Skip to content
Nelum
Laws of Albania

Decision No.995 dated 3.11.2010 proclaiming Managed Natural Reserve the Ligatinor Natural Ecosystem of Patok-Fushekuqe-Ishem

Made 2010-11-03 · Text as of 2026-10-01

Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.

About this law

Original title
Vendim Nr.995, datë 3.11.2010 për shpalljen Rezervat Natyror i Menaxhuar të Ekosistemit Natyror Ligatinor të Patok - Fushëkuqe – Ishëm.
Language
Albanian
Kind
Regulation
Country
Albania
Subjects
Wild species and ecosystems
Keywords
ecosystem conservation, protected area

Where to read it

    No source link is recorded for this law.

Text

The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.

  1. VENDIM Nr.995, datë 3.11.2010 PËR SHPALLJEN "REZERVAT NATYROR I MENAXHUAR" TË EKOSISTEMIT NATYROR LIGATINOR TË PATOK - FUSHËKUQE - ISHËM Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 4/2, 9, 13 e 23 të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002 "Për zonat e mbrojtura", të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Shpalljen "Rezervat natyror i menaxhuar" të ekosistemit natyror ligatinor të Patok Fushëkuqe - Ishëm, sipas hartës që i bashkëlidhet këtij vendimi. 2. Kufijtë e këtij rezervati natyror të menaxhuar janë, si më poshtë vijon: a) Veri: Pika 1 me koordinata 4381044.06L e 4615097.92V, ndjek kufirin jugor të rezervatit natyror të menaxhuar Kune-Vain-Tale dhe krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Mat deri te pika 2 me koordinata 4385013.69L e 4616775.65V, ndërpret lumin Mat, vijon përgjatë argjinaturës deri te pika 3 me koordinata 4386492.35L e 4616059.14V; b) Lindje: Pika 3 me koordinata 4386492.35L e 4616059.14V, vijon me rrugën automobilistike të Gurrëzit, me rrugën rurale dhe në krahun e djathtë të kanalit kullues në fshatin Gurrëzi, ndërpret kanalin e uzinës pranë fshatit Fushëkuqja (Kosovar), vijon përgjatë kanalit, drejt lindjes, më pas ndjek rrugën rurale të kanalit kullues pranë stacionit të pompimit të ujit, ndërpret rrugën kryesore për në Fushëkuqe, vijon në krah të kanalit kullues, në drejtim të jugut, ndërpret rrugën automobilistike të "Gjo Vatës" tek ura e ngushtë, vijon me kanalin kullues, ndërpret kanalin kryesor të Shëllinzës, sipër hidrovorit, vijon me kanalin kullues, ndërpret rrugën kryesore për në qendrën e Adriatikut, ndjek kanalin kullues në drejtim të lumit Drojë, vijon në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Drojë deri tek ura e Drojës pika 4 me koordinata 4382857.27L e 4605112.75V; c) Jug: Ura e Drojës pika 4 me koordinata 4382857.27L e 4605112.75V, ndërpret lumin Ishëm dhe vijon në krahun e majtë të rrjedhës së tij deri në grykëderdhje te pika 5 me koordinata 4379760.63L e 46055854.16V; ç) Perëndim: Pika 5 me koordinata 4379760.63L e 46055854.16V, vijon përgjatë bregdetit të detit Adriatik deri te pika 1 me koordinata 4381044.06L e 4615097.92 V. 3. Rezervati natyror i menaxhuar Patok-Fushëkuqe-Ishëm ka sipërfaqe të përgjithshme 5000.7 (pesë mijë pikë shtatë) ha, ku pjesën kryesore të territorit e zënë sipërfaqet ligatinore e lumenjtë, të ndjekura nga sipërfaqet bujqësore, pyjore, kullosore e me bimësi ujore, si dhe sipërfaqet urbane e troje të përziera me tokë bujqësore e pyjore, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi. 4. Rezervati natyror i menaxhuar Patok-Fushëkuqe-Ishëm ndahet në nënzona ruajtjeje e administrimi, si më poshtë vijon: a) Zona qendrore me sipërfaqe 634.8 (gjashtëqind e tridhjetë e katër pikë tetë) ha, e shënuar në hartë me ZQ, përfshin habitatet kryesore pyjore përgjatë lumit Mat, pyjet aluvionale, habitatet me kallamishte e bimësi ujore, pjesët e Lameve të Mëdha e të Vogla, pjesën e pyllit të Fushëkuqes dhe të Neglës, pjesët me bimësi ujore në grykëderdhjen e kanalit të Shëllinzës dhe ato ndërmjet pyllit të Neglës dhe lumit të Drojës te bashkimi me kanalin e Shëllinzës. Përcaktohet si zonë me vlera të larta për trashëgiminë natyrore e biodiversitetin dhe në të zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes, që siguron një territor të pashqetësuar. b) Zona e përdorimit tradicional me sipërfaqe 2 420.0 (dy mijë e katërqind e njëzet pikë zero) ha, e shënuar në hartë me ZPT, përfshin tërësisht pjesët lagunore e detare të Patokut e të Godullës, pjesët ujore të lumenjve Mat e Ishëm dhe të shtretërve të vjetër, tokat me bimësi pyjore e ujore të Neglës, tokat bujqësore ku mundësohet vazhdimi vetëm i veprimtarive tradicionale, si: bujqësi, peshkim dhe pyje, me përdorim të balancuar të tyre, pasi të pajisen me leje mjedisore. Në këtë zonë nuk lejohen ndërtimet e veprimtaritë që shkaktojnë ndryshimin e gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, lagunave, të sistemeve të zonave të lagura dhe të pyjeve. Në zonën e përdorimit tradicional zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes. c) Zona e rekreacionit me sipërfaqe 448.9 (katërqind e dyzet e tetë pikë nëntë) ha, e shënuar në hartë me ZR, përfshin pjesët e habitateve pyjore, ato me bimësi ujore dhe tokat e lagëta ndërmjet dy shtretërve të lumit Mat, pjesët ndërmjet grykëderdhjes së lumit Ishëm dhe Lumit të Vdekur deri te Godulla, dunat ranore të Patokut dhe pjesën e pyllit të Fushëkuqes. Në të zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes, që siguron një territor me ndikim të ulët dhe kontroll të veprimtarive turistike, si mundësi shëtitjeje në natyrë e lehtësi të tjera, në mënyrë të tillë që respekton funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat e saj ekologjike dhe ato të peizazhit natyror e kulturor, në mbështetje të studimeve urbanistike të miratuara nga KRRTSH-ja. ç) Zona e zhvillimit të qëndrueshëm me sipërfaqe 284.0 (dyqind e tetëdhjetë e katër pikë zero) ha, e shënuar në hartë me ZZhQ, përfshin zonat urbane dhe trojet e përziera me tokë bujqësore e pyjore pranë qendrave të banuara në Alku, Gurrëzi, Fushëkuqe, Fushëkuqe (Vataj), Shëllinzë dhe pjesën e ndërtimeve të peshkatarëve, si dhe ish-godinat e plazhit të Patokut. Në këtë zonë lejohen veprimtari, të cilat nuk cenojnë integritetin ekologjik të ekosistemit dhe ushtrohen vetëm me leje mjedisore, që nuk bien ndesh me planin e menaxhimit, dhe sipas planeve të zhvillimit urban, të miratuara nga KRRTRSH-ja. Në zonën e përdorimit të qëndrueshëm zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes. d) Zona buferike me sipërfaqe 1 213.0 (një mijë e dyqind e trembëdhjetë pikë zero) ha, e shënuar në hartë me ZB, është pjesë integrale e zonës së mbrojtur, e cila mundëson vazhdimin e veprimtarive ekonomike e sociale të qëndrueshme dhe përdorimin e balancuar të burimeve natyrore. Veprimtaritë e reja dhe infrastruktura mund të ushtrohen vetëm me leje mjedisore dhe sipas studimeve urbanistike të miratuara, duke mos inkurajuar zhvillime ekonomike e sociale në tokat e lagëta me vlera për biodiversitetin. Në këtë zonë përfshihen pjesa bujqësore, ekonomike dhe urbane nga Fusha e Gurrëzit, Fushëkuqja (Kosovar), pjesët e Gorresë, Fusha Bishti i Fllugajve, ato të Adriatikut deri te lumi i Drojës. Në zonën buferike zbatohet shkalla e katërt e mbrojtjes. 5. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës, njësitë e qeverisjes vendore, institucionet kërkimore-shkencore, organizatat jofitimprurëse, përfaqësuesit e biznesit dhe pronarët privatë, merr masa për të hartuar planin e menaxhimit të rezervatit natyror të menaxhuar. 6. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës, njësitë e qeverisjes vendore, organizatat jofitimprurëse, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe pronarët privatë, harton studimin urbanistik për zhvillimet urbane e turistike, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 "Për planifikimin e territorit", të ndryshuar, si dhe kontrollin e ndërtimeve, të cilat gjenden brenda sipërfaqes së rezervatit natyror të menaxhuar. Veprimtaritë turistike dhe infrastruktura në zonën ndërmjet dy shtretërve të lumit Mat, ushtrohen vetëm me leje mjedisore dhe sipas vendimit të KRRTRSH-së nr.18, datë 21.7.2009 "Për miratimin e studimit urbanistik për zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e bregut të zonës turistike të Gjirit të Drinit", dhe rregullores përkatëse. Për veprimtaritë turistike të zbatohen kriteret dhe standardet e përcaktuara në ligjin nr.9734, datë 14.5.2007 "Për turizmin", të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij. Për rastet e trashëgimisë kulturore, veprimtaritë mundësohen me leje të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në mbështetje të dispozitave të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003 "Për trashëgiminë kulturore", të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9806, datë 17.9.2007 "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Evropiane "Për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike"". 7. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ministritë e tjera të linjës dhe njësitë e qeverisjes vendore të rishikojnë lejet që kanë dhënë për veprimtari ekonomike e shoqërore, të cilat gjenden brenda sipërfaqes së rezervatit natyror të menaxhuar. Subjektet e pajisura me lejet përkatëse do të vazhdojnë të ushtrojnë këtë veprimtari, nëse nga pikëpamja ligjore përmbushin kriteret e ligjit nr.8906, datë 6.6.2002 "Për zonat e mbrojtura", të ndryshuar, si dhe kur janë në përputhje me synimet dhe objektivat e menaxhimit të rezervatit natyror. 8. Autoritet shtetëror, që ngarkohet me administrimin e zonës së mbrojtur, janë strukturat e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ndërsa administrata ekzistuese e zonës së mbrojtur Patok-Fushëkuqe kryen funksionet e administratës së rezervatit natyror të menaxhuar të Patok- Fushëkuqe-Ishëm. 9. Ngarkohen, sipas përkatësisë, ministritë e linjës dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Sali Berisha Sasia e sipërfaqeve sipas përbërjes Tabela Nr. Përdorimi i territorit Sipërfaqja në ha 1. Sipërfaqe pyjore, shkurre, ripyllëzime, tokë me bimësi pyjore dhe ujore 1 520.5 2. Sipërfaqe kullosore e livadhe 296.0 3. Sipërfaqe bujqësore (arë, pemëtore, vreshta) 1 764.7 4. Sipërfaqe ujore (detare, lumenj, ligatina, kanale kulluese ujitës) 913.7 5. Sipërfaqe joprodhuese (ranore, zhavorrishte e zhveshur) 81.8 6. Sipërfaqe urbane dhe troje të përziera me tokë bujqësore dhe pyjore 424.0 Sipërfaqe e përgjithshme 5 000.7

Decision No.995 dated 3.11.2010 proclaiming Managed Natural Reserve the Ligatinor Natural Ecosystem of Patok-Fushekuqe-Ishem · Nelum