Regulation No. 480 of 2011 on land use planning
صدر في 2011-06-22 · النص بتاريخ 2026-10-01
القانون العام والإرشادات الرسمية منشورة بوصفها أبحاثاً. ليست مشورة قانونية أو ضريبية أو مالية.
البحث نفسه مكتوب بالإنجليزية. العناوين والوسوم مترجمة؛ أما النتائج والاقتباسات فغير مترجمة.
عن هذا القانون
- اللغة
- Albanian
- النوع
- لائحة
- الدولة
- ألبانيا
- الموضوعات
- Land and soil
- الكلمات المفتاحية
- land-use planning, legal proceedings/administrative proceedings, authorization/permit
أين تقرؤه
لا يوجد رابط مصدر مسجل لهذا القانون.
النص
نص القانون نفسه، مادةً مادة، كما هو محفوظ. لكل مادة رابطها.
VENDIM Nr.480, datë 22.6.2011 PËR MIRATIMIN E RREGULLORES MODEL TË PLANIFIKIMIT I ndryshuar: VKM Nr. 140, datë 22.2.2012 VKM Nr. 371, datë 02.05.2013 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6 të nenit 88, të ligjit nr.10 119, date 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Miratimin e rregullores model të planifikimit, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 2. Ngarkohen autoritetet vendore të planifikimit, të përcaktuara në nenin 12 të ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 30 shtator 2011. KRYEMINISTRI Sali Berisha SHTOJCA 1 RREGULLORE MODEL E PLANIFIKIMIT SEKSIONI 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Qëllimi Kjo rregullore nxit planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, duke shërbyer si instrumenti i vetëm, me përjashtim të vendimeve të KRRTRSH-së, të cilat mbeten në fuqi sipas përcaktimeve në Rregulloren Uniforme të Kontrollit të Zhvillimit, mbi të cilin mbështetet autoriteti vendor i planifikimit për shqyrtimin e kërkesave për zhvillim dhe dhënien e lejeve për punime, deri në miratimin e instrumenteve vendore të planifikimit dhe të kontrollit të zhvillimit për territorin e tyre administrativ. Neni 2 Objekti 1. Kjo rregullore përcakton rregullat model dhe kushtet e zhvillimit të tokës ose të strukturave në të, rastet e zbatimit të saj, si dhe hapat që ndiqen nga autoritetet e planifikimit për të orientuar zhvilluesit në procesin e zhvillimit në mungesë të instrumenteve vendore të planifikimit. 2. Rregullorja model e planifikimit normon: a) përcaktimin e përdorimeve ekzistuese të tokës në një zonë; b) përcaktimin e intensitetit të ndërtimit dhe të treguesve të tjerë të zhvillimit të gjendjes ekzistuese në një zonë; c) përcaktimin e kufijve të zonës, ku përcaktohen përdorimi dhe treguesit, sipas germave “a” dhe “b” të kësaj pike; ç) përcaktimin e rasteve të zbatimit të kësaj rregulloreje, dhe të kushteve përkatëse; d) përcaktimin e hapave që ndiqen për të zhvilluar në kushtet e përdorimit të kësaj rregulloreje; dh) përcaktimin e përdorimit të lejuar të tokës deri në hartimin e instrumentit të përgjithshëm vendor të planifikimit; e) përcaktimin e parametrave zhvillimorë të lejuar deri në hartimin e instrumentit të përgjithshëm vendor të planifikimit. Neni 3 Përkufizime Termat e përdorur në këtë rregullore kanë të njëjtin kuptim me ato të përcaktuara në nenin 3 të ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, dhe në aktet nënligjore në zbatim SEKSIONI 2 RASTET E ZBATIMIT, KUSHTET DHE RREGULLAT E PËRDORIMIT TË KËSAJ RREGULLOREJE Neni 4 Rastet e zbatimit të rregullores model të planifikimit 1. Dispozitat e kësaj rregulloreje zbatohen vetëm për: a) zhvillimin në zonat e sistemit territorial urban, sipas përcaktimit të Rregullores Kombëtare të Planifikimit, dhe gjithmonë vetëm për parcelat e kategorizuara si “truall” në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme; b) zhvillimin në zonat me kategori ekzistuese të përdorimit të tokës A. bBanim, sipas përcaktimit të Rregullores Kombëtare të Planifikimit, për kategoritë bazë të përdorimit të tokës dhe të strukturave në të, si edhe për struktura të tipit “infrastrukturë publike”, sipas përcaktimit të pikes 30 të nenit 3 të ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”; c) zhvillimin e strukturave me funksione në shërbim të banimit, si: garazh familjar, njësi shitjeje me pakicë brenda nënnjësisë strukturore të banimit, bare dhe restorante në nivel nënnjësie strukturore banimi. ç) zhvillimin e strukturave me funksion administrativ në arsim, bujqësi, industri ushqimore, ekonomi ndihmëse bujqësore, shëndetësi, infrastrukturë, transport, e strukturave ushtarake, institucioneve fetare, shërbimeve tregtare, magazinave tregtare, shërbimeve sociale. 2. Dispozitat e kësaj rregulloreje nuk zbatohen për zhvillimin e strukturave me funksione shërbimi: pika karburanti; të gjitha strukturat sipas kategorive bazë të përdorimit të tokës dhe të strukturave të përcaktuara në Rregulloren uniforme të instrumenteve të planifikimit, të cilat nuk përmenden në pikën 1 të këtij neni. Neni 5 Zhvillimi i infrastrukturave në kushtet e zbatimit të rregullores model të planifikimit 1. Pavarësisht nga sa përcaktohet në nenin 4 të kësaj rregulloreje, autoriteti vendor i planifikimit, subjekt i kësaj rregulloreje, zhvillon projekte të rëndësishme të infrastrukturës publike vendore, në zbatim të kushteve teknike të kërkuara për infrastrukturën publike sipas përcaktimit të legjislacionit të posaçëm në fuqi, dhe në çdo rast garanton që: a) çdo kërkesë apo nismë për projektin shpjegohet, dokumentohet apo rishikohet gjatë procesit të këshillimit publik; b) autoriteti përgjegjës për miratimin e kërkesës, në rastet kur vlerëson se faktet janë të pamjaftueshme, të pasakta ose të papërshtatshme, për nisjen e procesit për hartimin e instrumentit vendor të planifikimit, i kërkon kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore të organizojë, të paktën, një seancë dëgjimi publik, për të marrë vërejtjet e propozimet e palëve të interesuara; c) vendimi i kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore për kërkesën për hartimin e projektit botohet në regjistrin e planifikimit të territorit së bashku me elementet dokumentuese të kërkesës; ç) autoriteti përgjegjës për hartimin e projektit siguron që të realizohet një proces dialogu, bashkëpunimi dhe bashkërendimi, me çdo autoritet të planifikimit dhe palë të interesuar, përpara fillimit dhe gjatë hartimit të projektit; d) projekti bashkërendohet ose është subjekt këshillimi të paktën në dy faza: në fazën e projektidesë dhe në fazën e projektit përfundimtar që paraqitet për miratim nga autoriteti përgjegjës; dh) afatet e shprehjes së qëndrimit nga autoritetet e tjera të planifikimit dhe palët e interesuara fillojnë të nesërmen e datës së botimit në regjistër dhe në mjetet tradicionale tëinformimit zyrtar të kërkesës së miratuar, si dhe realizohen përmes hapësirave të krijuara nga procesi i bashkërendimit dhe këshillimit gjatë hartimit të projektit, sipas planit të veprimeve për këtë qëllim. Gjatë kësaj periudhe çdo palë e interesuar ka të drejtë të paraqesë vërejtje apo propozime, si dhe të negociojë për përmbajtjen e projektit dhe për të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga propozimet e tij; e) drafti përfundimtar i projektit botohet në regjistër dhe në mjetet tradicionale të informimit publik dhe zyrtar, si dhe është subjekt për vërejtje dhe sugjerime nga palët e interesuara dhe autoritetet e interesuara të planifikimit, brenda një periudhe 30-ditore. Mosparaqitja e vërejtjeve apo propozimeve brenda afateve të përcaktuara në këtë pikë, vlerësohet pranim i heshtur i projektit, përveç rasteve të pamundësisë për shkaqe të përligjura e të pavarura nga subjekti në fjalë, e të cilat duhet të njoftohet në mënyrë të argumentuar, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative, për rivendosjen në afat; ë) dhjetë ditë pas përfundimit të afatit të shprehur në germën “e” të kësaj pike, autoriteti përgjegjës për hartimin e projektit shqyrton vërejtjet ose propozimet e autoriteteve dhe palëve të interesuara. Në rast se ato prekin ndjeshëm elemente thelbësore dhe përmbajtjen bazë të projektit të infrastrukturave publike ose paraqesin situata konfliktuale mes palëve të interesuara, autoriteti përgjegjës për hartimin e projektit organizon një seancë dëgjimi publik midis palëve të interesuara dhe i kthen projektin për rishikim grupit teknik që e ka hartuar atë; f) përmbledhja e vërejtjeve, propozimeve dhe vendimeve sipas germës “ë” të kësaj pike botohet në regjistër dhe në mjetet e informimit publik; g) dhjetë ditë pas realizimit të dëgjimit publik të parashikuar në germën “ë” të kësaj pike, grupi teknik dorëzon pranë autoritetit përgjegjës për hartimin e projektit, projektin e rishikuar. Autoriteti përgjegjës e shqyrton projektin dhe vendos ta miratojë atë dhe të nisë procedurën për lejen e infrastrukturës, ose ta rishikojë bazuar në një dëgjim publik të fundit, që duhet organizuar 5 ditë pas shqyrtimit të projektit; gj) projekti përfundimtar i miratuar botohet në regjistër dhe në mjetet tradicionale të komunikimit dhe informimit zyrtar, 15 ditë nga miratimi i tij nga autoriteti përgjegjës. Neni 5/1 Zhvillimi i infrastrukturave publike në kushtet e zbatimit të rregullores model të planifikimit Pavarësisht nga sa përcaktohet në nenin 4 të kësaj rregulloreje, autoriteti vendor i planifikimit, subjekt i kësaj rregulloreje, jep leje zhvillimi në përputhje me procedurën e parashikuar në ligjin nr. 10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, për projekte të rëndësishme të infrastrukturës publike sipas përcaktimeve të pikës 30 të nenit 3 të ligjit të sipërpërmendur, pa ndryshuar përdorimin ekzistues të tokës dhe/ose strukturave në të, të realizuara me investime, publike ose private, në zbatim të kushteve teknike të kërkuara sipas përcaktimit të legjislacionit të posaçëm në fuqi. Neni 6 Kushtet e përgjithshme për autoritetet vendore të planifikimit 1. Autoritetet vendore të planifikimit, subjekt i kësaj rregulloreje, nuk mund të ndryshojnë: a) përdorimin ekzistues të tokës dhe të strukturave në të, për kategoritë bazë të përdorimit të tokës, sipas përkufizimit të tyre në Rregulloren uniforme të instrumenteve të planifikimit; b) intensitetin e ndërtimit dhe të treguesve të tjerë të zhvillimit, sipas përcaktimit të kësaj rregulloreje dhe të Rregullores uniforme të instrumenteve të planifikimit. Neni 7 Hapat paraprakë që ndërmerren nga autoriteti i planifikimit për zbatimin e rregullores modeltë planifikimit 1. Autoriteti vendor i planifikimit përgatit hartën e detyrueshme të kategorive ekzistuese të përdorimit të tokës dhe të strukturave në të për territorin administrativ të njësisë së qeverisjes vendore, në përputhje me kategoritë bazë të përdorimit të tokës sipas përcaktimeve të Rregullores uniforme të instrumenteve të planifikimit. 2. Harta e kategorive ekzistuese dhe të lejuara të përdorimit të tokës dhe strukturave në të, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, miratohet me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore dhe publikohet përmes regjistrit dhe mjeteve tradicionale të informimit dhe komunikimit publik dhe zyrtar. 3. Këshilli i njësisë së qeverisjes vendore, mund të organizojë një seancë të dëgjimit public para se të miratojë hartën e kategorive ekzistuese dhe të lejuara të tokës dhe strukturave në të, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, nëse e gjykon të arsyeshme. 4. Autoriteti vendor i planifikimit, njëkohësisht me procesin e hartimit të hartës së kategorive ekzistuese dhe të lejuara të përdorimit të tokës dhe strukturave në të, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, përgatit hartën e detyrueshme të nënnjësive strukturore ekzistuese në territorin administrativ të njësisë së qeverisjes vendore, në përputhje me kriteret dhe mënyrën e përcaktimit të nënnjësive strukturore, sipas përcaktimit të Rregullores uniforme të instrumenteve të planifikimit. 5. Harta e nënnjësive strukturore ekzistuese miratohet dhe publikohet sipas procedurës së përcaktuar në pikën 2 të këtij neni. 6. Përdorimi ekzistues i tokës në çdo nënnjësi strukturore caktohet duke u mbështetur në hartën e kategorive ekzistuese dhe të lejuara të përdorimit të tokës dhe strukturave në të. 7. Në rast se në momentin e zhvillimit përmes zbatimit të instrumenteve të përcaktuara në këtë rregullore, njësia e qeverisjes vendore ka vendosur dhe ka informacion për zhvillime sipas nenit 5 të kësaj rregulloreje, ajo njofton publikun dhe zhvilluesit përmes një harte të detyrueshme publike, që përmban llojet dhe vendosjen në territor të këtyre zhvillimeve. Kjo hartë botohet në regjistër dhe në mjetet e komunikimit dhe informimit publik. 8. Në rast se në momentin e zhvillimit përmes kësaj rregulloreje, njësia e qeverisjes vendore ka vendosur të zbatojë qoftë edhe një nga instrumentet e veçanta të kontrollit të zhvillimit, dhe ka hartuar programin përkatës sipas ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, dhe në përputhje me aktet nënligjore në zbatim të tij, ajo duhet të njoftojë publikun dhe zhvilluesit përmes botimit në regjistër dhe në mjetet tradicionale të informimit. Neni 8 Kërkesa për zhvillim 1. Kërkesa për zhvillim dhe/ose ndërtim, e kryer në kushtet e mungesës së instrumenteve të planifikimit vendor dhe bazuar në këtë rregullore, përmban: kufirin e nënnjësisë strukturore brenda së cilës ndodhet parcela ku kryhet zhvillimi, të përcaktuar në përputhje me pikën 4 të nenit 7 të kësaj rregulloreje; llojin e përdorimit ekzistues të tokës në përputhje me nenin 7 të kësaj rregulloreje; dhe treguesit ekzistues të zhvillimit në përputhje me nenin 9 të kësaj rregulloreje. 2. Njësia e qeverisjes vendore zbaton kërkesat mbi përdorimin dhe treguesit e zhvillimit të nënnjësisë strukturore përkatëse, në rastet kur zhvillimi i kërkuar do të kryhet në dy prona, secila e vendosur në nënnjësi strukturore të ndryshme kufitare ndërmjet tyre. Ky zhvillim kryhet në përputhje me përcaktimet e nenit 4 dhe nenit 5 të kësaj rregulloreje. Neni 9 Treguesit e zhvillimit 1. Autoriteti vendor i planifikimit, për çdo nënnjësi strukturore banimi dhe/ose infrastrukture të krijuar në përputhje me këtë rregullore, në momentin e marrjes së një kërkese për zhvillim dhe/ose ndërtim, llogarit treguesit e zhvillimit, të cilët mbeten të pandryshuar në zonë ose përmirësohen sipas përcaktimeve të pikës 3 të këtij neni, për t’u zbatuar nga zhvilluesi ose kërkuesi i zhvillimit në hartimin e projektit të zhvillimit. 2. Treguesit sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, janë: a) Intensiteti i ndërtimit të nënnjësisë strukturore për kategorinë e tokës A. Banim; b) Koeficienti i shfrytëzimit të tokës për ndërtime të nënnjësisë strukturore; c) Koeficienti i shfrytëzimit për rrugë; ç) Koeficienti i shfrytëzimit për hapësira publike, përfshirë ato të gjelbra; d) Specifikime të tjera për llojin dhe cilësinë e strukturës së re, që njësia e qeverisjes vendore ose qendrore kërkon të vendosë, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, dhe veçanërisht me rregulloren kombëtare të ndërtimit, sipas nenit 25 të ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”. 3. Treguesit, sipas përcaktimit të pikës 2 të këtij neni, llogariten sipas përcaktimeve për këta tregues në Rregulloren uniforme të instrumenteve të planifikimit dhe në përputhje me përcaktimet e këtij neni. 4. Treguesit e përcaktuar në germat “a” dhe “b” të pikës 2 të këtij neni, llogariten vetëm për strukturat banim ekzistuese dhe për parcelat me zhvillim banimi ekzistues, duke mos përfshirë në llogaritje sipërfaqen e parcelës ku do të kryhet zhvillimi dhe strukturën që mund të ekzistojë në të. 5. Treguesit e përcaktuar në grmat “c” dhe “d” të pikës 2 të këtij neni, llogariten për të gjithë sipërfaqen e nënnjësisë strukturore dhe përmirësohen në përpjesëtim të drejtë me zhvillimin e ri. 6. Parcelat e nënnjësisë strukturore, në të cilat ka struktura ekzistuese me përdorim shërbime publike, nuk përfshihen në llogaritjen e treguesve sipas përcaktimit të germës “a” dhe “b” të pikës 2 të këtij neni. 7. Zhvillimi i ri, sipas përcaktimit të dispozitave të këtij neni, siguron, gjithashtu, hapësirën e nevojshme të parkimit sipas përcaktimit të Rregullores uniforme të instrumenteve të planifikimit. Neni 10 Kushte për zhvillim 1. Strukturat e reja që ndërtohen bazuar në përcaktimet e kësaj rregulloreje, duhet të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me infrastrukturat publike dhe nuk duhet të cenojnë hapësirat ekzistuese publike në zonën ku kryhet zhvillimi i ri. 2. Fasadat e strukturës së re që ndërtohet duhet të respektojnë vijat përkatëse mbizotëruese të ndërtimit, por në çdo rast, fasada e orientuar nga rruga e hierarkisë më të lartë që ndodhet në kufi të parcelës me zhvillimin e ri, nuk duhet të jetë më afër se sa 5 (pesë) metra nga kufiri ndarës I trotuarit të rrugës ekzistuese me pronën ku kryhet zhvillimi i ri. Strukturat konsol në këtë fasadë, mund të tejkalojnë kufirin e përmendur në këtë pikë vetëm me 2 (dy) metra. Treguesit e distancave për fasadat e tjera, duhet të respektojnë treguesit e distancave sipas përcaktimit të Rregullores uniforme të instrumenteve të planifikimit, si dhe të jenë në përputhje me përcaktimet e kësaj rregulloreje për treguesit e zhvillimit. 3. Në çdo rast, zhvillimi i ri duhet të jetë në përputhje me kushtet dhe kërkesat e posaçme të përcaktuara në legjislacionin në fuqi. 4. Procedura e marrjes së lejes për punime dhe lejes së përdorimit, realizohet në përputhje me ligjin nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, dhe me aktet nënligjore në zbatim të tij. 5. Nuk hartohet plan i detajuar vendor në rastet e zhvillimit përmes kësaj rregulloreje. 6. Rastet e zhvillimit, subjekt i kësaj rregulloreje, në të cilat kërkohet prishja e plotë ose e pjesshme e një strukture ekzistuese në një zonë të konsoliduar urbane dhe zëvendësimi i saj nga një strukturë e re që realizon të njëjtin përdorim dhe përmirëson cilësinë në materiale, zgjidhje të brendshme arkitektonike dhe sistem konstruktiv, nuk mund të ndryshojnë: a) intensitetin e ndërtimit brenda parcelës nga ai i mëparshëm; b) lartësinë maksimale në metra dhe as koeficientin e shfrytëzimit të tokës për ndërtim brenda parcelës nga ato të mëparshmet; c) distancat nga kufiri i pronës, nga rruga dhe nga strukturat e tjera, sikurse edhe struktura që do të zëvendësohet. 7. Një zhvillim i kërkuar në përputhje me dispozitat e kësaj rregulloreje, nuk kryhet nëse intensiteti i ndërtimit ekzistues në nënnjësinë strukturore të banimit, i llogaritur sipas përcaktimit të pikave 3, 4, 5 dhe 6 të nenit 9 të kësaj rregulloreje, është i barabartë ose më i madh se vlera 3, pavarësisht nga vlera e treguesve të tjerë, sipas përcaktimit të pikës 2 të nenit 9 të kësaj rregulloreje. 8. Një zhvillim i kërkuar në përputhje me dispozitat e kësaj rregulloreje, në rastet kur koeficienti ekzistues i shfrytëzimit të tokës për ndërtime, i llogaritur sipas përcaktimit të pikave 3, 4, 5 dhe 6 të nenit 9 të kësaj rregulloreje, në nënnjësinë strukturore, është i barabartë ose më i madh se vlera 65%, kryhet vetëm nëse intensiteti i ndërtimit të nënnjësisë strukturore është në vlerën 1,5 ose më i vogël. 9. Një zhvillim i kërkuar në përputhje me dispozitat e kësaj rregulloreje, nuk kryhet në zona subjekt i mbushjes urbane, sipërfaqja bruto e mbetur e pazhvilluar e së cilës është në vlerën 20% ose më e lartë dhe intensiteti ekzistues i ndërtimit, i matur për pjesën e zhvilluar është në vlerën 2.5 ose më i lartë. 10. Sipërfaqja, e zhvilluar dhe e pazhvilluar, sipas përcaktimit të pikës 9 të këtij neni, matet si shumatore e parcelave në pronësi private dhe nuk përfshin rrugët, sheshet publike ekzistuese dhe hapësira të tjera të shfrytëzuara për shërbime publike. 11. Infrastruktura e nevojshme që mundëson funksionimin e një zhvillimi të ri dhe e lidh zhvillimin e ri me rrjetet ekzistuese të infrastrukturave, realizohet nga zhvilluesi dhe leja e përdorimit jepet vetëm pasi kjo infrastrukturë regjistrohet në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme, sipas përcaktimit të legjislacionit në fuqi. 12. Çdo zhvillim i miratuar në bazë të kësaj rregulloreje, zbaton kushtet, rregullat dhe normat e detyrueshme të përcaktuara në Rregulloren Kombëtare të Planifikimit. SEKSIONI 3 DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT Neni 11 Kundërvajtjet administrative Shkelja e dispozitave të kësaj rregulloreje është subjekt i kundërvajtjeve administrative, sipas përcaktimit të nenit 82 të ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”. Neni 12 Periudha tranzitore Njësia e qeverisjes vendore që kryen zhvillimin, bazuar në dispozitat e kësaj rregulloreje, në momentin e hyrjes në fuqi në tërësi të ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, zbaton përcaktimet sipas pikave 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 të nenit 7 të kësaj rregulloreje, jo më vonë se 1 muaj nga data e hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, dhe informon të interesuarit për zhvillim sipas përcaktimit të pikave 7 dhe 8 të nenit 7 të kësaj rregulloreje.