Regulation No. 427 date 8.6.2016 on the organization and functioning of the National Agency of Territory Planning
صدر في 2016-06-08 · النص بتاريخ 2026-10-01
القانون العام والإرشادات الرسمية منشورة بوصفها أبحاثاً. ليست مشورة قانونية أو ضريبية أو مالية.
البحث نفسه مكتوب بالإنجليزية. العناوين والوسوم مترجمة؛ أما النتائج والاقتباسات فغير مترجمة.
عن هذا القانون
- العنوان الأصلي
- Vendim Nr. 427, datë 8.6.2016 për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.
- اللغة
- Albanian
- النوع
- لائحة
- الدولة
- ألبانيا
- الموضوعات
- Land and soil
- الكلمات المفتاحية
- institution, land-use planning, legal proceedings/administrative proceedings, monitoring, policy/planning, governance
أين تقرؤه
لا يوجد رابط مصدر مسجل لهذا القانون.
النص
نص القانون نفسه، مادةً مادة، كما هو محفوظ. لكل مادة رابطها.
VENDIM Nr. 427, datë 8.6.2016 PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT Në mbështetje të pikës 5, të nenit 100, të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të shkronjës “b”, të pikës 6, të nenit 6, të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave VENDOSI: I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME 1. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në vijim “AKPT”, organizohet dhe funksionon në përputhje me këtë vendim dhe me ligjin nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. 2. AKPT-ja është person juridik publik, buxhetor, me përgjegjësi planifikimi, në varësi të ministrisë përgjegjëse për çështjet e planifikimit dhe zhvillimit urban, me seli në Tiranë. 3. AKPT-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, të cilat miratohen nga ministri përgjegjës për zhvillimin urban, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm të AKPT-së. 4. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit”, në përputhje me vendimin nr. 474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar. 5. Vula zyrtare e AKPT-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr. 390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e AKPT-së prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AKPT-së 1. AKPT-ja është institucion me përgjegjësi planifikimi, në varësi të ministrisë përgjegjëse për çështjet e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, që e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. 2. AKPT-ja drejtohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e saj dhe përgjigjet përpara ministrit përgjegjës për zhvillimin urban. 3. Drejtori i përgjithshëm i AKPT-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për zhvillimin urban, në përputhje me legjislacionin në fuqi. 4. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i AKPT-së, i cili është, njëkohësisht, edhe drejtor i një drejtorie, emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të ministrit përgjegjës për zhvillimin urban, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm të AKPT-së. 5. AKPT-ja është institucion buxhetor, që financohet nga buxheti i shtetit, donacione të jashtme dhe burime të tjera të ligjshme. AKPT-ja siguron të ardhura edhe nga shërbimet e kryera prej saj ndaj palëve të tjera. Tarifat e këtyre shërbimeve përcaktohen sipas legjislacionit përkatës në fuqi. 6. AKPT-ja administron fonde buxhetore dhe ato të siguruara nga shërbimet ndaj palëve të tjera, sipas rregullave dhe parimeve të sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë. 7. Struktura dhe organika e AKPT-së miratohet me urdhër të Kryeministrit. III. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E AKPT-së 1. AKPT-ja, në zbatim të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, ka përgjegjësi të natyrës bashkërenduese. Ajo bashkërendon proceset e hartimit të dokumenteve të planifikimit e zhvillimit të territorit dhe mbështet bashkërendimin vertikal e horizontal ndërmjet autoriteteve të planifikimit të territorit. Në kuadër të bashkërendimit të veprimtarive dhe punës së institucioneve në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, ajo: a) zhvillon mbledhje, takime dhe konsultime me autoritetet përgjegjëse kombëtare e vendore të planifikimit të territorit; b) harton dhe zbaton politika që lehtësojnë, nxisin dhe mbështesin bashkëpunimin e bashkërendimin e veprimtarive në çdo nivel; c) bashkëvepron dhe shkëmben të dhëna me këto autoritete, me synim harmonizimin e trajtimit të çështjeve të rëndësisë kombëtare e vendore në fushën e planifikimit të territorit; ç) ofron asistencë, këshillim, të dhëna dhe informacion, me synim garantimin e standardeve dhe të cilësisë në trajtimin e çështjeve të rëndësisë kombetare e vendore në fushën e planifikimit të territorit. 2. AKPT-ja udhëheq, koordinon dhe ndërlidh veprimtaritë për modernizimin e modelit të planifikimit dhe promovimin e praktikave novatore në arkitekturë e planifikim. Në këtë kuadër, ajo: a) përpunon, nxit, zbaton dhe përfshihet në nisma për përmirësimin e modernizimin e modelit të planifikimit të territorit; b) organizon, ndjek, zbaton, merr pjesë në projekte pilot apo aktivitete të ngjashme, brenda dhe jashtë vendit, që synojnë promovimin e modeleve novatore të planifikimit të territorit dhe praktikave të reja në arkitekturë e planifikim; c) kujdeset për ndërlidhjen ndërmjet projekteve apo veprimtarive që paraqesin risi në fushën e planifikimit dhe ekspertizës vendase apo të huaj, si dhe për zhvillimin e zbatimin e këtyre projekteve e veprimtarive. 3. AKPT-ja është përgjegjëse për informimin e proceseve të përmirësimit të legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit. Ajo i propozon Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës për zhvillimin urban, rishikimin e akteve apo hartimin e akteve të reja nënligjore, në zbatim të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, apo edhe hartimin e instrumenteve të reja ligjore në fushën e planifikimit dhe arkitekturës. 4. AKPT-ja është përgjegjëse për administrimin dhe mirëmbajtjen e bazës së integruar të të dhënave të planifikimit dhe zhvillimit të territorit. Në këtë kuadër, AKPT-ja: a) organizon, administron, përditëson dhe mirëmban Regjistrin e Integruar të Territorit; b) monitoron, në vazhdimësi, përputhshmërinë e akteve të botuara në Regjistrin e Integruar të Territorit me ligjet dhe dokumentet e planifikimit në fuqi dhe ofron propozime e asistencë për garantimin e përputhshmërisë; c) harton, përditëson, përmirëson në vazhdimësi dhe shpërndan standarde teknike të administrimit të Regjistrit të Integruar të Territorit; ç) u ofron asistencë autoriteteve të planifikimit për mënyrën e regjistrimit dhe të administrimit të të dhënave në Regjistrin e Integruar të Territorit. 5. AKPT-ja është përgjegjëse për informimin e publikut për proceset e planifikimit të territorit, si dhe për nxitjen e pjesëmarrjes së tij gjatë proceseve të hartimit e zbatimit të dokumenteve të planifikimit. 6. AKPT-ja angazhon njësitë e saj përgjegjëse për të siguruar standardet ligjore, teknike dhe metodologjike të fushës së planifikimit e zhvillimit. Në këtë kuadër, ajo: a) siguron që hartimi i dokumenteve të planifikimit të territorit, në nivel qendror dhe vendor, të jetë në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, nëpërmjet ofrimit të ndihmës teknike për autoritetet përgjegjëse për planifikimin e territorit. Masat që ndërmerr AKPT-ja për këtë qëllim, përfshijnë: i) ofrimin e të dhënave elektronike bazë dhe normave teknike të planifikimit të territorit që duhet të shfrytëzohen gjatë hartimit të dokumenteve të planifikimit, në nivel kombëtar e vendor; ii) zhvillimin e trajnimeve për përdorimin e të dhënave elektronike bazë dhe normave teknike të planifikimit të territorit para se të fillojë hartimi i dokumenteve të planifikimit; iii) vlerësimin e përputhshmërisë së dokumenteve të planifikimit në shqyrtim me Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe planet e tjera kombëtare, në bazën e parimit të hierarkisë së dokumenteve të planifikimit, si dhe kontrollin e tyre me të dhënat elektronike bazë e normat teknike të planifikimit. b) përgatit dhe boton manuale metodologjike për planifikimin e territorit; c) siguron përgatitjen e standardeve teknike të administrimit të Regjistrit të Integruar të Territorit dhe ofron ndihmë për institucionet, për garantimin e cilësisë maksimale në regjistrimin dhe administrimin e pavarur të këtij regjistri, në përputhje me parashikimet e pikës 4, të kreut III, të këtij vendimi. 7. AKPT-ja është përgjegjëse për përgatitjen e studimeve për Sistemin e Integruar të Planifikimit në Republikën e Shqipërisë dhe propozimet për ministrin përgjegjës për zhvillimin urban, Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Këshillin e Ministrave për masat për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit dhe për procese e veprimtari në lidhje me planifikimin e zhvillimin e territorit. Për këtë qëllim, AKPT-ja kryen veprimtari kërkimore, analiza dhe studime në funksion të propozimit, mbështetjes apo informimit të proceseve vendimmarrëse dhe të përmirësimit të politikave në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit. 8. AKPT-ja kujdeset që produktet e veprimtarisë kërkimore, analizuese e studimore, të kryera në përmbushje të detyrimeve të pikës 7, të kreut III, të këtij vendimi, apo si rezultat i praktikës dhe veprimtarisë së saj, t’i vërë në dispozicion të zhvillimit të qëndrueshëm urban në Shqipëri. Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të AKPT-së, dokumente të caktuara mund të botohen në formën e studimeve, broshurave apo materialeve didaktike, si dhe të vihen në dispozicion të trajnimit e aftësimit profesional të profesionistëve të planifikimit dhe zhvillimit urban apo në dispozicion të publikut, nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të AKPT-së. Rregulla më të detajuara për organizimin e kësaj veprimtarie dhe për strukturat përgjegjëse të AKPT-së përcaktohen në rregulloren e funksionimit të saj, të miratuar sipas pikës 6, të kreut II, të këtij vendimi. 9. AKPT-ja, çdo vit, harton Raportin Monitorues të Zbatimit të Qëllimeve dhe të Objektivave, të deklaruara në Planin e Përgjithshëm të Territorit dhe planet e detajuara për zona me rëndësi kombëtare. Njësia përgjegjëse e AKPT-së për hartimin e këtij raporti dhe afati brenda të cilit ai përgatitet përcaktohen në rregulloren e funksionimit të AKPT-së, të miratuar sipas pikës 6, të kreut II, të këtij vendimi. IV. MBËSHTETJA E ZHVILLIMIT DHE KUALIFIKIMIT PROFESIONAL TË PROFESIONISTËVE TË PLANIFIKIMIT 1. AKPT-ja është përgjegjëse për zhvillimin e trajnimeve për profesionistët e sektorit publik e privat, që ushtrojnë veprimtari profesionale në fushën e planifikimit të territorit, për zbatimin e ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe të akteve nënligjore që lidhen me të. 2. AKPT-ja zhvillon trajnime në vazhdimësi për zhvillimin profesional dhe përditësimin e vazhdueshëm të dijeve të profesionistëve të planifikimit të territorit, të përcaktuar në nenin 14, të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. 3. Me qëllim kualifikimin profesional fillestar të profesionistëve të rinj dhe zhvillimin profesional vazhdues të profesionistëve aktivë të planifikimit të territorit, AKPT-ja organizon programe trajnimi fillestar dhe vazhdues, duke vënë në zbatim metodologji trajnuese moderne të të mësuarit nëpërmjet punës dhe të orientuara nga praktika. Sipas rastit, AKPT-ja, nëpërmjet strukturave përkatëse, integron këto programe me veprimtarinë e saj kërkimore, studimore e analizuese për informimin e vendimmarrjes, politikave dhe legjislacionit të planifikimit. Për zbatimin e kësaj pike, AKPT-ja bashkëpunon me ekspertë vendas e të huaj, institucione të arsimit të lartë vendase apo të huaja, publike apo private, si dhe me organizata të tjera partnere. Rregulla më të detajuara për organizimin e programeve të tilla, përmbajtjen dhe procedurat miratohen nga drejtori i përgjithshëm. 4. AKPT-ja zhvillon trajnime për përdorimin e të dhënave elektronike bazë e normave teknike të planifikimit të territorit përpara se të fillojë hartimi i dokumenteve të planifikimit, si dhe për përmirësimin e cilësive profesionale e teknike të autoriteteve të planifikimit. 5. AKPT-ja, me qëllim ofrimin e mundësive të aftësimit praktik për studentët dhe profesionistët e rinj të fushave që lidhen me planifikimin e territorit, mbështet organizimin, çdo vit, të programeve të praktikave të punës, të organizuara nga ministria përgjegjëse për miratimin e Planit Kombëtar të Praktikave të Punës. 6. Përveç parashikimeve të pikës 5, më sipër, AKPT-ja organizon e zhvillon edhe programe të tjera praktikash profesionale për studentët e fushave që lidhen me planifikimin e territorit, duke zbatuar metodologji të të mësuarit nëpërmjet punës. Rregulla të detajuara për kohëzgjatjen e këtyre programeve, numrin e përfituesve dhe kriteret që duhet të plotësojnë ata, bashkëpunëtorët, kushtet dhe rregullat e praktikave profesionale përcaktohen për çdo rast, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm. 7. AKPT-ja, me qëllim kualifikimin profesional të profesionistëve të planifikimit në sektorin publik apo privat dhe studentëve apo profesionistëve të rinj të kësaj fushe, mbështet shkëmbimin e dijeve dhe të ekspertizës me profesionistë të planifikimit, akademikë, institucione partnere dhe institucione akademike të huaja. V. BASHKËPUNIMI NDËR-INSTITUCIONAL ME PALËT E TRETA DHE ATO NDËR KOMBËTARE 1. AKPT-ja, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, ka të drejtë të marrë nga organet e tjera shtetërore, qendrore dhe vendore, të gjithë ndihmën, informacionin, si dhe të dhënat e nevojshme për ushtrimin e funksioneve të saj. Institucionet shtetërore kanë detyrim të bashkëpunojnë me AKPT-në, të shkëmbejnë të dhëna e të krijojnë të gjitha lehtësitë për përmbushjen e qëllimeve dhe funksioneve gjatë veprimtarisë së saj. 2. AKPT-ja, në përmbushje të detyrave të saj, bashkëpunon dhe bashkërendon punën me institucionet e tjera, në nivel qendror e lokal, dhe i ndihmon ato, sipas përgjegjësive të përcaktuara në ligjin nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe në këtë vendim. 3. AKPT-ja bashkëpunon me organizata të huaja e ndërkombëtare, që synojnë mbështetjen e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, dhe me agjenci partnere të shteteve të tjera. Ajo nxit, lehtëson dhe mbështet bashkëpunimin ndërkombëtar të autoriteteve kombëtare e vendore të planifikimit të territorit. 4. AKPT-ja, nëpërmjet njësisë përkatëse të jetësimit të prioriteteve, bashkëpunon me konsulentë vendas apo të huaj, institucione publike, institucione arsimore publike apo private, vendase ose të huaja, si dhe me organizata të tjera partnere për përmirësimin e modernizimin e modelit të planifikimit të territorit, si dhe për organizimin dhe zbatimin e projekteve të ndryshme në fushën e planifikimit, urbanistikës dhe arkitekturës. 5. Për qëllime të informimit të publikut dhe përfshirjes së tij në procese konsultuese në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, AKPT-ja bashkëpunon me institucione, organizata vendase dhe të huaja, me grupet e interesit, shoqërinë civile dhe median. 6. Për qëllime të aftësimit praktik dhe kualifikimit profesional të studentëve, profesionistëve të rinj dhe profesionistëve aktivë të zhvillimit e planifikimit të territorit, AKPT-ja bashkëpunon me profesionistë të fushës, institucione shtetërore, institucione arsimore, publike apo private, vendase apo të huaja, si dhe me organizata partnere, vendase dhe të huaja. VI. INFORMIMI DHE KONSULTIMI I PUBLIKUT 1. AKPT-ja është përgjegjëse për informimin e publikut për proceset e planifikimit të territorit. Për këtë qëllim, ajo: a) ofron informacion për publikun, nëpërmjet mjeteve të komunikimit publik, publikimeve, botimeve, konferencave dhe aktiviteteve të ndryshme informuese; b) përditëson, në vazhdimësi, informacionin e disponueshëm për publikun në faqen zyrtare në internet; c) organizon dhe zbaton veprimtari, nisma e projekte për informimin e publikut për proceset e planifikimit të territorit; ç) siguron një mjedis të posaçëm për komunikimin me publikun dhe në shërbim të tij. 2. AKPT-ja është përgjegjëse për inkurajimin dhe sigurimin e pjesëmarrjes së publikut gjatë procesit të hartimit dhe zbatimit të dokumenteve të planifikimit. Për këtë qëllim, ajo: a) kujdeset për informimin e grupeve të interesit dhe publikut për këto procese; b) organizon dhe zbaton veprimtari për konsultimin e grupeve të interesit dhe publikut, me qëllim përthithjen e mendimeve gjatë proceseve të hartimit dhe zbatimit të dokumenteve të planifikimit; c) shërben si një platformë ndërlidhëse ndërmjet ekspertizës vendase, grupeve të interesit e publikut dhe institucioneve qendrore në fushën e planifikimit. 3. Veprimtaritë konsultuese, në kuptim të pikës 2 më sipër, përfshijnë, por pa u kufizuar, tryezat e konsultimit publik, debatet publike, konferencat, seancat informuese dhe dëgjimore, me pjesëmarrjen e ekspertëve, akademikëve, grupeve të interesit, organizatave vendase dhe të huaja, si dhe shoqërisë civile e publikut. 4. Për qëllime të informimit të publikut dhe përfshirjes së tij në procese konsultuese në fushën e planifikimit, AKPT-ja bashkëpunon me organizata vendase, të huaja, ndërkombëtare, me median e shkruar dhe elektronike, institucione arsimore, publike apo private, grupe të interesit dhe shoqerinë civile. VII. REKRUTIMI I PUNONJËSVE TË AKPT-së 1. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të AKPT-së rregullohen sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr. 7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. 2. Punonjësit e AKPT-së, me përjashtim të punonjësve mbështetës, duhet të kenë arsimin e lartë profesional të nevojshëm, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, dhe të plotësojnë kërkesat e veçanta, që përcaktohen nga drejtori i përgjithshëm. VIII. DISPOZITA TË FUNDIT 1. Urdhri për miratimin e rregullores së funksionimit të AKPT-së miratohet brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. 2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga buxheti i shtetit për vitin 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban. 3. Deri në ristrukturimin e AKPT-së dhe rekrutimin e stafit të nevojshëm, përgjegjësitë e parashikuara në këtë vendim kryhen nga njësitë dhe stafi ekzistues. 4. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. ZËVENDËSKRYEMINISTRI Niko Peleshi