga një organizatë rajonale integrimi ekonomik, nuk do të llogaritet si shtesë për ato që janë depozituar nga shtetet e tij anëtare. Neni 30 Rezerva dhe përjashtime Për këtë Marrëveshje nuk mund të bëhen rezerva ose përjashtime. Neni 31 Deklarata dhe pohime Neni 30 nuk e pengon një shtet ose organizatë rajonale të integrimit ekonomik, kur nënshkruan, ratifikon, pranon, miraton ose aderon në këtë Marrëveshje, që të bëjë një deklaratë ose pohim, sido që të quhet, me synim, ndër të tjera, harmonizimin e ligjeve dhe rregulloreve të saj me dispozitat e kësaj Marrëveshjeje, nëse kjo deklaratë ose ky pohim nuk synojnë të përjashtojnë ose të modifikojnë ndikimin ligjor të dispozitave të kësaj Marrëveshjeje në zbatimin e tyre për atë shtet ose organizatë rajonale të integrimit ekonomik. Neni 32 Zbatimi i përkohshëm 1. Kjo Marrëveshje zbatohet përkohësisht nga shtetet ose organizatat rajonale të integrimit ekonomik që pranojnë zbatimin e saj të përkohshëm duke njoftuar depozitarin me shkrim. Ky zbatim i përkohshëm hyn në fuqi nga data e marrjes së njoftimit. 2. Zbatimi i përkohshëm nga një shtet ose organizatë rajonale e integrimit ekonomik përfundon me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshjeje për atë shtet ose organizatë rajonale të integrimit ekonomik ose me njoftimin me shkrim nga ai shtet apo organizatë rajonale integrimi ekonomik te Depozitari për synimin e tij për të përfunduar zbatimin e përkohshëm. Neni 33 Ndryshime 1. Çdo Palë mund të propozojë ndryshime në këtë Marrëveshje pas mbarimit të një periudhe dyvjeçare nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje. 2. Çdo ndryshim i propozuar për këtë Marrëveshje i dërgohet me anë të një komunikimi me shkrim Depozitarit së bashku me një kërkesë për thirrjen e një takimi të palëve për ta marrë parasysh. Depozitari i qarkullon të gjitha Palëve këtë informacion, si edhe përgjigjen për kërkesat e marra nga Palët. Depozitari, nëse gjysma e Palëve nuk kundërshtojnë kërkesën gjashtë muaj nga data e qarkullimit të komunikimit, thërret një mbledhje të Palëve që të konsiderojnë ndryshimin e propozuar. 3. Sipas nenit 34, çdo ndryshim i kësaj Marrëveshjeje miratohet me konsensusin e Palëve të pranishme në takim ku është propozuar për miratim. 4. Sipas nenit 34, çdo ndryshim i miratuar nga takimi i Palëve hyn në fuqi mes Palëve që e kanë ratifikuar, pranuar ose miratuar në ditën e nëntëdhjetë pas depozitimit të instrumenteve të ratifikimit, pranimit ose miratimit me dy të tretat e Palëve të kësaj Marrëveshjeje bazuar në numrin e Palëve në datën e miratimit të ndryshimit. Më pas ndryshimi hyn në fuqi për çdo Palë tjetër ditën e nëntëdhjetë pas depozitimit nga ajo Palë të instrumentit të ratifikimit, pranimit ose miratimit të ndryshimit. 5. Për qëllime të këtij neni, çdo instrument i depozituar nga një organizatë rajonale integrimi ekonomik, nuk do të llogaritet si shtesë për ato që janë depozituar nga shtetet e tij anëtare. Neni 34 Anekset 1. Anekset janë pjesë e pandarë e kësaj Marrëveshjeje dhe një referencë për këtë Marrëveshje përbën referencë për anekset. 2. Ndryshimi i një aneksi të kësaj Marrëveshjeje mund të miratohet me dy të tretat e Palëve të kësaj Marrëveshjeje të pranishme në një takim ku konsiderohet ndryshimi i propozuar për aneksin. Megjithatë, do të bëhet çdo përpjekje për të arritur me konsensus një marrëveshje për një ndryshim të një aneksi. Një ndryshim i një aneksi përfshihet në këtë Marrëveshje dhe hyn në fuqi për ato Palë që kanë shprehur pranimin e tyre nga data ku Depozitari merr njoftimin e pranimit nga dy të tretat e Palëve të kësaj Marrëveshjeje, bazuar në numrin e Palëve në datën e miratimit të ndryshimit. Më pas ndryshimi hyn në fuqi për çdo Palë që mbetet pasi Depozitari merr pranimin e saj. Neni 35 Tërheqjet Secila Palë mund të tërhiqet nga kjo Marrëveshje në çdo kohë pasi të kalojë një vit nga data e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes në lidhje me atë Palë, duke njoftuar me shkrim Depozitarin për këtë tërheqje. Tërheqja hyn në fuqi një vit pas marrjes së njoftimit të tërheqjes nga Depozitari. Neni 36 Depozitari Zëvendësdrejtori i FAO-s është Depozitari i kësaj Marrëveshjeje. Depozitari: a) i përcjell kopje të noterizuara të kësaj Marrëveshjeje çdo pale nënshkruese të saj; b) regjistron këtë Marrëveshje, me hyrjen e saj në fuqi, te Sekretariati i Kombeve të Bashkuara, në përputhje me nenin 102 të Kartës së Kombeve të Bashkuara; c) njofton menjëherë secilën palë nënshkruese dhe palë të kësaj Marrëveshjeje, për: i) të gjitha nënshkrimet dhe instrumentet e ratifikimit, pranimit, miratimit dhe anëtarësimit të depozituara sipas neneve 25, 26 dhe 27; ii) datën e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje në përputhje me nenin 29; iii) të gjitha propozimet për ndryshimin e kësaj Marrëveshjeje dhe miratimin e tyre dhe hyrjen në fuqi në përputhje me nenin 33; iv) të gjitha propozimet për ndryshimin e anekseve dhe miratimin e tyre dhe hyrjen në fuqi në përputhje me nenin 34; dhe v) të gjitha tërheqjet nga kjo Marrëveshje në përputhje me nenin 35. Neni 37 Tekste autentike Tekstet e kësaj Marrëveshjeje në gjuhën arabe, kineze, angleze, franceze, ruse dhe spanjolle janë njësoj autentike. Në dëshmi të kësaj, të Plotfuqishmit e nënshkruar, të autorizuar përkatësisht, kanë nënshkruar këtë Marrëveshje. Nënshkruar në Romë, ditën e njëzet e dytë të nëntorit, 2009. ANEKSI A INFORMACION QË DUHET TË JEPET PARAPRAKISHT NGA ANIJET QË KËRKOJNË TË HYJNË NË PORT 1. Porti i thirrjes i destinuar 2. Shteti portual 3. Data dhe ora e parashikuar e mbërritjes 4. Qëllimi/qëllimet 5. Porti dhe data e fundit e thirrjes portuale 6. Emri i anijes 7. Shteti i flamurit 8. Lloji i mjetit 9. Kodi Ndërkombëtar i Komunikimit me Radio 10. Informacioni i kontaktit të anijes 11. Pronari/pronarët e anijes 12. Certifikata e ID të regjistrimit 13. IMO ID i anijes, nëse ka 14. ID e jashtme, nëse ka 15. RFMO ID, nëse ka 16. VMS Jo Po: Kombëtar Po: RFMO (të) Lloji: 17. Dimensionet e anijes Gjatësia Gjerësia Lartësia 18. Emri dhe shtetësia e kapitenit të anijes 19. Autorizimi/autorizimet përkatëse të peshkimit Identifikues Lëshuar nga Vlefshmëria Zona/t e peshkimit Speciet Mjete peshkimi 20. Autorizimi/autorizimet përkatëse të transbordimit Identifikues Lëshuar nga Vlefshmëria Identifikues Lëshuar nga Vlefshmëria 21. Informacion transbordimi në lidhje me mjetet e lundrimit dhënëse Datë Vendndodhja Emri Shteti i flamurit Numri ID Speciet Forma e produktit Zona e zënies së peshkut Sasia 22. E gjithë zënia në bord 23. Zënia për t’u zbarkuar Speciet Forma e produktit Zona e zënies së peshkut Sasia Sasia ANEKSI B PROCEDURAT E INSPEKTIMIT TË SHTETIT PORTUAL Inspektorët: a) verifikojnë, në masën e mundshme, që dokumenti i identifikimit të anijes dhe informacioni në lidhje me pronarin e mjetit të lundrimit është i vërtetë, i plotë dhe i saktë, përfshirë kontaktet e duhura me shtetin e flamurit ose të dhënat ndërkombëtare të mjetit të lundrimit, nëse është e nevojshme; b) verifikojnë flamurin e mjetit të lundrimit dhe shenjat dalluese (p.sh.: emri, numri i jashtëm i regjistrimit, numri i identifikimit të anijes sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), kodi ndërkombëtar i komunikimit me radio dhe shenja të tjera, dimensionet kryesore) që të jenë në përputhje me informacionin që përmban dokumentacioni; c) verifikojnë, në masën e mundshme, që autorizimet për peshkim dhe veprimtari që lidhen me peshkimin janë të vërteta, të plota, të sakta dhe në përputhje me informacionin e dhënë sipas aneksit A; d) rishikojnë të gjithë dokumentacionin dhe të dhënat e rëndësishme në bord, përfshirë, në masën e mundshme, ato që janë në format elektronik dhe të dhënat e sistemit të monitorimit të mjeteve të lundrimit (VMS) nga shteti i flamurit ose organizata përkatëse rajonale për menaxhimin e peshkimit (RFMO-të). Dokumentacioni i rëndësishëm mund të përfshijë ditarë udhëtimi, zënien, transbordimin dhe dokumentet e tregtisë, listat e ekuipazhit, planet dhe skicat e ngarkesës, përshkrimet e mbajtëseve të peshkut dhe dokumente të kërkuara sipas Konventës për Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës së Egër; e) ekzaminojnë, në masën e mundshme, të gjitha mjetet e duhura të peshkimit në bord, përfshirë çdo mjet peshkimi të vendosur larg syrit, si edhe pajisjet përkatëse dhe në masën e mundshme, verifikojnë që ato të jenë në përputhje me kushtet e autorizimeve. Mjetet e peshkimit, në masën e mundshme, gjithashtu do të kontrollohen që veçoritë si madhësia e rrjetës dhe thurjes, pajisjet dhe pjesët shtesë, dimensionet dhe konfiguracioni i rrjetës, kurtheve, dragës, madhësia e grepit dhe numrat të jenë në përputhje me rregullat e zbatueshme dhe shenjat dalluese t’i korrespondojnë atyre të autorizuara për mjetin e lundrimit; f) përcaktojnë, në masën e mundshme, nëse peshku në bord është vjelë në përputhje me autorizimet e zbatueshme; g) ekzaminojnë peshkun, duke marrë kampionë, për të përcaktuar sasinë dhe përbërjen. Në këtë mënyrë, inspektorët mund të hapin kontejnerët ku është paketuar peshku paraprakisht dhe të zhvendosin zënien ose kontejnerët për t’u siguruar që të ruhet tërësia e peshkut. Ky ekzaminim mund të përfshijë inspektimin e llojit të produktit dhe përcaktimin e peshës nominale; h) vlerësojnë nëse ka prova për të besuar që një mjet lundrimi është përfshirë në peshkim PPP ose veprimtari që lidhen me peshkimin të cilat e mbështesin këtë peshkim; i) i japin kapitenit të mjetit të lundrimit raportin që përmban rezultatin e inspektimit, përfshirë masat e mundshme që mund të merren, i cili duhet të nënshkruhet nga inspektori dhe kapiteni. Firma e kapitenit në raport shërben vetëm si konfirmim që ka marrë një kopje të raportit. Kapitenit i jepet mundësia që të shtojë komente ose kundërshtime për raportin, dhe sipas rastit, të kontaktojë autoritetet përkatëse të shtetit të flamurit sidomos nëse kapiteni ka vështirësi të mëdha për të kuptuar përmbajtjen e raportit. Një kopje e raportit i jepet kapitenit; dhe j) sigurojnë kur është e nevojshme dhe e mundshme përkthimin e dokumentacionit të duhur. ANEKSI C RAPORTI PËR REZULTATET E INSPEKTIMIT 1. Raport inspektimi nr. 2. Shteti portual 3. Autoriteti i inspektimit 4. Emri i inspektorit kryesor ID 5. Porti i inspektimit 6. Fillimi i inspektimit VVVV MM DD HH 7. Përfundimi i inspektimit VVVV MM DD HH 8. Njoftimi paraprak i marrë Po Jo 9. Qëllimi/qëllimet LAN TRX PRO TJE (specifiko) 10. Porti dhe shteti dhe data e fundit e thirrjes portuale VVVV MM DD 11. Emri i anijes 12. Shteti i flamurit 13. Lloji i mjetit 14. Kodi Ndërkombëtar i Komunikimit me Radio 15. Certifikata e ID të regjistrimit 16. IMO ID i anijes, nëse ka 17. ID e jashtme, nëse ka 18. Porti i regjistrimit 19. Pronari/pronarët e anijes 20. Pronari/pronarët përfitues i/të anijes, nëse janë të ndryshëm nga pronari i anijes 21. Operatori/operatorët i/e anijes, nëse janë të ndryshëm nga pronari i anijes 22. Emri dhe shtetësia e kapitenit të anijes 23. Emri dhe shtetësia e kapitenit të peshkimit 24. Agjenti i anijes 25. VMS Jo Po: Kombëtar Po: RFMO-të Lloji: 26. Statusi në zonat RFMO, ku është kryer peshkimi ose veprimtari peshkimi, përfshirë listat e mjeteve të peshkimit PPP Identifikuesi i mjetit të lundrimit RFMO Statusi i shtetit të flamurit Anije në listën e anijeve të autorizuara Anije në listën e anijeve PPP 27. Autorizimi/autorizimet përkatëse të peshkimit I I I I I I I I I I I I I I Identifikues Lëshuar nga Vlefshmëria Zona/t e peshkimit Speciet Mjete peshkimi 28. Autorizimi/autorizimet përkatëse të transbordimit Identifikues Lëshuar nga Vlefshmëria Identifikues Lëshuar nga Vlefshmëria 29. Informacion transbordimi në lidhje me mjetet e lundrimit dhënëse Emri Shteti i flamurit ID nr. Speciet Forma e produktit Zona/t e zënies Sasia 30. Vlerësimi i zënies (sasisë) së zbarkuar Speciet Forma e produktit Zona/t e zënies Sasia e deklaruar Sasia e zbarkuar Diferenca ndërmjet sasisë së deklaruar dhe sasisë së përcaktuar, nëse ka 31. Zënia e mbajtur në bord (sasia) Speciet Forma e produktit Zona/t e zënies Sasia e deklaruar Sasia e zbarkuar Diferenca ndërmjet sasisë së deklaruar dhe sasisë së përcaktuar, nëse ka 32. Analizimi i ditarit të udhëtimit dhe dokumentacioni tjetër Po Jo Komente 33. Respektimi i skemës/skemave të zbatueshme të dokumentacionit të zënies Po Jo Komente 34. Respektimi i skemës/skemave të zbatueshme të informacionit tregtar Po Jo Komente 35. Lloji i mjeteve të peshkimit të përdorura 36. Mjetet e peshkimit të përdorura sipas paragrafit e) e aneksit B Po Jo Komente 37. Konstatimet nga inspektori/inspektorët 38. Shkelja/shkeljet e dukshme të vëna re përfshirë referencën për instrumentet e duhura ligjore 39. Komente nga kapiteni 40. Masat e marra 41. Firma e kapitenit 42. Firma e inspektorit ANEKSI D SISTEMET E INFORMACIONIT PËR MASAT E SHTETIT PORTUAL Në zbatim të kësaj Marrëveshje, çdo palë: a) synon të vendosë komunikim të kompjuterizuar sipas nenit 16; b) krijon, në masën e mundshme, faqe interneti për të publikuar listën e porteve të caktuara sipas nenit 7 dhe veprimeve të marra në përputhje me dispozitat përkatëse të kësaj Marrëveshjeje; c) identifikon, në masën më të madhe të mundshme, çdo raport inspektimi me një numër unik reference që fillon me kod 3-alpha të shtetit portual dhe identifikimin e agjencisë lëshuese; d) përdor, në masën e mundshme, sistemin ndërkombëtar të kodimit më poshtë në anekset A dhe C dhe përkthen çdo sistem tjetër kodimi në sistemin ndërkombëtar. vendi/vendet ISO-3166 3-alpha kodi i shtetit; speciet: kodi ASFIS 3-alpha (njohur si FAO 3-kodi alfa); llojet e anijes: kodi ISSCFV (njohur si FAO kodi alfa); llojet e mjeteve të peshkimit: kodi ISSCFG (njohur si FAO kodi alfa). ANEKSI E UDHËZIME PËR TRAJNIMIN E INSPEKTORËVE Elementet e një programi trajnimi për inspektorët e shtetit portual duhet të përfshijnë të paktën fushat e mëposhtme: 1. Etika; 2. Çështje të shëndetit dhe sigurisë; 3. Legjislacionin dhe rregulloret e zbatueshme kombëtare, fushat e kompetencës dhe masat e konservimit dhe menaxhimit të RFMO-ve përkatëse dhe të drejtën ndërkombëtare të zbatueshme; 4. Mbledhjen, vlerësimin dhe ruajtjen e të dhënave; 5. Procedurat të inspektimit të përgjithshëm si shkrimi i raporteve dhe teknikat e intervistimit; 6. Analizimin e informacionit, si ditarin e udhëtimit, dokumentacionin elektronik dhe historikun e mjetit të lundrimit (emri, pronësia dhe shteti i flamurit), të kërkuara për vlefshmërinë e informacionit të dhënë nga kapiteni i mjetit të lundrimit; 7. Hipjen në anije dhe inspektimin, përfshirë inspektimet e kryera dhe llogaritjen e vëllimeve të mbajtjes së mjeteve të lundrimit; 8. Verifikimin dhe vlefshmërinë e informacionit në lidhje me zbarkimin, transbordimin, përpunimin dhe peshkun që mbetet në bord, përfshirë përdorimin e faktorëve të ruajtjes për specie dhe produkte të ndryshme; 9. Identifikimin e specieve të peshkut dhe matjes së gjatësisë dhe parametrave të tjera biologjikë; 10. Identifikimin e mjeteve të lundrimit dhe të peshkimit dhe teknikave për inspektimin dhe matjet e mjeteve të peshkimit; 11. Pajisjet dhe funksionimin e VMS-së dhe sistemeve të tjera elektronike të gjurmimit; dhe 12. Masat që duhet të merren pas një inspektimi. Kopje origjinale e certifikuar e variantit anglisht të Marrëveshjes për Masat e Shtetit Portual për të Parandaluar, Frenuar dhe Eliminuar Peshkimin e Paligjshëm, të Paraportuar dhe të Parregulluar, e cila është miratuar më 22 nëntor 2009, në sesionin e tridhjetë e gjashtë të Konferencës së FAO-s. Në përputhje me dispozitat e paragrafit 7, të nenit XIV, të Kushtetutës së FAO-s, ky dokument është certifikuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës dhe Kryesuesi i Konferencës. Jacques Diouf Kathleen Merrigan Drejtor i Përgjithshëm Kryesues i Konferencës Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi