Instruction No.2 of 2013 on the establishment and functioning of the scientific committee and the scientific panels of the National Food Authority
Made 2013-02-14 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Food and nutrition
- Keywords
- food safety and quality, institution, governance
Where to read it
No source link is recorded for this law.
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
UDHËZIM Nr. 2, datë 14.2.2013 PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMITETIT SHKENCOR DHE TË PANELEVE SHKENCORE PRANË AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT Në mbështetje të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës dhe të nenit 66 të ligjit nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, të ndryshuar UDHËZOJ: 1. Komiteti Shkencor (më tej “Komiteti”) ka për qëllim të sigurojë dhënien e mendimit shkencor në fushën e sigurisë ushqimore dhe mblidhet në funksion të këtij qëllimi sa herë që kjo i kërkohet ose me vetë iniciativën e tij. 2. Pranë Komitetit ngrihen dy panele shkencore (më tej “panelet”), përkatësisht Paneli i Rreziqeve Biologjike dhe Paneli i Rreziqeve Kimike, të ndara sipas tipologjisë së riskut të mundshëm të sigurisë ushqimore, me funksionet e përgatitjes së mendimit shkencor për çështjet konkrete për të cilat Komiteti duhet të japë mendim. 3. Paneli i Rreziqeve Biologjike ushtron funksionet e tij për çështjet që lidhen me: zoonozat (sëmundjet që shkaktohen nga ushqimet) BSE/TSE, mikrobiologjinë e ushqimeve, higjienën ushqimore, mbetjet e krijuara nga përpunimi i ushqimeve. 4. Paneli i Rreziqeve Kimike ushtron funksionet e tij për çështjet që lidhen me: kontaminantet ushqimore, mbetjet e pesticideve në produktet ushqimore, mbetjet e medikamenteve veterinare në produktet ushqimore, aditivët ushqimorë, materialet në kontakt me ushqimin. 5. Komiteti i propozon ministrit ngritjen e një paneli të ri në rast të paraqitjes së një kërkese për mendim apo të propozimit të dhënies së një mendimi shkencor me iniciativën e tij, e cila del jashtë fushës së objektit të veprimtarisë së dy paneleve të ngritura. Ngritja e paneleve të tjera shkencore bëhet me udhëzim të ministrit. 6. Komiteti dhe panelet përbëhen nga ekspertë me kualifikim të lartë akademik, mbajtës të titullit profesor ose profesor i asociuar, si dhe me arritje profesionale në fushat shkencore, të cilat lidhen me sigurinë ushqimore. Komiteti dhe panelet drejtohen nga kryetarët përkatës, të cilët bashkërendojnë aktivitetin e tyre. Komiteti ka në përbërje të tij 7 anëtarë, ndër të cilët 2 anëtarë janë kryetarët e paneleve. Panelet kanë në përbërje të tyre 6 anëtarë. Midis anëtarëve të Komitetit dhe të paneleve zgjidhet edhe kryetari i tyre. Anëtarët e Komitetit dhe të paneleve, si dhe kryetarët e tyre emërohen dhe shkarkohen me urdhër të ministrit. 7. Anëtarët e Komitetit, si dhe anëtarët e paneleve duhet të ruajnë konfidencialitetin e çështjeve të trajtuara gjatë ushtrimit të funksionit të tyre. Për këtë qëllim, me pranimin e emërimit të tyre në këto funksione, anëtarët pranojnë që të jenë objekt i rregullave të etikës dhe ruajtjes së konfidencialitetit, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për administratën shtetërore. Anëtarët në asnjë mënyrë nuk mund të delegojnë funksionet e tyre të parashikuara në këtë udhëzim. 8. Komiteti mblidhet sa herë që i kërkohet të japë një mendim shkencor ose kur Komiteti e sheh të nevojshme të japë një mendim shkencor me iniciativën e tij. Në rastin e dhënies së mendimit me iniciativën e vet Komitetit, kryetari thërret mbledhjen e Komitetit kur kjo kërkohet me shkrim nga të paktën 3 anëtarë, duke përcaktuar çështjet për të cilat thirret kjo mbledhje. 9. Në çdo rast, mbledhja thirret nga kryetari brenda 15 ditëve pas paraqitjes së kërkesës për mendim dhe njoftimi i anëtarëve duhet të bëhet të paktën 6 ditë para datës së përcaktuar për mbledhjen. Njoftimi duhet të tregojë në mënyrë të qartë dhe të detajuar çështjet për të cilat do të diskutohet. Kërkesa për të vendosur një çështje në rendin e ditës duhet të bëhet me shkrim, të paktën 4 ditë përpara datës së vendosur për mbledhjen. Rendi i ditës i përditësuar duhet t’i shpërndahet të gjithë anëtarëve, të paktën 48 orë përpara datës dhe kohës së mbledhjes. 10. Në mbledhjen e caktuar, Komiteti, gjatë shqyrtimit të kërkesës për mendim ose propozimit për dhënie mendimi shkencor me iniciativën e tij, vendos për pranimin ose refuzimin e saj. 11. Në rastin e pranimit të kërkesës për dhënie mendimi ose në rastin e dhënies së mendimit me iniciativën e tij, Komiteti me vendim e kalon çështjen për vlerësim dhe përgatitje të projektmendimit shkencor, te paneli përkatës. Afati, brenda të cilit paneli duhet të përfundojë përgatitjen e projektmendimit, si dhe të detyrave të ngarkuara nga Komiteti, përcaktohet nga ky i fundit në vendim. 12. Kur e shikon të arsyeshme, Komiteti, mund të dëgjojë, si dhe të ngarkojë me detyra edhe ekspertë të jashtëm, të cilët të plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 6 për anëtarët. 13. Me marrjen e vendimit të Komitetit, kryetari i panelit organizon menjëherë mbledhjen e anëtarëve të panelit, ku cakton ndarjen e detyrave dhe koordinon punën për hartimin e projektmendimit. Projektmendimi i hartuar, nënshkruhet nga kryetari i panelit dhe anëtarët. 14. Brenda afatit të përcaktuar, paneli i paraqet Komitetit me shkrim projektmendimin e përgatitur për çështjen e ngarkuar, si dhe të gjitha rezultatet dhe dokumentacionin përkatës mbi të cilat është përgatitur ky projektmendim. 15. Kryetari i Komitetit njofton menjëherë anëtarët e Komitetit për përfundimin e përgatitjes së projektmendimit nga ana e panelit dhe e vendos atë në dispozicion për konsultim nga anëtarët. Kryetari i komitetit në të njëjtin njoftim thërret edhe mbledhjen e radhës sipas përcaktimeve të pikës 5 ku do të shqyrtohet projektmendimi i përgatitur. 16. Komiteti merr vendime vetëm për çështje, të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes. Mbledhja e Komitetit është e vlefshme kur janë të pranishëm të paktën 5 anëtarë. Kur në hapjen e mbledhjes nuk janë të pranishëm shumica e anëtarëve, kryetari vendos thirrjen e mbledhjes në një ditë tjetër. Mendimi shkencor miratohet me votimin në favor të ¾ të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. 17. Në rastin kur gjatë mbledhjes për shqyrtimin e projektmendimit të përgatitur nga paneli, njëri nga anëtarët mendon se është i nevojshëm një informacion më i plotë në lidhje me argumentet e përdorura për përgatitjen e projektmendimit, atëherë Komiteti shtyn mbledhjen për një ditë tjetër dhe i kërkon panelit informacion shtesë të nevojshëm për t’u paraqitur brenda një afati kohor të përcaktuar nga Komiteti. 18. Në çdo mbledhje mbahet një procesverbal, ku bëhet një përmbledhje e gjithçka u tha në mbledhje, data dhe vendi i mbledhjes, anëtarët që morën pjesë, çështjet që u diskutuan, vendimet që u morën, si dhe rezultati i votimeve. 19. Procesverbali mbahet nga sekretariati dhe duhet t’u paraqitet për miratim të gjithë anëtarëve të pranishëm në mbledhje, në fund të mbledhjes ose brenda 7 ditëve nga dita e mbajtjes së mbledhjes. Në rastet kur vetë Komiteti e shikon të arsyeshme dhe mbledhja është e ndarë në seanca, procesverbali miratohet menjëherë pas përfundimit të seancës përkatëse. 20. Në çdo rast, mendimi shkencor i miratuar nga Komiteti, përveç organeve, të cilat kanë drejtuar kërkesën për mendim, i dërgohet edhe ministrit. 21. Sektori i Kërkimit Shkencor dhe Dokumentacionit pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ndihmon dhe asiston Komitetin dhe panelet në mbarëvajtjen e funksionimit administrativ të aktivitetit të tyre në cilësinë e sekretariatit. 22. Ngarkohet për zbatimin e këtij udhëzimi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare. MINISTRI I BUJQËSISË, USHQIMIT DHE MBROJTJES SË KONSUMATORIT Genc Ruli