Regulation No. 121 dated 17.2.2011 on the functioning of the land protection and administration departments and land protection and administration units in communes and municipalities
صدر في 2011-02-17 · النص بتاريخ 2026-10-01
القانون العام والإرشادات الرسمية منشورة بوصفها أبحاثاً. ليست مشورة قانونية أو ضريبية أو مالية.
البحث نفسه مكتوب بالإنجليزية. العناوين والوسوم مترجمة؛ أما النتائج والاقتباسات فغير مترجمة.
عن هذا القانون
- اللغة
- Albanian
- النوع
- لائحة
- الدولة
- ألبانيا
- الموضوعات
- Land and soil
- الكلمات المفتاحية
- cadastre/land registration, classification/declassification, governance, institution, land commission, land-use planning, registration, land subdivision
أين تقرؤه
لا يوجد رابط مصدر مسجل لهذا القانون.
النص
نص القانون نفسه، مادةً مادة، كما هو محفوظ. لكل مادة رابطها.
VENDIM Nr.121, datë 17.2.2011 PËR MËNYRAT E USHTRIMIT TË FUNKSIONEVE NGA DREJTORITË E ADMINISTRIMIT DHE MBROJTJES SË TOKËS NË QARQE DHE ZYRAT E MENAXHIMIT DHE MBROJTJES SË TOKËS NË KOMUNA DHE/OSE BASHKI Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 9 dhe 12 të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001 “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: I. MËNYRA E FUNKSIONIMIT TË DREJTORISË SË ADMINISTRIMIT DHE MBROJTJES SË TOKËS (DAMT), NË KËSHILLIN E QARKUT 1. DAMT-ja funksionon si strukturë administrative e këshillit të qarkut, e përbërë nga drejtori dhe dy sektorë. 1.1. Drejtori i DAMT-së përgjigjet para këshillit të qarkut dhe strukturave përgjegjëse për administrimin dhe mbrojtjen e tokës, në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për zbatimin e dispozitave të legjislacionit për administrimin dhe mbrojtjen e tokës. 1.2. Në përbërje të DAMT-së janë: a) Sektori i administrimit të tokës, në përbërje të të cilit janë vetëm zyrat e administrimit të tokës në nënndarjet (rrethet) e qarkut. Sektori i administrimit të tokës në DAMT përgjigjet për zbatimin e dispozitave ligjore për administrimin e tokës bujqësore, si dhe të kategorive të tjera të resurseve të përcaktuara në ligjin nr.8752, datë 26.3.2001 “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, të dispozitave vijuese të këtij vendimi, si dhe akteve të tjera nënligjore për administrimin e tokës; b) Sektori (Inspektorati) i Mbrojtjes së Tokës (IMT), që ka për detyrë dhe përgjigjet për zbatimin e dispozitave të përcaktuara në ligjin nr.9244, datë 17.6.2004 “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, në vendimin nr.80, datë 28.1.2005 të Këshillit të Ministrave “Për përbërjen, mënyrat e funksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë e strukturave shtetërore të mbrojtjes së tokës bujqësore”, si dhe në aktet e tjera nënligjore për mbrojtjen e tokës. 2. Funksionet, detyrat dhe përgjegjësitë e zyrës së DAMT-së në rreth kryhen sipas një ndarjeje, që përcaktohet nga drejtori i DAMT-së. 3. Numri i punonjësve të administrimit të tokës për çdo zyrë të DAMT-së në rreth, brenda numrit të përgjithshëm të punonjësve të DAMT-së, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në varësi me madhësinë e çdo rrethi, miratohet nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me propozimin e kryetarit të këshillit të qarkut. 4. Drejtori i DAMT-së dhe punonjësit e zyrave të DAMT-së në nënndarjet e qarkut, të caktuar për administrimin e tokës, janë pjesë e organikës së punonjësve të përcaktuar nga ligji, si funksion i deleguar, i detyrueshëm, i Këshillit të Ministrave. 5. Drejtori i DAMT-së organizon punën dhe përgjigjet për kualifikimin tekniko-profesional të punonjësve të DAMT-së, nëpërmjet trajnimeve periodike të tyre dhe informimeve për standardet bashkëkohore në fushën e administrimit dhe mbrojtjes së tokës. II. DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E DAMT-SË PËR MBAJTJEN, RUAJTJEN DHE PËRTËRITJEN E DOKUMENTACIONIT KADASTRAL MBI TOKËN 1. DAMT-ja, për realizimin e funksionit të saj si kadastër e shumëqëllimshme, mban dhe ruan, me inventarizim, dokumentacionin kadastral ekzistues që disponohet pranë saj, pavarësisht nga koha e krijimit të tij dhe që përbëhet nga: a) librat e tokës dhe librat e ngastrave; b) planimetri të ndryshme kadastrale; c) çdo hartë kadastrale dhe topografike ose plansheta: 1:1000, 1:2500, 1:5000, 1:10000 dhe 1:25000, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi disponohen nga DAMT-ja; ç) dokumente, në të cilat evidentohen pronësitë, private apo shtetërore (publike), të periudhës para hyrjes në fuqi të ligjit nr.108, datë 29.8.1945 “Për reformën agrare”, në çdo rast kur këto dokumente janë ruajtur dhe ekzistojnë në arkivin e DAMT-së; d) dokumente, në të cilat janë regjistruar, evidentuar apo pasqyruar të dhëna dhe tregues për tokën bujqësore, si dhe të kategorive të resurseve të tjera të periudhës nga 29.8.1945 deri në 19.7.1991; dh) dokumente, që kanë për objekt fondin e tokës bujqësore dhe të kategorive të resurseve të tjera, në të cilat evidentohen ose pasqyrohen tregues dhe të dhëna për ndryshimet e kalimet e tokave, si dhe të dokumentacionit të ndarjes së tokës dhe krijimit të titujve të pronësisë mbi të, kur mbajtja dhe ruajtja e këtij dokumentacioni nga DAMT-ja (ish-zyra e kadastrës) është përcaktuar me akte ligjore ose nënligjore; e) akte (vendime) të organeve apo strukturave kompetente, të përcaktuara në ligj, nëpërmjet të cilave janë realizuar ndryshime apo kalime të tokës bujqësore në kategori të resurseve të tjera ose anasjellas; ë) librat (pasqyrat) e treguesve të studimit të bonitetit të tokave bujqësore dhe të kategorizimit të tokës sipas bonitetit. 2. Dokumentacioni i përcaktuar në pikën 1 të këtij kreu, që në periudhën para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ka qenë pjesë e dokumentacionit zyrtar të DAMT-së (ish-zyrës së kadastrës në rreth), por që, për shkaqe të ndryshme, evidentohet se ka dalë nga këto zyra dhe iu është vënë në dispozicion institucioneve shtetërore, kur është e mundur tërhiqet prej tyre nga DAMT-ja, si fotokopje të vërtetuara me origjinalin. 2.1. Rimarrja e këtij dokumentacioni, në cilësinë e dokumentacionit zyrtar të DAMT-së, bëhet me procesverbal, që nënshkruhet nga drejtori dhe dy specialistë të DAMT-së, nga njëra anë, dhe dorëzuesi i këtij dokumentacioni, nga ana tjetër. 2.2. Në procesverbal shënohen rrethanat, shkaqet dhe koha kur ky dokumentacion ka dalë nga ish-zyra e kadastrës së rrethit. 2.3. Procesverbali i bashkëlidhet dokumentacionit që rimerret nga DAMT-ja dhe inventarizohet e ruhet në arkiv, në mënyrë të përhershme. 3. DAMT-ja merr masa për përtëritjen e dokumentacionit kadastral ekzistues, të përcaktuar në pikat 1 dhe 2 të këtij kreu, që rezulton me dëmtime fizike, si rezultat i kohëzgjatjes së përdorimit të tij dhe i faktorëve të tjerë, duke ruajtur në arkiv origjinalin bashkë me kopjen e përtërirë, në mënyrë të përhershme. III. DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E DAMT-SË PËR KRIJIMIN E DOKUMENTACIONIT TË RI KADASTRAL DHE KRIJIMIN E BAZËS SË SISTEMIT TË INFORMACIONIT PËR TOKËN 1. DAMT-ja bashkërendon veprimtaritë me zyrën e menaxhimit dhe mbrojtjes së tokës (ZMMT) në komunë dhe/ose bashki, organizon punën për krijimin e dokumentacionit të ri kadastral për tokën bujqësore dhe kategoritë e resurseve të tjera, të përcaktuara me ligj. 2. Të dhënat dhe treguesit e dokumentacionit të ri kadastral pasqyrohen në “Regjistrin e tokës bujqësore dhe të disa kategorive të tjera të resurseve”, të miratuar me urdhrin e përbashkët, nr.107, datë 27.3.2009 të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe të Ministrit të Brendshëm. 3. DAMT-ja në Këshillin e Qarkut, për plotësimin e “Regjistrit të tokës bujqësore dhe të disa kategorive të tjera të resurseve”, i ofron ZMMT-së në komunë dhe/ose bashki kopje të dokumentacionit, që ajo disponon, dhe kontrollon ecurinë e plotësimit të këtij regjistri nga ZMMTja. 4. Kopja e “Regjistrit të tokës bujqësore dhe disa kategorive të tjera të resurseve”, në form manuale dhe e digjitalizuar, merret në dorëzim nga DAMT-ja, pas plotësimit të tij bazuar në udhëzimet përkatëse. 5. Për krijimin e Sistemit të Informacionit për Tokën, DAMT-ja kërkon dhe i vihen në dispozicion nga institucionet e tjera shtetërore, veprimtaria e të cilave ka për objekt tokën bujqësore dhe disa kategori të tjera të resurseve, akte dhe informacione, si më poshtë vijon: a) Nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP) në rrethe: i) Planimetritë kadastrale, planshetat e hartave kadastrale, librat e ngastrave që disponohen prej tyre, të cilat u janë dorëzuar në origjinal nga ish-zyrat e kadastrës së rretheve koordinatorëve të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme ose direkt ZVRPP-ve, në zbatim të urdhrit nr.511, datë 1.12.1995 të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit “Për dorëzimin e akteve të pronësisë dhe përdorimit të tokës bujqësore koordinatorëve të rretheve të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”. Për nevoja pune ZVRPP-të mbajnë fotokopjet e tyre. ii) ZVRPP-të t’i ofrojnë DAMT-ve të qarkut të gjitha kopjet e hartave treguese (HTR) dhe librave të ngastrave (LN) në formë elektronike dhe/ose manuale. Shpenzimet e marrjes së këtij dokumentacioni mbulohen nga buxheti i këshillit të qarkut. b) Nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-it, kopje të vendimeve, me hartat përkatëse (manuale dhe digjitale), që janë marrë për legalizimin e ndërtimeve informale, sipas komunave dhe/ose bashkive. c) Nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, kopje të vendimeve (instrumenteve) bashkë me planimetritë përkatëse, që janë miratuar nga këto struktura për kalimin e tokave bujqësore dhe të disa kategorive të tjera të resurseve në tokë urbane (truall), bazuar në dispozitat e ligjit nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, si dhe për periudhën vijuese sipas ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar. ç) Nga autoritetet vendore të planifikimit të territorit pranë këshillave të qarqeve dhe pranë komunave dhe/ose bashkive, kopjen e instrumenteve të planifikimit të territorit dhe të hartave (planimetrive) të sipërfaqeve të tokave bujqësore dhe të kategorive të tjera të resurseve, për të cilat janë marrë vendime për kalim të tyre në tokë urbane (truall). d) Nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, kopje të akteve që janë lëshuar prej saj, për kalimin e tokës bujqësore në tokë për veprimtari minerare e gjeologjike; dh) Nga drejtoritë e shërbimit pyjor (DSHP), kopje të akteve të miratuara nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, si dhe planimetritë përkatëse, që kanë si objekt kalimin e sipërfaqeve të fondit pyjor dhe të fondit kullosor në kategorinë e resursit tokë bujqësore. 6. DAMT-ja bashkëpunon me institucionet e tjera shtetërore për këmbimin e informacioneve, të treguesve dhe të të dhënave, që krijohen nga zbatimi i programeve dhe projekteve me objekt tokën bujqësore dhe disa kategori të resurseve të tjera, të realizuara nëpërmjet GIS-it, matjeve të thjeshta të ndryshme, inventarizimeve, rilevimeve topografike, fotografimeve ajrore, pamjeve satelitore etj. 6.1. Këmbimi i ndërsjellë i informacioneve, treguesve dhe i të dhënave ndërmjet institucioneve shtetërore bëhet pa pagesë. 7. DAMT-ja, bazuar në dokumentacionin, aktet, treguesit dhe informacionet e përcaktuara sipas kreut II dhe kreut III, si dhe sipas informacioneve dhe të dhënave plotësuese, që disponohen dhe krijohen nga veprimtaria e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, në Fushë-Krujë, e institucioneve të tjera shtetërore, organizon punën për krijimin e Sistemit të Informacionit për Tokën dhe integrimin gradual të tij në GIS, për të gjitha resurset që ka në administrim, brenda territorit të qarkut. 8. Sistemi i Informacionit për Tokën është unik dhe si njësi bazë në pasqyrimin e të dhënave dhe të treguesve ka ngastrën (parcelën) e tokës bujqësore në pronësi private apo në pronësi shtetërore (publike). 9. Drejtimi metodik dhe teknik i krijimit të Sistemit të Informacionit për Tokën realizohet nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit sipas programeve dhe detyrave që miratohen me urdhra apo udhëzime të ministrit. IV. DETYRAT, PËRGJEGJËSITË DHE MËNYRA E FUNKSIONIMIT TË ZYRAVE TË MENAXHIMIT DHE MBROJTJES SË TOKËS (ZMMT) NË KOMUNA DHE/OSE BASHKI 1. Pranë çdo komune dhe/ose bashkie funksionon ZMMT-ja. Në detyrën e punonjësit të ZMMT-së mund të emërohen specialist, që kanë kryer arsimin e lartë, të profesioneve agronomë, inxhinier gjeodetë ose, në mungesë të tyre, topograf me përvojë në këtë profesion mbi 10 (dhjetë) vjet. 2. ZMMT-ja në komunë dhe/ose bashki ka këto detyra dhe përgjegjësi: a) Përgjigjet për menaxhimin dhe mbrojtjen e tokës bujqësore, në pronësi shtetërore dhe në pronësi private, si dhe të kategorive të resurseve të tjera, të përcaktuara në nenin 11 të ligjit 8752, datë 26.3.2001 “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, për të gjithë territorin në juridiksion të komunës dhe/ose bashkisë. b) Mban dhe ruan, me inventarizim, dokumentacionin kadastral ekzistues, që ka për objekt kategoritë e resurseve në juridiksion të saj. c) Përgjigjet për grumbullimin dhe sistemimin e dokumentacionit të ri kadastral për tokën bujqësore dhe të kategorive të resurseve të tjera që me ligj janë transferuar në përdorim/pronësi të komunave dhe/ose bashkive, sipas burimeve të informacionit të përcaktuara në pikat 5, 6, dhe 7, të kreut III të këtij vendimi. d) Bazuar në dokumentacionin kadastral ekzistues dhe dokumentacionin e ri kadastral, që grumbullohet dhe sistemohet, plotëson “Regjistrin e tokës bujqësore dhe të disa kategorive të tjera të resurseve”, të miratuar me urdhrin e përbashkët, nr.107, datë 27.3.2009 të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe të Ministrit të Brendshëm. d.1 Kopja e plotësuar e “Regjistrit të tokës bujqësore dhe disa kategorive të tjera të resurseve” i dorëzohet në formë manuale dhe të digjitalizuar DAMT-së së qarkut. dh) Ndjek veprimtarinë për evidentimin e tokave bujqësore të pakultivuara, në juridiksionin e komunës dhe/ose bashkisë, bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë këtë veprimtari. e) Ndjek zbatimin e procedurave për qiradhënien e tokave bujqësore të pandara (me origjinë nga ish kooperativat bujqësore), në pronësi shtetërore apo që janë transferuar në përdorim/pronësi të komunës dhe/ose bashkisë, bazuar në dispozitat e legjislacionit në fuqi. ë) Evidenton sipërfaqet e dhëna me qira dhe i dërgon informacione periodike DAMT-së në qark. f) Evidenton në nivel ngastre (parcele), fshati (zone kadastrale) dhe komune/bashkie, ndryshimet dhe kalimet e ndërsjella të kategorive të resurseve, për të cilat janë marrë vendime nga organet shtetërore, që ligji i ka ngarkuar me kompetenca vendimmarrëse në këtë fushë. f.1 Mbi bazën e këtij evidentimi, përgatit “evidencën e gjendjes dhe ndryshimit të kategorive të resurseve”, që i dërgohet DAMT-së në qark, brenda datës 15 janar të vitit pasardhës. g) Përgatit të dhëna e informacione për përdorimin e resurseve të tokës, sipas kërkesave që bëhen nga komuna dhe/ose bashkia, DAMT-ja e qarkut dhe struktura të tjera të qeverisjes qendrore. gj) Mbi bazën e dokumentacionit, që disponohet, i dërgon DAMT-së së qarkut të dhënat dhe informacione, në çdo rast, kur këto kërkohen. h) Shqyrton kërkesat e subjekteve të interesuara për ndryshim të kategorive të resurseve të tokës dhe përgatit raportet teknike për këto kërkesa duke ia paraqitur për shqyrtim, sipas rastit, kryetarit apo këshillit të komunës dhe/ose bashkisë. i) Vendimet e miratuara për ndryshim të kategorive të resurseve, si dhe kërkesat bashkë me dokumentacionin përkatës ia dërgon DAMT-së së qarkut; ii) Për kërkesat e pamiratuara për ndryshimin e kategorive të resurseve, njofton me shkrim subjektet e interesuara. V. DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E DAMT-VE DHE ZMMT-VE PËR ZBATIMIN E PROCEDURAVE TË NDRYSHIMIT TË KATEGORIVE TË TOKËS BUJQËSORE SIPAS BONITETIT ZMMT-ja në komunë dhe/ose bashki dhe DAMT-ja e qarkut, për shqyrtimin e kërkesave dhe të propozimeve për ndryshimin e kategorive të tokës bujqësore sipas bonitetit, zbatojnë kriteret dhe procedurat, si më poshtë vijon: 1. Kategoria e tokës bujqësore sipas bonitetit lejohet të ndryshohet vetëm kur mbi këtë sipërfaqe kanë vepruar faktorë natyrorë të fuqisë madhore, si: tërmetet, vullkanet, rrëshqitjet masive të sipërfaqeve të tokës, përmbytjet, zjarre masive, fundosje të shtresave të tokës dhe faktorë të tjerë, të kësaj natyre. 2. Veprimi i faktorëve natyrorë të fuqisë madhore kërkohet të jetë i dokumentuar sipas njërës nga këto mënyra: a) Me procesverbal, të mbajtur në kohën e dëmtimit, i konfirmuar (nënshkruar) nga specialisti i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (DRBUMK), inspektori i IMT-së në qark dhe përgjegjësi i ZMMT-së në komunë dhe në bashki. Në procesverbal pasqyrohen dhe përshkruhen dëmtimet e dukshme fizike të tokës të shkaktuara nga faktorët natyrorë të fuqisë madhore. b) Me dokumentacionin e mbajtur nga IMT-ja, sipas procedurave të përcaktuara në pikat 5 deri 8 të kreut IV të vendimit nr.80, datë 28.1.2005 të Këshillit të Ministrave “Për përbërjen, mënyrat e funksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë e strukturave shtetërore të mbrojtjes së tokës bujqësore”. 3. Pronari privat i tokës bujqësore, për ndryshimin e kategorisë së tokës bujqësore, sipas bonitetit, mund të paraqesë kërkesë pranë komunës dhe/ose bashkisë ku kjo sipërfaqe ndodhet, ku shënohet identiteti i kërkuesit dhe bashkëlidhur së cilës duhet të paraqiten: a) dokumenti i noterizuar për disponimin e kësaj toke në pronësi; b) planimetria e sipërfaqes për të cilën kërkohet ndryshimi i kategorisë së tokës, sipas bonitetit, me kufij qartësisht të përcaktuar; c) vërtetim për gjendjen ekzistuese të kategorisë së tokës, sipas bonitetit, me të cilën figuron kjo sipërfaqe sipas studimit, të lëshuar nga DAMT-ja në Këshillin e Qarkut; ç) dokumentacionin, sipas pikës 2 të këtij kreu, që vërteton veprimin e faktorëve natyrorë të fuqisë madhore. 4. Këshilli i komunës dhe/ose bashkisë e shqyrton kërkesën brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e regjistrimit të saj. 4.1. ZMMT–ja në komunë dhe/ose bashki përgatit paraprakisht një raport teknik, që miratohet nga kryetari i komunës dhe/ose bashkisë, në të cilin jepet mendimi a propozimi për miratim ose jo i kërkesës. 4.2. Në rastin e miratimit të saj, kërkesa me të gjitha dokumentet përbërëse në formë propozimi, bashkë me vendimin e këshillit të komunës dhe/ose bashkisë, i dërgohet DAMT-së në këshillin e qarkut. Në rastin e mosmiratimit, vendimi i njoftohet, me shkrim, kërkuesit të saj. 5. Organet e qeverisjes vendore apo institucionet e tjera shtetërore, të cilët, bazuar në aktet ligjore ose nënligjore e disponojnë tokën bujqësore në administrim/përdorim, mund të ushtrojnë kërkesën në DAMT-në e qarkut për ndryshimin e kategorisë së tokës bujqësore, sipas bonitetit, kur vërtetojnë me dokumentacion veprimin mbi të, të faktorëve natyrorë të fuqisë madhore sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij kreu. Kërkesa përmban dokumentacionin e përcaktuar në pikat 2 e 3 të këtij kreu. 6. DAMT-ja, për kërkesat e paraqitura sipas pikave 2, 3, 4 e 5 të këtij kreu, bën verifikim për saktësinë e përmbajtjes së tyre dhe, kur i gjen ato në përputhje me dokumentacionin kadastral, të plotësuara me të gjitha elementet përbërëse të përcaktuara të tyre, ia dërgon për shqyrtim dhe miratim MBUMK-së. 6.1. Kur DAMT-ja i vlerëson të parregullta në përmbajtje dhe në procedurë kërkesat e ardhura nga komunat dhe/ose bashkitë, i rikthen ato me vërejtjet përkatëse. 6.2. Në çdo rast, DAMT-ja e qarkut bën shqyrtimin e kërkesave brenda 30 (tridhjetë) ditëve, duke filluar nga data e regjistrimit të tyre në zyrën e protokollit të këshillit të qarkut. 7. Shqyrtimi i kërkesave për ndryshim të kategorive të tokës, sipas bonitetit, nga struktura përgjegjëse e administrimit të tokave në MBUMK, analizat e tokave që kryhen nga QTTB-ja, Fushë- Krujë, si dhe procedurat e tjera konkrete për ndryshim të kategorive të tokës bujqësore përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. 8. Në tokat bujqësore, për të cilat nuk është kryer studimi i bonitetit ose për të cilat nuk ekzistojnë të dhëna e tregues të këtij studimi, për efekt të administrimit të tyre apo të ndryshimit të kategorive të resurseve, pronarët apo poseduesit e ligjshëm të tyre, si dhe institucionet shtetërore që i kanë këto toka në administrim/përdorim sipas akteve ligjore dhe nënligjore, detyrohen të kryejnë analizat e tyre pranë QTTB-së, Fushë-Krujë. 9. Kërkesat për kryerjen e studimit të bonitetit për sipërfaqet e tokave bujqësore, në të cilat nuk është kryer ky studim ose nuk ekzistojnë të dhëna e tregues të tij, bëhen, si më poshtë vijon: a) Nga pronarët privatë, kërkesat paraqiten në komunë dhe ose/bashki, ku shënohet identiteti i pronarit, dhe bashkëlidhur të cilave duhet të paraqiten: i) dokumentacioni që vërteton pronësinë e ligjshme mbi tokën; ii) planimetria e tokës në kufij qartësisht të përcaktuar; iii) vërtetimin e DAMT-së kur për ngastrën (parcelën), objekt kërkese, nuk disponohen të dhëna për kategorinë e saj, sipas bonitetit; iv) shkaqet (arsyetimi) përse kërkohet kryerja e studimit të bonitetit. ZAMT-ja në komunë dhe/ose bashki, kërkesën me dokumentacionin përkatës, ia dërgon DAMT-së në qark. b) Nga organet e qeverisjes vendore dhe institucione të tjera shtetërore që disponojnë tokë bujqësore në administrim/përdorim sipas akteve, ligjore ose nënligjore, kërkesat për kryerjen e studimit të bonitetit të tokës i paraqiten DAMT-së, sipas përmbajtjes së përcaktuar në shkronjën “a” të kësaj pike. DAMT-ja në qark, për të dyja rastet, verifikon kërkesat e paraqitura dhe kur këto i gjen të rregullta, ia dërgon Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. 10. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, pas shqyrtimit të tërësishëm të kërkesës së ardhur nga DAMT-ja, kur këtë e gjen në përshtatje me procedurat e përcaktuara, ia dërgon QTTB-së, Fushë-Krujë, e cila lidh marrëveshje me subjektet kërkuese të përcaktuara në pikat 3 e 5 të këtij kreu. Për lidhjen e marrëveshjes, MBUMK-ja njofton përkatësisht QTTB-në dhe subjektet kërkuese. 10.1. Në rast se kërkesa nuk rezulton në përshtatje me procedurat e përcaktuara, i rikthehet DAMT-së. 11. Subjektet e interesuara për ndryshimin e kategorisë së tokës sipas bonitetit, si dhe subjektet e interesuara për kryerjen e studimit të bonitetit për tokat bujqësore, në të cilat ky studim nuk është kryer apo nuk ekzistojnë të dhëna për kategorinë e tokës bujqësore sipas bonitetit, kryejnë paraprakisht likuidimin e shpenzimeve me tarifat e përcaktuara për QTTB-në. 12. QTTB-ja, brenda një muaji nga data e lidhjes së aktmarrëveshjes me subjektin kërkues, kryen analizat dhe, bazuar në të dhënat e tyre, harton raportin teknik, të cilin bashkë me aktvlerësimet përkatëse ia dërgon MBUMK-së. 13. Struktura përgjegjëse për administrimin e tokës në MBUMK shqyrton dokumentacionin e ardhur nga QTTB-ja dhe, kur këtë e gjen të plotë, ia paraqet për miratim ministrit. 14. DAMT-ja në qark, përmbajtjen e urdhrit të ministrit ua komunikon subjekteve që kanë bërë kërkesë, ZMMT-së në komunë dhe/ose bashki dhe i pasqyron ato në librin e bonitetit të tokës. VI. DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E DAMT-VE DHE ZMMT-VE PËR PASQYRIMIN NË DOKUMENTACIONIN KADASTRAL TË GJENDJES SË TOKAVE BUJQËSORE SIPAS ZËRAVE KADASTRALË 1. Toka bujqësore, si kategori e veçantë resursi, pasqyrohet në dokumentacionin kadastral, e grupuar sipas zërave kadastralë: a) Arë janë sipërfaqe të tokës bujqësore të mbjella me bimë arash ose të destinuara për mbjelljen e tyre; b) Pemëtore janë sipërfaqe toke bujqësore të mbjella me pemë frutore dhe agrume; c) Vreshta janë sipërfaqe toke bujqësore të mbjella me hardhi; ç) Ullishte janë sipërfaqe toke bujqësore të mbjella me ullinj. 2. DAMT-ja bën ndryshimin e zërave kadastralë të tokës bujqësore nga “tokë arë” në zërin kadastral “pemëtore”, “vresht” dhe “ullishte” ose anasjellas vetëm në bazë të akteve të verifikimit të zënies së tokës bujqësore me pemëtore, vreshta dhe ullishte. 3. Akti i verifikimit të zënies së tokës bujqësore me pemëtore, vreshta dhe ullishte përpilohet nga grupi i ekspertëve që krijohet nga drejtori i DRBUMK-së. 3.1. Krijimi i grupit të ekspertëve të verifikimit të zënies së tokës bujqësore me pemëtore, vreshta dhe ullishte dhe përmbajtja e aktit të verifikimit bëhen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. 3.2. Në përbërje të grupit të ekspertëve merr pjesë edhe përgjegjësi i ZMMT-së së komunës dhe/ose bashkisë përkatëse. 4. Një kopje e aktit të verifikimit të zënies së tokës bujqësore me pemëtore, vreshta dhe ullishte ose të pakësimit të këtyre zërave i dërgohet DAMT-së së qarkut. DAMT-ja e qarkut, në bazë të akteve të verifikimit të zënies së tokës bujqësore me pemëtore, vreshta dhe ullishte ose të pakësimit të këtyre zërave, bën pasqyrimin e këtij ndryshimi në dokumentacionin kadastral ekzistues. 4.1. Ndryshimet e zërave kadastralë të tokës bujqësore sipas pikave 2 e 3 të këtij kreu, rahen si pjesë e evidencës vjetore të fondit të tokës. VII. DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E DAMT-SË PËR PËRDITËSIMIN DHE PËRDORIMIN E DOKUMENTACIONIT KADASTRAL, SI DHE PËR ZBATIMIN E POLITIKAVE TË PËRDORIMIT TË TOKËS 1. DAMT-ja e qarkut, në dokumentacionin kadastral kryen veprimet e ndryshimeve apo të kalimeve për sipërfaqet e kategorive të resurseve që vijnë për efekt të vendimeve të organeve kompetente, sipas përcaktimeve të pikës 5 të kreut III të këtij vendimi, dhe të dokumentacionit zyrtar, të krijuar sipas vendimit nr.655, datë 28.7.2010 të Këshillit të Ministrave “Për rregullat dhe procedurat e ndryshimit të kategorive të resurseve të tokës”. 1.1. Aktet zyrtare, për efekt të të cilave bëhen veprimet e ndryshimeve apo kalimeve të kategorive të resurseve në dokumentacionin kadastral, ruhen në mënyrë të përhershme në arkivin e DAMT-së. 2. Veprimet e ndryshimeve apo kalimeve të kategorive të resurseve kanë si njësi bazë parcelën apo numrin e pronësisë dhe pasqyrohen në nivel fshati (zone kadastrale), si dhe të komunës dhe/ose bashkisë. 3. Për veprimet që kryhen në dokumentacionin kadastral, DAMT-ja njofton me shkrim dhe urdhëron ZMMT-në për pasqyrimin e tyre në dokumentacionin kadastral të komunës dhe/ose bashkisë. 3.1. ZMMT-ja në komunë dhe/ose bashki nuk mund të kryejë veprime për ndryshime/kalime të kategorive të resurseve në dokumentacionin kadastral, pa urdhër me shkrim të DAMT-së. 4. DAMT-ja pasqyron ndryshimet dhe kalimet e kategorive të resurseve në evidencën përmbledhëse të fondit të tokës, në nivel komune dhe/ose bashkie, të qarkut dhe ia raporton MBUMK-së, në fund të çdo viti. 5. DAMT-ja organizon grupe ekspertësh, të veçantë ose në bashkëveprim me institucione të specializuara apo të licencuara, për kryerjen e matjeve të thjeshta apo rilevimeve topografike për sipërfaqe të tokave bujqësore apo të kategorive të resurseve të tjera, për të cilat në dokumentacionin kadastral nuk ekzistojnë të dhëna për madhësinë e sipërfaqes së tyre. 5.1. Në çdo rast matjet e thjeshta dhe rilevimet topografike ndërmerren vetëm pas ushtrimit të kërkesave me shkrim nga njësi të qeverisjes vendore, të këshillit të qarkut, si dhe të MBUMK-së. 5.2. Në përfundim të matjeve të thjeshta apo rilevimeve topografike, grupi i ekspertëve krijon dokumentacionin përkatës, të përbërë nga harta, planimetri dhe regjistra, që ruhen në mënyrë të përhershme në arkivin e DAMT-së. 6. DAMT-ja pasqyron në librin (regjistrin) e studimit të bonitetit të tokave bujqësore çdo ndryshim të kategorive të tyre, të miratuara me urdhrin përkatës të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. 7. DAMT-ja ndjek zbatimin e dispozitave të legjislacionit në fuqi, që kanë si objekt politikat e përdorimit të tokës bujqësore në drejtim: a) Të përdorimit dhe shfrytëzimit të tokave bujqësore në pronësi private, nëpërmjet bashkëveprimit me njësitë e qeverisjes vendore për evidentimin e sipërfaqeve të pakultivuara dhe vënien e tyre në përdorim dhe shfrytëzim për të tretë, duke zbatuar procedurat ligjore të qiradhënies së tyre. Në mënyrë periodike, grumbullon të dhëna nga ZMMT-të për sipërfaqet e tokave të pakultivuara dhe sipërfaqet e dhëna me qira. Pas përpunimit dhe sistemimit të tyre, informon për gjendjen këshillin e qarkut dhe MBUMK-në. b) Siguron pjesëmarrjen e saj në bordet e qiradhënies së tokave bujqësore të pandara (me origjine nga ish-kooperativa bujqësore), në pronësi shtetërore, që organizohen nga komunat dhe/ose bashkitë, si dhe në bordet e qiradhënies së tokave bujqësore disponibël shtetërore (me origjinë nga ish-NB-të), që organizohen nga DRBUMK-të. Në mënyrë periodike grumbullon të dhëna nga ZMMT-ja dhe DRBUMK-ja për sipërfaqet e dhëna me qira të sipërfaqeve të tokave të pandara dhe të tokave disponibël shtetërore. Pas përpunimit dhe sistemimit të tyre, informon për gjendjen këshillin e qarkut dhe MBUMK-në; c) Në bashkëveprim me organet e qeverisjes vendore dhe ZMMT-të, kontrollon dhe merr masa të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore, në çdo rast kur vëren së në fondin e tokave bujqësore, në pronësi shtetërore, bëhen ndërhyrje në përdorim apo shfrytëzim të tyre në mënyrë të kundërligjshme nga persona të tretë. VIII. DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT 1. Ngarkohen kryetarët e komunave dhe/ose bashkive që të kryejnë emërimet e punonjësve të ZMMT ve sipas profesioneve të përcaktuara në pikën 1 të kreut IV të këtij vendimi, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. 2. Për kontrollin e zbatimit të detyrimeve nga institucionet vartëse, të përcaktuara në pikën 5 të kreut III të këtij vendimi, ngarkohen: 2.1 Ministria e Drejtësisë, për institucionet e përcaktuara në shkronjën “a”; 2.2 Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, për institucionet vartëse, për dokumentacionin e përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”; 2.3 Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, për institucionet e përcaktuara në shkronjën “dh”. 3. Në tabelën “Numri i punonjësve të seksioneve të administrimit dhe mbrojtjes së tokës”, që i bashkëlidhet vendimit nr.64, datë 21.3.2003 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e numrit të punonjësve të seksioneve të administrimit dhe të mbrojtjes së tokës, në këshillat e qarqeve, dhe të zyrave të menaxhimit dhe mbrojtjes së tokës në komunë dhe/ose bashki”, të ndryshuar, pjesa e saj për numrin e punonjësve sipas nënndarjeve administrative, shfuqizohet. 4. Vendimi nr.532, datë 31.10.2002 i Këshillit të Ministrave “Për mënyrat e ushtrimit të funksioneve nga seksionet e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qark dhe zyrat e menaxhimit dhe mbrojtjes së tokës në komunë dhe/ose bashki”, shfuqizohet. 5. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, kryetarët e komunave dhe/ose bashkive në juridiksionin e tyre dhe kryetarët e këshillave të qarqeve për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI Sali Berisha