Instruction no. 17, dated 20 April 2023 for the coordination of inspection functions in the field of forest protection
Made 2023-04-20 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Original title
- Udhëzim nr. 17, datë 20.4.2023 për bashkërendimin e funksioneve inspektuese në fushën e mbrojtjes së pyjeve.
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Forestry
- Keywords
- forest management/forest conservation, forestry protection measures, governance, inspection, local government
Where to read it
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
UDHËZIM Nr. 17, datë 20.4.2023 PËR BASHKËRENDIMIN E FUNKSIONEVE INSPEKTUESE NË FUSHËN E MBROJTJES SË PYJEVE Në zbatim të germës “a”, të pikës 2, të nenit 16, të ligjit nr. 10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”; ligjit nr. 57/2020, “Për pyjet”, ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”; VKM-së nr. 696, datë 16.8.2013, “Për përcaktimin e procedurave të ushtrimit, të kompetencave të Inspektoratit Qendror dhe të rregullave për përmbajtjen dhe administrimin e portalit unik e-Inspektimi”; urdhrit nr. 15, datë 17.5.2015, “Për përcaktimin e procedurave dhe mënyrave, për përdorimin e portalit unik të inspektimit e-Inspektimi”, të ndryshuar; urdhrit nr. 25, datë 10.8.2018, “Për miratimin e rregullores ‘Për përcaktimin e procedurës së inspektimeve, si një proces i rregullt administrativ’”, të Inspektorit të Përgjithshëm, me qëllim unifikimin e procesit të inspektimeve për fushën e mbrojtjes së pyjeve, nën juridiksionin e disa institucioneve, për të rritur harmonizimin, efektivitetin, përgjegjshmërinë, gjurmueshmërinë e transparencën e veprimtarisë së inspektimit, UDHËZOJ: I.QËLLIMI DHE FUSHA E ZBATIMIT 1. Ky udhëzim ka për qëllim krijimin e kuadrit rregullues për bashkërendimin, harmonizimin dhe mbështetjen e veprimtarisë së inspektorateve shtetërore dhe vendore në fushën e inspektimit të pyjeve, në zbatim të ligjit 57/2020, “Për pyjet”. 2. Ky udhëzim është i zbatueshëm nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe bashkitë e ngarkuara me një apo disa funksione inspektimi në fushën e mbrojtjes së pyjeve, të përcaktuara, sipas ligjit për inspektimin dhe atij të pyjeve, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre. II. BASHKËRENDIMI DHE HARMONIZIMI IVEPRIMTARISË PËR INSPEKTIMET NË PYJE DHE NDARJA E KOMPETENCAVE LIGJORE 1. Funksionet e inspektimit në fushën e mbrojtjes së pyjeve, për shkelje në fondin pyjor kombëtar, kryhen nga strukturat e përcaktuara në ligjin 57/2020 dhe nën juridiksionin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve. 2. Strukturat përgjegjëse për kryerjen e procedurës inspektuese, si proces i rregullt administrativ janë: a) Agjencia Kombëtare e Pyjeve; b) Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura; c) Struktura përgjegjëse për inspektimin e pyjeve në bashki. 3. Për mbrojtjen dhe sigurinë e pyjeve ndaj veprave penale të kryera në to, bëhet referim në strukturat e specializuara për mbrojtjen dhe sigurinë në pyje, pranë ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë e mjedisit dhe pyjeve, ku IKMT-ja ka si përgjegjësi: a) të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e pyjeve përmes parandalimit, zbulimit dhe hetimit të veprave penale kundër pyjeve dhe procedimit penal të autorëve të tyre në përputhje me parashikimet e legjislacionit penal; b) të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse për kontrollin në pyje AKP, AKZM dhe bashkitë dhe i mbështesin ato sipas kërkesës dhe nevojës. 4. AKP-ja mbikëqyr zbatimin e akteve ligjore/nënligjore, akteve administrative, politikave, programeve dhe planeve në nivel kombëtar nga strukturat e kontrollit të pyjeve në bashki dhe në zonat e mbrojtura, si dhe ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të pakufizuar në rastet kur vëren pamundësinë ose mosushtrimin e kompetencave ligjore nga ana e tyre. 5. AKZM-ja garanton kontrollin dhe inspektimin e fondit pyjor kombëtar nën administrim. 6. Bashkitë ushtrojnë veprimtari kontrolluese/inspektuese të fondit pyjor kombëtar nën administrim. 7. AKP-ja vë në dijeni Inspektoratin Qendror për politikat dhe planet në nivel kombëtar për mbrojtjen e pyjeve, si dhe çdo akt administrativ me impakt në veprimtarinë inspektuese dhe merr mendim këshillimor, nga Inspektorati Qendror, për çdo akt ligjor dhe nënligjor të ndërmarrë për inspektimet në fushën e pyjeve. III. BASHKËRENDIMI DHE MBËSHTETJA PËR RREGULLAT E VEPRIMTARISË SË INSPEKTIMIT NË PYJE 1. Inspektorati Qendror në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, unifikon praktikat për procesin e inspektimit në fondin pyjor kombëtar nga strukturat përgjegjëse në ushtrimin e kompetencave të tyre, me qëllim harmonizimin e procedurës së inspektimit, për: a) metodologjitë e vlerësimit të riskut për veprimtarinë inspektuese në pyje; b) programin vjetor dhe mujor të inspektimeve në pyje, për të gjithë strukturat dhe të përmbledhur; c) dokumentet standarde të inspektimit dhe listë verifikimet përkatëse. 2. AKP-ja harton programin vjetor dhe mujor të inspektimit, të koordinuar për të gjitha strukturat përgjegjëse vendore për inspektimin e pyjeve dhe e paraqet të përmbledhur pranë Inspektoratit Qendror për mendim këshillimor, sipas rregullave dhe afateve ligjore në fuqi. 3. AKP-ja harton raportin vjetor të veprimtarisë inspektuese të pyjeve, sipas afateve të përcaktuara në VKM nr. 696/2013, ia paraqet Inspektoratit Qendror, i cili bën një përmbledhje të tij si pjesë e raportit të përgjithshëm vjetor. 4. IKMT-ja raporton pranë Inspektoratit Qendror për ndërhyrjet për veprat penale të konstatuar në pyje. 5. Inspektorati Qendror në bashkëpunim me AKP harton treguesit e efektivitetit dhe cilësisë së veprimtarisë së inspektimit, si dhe kriteret e vlerësimit të tyre. 6. Inspektorati Qendror në bashkëpunim me IKMT-në harton procedurën dhe dokumentacionin për mbrojtjen dhe sigurinë e pyjeve ndaj veprave penale të kryera në to. IV.MBIKËQYRJA E ZBATIMIT TË LIGJIT PËR INSPEKTIMIN NË PYJE 1. Inspektorati Qendror mbikëqyr veprimtarinë e AKP-së, AKZM-së, bashkitë, IKMT-së për zbatimin e legjislacionit në fuqi për inspektimin, përfshirë edhe legjislacionin e posaçëm në fushën e inspektimit të pyjeve, si dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tyre. 2. Inspektorati Qendror hedh në portalin e-Inspektimi, procedurën e inspektimit, dokumentacionin dhe listëverifikimet, sipas funksioneve të inspektimit të caktuara në ligjin për pyjet për secilin inspektorat. 3. Procedura e inspektimit në pyje kryhet online nëpërmjet sistemit e-Inspektimi, me tablet inspektimi. 4. Inspektorati Qendror kryen trajnimin për përdorimin e tabletave të inspektimit për inspektorët e pyjeve. 5. Inspektorati Qendror mban Regjistrin Kombëtar të Inspektorëve shtetërorë dhe vendor në detyrë, sipas funksioneve të inspektimit që kryejnë në pyje dhe i pajis inspektorët e AKP-së dhe AKZM-së me kartën e inspektorit. 6. Ngarkohen Inspektorati Qendror dhe AKP-ja, AKZM-ja dhe IKMT-ja për zbatimin e këtij udhëzimi. 7. Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, IKMT-ja nuk kryen procedurën inspektuese, si një proces i rregullt administrativ të programuar dhe hiqet nga funksionet inspektuese të kryera deri më tani. Ky udhëzim publikohet në Fletoren Zyrtare dhe në faqen zyrtare të Inspektoratit Qendror, www.insq.gov.al, si dhe iu njoftohet AKP-së, AKZM-së dhe IKMT-së. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë. INSPEKTOR I PËRGJITHSHËM Shkëlqim Hajdari