Decision no. 284, dated 29 April 2022 determining the rules, procedures and criteria for expert's certificate in the field of forests and pastures
Made 2022-04-29 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Original title
- Vendim n. 284, date 29.4.2022 për përcaktimin e rregullave, procedurave dhe kritereve për pajisjen me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave.
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Forestry
- Keywords
- agricultural extension, certification, forest management/forest conservation, pastoralism, research, agricultural development
Where to read it
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
VENDIM Nr. 284, datë 29.4.2022 PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, PROCEDURAVE DHE KRITEREVE PËR PAJISJEN ME CERTIFIKATËN E EKSPERTIT NË FUSHËN E PYJEVE DHE KULLOTAVE (ndryshuar me VKM nr. 525, datë 1.8.2024) (i përditësuar) Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 19, të ligjit nr. 57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME 1. Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e rregullave, procedurave dhe kritereve për pajisjen me certifikatë të ekspertëve në fushën e pyjeve dhe kullotave, në përputhje me veprimtaritë që kërkojnë shërbimin e ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota. 2. Pajisja me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve është e detyrueshme për çdo individ, që kërkon të ushtrojë ekspertizë profesionale për veprimtari të tilla, si supervizimi, studimi, projektimi dhe zbatimi për investimet në pyje dhe kullota në Republikën e Shqipërisë me fonde publike e private. 3. Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: a) “Aplikim elektronik”, kërkesa e dorëzuar nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, për pajisjen me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe dorëzimi i dokumenteve që shoqërojnë kërkesën. b) “Certifikatë”, dokumenti zyrtar i lëshuar nga ministri përgjegjës për pyjet në përputhje me kërkesat e këtij vendimi, pas plotësimit të kritereve të certifikimit. c) “Certifikimi i ekspertit në fushën e pyjeve”, ka kuptimin sipas pikës 1, të kreut III, të vendimit nr. 538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar. ç) “Ekspert i certifikuar”, ka kuptimin e dhënë sipas pikës 13, të nenit 3, të ligjit nr. 57/2020, “Për pyjet”. d) “Specialist i mesëm”, individi që ka përfunduar studimet dhe është certifikuar dhe/apo diplomuar, referuar përkatësisht niveleve 4 e 5, të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, miratuar me ligjin nr. 10247, datë 4.3.2010, “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, të ndryshuar, në institucionet ofruese të arsimit dhe formimit profesional. dh) “Veprimtari”, ka kuptimin e dhënë sipas ligjit nr. 10081, datë 23.2.2009, “Për lejet, licencat dhe autorizimet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. 4. Termat “cikël studimi”, titujt akademikë “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”, të përdorur në këtë vendim, kanë të njëjtin kuptim me përkufizimet e dhëna në ligjin nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. II. RREGULLAT PËR CERTIFIKIMIN E EKSPERTIT TË PYJEVE DHE KULLOTAVE 1. Certifikimi i ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave kryhet nga struktura përgjegjëse për pyjet në ministri, nëpërmjet aplikimit elektronik në portalin qeveritar “e-Albania”. 2. Kërkuesi aplikon në portalin “e-Albania” për marrjen e certifikatës si ekspert për ushtrimin e veprimtarisë së shërbimeve të ekspertizës profesionale në fushën e pyjeve dhe kullotave. 3. Shërbimi i ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota ushtrohet nga eksperti për veprimtaritë e mëposhtme: a) supervizimin e aktiviteteve të ndryshme në fushën e pyjeve dhe kullotave, mbikëqyrjen, kolaudimin dhe certifikimin e veprimtarive të prodhimit apo tregtimit të farave, kalemave e fidanëve pyjorë dhe të materialit mbjellës; b) hartimin e metodikave, udhëzuesve/manualeve, studimeve thellësisht teknike për përdorimin e territorit për zhvillimin e qëndrueshëm të fondit pyjor dhe kullosor dhe vlerësimin e peizazhit, biodiversitetit, zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare, florës spontane (bimët mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore), faunës së egër, të rrjetit të burimeve gjenetike, konservimit të germoplazmës dhe parandalimit të rrezikut të zjarreve; c) hartimin e projekteve të tilla, si projekte komplekse të menaxhimit të pellgjeve ujëmbledhëse, projekte për hartimin e planeve të mbarështimit të pyjeve, kullotave, florës dhe faunës, për pyllëzimet, fidanishtet, trajtimin e pyjeve me prerje kulturore, të sistemimeve malore, përmirësimit të kullotave dhe veprave ujëpirëse në to, të mbritshmërisë, ndërtimin e rrugëve autopyjore dhe teleferikëve pyjorë; ç) zbatimin e projekteve në fushën e pyjeve, ku përfshihet zbatimi i projekteve të shfrytëzimit, të pyllëzimit dhe projektet që dalin në zbatim të objektivave të planit të mbarështimit të pyjeve. 4. Certifikimi i ekspertit kryhet nga ministria përgjegjëse për pyjet, pas verifikimit të plotësimit të kritereve të certifikimit dhe të dokumentacionit përkatës, të përcaktuara sipas këtij vendimi. Individët, që kanë dorëzuar kërkesë për certifikim, nuk i nënshtrohen testimit të njohurive për marrjen e certifikatës së ekspertit. 5. Tarifa e aplikimit për pajisjen me certifikatën e ekspertit në pyje është 2 000 (dy mijë) lekë. Kjo tarifë depozitohet në llogarinë e ministrisë përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, në degën e thesarit ose/dhe elektronikisht përmes platformës qeveritare të pagesave elektronike. Të ardhurat e përfituara prej tyre derdhen në buxhetin e shtetit. 6. Certifikata e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave miratohet nga ministri përgjegjës për pyjet, në përputhje me parashikimin e pikës 5, të nenit 19, të ligjit nr. 57/2020, “Për pyjet”. 7. Lista e ekspertëve të certifikuar sipas shërbimeve të ekspertizës profesionale që ata ofrojnë publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për pyjet e kullotat dhe përditësohet çdo fillim muaji nga struktura përgjegjëse për pyjet e kullotat në ministri. III. KRITERET PËR PAJISJEN ME CERTIFIKATË 1. Për pajisjen me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve e kullotave për veprimtaritë e fushës së ekspertizës profesionale, të parashikuara në shkronjat, “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, kërkuesi duhet të mos ketë qenë i dënuar me burgim për vepra penale të kryera me dashje, si dhe duhet të plotësojë një nga kriteret e mëposhtme: a) Të ketë fituar titujt akademikë, “Profesor i Asociuar” ose “Profesor” në fushën e pyjeve dhe kullotave; ose b) Në rast se kërkuesi nuk plotëson kriterin sipas shkronjës “a”, të pikës 1, ai duhet: i. të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve në fushën e pyjeve dhe kullotave, sipas nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, dhe të ketë të paktën 15 vjet eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave; ose ii. të ketë përfunduar ciklin e tretë të studimeve në fushën e pyjeve dhe kullotave, sipas nivelit 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, dhe të ketë të paktën 10 (dhjetë) vjet eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave. 2. Për pajisjen me certifikatën e ekspertit vetëm për shërbimet e ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota, të parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, kërkuesi duhet të plotësojë në mënyrë kumulative kriteret e mëposhtme: a) Të ketë përfunduar studimet në programin e ciklit të tretë të studimeve në fushën e pyjeve dhe kullotave, referuar nivelit 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, dhe të ketë të paktën 3 (tre) vite eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave ose të ketë përfunduar studimet në programin e ciklit të dytë të studimeve në fushën e pyjeve dhe kullotave, referuar nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, dhe të ketë të paktën 7 (shtatë) vite eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave; b) Të mos ketë qenë i dënuar me burgim për vepra penale të kryera me dashje. 3. Për pajisjen me certifikatën e ekspertit vetëm për veprimtaritë në fushën e shërbimeve të ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota, të parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, kërkuesi duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme: a) të ketë përfunduar studimet në programin e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në fushën e pyjeve, referuar përkatësisht niveleve 6 dhe 7, të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve; b) të ketë të paktën 5 (pesë) vite eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave; c) të mos ketë qenë i dënuar me burgim për vepra penale të kryera me dashje. 4. Për pajisjen me certifikatën e ekspertit vetëm për veprimtarinë e shërbimeve profesionale në pyje dhe kullota, të parashikuara në shkronjën “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, kërkuesi duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme: a) të jetë specialist i mesëm për pyjet, sipas përcaktimit të shkronjës “d”, të pikës 3, të kreut I, të këtij vendimi; b) të ketë të paktën 2 (dy) vite eksperiencë në punë në fushën e pyjeve dhe kullotave; c) të mos ketë qenë i dënuar me burgim për vepra penale të kryera me dashje. IV. PROCEDURAT PËR PAJISJEN ME CËRRFATË TË EKSPERTIT TË PYJEVE DHE SHFUQIZIMIN E CERTIFIKATËS 1. Kërkuesi aplikon në portalin qeveritar “e-Albania”, duke plotësuar formularin e aplikimit, i cili përmban të dhënat e përcaktuara në lidhjen nr. 1 bashkëlidhur këtij vendimi, me dokumentet e mëposhtme: a) dokumentin origjinal të skanuar, që provon eksperiencën e punës së kërkuar në fushën e pyjeve apo kullotave (librezë pune); b) dëshminë e penalitetit, të lëshuar jo më herët se tre muaj nga data e paraqitjes së dokumentit, që sigurohet nga punonjësi i institucionit shërbimofrues; c) faturën (mandat arkëtimi) që provon se ka paguar tarifën e parashikuar në pikën 5, të kreut II, të këtij vendimi; ç) dokumentin origjinal të skanuar të titullit të fituar “Profesor” apo “Profesor i Asociuar” në fushën e pyjeve dhe kullotave, ose diplomë që provon se ka përfunduar ciklin e dytë ose të tretë të studimeve në fushën e pyjeve dhe kullotave, referuar përkatësisht niveleve 7 ose 8, të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, për të gjithë individët që kërkojnë të pajisen me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave për veprimtaritë e fushës së ekspertizës profesionale, të parashikuara në shkronjat, “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi; d) dokumentin origjinal të skanuar të diplomës, që provon se kërkuesi ka përfunduar studimet në programin e ciklit të dytë ose të tretë të studimeve, referuar përkatësisht nivelit 7 ose nivelit 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, për të gjithë kërkuesit që aplikojnë për t’u pajisur me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave vetëm për shërbimet e ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota, për veprimtaritë e fushës së ekspertizës profesionale, të parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi; dh) dokumentin origjinal të skanuar të diplomës, që provon se kërkuesi ka përfunduar studimet në programin e ciklit të parë ose të ciklit të dytë të studimeve, referuar përkatësisht niveleve 6 dhe 7, të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, për të gjithë kërkuesit që aplikojnë për t’u pajisur me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave për veprimtaritë e fushës së ekspertizës profesionale, të parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi; e) dokumentin origjinal të skanuar të diplomës së Maturës Shtetërore Profesionale, e lëshuar në përfundim të programit të shkollës së mesme profesionale në profilin “pyje”, referuar përkatësisht nivelit IV të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), dhe/ose certifikatë profesionale të niveleve 4 dhe 5, të KSHK-së, që provon se kërkuesi ka përfunduar me sukses kualifikimin profesional për pyjet dhe kullotat, për të gjithë kërkuesit që aplikojnë për t’u pajisur me certifikatën e ekspertit në fushën e pyjeve dhe kullotave, vetëm për ekspertizën profesionale në pyje dhe kullota, për veprimtaritë e fushës së ekspertizës profesionale, të parashikuara në shkronjën “ç”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi. 2. Struktura përgjegjëse për pyjet në ministri, brenda 7 (shtatë) ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës, shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin e depozituar nga kërkuesi, si dhe verifikon nëse dokumentacioni është depozituar i plotë sipas pikës 1, të këtij kreu. 3. Në rast se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat pranë ministrisë konstaton se dokumentacioni i depozituar sipas pikës 1, të këtij kreu, nuk është i plotë apo nuk është sipas formatit të kërkuar, njofton përmes portalit e-Albania kërkuesin, duke kërkuar plotësimin e dokumentacionit dhe të metave të konstatuara, brenda 7 (shtatë) ditëve nga dita e njoftimit. 4. Mosplotësimi i dokumentacionit të kërkuar brenda afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij kreu, përbën shkak për mospranimin e kërkesës. Kërkuesi njoftohet përmes portalit “e-Albania” për arsyet e refuzimit, si dhe për të drejtën e ankimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankimet administrative. 5. Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në ministri, nëse vlerëson se dokumentacioni është i plotë sipas pikës 1, të këtij kreu, dhe plotëson kriteret e përcaktuara në kreun III, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune, i përcjell ministrit certifikatën së bashku me argumentet për pajisjen e kërkuesit me certifikatë eksperti, sipas veprimtarive në fushën e shërbimit të kërkuar të ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota. 6. Ministri miraton kërkesën dhe nënshkruan elektronikisht certifikatën e ekspertit për të ushtruar veprimtarinë apo veprimtaritë që përshkruhen në certifikatë, sipas formatit të miratuar prej tij. 7. Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në ministri, në rast se konstaton se dokumentet e paraqitura nga eksperti janë të pavërteta apo vihet në dijeni nga strukturat monitoruese/kontrolluese/inspektuese se eksperti ka shkelur kërkesat e legjislacionit në fuqi për pyjet i propozon ministrit, brenda 5 (pesë) ditëve nga konstatimi apo vënia në dijeni, shfuqizimin e certifikatës. 8. Ministri miraton propozimin dhe nënshkruan urdhrin përkatës për shfuqizimin e certifikatës së ekspertit. 9. Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në ministri njofton nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” brenda 3 (tre) ditëve kërkuesin për urdhrin e ministrit me objekt shfuqizimin e certifikatës dhe arsyet shfuqizimit, si dhe përditëson regjistrin e ekspertëve të pyjeve, të publikuar në faqen zyrtare të ministrisë. 10. Kërkuesi ka të drejtën e ankimit administrativ për shfuqizimin e certifikatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankimet administrative. V. DISPOZITA TË FUNDIT 1. Ekspertët e certifikuar në fushën e pyjeve dhe kullotave, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij, përmes portalit “e-Albania”, dorëzojnë certifikatën e ekspertit që disponojnë, së bashku me dokumentacionin që plotëson kriteret e përcaktuara në këtë vendim për t’u pajisur me certifikatën e ekspertit sipas formatit të miratuar nga ministri, në përputhje me pikën 5, të nenit 19, të ligjit nr. 57/2020, “Për pyjet”. Procedura për pajisjen me certifikatën e ekspertit është e njëjtë me atë të parashikuar në kreun IV, të këtij vendimi. 2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. ZËVENDËSKRYEMINISTËR Arben Ahmetaj Lidhja nr. 1 Formulari i kërkesës Tiranë, më ..../......../….. …………………………………………………………………………. Kërkoj të certifikohem si ekspert për të kryer shërbimin e ekspertizës profesionale në pyje dhe kullota në veprimtarinë/veprimtaritë, sipas përcaktimeve: a) supervizimin e aktiviteteve të ndryshme në fushën e pyjeve dhe kullotave, mbikëqyrjen, kolaudimin dhe certifikimin e veprimtarive të prodhimit apo tregtimit të farave, kalemave e fidanëve pyjor dhe të materialit mbjellës. b) hartimin e metodikave, udhëzuesve/manualeve, studime thellësisht teknike për përdorimin e territorit, për zhvillimin e qëndrueshëm të fondit pyjor dhe kullosor dhe vlerësimin e peizazhit, biodiversitetit, zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, florën spontane (bimët mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore), faunën e egër, të rrjetit të burimeve gjenetike, konservimit të germoplazmës dhe parandalimit të rrezikut të zjarreve. c) hartimin e projekteve të tilla si, projekte komplekse të menaxhimit të pellgjeve ujëmbledhës, projekte për hartimin e planeve të mbarështimit të pyjeve, kullotave, florës dhe faunës, për pyllëzimet, fidanishtet, trajtimin e pyjeve me prerje kulturore, të sistemimeve malore, përmirësimit të kullotave dhe veprave ujëpirëse në to, të mbritshmërisë, ndërtimin e rrugëve auto pyjore dhe teleferikëve pyjorë. ç zbatimin e projekteve në fushën e pyjeve (zbatimi i projekteve të shfrytëzimit, të pyllëzimit) dhe të projekteve të tjera që dalin në zbatim të objektivave të planit të mbarështimit të pyjeve. V.O. (Plotësoni kutinë apo kutitë në krah të fushave që kërkoheni të certifikoheni) KUJDES! Kërkesa konsiderohet jo e plotë dhe mund të refuzohet gjatë shqyrtimit nga strukturat përkatëse për pyjet në ministri, nëse fushat për të cilat aplikoni për t’u certifikuar, nuk janë në përputhje me kriteret ligjore të përcaktuara në këtë vendim. Deklaroj se angazhohem të njoh e të zbatoj ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi në fushën e pyjeve dhe kullotave. Deklaroj vërtetësinë e dokumenteve provuese dhe jam në dijeni të gjitha pasojave që mund të kemi si rezultat i deklarimeve të rreme apo paraqitjes së dokumenteve të pavërteta. Deklaroj se nuk jam i punësuar në rolin e drejtuesit teknik në asnjë subjekt tjetër, përjashtuar këtë ku po aplikoj, si dhe nuk jam në marrëdhënie pune në institucione shtetërore, aktiviteti i të cilave bie ndesh me ligjin nr. 152/2013, datë 30.5.2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore. Lista e dokumenteve të paraqitura: (Shëno me “X” në krah të kutisë) 1. Tituj/diploma (dokument origjinal i skanuar në formatin “PDF”) a. Profesor , b. Profesor i asociuar ; c. “Diploma e gradës shkencore “master” d. Diplomë “Master i shkencave” ; e. Diplomë e masterit profesional Shkruaj me germa kapitale EMËR MBIEMËR f. Diplomë e maturës shtetërore profesionale 2. Jetëshkrim (CV) personale (në formatin “PDF”) 3. Libreza e punës (dokument origjinal i skanuar në formatin “PDF”) 4. Dëshmi penaliteti (dokument origjinal i skanuar në formatin “PDF”) 5. Fatura (mandat arkëtimi) (dokument origjinal i skanuar në formatin “PDF” në rast se kjo faturë depozitohet fizikisht)