Skip to content
Nelum
Laws of Albania

Decision N. 682, dated 2 September 2020 on the organization and functioning procedures of the commission for the review of administrative measures in the ministry responsible for veterinary

Made 2020-09-02 · Text as of 2026-10-01

Public law and official guidance, published as research. Not legal, tax or financial advice.

About this law

Original title
Vendim nr. 682, datë 2.9.2020 për procedurat e organizimit dhe të funksionimit të komisionit për shqyrtimin e masave administrative në ministrinë përgjegjëse për veterinarinë.
Language
Albanian
Kind
Regulation
Country
Albania
Subjects
Livestock
Keywords
legal proceedings/administrative proceedings, animal health, inspection, procedural matters

Where to read it

Text

The law's own text, section by section, as held. Each section has its own link.

  1. 1 VENDIM Nr. 682, datë 2.9.2020 PËR PROCEDURAT E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT PËR SHQYRTIMIN E MASAVE ADMINISTRATIVE NË MINISTRINË PËRGJEGJËSE PËR VETERINARINË Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 135, të ligjit nr. 10465, datë 21.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave VENDOSI: I. ORGANIZIMI DHE PËRBËRJA E KOMISIONIT TË SHQYRTIMIT TË MASAVE ADMINISTRATIVE TË MARRA NGA SHËRBIMI VETERINAR SHTETËROR 1. Pranë ministrisë përgjegjëse për veterinarinë funksionon komisioni për shqyrtimin e masave administrative të marra nga veterineri zyrtar i kontrollit, këtu e në vijim Komisioni. 2. Komisioni shqyrton ankimet kundër masave administrative të marra nga veterineri zyrtar gjatë kryerjes së kontrollit zyrtar. 3. Komisioni përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë të emëruar nga ministri përgjegjës për veterinarinë, si më poshtë vijon: a) një nga nëpunësit e trupës civile të nivelit të lartë drejtues në ministri, kryetar; b) një përfaqësues nga njësia përgjegjëse për çështjet juridike në ministri, anëtar; c) një përfaqësues nga struktura përgjegjëse për veterinarinë në ministri, anëtar; d) dy përfaqësues nga shërbimi veterinar rajonal i veterinarisë. 4. Kryetari dhe anëtarët emërohen me afat 3-vjeçar. 5. Kryetari dhe anëtarët lirohen nga ministri kur: a) largohen nga detyra për shkak të dorëheqjes, me masë disiplinore ose një arsye tjetër; b) mungon për jo më pak se 3 (tre) mbledhje në vijimësi; c) ka pamundësi shëndetësore dhe fizike, që e bëjnë të paaftë të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë; ç) konstatohet se ka ushtruar vendimmarrje në kushtet e konfliktit të interesit ose të pengesës ligjore; d) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale të kryer me dashje; dh) pezullohet nga detyra në ministri, në drejtorinë qendrore ose në drejtorinë rajonale; e) mbaron mandati. 6. Anëtarët zëvendësues qëndrojnë në detyrë për pjesën e mbetur të mandatit të anëtarit që zëvendësojnë. 7. Në funksionimin e tij, Komisioni mbështetet nga sekretariati teknik. Sekretariati përbëhet nga 3 (tre) nëpunës të autoritetit kompetent, përgjegjës për drejtimin e shërbimit veterinar në nivel qendror dhe caktohen nga ministri, pas propozimit të drejtuesit të këtij autoriteti. II. DETYRAT E KOMISIONIT DHE TË SEKRETARIATIT 1. Kryetari i Komisionit ka detyrimet dhe kryen detyrat, si më poshtë vijon: a) cakton datën, si dhe rendin e ditës së çdo mbledhjeje; b) cakton çështjet që merren në shqyrtim jashtë rendit të ditës, sipas kërkesës së arsyetuar të ankuesit; c) drejton zhvillimin e mbledhjeve të Komisionit; ç) organizon dhe mbikëqyr veprimtarinë e sekretariatit të Komisionit; d) raporton për ecurinë e veprimtarisë pranë ministrit; dh) deklaron për kushtet e konfliktit të interesit ose pengesat ligjore për një çështje të caktuar, para fillimit të shqyrtimit të ankesës përkatëse; e) ruan konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tij; 2 ë) nënshkruan vendimet në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative. 2. Anëtarët e Komisionit kanë detyrimet dhe kryejnë detyrat, si më poshtë vijon: a) marrin pjesë rregullisht në mbledhje dhe, në rast mungese, njoftojnë kryetarin për mungesën, si dhe për arsyen e mungesës; b) deklarojnë për kushtet e konfliktit të interesit ose pengesat ligjore për një çështje të caktuar, para fillimit të shqyrtimit të ankesës përkatëse; c) ruajnë konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre; ç) nënshkruajnë procesverbalet e mbledhjes së Komisionit. 3. Sekretariati teknik kryen detyrat, si më poshtë vijon: a) merr në dorëzim dhe administron ankimet që janë objekt i shqyrtimit të Komisionit, si dhe dokumentacionin; b) njofton kryetarin e Komisionit për çdo ankimim të paraqitur; c) njofton anëtarët për datën dhe orën e mbledhjes, rendin e ditës, kopje të ankesave, sipas orientimeve të kryetarit; ç) njofton ankimuesin për ditën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes; d) relaton çështjet që janë për shqyrtim, mban dhe harton procesverbalin e mbledhjes, i cili përfshin dhe dispozitivin e vendimit për çdo ankim; dh) zbardh vendimin e arsyetuar, të marrë në mbledhjen e Komisionit, dhe ia njofton të gjitha palëve brenda 10 (dhjetë) ditëve nga nënshkrimi; e) dorëzon në arkiv-protokoll të ministrisë vendimin dhe kopjen origjinale të dosjes për çdo ankim dhe një kopje vendimi dhe një kopje të dosjes për çdo ankim, të njësuar me origjinalin, si dhe në Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Veterinar Rajonal, kopje të vendimit dhe dosjes së çdo ankimi. 4. Anëtarët e Komisionit dhe sekretariati ruajnë konfidencialitetin e diskutimeve, të dokumenteve dhe çdo informacion që u vihet në dispozicion, sipas legjislacionit në fuqi për ruajtjen e të dhënave personale dhe interesin tregtar të ankuesve. Anëtarët e sekretariatit kryejnë veprimtarinë e tyre duke shmangur konfliktin e interesit dhe nënshkruajnë deklaratë që nuk janë në kushte konflikti interesi për çdo ankim të shqyrtuar. 5. Ministri vendos ndryshimin e kryetarit dhe të anëtarëve dhe, nëse këta të fundit nuk marrin pjesë në asnjë nga mbledhjet e bordit për një periudhë vijuese 3-mujore, ndërpriten marrëdhëniet e punës me institucionin përkatës ose humbin statusin e nëpunësit të trupës së nivelit të lartë drejtues, dhe emëron anëtarin zëvendësues për pjesën e mbetur të mandatit. III. PROCEDURA E ZHVILLIMIT TË MBLEDHJEVE 1. Komisioni mblidhet të paktën 1 (një) herë në muaj. Komisioni nuk mblidhet në rast se nuk ka ankesa. 2. Mbledhjet janë të vlefshme nëse janë të pranishëm 4 (katër) anëtarë të Komisionit. Kur kuorumi nuk arrihet, mbledhja shtyhet dhe mbahet brenda 5 (pesë) ditëve. 3. Komisioni merr në shqyrtim ankesat sipas radhës së paraqitjes së tyre. 4. Sekretariati njofton, nëpërmjet postës elektronike, anëtarët për datën, orën dhe agjendën paraprake të mbledhjes, si dhe kopje të ankimeve që janë në rend dite, të paktën 5 (pesë) ditë para ditës së mbledhjes. Dokumentacioni i dosjes për çdo ankesë tërhiqet nga anëtarët në sektorin e protokollit në ministri. 5. Sekretariati njofton ankuesin të paktën 5 (pesë) ditë para datës së mbledhjes, i cili mund të paraqesë shpjegime shtesë ose prova të reja të cilat bëhen pjesë e ankimit të paraqitur. 6. Me kërkesën e ankuesit, kryetarit të Komisionit ose njërit prej anëtarëve, në mbledhje paraqitet veterineri zyrtar i kontrollit ose grupi i veterinerëve zyrtarë të kontrollit, që kanë marrë masën objekt ankimi. 7. Vendimet merren me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve prezent në mbledhje. Nëse nga votimi votat pro dhe kundër janë të njëjta vendos vota e kryetarit të Komisionit. Komisioni merr vendime vetëm për ankesa të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes dhe në votim marrim pjesë vetëm kryetari dhe anëtarët e Komisionit. 3 8. Për çdo mbledhje mbahet një procesverbal me shkrim, i cili përmban një përmbledhje të të gjithë procesit, duke përfshirë por pa u kufizuar, datën dhe vendin e mbledhjes, rendin e ditës, anëtarët e Komisionit prezent, subjektet pjesëmarrëse dhe përfaqësuesit e tyre, qëndrimet e anëtarëve dhe votimin e secilit, dispozitivin e çdo vendimi. Procesverbali mbahet nga sekretariati dhe nënshkruhet nga kryetari, anëtarët prezent në mbledhje dhe anëtarët e sekretariatit teknik. 9. Procedura për zhvillimin e mbledhjes së Komisionit është, si më poshtë vijon: a) mbledhja çelet nga kryetari, i cili prezanton rendin e ditës dhe kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës; b) ankimet shqyrtohen sipas radhës së miratuar të rendit të ditës. Për çdo shqyrtim thirret në mbledhje përfaqësuesi ligjor i ankuesit ose përfaqësuesi me autorizim/prokurë. Ankimi relatohet nga anëtari i sekretariatit, i caktuar nga kryetari, dhe përfshin por pa u kufizuar çështje që lidhen me rrethanat e kontrollit dhe marrjes së masës administrative të ankimuar, masën e marrë, afatin e paraqitjes së ankesës, elemente të tjera të ankesës dhe një shpjegim të përgjithshëm të dokumentacionit shoqërues të ankesës. 10. Përfaqësuesi ligjor i ankuesit ose përfaqësuesi me autorizim/prokurë mund të japë shpjegime para dhënies së vendimit. Çështja shqyrtohet dhe në mungesë të përfaqësuesit të ankuesit. 11. Pas shqyrtimit, Komisioni merr vendim pa prezencën e ankuesit. Kryetari fton anëtarët të votojnë, ndërsa kryetari voton i fundit. Votimi është i hapur në të gjitha rastet. 12. Komisioni, pas shqyrtimit të ankimit, vendos: a) lënien në fuqi të masës objekt ankimi dhe rrëzimin e ankimit kur është i pambështetur ose i paraqitur jashtë afatit; b) anulimin ose shfuqizimin e masës objekt ankimi, duke pranuar tërësisht ankimin; c) ndryshimin pjesërisht të masës objekt ankimi, duke pranuar pjesërisht ankimin; ç) pushimin e shqyrtimit të ankesës. 13. Vendimi i zbardhur përmban, por pa u kufizuar, elementet, si më poshtë vijon: a) përbërjen e Komisionit, vendin dhe orën e marrjes së vendimit; b) ankuesin; c) vendimin e ankimuar; ç) bazën ligjore të ankimit dhe objektin; d) çështje që lidhen me juridiksionin, kompetencën, afatin e ankimit; dh) pjesën shpjeguese të ankimit; e) shpjegimet mbi vendimmarrjen e organit për të cilin paraqitet ankimi; ë) arsyetimin e vendimit; f) bazën ligjore të marrjes së vendimit; g) dispozitivin; gj) shpenzimet procedurale; h) afatin e ankimit dhe gjykatën kompetente ku paraqitet ankimi. 14. Procedura e zhvillimit të mbledhjeve të Komisionit rregullohet nga parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative dhe të ligjit nr. 8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”. IV. DISPOZITA TË FUNDIT 1. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit përfitojnë një shpërblim sipas përcaktimeve të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për masën e shpërblimit të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore. 2. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 15 shtator 2020. ZËVENDËSKRYEMINISTËR Erion Braçe

Decision N. 682, dated 2 September 2020 on the organization and functioning procedures of the commission for the review of administrative measures in the ministry responsible for veterinary · Nelum