Decision n. 756, dated 1 December 2022 on the manner of setting up and operation of electronic system of registration and reporting of fishing activity and determining the time for putting it into operation
Made 2022-12-01 · Text as of 2026-10-01
Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.
About this law
- Original title
- Vendim nr.756, date 1.12.2022 për mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të sistemit elektronik të regjistrimit dhe raportimit të aktivitetit të peshkimit dhe përcaktimin e kohës për vënien në funksion të tij.
- Language
- Albanian
- Kind
- Regulation
- Country
- Albania
- Subjects
- Fisheries and aquaculture
- Keywords
- fishery management and conservation, inland fisheries, landing, marine fisheries, monitoring, registration, data collection/reporting, transshipment
Where to read it
Text
The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.
VENDIM Nr. 756, datë 1.12.2022 PËR MËNYRËN E NGRITJES DHE FUNKSIONIMIT TË SISTEMIT ELEKTRONIK TË REGJISTRIMIT DHE RAPORTIMIT TË AKTIVITETIT TË PESHKIMIT DHE PËRCAKTIMIN E KOHËS PËR VËNIEN NË FUNKSION TË TIJ Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 77, pika 3, dhe 85, pika 2, të ligjit nr. 64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr. 10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave VENDOSI: I. TË PËRGJITHSHME Neni 1 Objekti Ky vendim ka si objekt ngritjen e Sistemit të Raportimit Elektronik të të Dhënave (ERS) në peshkim, si një bazë të dhënash që regjistron, raporton, përpunon, ruan dhe transmeton të dhënat e peshkimit (zënie, zbarkim dhe transbordim), sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim. Neni 2 Qëllimi Regjistrimi dhe raportimi elektronik i të dhënave të peshkimit ka për qëllim të forcojë efektivitetin e operacioneve të monitorimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes, si në det, ashtu edhe në tokë. Neni 3 Përkufizime Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 1. “Anije dhënëse”, gjatë aktivitetit të transbordimit është anija, e cila i kalon produktet peshkore anijes pritëse. 2. “Anije pritëse”, gjatë aktivitetit të transbordimit është anija, së cilës i kalohen produktet peshkore nga anija dhënëse. 3. “ERS”, Sistemi i Raportimit Elektronik, është komunikimi elektronik i të dhënave të aktivitetit të peshkimit nëpërmjet: a) përbërësve kompjuterikë (hardware dhe software); b) tërësisë së rregullave që sigurojnë funksionimin e tij. 4. “Informacionet e librit të anijes”, informacioni sipas pikës 37, të kreut IV, të vendimit të kontrollit. 5. “Kodi alfa 3 të FAO”, kodi i specieve sipas shtojcës 3, të vendimit të kontrollit. 6. “Korrigjime lehtësisht të identifikueshme”, ndryshime që dallohen lehtë nga autoritetet kompetente. 7. “Ligji i peshkimit”, ligji nr. 64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar. 8. “MTU (Mobile Transcevier Unit)”, pajisjet e miratuara nga ministria përgjegjëse për peshkimin, të vendosura në bordin e anijeve të peshkimit sipas pikës 33, të kreut IV, të vendimit të kontrollit. 9. “Numri i jashtëm i identifikimit”, anijet e peshkimit shënjohen sipas rregullave të parashikuara në kreun III, të vendimit të kontrollit. 10. “Operacion peshkimi”, çdo aktivitet që lidhet me kërkimin e peshkut, tërheqjen, hedhjen dhe rikuperimin e një vegle peshkimi, si dhe me grumbullimin e zënieve nga vegla e peshkimit. 11. “Vendimi i kontrollit”, vendimi nr. 407, datë 8.5.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e një regjimi kontrolli për të garantuar respektimin e rregullave të politikave menaxhuese në peshkim”, i ndryshuar. 12. “XML (extensible mark-up language)”, gjuhë kompjuterike e cila bazohet në formatin tekst për organizimin e informacioneve. Neni 4 Institucioni administrues i ERS-së Të dhënat e gjeneruara nga Sistemi i Raportimit Elektronik administrohen nga ministria përgjegjëse për peshkimin. Neni 5 Të dhënat parësore dhe dytësore Baza e të dhënave që krijohet nga sistemi ERS përmban: a) të dhënat parësore sipas shtojcave 4 dhe 5, të vendimit të kontrollit; b) të dhëna dytësore sipas pikës 24, të kreut IV, të vendimit të kontrollit. Neni 6 Dhënësi i informacionit Çdo kapiten, pronar ose përfaqësues i anijes së peshkimit, me një gjatësi të përgjithshme të barabartë ose më të madhe se 12 metra, detyrohet të regjistrojë dhe të transmetojë librin e anijes së peshkimit, deklaratat e zbarkimit dhe të dhënat e transbordimit në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit ERS. Neni 7 Ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave ERS-ja ndërvepron me Sistemin e Vëzhgimit të Anijeve (SVA), duke përdorur MTU-në e këtij sistemi, si pjesë të tij. Neni 8 Niveli i aksesit Kapitenët e anijeve të peshkimit kanë akses të sigurt, të identifikueshëm me përdorues dhe fjalëkalim, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, në të dhënat e librit të tyre elektronik të anijes së ruajtur në bazën e të dhënave. Neni 9 Baza e raportimit të të dhënave Raportimi i të dhënave për zëniet nëpërmjet sistemit ERS bazohet në librin elektronik të anijes së peshkimit, i cili përdoret për të regjistruar dhe transmetuar në mënyrë të sigurt detajet e operacioneve të peshkimit. Neni 10 Raportimi i informacionit Informacioni menaxhohet nga kapiteni i anijes së peshkimit dhe u transmetohet autoriteteve të përcaktuara në këtë vendim, ku të dhënat autentike të operacionit të peshkimit ruhen në një bazë të sigurt të dhënash. Neni 11 Detyrimi i regjistrimit dhe i raportimit Me ngritjen dhe funksionimin e sistemit ERS, që anija e peshkimit të ushtrojë aktivitetin e peshkimit, kapiteni i anijes së peshkimit detyrohet të regjistrojë dhe të komunikojë menjëherë informacionin në lidhje me aktivitetet e peshkimit, duke përfshirë zbarkimet dhe transferimet, si dhe t’u vendosë në dispozicion autoriteteve të përcaktuara në ligjin e peshkimit një kopje të këtyre të dhënave. II. PLOTËSIMI DHE TRANSMETIMI ELEKTRONIK I TË DHËNAVE Neni 12 Raportimi i të dhënave për zëniet Kapitenët e anijeve të peshkimit, me gjatësi totale të barabartë ose më të madhe se 12 metra, regjistrojnë elektronikisht informacionet e librit të anijes dhe i transmetojnë në rrugë elektronike në QNOD dhe në institucionin përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës, së paku një herë në 24 orë: a) me kërkesë të institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës; b) menjëherë pas përfundimit të operacionit të fundit të peshkimit; c) përpara hyrjes në port; ç) në momentin e çdo inspektimi në det; d) në rrethana të veçanta të përcaktuara nga legjislacioni i peshkimit. Neni 13 Detyrimi i raportimit në transbordim Në zbatim të neneve 85 dhe 99 të ligjit të peshkimit, kapitenët e anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 12 metra, të përfshira në një veprimtari transbordimi, plotësojnë një deklaratë transbordimi, duke raportuar sasinë për çdo specie të dhënë ose të pritur, në rastin kur kjo sasi është mbi 50 kg peshë e gjallë. Neni 14 Plotësimi i deklaratës së transbordimit Deklarata e transbordimit, e përmendur në nenin 13, të këtij vendimi, duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm: a) Numrin e jashtëm të identifikimit dhe emrin e anijeve të peshkimit, dhënëse dhe pritëse; b) Kodin alfa 3 të FAO-s për çdo specie dhe zonën gjeografike në të cilën janë bërë zëniet; c) Vlerësimet e sasive të secilës specie të shprehura në kilogramë, të ndara sipas llojit të prezantimit të produktit ose, sipas rastit, numrit të individëve; ç) Portin e mbërritjes së anijes pritëse të peshkimit; d) Portin e caktuar për transbordimin. Neni 15 Toleranca në përllogaritje Toleranca e lejuar në përllogaritjet e sasive në kilogramë të peshkut të dhënë ose pritur, regjistruar në deklaratën e transbordimit, është 10% për të gjitha llojet. Neni 16 Raportimi i transbordimit në format letër Deri në vënien në funksion të sistemit ERS, kapiteni i anijes dhënëse dhe kapiteni i anijes pritëse duhet të paraqesin secili një deklaratë të transbordimit në format letër, në një kohë sa më të shpejtë dhe në çdo rast jo më vonë se 48 orë pas transbordimit: a) pranë QNOD-së dhe institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës; b) nëse transferimi ka ndodhur në portin e një shteti tjetër, tek autoritetet kompetente të shtetit të portit në fjalë. Neni 17 Përgjegjësia mbi të dhënat Kapiteni i anijes dhënëse dhe kapiteni i anijes pritëse janë përgjegjës për saktësinë e të dhënave të raportuara në deklaratën e transbordimit. Neni 18 Raportimi elektronik i deklaratës së transbordimit Kapitenët e anijeve të peshkimit, me një gjatësi të përgjithshme të barabartë ose më të madhe se 12 metra, të përfshira në një operacion transbordimi, regjistrojnë në mënyrë elektronike informacionin e përmendur në nenin 14, të këtij vendimi, dhe ia transmetojnë atë në mënyrë elektronike QNOD-së dhe institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga përfundimi i operacionit të transbordimit. Neni 19 Marrja e raportimit QNOD-ja dhe institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës pranojnë raportet elektronike, që përmbajnë të dhënat e anijeve të peshkimit, sipas nenit 14 të këtij vendimi. Neni 20 Transbordimi nga një anije e huaj Nëse një anije peshkimi e huaj transbordon zëniet e saj në Shqipëri, QNOD-ja dhe institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës i transmetojnë menjëherë elektronikisht të dhënat nga deklarata e transbordimit tek autoritetet kompetente të shtetit flamur të anijes së huaj, si dhe tek autoritetet kompetente të shtetit në të cilin zëniet janë të destinuara. Neni 21 Plotësimi i deklaratës së zbarkimit Në zbatim të nenit 82 të ligjit të peshkimit, në informacionin që përmban deklarata e zbarkimit përfshihen: a) numri i jashtëm i identifikimit dhe emri i anijes së peshkimit; b) kodi alfa 3 i FAO-s për çdo specie dhe zona gjeografike në të cilën janë bërë zëniet; c) sasitë e secilës specie në kilogramë, të ndara sipas llojit të prezantimit të produktit ose, sipas rastit, numrit të individëve; ç) porti i zbarkimit. Neni 22 Detyrimi i raportimit të zbarkimit Kapiteni i një anijeje peshkimi me gjatësi të përgjithshme të barabartë ose më të madhe se 12 metra ose përfaqësuesi i tij regjistron në mënyrë elektronike informacionin e përmendur në nenin 21 të këtij vendimi, dhe ia transmeton atë në mënyrë elektronike QNOD-së dhe institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës sapo të jetë plotësuar dhe, në çdo rast, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga përfundimi i operacionit të zbarkimit. Neni 23 Transmetimi i korrigjimeve Kapiteni mund të transmetojë korrigjime në librin elektronik të anijes dhe në deklaratën e transbordimit përpara hyrjes në port. Korrigjimet duhet të jenë lehtësisht të identifikueshme. Të gjitha të dhënat origjinale të librit elektronik dhe korrigjimet e tyre duhet të ruhen nga QNOD-ja dhe institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës. Neni 24 Ruajtja e informacionit nga kapiteni i anijes Kapiteni ruan në format elektronik një kopje të informacionit të përmendur në nenin 12, të këtij vendimi, në bordin e anijes së peshkimit gjatë gjithë kohëzgjatjes së udhëtimit të peshkimit deri në paraqitjen e deklaratës së zbarkimit. Neni 25 Dhënia e konfirmimit QNOD-ja siguron që një mesazh marrjeje t’u dërgohet anijeve të peshkimit pas çdo transmetimi të të dhënave të librit të anijes, transbordimit ose zbarkimit. Ky mesazh përfshin një konfirmim të marrjes së informacionit. Neni 26 Njoftimi para hyrjes në port Në zbatim të nenit 8, të ligjit nr. 10/2017, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për masat e shteteve portuale për të parandaluar, frenuar dhe eliminuar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar”, kapitenët e anijeve të peshkimit transmetojnë në mënyrë elektronike në QNOD njoftimin paraprak për hyrjen në port. Neni 27 Komunikimi me shtetin e flamurit Nëse një anije e huaj synon të hyjë në një port shqiptar, QNOD-ja, pasi ka marrë njoftimin paraprak të përmendur në nenin 26 të këtij vendimi, do t’ua transmetojë atë menjëherë, në mënyrë elektronike, autoriteteve kompetente të shtetit të flamurit. III. FUNKSIONIMI I SISTEMIT TË REGJISTRIMIT DHE TË TRANSMETIMIT TË TË DHËNAVE ELEKTRONIKE Neni 28 Raportimi në rast dështimi teknik Në rast të një dështimi teknik ose mosfunksionimi të sistemit elektronik të regjistrimit dhe të transmetimit të të dhënave, kapiteni, pronari i anijes ose përfaqësuesi i tyre i autorizuar, komunikon (në telefon ose në radio) të dhënat përkatëse të librit të anijes, të deklaratës së zbarkimit dhe të dhënat e transbordimit në QNOD, çdo ditë dhe jo më vonë se ora 24:00, edhe në mungesë të zënieve: a) me kërkesë të institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës; b) menjëherë pas përfundimit të operacionit të fundit të peshkimit; c) përpara hyrjes në port; d) në momentin e çdo inspektimi në det; e) në rrethana të veçanta të përcaktuara nga legjislacioni i peshkimit. Neni 29 Përditësimi i të dhënave QNOD-ja përditëson librin elektronik të anijes pas marrjes së të dhënave të përmendura në nenin 28 të këtij vendimi. Neni 30 Masat në rast të dështimit teknik Një anije peshkimi nuk largohet nga porti, në rast të një dështimi teknik ose mosfunksionimit të sistemit elektronik të regjistrimit dhe transmetimit të të dhënave, përpara se institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës të ketë konstatuar se sistemi funksionon normalisht ose kur anija është autorizuar të lundrojë nga ky institucion. Neni 31 Mosraportimi i të dhënave Kur QNOD-ja dhe institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës nuk kanë marrë të dhënat e transmetuara, në përputhje me nenet 12, 18 dhe 22 të këtij vendimi, oficerët e shërbimit të peshkimit në sallën operacionale në QNOD informojnë menjëherë kapitenin ose pronarin e anijes ose përfaqësuesin e tyre. Nëse për një anije të caktuar kjo situatë ndodh më shumë se tri herë brenda një viti, institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës siguron që të kryhet një kontroll në sistemin e tij elektronik të transmetimit. Institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës kryen hetime për të përcaktuar shkaqet e mosmarrjes së të dhënave. Neni 32 Ruajtja e të dhënave nga autoritetet QNOD-ja dhe institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës ruajnë bazat e të dhënave për funksionimin e sistemeve të tyre elektronike të transmetimit. Këto baza të dhënash përfshijnë informacionin e mëposhtëm: a) listën e anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, të cilat kanë pësuar një defekt ose dështim teknik në sistemet elektronike të transmetimit të të dhënave; b) numrin e transmetimeve të librit elektronik të anijes së pranuar çdo ditë dhe numrin mesatar të transmetimeve të marra për çdo anije; c) numrin e deklaratave të zbarkimit dhe transbordimit të marrë. IV. SHKËMBIMI I TË DHËNAVE DHE QASJA NË TË DHËNAT Neni 33 Komunikimi me shtetet e tjera Shkëmbimi i informacionit me shtetet e tjera kryhet sipas modelit ad hoc, bazuar në formatin në XML (extensible mark-up language). Neni 34 Korrigjimet Korrigjimet në informacionin e përmendur në nenin 23 të këtij vendimi, duhet të identifikohen qartë. Neni 35 Konfirmimi i marrjes së informacionit ndaj shteteve të tjera Kur QNOD-ja merr informacion elektronik nga një shtet tjetër duhet të sigurojë që një mesazh marrjeje t’u dërgohet autoriteteve kompetente të atij shteti. Ky mesazh përfshin një konfirmim të marrjes. Neni 36 Detyrimi për shkëmbimin e informacionit Të dhënat e parashikuara në modelin ad hoc sipas nenit 33 të këtij vendimi, janë të detyrueshme në shkëmbimet e informacionit ndërmjet shteteve. Neni 37 Periudha për të cilën raportohet Të dhënat e përmendura në nenin 33 të këtij vendimi duhet të mbulojnë periudhën ndërmjet nisjes së fundit nga porti dhe përfundimit të zbarkimit. Të dhënat e udhëtimit të peshkimit për 12 (dymbëdhjetë) muajt e fundit jepen kur kërkohen nga autoriteti kompetent. Neni 38 Shkëmbimi i informacionit teknik Autoritetet kompetente shqiptare shkëmbejnë me autoritetet e shteteve të tjera informacionin teknik të nevojshëm për të siguruar akses të ndërsjellë në librat elektronikë të anijeve të peshkimit. Neni 39 Sigurimi dhe mbrojtja e të dhënave Autoritetet kompetente sigurojnë: a) që të dhënat e marra në përputhje me këtë vendim të ruhen në mënyrë të sigurt në bazat e të dhënave elektronike dhe garantojnë konfidencialitetin e tyre; b) mbrojtjen e të dhënave nga fshirja aksidentale ose e paligjshme, humbja aksidentale, dëmtimi, përhapja ose konsultimi i paautorizuar. V. DISPOZITA KALIMTARE Neni 40 Koha e zbatimit Detyrimi për raportimin elektronik të të dhënave për aktivitetin e peshkimit (zënie, zbarkim dhe transbordim) fillon nga data 1.7.2024. Neni 41 Miratimi i modelit ad hoc Modeli ad hoc i shkëmbimit të informacionit me shtetet e tjera do të miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për peshkimin, me instalimin e sistemit ERS në bordin e anijeve të peshkimit. VI. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE Neni 42 Shpenzimet Shpenzimet e bëra për blerjen dhe instalimin në bordin e anijeve të peshkimit të pajisjeve ERS mbulohen nga buxheti i miratuar i ministrisë përgjegjëse për peshkimin. Neni 43 Përjashtimi Ky vendim nuk zbatohet për anijet të cilat përdoren vetëm për qëllime të akuakulturës. Neni 44 Autoritetet zbatuese Ngarkohen ministria përgjegjëse për peshkimin, institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi. Neni 45 Hyrja në fuqi Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. ZËVENDËSKRYEMINISTËR Belinda Balluku