Law No. 9401, dated 19 May 2005 on the accession of the Republic of Albania to the Agreement to promote compliance with international conservation and management measures by fishing vessels on the high seas
صدر في 2005-05-19 · النص بتاريخ 2026-10-01
القانون العام والإرشادات الرسمية منشورة بوصفها أبحاثاً. ليست مشورة قانونية أو ضريبية أو مالية.
البحث نفسه مكتوب بالإنجليزية. العناوين والوسوم مترجمة؛ أما النتائج والاقتباسات فغير مترجمة.
عن هذا القانون
- العنوان الأصلي
- LIGJ Nr. 9401, datë 19.5.2005 për aderimin e Republikës së Shqipërisë në “Marrëveshjen për nxitjen e respektimit të masave ndërkombëtare të menaxhimit dhe të ruajtjes së burimeve nga anijet e peshkimit në det të hapur”.
- اللغة
- Albanian
- النوع
- قانون
- المنظمة
- European Union
- الدولة
- ألبانيا
- الموضوعات
- Fisheries and aquaculture
- الكلمات المفتاحية
- fishery management and conservation, fishing vessel, international cooperation, high seas, ratification, maritime zone
أين تقرؤه
النص
نص القانون نفسه، مادةً مادة، كما هو محفوظ. لكل مادة رابطها.
LIGJ Nr. 9401, datë 19.5.2005 PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË “MARRËVESHJEN PËR NXITJEN E RESPEKTIMIT TË MASAVE NDËRKOMBËTARE TË MENAXHIMIT DHE TË RUAJTJES SË BURIMEVE NGA ANIJET E PESHKIMIT NË DET TË HAPUR” Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: Neni 1 Republika e Shqipërisë aderon në “Marrëveshjen për nxitjen e respektimit të masave ndërkombëtare të menaxhimit dhe të ruajtjes së burimeve nga anijet e peshkimit në det të hapur”, bërë në Romë më 24.11.1993. Neni 2 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shpallur me dekretin nr.4608, datë 6.6.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu MARRËVESHJE PËR TË NXITUR RESPEKTIMIN E MASAVE NDËRKOMBËTARE TË MENAXHIMIT DHE RUAJTJES SË BURIMEVE NGA ANIJET E PESHKIMIT NË DET TË HAPUR Palët në këtë Marrëveshje, duke njohur që të gjitha shtetet kanë të drejtën që anijet e tyre të peshkojnë në det të hapur, sipas rregullave të ligjit ndërkombëtar, ashtu siç përcaktohet në konventën e Kombeve të Bashkuara mbi ligjin e detit, duke njohur gjithashtu që, sipas ligjit ndërkombëtar, ashtu siç përcaktohet në konventën e OKB së në ligjin për detin, të gjitha shtetet kanë për detyrë të marrin ose të bashkëpunojnë me shtetet e tjera në marrjen e masave të tilla për anijet e tyre respektive kombëtare, të domosdoshme për ruajtjen e burimeve të gjalla në det të hapur, duke njohur të drejtën dhe interesin e të gjitha shteteve për zhvillimin e sektorit të tyre të peshkimit në përputhje me politikat e tyre kombëtare dhe të nevojës së nxitjes së bashkëpunimit midis vendeve në zhvillim, në rritjen e kapaciteteve të tyre për përmbushjen e detyrimeve që ato kanë, në bazë të kësaj Marrëveshjeje, duke ditur që Axhenda e 21-të e miratuar nga Konferenca mbi Mjedisin dhe Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara, u kërkon shteteve të ndërmarrin veprime efikase, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, për të luftuar ndërrimin e flamurëve nga anijet e tyre si një mënyrë për shmangien e rregullave të ruajtjes dhe të menaxhimit për peshkimin në det të hapur, duke ditur gjithashtu që Deklarata e Kankunit e miratuar nga Konferenca Ndërkombëtare mbi peshkimin e përgjegjshëm, u kërkon shteteve të ndërmarrin veprime në këtë drejtim, duke mbajtur parasysh që sipas Axhendës 21, shtetet angazhohen për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve detare të gjalla në det të hapur, duke u bërë thirrje shteteve të cilat nuk marrin pjesë në organizatat ose grupimet globale, rajonale ose nënrajonale të peshkimit, të anëtarësohen ose më mirë të bashkëpunojnë me këto organizata, ose palët e këtyre organizatave ose grupimeve, me qëllim përmbushjen e detyrimeve për zbatimin e ruajtjes ndërkombëtare të burimeve dhe masave menaxhuese, të vetëdijshëm mbi detyrimet e secilit shtet në ushtrimin efektiv të juridiksionit dhe kontrollit mbi anijet që mbajnë flamurin e tij, duke përfshirë anijet e peshkimit dhe anijet e transportit të peshkut, duke mbajtur parasysh që praktikat e dhënies së flamurit dhe të ndërrimit të flamurit të anijeve të peshkimit, përdoren si një mënyrë për të shmangur zbatimin e ruajtjes ndërkombëtare dhe masave menaxhuese për burimet detare të gjalla dhe që shtetet flamurmbajtëse nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre kundrejt anijeve të peshkimit që mbajnë flamurin e këtyre shteteve, janë ndër faktorët që seriozisht pengojnë efektshmërinë e këtyre masave, duke kuptuar që objektivat e kësaj Marrëveshjeje do të realizohen nëpërmjet përcaktimit të përgjegjësive të shteteve flamurmbajtëse kundrejt anijeve të peshkimit të pajisura me flamur nga ana e tyre dhe që veprojnë në det të hapur, duke përfshirë dhe autorizimet e lëshuara nga shtetet flamurmbajtëse për këto aktivitete, ashtu sikurse nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjes së transparencës, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit mbi peshkimin në det të hapur, duke nënvizuar që kjo Marrëveshje do të jetë pjesë e pandarë e Kodit Ndërkombëtar të Drejtimit për një peshkim të përgjegjshëm të aprovuar në Deklaratën e Kankunit, duke dashur të konkludojnë një Marrëveshje Ndërkombëtare në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Bujqësinë dhe Ushqimin që këtej e tutje do të quhet FAO, sipas nenit XIV të Kushtetutës së FAO-s, kanë rënë dakord si më poshtë: Neni 1 Përcaktime Në kuptim të kësaj Marrëveshjeje: a) “Anije peshkimi” nënkupton çdo anije e përdorur ose që parashikohet të përdoret për shfrytëzimin industrial të burimeve të gjalla detare, duke përfshirë anijet mbështetëse dhe çdo anije tjetër të përfshirë në veprimtarinë e peshkimit; b) “Ruajtje ndërkombëtare të burimeve dhe masa menaxhuese” nënkupton masa me qëllim ruajtjen ose menaxhimin e një ose më shumë llojeve të burimeve të gjalla detare, të cilat janë miratuar dhe zbatuar në përputhje me rregullat kryesore të ligjit ndërkombëtar siç parashikohet në Konventën e Kombeve të Bashkuara të 1982 mbi ligjin për detin. Këto masa mund të miratohen gjithashtu nga organizatat globale, rajonale ose nënrajonale të peshkimit, objekte të të drejtave dhe detyrimeve të anëtarëve të tyre ose nga traktatet, ose nga marrëveshje të tjera ndërkombëtare; c) “Gjatësi” nënkupton: i) për çdo anije të ndërtuar pas 18 korrikut 1982, 96% (për qind) e gjatësisë së përgjithshme mbi vijën e zhytjes në 85% (për qind) të zhytjes më të vogël të modeluar, e matur nga pjesa e sipërme e kallumës ose gjatësia nga pjesa ballore e bashit deri te vija e fletëve të timonit mbi këtë vijë zhytjeje, në qoftë se është më e madhe. Në anijet e ndërtuara me karenë të pjerrët, vija e zhytjes mbi të cilën matet gjatësia do të jetë paralele me vijën e zhytjes së projektuar; ii) për çdo anije tjetër të ndërtuar para 18 korrikit 1982, gjatësia e regjistruar është, ashtu siç është e regjistruar në regjistrat kombëtarë ose regjistra të tjerë të anijeve; d) “regjistër i anijeve të peshkimit” nënkupton një regjistër të anijeve të peshkimit, në të cilin janë të regjistruar të dhënat bazë të anijeve të peshkimit. Ai mund të përbëhet nga një regjistër i veçantë për anijet e peshkimit ose një pjesë e veçantë e një regjistri të përgjithshëm të anijeve; e) “Organizatë integrimi ekonomik rajonal” nënkupton një organizatë integrimi ekonomik rajonal, së cilës vendet anëtare i kanë transferuar kompetenca mbi çështjet që mbulon kjo Marrëveshje, duke përfshirë autoritetin e marrjes së vendimeve detyruese për vendet anëtare të saj për zbatimin e këyre çështjeve; f) “anije që kanë të drejtën të mbajnë flamurin e tyre” dhe “anije që kanë të drejtën të mbajnë flamurin e një shteti” përfshijnë anije që kanë të drejtën të mbajnë flamurin e një vendi anëtar të një organizate integrimi ekonomik rajonal. Neni 2 Zbatimi 1. Në zbatim të paragrafëve të mëposhtëm të këtij neni, kjo Marrëveshje do të zbatohet për të gjitha anijet e peshkimit, të cilat përdoren ose do të përdoren për peshkim në det të hapur. 2. Një palë mund të përjashtojë anijet e peshkimit me gjatësi më të vogël se 24 metra, që përdorin flamurin e saj nga zbatimi i kësaj Marrëveshjeje deri kur pala përcakton që ky përjashtim nuk do të shkelë objektivat dhe qëllimet e kësaj Marrëveshjeje, duke garantuar që këto përjashtime: a) nuk do të merren parasysh ndaj anijeve të peshkimit që kryejnë aktivitet peshkimi në zonën e peshkimit të përcaktuar në paragrafin 3 të mëposhtëm, ndryshe nga anijet e peshkimit që kanë të drejtën të përdorin flamurin e një shteti bregdetar të asaj zone peshkimi; b) nuk do të përfshijnë detyrimet e marra nga palët sipas paragafit 1 të nenit 3 ose paragrafit 7 të nenit 6 të kësaj Marrëveshjeje. 3. Pa asnjë paragjykim të klauzolave të paragrafit 2 të mësipërm, në çdo zonë peshkimi ku shtetet kufitare bregdetare nuk kanë deklaruar akoma zonë ekskluzive ekonomike ose zonë ekuivalente të juridiksionit kombëtar për peshkimin, këto shtete bregdetare, ashtu sikurse palët në këtë Marrëveshje mund të bien dakord ose drejtpërdrejt, ose nëpërmjet organizatave të peshkimit rajonal të përshtatshme, të vendosin një gjatësi minimale të anijeve të peshkimit në bazë të të cilit kjo Marrëveshje nuk do të zbatohet ndaj anijeve të peshkimit që përdorin flamurin e secilit prej këtyre vendeve bregdetare dhe që veprojnë ekskluzivisht në këtë zonë peshkimi. Neni 3 Përgjegjësitë e shtetit flamurmbajtës 1. a) Secila palë do të marrë masat e nevojshme me qëllim që të sigurojë që anijet e peshkimit që mbajnë flamurin e saj të mos zhvillojnë asnjë aktivitet që dëmton efektivitetin e ruajtjes ndërkombëtare të burimeve dhe masave menaxhuese. b) Në zbatim të pikës së mësipërme, një palë që ka bërë një përjashtim për anijet e peshkimit që mbajnë flamurin e saj, më të vogla se 24 metra gjatësi, sipas paragrafit 2 të nenit 2, në zbatimin e kërkesave të kësaj marrëveshjeje, kjo Palë do të marrë masa efektive kundrejt çdo anijeje të tillë peshkimi që dëmton efektivitetin e ruajtjes ndërkombëtare të burimeve dhe masave menaxhuese. Këto masa duhet të jenë të tilla që të sigurojnë që një anije peshkimi të mos kryejë aktivitete që dëmtojnë efektivitetin e ruajtjes ndërkomnbëtare të burimeve dhe masave menaxhuese. 2. Në veçanti, asnjë palë nuk do të lejojë që një anije peshkimi, që mban flamurin e saj, të përdoret për peshkim në det të hapur në qoftë se nuk është e autoriozuar të bëjë një gjë të tillë nga autoriteti kompetent ose autoritetet e asaj pale. Një anije peshkimi e autorizuar duhet të peshkojë në përputhje me kushtet e autorizimit. 3. Asnjë Palë nuk do të autorizojë një anije peshkimi që mban flamurin e saj të përdoret për peshkim në det të hapur, deri atëherë kur kjo palë të jetë në gjendje që, duke mbajtur parasysh lidhjet që ekzistojnë midis saj dhe një anijeje peshkimi si më sipër, të ushtrojë plotësisht përgjegjësitë e saj sipas kësaj Marrëveshjeje ndaj asaj anijeje peshkimi. 4. Atëherë kur një anije peshkimi, e cila është autorizuar të përdoret për peshkim në det të hapur nga një palë, përfundon së mbajturi flamurin e asaj pale, autorizimi i peshkimit në det të hapur do të konsiderohet i pavlefshëm. 5.a) Asnjë palë nuk do të autorizojë një anije peshkimi të regjistruar më parë në territorin e palës tjetër dhe që ka dëmtuar efektivitetin e ruajtjes ndërkombëtare të burimeve dhe masave menaxhuese, për t’u përdorur për peshkim në det të hapur, në qoftë se nuk plotëson këto kushte: i) Të ketë përfunduar çdo periudhë pezullimi nga një palë tjetër i një autorizimi për këtë anije peshkimi, për t’u përdorur për peshkim në det të hapur; dhe ii) Asnjë autorizim për këtë anije peshkimi për t’u përdorur për peshkim në det të hapur t’i jetë hequr nga një palë tjetër në tre vitet e fundit. b) Klauzolat e nënparagrafit (a) të mësipërm do të zbatohen gjithashtu kundrejt anijeve të peshkimit të regjistruara më parë në territorin e një shteti, i cili nuk është palë në këtë Marrëveshje, me kusht që të ketë informacion të mjaftueshëm për palën në lidhje me rrethanat në të cilat autorizimi për të peshkuar është pezulluar ose hequr. c) Klauzolat e paragrafëve (a) dhe (b) nuk do të zbatohen atëherë kur pronësia e anijes së peshkimit ka ndryshuar në vijim dhe pronari i ri jep garanci të mjaftueshme për të vërtetuar që pronari ose operatorët paraardhës nuk kanë më asnjë interes ligjor, përfitues ose financiar në pronësinë e kësaj anijeje peshkimi. d) Me përjashtim të kërkesave të nënparagrafëve (a) dhe (b) të mësipërm, një palë mund të autorizojë një anije peshkimi, së cilës këto nënparagrafe mund t’i zbatohen ndryshe, që të përdoret për peshkim në det të hapur, atëherë kur pala në fjalë, pasi është njohur me faktet themelore, duke përfshirë rrethanat në të cilat autorizimi për peshkim është hequr nga një Palë ose shtet tjetër, përcakton që dhënia e një autorizimi për përdorimin e anijes për peshkim në det të hapur nuk do të cenojë objektivat dhe qëllimin e kësaj Marrëveshjeje. 6. Çdo palë do të sigurojë që të gjitha anijet e peshkimit që mbajnë flamurin e saj dhe që janë regjistruar në regjistrin e mbajtur sipas nenit 4 janë të shënjuara në atë mënyrë që të mund të identifikohen lehtësisht në përputhje me standardet e përgjithshme të pranuara, siç janë specifikimet standarde të FAO-s për shënjimin dhe identifikimin e anijeve të peshkimit. 7. Çdo palë do të sigurojë që çdo anije peshkimi, që mban flamurin e saj, ta furnizojë atë me informacionin e nevojshëm mbi veprimtarinë e saj me qëllim që t’i mundësojë palës plotësimin e detyrimeve sipas kësaj Marrëveshjeje, duke përfshirë në veçanti informacionin në lidhje me zonën e veprimtarisë së saj të peshkimit dhe me zëniet dhe zbarkimet e produkteve të saj. 8. Çdo palë do të marrë masa shtrënguese kundrejt anijeve të peshkimit që mbajnë flamurin e saj, të cilat veprojnë në kundërshtim me klauzolat e kësaj Marrëveshjeje, duke përfshirë, atëherë kur shihet e arsyeshme, vendosjen e gjobave për shkeljen e këtyre kërkesave në legjislacionin kombëtar. Sanksionet e zbatuara kundrejt këtyre shkeljeve duhet të jenë mjaftueshmërisht të rënda për të qenë efektive dhe që të sigurojnë plotësimin e detyrimeve të kësaj Marrëveshjeje dhe t’i heqin shkelësve të ardhurat e përfitura nga aktiviteti i tyre i paligjshëm. Këto sanksione për shkelje të rënda, përfshijnë refuzimin, pezullimin ose heqjen e autorizimit të peshkimit në det të hapur. Neni 4 Regjistrat e anijeve të peshkimit Çdo palë, për qëllimet e kësaj Marrëveshjeje, do të mbajë një regjistër për anijet e peshkimit që mbajnë flamurin e saj dhe të autorizuara për t’u përdorur për peshkim në det të hapur, dhe do të marrë masa të tilla, nëse mund të jenë të nevojshme, për të siguruar që të gjitha anijet e peshkimit të jenë të regjistruara në këtë regjistër. Neni 5 Bashkëpunimi ndërkombëtar 1. Palët do të bashkëpunojnë në mënyrë të përshtatshme për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe në mënyrë të veçantë, do të shkëmbejnë informacion, duke përfshirë materiale evidentuese, në lidhje me aktivitetin e anijeve të peshkimit me qëllim që të ndihmojnë shtetin flamurmbajtës në identifikimin e këtyre anijeve të peshkimit që mbajnë flamurin e saj të raportuara në aktivitete që dëmtojnë ruajtjen ndërkombëtare të burimeve dhe masat menaxhuese, me qëllim përmbushjen e detyrimeve sipas nenit 3. 2. Kur një anije peshkimi gjendet vullnetarisht në një port të një pale, të ndryshme nga ai i shtetit flamur, dhe Pala atëherë kur ka dyshime të arsyeshme për të besuar që ajo anije peshkimi është përdorur në një aktivitet që dëmton efektivitetin e ruajtjes ndërkombëtare të burimeve dhe masave menaxhuese, do të njoftojë menjëherë për këtë shtetin flamurmbajtës. Palët mund të ndërmarrin veprime në përputhje me detyrimet e shteteve portuale për masat hetimore në qoftë se ato do të konsiderohen të domosdoshme për të përcaktuar nëse ajo anije peshkimi është përdorur në kundërshtim me klauzolat e kësaj Marrëveshjeje. 3. Palët, atëherë kur është e nevojshme dhe në mënyrë të drejtë, do të hyjnë në marrëveshje bashkëpunimi ose mirëkuptimi të asistencës së përbashkët mbi baza globale, rajonale, nënrajonale ose dypalëshe, me qëllim nxitjen e përmbushjs së objektivave të kësaj Marrëveshjeje. Neni 6 Shkëmbimi i informacionit 1. Çdo Palë do të bëjë të disponueshëm vullnetarisht në FAO informacionin e mëposhtëm për çdo anije peshkimi të regjistruar në regjistrin e kërkuar nga neni 4: a) emrin e anijes së peshkimit, numrin e regjistrit, emrat e mëparshëm (nëse njihen), dhe portin e regjistrimit; b) flamurin e mëparshëm (në qoftë se ka); c) sinjalin e radio-thirrjes ndërkombëtare (në qoftë se ka); d) emrin dhe adresën e pronarit ose pronarëve; e) kur dhe ku është prodhuar; f) llojin e anijes; g) gjatësinë. 2.Çdo palë, sa të jetë e mundur, do të bëjë të disponueshëm në FAO informacionin e mëposhtëm shtesë kundrejt çdo anijeje të regjistruar në regjistrin e kërkuar nga neni 4: a) emrin dhe adresën e operatorit (menaxherit) ose operatorëve (menaxherëve) (në rast se ka); b) llojin e metodës ose metodave të gjuetisë; c) llojin e zhytjes; d) gjerësinë maksimale; e) tonazhin Lord të regjistruar (GRT); f) fuqinë e motorit ose motorëve kryesorë. 3. Çdo Palë do të njoftojë menjëherë në FAO çdo modifikim të informacionit të renditur në paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni. 4. FAO do të qarkullojë periodikisht inforamcionin e marrë sipas paragrafëve 1, 2 dhe 3 të këtij neni te të gjitha palët dhe, sipas kërkesës, individualisht te secila palë. FAO, gjithashtu, në përputhje me kufizimet e vendosura nga pala e interesuar në lidhje me shpërndarjen e informacionit, do të japë këtë informacion pas kërkesës individuale të çdo organizate peshkimi globale, rajonale, ose nënrajonale. 5. Çdo Palë gjithashtu do të informojë menjëherë FAO-n mbi: a) çdo shtesë në regjistër; b) çdo fshirje nga regjistri dhe arsyen për: i) heqjen dorë ose mosrinovimin vullnetarisht të autorizimit të peshkimit nga pronari ose operatori i anijes së peshkimit; ii) heqjen e autorizimit të peshkimit të lëshuar ndaj një anijeje peshkimi sipas paragrafit 8 të nenit 3; iii) faktin që anija e peshkimit në fjalë nuk mban më flamurin e saj; iv) dërgimin nëpër skrap, daljen jashtë përdorimit ose humbjen e anijes së peshkimit në fjalë; ose v) çdo arsye tjetër. 6. Kur informacioni i jepet FAO-s sipas paragrafit 5(b) të mësipërm, pala e interesuar do të specifikojë cilat nga arsyet e renditura në këtë paragraf janë të zbatueshme. 7. Çdo palë do të informojë FAO-n mbi: a) çdo përjashtim që ajo ka vendosur sipas paragrafit 2 të nenit 2, numrin dhe llojin e anijeve të peshkimit të përfshira dhe zonat gjeografike në të cilat këto anije peshkimi veprojnë; dhe b) çdo marrëveshje të arritur sipas paragrafit 3 të nenit 2. 8. a) Çdo palë do të dërgojë menjëherë në FAO të gjitha informacionet e rëndësishme në lidhje me çdo anije peshkimi që mban flamurin e saj dhe që dëmton efektivitetin e ruajtjes ndërkombëtare të burimeve dhe masave menaxhuese, duke përfshirë dhe identitetin e anijes ose anijeve të peshkimit të përfshira dhe masat e marra nga ana e palës në respektimin e këtyre aktiviteteve. Raportet mbi masat e marra nga ana e palës mund të jenë objekt i disa kufizimeve sipas kërkesave të legjislacionit kombëtar për të respektuar konfidencialitetin, duke përfshirë, në mënyrë të veçantë, konfidencialitetin për masat që janë marrë dhe që nuk janë akoma përfundimtare. b) Çdo palë, atëherë kur ka dyshime të arsyetuara të besojë që një anije peshkimi që nuk mban flamurin e saj është e përfshirë në një aktivitet që dëmton efektshmërinë e ruajtjes ndërkombëtare të burimeve dhe masave menaxhuese, do t’ia paraqesë këtë shtetit flamurmbajtës të interesuar dhe nëse është e arsyeshme, t’ia paraqesë FAO-s. Ajo do t’i japë shtetit flamurmbajtës të gjitha evidentimet e mbështetura dhe mund t’i japë FAO-s një përmbledhje të këtyre evidentimeve. FAO nuk do të qarkullojë këtë informacion deri në atë kohë që shteti flamurmbajtës ka mundësinë të komentojë në bazë të dokumentacionit dhe evidencave të paraqitura, ose të kundërshtojë në rast se mund ta bëjë. 9. Çdo Palë do të informojë FAO-n për çdo rast kur një Palë, sipas paragrafit 5(d) të nenit 3, ka dhënë një autorizim pa marrë parasysh kërkesat e paragrafit 5(a) ose 5(b) të nenit 3, informacioni do të përfshijë të dhëna të padiskutueshme që lejojnë identifikimin e anijes së peshkimit dhe pronarin dhe operatorin dhe, nëse është e mundur, çdo informacion në lidhje me vendimin e palës. 10. FAO do të qarkullojë menjëherë informacionin e marrë sipas paragrafëve 5, 6, 7, 8 dhe 9 të këtij neni te të gjitha Palët dhe, në bazë të kërkesës, individualisht te secila palë. FAO gjithashtu, duke zbatuar çdo kufizim të vendosur nga pala e interesuar në lidhje me shpërndarjen e informacionit, do të japë këtë informacion menjëherë sipas kërkesës individuale të çdo organizate peshkimi globale, rajonale ose nënrajonale. 11. Palët do të shkëmbejnë informacionin në lidhje me zbatmin e kësaj Marrëveshjeje, përfshirë edhe nëpërmjet FAO-s dhe organizatave të duhura të tjera të peshkimit në nivel global, rajonal dhe nënrajonal. Neni 7 Bashkëpunimi me vendet në zhvillim Palët do të bashkëpunojnë në nivel global, rajonal dhe nënrajonal ose dypalësh dhe, siç është e përshtatshme, me mbështetjen e FAO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare ose rajonale, për të dhënë asistencë, duke përfshirë asistencën teknike, palëve që janë vende në zhvillim, me qëllim që t’i mbështesë ato në plotësimin e detyrimeve të kësaj Marrëveshjeje. Neni 8 Jopalët 1. Palët do të inkurajojnë çdo shtet jopalë të kësaj Marrëveshjeje të pranojnë këtë Marrëveshje dhe do të inkurajojnë çdo jopalë të aprovojë ligje dhe rregullore që kanë të bëjnë me kërkesat e kësaj Marrëveshjeje. 2. Palët do të bashkëpunojnë në mënyrë konsistente me këtë Marrëveshje dhe me ligjin ndërkombëtar, me qëllim që anijet e peshkimit që mbajnë flamurin e jopalëve të mos përfshihen në aktivitete që dëmtojnë efektshmërinë e ruajtjes ndërkombëtare të burimeve dhe masave menaxhuese. 3. Palët do të shkëmbejnë informacion midis tyre qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu edhe nëpërmjet FAO-s, kundrejt aktiviteteve që anijet e peshkimit që mbajnë flamurin e jopalëve të mos dëmtojnë efektivitetin e ruajtjes ndërkombëtare të burimeve dhe masave menaxhuese. Neni 9 Zgjidhja e mosmarrëveshjeve 1. Secila palë mund të kërkojë konsultime me çdo palë tjetër ose palët mbi çdo mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin ose aplikimin e klauzolave të kësaj Marrëveshjeje, me qëllimin për të arritur në një zgjidhje të ndërsjellë, të kënaqshme, sa më shpejt që të jetë e mundur. 2. Në rast se mosmarrëveshjet nuk zgjidhen nëpërmjet konsultimeve në një kohë të arsyeshme, palët e mësipërme do të konsultohen midis tyre sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet negociatave, hetimit, ndërmjetësisë, pajtimit, arbitrimit, zgjidhjes ligjore ose mjeteve të tjera paqësore në dispozicion të tyre. 3. Çdo mosmarrëveshje e këtij karakteri e pazgjidhur në këtë mënyrë, me pëlqimin e të gjitha palëve në mosmarrëveshje, do t’i referohet për zgjidhje vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykatës Ndërkombëtare për Ligjin e Detit, që ka hyrë në fuqi me Konventën e Kombeve të Bashkuara me ligjin e detit të 1982 ose nëpërmjet arbitrimit. Në rast të dështimit të arritjes së një marrëveshjeje bazuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Ligjit të Detit ose arbitrimit, palët do të vazhdojnë të konsultohen dhe të bashkëpunojnë me qëllim arritjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen në përputhje me rregullat e ligjit ndërkombëtar që lidhen me ruajtjen e burimeve detare të gjalla. Neni 10 Pranimi 1. Kjo Marrëveshje do të jetë e hapur për pranim nga secili anëtar ose anëtar i asociuar i FAO-s, dhe çdo shteti joanëtar që është anëtar i Kombeve të Bashkuara ose çdo agjencie të specializuar të Kombeve të Bashkuara ose Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. 2. Pranimi i kësaj Marrëveshjeje do të bëhet i vlefshëm nëpërmjet depozitimit të instrumentit të pranimit te Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s që më poshtë do të referohet si Drejtori i Përgjithshëm. 3. Drejtori i Përgjithshëm do të informojë të gjitha palët, të gjithë anëtarët dhe anëtarët e asociuar të FAO-s dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për të gjitha instrumentet e pranimit të marra. 4. Kur një organizatë integrimi ekonomik rajonal bëhet palë e kësaj Marrëveshjeje, si organizatë integrimi ekonomik rajonal, në përputhje me klauzolat e nenit II.7 të Kushtetutës së FAO-s, në mënyrë të përshtatshme, do të njoftojë këto modifikime ose sqarime të deklaratës së saj të kompetencave të paraqitura sipas nenit II.5 të Kushtetutës së FAO-s siç mund të jetë e nevojshme, në dritën e pranimit të kësaj Marrëveshjeje. Çdo palë e kësaj Marrëveshjeje, në çdo kohë mund t’i kërkojë organizatës së integrimit ekonomik rajonal që është palë me këtë Marrëveshje që të japë informacion se cila, midis organizatës së integrimit ekonomik rajonal dhe shteteve të saj anëtare, është përgjegjëse për zbatimin e çdo çështjeje të veçantë të parashikuar nga kjo Marrëveshje. Organizata e integrimit ekonomik rajonal do të sigurojë këtë informacion në një kohë të arsyeshme. Neni 11 Hyrja në fuqi 1. Kjo Marrëveshje do të hyjë në fuqi ditën e marrjes nga Drejtori i Përgjithshëm të instumentit të njëzet e pestë të pranimit. 2. Për kuptimin e këtij neni, një instrument pranimi i depozituar nga një organizatë integrimi ekonomik rajonal nuk do të llogaritet shtesë me atë të depozituar nga shtetet anëtare të kësaj organizate. Neni 12 Vërejtjet Pranimi i kësaj Marrëveshjeje mund të jetë objekt i vërejtjeve, të cilat duhet të bëhen efektive vetëm pas pranimit unanim nga të gjitha palët e kësaj Marrëveshjeje. Drejtori i Përgjithshëm do të njoftojë për këtë të gjitha palët për çdo vërejtje. Palët, të cilat nuk janë përgjigjur brenda tre muajsh nga data e marrjes së njoftimit, do të konsiderohen që kanë pranuar vërejtjen. Mospranimi i kësaj vërejtjeje do të thotë që shteti ose organizata e integrimit ekonomik rajonal nuk do të bëhet palë e kësaj Marrëveshjeje. Neni 13 Amendimet 1. Çdo propozim nga një palë për amendimin e kësaj Marrëveshjeje do të komunikohet te Drejtori i Përgjithshëm. 2. Çdo amendament i propozuar për këtë Marrëveshje, marrë nga Drejtori i Përgjithshëm nga një palë do të paraqitet në një sesion të rregullt ose të jashtëzakonshëm të Konferencës për aprovim, në qoftë se amendimi përfshin ndryshime të rëndësishme teknike ose imponon detyrime shtesë për palët, ai duhet të shikohet nga një komitet specialistësh të thirrur nga FAO përpara Konferencës. 3. Njoftimi për çdo amendament të propozuar të kësaj Marrëveshjeje do t’u bëhet palëve nga Drejtori i Përgjithshëm jo më vonë se data kur do të shpërndahet axhenda e sesionit të Konferencës në të cilën kjo çështje do të merret në konsideratë. 4. Çdo amendament i tillë i propozuar i kësaj Marrëveshejeje do të marrë aprovimin e Konferencës dhe duhet të hyjë në fuqi nga dita e tridhjetë pas pranimit nga dy të tretat e palëve. Amendime që kërkojnë detyrime të reja për palët, në çdo rast, duhet të hyjnë në fuqi për të respektuar secilën palë vetëm me pranimin e tij dhe pas tridhjetë ditëve pas këtij pranimi. Çdo amendim do të konsiderojë futjen e detyrimeve të reja për palët, me përjashtim kur Konferenca me konsensus, në aprovimin e amendamentit të vendosë ndryshe. 5. Instrumenti i pranimit të amendmentit që parashikon futjen e detyrimeve të reja do të depozitohet te Drejtori i Përgjithshëm, i cili do të informojë të gjitha palët mbi marrjen e pranimit dhe hyrjen në fuqi të mendimit. 6. Për kuptimin e këtij neni, një instrument pranimi i depozituar nga një organizatë integrimi ekonomik rajonal nuk do të llogaritet si shtesë e atyre të depozituara nga shtetet anëtare të kësaj organizate. Neni 14 Tërheqja Secila palë mund të tërhiqet nga kjo Marrëveshje në çdo kohë pas kalimit të dy viteve nga data në të cilën kjo Marrëveshje ka hyrë në fuqi në respektimin e secilës palë, nëpërmjet njoftimit me shkrim të kësaj tërheqjeje te Drejtori i Përgjithshëm, i cili do të informojë menjëherë të gjitha palët dhe anëtarët dhe anëtarët e asociuar të FAO-s për këtë tërheqje. Tërheqja do të bëhet efektive në fund të vitit kalendarik në vijim të atij në të cilin njoftimi i tërheqjes është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm. Neni 15 Përgjegjësitë e depozituesit Drejtori i Përgjithshëm do të jetë depozituesi i kësaj Marrëveshjeje. Depozituesi duhet: a) të dërgojë kopje të vërtetuara të kësaj Marrëveshjeje secilit anëtar ose anëtar i asociuar i FAO-s dhe atyre shteteve joanëtare që mund të bëhen palë e kësaj Marrëveshjeje; b) të marrë masa për regjistrimin e kësaj Marrëveshjeje, me hyrjen e saj në fuqi, me Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara në përputhje me nenin 102 të Marrëveshjes së Kombeve të Bashkuara; c) të informojë çdo anëtar ose anëtar i asociuar të FAO-s, ose çdo shtet joanëtar që mund të bëhet palë e kësaj Marrëveshjeje të: i) instrumenteve të pranimit të depozituara në përputhje me nenin 10; i) datës së hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje në përputhje me nenin 11; iii) propozimeve dhe amendamenteve të kësaj Marrëveshjeje dhe hyrjen e tyre në fuqi në përputhje me nenin 12; iv) tërheqjes nga kjo Marrëveshje sipas nenit 14. Neni 16 Autenticiteti i tekstit Tekstet në gjuhën arabe, kineze, angleze, franceze dhe spanjolle të kësaj Marrëveshjeje janë autentikisht të barabartë.