Instruction No. 259 of 2012 on the measures against entities that generate noise beyond the allowed limits in urban centres and coastal tourist areas
Made 2012-07-30 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Air and atmosphere
- Keywords
- noise pollution, monitoring, pollution control
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
UDHËZIM Nr. 259, datë 30.7.2012 PËR MARRJEN DHE BASHKËRENDIMIN E MASAVE PËR MBARËVAJTJEN E SEZONIT TURISTIK, SI DHE PËR MARRJEN E MASAVE NDAJ SUBJEKTEVE QË GJENEROJNË ZHURMË TEJ NORMAVE TË LEJUARA NË QENDRAT URBANE DHE NË ZONAT TURISTIKE E BREGDETARE Në mbështetje të paragrafit 4 të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 7 të ligjit nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”, të ligjit nr. 8927, datë 25.7.2002 “Për Prefektin”, të ligjit nr. 8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007 “Për turizmin”, të ligjit nr. 7664, datë 21.1.1993 “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9774, datë 12.7.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, të ligjit nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, të ndryshuar, të ligjit nr. 10 220, datë 4.2.2010 “Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë”, të aktit normativ të Këshillit të Ministrave të datës 25.7.2012, të vendimit nr. 343, datë 12.5.2010 të Këshillit të Ministrave “Për mjetet motorike lundruese që lejohen të qarkullojnë në zbatim të moratoriumit “Për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë” dhe të vendimit nr. 587, datë 7.7.2010 të Këshillit të Ministrave “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane e turistike”, vendimit nr. 358, datë 1.6.2012 të Këshillit të Ministrave “Për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit”, me qëllim: Krijimin dhe garantimin për qytetarët të kushteve sa më të mira të sigurisë, ambienteve e standardeve për pushime në zonat turistike dhe përmbushjen e përgjegjësive nga ana e strukturave të Ministrisë së Brendshme, organeve të qeverisjes vendore, si dhe institucioneve të tjera në nivel vendor, për periudhën e sezonit turistik veror dhe menaxhimit të zhurmave në qendrat urbane, zonat turistike dhe bregdetare ose jo, gjatë gjithë vitit, UDHËZOJ: I. Funksionimin e shtabeve të punës të ngritura me këtë udhëzim të Ministrit të Brendshëm dhe bashkërendimin e masave për garantimin e rendit dhe rritjen e sigurisë publike dhe menaxhimit të zhurmave në qendrat urbane, zonat turistike dhe bregdetare gjatë gjithë vitit, për plotësimin e standardeve për pushime në zonat turistike dhe qendrat e banuara, të kryesuar nga prefektët dhe me përbërje: Kryetarin e Këshillit të Qarkut; Kryetarin e Bashkisë/Komunës; Drejtorin e Policisë së Qarkut; Drejtorin Rajonal të Kufirit dhe Migracionit; Drejtorin e Agjencisë Rajonale të Mjedisit; Shefi i Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore; Shefin e PMNZSH-së për qarkun; Drejtorin Rajonal të Shërbimit Parësor; Drejtorin Rajonal të Rrugëve; Drejtorin Rajonal të Doganave; Drejtorin Rajonal të Bujqësisë; Drejtorin Rajonal të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit; Komandantin e Batalionit të Mbështetjes Rajonale. Hartimin dhe miratimin e një plani masash dhe plani veprimi, të detajuar sipas strukturave përkatëse, për zbatimin e detyrave të caktuara nga shtabi i punës, brenda muajit mars të çdo viti. II. Në zbatim të aktit normativ të Këshillit të Ministrave, datë 25 korrik 2012, të krijohet brenda muajit korrik 2012, pranë çdo prefekti/nënprefekti me detyrë ekskluzive, Task Forca për marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e situatës së krijuar nga ushtrimi i aktiviteteve ekonomike që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara, në qendrat urbane, zonat turistike dhe bregdetare, e cila do të funksionojë gjatë gjithë vitit. Task Forca drejtohet nga prefekti/nënprefekti me detyra ekskluzive të juridiksionit përkatës dhe ka këtë përbërje: a) inspektorë të njësive inspektuese të Inspektoratit të Mjedisit; b) punonjës të shërbimeve të Policisë së Shtetit; c) inspektor të Policisë së Bashkisë dhe Komunës; ç) specialist të Institutit të Shëndetit Publik dhe strukturave vendore të shëndetit publik; d) inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Punës. Mbi detyrat e Task Forcës: 1. Task Forca ushtron aktivitetin e saj çdo ditë të javës, duke ndaluar ushtrimin pas orarit të lejuar të veprimtarive të subjekteve, fizike dhe juridike, të cilat janë burim zhurme, si dhe në rastet e njoftimit nga institucionet shtetërore apo komuniteti për tejkalim të normave të lejuara të nivelit të zhurmës në mjedis. 2. Për mjediset e hapura orari i lejimit të veprimtarive për ditët e premte dhe të shtuna të jetë nga ora 19:00 deri në orën 24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19:00 deri në orën 23:30 sipas normave të lejuara të zhurmës, të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët nr. 8, datë 27.11.2007 të Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe të Ministrit të Shëndetësisë “Për nivelet kufi të zhurmave në mjedise të caktuara”. 3. Për mjediset e mbyllura veprimtaria lejohet duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës, të përcaktuar në udhëzimin e përmendur në pikën 2. Detyrat e strukturave të Prefektit, të Policisë së Shtetit dhe njësive të qeverisjes vendore si pjesë e Task-Forcës: 1. Strukturat e Policisë së Shtetit, si pjesë e Task-Forcës, mbështetin veprimtarinë e Inspektoratit të Mjedisit për ekzekutimin e vendimeve për të cilat ligji i posaçëm parashikon dënime administrative plotësuese, pezullim të aktivitetit dhe sekuestrim të pajisjeve dhe impianteve të subjekteve, që gjenerojnë zhurmë në kundërshtim me ligjin nr. 9774, datë 12.7.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis” dhe aktet ligjore në fuqi. 2. Në rastet kur subjektet kundërshtojnë ndërprerjen e aktivitetit, ekzekutimin e vendimeve të Inspektoratit të Mjedisit ose pengojnë kryerjen e matjes së zhurmës nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, veprohet në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe për rastet kur veprimet e subjekteve përbëjnë vepër penale, materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor. 3. Strukturat ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, si dhe strukturat e Policisë së Shtetit marrin masa ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me aktin normativ të Këshillit të Ministrave të datës 25.7.2012, duke bashkëpunuar dhe duke bashkërenduar punën për garantimin e qetësisë publike në këto zona. 4. Ngarkohen prefektët/nënprefektët me detyra ekskluzive, njësitë e qeverisjes vendore dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij akti normativ. 5. Moskryerja e detyrës së ngarkuar nga punonjësit e strukturave të përcaktuara më sipër (nenin 2 të aktit normativ të Këshillit të Ministrave), konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore dhe përbën shkak për fillimin e procedurave të largimit nga detyra. I. Strukturat e Policisë së Shtetit brenda muajit prill të çdo viti marrin këto masa: 1. Strukturat e Policisë së Shtetit në përmbushje të ligjit nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”, të ligjit nr. 9959, datë 17.7.2008 “Për të huajt” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 362, datë 1.4.2009 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe të dokumentacionit për hyrjet, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të marrin masa për lehtësimin e procedurave të hyrjeve-daljeve dhe qëndrimit të shtetasve të huaj në vendin tonë në përputhje me standardet ndërkombëtare. 2. Strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit dhe ato të Policisë Rrugore të rrisin bashkëpunimin dhe intensifikojnë kontaktet me strukturat homologe policore të Malit të Zi, Maqedonisë, Greqisë dhe Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të përbashkëta për çështjet kufitare, parandalimin e trafiqeve të paligjshme e qenieve njerëzore, kontrollin e përbashkët të akseve rrugore në të gjithë territorin e vendit me shërbimin policor të Kosovës, si dhe kontrollin e lëvizjeve të personave me precedentë policorë dhe penalë. 3. Në varësi të fluksit të udhëtarëve dhe mjeteve në PKKK-të, drejtuesit e drejtorive rajonale të kufirit dhe migracionit të zhvillojnë takime dypalëshe me strukturat homologe të kufirit, me qëllim shtimin e sporteleve për përballimin dhe menaxhimin e fluksit dhe zgjidhjen e problemeve që mund të lindin. 4. Të merren masat tekniko-logjistike për të siguruar gatishmërinë dhe funksionimin e plotë e të pandërprerë të të gjithë sistemit TIMS, për të siguruar një veprimtari normale dhe pa pengesa në regjistrimin e udhëtarëve në pikat e kalimit kufitar. 5. Strukturat e varësisë së Ministrisë së Brendshme të bashkëpunojnë me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, si: dogana, fitosanitarët, roja bregdetare, kapitaneritë, autoritetet portuale, agjencitë private etj., me qëllim lehtësimin e procedurave të kalimit të shtetasve dhe mjeteve gjatë sezonit veror, nëpërmjet një kontrolli efikas të kufirit dhe pa e cenuar sigurinë. 6. Drejtuesit e strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, si dhe ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të raportojnë çdo njoftim, sinjalizim apo ankesë të shtetasve për rastet e abuzimeve me detyrën, shkeljeve të kërkesave të Kodit të Etikës së Policisë, keqsjelljeve, keqtrajtimeve apo shkelje të tjera të të drejtave të qytetarëve nga ana e personelit policor, duke mbajtur qëndrim në përputhje me aktet normative, deri në ndjekje penale. 7. Policia e Shtetit të intensifikojë masat në drejtim të rritjes së sigurisë në rrugë, parandalimit të aksidenteve dhe krijimin e kushteve për një lëvizje e qarkullim pa pengesa të mjeteve e këmbësorëve, sidomos në akset rrugore Durrës-Morinë, Durrës-Qafë Thanë, Durrës Vlorë, Shkodër-Tiranë, Tiranë-Durrës, Kakavijë-Gjirokastër-Fier-Vlorë ose Durrës dhe Kapshticë-Korçë-Elbasan-Durrës. 8. Strukturat vendore të Policisë së Shtetit, ato të qeverisjes vendore dhe agjencitë e tjera të bashkëpunojnë për planifikimin dhe zbatimin e masave të përbashkëta, për dhënien e lejeve dhe monitorimin e aktivitetit të lokaleve të natës, si: disko, pube, duke evidentuar dhe moslejuar shkaktimin e zhurmave, të cilat përbëjnë shqetësim për komunitetin etj. 9. Të bashkëpunohet ngushtë mes strukturave të linjës së Ministrisë së Brendshme me ato të Ministrisë së Punëve Publike e Transporteve, për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sinjalistikës rrugore, rregullimin e menaxhimin e trafikut në qendrat urbane, sipas akteve të pushtetit vendor, si dhe duke kufizuar gjatë periudhës së verës, në zona apo orare të caktuara, lëvizjen e mjeteve të rënda. 10. Të bashkëpunohet ngushtë mes strukturave të linjës së Ministrisë së Brendshme me ato të Ministrisë së Mjedisit dhe Ujërave për zbatimin e vendimeve të marra ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë, në kundërshtim dhe kapërcim të ligjit. 11. Të bashkëpunohet ngushtë mes strukturave të linjës së Ministrisë së Brendshme me ato të pushtetit vendor, që veprimtaritë në det, liqene dhe lumenj, për kanotazh dhe veprimtari të ngjashme, të kryhen vetëm nga persona të autorizuar dhe anëtarësuar në federatat përkatëse. 12. Strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim me drejtoritë e policisë së qarkut dhe kapitaneritë e porteve të marrin masa për evidentimin, regjistrimin dhe pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm të të gjithë motorëve të ujit. 13. Drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Migracionit, të marrin masa për: përcaktimin e zonës ku motorët e ujit lejohen të përdoren sipas përcaktimit të vijës së plazheve publike dhe/ose private të vëna në dispozicion nga bashkitë dhe komunat; vendosjen e shenjave kufizuese (bovat), ku të përcaktohen: vendvendosja, hyrja apo dalja dhe zona e lejuar e lundrimit për motorët e ujit; personat që do të pajisen me leje për ushtrimin e këtij aktiviteti, duhet të parashikojnë, sipas rastit, persona, ekuipazhe dhe mjete shpëtimi për aktivitetin e tyre; të mos lejohet afrimi i mjeteve lundruese në asnjë zonë ku notojnë pushuesit; të jepen lejet e përdorimit të mjeteve lundruese në distancat e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 358, datë 1.6.2012. për vendosjen e shenjave kufizuese të bashkëpunohet me Shërbimin Hidrografik Shqiptar. 14. Njësi të patrullave të Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake nga toka dhe të Policisë Kufitare dhe e Migracionit e Rojës Bregdetare nga deti të bëjnë kontrollin e mjeteve lundruese për: mënyrën, kushtet dhe kriteret e përdorimit; lëvizjen brenda zonave të kufizuara; pajisjen me mjete e ekuipazhe për shpëtimin e pushuesve; dokumentacionin e tyre; të mos lejojnë largimin dhe afrimin nga/në breg me shpejtësi më të madhe se ajo e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 358, datë 1.6.2012. të mos lejohet afrimi i motorëve të ujit në një distancë më të vogël se ajo e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 358, datë 1.6.2012, te mjetet e tjera lundruese që janë në lundrim, në spirancë, në radat e porteve detare etj. 15. Drejtoritë e policive në qarqe, drejtoritë rajonale të PKM-së dhe bashkitë ose komunat, të marrin të gjitha masat për të ndaluar plotësisht aktivitetin e motorëve të ujit deri në plotësimin e kritereve të parashikuara në pikat 11, 12 e 13 të këtij udhëzimi. 16. Të gjithë motorët e ujit dhe mjetet për kanotazh e veprimtari të ngjashme ujore, të cilët lëvizin pa u plotësuar kriteret e parashikuara në pikat 11, 12 e 13 të këtij udhëzimi, duhet të bllokohen dhe sekuestrohen, duke u konsideruar si aktivitet i jashtëligjshëm. III. Kryetarët e bashkive dhe komunave, të mbështetur edhe nga kryetarët dhe administrata e këshillave të qarqeve, në zbatim të ligjit nr. 8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” dhe të aktit normativ të Këshillit të Ministrave të datës 25 korrik 2012, të akteve të tjera ligjore e nënligjore, brenda muajit prill, të marrin këto masa: 1. Kryetarët e bashkive dhe komunave: a) për pastrimin e plazhit dhe hyrjet e daljet në zonat turistike nga mbeturinat dhe largimin e tyre; b) sigurimin e ujit të pijshëm; c) dhënien e lejeve të lokaleve të ndryshme që shkaktojnë zhurma, në zbatim të aktit normativ të Këshillit të Ministrave të datës 25 korrik 2012; për lokalet e mbyllura pa kufizim orari; në të gjitha rastet e kësaj pike, të respektohet niveli i lejuar i zhurmave sipas udhëzimit të përbashkët nr. 8, datë 27.11.2007 të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministrisë së Shëndetësisë; d) të ndihmojnë për sigurimin e trafikut në qarkullimin e makinave dhe njerëzve; e) sigurimin e shesheve për parkimin e automjeteve; f) për dhënien e lejeve dhe vendvendosjen e mjeteve motorike të ujit, si dhe kontrollin e qarkullimit të tyre në det; g) disiplinimin e derdhjeve të ujërave të zeza, depozitimin dhe përpunimin e mbeturinave. 2. Të ngarkojnë strukturat e policisë bashkiake të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë së Shtetit në zbatim të ligjit, për përballimin e trafikut të automjeteve dhe zgjidhjen e çështjeve brenda kompetencave. 3. Të bashkëpunojnë me pronarët e hoteleve, restoranteve, lokaleve publike për të dhënë informacionin e nevojshëm për pushuesit te strukturat e policisë, për të rritur shkallën e sigurisë në zbatim të ligjit. 4. Kryetarët e bashkive dhe komunave që kanë në territorin e tyre plazhe, të krijojnë dhe sigurojnë funksionimin e grupeve të dhënies së ndihmës së shpejtë për gjatë vijës së plazhit në rastet kur rrezikohet jeta e pushuesve nga mbytjet në ujë, rreziku nga zjarri apo aksidente të tjera. Në rrugët hyrëse të plazheve, të vendosen tabelat me numrat e telefonit të shërbimeve të Policisë së Shtetit, të shërbimeve të emergjencës, të zjarrfikësve, grupeve të shpëtimit, si dhe tabela për zonat e rrezikshme për jetën. 5. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Rojën Bregdetare të marrin masa për zbatimin e kërkesave të këtij udhëzimi, duke caktuar vende të posaçme për motorët e ujit, si dhe kufizimet në det për lëvizjen e tyre. 6. Masat e marra gjatë këtij sezoni nga pushteti vendor dhe Policia e Shtetit të bëhen publike në mediet lokale apo kombëtare, duke kërkuar dhe bashkëpunimin e publikut për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt. IV. Ndjekja dhe raportimi Prefektët/nënprefektët me detyra ekskluzive në juridiksionin e tyre: 1. Evidentojnë dhe vlerësojnë informacionet ditore të dërguara nga kryetarët e bashkive dhe komunave, drejtoritë e policisë në qarqe dhe drejtuesit e strukturave shtetërore mbi zbatimin e planit të masave dhe planit të veprimit, si dhe të detyrave të parashikuara në këtë udhëzim. 2. Marrin informacion ditor nga strukturat e Policisë së Shtetit, të zgjedhurit vendor, drejtuesit e strukturave shtetërore në nivel vendor dhe raporton gjatë gjithë periudhës së sezonit turistik nga 15 maji deri më 30 shtator, çdo të premte, me shkrim në Ministrinë e Brendshme për zbatimin e planit të masave dhe planit të veprimit, si dhe të detyrave të parashikuara në këtë udhëzim. 3. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen prefektët/nënprefektët me detyra ekskluzive, shtabet e punës, task forcat, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Drejtoria e Shërbimit Zjarrfikës, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Zhvillimit dhe Integrimit, kryetarët e bashkive dhe komunave, kryetarët e qarqeve, si dhe të gjitha strukturat përgjegjëse të përcaktuara në aktin normativ të Këshillit të Ministrave të datës 25 korrik 2012. 4. Moskryerja e detyrës së ngarkuar nga punonjësit e strukturave të përcaktuara më sipër (nenin 2 të aktit normativ të Këshillit të Ministrave të datës 25 korrik 2012), konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore dhe përbën shkak për fillimin e procedurave të largimit nga detyra. 5. Ngarkohen zëvendësministrat e brendshëm për ndjekjen dhe monitorimin e këtij udhëzimi. 6. Udhëzimi i Ministrit të Brendshëm nr. 243, datë 8.6.2011 “Për marrjen dhe bashkërendimin e masave për garantimin e rendit, rritjen e sigurisë publike dhe përmbushjen e standardeve gjatë sezonit turistik veror”, shfuqizohet. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. MINISTRI I BRENDSHËM Flamur Noka